Blog

11 Dhj
0

25 vite nga themelimi i PD, Basha: Destini i Partisë Demokratike tu japë shqiptarëve të ardhmen e sigurtë europiane

Të dashur demokrate dhe demokratë,

Anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike kudo ku jeni,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik,

Miq dhe të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Kremtojmë sot me gëzim dhe krenari të ligjshme, me nderim dhe respekt të thellë për themeluesit dhe firmëtarët e parë, për nismëtarët, qëndrestarët dhe vazhduesit ndër vite, 25-vjetorin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Kremtojmë gjithashtu 25-vjetorin e fillimit të epokës së demokracisë në Shqipëri.

Rrallë ndodh që historia e një force politike të startojë në një orë dhe në një hap me historinë e re të vendit.

Kjo ka ndodhur në Shqipërinë e 11 dhjetorit duke u zbardhur 12 dhjetori i vitit 1990.

Pluralizmi politik, Partia Demokratike, liria, demokracia, ëndrra europiane  e shqiptarëve u nisën bashkë, si pjesë e një ngjarje unike nga ato ku takohen dhe shkrihen historia dhe perspektiva, e tashmja dhe e ardhmja.

Ne demokratët, jemi të lumtur dhe krenarë që  themelimi i Partisë Demokratike është një ngjarje me rëndësi dhe vlerë kombëtare, që kurdisi zemrekun e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri pas 48 viteve të gjata të terrorit dhe izolimit komunist.

Kjo ngjarje me jehonë dhe rrezatim të rrallë në hapësirën dhe në kohën shqiptare, e gjithë kjo histori është thjesht dhe vetëm e mrekullueshme.

Por festa jonë është një trinitet i krenarisë, i përgjegjshmërisë dhe përulësisë.

Krenarë për arritjet dhe sprovat e mëdha të Partisë Demokratike në pushtet apo në opozitë përgjatë 25 viteve të jetës së saj.

Të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për sfidat e reja, që na gjejnë në këmbë, të papërkulur, protagonistë, të qartë e të vendosur.

Por po kështu, të përulur përpara qytetarëve që kanë merituar e meritojnë më shumë.

Miq të dashur,

Përkujtimi, nderimi dhe reflektimet tona për Dhjetorin e Lëvizjes Demokratike studentore, intelektuale dhe popullore, për dhjetorin e pluralizmit politik, për dhjetorin e  krijimit të Partisë Demokratike. Tre  ngjarje të lidhura  pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën si dielli, rrezja dhe drita-rikthehen  çdo dhjetor, por nuk bien asnjëherë  në  rutinë,. Përkundrazi, shkëlqejnë  dhe vijnë me mesazhe dhe frymëzime të reja nga një vit në tjetrin.

Me ëndrrën e tyre të Shqipërisë si gjithë Europa dhe me kurajon e tyre për ta fituar me çdo çmim këtë ëndërr, Studentët e Dhjetorit ishin përpara, shumë më përpara, vite dritë përpara hesapeve, intrigave dhe lojërave politike në pallatin e regjimit të kohës. Studentët plazmuan ëndrrën europiane si drejtimin e pakthyeshëm të vendit tonë në familjen e kombeve të lira.

Mirënjohje përjetë Studentëve të Dhjetorit!

Ngjarja tjetër e denjë për çiltërsinë, mëvetësinë dhe largpamësinë e ëndrrës studentore dhe intelektuale të atyre ditëve të paharruara, ishte vendimi për krijimin e Partisë Demokratike mbrëmjen e shpalljes së pluralizmit politik, menjëherë pas kthimit në Qytetin Studenti të përfaqësisë së studentëve nga takimi me kreun e regjimit komunist. Prijësi  i Lëvizjes  studentore,  Azem Hajdari, studentë të tjerë protagonistët e Lëvizjes, intelektualë dhe pedagogë ishin bashkuar me studentët  në mbështetje të kërkesave të tyre politike  për pluralizëm, liri, demokraci dhe hapje, kuvenduan dhe konkluduan po atë natë se produkti i pluralizmit të porsalindur nuk mund të programohej kurrsesi nga regjimi në fuqi, i cili e kish treguar qartë se dëshironte të klononte një parti fasadë, sa për të kaluar radhën, sa për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe Perëndimit me një pluripartitizëm dekorativ dhe fiktiv.

Me këtë mendim i kish përcjellë shefi i diktaturës  përfaqësinë studentore-universitare të kohës.

Por çfarë partie do të krijonin studentët dhe intelektualët e dhjetorit? Kur do ta krijonin?

Ishin nga ato minuta dhe orë në jetën e kombeve që përcaktonin fatin e një kauze, të ardhmen e ngjarjeve. Ne tani e dimë, se ishin orët e një vendimmarrje që zbuloi mençurinë, vetëdijen dhe intuitën e drejtë të studentëve dhe intelektualëve për rëndësinë vendimtare të krijimit po atë natë, pa lënë asnjë vakum, të një partie të madhe popullore që ata e pagëzuan Partia Demokratike.

Themelimi pa humbur asnjë minutë i një partie demokratike popullore ishte replika madhështore me diktaturën që po perëndonte, e lirisë që kishte lindur dhe po nisej.

Fuqizimi i shpejtë i Partisë Demokratike, hyrja e saj e menjëhershme në ndërveprim aktiv me shtresimin dhe shpërthimin popullor antikomunist në vend, primati i saj absolut si forcë e re politike – të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me momentin e themelimit, me gjenezën e saj.

Në një kohë rekord, themeluesit e Partisë Demokratike hartuan programin e parë, programin e lirisë, në të cilin shpallën synime politike  të reja që  ngritën peshë një popull të marrë peng nga shtypja, varfëria dhe dogmat.

Pa mjete, pa kushte, pa financa, pa përvojën dhe njohuritë e nevojshme  demokratike, mes mijëra vështirësish dhe pengesash, themeluesit ndezën dhe çuan  pishtarin e demokracisë  në mbarë vendin, u përballën me partinë-shtet dhe me  shtetin policor të kohës që kish nxjerrë akoma më shumë dhëmbët pas lejimit  të pluralizmit, vranë frikën me guximin e tyre kudo ku frika përgjonte si bishë e vjetër shpërthimin e  lirisë.  E shtrinë dhe e ngritën partinë brenda  një kohë të shkurtër nga njëri cep i vendit në tjetrin,  ngritën për herë të parë pas 45 vitesh në qiellin e shqiptarëve flamurin e ndaluar të tokës së njerëzve të lirë, flamurin e SHBA, vendosën për herë të parë marrëdhënie bashkëpunimi të ngushta me parti politike europiane dhe me institucione të Bashkimit Europian, ndërtuan alternativën e parë  perëndimore  të Shqipërisë  dhe e udhëhoqën atë drejt suksesit me kurajo, me mençuri, me bashkim.

Studentët, intelektualët, themeluesit dhe nismëtarët e Partisë Demokratike e lindën këtë alternativë nga shpirti i tyre liridashës, nga ëndrra e rinisë dhe popullit shqiptar për t’ju bashkuar Europës.

Kjo alternativë nuk ishte partiake, në kuptimin që u japim sot alternativave dhe as e mbledhur në kufijtë e një gare elektorale apo të një mandati politik.

Ishte rruga e re, ishte drejtimi i ri, Shqipëria e re demokratike, Shqipëria e lirive dhe të drejtave universale, Shqipëria në NATO, Shqipëria e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, Shqipëria pranë Europës.

Më fjalë të tjera ishte Shqipëria që u bë, Shqipëria që kemi, e cila megjithë zigzaget, vonesat, ndalimet apo kthimet e përkohshme prapa në momente të caktuara është sot vite dritë larg asaj që ishte 25 vite më parë.

Kundërshtarët tanë politikë sot në qeverisje, edhe këtë vit të 25-vjetorit të ngjarjes më të madhe kombëtare, pas asaj të 100-vjetorit të Pavarësisë, nuk dolën dot nga meskiniteti dhe  kufizimet e tyre si trashëgimtarë të regjimit që demokratët  mposhtën një çerek shekulli më parë, nuk u ngritën dot në lartësinë e emancipimit dhe detyrës për të  përkujtuar me nderimet e merituara një jubile që vërtetë ka shenjën e një grupimi të caktuar politik por duke qenë gur themeli në ngrehinën e re të Shqipërisë demokratike, iu takon të gjithë shqiptarëve.

Nuk do të merresha sonte me qëndrimin e tyre, që spikat si mjerimi i tyre, por nuk mund të mos i akuzoj si provokatorë dhe sfidues, armiq të lirisë, me dekorimet e kriminale që u bënë xhelatëve të diktaturës pikërisht në 25-vjetorin e ngadhënjimit të lirisë.

Zonja dhe zotërinj,

Për ne si çdo herë dhe më shumë se herë të tjera, 11 Dhjetori është  një ditë apeli për themeluesit, për demokratët e orëve të para, për ata që qëndruan, për ata që s’reshtën së ardhuri nëpër vite për më të rinjtë që kanë vërshuar muajt e fundit dhe deri në ditët e fundit në partinë  e tyre të zemrës, në Partinë Demokratike.

Është një ditë apeli ku fort kumbon në kujtesën dhe në shpirtin e çdo demokrati zëri i paharrueshëm i atyre që vdekja i ka ndarë prej nesh, që nuk janë fizikisht mes nesh, por kanë lënë të gdhendur përgjithmonë emrin dhe veprën e tyre në librin e artë të Partisë Demokratike, në përmendoren e demokracisë shqiptare.

Vjen dhe kumbon sonte zëri i Azem Hajdarit, i pari i të parëve, lideri i Lëvizjes Demokratike të dhjetorit 1990, themeluesi dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, heroi i demokracisë shqiptare, të cilin armiqtë e lirisë e vranë para selisë së Partisë Demokratike  më 12 shtator 1998.

Do të kishim dashur shumë t’i shtrëngonim dorën në këtë përvjetor të madh, të Partisë që ai shpalli i pari me kurajo dhe trimëri, në Qytetin Studenti para mijëra e mijëra studentëve, të rinjve e të rejave, burrave dhe grave nga Tirana dhe mbarë vendi. Azem Hajdari është plaga dhe krenaria jonë, është kujtim, frymëzim dhe flamur për Partinë Demokratike.

Vjen sot kujtimi përherë i gjallë i studentit tjetër fisnik të dhjetorit, Arben Brocit, 21 vjeçarit nga Shkodra, që u vra në masakrën e 2 prillit 1991 bashkë me Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën nga dorasit e një regjimi kriminal në grahmat e fundit.

Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë sot themeluesin tjetër të orëve të para të Partisë Demokratike, Gramoz Pashkon, në shtëpinë e të cilit u redaktua programi i parë minimal dhe statuti i parë i partisë të sapo themeluar, formuluesin e parë të bazave të programit tonë të ekonomisë së tregut të lirë.

Kujtojmë Pjetër Arbnorin, Mandelën e Shqipërisë, i burgosur politik përgjatë një çerek shekulli në burgjet e regjimit më të egër, simbol i kurajos dhe urtësisë, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, drejtues  i lartë i Partisë Demokratike për shumë vite. Kujtojmë Ali Spahinë, shembull i madh i vlerave të qëndresës, maturisë, tolerancës dhe vendosmërisë, në shërbim të vizionit demokratik.

Emra të tjerë demokratësh të thjeshtë apo të shquar, që nuk jetojnë më, parakalojnë këtë çast në mendjen e secilit prej nesh. Për t’u ndalur tek më të fundit në  Panteonit tonë politik, Sokol Olldashi dhe Ferdinand Pone, dy politikanë të rinj në moshë por të sprovuar në beteja dhe sfida të shumta, në opozitë dhe në qeveri, drejtues të devotshëm e të talentuar të Partisë Demokratike, që  kanë lënë pas për ne kujtimin e ndritur dhe kuptim plotë të punës në shërbim të vendit para gjithçkaje.

Heshtja dhe duartrokitjet që shoqërojnë këtë evokim janë shprehje e nderimit dhe mirënjohjes tonë për të gjithë ata. Janë krenaria dhe frymëzimi ynë. Do t’i kujtojmë  gjithmonë, në çdo përvjetor, në çdo hap të ecjes tonë përpara dhe do t’ua përcjellim brezave të rinj të demokratëve  si krenari dhe trashëgiminë tonë.

Si çdo herë dhe më shumë se herë të tjera, ky  përvjetor vjen si një mbrëmje  nderimi për veprën 25 vjeçare të Partisë Demokratike, të anëtarëve dhe drejtuesve  të saj të çdo niveli  ndër vite.

Partia Demokratike ka nderin të ketë qenë në ballë të ndryshimeve të mëdha demokratike të vendit. Ajo  ka  udhëhequr dhe  udhëheq  ëndrrën europiane dhe euroatlantike të shqiptarëve.

Duke risjellë në mendje 11 dhjetorin 1990, orën e nisjes së madhe të demokratëve, kohën që ka rrjedhur më pas me protagonizmin konstant dhe kontributin vendimtar të Partisë Demokratike në të gjitha ngjarjet e mëdha të periudhës së re të demokracisë. Ne shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin nga themeluesit e parë tek anëtarët më të rinj dhe krenojmë si një trupë e vetme sepse ne të gjithë bashkë jemi një familje, familja e madhe demokrate në shtëpinë e madhe të lirisë që ka ndërtuar histori pozitive e do të vazhdojë të ndërtojë histori pozitive në Shqipëri.

Si një prej anëtarëve që qëndrojnë midis themeluesve dhe më të rinjve në këtë familje të madh politike unë kam kënaqësinë të pohoj këtu diçka që kam bindjen se e mendojmë të gjithë: Jemi një parti 25-vjeçare që ka në gjirin e saj  shumë nga themeluesit e saj të shquar, shumë nga qëndrestarët dhe vazhduesit e saj të shquar, ata që kanë bërë historinë e saj, që kontribuojnë pareshtur me personalitetin, përvojën dhe përkushtimin e tyre për suksesin e ri të Partisë Demokratike përballë sfidave të reja të kohës.

Ky është një privilegj për gjithë ne, e në veçanti të rinjtë, që nuk ka dyshim se krenohen e do të krenohen nesër para më të rinjve, para fëmijëve të tyre për këtë fakt, për faktin se kanë qenë në një parti, kanë punuar për një kauzë politike, kanë qenë në një përvjetor me Sali Berishën dhe themeluesit e tjerë të Partisë Demokratike.

I dashur miku im dhe miku i të gjithë demokratëve, lideri historik, Sali Berisha. Ju drejtohem ju dhe nëpërmjet jush të gjithë themeluesve me urimet më të përzemërta që do të doja të ishin medalja e mirënjohjes së thellë të gjithë demokratëve dhe times gjithashtu, për ty dhe gjithë themeluesit e Partisë Demokratike.

Ju e krijuat dhe ju e mbajtët Partinë Demokratike formacionin më të fuqishëm të qendrës së djathtë në Europën ish-komuniste.

Ne e dimë se çfarë do të thotë kjo. Dua të theksoj se me Sali Berishën dhe themeluesit e tjerë të spikatur, me të vjetrit dhe me të rinjtë, Partia Demokratike  është më e fortë, më e bashkuar, më e urtë, më e mençur, më energjike.

Kjo parti është Shtëpia e Lirisë, ku mosha është pik së pari kontributi në vijimësi i gjithsecilit.

Ja pse them: se para Projektit tonë Kombëtar të Demokracisë së re që kemi lançuar dhe po çojmë përpara së bashku,të gjithë demokratët  janë të rinj, të gjithë jeni të rinj,  ju duam të gjithëve të rinj në energji, në mendësi, në vizion, në vlera.

Ky përvjetor i madh na fton të hedhim vështrimin përpara, të projektojmë  perspektivën, duke filluar me të nesërmen e afërt të Shqipërisë që po vuan pasojat e gjithanshme ekzistenciale, ekonomike, shoqërore dhe psikologjike të qeverisë më të papërgjegjshme, më të korruptuar dhe më të inkriminuar të tranzicionit.

Protesta madhështore e 8 dhjetorit konfirmoi vendimin e madh e të pakthyeshëm  të qytetarëve shqiptarë në udhëkryqin e ri të demokracisë sonë: largimin e qeverisë Rama-Meta, jo thjesht si një qeveri mashtruese, e paaftë dhe e dështuar në mos mbajtjen e premtimeve, por si një qeveri e rrezikshme për vendin dhe qytetarët, si një rrezik në veprim që rrit çdo orë dhe çdo ditë fatkeqësinë për vendin, që provokon çdo orë dhe çdo ditë  ikjen e shqiptarëve nga Shqipëria.

Të ikë fatkeqësi-qeveria. Të qëndrojnë qytetarët. Të bjerë oligarkia, të ringrihet liria dhe demokracia.

Ky është vendimi i 8 dhjetorit të dytë që po përhapet në mbarë vendin siç u përhap 25 vjet më parë era e lirisë së 8 dhjetorit të parë.

Kjo është shpresa. Kjo është zgjidhja.

Partia Demokratike i prin kësaj stuhie të re të përballjes me të keqen, i prin ëndrrës dhe shpresës së re të daljes në hapësirën dhe standardin e demokracisë më të përparuar perëndimore.

I prin me historinë tonë më të mirë, me bashkimin dhe përtëritjen tonë, me alternativën tonë të re të zhvillimit. I prin e vetëdijshme për misionin e saj hyjnor.

Shumë parti kanë lindur dhe kanë vdekur përgjatë historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar. Disa me turp. Disa sepse iu erdhi dhe iu vjen dita.

Por Partia Demokratike që doli në skenën politike të kohës si fuqia e përmbysjes së robërisë dhe ndarjes përfundimtare nga diktatura, si forca e lirisë dhe të drejtave të njeriut, si partia e vokacionit perëndimor, e integrimit Euro-Atlantik dhe Europian të Shqipërisë, mbartëse e aspiratave mbarëpopullore për një ndryshim të thellë në jetën e vendit dhe gjithsecilit; mbrojtëse e paepur e interesit kombëtar;

Partia Demokratike e Shqipërisë e ka të shkruar në destinin e vet dhe në përkushtimin tonë të vazhdojë të rritet, të vazhdojë të forcohet, të vazhdojë të ndërtojë përparim, mirëqenie dhe një të ardhme të sigurt Europiane për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Gëzuar të gjithëve!

Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!


Fjalimi i e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Fjalimi i deputetit Arben Imami në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike

Gëzuar të gjithëve

Gëzuar këtë ditë të madhe të gjithëve ne anëtarë të Partisë Demokratike por edhe të gjithë historisë tonë politike si vend dhe si komb.

Kjo është një parti e madhe dhe u krijua si një parti e madhe. U krijua si një aprti që do të përfaqësonte të gjitha shtresat, që do të përfaqësonte të gjitha opinionet politike të së djathtës. Që do të përfaqësonte në radhe të parë lëvizjen studetore, të Azem Hajdarit, Arben brocit dhe shumë të tjerëve. Të intelektualëve të shquar të tjerë antikonformistë si Dr Berisha, Gramoz Pashko, etj. Të të përndjekurve dhe burgosurve politikë si Pjetër Arbnori, Ali Spahia, e shumë të tjerë.

Po kështu, do të përpiqej të bashkonte nga jugu në veri çdo aspiratë kombëtare liridashëse dhe demokratike. Ajo në  fakt, me krijimin e saj ishte realizimi e ëndrës së pruralizmit politik, ishte shprehje e një projekti të madh të shqiptarëve për lirinë, për demokracinë, për Europën. Ky është miti ynë themelues që unë jam përpjekur ta them shumë shpesh këto ditë. Megjithëse ky mit themelues nuk kundërshtohet nga askush, megjithëse të gjithë përkulen me respekt para kësaj vepre të madhe të shqiptarëve, dhe këtu nuk është fajala për nejrëz konktretë kur aq më tepër një pjesë e jona konkuron ende politikisht, por kur vjen fundi ne duhet ti respektojmë pikërisht këto vlera. Çështë Europa?! Europa është shtet i ligjit. Është shtet që mbron të drejtat e njerit, është shtet që përpiqet për përparimin ekonomik.

E kur kthejmë kokën këta dy vjet ne shohim se e kundërta e këtyre vlerave është politika e qeverisjes së sotme. Ky mission i madh që ishte misioni ynë që sjell lirinë, demokracinë, Europën në Shqipëri po kryhet në kushtet më të vështira për hir së të vërtetës. Në kushtet e dikaturës më të egër të lindjes, në kushtet ku mungonte krejtësisht çdo e drejtë njerëzore, kur kishim një regjim tërësisht policesk, kur mungonte tregu, kur mungonin zgjedhjet e lirae gjithëçka tjetër. Por ne kishim të qartë një gjë tjetër që ne duhet të shkonim qartazi drejt Europës, drejt këtyre lirive, drejt asaj fitore të madhe të 22 marsit 1992 dhe të gjithë bashkë. Është fat i madh për Partinë Demokratike dhe ska ndodhur për shumë parti të tilla në ish lindjen komuniste, që të mbetet ende një forcë e madhe, qoftë në opozitë qoftë edhe në qeverisje. Dhe kjo është për shkak së punës, sakrificës, të mijëra e mijëra anëtarëve të Partisë Demokratike e veçanti për merita të vençanta të Dr Berishës e shumë drejtuesve të kësja partie në vite.

Sigurisht që ky mision vazhdon dhe shpresojmë dhe kemi besim të plotë tek kryesia e re, tek lideri i ri i Partisë Demokratike që mëgjithëse në kushtet e një shteti policor, ku krimi mbretëron në zyrën e kryeministrit, ministrit të Brendshëm, edhe ministrave me radhë, ku korrupsioni ka përfshirë pothuajse gjithëçka, ku shkelen liritë e të drejtat e njerëzve, burgosen fëmijë, gra, pleq, të sëmurë, vdesin në komisariate e burgje, kur mposhtet njeriu i pamundur e i varfër që nuk ka mundëis të rezistojë, nuk ka mundësi të luftojë dhe kur ne duhet të jemi zëri i tij, kur përdhosen zgjedhjet e lira, nuk ka zgjedhje tjetër për Shqipërinë përveçse Partia Demokratike.

Mësimi i vitit 1990 është ky; të ecim ashtu sikurse u proklamua nga z Basha në mitingun protestë të fundit për një qeveri teknike, për zgjehdje të reja. Bashkë drejt këtij objektivi. Liri. Demokraci.


Fjalimi i deputetit Arben Imami në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Fjalimi i deputetit Eduard Selami në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike

Gëzuar festën.

Është një nder dhe privilegj i veçantë që tu drejtohem ju këtu që përfaqësoni një nga lëvizjet më progresive, një nga lëvizjet më europiane dhe demokratike të Shqipërisë, Lëvizjen e Dhjetorit që solli krijimin e Partisë Demokratike. Pa Partinë Demokratike, kjo lëvizje progresive nuk do të arrite ato rezultate që arriti. Nga vendi më i izoluar i Europës, nga përballja me dikaturën më të egër komuniste, në vitet e para 1990 Shqipëria ishte vendi i parë që kërkoi anëtarësimin në NATO. Shqipëria ishte vendi që në më pak se katër vjet arriti që të anëtarësohet me të drejta të plota në Këshillin e Europës. Dhe kjo falë Partisë Demokratike. Falë atyre që një pjesë janë këtu, një pjesë nuk ndodhen këtu por janë me shpirt, të gjithë sakrificave dhe punës së palodhur, ne jemi krenarë dhe unë dua t’u falenderoj nga zemra.

Por siç thotë Xhon Kenedi; atij që i besohet, nga ai më shumë pritet. Prandaj dhe sot Shqipëria pas 25 viteve përsëri ka nevojë për një rigjallërim të vlerave më të mira të shpirtit demokrat të shqiptarëve. Me të drejtë shqiptarët, për shkak të keqqeverisjes po humbasin shpresën. Por ku më shumë e ku duhet ta kërkojmë përveçse Partisë Demokratike. prandaj ky është detyrimi ynë i përbashkët.

Ndaj unë, nëse ngrë zërin kritik e bëj pikërisht në sajë të këtyre vlerave, të këtyre shpresave e besimi që shqiptarët kanë tek Partia Demokratike. Dhe jam i bindur që ne do të arrijmë shumë shpejt që tu kthejmë shqiptarëve edhe njëherë në rrugën e drejtë dhe të progresit, në rrugën e përshpejtimit të anëtarësimit tonë të plotë në Europë. Unë mendoj se shumë shpejt Partia Demokratike do të rikthehet në pushtet e do ta kthejë Shqipërinë në rrugën e mbarë, në rrugën e përparimit dhe në rrugën e Europës. Ju faleminderit dhe gëzuar festën.


Fjalimi i deputetit Eduard Selami në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Berisha demokratëve: Edhe sikur vetëm 1 po të mbeteni, prap do të mbetem njëri prej jush!     

Demokrate, demokratë, mbështetëse dhe mbështetës të Partisë Demokratike, shqiptare e shqiptarë kudo që jeni; Gëzuar këtë ditë, ditën e lirive tona politike, ditën e lirisë së shqiptarëve, ditën e themelimit të Partisë Dmeorkatike, partisë së idealeve tuaja më fisnike. Ndaj dhe sot, unë dua të përulem me nderimin më të pakufijshëm, mirënjohjen më të thellë, para veprës së Azem Hajdarit, studentëve liberatorë, intelektualëve dhe qytetarëe të Tiranës, që 25 vjet më parë nxorrën shqiptarët nga mbretëria e terrorit më të egër, barbarive më mizore, izolimit më të thellë, mjerimit më të skajshëm dhe themeluan me guximin e tyre në kufijtë e legjendës, pluralizmin politik, Partinë Demokratike, si parti e vërtetë opozitare, në tërë memorien e gjatë tonë kombëtare.

Azem ti je gjallë!

Unë sot dua të përulem, me nderimin më të madh, para jush, demokratë dhe demokrate, në këtë sallë, kudo që jeni në çdo skaj të Shqipërisë, jashtë saj, kudo në botë, në emigracion, në diasporë, për mbështetjen tuaj të jashtëzakonshme, që i keni dhënë dhe i jepni sot Partisë Demokratike.

Gjatë këtyre 25 viteve, ndoshta mijëra e mijëra herë i kam thënë vetes, se kam lindur me fat, se kam lindur me këmishë, sepse isha njëri prej jush, dhe ne së bashku Shqipërinë e gremisur në honet e historisë e ngritëm në rrugën e lirisë, e hapëm drejt Europës, vendosëm liritë dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve, e integruam atë në Këshillin e Europës, e integruam në NATO, e çuam në statusin e vendit kandidat për anëtar në Bashkimin Europian, Shqipërinë, Angolën apo Ugandën e Europës ne e nxorrëm nga mjerimi ekstrem, të ardhurat për frymë u rritën nga 204 në 11 mijë dollarë.

Ndaj dhe unë dua t’u garantoj se do vazhdoj përpjekjet e mia gjithë jetën time, së bashku me ju, për ju, për ndërtimin dhe lartësimin e idealeve dhe vlerave që besoj.

Viktor Hygo ka shkruar në një vjershë të tij, dhe unë po ia marr hua sot këtu: Sikur 1 mijë të mbeteni, do të mbetem njëri prej jush! Sikur 100 të mbeteni, do të mbetem njëri prej jush! Sikur vetëm 1 të mbetet, do të jem njëri prej jush!

Rroftë Partia Demokratike! Zoti i bekoftë demokratët! Zoti bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj, shqiptarët kudo ku janë!

Ne mblidhemi sot, pasi me besimin tonë të palëkundur tek vota e lirë, liria dhe vlerat e saj, vlerësuam, respektuam plotësisht votën e shqiptarëve, proçeduam me një transferim të rregullt të pushtetit, pa menduar kurrë se liritë e shqiptarëve, se qeveria e tyre në dy vite, do të rrokullisej ndoshta dhe me shpejtësinë më të madhe se në kohërat më të zeza të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Këto dy vite, ata që erdhën në pushtet shndërruan qeverinë e shqiptarëve në një organizatë kriminale të përbërë nga hajdutët e shtetit, hajdutët e pasurive tuaja, ata përdorën votën tuaj, ata përdorën votën e shqiptarëve për të vjedhur, për të përvetësuar, për të plaçkitur çdo orë, çdo ditë, çdo javë pasuritë e tyre, për të dhunuar moralin e tyre, për të rrënuar votën e tyre.

Një kushtrim vjen nga thellësitë e qenies sonë, një kushtrim vjen nga ata që përmbysën diktaturën, një apel drejt guximit tuaj. Dhe unë u them se guximi juaj sot është 100 herë më i madh se sa guximi ynë në vitet ’90. Sepse ne ishim burra dhe gra, djem dhe vajza të rritur në skllavëri, të rritur në shtypje, të rritur në barbari.

Ne me qindra mijra herë kishim ndjerë rrahjen e zemrave tona nga frika e terrori, kurse sot ne jemi 25 herë më të guximshëm, 25 herë më të fuqishëm, 25 herë më të qartë për të mbrojtur liritë tona, për të mbrojtur votën, për të mbrojtur qenien tonë.

Ndaj dhe thirrja ime është të ngrihemi në lartësinë e guximit që kemi, të ngrihemi në lartësinë e guximit që kërkon koha.

Ky vrasës i shpresës duhet të marrë sa më shpejtë atë që meriton. Fundin. Koshin e plehrave të etërve të tij. Edi Rama duhet të rrëzohet me të gjitha mjetet demokratike sa më parë.

Demokrate dhe demokratë,

Prova është e jona, kushtrimi është i yni, thirrja është e jona, të mos presim asnjë një orë, asnjë ditë, se çfarë do të bëjnë shqiptarët, por të shohim çfarë do bëjmë vet për të inkurajuar ata, për ti organizuar ata, për ti mbledhur ata, për t’u rikthyer atyre shpresën, besimin, se Shqipëria, e bukura e dheut s’meriton të largoheni por meriton të luftojmë, të punojmë me guxim të madh për ta vendosur atë në rrugën e lirisë.

Demokrate dhe demokratë, edhe një herë ju përshëndes miqësisht.

Ju ftoj secilin prej jush, çdo shqiptar, çdo demokrat, të mendojë nga mëngjesi në darkë për të gjitha format e mosbindjes civile paqësore për të qëruar sa më parë këtë klikë që po largon nga Shqipëria çdo vit qindra mijëra të rinj, që po shkreton këtë vend, që i ka dhënë Shqipërisë reputacionin e Sirisë përsa u përket azilantëve politikë, që po i vdes njerëzit në burgje, që po i vdes njerëzit në kasolle të ftohta duke i lënë pa energji dhe pa çdo gjë, që po ndërton përsëri parajsën e bijve të etërve mizorë mbi liritë e shqiptarëve.

Në këmbë, në këmbë, në këmbë! Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!”


Fjala e ish kryeministrit Sali Berisha në 25 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Fjalimi i kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi në 25 vjetorin e krijimit të PD

I nderuar z. Basha, kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

I nderuar Prof. Dr Sali Berisha,

zotërinj të nderuar themelues të Partisë Demokratike,

deputetë, Dhjetoristë të vitit 1990,

zonja zotërinj, të nderuar miq

Fjalën time dua të nis me një falënderim nga zemra, me mirënjohje e respekt historik për themeluesit e forcës më të madhe politike që në themel të saj ka lirinë, në themel të saj ka demokracinë, ka vlerat universale, ka besimin tek të drejtat e njeriut, të  shtetit ligjor, të tregut të lirë.

Mirënjohje dhe nderim për për heroin e demokracisë Azem Hajdarin. Sot, të gjithë përkulemi me respect për studentët që me guxim e kurajo ndezën dritën e lirisë, vranë frikën dhe  celën shpresën për të gjithë shqiptarët.

Demokratët ja dedikojnë angazhimin e tyre në politikë liderit historic Sali Berisha. Mirënjohje dhe admirim për burrin e shtetit që i dha Shqipërisë dhe Shqiptarëve dhuratën më të cmuar lirinë!!

Miq, demokratë, sot çdonjëri prej nesh ndihet i shtëpisë në këtë festë sepse kontributi i gjithesecilit ka qënë i rëndësishëm dhe me kuptim në këta 25 vite.

Ne, si familja e vlerave, e potencialeve, aftësive, dhe sinergjise, kemi meritën dhe firmën për cdo arritje të Shqipërisë, për cdo aderim në konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, anëtarësimin përkrah aleatëve botërorë të lirisë e sigurisë në Nato, pavaresinë e Kosovës, liberalizimin e vizave dhe plot relitete që transformuan vendin tonë.

Në përvjetorin e 25-të të themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, pas afro gjysëm shekulli diktature, unë ndihem e nderuar që më jepet fjala dhe unë atë do t’ia kushtoj grave dhe vajzave.

Partia Demokratike në krahun e djathtë të saj ka pasur dhe ka aleaten kurajoze dhe të guximshme me të cilën përballoi sfidat e ndërtimit të shtetit demokratik dhe sot përkrah saj është angazhuar në një përpjekje kombëtare për të shpetuar Shqipërinë nga një izolim i dytë për shkak të keqqeverisjes dhe lidhjeve kriminale të pushteteve në Shqipëri.

Si Kryetare e Lidhjes Demokratike e Gruas së Shqipërisë dua të shpreh mirënjohjen time më të madhe për gratë dhe vajzat që i kanë dhënë buzëqeshjen, I kanë dhënë energjinë, i kanë dhënë kuptimin, cdo fitoreje dhe përballje me sfidat, edhe aty ku dukej e pamundur.

Sot dua të falenderoj kryetaret në vite të LDGSH: znj. Flutura Hasko, znj. Antoneta Luli, znj. Marjeta Zace. Mirënjohje për të gjitha gratë themeluese, aktiviste e simpatizante të forumit më të madh politik të grave që më kohë të mira e të vështira kanë qenë gjithë me ne, na kanë mbështetur në mënyrë të pakufishme e me shumë durim e dashuri.

Faleminderit të gjithave, ju gra fisnike të shtëpisë sonë të vlerave!!

Por në këtë përvjetor cerek shekullor të jetësimit të Partisë së parë pluraliste në Shqipëri, Partisë Demokratike, e djathta duhet të krenohet për avancimin e të drejtave e grave.

Të djathtët e përkushtuar dhe me vizionin e z. Sali Berisha, mundësuan përparimin e të drejtave të grave, të kuotuara edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare. Falenderime sot I shkojnë z. Basha I cili u bë Kryetari I parë I një force politike që artikuloi dhe kërkoi 50% të grave në Këshillat bashkiakë. Përqindja e grave në politikë dhe ne vendim marrje u bë busulla e politikave për barazine gjinore.

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë sot është formacioni politik më i madh i grave në vend, me 20 mijë anëtare, është pjesë e Forumit të Grave Popullore Europiane dhe është përfshirë edhe në procese lobimi.

Por gratë dhe vajzat ende nuk e kanë fituar betejën me shkelësit e të drejtave të tyre.

Sot, sfida e grave dhe vajzave është mbrojtja e Demokracisë, ashtu sic ato dijnë të kujdesen për familjen e madhe, Shqipërinë

Ne, nuk do të lejojmë që Shqipëria që ju rritët me aq ndjenjë e përkushtim, të keqtrajtohet dhe të përdhoset.

Ne, do të rreshtohemi përhrah burrave, vëllezërve, të rinjve e të rejave.

Zëri ynë, do të ngrihet në mbrojtje të jetës;

Zëri ynë do të ngrihet kundër përcmimit, arrogancës dhe dhunimit politik të kësaj Qeverije;

Zëri ynë do të ngrihet për të mbrojtur familjet dhe fëmijët tanë;

Zëri ynë do të ngrihet për sigurine e jetës, pronës dhe për të drejtën për të punuar me dinjitet.

Zëri ynë do të ngrihet për një Shqipëri të lirë e demokratike, për një jetë me dinjitet.

Marshimi i 8 Dhjetorit tregoi se Shqiperia dhe shqiptarët janë me ne.

Ndaj, le të marshojmë të gjithë së bashku në këtë dhjetor të dytë.

Gëzuar Festën!!


Fjalimi i kryetares së Lidhjes Demokratike të Gruas, Albana Vokshi në 25 vjetorin e krijimit të PD, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Fjalimi i kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike,  Belind Këlliçi në 25 vjetorin e krijimit të PD

I nderuar Kryetar i PDSH, z. Lulzim Basha

I nderuar Lideri Historik, Prof. Dr. Sali Berisha

Të nderuar themelues të PDSH, deputetë, anëtarë, simpatizantë e dashamirës

Të nderuar të rinj demokratë,

Pak ditë më parë ne mbyllëm procesin e zgjedhjeve në Forumin Rinor.

Me parimin një anëtar një votë, bazuar në modelin amerikan të përballjes së platfomave dhe ideve, ne dhe ideatori i këtij procesi Lulzim Basha, i dhamë një leksion demokracie politikës shqiptare, forumeve rinore. Unë jam krenar që jam produkt i ketij standardi dhe jam pjesë e një partie që lindi si parti e lirisë, e vlerave demokratike, qëndron e tillë sot dhe e tillë do të mbetet përjetë.

Edhe në këtë proces, ne dëshmuam se jemi ndryshe, ne bazohemi tek vlerat, parimet dhe standardet demokratike.

25 vite më parë, politika ishte pronë e një pushteti të pashpirt, pronë e një pushteti të pafytyrë. Por studentët e Dhjetorit 90 dhe rinia, besuan se politika është një mundësi për ta ndryshuar Shqipërinë dhe guxuan.  Besuan se politika është një mundesi për të rrëzuar nje pushtet kriminal dhe e realizuan.

Edhe sot, 25 vite pas rrezimit te sistemit diktatorial me te eger ne Europe, perballe kemi nje pushtet po aq te pashpirt, qe nuk e ndjen vuajtjen qe shkakton dhe po aq te pafytyre, qe nuk turperohet nga marrezia e tij. Sot, gjendemi perballe nje qeverie qe po vret shpresen e shqiptareve, shpresen e te rinjve. Sot, kjo qeveri po largon rinine nga vendi e po i detyron te rinjte te enden rrugeve te Europes si emigrante.

Ne, te rinjte demokrate, nuk do ta pranojme dhe ne kete 25 vjetor te themelimit te Partise Demokratike jemi po aq te vendosur sa c’ishin te rinjt 25 vite me pare te largojme nje qeveri qe dhunon te rinjte, u vret shpresen e te ardhmen. Ne, nuk mund te pranojme qe ne vend te vlerave te na promovohen antivlerat. Vendin e arsimit ne cv e deputeteve dhe qeveritareve ta zere lloji i krimit, vitet e shkolles te zevendesohen me vite burgu dhe puna te zevendesohet me vjedhjen. Nuk eshte aspak ky modeli dhe nuk jane keto vlerat per te cilat studentet e dhjetorit 90, sakrifikuan e luftuan deri me jeten e tyre.

Tre dite me pare, PDSH organizoi nje proteste madheshtore ne diten kombetare te rinise, proteste e cila pati te bashkuar zerin e qytetarit edhe zerin e rinise demokrate qe nuk pranon te nenshkruaj dorezimin. 8 dhjetori ishte prova e madhe qe ne, rinia demokrate, deshmojme me vullnetin tone se jemi perseri te gatshem per ta ndryshuar Shqiperine. Ne, deshmojme se jemi ketu per ta larguar kete qeveri te pashpirt dhe per te mbrojtur me cdo kusht te drejtat dhe lirite tona themelore. E keqja nuk mund te na munde. Ne do ta mundim te keqen. Endrra shqiptare per liri e demokraci do te fitoje, endrra shqiptare vazhdon “e duam Shqiperine si gjithe Europa”.

Te rinjte sot, kerkojne nje model te ri, kerkojne nje rruge te re, rruge e cila ofron shprese, ofron pune, zhvillim dhe integrim. Dhe kjo rruge, nis pikerisht me rikthimin e Partise Demokratike ne krye te puneve te vendit. Kjo rruge, nis pikerisht me pjesmarrjen sa me te madhe te te rinjve ne politikeberjen e  vendit.

Ne jemi gati dhe nuk dorezohemi ne mbrojtjen e vlerave tona per te cilat lindi PD 25 vite me pare.

Faleminderit


Fjalimi i kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike,  Belind Këlliçi në 25 vjetorin e krijimit të PD, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Daul: Partia Popullore Europiane do të jetë gjithmonë në krahun tuaj në betejën tuaj për të dekriminalizuar jetën politike shqiptare dhe për të rivendosur vendin në shinat e duhura

I dashuri kryetari Basha,

Të dashur miq të Partisë Demokratike të Shqipërisë,

Nuk mund të jem me ju sot në Tiranë për të festuar 25- vjetorin e partisë suaj pasi do të më duhet të drejtoj Asamblenë Politike të Partisë Popullore Europiane në Bruksel.

Por jam tejet i lumtur për t’ju adresuar këtë mesazh të shkurtër dhe për t’ju përgëzuar për gjithçka ç’ka keni arritur këto 25 vite dhe për t’ju uruar një të ardhme akoma më të shkëlqyer.

Të dashur miq, nuk është vetëm Partia Demokratike që feston këto 25 vite sot. Është gjithashtu Shqipëria demokratike e çliruar nga shtypja komuniste.

Shqipëria që është anëtare e NATO-s dhe që është e destinuar të bëhet një ditë vend anëtar i Bashkimit Europian.

Vendi juaj ka bërë progres të jashtëzakonshme në rrugëtimin e tij të demokratizimit dhe të modernizimit në rrugën drejt Europës.

Dhe është gjithashtu fale mikut tim Sali Berisha që këto gjëra janë arritur.

Presidenti i parë i zgjedhur demokratikisht, Kryeministër gjatë aplikimit për anëtarësimin në Bashkimin Europian.

Themelues dhe Kryetar i parë i Partisë Demokratike, Berisha ka mbështetur gjithmonë demokracinë, pluralizmin dhe lirinë e mendimit dhe të fjalës.

Fatkeqësisht këto arritje janë në venë në rrezik nga kriza ekonomike dhe politike që po kalon Shqipëria dhe që i shtyn gjithmonë e më shumë qytetarët tuaj të largohen nga vendi.

Shqipëria është një vend kandidat dhe përfiton që nga viti 2010 nga regjimi i liberalizuar i vizave drejt Bashkimit Europian.

Prandaj është e papranueshme që me dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë të kenë paraqitur këtë vit një kërkesë për azil në vendet e BE-së.

Një vend kandidat nuk duhet të gjendet kurrë në një situatë të tillë.

Miqtë e mi, në këto rrethana është më shumë se kurrë e nevojshme që të merrni plotësisht përsipër rolin tuaj të opozitës demokratike. Duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të plotë në jetën parlamentare dhe duke i prezantuar popullit shqiptar një alternative konkrete dhe të besueshme. Prandaj më vjen mirë për propozimet e programit tuaj fiskal që keni parashtruar  më 2 dhjetor, në mbështetje të sipërmarrjeve, të punësimit dhe të investimeve të huaja. Ky është roli i opozitës, të punojë në Parlament dhe jo veç në rrugë për të korrigjuar qeverinë në kursin e saj dhe për të përgatitur rotacionin.

Duhet të jetë një punë në ekip, një punë e gjithsecilit prej jush dhe kjo periudhë në opozitë duhet të jetë mundësia për të fuqizuar partinë, për të punuar mbi organizimin e funksionimin e saj, për të përmirësuar praninë në terren, për të ushqyer debatin e brendshëm mes deputetëve, të zgjedhurve lokale dhe anëtarëve por po kështu është e rëndësishme të vazhdoni luftën tuaj kundër korrupsionit, në mbështetje të shtetit të së të drejtës dhe pavarësinë e gjyqësorit.

Pa këto, nuk do të ketë as përparim, as zhvillim ekonomik dhe social, as një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.

Ju bëni pjesë prej 12 vitesh, në familjen e madhe të Partisë Popullore Europiane, ju ndani me ne vlerat, vizionin dhe parimet themelore.

Dhe Partia Popullore Europiane do të jetë gjithmonë në krahun tuaj në betejën tuaj për të dekriminalizuar jetën politike shqiptare dhe për të rivendosur vendin në shinat e duhura.

I dashur Lulzim,

Dua të përfitoj nga ky rast për të të përgëzuar për angazhimin tënd në Asamblenë e Partisë Popullore Europiane dhe të uroj që të ruash gjithmonë të njëjtën energji dhe këtë angazhim

Ndaj vlerave tona të përbashkëta, së bashku me deputetët dhe drejtuesit e tu lokalë dhe që angazhimi yt të mund të kurorëzohet sa më parë me sukses.

Ju uroj të gjithë anëtarëve dhe militantëve të Partisë Demokratike “Gëzuar Ditëlindjen”!

Edhe njëherë gëzuar!


Mesazh i presidentit të PPE me rastin e 25 vjetorit të krijimit të PD, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
11 Dhj
0

Veliaj ka kryer dy vepra të rënda penale, prokuroria të hetojë me shpejtësi

Drejtori i Edi Ramës në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka konsumuar dy vepra të rënda penale në një ditë;

Falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.

Kurajoja dhe integriteti i inspektorit Besmir Karaj, zbuloi shkeljet e rënda të Veliajt, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të fituar simpatinë e shefit të tij, duke i vendosur gjobë popullit protestues.

Deri dje, akti i Veliajt ishte komik dhe qesharak, dhe mbarë opioni publik janë tallur me të.

Por nga dje, rezulton se kemi të bëjmë me shkelje serioze të ligjit, dhe me dy vepra të rënda penale, falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.

Tashmë në prokurorinë e Tiranës ka një kallëzim penal të kryer nga inspektori Karaj.

Ne i kërkojmë prokurorisë të hetojë me shpejtësi dhe të nxjerrë përgjegjësitë e Veliajt para ligjit.

Çdo qytetar i vendit do të ishte pas hekurave tani me këto dy vepra penale, të provuara tashmë publikisht.

Prokuroria ka rastin të tregojë se ligji funksionon për të gjithë, dhe se Erion Veliaj, nuk ka imunitet kur falsifikon dokumenta e shpërdoron detyrën.

Abuzimi i drejtorit të Ramës në Bashki, është një prej padrejtësive që shkakton kjo mazhorancë që e sollën popullin në Protestën madhështore të 8 dhjetorit.

Protestë që do të rritet e nuk do të ndalet derisa klika e korruptuar që nëpërkëmb ligjin si ti dojë qejfi, të largohet, e vendit ti hapet një rrugë e re.


Deklarata për mediat e anëtarit të PD në Këshillin Bashkiak, Fabian Topollaj, 11 Dhjetor 2015

 

Read More
10 Dhj
0

Revolta popullore realitet dhe jo skenar i opozitës

Mirëmëngjesi!

Faleminderit për ftesën zoti kryetar i këtij fondacionit,

Të nderuar anëtarë të bordit,

Të nderuar të ftuar,

Në veçanti miq të nderuar që i bashkoheni  këtij tubimi të sotëm dhe që kemi dhënë ndihmën dhe kontributin tuaj me partneritetin, me ndihmën që i ofroni fondacionit Për Liri dhe Demokraci.

Të nderuar deputetë, ambasadorë, përfaqësues të organizatave joqeveritare të pranishëm në këtë takim,

Për mua është një kënaqësi e madhe të shoh sot në këtë ditë mes dy datave historike 8 Dhjetor dhe 11 Dhjetorit, përkatësisht 25-vjetorit të Lëvizjes Studentore dhe 25-vjetorit të themelimit të partisë të parë  antikomuniste, Partisë Demokratike të Shqipërisë, inaugurimin e Fondacionit për Liri dhe Demokraci , në përputhje me praktikat më të mira të partive tona si motra, PPE, të frymëzuar në strukturë, në qëllime, në platformë, në masë të madhe nga kristiandemokratët e Angela Merkel dhe aleatët e tyre CSU si dhe fondacionin e tyre, të cilët i përshëndes  veçanërisht për ndihmën e madhe në nisjen e punës të fondacionit FLD.

Është shumë ambicioze dhe tepër e madhe e ngërthyer tema që më është caktuar të referoj, por unë dua të prek tre çështje.

Së pari, një bilanc të shkurtër se ku jemi me katër shtyllat kryesore që japin domethënie fjalëve me të cilat u ngritën studentët 25 vite më parë “Liri, demokraci!”. Liri, demokraci, që janë  esenca e të qenit, e të ekzistuarit në rrafshin e vlerave europiane, aksidentale drejt të cilave rinia shqiptare u nis për të mos u kthyer më.

Cilat janë këto vlera?

Pikë së pari është demokracia në kuptimin funksional të fjalës.

Së dyti, shteti ligjor.

Së treti, respektimi i të drejtave.

Së katërti, ekonomia e tregut të lirë.

Dhe për 25 vite Shqipëria ka ecur dhe ka ecur jo pak në të katër rrafshet duke lënë pas një nga trashëgimitë më të hidhura që ideologjia totalitare komuniste e shoqëruar me instrumentet më supresive dhe represive të saj shkaktoi në Europë dhe në botë. La një shoqëri në varfëri të thellë dhe të krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës, la një individ shqiptar të plagosur thellë në qenien dhe ekzistencës e tij, deri në inkriminimin dhe ndalimin me ligj e të besuarit në Zot. Por sot pas 25 vitesh kemi një Shqipëri e cila vetëm 6 vite më parë i bë anëtare e NATO-s, armikut perpetual të regjimit që u shemb para 25 vitesh.

Kemi një Shqipëri e cila partneritetin e ka me SHBA-të, djallin, satanin e shpallur të Enver Hoxhës dhe ithtarëve të tij. Kemi një Shqipëri e cila më në fund është kandidate për anëtarësim në BE, klubin e paqes dhe vlerave perëndimore të anatemuar, të përbuzur dhe të parodizuar nga apartçikët dhe ideologët e djeshëm, disa prej të cilëve sot për fat të keq i kemi ideologët të sotëm në kampin e kundërshtarëve tanë politik. E megjithatë kemi një Shqipëri të sfrustruar, të zëmëruar, të pasigurtë dhe pas 25 vitesh përsëri në ikje.

Të ndalemi në rrethanat, shkaqet, problemet dhe shkaktarët e kësaj situate është jo thjesht detyrë, por detyrimi ynë dhe gjithë miqve tanë në mënyrë që së bashku të shikojmë edhe një herë platformat ku mund të bashkohet konsensusi politik dhe shoqëror, vlerat që bashkojnë e nuk na ndajnë për të tejkaluar këtë krizë të rëndë politike. Ta nisim me shtetin ligjor, shtetin ligjor që është një përkthim literal i termit, në dijeninë time më të vjetër që është termi gjermanik “Reichstag”- “La primauté du droit” ,sundimi i ligjit. Shteti ligjor apo shteti i së drejtës është shumë më shumë se sa togu i ligjeve me Kushtetutën, si çati mbi krye, është shteti i së drejtës si koncept, si vlerë.

Dhe sot nëse i drejtohemi qytetarëve shqiptar nga kjo sallë kemi mbledhur një pjesë pjesë të elitës së mendimit, të qendrës, të qendrës së djathtë dhe me kënaqësi shoh edhe kolegë që nuk do ta përkufizonin veten e tyre nevojshmërisht si të qendrës së djathtë, e detyrimisht do  të kalonin në krahun e qendër apo qendrës së majtë.

E do t’u thonim se çfarë është shteti i së drejtës me siguri sot gjëja e parë që do t’u shkonte në mendje është shteti i të padrejtës.

Shteti i të padrejtës është ai organizim i përbërë nga Parlamenti, nga qeveria, nga bashkitë dhe nga gjykatat i cili në vend që të garantojë zbatimin e ligjit e shkel ligjin i pari. Shteti i të padrejtës është shteti, qeveria, Parlamenti i cili dhunon në mënyrë të hapur e të përsëritur, edhe kur paralajmërohet, edhe kur kapet Kushtetutën e vendit.

Shteti i të padrejtës është shteti, qeveria  që refuzon  zbatimin  e vendimeve të gjykatave.

Shteti i të padrejtës,është qeveria që refuzon zbatimin apo ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për të rikthyer në punë nëpunës civilë të hequr në kundërshtim me ligjin, për të zhdëmtuar pronarë, prona e të cilëve janë shkatërruar  në kundërshtim me ligjin, për të vënë para përgjegjësisë ligjore ata që dhunojnë, intimidojnë, terrorizojnë sipërmarrjen e lirë, biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, me gjoba, ryshfete, qëndrime antiligjore.

Shteti i të padrejtës është ai që refuzon  zbatimin ose ekzekutimin e vendimeve të formës së prerë për të rikthyer në punë nëpunës civilë të hequr në kundërshtim me ligjin, për të zhdëmtuar pronarë, prona e të cilëve janë shkatërruar  në kundërshtim me ligjin, për të vënë para përgjegjësisë ligjore ata që dhunojnë, intimidojnë, terrorizojnë sipërmarrjen e lirë, biznesin e vogël, të mesëm apo të madh, me gjoba, ryshfete, qëndrime antiligjore.

Shteti  i  të padrejtës është ai që nga njëra anë në përputhje me dispozitat e shkruara apo të ndryshuara të Kodit Penal mban për 80 ditë në qelitë e birucat e paraburgimit një berber sepse ka trishtuar emocionalisht një taksidare por nga ana tjetër refuzon të nisë hetimin për aferën më të madhe korruptive në Europë që nga skandali “Lockheed Martin”, vjedhjen 600 milionë euro të parave të shqiptarëve nga afera e përbashkët e kompanisë shtetërore çeke CEZ dhe qeverisë shqiptarë, përkatësisht kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.

Shteti  i të padrejtës është shteti i cili refuzon dhe bën gjithçka për të pamundësuar hetimin në aferat korruptive me paratë e shqiptarëve të denoncuara jo vetëm nga opozita, por dhe nga mediat ndërkombëtare dhe kombëtare, siç janë afera të tmerrshme në sektorin e shëndetësisë, koncesionet e ndërtuara me  një qëllim dhe vetëm me një qëllim zhvatjen e parave publike të shqiptarëve, siç janë afera që ekspozojnë plotësisht karakterin  e  plotë të konfliktit të interesit të kësaj qeverisje ku nga njëra anë kemi njerëz të veshur me pushtet përgjegjësia e të cilëve është të kontrollojnë paranë publike dhe nga ana tjetër kemi po këta njerëz, të afërmit e tyre që e përfitojnë këtë para publike.

Ky është  shteti  i të padrejtës, dhe ky  është shteti që ne nuk meritojmë e nuk duhet të kemi 25 vite pas ngritjes për shtet ligjor, për demokraci dhe liri. Ne kërkojmë shtet të së drejtës, shtet ligjor që nis me zbatimin e Kushtetutës, me zbatimin e ligjeve, në radhë të parë me garantimin e zbatimit të ligjeve nga vetë qeveria e Republikës.

Dhe kjo sot nuk po ndodh, qeveria është bërë garante e shkeljes së ligjit, qeveria është bërë garante dhe frymëzuese e shkeljes së Kushtetutës. Qeveria është pra sot burim i shkeljes sistematike të drejtave elementare të qytetarëve shqiptarë, atyre të drejtave të cilat ironikisht është betuar në ditën e saj të parë se do t i mbrojë me çdo kosto dhe çdo çmim.

Çfarë ndodh kur një qeveri rreshket në këtë rrugë? Demokracitë dhe shtetet ligjore perëndimore  e kanë recetën. Triaspolitika – ndarja e pushteteve, funksionojnë degët e tjera funksionon gjyqësori, funksionon prokuroria funksionon gjykatat. Po këtu në Shqipëri kjo nuk ndodh, nuk ndodh sepse pas 25 vitesh në Shqipëri kemi një realitet të pakrahasueshëm me cilindo vend europian duke përfshirë dhe vendet evropiane që ashtu si Shqipëria ndodheshin në anën lindore të perdes së hekurt.

Në cilin vend europian, në cilin vend europian pranohet që një gjykatë për të njëjtin rast të marrë dy vendime të ndryshme brenda një jave ? Në cilin vend europian pranohet që agresioni të shkojë në arrest shtëpie dhe të agresuarit të mbeten në burg? Në cilin vend europian minuta pas telefonatës së kryeministrit që kërcënon gjyqtarët nuk është minuta e tij e fundit e tij në zyrë, si kryeministër ?

Ky pra është realiteti i Shqipërisë pas 25 vitesh. Dhe tashmë që bëra një përmbledhje të shkurtër se ku jemi dhe se çfarë revolton shqiptarët meqenëse kjo pyetje në mënyrë të paarsyeshme ka qenë në buzët e disave që duhet ta dinë fare mirë se çfarë i revolton shqiptarët dhe në qoftëse nuk kanë kohë t’i pyesin këtu në Shqipëri mund t’i pyesin në kampet me refugjatë që janë mbushur në vendin e tyre, le t’i kthejmë një përgjigje se çfarë duam ne.

Ne duam shtet ligjor, ne duam zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë nga të gjithë. Ne duam një fund për Aparteidin “de facto”, ku i pasuri i pushtetshmi nuk ndëshkohet, nuk ndiqet, nuk penalizohet madje as nuk hetohet, ndërsa ai i varfër,  i pamunduri ai pa akses, pa përfaqësim goditet, batërdiset në mënyrë të padrejtë nga një sistem i kalbur deri në rrënjë, nga një sistem që funksionon vetëm mbi bazën e ryshfetit,  njohjes apo influencës politike.

Ne duam elitë politike të painkriminuar. Ne duam një parlament që të përfaqësojë elitën e kombit, të përfaqësoje elitën e Shqipërisë. Pra, duam një sistem zgjedhor që t’i japë mundësi shqiptarëve të zgjedhin jo mes trafikantit të drogës dhe tutorit të prostitucionit por mes profesorëve, intelektualëve sipërmarrësve, artistëve, drejtuesve, liderëve të opinionit publik që kanë dhënë prova se përfaqësojnë më të mirën në këtë vend e se janë gati të mbajnë mbi supe barrë gjithsesi të rëndë e shpesh të papërballueshme të përgjegjësisë publike, e ta trajtojnë përgjegjësinë publike për atë që është. Jo liri për të vjedhur, jo liri për të bërë gjithçka për veten e tyre, për pasurinë e tyre, apo për emrin e tyre në histori. Jo liri për të shfryrë komplekset psikologjike, por përgjegjësi, përgjegjësi të madhe para qytetarëve të vendit. Pra jo privilegj, jo privilegj por sakrificë. Ne duam pra të ndryshojmë kahjen dhe motivin e luftës elektorale. Jo një luftë për të kapur resurset e shtetit, jo një luftë për të kapur pasuritë, pusin apo burimin e të ardhurave publike, po një betejë për të marrë përsipër barrën e rëndë  përfaqësimit, sakrificat e mëdha të përfaqësimit, të aspiratave, halleve, problemeve e një populli të tërë.

Shtrembërimi apo deformimi i kursit të shtetit ligjor në Shqipëri nuk është ndalur nga “Triaspolitika” sepse në Shqipëri nuk ka më“Triaspolitika”, pra nuk ka më ndarje pushtetesh. Legjislativi shqiptar në vitet e 25-të  apo e 23-të , të Republikës së lirë shqiptare është katandisur në një noter gojëkyçur të kryeministrit.

Gjykatat shqiptare dhe prokuroria shqiptare janë sot zogjtë më të trembur të realitetit demokratik shqiptar përballë një ekzekutivi që i ka vënë poshtë. Dhe i vetmi test i llogaridhënies popullore, i vetmi test, e vetmja pengesë për arbitraritetin e pakufishëm janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Por testi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk kaloi në qershor të këtij viti sepse e vetëdijshme dhe e frikur për konsekuencat e arbitraritetit, e korrupsionit, e krimit të ngritur në sistem dhe sistemit  të inkriminuar, qeverisja aktuale bëri gjithçka për të kapur dhe shkatërruar zgjedhjet lokale të 21 Qershorit .

Për dy muaj kryeministri pushoi së qënuri kryeministër dhe u kthye në fushatistin numër një. Për dy muaj kryetari i Kuvendit pushoi së qënuri kryetari i Kuvendit dhe u kthye  në kryefushatistin  e formacionit të tij politik. Harta u ndërtua me një qëllim për të kapur në tavolinë mundësisht të gjitha bashkitë e vendit. Kontingjentet kriminale në vend që të spastroheshin nga, nga listat ashtu sikur kishin rënë dakord me marrëveshjen e 24 dhjetorit, u rifutën u hodhën me vrull në betejën elektorale .

Miliona euro të vjedhura, e të zhvatura nga doganat e shqiptarëve, nga tenderat, nga prokurimet publike, nga aferat e pista, nga nafta, nga Albpetroli, nga cigaret, nga shëndetësia, nga droga, miliona euro, prapëseprapë një fraksion i atyre u derdhën me pikatore për të blerë votën e shqiptarëve, në përpjekjen më të turpshme dhe më të nxirë për të blerë dinjitetin e tyre për t’i mbyllur gojën duke shfrytëzuar varfërinë e tyre. Shkatërrimin e zgjedhjeve të 21 qershorit është një kambanë alarmi për të gjithë ne këtu , miqtë tanë që i duan të mirën Shqipërisë. Ai shkatërron  instrumentin e fundëm të mbetur për llogaridhënie në një shoqëri demokratike. Shkatërron valvulin e fundit, mundësinë e fundit për një tranzicion paqësor dhe llogaridhënie paqësore. Krijon të gjitha premisat për konfliktin social dhje përplasjen civile, të cilën instrumenti demokratik është dizenjuar jo vetëm ta mënjanojë por ta zhdukë.

Thënë ndryshe kur bie shteti ligjor, kur nuk ka më shtet të së drejtës por shtet të së padrejtës, kur nuk ka më garanci për të drejtat elementare të njeriut të shkruara në Kushtetutë, kur nuk ka më pushtet gjyqësor apo legjislativ që t’i bëjë barrë furisë së arbitraritetit dhe arrogancës të qeverisë, kur kapen dhe zgjedhjet, atëherë çfarë mbetet, atëherë çfarë mbetet?

Unë besoj se kemi dhe një shans të fundit, dhe shansi është të ndërtojmë së bashku një konsensus të madh shoqëror që na lidh jo vetëm të djathtën, jo vetëm qendrën dhe qendrën e djathtë, por të djathtë e të majtë sepse kjo që po ndodh nuk ka të bëjë aspak me të majtën.

Oligarkia, inkriminimi, vjedhja e votës nuk janë domosdoshmërisht tipare të së majtës. Rritja e taksave, po vjedhja e tyre, shpërdorimi i tyre, pra ulja e shpenzimeve sociale, ulja e ndihmës ekonomike, ngrirja e pensioneve, ulja e rrogave nuk janë aspak tipar i së majtës.

Dhe dua t’i drejtohem sërish sot socialistëve shqiptar siç i jam drejtuar këto ditë publikisht por edhe privatisht në biseda me disa prej tyre, e t’ju them se unë e mirëkuptoj frustrimin e tyre dhe se ndaj me ta të njëjtin frustrim dhe se përballjen ne nuk e kemi me kreun socialist të Shqipërisë, nuk e kemi me ideologjinë e Partisë Socialistë të Shqipërisë po e kemi me mentalitetin e një bande e cila vjedh, shpërdoron, godet, harbutëron dhe batërdinë një vend të tërë. Pra, kjo nuk është një përplasje ideologjike. Me këtë dua të them se ajo që na bashkon dhe duhet të na bashkojë nuk ka të bëjë me ideologjinë. Patjetër që ne duhet të rakordohemi që vota e lirë është themeli i një shoqërie të drejtë, kush nuk rakordohet për këtë nuk ka vend për këtë konsensus shoqëror, por unë besoj që rreth kësaj vlere duhet dhe do të bashkohemi të gjithë, të djathtë e të majtë. Patjetër që duhet të rakordohemi që Shqipëria meriton elita të painkriminuara e kjo s’do të thotë vetëm ligj kundër dekriminalizimit, e pastaj të fillosh të bësh vaksina si t’i bësh bisht ligjit. Të heqësh Arben Ndokën nga Parlamenti e ta bësh kryetar të Partisë Socialiste të Lezhës që nesër të sjellë mbesën 22-vjeç në Parlament e të thotë ja u dekriminalizova. Por faktet kanë ndërtuar një Parlament me kukulla të krimit. Për këtë duhet vullnet politik dhe kjo qeveri e ka dëshmuar se nuk e ka këtë vullnet politik, e ka dëshmuar këto dy vite dhe po e dëshmon me aktin themelor të politikës qëështë buxheti i shtetit për vitin 2016.

E gjitha kjo nuk ndodhi në një rrafsh teorik, ekonomia shqiptare është në krizë të thellë. 73 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës vetëm në muajt shtator-tetor si rezultat i politikës së kërbaçit kundër biznesit të vogël. 100 mijë shqiptarë dergjen në kampet e refugjatëve në Gjermani. 200 mijë të tjerë kanë aplikuar në Ambasadën Amerikane për t’u larguar nga Shqipëria, pra me anë të “Grën Card”. Këto nuk janë shifra që i shpik opozita, sikundër dufi dhe zemërata popullore para dy ditësh tek “Dëshmorët e Kombit” nuk ishte  skenar i opozitës, aspak. Dhuna e vërtetë është dhuna e qeveritarëve ndaj të pamundurve. Dhuna e vërtetë është dhuna ndaj të papunëve të cilët nuk kanë më asnjë shpresë se e nesërmja do t’ju sjellë një vend pune. Dhuna e vërtetëështë ndaj biznesit të vogël i cili këtej miklohet gjoja ulje taksash e nga ana tjetër kërcënohet me tre vite burg. Dhuna e vërtetëështë ndaj studentëve të cilët iu janë ndërprerë studimet në disa filiale anembanë Shqipërisë dhe u janë pamundësuar me mijëra prej tyre ndjekja e studimeve për shkak të tarifave të rritura. Dhuna e vërtetëështë ndaj fermerëve të cilëve sot jo vetëm që nuk u jepet ajo që u është premtuar, subvencione për bujqësinë, lehtësi për 50 përqind popullsisë qëjeton me punën më të vështirë në vend, por iu mohohet edhe tregu. Dhuna e vërtetëështë dhuna ndaj klasës sëmesme shqiptare e cila sot goditet me tënjëjtën urrejtje patologjike siç goditej nga regjimi komunist për 40 vite me radhë. Kësaj radhe me tatime e taksa të shtuara, me sigurime shoqërore të shumëfishuara, pra me një urrejtje tëverbër për pavarësinë që ajo përfaqëson apo duhet të përfaqësojë në një shoqëri të lirë.

Dhuna e vërtetëështë ajo ndaj medias dhe shtypit të lirë e cila sot gjendet në kërcënimin më të madh të këtyre 25 viteve sepse investimi më i madh i një qeverie të kapur me “presh në duar” duke ndërtuar shtetin e të padrejtës, duke goditur themelet kushtetuese të ligjit, duke vjedhur zgjedhjet, duke vjedhur taksat, duke inkriminuar politikën është duke krijuar një realitet paralel, një Matrix përmes lobistëve më të shtrenjtë të botës përmes korruptimit dhe blerjes së medias, përmes shantazhit ndaj atyre që nuk korruptohen dhe blihen dot me herën e parë.

Kjo është një sfidë e jashtëzakonshme dhe Partia Demokratike ka një vullnet të jashtëzakonshëm për t’iu kundërvënë kësaj sfide. Por ne kemi nevojë që në këtë kundërvënie të bashkohemi e të bashkëpunojmë sa më mirë.

Në radhë të parë vetë brenda partisë tonë, ku tashmë pas 25 vitesh është krijuar një korpus i jashtëzakonshëm eksperience dhe vlerash, i cili e ka për detyrë jo thjesht do të mbajë dhe do të vazhdojë të mbajë flamurin e këtyre vlerave. Por po kështu të inspirojë dhe të instalojë një kontingjent të ri, të spikatur individësh që kanë ardhur në Partinë Demokratike sot në opozitë për të dhënë e jo për të marrë, t’i kujtojë përmes transmetimit të këtyre vlerave dhe për këtë Fondacioni për Liri e Demokraci është dhe duhet të jetë një platformë produktive, një platformë ku kapitenët e mendimit dhe veprimit demokratik në këto 25 vite do të dinë të frymëzojnë dhe të drejtojnë kapacitetet dhe potencialet e reja drejt pjekjes së tyre si kapitenët e ardhshëm, ndoshta jo të 4 –viteve por të 8,12 dhe16-viteve.

Koha për të nisur procesin e ndërtimit të elitave të ardhshme politike të Partisë Demokratike është tani.

Së dyti, si një proces, një platformë për të ngërthyer një dialog shumë më tëgjerë se brenda Partisë Demokratike apo aleatët tanë, ku janë të mirëpritur e duhet të vijnë të gjithë ata që bashkohen me kërcënimet kryesore dhe përballjen ndaj tyre të gjithë ata që besojnë se nuk ka e nuk duhet të ketë vend për inkriminim të politikës, të gjithë ata që besojnë se vlera më themelore i një shoqërie të lirëështë vota kundër e lirë, janë të mirëpritur. Sepse këto janë sfida që nuk presin, as për persiate teorike, as për trajtime laboratorike libreske por për një aleancë të fuqishme në funksion të zhbërjes së këtij rreziku të madh.

Por nuk është vetëm kaq, Partia Demokratike sot  ofron një vizion, një vizion me një demokraci të një modeli dhe parametrave të ri, në shumë aspekte të paparë, të pashkelur, pra tëpandierë dhe të papërfituar nga qytetari shqiptar në këto 25 vite.

Të një demokracie pjesëmarrëse ku qytetarët nuk janë thjesht ata të cilët Kushtetuta i detyron të zgjedhin në 4 vite e pastaj për 4 vite harrohen derisa vjen radha për zgjedhjet e tjera.

Por janë ata të cilët përmes instrumentevetë përhershme politike dhe ligjore kanë në dorë fijet, e nuk janë në dorë fijet e një elite politike. Një reformë elektorale dhe zbatimi i saj do të bëjë të mundur qëçdo shqiptar ta dijë e ta ndjejë veten të përfaqësuar në sallën e Kuvendit e kudo ku merren vendime për të.

Një reformë kushtetuese qëgaranton se cilido pushtet që vjen, në vend të ngrefoset me 1 milionë shuplaka apo me shprehje të tjera të arrogancës fëminore e injorancës proverbiale të kësaj klase politike që e mendon akoma pushtetin si mjet shtypje, të matet dy herë para se t’i vërsulet themeleve të përbashkëta kushtetuese dhe garancive kushtetuese që ligji jep, jo vetëm për shumicën por edhe për pakicën në një demokraci.

Së treti, një vizion që do të bëjë të mundur që shqiptarët ta gëzojnë lirinë, jo vetëm në kuptimin teorik të fjalës por në kuptimin e lirisë së fjalës, lirisë së shprehjes, lirisë së votës, lirisë së besimit në Zot,por edhe lirisë për të bërë para dhe për t’i gëzuar paratëduke patur shanse të barabarta. Jo kur 1 përqind e popullsisë kontrollon 90 përqind të pasurisë. Por ku pasuria vihet në bazë të aftësive të gjithsekujt në kushte të ndershme loje e konkurrence të barabartë dhe për këtë shteti është dhe duhet të jetë garant.

Kjo kërkon një rikonceptim të idesë së pushtetit dhe mbi të gjitha një përqasje të re të dialogut të pandërprerë midis pushtetit, pra qeverisjes dhe çdo faktori tjetër, faktorëve ekonomikë, faktorëve shoqëror, e nëkushtet e një djerrine të një Shqipërie me sindikata të dobëta e inekzistente, me formime shoqatash biznesi që shpeshherë nën intimidimin qeveritar kanë frikë të thonë atë që duhet të thonë, dhe po kështu kanë frikë të thonë atë që duhet të thonë edhe kur i thërret opozita. Opozita të marrë rolin që i takon dhe jam i bindur që roli që na takon është emancipimi i plotë shoqëror,në mënyrë që kjo demokraci e re pjesëmarrëse, këtë formulë, këtë model të cilën sot e gëzojnë shumica dërrmuese e vende europiane, që lanë pas komunizmin 25 vite më parë të fillojnë ta prekin edhe shqiptarët, jo thjesht në teori por në praktikë.

Thashë që ishte një temë e gjerë dhe që koha nuk do të ishte e mjaftueshme për të ngërthyer gjithë këtë temë dhe besoj se jam zgjatur boll sot. Sigurisht Fondacioni nuk është zgjidhja e çdo problemi por unë kam bindjen z.Imami, kam besim se ju, bordi i këtij Fondacioni do të jeni premisa e një platforme të shkëlqyer për të kapitalizuar maksimalisht eksperiencën, përvojën e çmuar të elitës që bëri ndryshimin 25 vite më parë, elitë që për fatin e mirë të Shqipërisë, Partisë Demokratike dhe timin si kryetar i saj e gjej në masë të madhe të pranishëm sot në këtë sallë.

Ju faleminderit!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në krimin e Fondacionit për Liri dhe Demokraci (FLD)

 

Read More
09 Dhj
0

Protestat do të vazhdojnë papushim, mosbindja civile vetëm sa ka nisur

Dua të shpreh sot mirënjohjen time të pakufishme në emër të Partisë Demokratike, të opozitës shqiptare për ata qindra-mijëra shqiptarë dhe shqiptare, qytetare dhe qytetarë, të rinj e të reja nga jugu në veri, që iu bashkuan thirrjes tonë për të protestuar dhe për ta kthyer 8 dhjetorin 2015, 25-vjetorin e përmbysjes së komunizmit jo vetëm në një ditë feste dhe përkujtimi, por edhe në një ditë marshimi dhe vendosmërie për të marrë në duart tona fatet e vendit nga tirania e dytë që e kërcënon, tirania e padrejtësisë, tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e arrogancës e dekoruar me adhurimin për regjimin e shembur komunist.

Vërshimi i shqiptarëve në sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte mesazhi më i qartë i mbështetjes për Partinë Demokratike, opozitën shqiptare dhe kërkesën dhe zgjidhjen politike që ne kemi shtruar apo që më mirë koha ka shtruar për tejkaluar krizën e rëndë ekonomike, shoqërore, psikologjike që ka pllakosur vendin.

Largimi i qeverisë Rama-Meta, caktimi i një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe për të zbatuar dhe implementuar ligjin e dekriminalizimit, normat dhe kriteret që do të garantojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Zgjidhja e mbështetur nga qytetarët e pranishëm në protestë është zgjidhja që vjen nga dëshpërimi, nga vuajtja, nga pamundësia e qindra-mijëra shqiptarëve të cilët kanë qenë për këto dy vite të dhunuar në të drejtat e tyre elementare kushtetuese, ligjore, ekonomike dhe shoqërore. Është zgjidhja që kërkohet dhe vjen nga biznesi, sipërmarrja e cila është bashkëngjitur masivisht protestës së djeshme që për dy vite me radhë ka qenë subjekt dhune i qeverisë “Rama”, i padrejtësive, i arbitraritetit, i faturave aforfe, i gjobave të paligjshme, i kërbaçit dhe që ka shkaktuar mbyllje masive të bizneseve, daljen vetëm në muajt shtator-tetor të vetëpunësuarve në këtë sektor si të papunë, e mijëra e mijëra të tjerë që kanë humbur vendet e punës si rezultat i taksave të larta, padrejtësisë dhe arbitraritetit, kërbaçit të qeverisë “Rama”.

Dje në shesh ishin të dhunuarit në të drejtën më themelore të së drejtës kushtetuese,  të drejtën e e shtëpisë, të drejtën e banesës, me mijëra prej të cilëve janë dhunuar sepse janë prishur kundër ligjit me dhunë, me arbitraritet dhe padrejtësi shtëpitë, bizneset nga një qeveri e cila shkel ligjin nga mëngjesi deri në darkë.

Me ne në shesh ishin studentët, të rinjtë, gjimnazistët të cilët përjetuan mashtrimin më të madh këto 25 viteve nga një qeveri e cila premtoi akses edhe më të madh në arsim por që në fakt mbylli dyert e universiteteve duke rritur tarifat e studimit, duke mbyllur një sërë degësh universitetesh publike e duke kaluar ligjin më korruptiv e klientelist për arsimin e lartë, në Parlament para disa muajsh.

Me ne në shesh ishin të përndjekurit, të fyer, të nëpërkëmbur, të poshtëruar, të riposhtëruar e të shkelur nga Edi Rama, kryeministri i cili në shenjë urrejtje të fituar nga populli mbarë, në veccanti nga të përndjekurit politik ringriti simbolet e diktaturës, dekoroi torturuesit dhe xhelatët e diktaturës, rivendosi simbolet e diktaturës si bunkeri famëkeq në zemër të Tiranës.
Me ne ishin dje pronarët të cilët ashtu si gjithë ne, ashtu si Partia Demokratike dhe unë personalisht nuk mund të pranojmë kurrë ligjin e ri të rishpronësimit kaluar me dhunën e kartonëve në mesin e natës tinëzare të javës së kaluar për kundër vullnetit, për kundër të drejtës kushtetuese, legjitime të pronarëve për kompensim të drejtë.

Me ne ishin fermerët të cilët janë shtyrë në kufijtë e ekzistencës, mbijetesës për shkak të një politike korruptive e cila jo vetëm i privon ata nga subvencionet e premtuara, por u ka rritur çmimet e naftës, imputet, të plehrave, të fidanëve, të farave dhe pastaj ata pak produkte që arrijnë t’i prodhojnë me një kosto shumë më të lartë vjet apo parvjet, ua bën ta pamundur t’i shesin në treg për shkak të politikave monopoliste, klienteliste dhe mafioze që dominojnë sot tregun e import-eksporteve të produkteve bujqësore.

Me ne ishin në shesh pensionistët të cilët kanë dy vite që nuk shohin asnjë rritje të pensioneve por vetëm indeksim të tyre.

Me ne ishin të papunët të cilët me kot shpresuan këto dy vite se do të hapeshin vende pune kur në fakt  radhët e tyre u shtuan për shkak të tkurrjes së ekonomisë, rënies së biznesit, rënies së sipërmarrjes. Pra, rënies së ofertës për punësim si rezultat i politikave të gabuara, të politikave që kanë hyrë tashmë në folklorin shqiptar si politika e fasules së Edi Ramës.

Me ne ishin mijëra shqiptarë që kanë humbur bukën e gojës sepse iu është hequr ndihma ekonomike. Me të padrejtë janë privuar nga ndihma e vetme që merrnin për të përballuar fatkeqësitë, papunësinë, mundësitë e kufizuara dhe që sot e kanë të pamundur të gjejnë para për bukën e fëmijëve të tyre.

Me ne ishin intelektualët, profesionistët të cilët nuk e pranojnë mbitaksimin e pandershëm si gjoja taksim të ndershëm e progresiv, të cilët nuk mund të nënshtrohen e të mbahen kapistall me rritjen e taksës së sigurimeve shoqërore. Me goditjen e ditëpërditshme dhe me poshtërimin që i bën taksidari Edi Ramës dhe ligjet e shformuara buxhetore që në vitin 2016 synojnë të vendosin taksa të tjera përveç taksave progresive.

Me ne ishin edhe socialistët, edhe votuesit e 2013-ës të Edi Ramës, të zhgënjyer, të dëshpëruar, të inatosur që familjen e tyre politike sot e kanë në dorë një grup zuzarësh, kriminelësh, horrash, hajdutësh me çizme me damkë që nuk i lidh asgjë me historinë politike të kësaj familje politike. Kundërshtarit tonë politik padyshim por që e vlerësojmë si një pjesë e rëndësishme me kontributin e saj në 25 vite demokraci.

Me ne pra ishte një popull i tërë dhe unë dua t’i falënderoj nga zemra ata që marshuan me ne, me dhjetëra e qindra mijëra të tjerë që dërguan mesazhet e tyre dhe që për shkak të pamundësive të ndryshme, pamundësive ekonomike, pamundësive të tjera ishin me ne me shpirt. E t’ju them se jeni të mirëpritur në protestën e ardhshme popullore sepse protestat do të vazhdojnë papushim. Mosbindja civile vetëm sa ka nisur.

Zgjidhja e kësaj krize të rëndë vjen vetëm nëpërmjet largimit të kësaj qeverie fatkeqësi, e cila jo vetëm është përgjegjëse për vjedhjen, shpërdorimin, shkatërrimin e shpresës së shqiptarëve përmes vjedhjes masive të taksave e tatimeve këtë vit deri në 400 milionë dollarë. Përmes vjedhjes masive të tenderave publik këtë vit në 777 milionë euro. Përmes vjedhjes së shekullit përmes CEZ-it 600 milionë euro por nuk pranon as të hetohet dhe me ligj ka krijuar imunitete për kokoshin 200 milionësh dhe bandën e 40 hajdutëve ndërkohë që çon në burg qytetarët e pamundur e të varfër për 20 apo 30 mijë lekë të vjetra për fatura apo për kupton tatimor të berberëve e fermerëve, për një kile qepë e një kile kripë. Kjo dyfytyrësi nuk pranohet. Kjo padrejtësi e ka mbushur dhe e ka derdhur kupën dhe durimit të shqiptarëve u ka ardhur fundi.

Për këtë arsye nuk ka dhe nuk mund të ketë arsye tjetër. Asnjë rrugë tjetër përveç largimit të qeverisë Rama. Një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Prania masive në shesh nuk ishte vetëm një shenjë proteste, nuk ishte vetëm një bashkim i madh zemrash e mendjesh për të shfrytë dufin dhe mllefin ndaj qeverisë së fatkeqësive, qeverisë së katastrofës kombëtare, qeverisë së kërbaçit e lakut të fyt. Por ishte edhe nëj zgjidh i madh i kurajos dhe i lirisë qytetare, i vetëdijes qytetare që kërkohet, lypset dhe duhet të ketë një zgjidhje politike për krizën që ka mbërthyer vendin. Kush ka sy ta shohë e kush ka veshë ta dëgjojë. Mjerë ata që nuk e shohin e nuk e degjojnë sepse ky uragan nuk do të ndalet.

Ne do të vazhdojmë ti primë stinës së protestës. Ne do të vazhdojmë ti primë bashkimit të shqiptarëve. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë bashkimin e sa më shumë shqiptarëve njësoj si para 25 vitesh sepse ajo që na kërcënon nuk është një formacion politik. Jo aspak. Por është një tirani e re, tirania e hajdutërisë, tirania e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim. Tirania e padrejtësisë që i bën gjykatat e vendit nën çizmen e Edi Ramës që për sheikët dhe oligarkët të japin vendime duke i nxjerrë nxjerrë nga burgu e duke i çuar në shtëpi edhe kur plagosin e vrasin ndërsa për popullin e pamundur nuk ka gjë tjetër përveçse burg dhe vetëm burg. Ky system është kalbur ndaj duhet dhe do të rinovohet nga themelet.

Dhe këtë do ta bëjmë me një kontratë të re shoqërore mbarëkombëtare të djathtë e të majtë ku të gjithë të dakordohemi për votën e lirë, kur të gjithë të dakordohemi për një politikë të pastër nga krimi, ku të gjithë dakordohemi për një përfaqësim të denjë të shqiptarëve në Parlament, në pushtetin vendor e kudo. Për një përfaqësim të denjë të qytetarëve nga deputetë, nga qytetarë që përfaqësojnë ata dhe jo interest okulte të oligarkëve apo të krimit. Pavarësisht se në cilën forcë politike militojnë, shqiptarët janë të bashkuar rreth këtyre standardeve, rreth këtyre parimeve, rreth këtyre normave.

Partia Demokratike dhe unë Lulzim Basha, jam i vendosur ti prij kësaj beteje historike për rikonceptimin e një republike të re, demokracisë pjesëmarrëse të përfaqësimit të qytetarëve të shpëlarë nga krimi dhe nga influenca e krimit dhe me standard të dënimit të rreptë të korrupsionit të politikanëve pa dallim bindjesh politike apo partish politike që fusin duart në xhepin e qytetarëve. Për këtë kontratë të re kërkoj bashkimin e shqiptarëve në protestat e ardhshme të cilat do ti prinë deri në largimin e kësaj qeverie.

Pyetje: A do të nisin protestat?

Basha: Kanë nisur protestat. Dje kanë nisur.

Pyetje: Z Basha, a distancohet Partia Demokratike nga aktet e dhunës të cilat u dënuan edhe nga ambasadat e SHBA-ve dhe BE-së?

Basha: Partia Demokratike nuk distancohet sot nga aktet e dhunës sepse Partia Demokratike ka qënë, është dhe do të jetë gjithmonë e distancuar nga aktet e dhunës. Është falë Partisë Demokratike që dje ai vërshim i madh popullor, ajo zemëratë e madhe popullore që mund të merrte përpara jo një por dhjetë kryeministri, u përmbajt. Është falë mirëorganizimit të Partisë Demokratike që edhe në ato raste për të cilat shpreh keqardhjen të përdorimit të gurëve që nuk ka qënë në asnjë moment pjesë e skenarit tonë, ndërhynë strukturat tona që dua ti falenderoj nga zemra për mbarëvatjen e protestës, dhe bënë që kjo protestë që sot mund të themi me gojën plotë; më e madhja zemëratë popullore e mbledhur ndonjëherë për shkak të kësaj keqqeverisje dy vjeçare. Më e madhja  zëmëratë popullore e mbledhur ndonjëherë tek Dëshmorët e Kombit, prapë se prapë nuk u prek një fije floku e një oficeri apo punonjësi policie. Nuk u prek një kapele e një ofoceri të policisë. E mbani mend këtë që pëlliste për dhunë, se si dje i gjakoste policët me kriminelët dhe se si i rrëzonte përtokë dhe vazhdonte ti godiste? Por dje asnjë fije floku polici nuk u prek dhe unë jam krenar për këtë sepse ky është një standard dhe një zotim i Partisë Demokratike. Institucioni është Policia, kështu që ne jemi të vendosur ti qendrojmë standardit, bindjes dhe përkushtimit tonë për protesta masive demokratike sigurisht duke u distancuar dhe duke qënë gjithnjë të distancuar nga dhuna. Përsa i përket bunkerit, është i paligjshëm dhe ilegjitim. Është i paligjshëm sepse është ndërtuar në kundërshim me ligjin urban të Shqipërisë, është ndërtuar në kundërshtim me planin urban të Tiranës që është Kushtetuta urbane e Tiranës dhe Tirana u përket qytetarëve të Tiranës dhe jo shakllabanit që mendon se e ka telajo të tij. Përveç kësaj është edhe ilegjitim sepse është provokacion i rëndë jo vetëm ndaj të përndjekurve por ndaj gjithë shqiptarëve. Ndaj unë shpreh sot mirënjohjen më të thellë dhe përkulem me nderimin më të madh para heronjve që e kallën dje në flakë simbolin e diktaturës. Ata, bashkë me protestues të tjerë, kanë qënë heronjtë e vërtetë të 8 Dhjetorit në këtë 25 vjetor.

Pyetje: Z Basha, a do ta paguajë gjobën Partia Demokratike Bashkië së Tiranës për dëmet e shkaktuara dje?

Basha: Do t’í çojmë një kastravec 163 milimetra të gjatë.

Pyetje: Z Basha, kur thoni mosbindja civile ka nsiur, çfarë keni parasysh me këtë? Cilat janë detajet e asja që ju e përkufizoni si mosbinje civile? E dyta, Rilindja Demokratike është hapur me titullin: Nuk ke parë gjë akoma. Edhe kjo, çfarë nënkupton?

Basha: Kjo nënkupton që shqiptarët janë në këmbë, që shqiptarët do të mbeten në këmbë, që shqiptarët e kanë marrë vendimin dhe nuk do të kthehen pas dhe Partia Demokratike do ti prijë.

Pyetje: Po detajet e mosbindjes civile?

Basha: Do t’i shikoni hap pas hapi.


Konferenca për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 9 Dhjetor 2015

Read More