Blog

08 Dhj
0

Sot ka vetëm një zgjidhje: qeveri teknike, zgjedhje të parakohshme

Të dashur qytetarë të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë,

Motra dhe vëllezër,

Zonja dhe zotërinj,

Sot, në ditën tonë më të bekuar, në ditën e Lirisë, jemi mbledhur në këtë marshim madhështor proteste, në këtë referendum të jashtëzakonshëm të qytetarëve të lirë, për të kërkuar njëzëri, si një trup i vetëm, për të diktuar me fuqinë e mendjeve dhe zemrave tona largimin e qeverisë Rama-Meta dhe krijimin e një qeverie teknike që do të bëje gati zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Rama ik! Meta ik!

Para nesh shtrohen sot vetëm dy zgjidhje.

Ose të largojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë duke bërë sehir largimin e popullit, largimin tuaj nga Shqipëria.
Ose të rrëzojmë qeveri-fatkeqësinë, ose të pranojmë rrëzimin e Shqipërisë.

T’i nënshtrohemi tiranisë së vjedhjes, krimit dhe varfërisë ose te reagojmë sot, nesër do të jetë vonë.

Rrugë të mesme nuk ka.

Nuk ka më kohë e nuk duhet t’i japim më kohë qeverisë së Edi Ramës me dyzet hajdutë.

Nuk ka më pritje dhe nuk duhet të presë më askush, asnjë ditë.
Pritja e mbaroi kohën e saj.

Propaganda dhe mashtrimet e mbaruan kohën e tyre dhe tani ngjallin vetëm neveri, vetëm indinjatë.

Përballë krizës që vetëm thellohet;

Përballë varfërisë që vetëm rritet;

Përballë korrupsionit dhe makutërisë marramendëse;

Përballë zgjedhjeve të marra peng me dhunë dhe blerje votash;
Përballë rrugëve të mbyllura të fatit për çdo shqiptar, përfshirë edhe rrugët e eksodit të dhimbshëm;
Përballë 1001 të zezave që ju i dini fare mirë sepse i keni plagë në trup, në zemër dhe në shpirtin tuaj

Kjo është përgjigjja dhe nuk ka tjetër

Kjo është zgjidhja dhe nuk ka tjetër: Të largohen, të ikin, të shporren.

Kjo është zgjidhja që vjen nga vuajtja, dëshpërimi, nga zhgënjimijuaj.

Kjo është zgjidhja që vjen vuajtja, nga poshtërimi që ju bën një kryeministër që si hakmarrje ndaj lirisë që shqiptarët e fituan 25 vite më parë, zgjohet dhe ngryset me fjalët burg, burg, burg, për njerëzit e thjeshtë.

Kjo është zgjidhja që vjen nga kundërshtimi, nga papajtueshmëria dhe revolta popullore kundër aferave të megakorrupsionit dhe vjedhjes masive të pasurisë publike nga e gjithë kupola qeveritare me në krye Edi Ramën.

Kjo është zgjidhja që vjen nga mbushja e kupës dhe vrasja e shpresës se me këtë qeveri s’mund të ketë as një ditë të mirë.
Është zgjidhja që vjen nga zgjimi i vrullshëm i një populli tërë:
Ç’janë këta që gënjejnë, gënjejnë, gënjejnë dhe as skuqen, as nxihen?

Ç’janë këta që vjedhin, vjedhin, vjedhin dhe as skuqen, as nxihen, por vetëm fryhen e kapardisen?

Ç’janë këta që janë lëshuar si hordhi me kërbaç në dorë kundër popullit të tyre duke u mburrur se po bëjnë shtet.
Po bëjnë shtetin e tyre, shtetin ku pushteti i tyre është i veshur me krim, e krimi me pushtet.

Shtet ku ligjin e bëjnë narkotrafikantët, tutorët me të cilët ndajnë paratë.

Shtet ku i pamunduri kalbet në burg për një kupon dhe kryehajdutët sa më shumë vjedhin aq më shumë kapardisen.
A është ky shteti ynë? Ky është shteti i tyre, e nuk mund të jetë e nuk është kurrë shteti ynë.

Të ikin, të largohen, të shporren!

Kjo është e vetmja zgjidhje për ta. Qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës e dogji në dy vite mandatin e saj katërvjeçar. Ajo është barrë shtesë, kosto shtesë për çdo shqiptar.

Me skandalet e tyre të përditshme, me bllokimin që i kanë bërë hetimit kombëtar e ndërkombëtar të mega-aferave të tyre të pista, Rama-Meta nuk kanë të drejtë morale dhe politike për të vazhduar më asnjë ditë në detyrat që mbajnë.

Ikni, largohuni, shporruni!

Sepse kjo qeveri nuk është më në gjendje të korrigjojë kursin e saj të katastrofës kombëtare. Nuk munden, jo vetëm sepse janë të paaftë, siç e treguan në këto 2 vite, por edhe sepse më e keqja dhe më fatalja, janë ata vetë që kanë kurdisur mekanizmin oligarkik të korrupsionit që mund ta ndalojmë vetëm duke e shkatërruar nga themelet.

400 milionë dollarë mungojnë nga tatimet dhe doganat.
400 milionë dollarë është shifra e tmerrshme e dështimit, shifra e tmerrshme e grabitjes, e korrupsionit, kontrabandës dhe evazionit për llogari të xhepave të Edi Ramës dhe lubive të tij.
Po kush është Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, kush është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ku bëhet gjithë kjo batërdi? Kush është kryeoligarku? Asnjë iluzion. Ka qenë dhe është vetëm Edi Rama.

Atë e gënjen mendja se mund të vazhdojë të vjedhë e t’i punojë doganat e tatimet si t’i kishte të vetat. E gënjen mendja se nuk ka kush ta shkarkojë.

Ka, ka kush e shkarkon.

E shkarkojnë qytetarët, e shkarkoni ju.

Kaq do të mjaftonte për t’i dhënë duart, për ta flakur nga dritaret këtë bandë që pozon si qeveri.

Por nuk mbaron këtu.

Kanë zhdukur tenderin, kanë zhdukur garën si asnjëherë më parë me qëllim që paratë publike që po i bëjnë rrush e kumbulla.
E ndajnë me njëri-tjetrin me mburrje, duke u treguar dhëmbët dhe madje edhe burgun atyre që i tregojnë me gisht si kusarë.
E keni dëgjuar, e keni ndjerë dhimbjen dhe jeni skandalizuar. Tenderi pa garë i “Jaguar” për Ramën dhe ministrat- se nuk ju rri rehat në makinat që kanë- i jepet ndërtuesit të vilës së Ramës.
Tenderi tjetër 5 milion euro i jepet në tavolinë-ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës.

30 tendera për ortakun e Beqës së Shëndetësisë, tendera e koncesione pa garë, si pagesa të stërmajme nën dorë, për Vali Leskjan, për Kokëdhimën, për Ahmetjan, për Gjiknurtët, për deputetët, për oligarkët e rrethit të ngushtë Rama-Meta.

777 milionë euro para të djersës dhe gjakut tuaj që i ndajnë dhe i vjedhin në investime luksi dhe shërbime fiktive që nuk i prek njeri, siç është i famshmi Check-up. Tenderi 100 milion dollarë që i është dhuruar oligarkes së oborrit.

Kjo del e tepron për ta flakur Edi Ramën dhe bandën e tij të 40 hajdutëve.

Por prapë nuk mbaron këtu.

5 net më parë bllokuan hetimin për CEZ-in. Hëngrën pa u skuqur dhe pa u nxirë fjalën e dhënë. Treguan se janë përlyer deri në fyt. Pranuan se ata janë fajtorët, se ata janë hajdutët dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut të shpërdorimit dhe vjedhjes së parave dhe pasurive publike ne punishten e madhe të kusarisë që punon natë e ditë, 24 orë nonstop, për të shtuar e shumëfishuar pasuritë 200 milionëshe të Edi Ramës dhe luksin me 40 hajdutë e tij.

Qershia e zezë mbi këtë tortë që qelbet erë është narko-taksia e Saimir Tahirit,për narkotrafikantët me patentë. Shqiptarë a ju ka zënë ndonjëherë veshi një maskaradë të këtij niveli? A keni parë apo dëgjuar në Europë apo në botë një ministër të Brendshëm në shërbim të trafikantëve të drogës që kapardiset me dorën e kryeministrit në sup, në vend që të shporret nga sytë këmbët dhe të përballet më ligjin?

Nuk meritojnë të quhen qeveri. Nuk janë qeveri.
Janë një bandë.

Bandë që s’ka ndërmend të ndalet po nuk i ndalem ne e po nuk i ndalëm sot.

Motra dhe vellëzër,

Nuk mund të ndodhë, nuk duhet të ndodhë të ikë populli dhe të qëndrojë qeveria. E kundërta po, e kunderta është sot mision, detyrë për çdo shqiptar.

Të ikin, të largohen, të shporren.

Populli është fuqia supreme në demokraci.

Ata mendojnë se kjo është parullë.

Ne duhet t’ju tregojmë se ky është ligji i artë i demokracisë.
Ata thonë se shqiptarët nuk e kapërcejnë dot kufirin e këmbënguljes dhe vendosmërisë civile që e detyron një qeveri të bjerë në rrugë demokratike paqësore, siç bëjnë popujt e qytetëruar në demokracitë perëndimore, siç bënë së fundmi edhe fqinjët tanë në Maqedoni dhe Rumani.

Por ne jemi gati, ne jemi të përgatitur ta bëjmë këtë kapërcim të madh.

Ne nuk do të lodhemi, nuk do të nënshtrohemi. Ky është fillimi i një stine protestash që do të ndalet vetëm kur të arrijë objektivat e saj popullore.

Ka nisur mosbindja civile.

Në këmbë qytetarë e qytetare. Në këmbë shqiptarë e shqiptare.

Largimi i qeverisë Rama-Meta është zgjidhja.

Qeveria teknike është zgjidhja.

Çlirimi i vendit nga duart e kusarëve është zgjidhja.
Zgjedhjet e reja me rregulla demokratike të shkruara e të zbatuara, është zgjidhja.

Na ka thirrur në këtë mision të ri 8 dhjetori i vitit 1990, dita kur studentët e lavdishëm të Universitetit të Tiranës shpërthyen Lëvizjen studentore demokratike për Shqipërinë si gjithë Europa.
Liri nga Tirania komuniste, ishte thirrja e tyre.

Liri nga Tirania e krimit, e korrupsionit dhe e padrejtësisë është thirrja jonë.

Ikni, largohuni shporruni!

Vëllezër e motra,

Shqipëria është e madhe për ne të gjithë. Atë e kanë zvogëluar injorantët dhe kusarët në timonin e qeverisjes.
Pasuritë e Shqipërisë dalin dhe teprojnë për gjithë shqiptarët. Ato i kanë bërë të mangëta dhe mallkim shpirtvegjëlit dhe të babëziturit në timonin e qeverisjes.

Shqipëria mban e mund të mbajë me punë, mirëqenie e dinjitet shumë me shumë se sa jemi.

Atë e kanë bërë njerkë dorëmbledhur për shumicën e shqiptarëve një grusht peshkaqenësh me Edi Ramën në krye, që janë më pak se 1 përqind e popullisisë, por që zotërojnë mbi 90 përqind të pasurive tona.

Në cilin vend të lirë të botës ka ekzistuar dhe ekziston ky hendek, ky kontrast kaq i madh? Askund. Ky nuk është pushtet demokratik. Kjo është është xhungla e kleptokracisë.
Prandaj është çuar rinia, prandaj është çuar është çuar Shqipëria!
Çohu rini, çohu Shqipëri!

Ka shpëtim, ka rrugëdalje, ka një të ardhme.
Alternativa e shpëtimit janë liria dhe ligji, taksat e ulta dhe qeverisja e përgjegjshme, llogaridhënia dhe transparenca, demokracia pjesëmarrëse dhe zgjedhjet e lira.

Por e gjithë kjo kërkon si parakusht largimin e bandës së xhunglës, krijimin e qeverisë teknike, përgatitjen e zgjedhjeve të reja ku populli do të zgjedhë lirisht qeverinë që dëshiron.
Dhe nuk ka forcë, nuk ka forcë ta ndalojë sot shumicën e bashkuar të shqiptarëve që vendosin të luftojnë pa kompromis, sot, nesër dhe çdo ditë për këtë zgjidhje. Nuk ka qeveri ta ndalojë.
Ne i kemi dalë zot dhe ne do t’i prijmë këtij vendimi.
Le të jetë 8 dhjetori 2015 dita që kujton dhe bën histori.
Le të shkruajmë së bashku një faqe të re ne historinë e civilizimit tonë.

Faqja ku shkruhet se shqiptarët u ngritën, u bashkuan dhe përmbysën me forcën e bashkimit një qeveri që kish dalë nga binarët, që i vidhte, po i rrënon, dhe po i dëbonte.
Faqen ku shkruhet se shqiptarët nuk pranuan kokulur tiraninë e re.

Se shqiptarët nuk ranë në natën e gjatë të padrejtësisë, korrupsionit, krimit dhe varfërisë.

se shqiptarët u ngritën dhe morën në dorë fatet e tyre.
Faqen ku shkruhet se Shqipëria ngrihet, se shqiptarët ngrihen! Ngrihen dhe ecin përpara. Ngrihen dhe ecin drejt dritës së Zotit!

Rroftë Liria! Zoti e bekoftë Shqipërinë !


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në protestën e 8 Dhjetorit

Read More
07 Dhj
0

Ky është dhjetori i lirisë nga tirania e krimit, korrupsionit, padrejtësisë

Mirëmbrëma të dashur anëtarë dhe anetare të Forumit Rinor,

I dashur kryetar i ri i Forumit Rinor Belind Këlliçi,

Të dashur Ervin, Oriela, Greta, Enri, Lisandër,

Të rinj dhe të reja demokratë që na ndiqni përmes ekranit anembanë Shqipërisë,

Dje Forumi Rinor përmbylli një nga garat më të bukura që Ballkani ka parë në këto 70 vite, një garë politike të hapur, të pastër, të fortë, të bukur si ajo që I dhuroi Shqipërisë dhe demokracisë Forumi Rinor i Partisë Demokratike.

Unë dua të uroj nga zemra të gjithë të rinjtë dhe të rejat që i dhanë kuptim kësaj gare, me pasionin e zemrës tuaj ju provuat para çdo shqiptari dhe botës mbarë besimin tuaj te Partia Demokratike e Shqipërisë.

Dua të uroj në mënyrë të veçantë kandidatët në këtë garë për shpirtin sportiv, për vlerat e jashtëzakonshme rinore por edhe politike, organizative dhe në veçanti të zgjedhurin tuaj si kryetar të ardhshëm Belind Këlliçin.

Kjo ishte një garë e përbashkët, një përpjekje e përbashkët brenda familjes tonë që është rinia demokrate por më lejoni të them se nëse e lexoj ashtu siç duhet votën tuaj, kjo po kështu është një fitore e përbashkët e të gjithë kandidatëve dhe rinisë.

Ndaj kam bindjen se të tillë do ta trajtoni. Rinisë dhe ekipit të sapozgjedhur po i afron e nesermja, e nesermja 8 Dhjetori, dita e madhe e rinisë, dita ku ju shkruat dhe vendosët historinë e këtij vendi dhe padyshim dita ku përsëri rinia demokrate dhe rinia shqiptare në tërësi do të dijë të jetë në ballë të marshimit popullor, të një bashkimi të madh të shqiptarëve.

Nesër në sheshin “Skënderbej” në orën 11:00. Nëser nis një marshim i ri, një marshim për vlerat më të shenjta të rinisë, për lirinë, për lirinë për t’u zgjedhur, për lirinë për t’u shprehur, për lirinë për t’u shkolluar, për lirinë për t’u punësuar, për lirinë nga korrupsioni, nga krimi dhe nga tirania e varfërisë dhe padrejtësisë që është shtruar sot këmbëkryq në çdo cep të Shqipërisë.

Shqipëria do të bashkohet nesër por sytë e shqiptarëve do të jenë nga rinia demokrate dhe rinia e saj. Ju e dini fare mirë dhe ne kemi folur këto ditë, këto javë dhe këto muaj me ju, me shqiptarët anembanë Shqipërisë për problemet e mëdha, për krizën e rëndë, për dramën me emrin Edi Rama, e për papunësinë, për varfërinë, për pasigurinë, për krimin, për mashtrimet për shëndetësinë falas dhe 300 mijë vendet e punës, për korrupsionin më të madh që Shqipëria ka parë në këto 25 vite.

Ndaj nuk dua të ndalem sot më gjatë, çdo shqiptar e demokrat e ka të qartë po se po, por edhe socialistët, familja e tyre politike është përdorur për të uzurpuar pushtetin nga një grusht kriminelësh pa asnjë  lloj lidhje me ta.

Edhe ekranet i kishte zënë përsëri kokoshi. I kishte zënë dhe për një moment pothuajse më erdhi keq për të. Po i rridhnin hundët dhe ky që po pastronte Shqipërinë nuk po pastronte dot as hundën e tij. Dhe se s’ka si ta pastrojë  Shqipërinë njeriu që  e bëri pis, e bëri pis me alencën e tij me krimin, duke graduar kriminelët e duke ju thënë ju të rinjve shqiptar se studimet, se të mësuarit, se vlerat me të cilat ju kanë edukuar dhe me të cilat kanë harxhuar nga xhepa prindërit tuaj nuk paskan vlerë, se mjafton të jesh i dënuar, narkotrafikantë dhe bën karrierë me Edi Ramën. Ky e bëri pis Shqipërinë me mashtrimet e tij që i kanë dalë boja dhe që sot ja njeh i madh dhe i vogël, dhe ja njeh e gjithë bota.

Ky e bëri pis Shqipërië me aleancën e tij të vesit, të antivlerës, të korrupsionit që e mban në këmbë bashkë me ortakun e tij Ilir Meta dhe që ja ka zënë frymën ekonomisë shqiptare.

Ky e bëri pis me padrejtësinë, me Apartedin e tij, që nga njëra anë një popull i tërë goditet me taksa të larta, me çmime të larta, nga papunësia, nga mungesa e shpresës e detyrohet të marrë rrugët e eksodit dhe një grusht njerëzish nga ana tjetër nuk i kap ligji edhe kur vjedhin ashiqare 600 milionë euro siç është rasti i CEZ-it.

Prandaj ekziston kjo frymë, prandaj ekziston shpirti i protestës i cili nesër do të derdhet në permasa gjigande drejt sheshit “Skënderbej” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Por të rinjve dhe të reja që na ndjekin sot që nuk vini vetëm për objektivin tonë politik, që të rrëzojmë qeverinë e katastrofës kombëtare, qeverinë e Edi Ramës me 40 hajdutë. Vini po kështu për të çelur një rrugë të re për Shqipërinë, koha ka ardhur që rinia të marrë sërish në dorë fatet e vendit. Koha ka ardhur dhe ne së bashku me rininë të mbyllim kapitullin e zi të rrënimit ekonomik, të depresionit e të hapim një kapitull të ri.

Ne duam  që rinia të ketë mundësi studimi me tarifa të përballueshme nga prindërit tuaj. Ne duam që rinia të studiojë dhe të punojë në qytetet e tyre, në vendin e tyre në Shqipëri.

Ne duam që së bashku me rininë ta bëjmë Shqipërinë vendin më atraktiv e të qëndrohet, të punohet e të jetohet më dëshirë të madhe, jo të largohemi sikur largohemi nga ferri.

Ne i ndajmë këto aspirata me çdo të ri, por rinia demokrate do të jetë nesër në ballë të përballjes tonë.

Një ftesë të veçantë  kam për rininë gjimnaziste të Tiranës, dua t’iu kujtoj se 25 vite më parë unë, sot kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, isha gjimnazist i dhjetorit në krah të studentëve të dhjetorit. E t’ju them se jam krenarë që bashkë me qindra e mijëra të tjerë morëm pjesë në atë kapitull të ndritur të lirisë e demokracisë.

Sot është koha juaj, tani është koha juaj të marrim edhe një herë fatet e lirisë kombëtare në duar, fatet e demokracisë.

Ju ftoj të ngriheni e të bashkohemi, studentë, gjimnazistë, të rinj e të reja nesër në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”.

Ta pagëzojmë 8 Dhjetorin, 25-vjetorin e demokracisë si dhjetorin e lirisë dhe demokracisë për shqiptarët lirinë nga tirania e krimit, lirinë nga tirania e korrupsionit, lirinë nga tirania e padrejtësisë.

E njëkohësisht le ta pagëzojmë edhe ekipin e ri drejtues të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Nesër me 8 dhjetor 2015 si dita që rinia nuk iku por qëndroi, nuk e uli kokën por u ngrit, nuk u tërhoq por fitoi!

Belind Këlliçi

Të dashur miq, kolegë, bashkëpunëtor,

Pas një procesi të pashembull zgjedhor me një anëtar një votë. Pas 20 debateve kombëtare në një garë të denjë e të fortë, ku 10 100 të rinj demokratë ushtruan verdiktin e tyre dhe më ngarkuan me përgjegjësinë e madhe të drejtimit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, jam jashtëzakonisht I ndërgjegjshëm për peshën e jashtëzakonshme të kësaj detyre dhe të rolit që ju dje vendosët të më besonit.

Falenderoj nga zemra të 5-të kandidatët për garën e tyre të fortë dhe të shkëlqyer! Falenderoj Ervnin, Lisandrin, Enrin, Orielën dhe Gretën për garën e shkëlqyer që ata zhvilluan, për idetë e tyre!

Gjithashtu falenderoj të gjithë të rinjtë demokratë të cilët zgjodhën të bëhen pjesë e këtij procesi.

Një falenderim të veçantë për familjen time, për babain tim, për bashkëpunëtorët e mi

Falenderimi më i veçantë shkon për ekipin tim dhe gjithë të rinjtë e kësaj salle.

Të dashur miq dje ishin momentet e fundit të festës sot ka nisur puna, kemi nisur të përveshim mëngët dhe gjithë energjinë tonë në marshimin kundër korrupsionit dhe krimit që ka kapluar kudo vendin.

25 vjet më parë angazhimi politik dukej diçka e pamundur por studentët, të rinjtë si ne besuan se politika është një mundësi për të ndryshuar vendin dhe politika është gjithashtu një mundësi demokratike që sjell ndryshimet rrënjësore, ndryshimet epokale të vendit tonë.

Sot kjo qeveri po vret shpresën e qytetarëve dhe po largon rininë nga vendi, nga pjesëmarrja në politikëbërje dhe vendimmarrje. Nesër është një mundësi e jashtëzakonshme për ne për të dëshmuar vullnetin tonë si të rinj demokratë, për të ndryshuar realitetin e dhimbshëm në vend, të rinjtë e të rejat pa punë, student e qytetarë të lirë, të rinjtë e të rejat që duan një Shqipëri shanse të barabarta, mirëqenie dhe drejtësi. Të rinjtë e të rejat demokratë, të rinjtë pa parti nesër në orën 11:00 të mblidhemi në sheshin “Skënderbej”. Për të nisur një rrugë të re në këtë 8 dhjetor të dytë, për një Shqipëri europiane. Të jeni të bindur se bashkë do ja dalim. Rinia është dhe do të jetë në krye.Të jeni të bindur se nëse të gjithë bashkë me këtë entuziazëm dhe jam i sigurt 100% se me mijëra të rinj të tjerë nga e gjithë qytetet Shqipërisë, sikurse ju keni këtë entuziazëm sot do të kenë entuzizëm në sheshin “Skënderbej” nesër  për të rikthyer shpresën në këtë vend dhe për nisur rikthimin e PD në pushtet si një emergjencë kombëtare.

Le të bëhemi të gjithë bashkë nesër në orën 11:00 . Të jemi në ballë të protestës, të jemi në krye të punëve dhe të jeni të bindur se jemi vetëm ne rinia e këtij vendi, të rinjtë demokratë që jemi shpresa e këtij vendi dhe shpëtimi absolute i Shqipërisë. Faleminderit të gjithëve!


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në prezantimin e kryetarit të ri të FRPD-së, Belind Këllici, 7 Dhjetor 2015

Read More
07 Dhj
0

Shkodra, vatra e demokracisë mbledh dhjetoristët dhe demokratët për Dhjetorin e Dytë

Shkodra, vatra e demokracisë dhe rezistencës historike të antikomunizmit, u bë sot mikpritësja e Grupimit Dhjetori 90, themeluesve dhe mbështetësve demokrate në përkujtim të 25 vjetorit të fitores së demokracisë.
Anëtarët e Grupimit u shprehën se Shkodra, qyteti i martirëve të lirisë edhe këtë dhjetor  do ti paraprijë protestës së 8 Dhjetorit për një Shqiperi pa dhunë, pa terror e mjerim ku e kanë zhytur pasardhësit e komunizmit.
Studentët e Dhjetorit, të rinjtë  dhe mbështetësit demokratë evokuan emocionet e ngjarjeve historike të protestave të rrëzimit të komunizmit dhe bënë apel për një pjesmarrje kombëtare deri në rrezimin e qeverisë  së krizës dhe eksodit të shqiptarëve. Vetëm demokratët dhe ithtarët e lirisë do ti japin Shqipërisë ringritjen dhe shpresën për integrimit evropian.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Dhjetor 2015

Read More
07 Dhj
0

Të gjitha arsyet pse çdo vajzë dhe grua do të jetë nesër në vijën e parë të protestës!!!

Ndryshimi vjen nga gratë sepse ato kanë energjinë e jetës dhe shpresës për ditë më të mira. Gratë mbeten aleatet dhe besniket më të mira të lirisë, e demokracisë, të Partisë Demokratike dhe vlerave që ajo ka percjellë për zhvillimin e Shqipërisë në këto 25 vite.
Ky ka qenë viti më i trishtë i sakrificave deri në vetëmohim i grave dhe nënave që janë përballur me varfërinë dhe mjerimin që gjunjëzon.
Ështe gruaja dhe nëna, viktimë e një diskriminimi të thellë të politikave qeveritare, arrogancës qeverisëse, korrupsionit masiv dhe interesave të krimit.
Ndaj, në 8 dhjetor, do të jemi të gjitha bashkë sepse cdo grua, nënë, vajzë e ka një arsye qënësore për të protestuar kundër qeverisë së krizës.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për shpresën e humbur dhe dëshpërimin e thellë që solli Rilindja.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për varfërinë dhe papunësinë në rritje që po mbyt të tashmen dhe të ardhmen e cdo gruaje.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për ato mijëra gra e vajza që u larguan dhunshëm nga vendet e tyre të punës, e për shumë të tjera që u detyruan të paguajnë mijëra euro për ta mbajtur atë.
Në 8 dhjetor do të protestojmë për Brunildën, Melitën e për dhjetëra gra që nuk janë më mes nesh, u vetëvranë dhe hoqën dorë nga jeta, viktima të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së humanizmit të kësaj Qeverie.
Protesta e 8 dhjetorit do të jetë homazh për këto nëna, për këto gra, për këto jetë të humbura padrejtësisht.
Në 8 dhjetor të gjitha gratë dhe vajzat shqiptare do të jenë të gjitha bashkë në shesh për të mbrojtur familjet e tyre nga skamja, varfëria, padrejtësia, presioni, shantazhi, burgosja, përcmimi, denigrimi, poshtërimi.
Në 8 dhjetor do të jemi të gjitha bashkë për t’i thënë ndal burgosjes së familjarëve tanë, që qeveria i akuzon padrejtësisht për të mbuluar vjedhjen shteterore në energjitikë, në dogana apo në tatime.
Në 8 dhjetor do protestojmë për cmimet tejet të larta, faturat e papërballueshme të dritave ujit, transportit.
Në 8 dhjetor do protestojmë për mohimin e të drejtës për shërbim shëndetësor, për mohimin e të drejtës së fëmijëve tanë për arsimim dhe edukim.

Gratë dhe vajzat nuk mund të heshtin më!
Le të bashkohemi në barrikadën për të jetuar me dinjitet!!
Neser do të jemi të gjitha bashkë, përkrah djemve dhe burrave, për të RRËZUAR QEVERINË e tenderave, regjimin e mohimit të të drejtave të njeriut.
Bashkë do t’ia dalim !
Në 8 Dhjetor të gjitha bashkë për të shpëtuar Shqipërinë tonë nga diktatura e re, për shpëtuar të ardhmen e fëmijëve tanë.


Deklaratë e kryetares së Lidhjes së Gruas në PD, Albana Vokshi, 7 Dhjetor 2015

Read More
07 Dhj
0

Demokratët dhe qytetarët e Elbasanit të bashkuar për thirrjen e 8 Dhjetorit

Nga Elbasani, qyteti ku partia Demokratike u themelua menjëherë pas Tiranës, Grupimi i Dhjetorit 90 dhe drejtues demokratë vijuan aktivitetet përkujtimore të jubileut 25 vjeçar të rrëzimit të komunizmit.

Themelues të Lëvizjës Studentore, deputetë, ish-deputetë, themelues të degës së PD dhe mbështetës të së djathtës sollën në kujtesë sfidat e jashtzakonshme të fitores së lirisë, burgosjet dhe terrorin ndaj shqiptarëve që kreu edhe në vitin 90 regjimi komunist për të mbijetuar.

Falë shpirtit dhe idealeve patriotike të Elbasanit, ky qytet nxorri kontribues dhe personalitete të demokracisë shqiptare. Në fjalën e tyre, deputetët demokratë thanë se trimat e lirisë edhe sot bashkë me energjinë e rinisë, do të mposhtin regjimin e korrupsionit, dhunës, skamjes e vrasjes së shpresës.

Drejtues dhe përfaqësues të Partisë Demokratike dhe të grupimit Dhjetori 90, u shprehën se sot demokratët dhe qytetarët janë më të bashkuar se kurrë për të ndalur të keqen që ka kapur vendin për fyti. Marshimi i 8 dhjetorit është thirrja për ti hapur vendit një rrugë të re shprese, besimi, zhvillimi e drejtësie.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 7 Dhjetor 2015

Read More
06 Dhj
0

Të rinjtë demokratë zgjedhin kryetarin e ri, Belind Këlliçi

Forumi Rinor i Partisë Demokratike zgjodhi sonte kryetarin e ri z.Belind Këlliçi, pas konventës së fundit që u mbajt në Tiranë, me parimin një anëtar një votë.
Në këtë proces që mbahet për herë të parë në vendin tonë, u votua për drejtuesin e ri të Forumit në 20 konventa kombëtare në 20 qytete, ku të gjithë anëtarët e forumit patën mundësinë të ndjekin debatin mes kandidatëve dhe të vendosin me votën e tyre për kryetarin e FRPD.
10 mijë e 100 anëtarë të Forumit Rinor votuan në këto zgjedhje, që ishin një spektakël i demokracisë, i garës, i konkurencës së ideve dhe platformave.
Kryetari i ri i forumit z.Belind Kelliçi është 28 vjeç, ka mbaruar studimet për shkenca menaxhimi dhe ekonomi në Universitetin e Maryland, SHBA dhe ka spikatur prej vitesh me aktivizimin e tij në politikë, në Partinë Demokratike.
Belindi e ka nisur aktivizimin e tij politik në degën 10 në Tiranë.
U zgjodh anëtar i Këshillit Kombëtar, nga Kuvendi Kombëtar në vitin 2014.
U votua nga Këshilli Kombëtar si anëtar kryesie i Partisë Demokratike në rolin e drejtuesit të Departamentit të të Përndjekurve dhe Pronarëve, post nga i cili u dorëhoq pasi shpalli kandidaturën për drejtues i Forumit.
Rezultati final ishte ky:
Këlliçi mori 4706 vota, kundrejt Ervin Salianjit me 4132 vota dhe Oriela Nebiaj me 1105 vota.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 6 Dhjetor 2015

Read More
06 Dhj
0

Afron 8 Dhjetori, rritet ankthi e paniku i Edi Ramës

Sa më shumë afron 8 dhjetori dita e bashkimit popullor kundër Edi Ramës dhe byrosë së hajdutëve, aq më shumë rritet ankthi e paniku i njeriut, të cilin, raportet ndërkombëtare e kanë përcaktuar si pronarin e 200 milionë eurove, kryeministrin më të pasur, të vendit më të varfër në Europë.

Ankthi i tij buron nga fakti se me 8 dhjetor në shesh nuk do mblidhet vetëm opozita, por një popull i tërë, i shtypur, i dhunuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni, nga krimi i ngritur në pushtet dhe nga padrejtësia.

Çdo shpifje e sulm ndaj opozitës është konfirmim i panikut dhe tmerrit që e ka mbërthyer  Edi Ramën.

Sepse ai e di, që për dy vite nuk ka lënë pas, asnjë vepër të mirë, por vetëm përkeqësim, varfërim, rënie pagash, papunësi, rritje të pasigurisë, largim të shqiptarëve, e dëshpërim.

Koha e Edi Ramës dhe bandës së tij të 40 hajdutëve ka marrë fund.

Shqiptarët pa dallime politike do të bashkohen me 8 dhjetor, ashtu si bëjnë kombet e lira europiane,  për të hapur një kapitull të ri për vendin, kapitull shprese, besimi dhe drejtësie.


Deklarata për mediat e Sekretares së Marrdhënieve me Publikun, Grida Duma, 6 Dhjetor 2015

 

Read More
06 Dhj
0

Me 8 Dhjetor nisim maratonën e përballjes pa kthim për zgjidhjen, për largimin e qeverisë Rama -Meta

Të nderuar të pranishëm në Kuvendin e 20-të përmbyllës të Forumit Rinor të Partisë Demokratike,

Të dashur të rinj dhe të reja demokratë

Krenaria dhe buzëqeshja e demokratëve të Tiranës, kryeqytetit dhe anembanë Shqipërisë,

I nderuar zoti nënkryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i Grupit Parlamentar Edi Paloka,

I dashur Gert, kryetari akoma në detyrë i Forumit Rinor të Partisë Demokratike,

Të dashur deputet, anëtarë të Këshillit Bashkiak,

Në këtë sallë sot më shumë se dje, më shumë se pwr  një  kohë të gjatë, shoh një dritë të magjishme, një dritë të magjishme në fytyrat tuaja, në zemrat tuaja, në mendjet tuaja.

Çfarë të jetë vallë?  Është padyshim drita e garës më të bukur, më të hapur dhe më të fortë që ka pasur ndonjëherë Forumi Rinor i Partisë Demokratike. Por çfarë tjetër ndriçon në fytyrat tuaja, në sytë tuaj, në shpirtin tuaj? Unë them se përtej garës që po vjen në një fund dinjitoz ndriçon edhe kurora, kurora që është dita e madhe e 8 Dhjetorit, dita e madhe e rinisë, dita e madhe e lirisë. Dita e kujtimit dhe nderimit për heronjtë e demokracisë, për studentët çlirimtarë të 25 viteve më parë që më në krye Azem Hajdarin i dhanë fund 25 vite më parë diktaturës më të egër komuniste në Europë dhe sollën lirinë kombëtare për të gjithë.

Nderim për ata studentë, nderim për intelektualët, për Sali Berishën, për Gramoz Pashkon, për dhjetëra e qindra intelektualë e studentë. Nderimi për ta ndrin sot në fytyrat, sytë, mëndiet dhe zemrat e rinisë demokrate që edhe një herë është e gatshme dhe e vendosur për të marrë stafetën e lirisë dhe demokracisë në këtë vend.

Prandaj 8 dhjetori është ditë e historisë, është ditë e kujtesës dhe e nderimit. Por 8 dhjetori që vjen është dhe dita për të bërë sërish histori, është dita e marshimit të madh të protestës, dita e zbritjes masive popullore në sheshin “Skënderbej” dhe marshimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Është dita për largimin, është dita për shkarkimin e qeverisë së katastrofës kombëtare Rama-Meta.

Kemi marrë vendim të nisemi e mos të ndalemi. Të nisemi me rininë e Tiranës, të nisemi me rininë e gjithë Shqipërisë bashkë me qindra e mijëra qytetarë nga Tirana dhe gjithë Shqipëria, me të rinj, e të reja, me burra e gra, me intelektualë, me punëdhënës, me punëmarrës, me të shpunësuar, më të papunë, me fermerë, me të zhgënjyer, më të goditur e të nëpërkëmbur të martën Tiranë me 8 dhjetor.

Sepse askush, askush, asnjë kategori e vetme shoqërore, asnjë grupim interesi nuk ka parë ditë të mirë në këto dy vjet qeverisje me përjashtim të një grupi ortakësh dhe klientësh të qeverisë Rama-Meta. Të gjithë të gënjyer, të gjithë të mashtruar, të gjithë të zhgënjyer, të gjithë të mashtruar, të gjithë goditur, të gjithë të nëpërkëmbur, të gjithë vjedhur nga qeveria e zullumeve kombëtare. Të gënjyer të sëmurët dhe familjarët e tyre që sot ashtu sikurse dje e gjatë gjithë këtyre dy viteve nuk shohin asnjë përmirësim në spitalet e shërbimit shëndetësor por vetëm përkeqësim, dhe me zemër të dhimbsur shikojnë se si familjarët e tyre në vend që të  marrin kujdesin e merituar shëndetësor, aq më pak kujdesin e premtuar falas përballen me standardet më të zeza që shëndetësia shqiptare ka njohur 25 vite.

Të mashtruar ushtria e të papunëve shqiptarë e cila sa vjen e shtohet e bashkë me të shtohet çdo natë dëshpërimi, pasiguria për bukën e gojës, për bukën e përnatshme të fëmijëve të tyre.

Të lënduar fermerët shqiptarë të cilët janë lënë në mëshirë të fatit, në mëshirë të motit, madje edhe më keq edhe atëherë kur ja dalin me punën e tyre, me djersën e tyre t’i mbijetojnë kushteve atmosferike dhe motit iu del përpara një qeveri e cila jo vetëm që nuk garanton por i godet në çdo cep, i godet për NIPT-in, i godet për tatimet, i godet në treg me një klientelë importuesish korruptivë që iu heqin bukën e gojës.

Të cenuar mijëra studentë anembanë Shqipërisë, të goditur dinjitetin e tyre nga fjala e dhënë dhe fjala e ngrënë nga pabesia e Edi Ramës me ligjin korruptiv për arsimin e lartë. Ligj i cili sot privon mijëra studentë të vazhdojnë studimet e tyre për shkak të pamundësive financiare, e nesër do të privojë edhe dhjetëra e mijëra të tjerë në qoftë se e lejojmë të vazhdojmë.

Të poshtëruar, e të goditur pronarët me skemën kriminale të rishpronësimit të tyre pas 70 viteve nga dita e atyre që i shpronësuan me terror me ardhjen e diktaturës komuniste.

Poshtëruar dhe nëpërkëmbur të përpjekurit, të afërmit e të cilëve janë rivrarë nga Edi Rama me dekorimin që u bëri torturuesve, ekzekutorëve dhe xhelatët e diktaturës.

Të varfëruar të gjithë me një ekonomi në rënie, me një ekonomi në sprapsje në ditën e saj më të zezë, pa kreditim, pa investime, pa konsum, pa punësim, pabesi. Të vjedhur të gjithë në taksa dhe tarifa që nuk shkojnë në buxhet por zhduken në xhepat e kontrabandistëve të një grushti qeveritarësh të lidhur me ta.

Të vjedhur në tendera dhe prokurorime të drejtpërdrejta për papulë e carapulë, e Kokëdhimë, e Beqaj, e Tahirë, e Ahmetaj dhe bandën e 40 hajdutëve të Edi Ramës.

Të zhgënjyer janw edhe socialistët që shohin se qeveria për të cilën votuan pasurohet një grusht oligarkësh dhe se të vetët që marrin drejtim, pushtet dhe përgjegjësi janë kriminelë me damkë që nuk i lidh asgjë me familjen e tyre politike.

Tw harruar janw  pensionistët në varfërinë e pasigurive të tyre që është e vetmja gjë që shtohet ndërkohë që vlera e pensionit dhe fuqia blerëse bie, vetëm bie.

I goditur, i trembur, i nëpërkëmbur biznesi nga tatimet, nga gjobat, nga taksat, nga kërcënimet, nga inspektorët, nga zuzarët që nuk kanë të sosur ditë për ditë.

Ky është realiteti, kanë mashtruar dhe kanë dështuar me premtimin e tyre për 300 mijë vende pune, shëndetësinë falas, për uljen e çmimit të energjisë, për uljen e çmimit të naftës, për ulje taksash e rritje rrogash.

Mashtrimi është pafytyrësia e Edi Ramës. Kanë vjedhur paratë e shqiptarëve në shuma marramendëse, 400 milionë dollarë në dogana dhe në tatime, më shumë se 770 milionë dollarë në prokurime dhe tendera, 600 milionë euro vetëm me aferën CEZ. Vjedhja është krim, është krimi i qeverisë së Edi Ramës dhe krimin e kanë ngritur në sistem, e kanë bërë njësh me pushtetin dhe vetë janë bërë njësh me krimin.

Ndaj dy vite para 25-vjetorit të 8 dhjetorit të lirisë, shqiptarët anembanë njëzëri biem dakord se pritja për këtë qeveri e mbaroi kohën e saj.

Se kush ka pasur shpresë nuk ka më shpresë sepse Rama-Meta e vranë shpresën e bashkë me të dogjën rreth dy vite mandatin e tyre katër vjeçar. Ata janë sot rrokullosja, janë kriza për ekonominë e vendit, janë laku në fytin e familjeve shqiptare, janë varfërie, janë falimentimi i biznesit shqiptar, janë grabitja, janë korrupsioni, janë eksodi për qindra mijëra shqiptarë, janë kthimi prapa 25-26 vite më parë në kohërat më të errëta të Byrosë Politike, por kësaj radhe të byrosë së hajdutëve të kapërdisur si kokosha me pasuri 200 milionë euro, siç raportojnë raportet ndërkombëtare të punës. Nuk kanë patur ndonjëherë turp por tani u ka plasur cipa fare.

Burg për kuponin, burg për fermerin, burg për të pamundurit, burg për berberin por vetë vjedhin sa të munden pa u hyrë gjemb në këmbë dhe bëjnë pasuri përrallore dhe nuk pranojnë as të hetohen. Kjo është drama e një populli të tërë. Ky është aparteidi i Edi Ramës ku një grush vjedhin çtë mundin pa u hetuar dhe një popull i tërë qendron nën varfëri, pa drejtësi, kërbaç dhe burg. Dhe kjo e ka bërë Shqipërinë sot të pajetueshme për 100 mijë shqiptarë të larguar. 200 mijë të tjerë kanë aplikuar për tu larguar në Amerikë. Mbi 70 mijë të shpunësuar vetëm në shtator dhe tetor. 60 mijë familje të hequr nga ndihma ekonomike. Kjo është Shqipëria e sotme. Premtojnë dhe do ta bëjnë edhe më keq me buxhetin që miratuan në Kuvend të premten e kaluar, me taksat, tarifat, gjobat e rrënimit, me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tyre flagrante, me kusarinë e tyre proverbiale, do ta bëjnë më keq po ti lemë ne, pot i lëmë qytetarët, po ti lërë rinia, po ti lërë Partia Demokratike, por unë jam i bindur se ne nuk do ti lëmë.

Këtu mbaron. Koha e tyre ka mbaruar. Kupa është derdhur. Durimi i shqiptarëve ka marrë fund. Çdo orë, çdo ditë më shumë në këtë qeverisje, në këtë klikë hajdutës, çdo ditë më shumë është një humbje më e madhe, një kosto shtesë për vendin, për çdo familje, për çdo shqiptar.

Me këtë vetëdije, ne Partia Demokratike e Shqipërisë është me Forumin Rinor, krenarinë dhe pararojën tonë, opozita shqiptare, shoqëria civile, shqiptarët pa dallim, zbresim në sheshin Skënderbej, marshojmë të martën tek Dëshmorët e Kombit jo thjeshtë për të protestuar. Ne zbresim e bashkohemi për zgjidhje dhe zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Zgjidhja është largimi i qeverisë Rama-Meta. Zgjidhja është krijimi i një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne duam që Shqipëria të ketë zgjidhje në mes të keqes që e ka mbërthyer dhe ne duam që këtë ta vendosë populli me votën e tij të lirë.

Ndaj me 8 Dhjetor nisim maratonën e përballjes pa kthim për zgjidhjen, për largimin e qeverisë të ditëve gjithnjë e më të zeza. Si do ta bëjmë ?! Kush do ta bëjë?! Qytetarët do ta bëjnë. Populli mund dhe populli do ta bëjë me pjesëmarrje masive e mbarëpopullore në protestë, me vendosmëri, me qendrueshmëri, pa u lodhur asnjë çast deri në realizimin e objektivave tona. Qytetarët e bashkuar janë fuqia supreme në demokraci. E ka treguar bota demokratike. E treguan fqinjët tanë në rumani e Maqedoni. Do ta tregojnë edhe shqiptarët.

Ndaj të dashur të rinj e të reja. Protesta dhe marhsimi popullor me 8 Dhjetor nuk është vetëm nderim, nuk është vetëm protest por është përgjigja popullore kundër qeverisë më të dështuar e më të korruptuar në histori. Le të nisemi me këtë energji që buron nga kjo sallë që i shpon muret e kësaj salle e depërton anembanë Tiranës e Shqipërisë, të nisemi në datën 8 Dhjetor pa kthim deri në zgjidhje. 25 vite më parë rinia shqiptare e ndezi shkëndijën e përballjes. E solli lirinë dhe demokracinë. E rrëzoi diktaturën. Bekim paçi ju rinia e Shqipërisë që ju vjen shansi të risillni lirinë nga tirania e krimit, tirania e korrupsionit, tirania e varfërisë, tirania e padrejtësisë. Ju do ta çlironi Shqipërinë me 25 vite më vonë, ju jeni përsëri shpresa dhe pararoja jonë. Me 8 Dhjetor të gjithë në shesh, masivisht në protest.

Zoti e bekoftë Shqipërinë. Rroftë rinia shqiptare.


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në konventën e 20-te zgjedhore të FRPD, 6 Dhjetor 2015

 

Read More
06 Dhj
0

Dhjetori i dytë, Durrësi gati për marshimin popullor të së martës

Nga Durrësi  PD dhe grupimi Dhjetori 90, zhvilluan aktivitetin përkujtimor “Dhjetori 90 afër dhe larg” në përkujtim të 25 vjetorit të rrëzimit të diktaturës më të egër në Evropë.

Kryetari i Grupimit Dhjetori 90, Bislim Ahmetaj tha se sot Shqipëria është në rrezik pasi  pronësia e lirisë dhe parlamentarizmit është në dorën e  njerëzve të  lidhur me krimin, pa asnjë interes kombëtar dhe ideal për Shqipëri evropiane.

“Lëvizja studentore e Dhjetorit 90 dhe sot të rinjtë e Dhjetorit të dytë të lirisë, janë forca dhe kurajo e PD”, u shprehën drejtuesit e degës së PD në Durrës.

Më tej, anëtarët e Grupimit, në evokim të emocioneve dhe kujtesës historike thanë se guximi i lëvizjes studentore dhe themelimi i partisë më të madhe, PD, ishte guxim i paimagjinueshëm për liri dhe heroizëm për një Shqipëri pa mure, për një Shqipëri me shpresë, si gjithë Evropa.

Demokratët, mbështetësit, pjesmarrësit theksuan se Partia Demokratike me opozitarizmin europian dhe lidershipin e saj do të orientojë revoltën kombëtare  që me idealet e lirisë,  në 8 Dhjetor, çdo  shqiptar të jetë misionar i lirisë dhe shpresës për një Shqipëri me prosperitet dhe të ardhme evropiane.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 6 Dhjetor 2015

Read More
06 Dhj
0

Qeveria lejon korrupsionin me drurin në Fushë-Bulqizë, dhunohen banorët që mbrojnë pyjet

500 familje në Fushë-Bulqizë kanë nënshkruar peticion drejtuar kryeministrit, ministrit të mjedisit dhe atij të rendit për ta ndaluar kompaninë e kushëriti të Ylli Manjanit njëkohësisht daja e deputetit Spahiu, që të mos presë pyllin me të cilin ata kanë lidhur jetën.

Deri tani asnjë përgjigje nuk është dhënë për peticionin dhe shkatërrimi i pyllit vazhdon.

Partia Demokratike kërkon reagim të autoriteteve dhe ndalim të menjëhershëm të kësaj katastrofe.

Departamenti i Mjedisit Pyjeve dhe Turizmit në PD, shkoi sot sëbashku me deputetin e zonës, Roland Keta në takim me komunitetin.

Banorët thanë se ata jetojnë me pyllin dhe pylli i mbron nga orteqet dhe nga përmbytjet, si dhe është burim natyror jetese për ta.

Banorët shprehën indinjatën për mosreagimin e qeverisë dhe nga ana tjetër, për arrestimin e atyre që protestojnë kundër prerjesë së pyllit.

Përfaqësuesit e departamentit shprehën mbështetjen e tyre të plotë ndaj banorëve.

Eshtë ndër rastet e rralla që komuniteti lokal është i ndërgjegjësuar për mbrojtjen e mushkërive të përbashkëta dhe të jetës.

PD do të mbrojë interesat jetike të banorëve dhe deklaron se është e papranueshme të arrestohen ata që mbrojnë pyllin dhe të keqtrajtohen në komisariat, vetëm e vetëm për interesat korruptive të pushtave të shtetit.

Përfaqësuesit e PD dhe banorët theksuan nevojën për ndaljen e këtij korrupsioni skandaloz me pyjet në dëm të jetës, dhe shprehën gadishmërinë për t’iu bashkuar marshimit popullor të protestës me 8 dhjetor.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 6 Dhjetor 2015

Read More