Blog

30 Nën
0

Me 8 Dhjetor të ndalim Ramën me 40 hajdutët e tij dhe ti hapim vendit një rrugë të re zhvillimi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Konventën e 16-të Zgjedhore të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Në 16 nga 20 konventat, kandidatët për kryetar forumi, Belind Këlliçi, Ervin Salianji dhe Oriela Nebijaj kanë shpalosur platformat e tyre për drejtimit e forumit.  Kreu i demokratëve ka theksuar në fjalën e tij se kjo garë  ku të rinjtë demokratë, me parimin një anëtarë një votë, do të zgjedhin drejtuesit e tyre është parathënia më e mirë e ndryshimit të madh që pritet dhe do të vijë nga rinia e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë. Zoti Basha ka ftuar të rinjtë e Elbasanit t’i bashkohen protestës së 8 Dhjetorit duke e konsideruar këtë një moment të rëndësishëm për të ndalur të keqen dhe për t’i hapur rrugën një qeverie që punon për qytetarët dhe jo për qeveritarët.
“Realiteti i dhimbshëm i shqiptarëve sot është varfërim, humbje shprese, përkeqësim, rrokullisje nga njëra ana, por nga ana tjetër një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh, Edi Rama me 40 hajdutë pasurohen, vënë miliona, ndërtojnë saraje, hapin konto bankare jashtë vendit, blejnë “Jaguar” e jetojnë si sheik, si turistë nga Kina në Arabi, ndërkohë që populli dergjet refugjat në kampet e Europës Perëndimore.
A do t’i japim më kohë të keqes? A do të lejojmë që këta hajdutë  kampionë, këta kampionë të korrupsionit dhe të krimit vitin e ardhshëm me instrumenta ligjore dhe joligjore të vjedhin përsëri nga xhepat e çdo shqiptari, të mashtrojnë të madh e të vogël, fondet, paratë, taksat tuaja në vend që të investojnë në shëndetësi, në arsim, në mundësi për shkollim, në ndihmë ekonomike, në taksa të ulëta, në punësim t’i kthejnë në tendera qindra milionësh, në “Jaguar”, në konto bankare, në hotele dhe në luks për qeveritarët.
Ta marrim këtë energji me vete nga kjo sallë, nga ky qytet, nga gjithë kjo trevë e ta sjellim me 8 dhjetor në Tiranë para Byrosë së hajdutëve e të korruptuarve dhe e tu themi që këtej e tutje e kemi ne në dorë. E ne themi jo, jo korrupsionit, jo krimit në sistem. Jemi gati të hapim një rrugë të re për Shqipërinë njësoj si 25 vite më parë kemi energjinë, kemi vizionin, kemi vendosmërinë dhe nuk ka asgjë të na ndalë. Pa kthim janë betejat tona”, tha Basha.

Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike në Konventën e  FRPD në Elbasan

Të dashur të rinj e të reja, demokratë, anëtar të Partisë Demokratike të degës Elbasan ju përshëndes nga zemra dhe ju falënderoj për këtë pritje kaq të ngrohtë sot në qytetin tuaj dhe në qytetin tim, të Elbasanit. Në qytetin ku sot bëhet ndalesa e 16 –të e një gare të bukur, të fortë, me plot emocione, e një gare ku ju  vendosni me votën tuaj drejtuesit e ardhshëm të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. E një gare demokratike, të hapur, të lirë. E një gare që parathotë më mirë se çdo gjë tjetër ndryshimin e madh që pritet dhe do të vijë nga rinia e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë.
Tradita e zgjedhjes me votë të lirë të drejtuesve të një partie politike nuk është një traditë e konsoliduar në Shqipëri. Përkundrazi në këto 25 vite demokraci jemi mësuar më shumë të caktojmë dhe të përcaktojmë sesa të zgjedhim, kjo padyshim është diktuar në fillim edhe nga mungesa e vlerës së madhe, e traditës së madhe të votës së lirë, e përgjegjësisë individuale që nënkupton vota e lirë, e marrjes të kësaj përgjegjësie.
Kush e ka në dorë? Kush e ka në dorë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Forumit Rinor Demokrat? Ju e keni në dorë, gjithsecili prej jush e ka në dorë me votën tuaj e merrni këtë përgjegjësi, me votën tuaj e shkarkoni përgjegjësinë në kutitë e votimit dhe pastaj e kërkoni që të shkojë deri në fund. Kjo është një traditë e bukur e moçme sa demokracia europiane, por është një traditë e cila akoma duhet të zërë rrënjë në Shqipërinë tonë. Kujt tjetër përveç Partisë Demokratike i takon që kultivojë këtë traditë, traditën e votës së lirë? Kujt tjetër përveç rinisë demokrate i takon ta vendosë këtë themel, vendosjen e drejtimit, vendosjen e drejtuesve me votën tuaj?
Në këto 16 debate temperatura ka ardhur duke u ngritur, jo jashtë se jashtë është duke rënë, por në sallën e garave dhe jashtë sallave ku kandidatët dhe stafet e tyre janë përballur dhe përballen ethshëm, nga njëra anë me dëshirën legjitime për të fituar garën e nga ana tjetër me pyetjet, me debatin, me kërkesat e rinisë demokratë, e të rinj dhe të reja që po zgjedhin me votën e tyre.
Ku është qëndrimi i Partisë Demokratike në këtë garë ? Çfarë mendoj unë, çfarë mendon Aureli, çfarë mendojnë drejtuesit e tjerë, çfarë mendojnë deputetët e tjerë? Nuk ka pikë rëndësie! Rëndësi ka vota juaj, rëndësi ka gjykimi juaj. Ndaj kushdo që pretendon të kundërtën nuk po ju thotë të vërtetën, e duke qenë se nuk po thotë të vërtetën nuk meriton asnjë sekondë të vëmendjes tuaj dhe aq më pak të votës tuaj.
Zonja dhe zotërinj, të rinj e të reja ju votoni, ju vendosni!
Me këtë garë të bukur, megjithatë ne japim një mesazh, një mesazh tashmë 25 –vjeçar në familjen tonë politike të lindur nga gjiri i të rinjve, i studentëve të dhjetorit, i Azem Hajdarit me shokë që 25 vite me parë hodhën themelet e rinisë pluraliste dhe Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ky mesazh është se rinia është zemra e Partisë Demokratike. Ky mesazh është që nuk ju duam vetëm që të shtojmë numrat. Nuk ju duam vetëm për ripërtëritjen biologjike të Partisë Demokratike, por ju duam e ju mirëpresim që të merrni përgjegjësi dhe të merrni stafetën në Partinë Demokratike. Të merrni përgjegjësitë e ndryshimit të madh që pret sot Elbasani dhe gjithë Shqipëria, që presin sot vëllezërit dhe motrat tuaja më të mëdhenj, prindërit tuaj, gjyshërit tuaj, që i kanë nga ju të rinjtë e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë sepse ju keni energjinë, keni vizionin,  keni vendosmërinë, keni kurajën, keni forcën për të shembur të vjetrën dhe për ti hapur rrugë të resë.
Gjendja në të cilën zhvillohet kjo garë nuk matet vetëm nga temperaturat që bien jashtë. Bien temperaturat por kanë rënë edhe shpresat e shqiptarëve për një jetë më të mirë. Zhgënjimi mbarëpopullor me keqqeverisjen e Edi Ramës dhe Ilir Metës është sot një fakt i pakundërshtueshëm. Dy vite pasi erdhën në pushtet me premtimet më të bujshme është e vështirë të gjesh votues të tyre të para dy viteve që të shprehen të ngazëllyer, të kënaqur, apo të pazhgënjyer me këtë qeverisje. Kjo gjendje i ka rrënjët tek vesi i aleancës dhe tek aleanca e vesit, tek gënjeshtra dhe mashtrimi, si pararendëse e kësaj aleance qeveritare. Mashtrimet e panumërta të cilat sot qytetarët i numërojnë që nga ato për 300 mijë vende pune, tek shëndetësia falas, tek arsimi dhe aksesi në arsimin e lartë universitar. Mashtrime të tjera për legalizimin, për një klimë të re biznesi, për integrimin europian, për drejtësi dhe barazi para ligjit për të gjithë u tretën një nga një. Sot shqiptarët përballen me një gjendje të rënduar ekonomike. Në dy muaj, shtator –tetor sipas vetë statistikave të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave 73 mijë kryefamiljarë, burra, gra humbën vendet e punës, i humbën për shkak të kërbaçit, për shkak të gjobave, për shkak të arbitraritetit, të arrogancës, të korrupsionit të të ashtuquajturit aksion antiinformalitetit. Por sa mijëra të tjerë jetojnë sot me pasigurinë, me frikën për vendet e punës, i kanë sot apo do ti kenë nesër. Sa mijëra e dhjetëra të tjerë bashkëmoshatarë tuaj kërkojnë dhe nuk gjejnë asnjë mundësi reale për punësim me pagë dinjitoze? Sa mijëra i janë drejtuar sërish eksodit, kësaj plage të hapur në fillimet e tranzicionit e që sot është rihapur më dhimbshëm se kurrë. Tretja e shpresës, humbja e shpresës, zhgënjimi është një produkt i drejtpërdrejtë dhe në fakti i vetmi produkt i keqqeverisjes Rama-Meta, bashkë me rekordet e zeza të krimit dhe korrupsionit. Këto janë dy shuplaka të forta në ndërgjegjen e një kombi që meriton në këtë 25-vjetor një qeverisje ndryshe, meriton një avancim të plotë e të vërtetë drejt një standardi të ri jete, drejt dinjitetit, drejt mundësive për punë, drejt shanseve për barazi para ligjit.
Sot e kanë këta në dorë që sipas burimeve të institucioneve shtetërore kanë abuzuar 777 milionë euro vetëm në këtë vit buxhetor. Këto që  vetëm nga doganat dhe tatimet kanë vjedhur 250 milionë dollarë, pra 1 milion dollarë në ditë. Këta që shëndetësinë falas, këtë tallje të madhe me shqiptarët e kanë kthyer në skemën më të madhe korruptive që vendi ka njohur në 25 vite. 100 milionë euro vetëm për tenderin e sterilizimit. 10 milionë euro në vit jepen për një punë e cila duhet të bëhej me investimet që shteti ka bërë në këtë sektor, këtu në Elbasan dhe në Tiranë, si kudo tjetër.
Sot sikundër dje, por edhe nesër Arben Ahmetaj dhe Qazim Sejdini zhvasin 10 mijë euro në ditë nga tenderi korruptim për djegien dhe pastrimin e mbeturinave. Korrupsioni i ulur këmbëkryq i qeverisë së Edi Ramës dhe Ilir Metës. Miliona euro që shpërdorohen dhe miliona të tjera që vidhen pa asnjë llogaridhënie, asnjë përgjegjësi për punën që gjoja jepen. Realiteti i dhimbshëm i shqiptarëve sot është varfërim, humbje shprese, përkeqësim, rrokullisje nga njëra ana, por nga ana tjetër një grusht njerëzish, një grusht oligarkësh, Edi Rama me 40 hajdutë pasurohen, vënë miliona, ndërtojnë saraje, hapin konto bankare jashtë vendit, blejnë “Jaguar” e jetojnë si sheik, si turistë nga Kina në Arabi, ndërkohë që populli dergjet refugjat në kampet e Europës Perëndimore. Kjo është një gjendje e papranueshme, kjo është një gjendje e papranueshme për të madh e të vogël, të djathtë e të majtë. E pra, çfarë të bëjmë, çfarë të bëjmë? Kush e ka në dorë? Kjo është pyetja që shtrohet sot nga mijëra e mijëra të pashpresë e mbarë Shqipërisë.
Buxheti i vitit 2016 është denoncimi më i madh që asgjë nuk ka ndërmend të denoncojë kjo qeveri. Përkundrazi po përpiqet që të blejë edhe më shumë kohë që të fusë edhe më thellë duart në xhepat tuaj e të prindërve tuaj.
Shikoni sa para kanë rezervuar për zyrat dhe makinat e tyre në vitin 2016? E kanë shpallur, e kanë çuar në Parlament, plot 30 milionë dollarë, 30 milionë  me të cilat mund të mbaronte pa dyshim rruga Tiranë-Elbasan me të cilët mund të mbaronte pa dyshim edhe rruga Tiranë –Elbasan që këta e ndalën në mes, por mund të mbaronin edhe dhjetëra vepra të tjera. 30 milionë dollarë mjaftojnë dhe teprojnë që të mos rriten tarifat për asnjë student dhe çdo i ri që dëshiron të filloj të studimet universitare apo do ti mbarojë ato ti vazhdojë i pa brengosur prindërit e tij.
30 milionë dollarë që do të mjaftonin për ti dhënë ndihmën ekonomike, 1 në 10 familje që sot jaën hequr me të padrejtë dhe që sot nuk kanë kokrrën e lekut për bukën e gojës për fëmijët e tyre. Por nuk u bëhet vonë sepse këta nuk jetojnë këtu, nuk jetojnë në Elbasan, nuk jetojnë në Tiranë, jetojnë në ajër, jetojnë në business –class, jetojnë mes Pekinit dhe Abu-Dabit, jetojnë në luksin e shfrenuar që kanë blerë me paratë që u vjedhin shqiptarëve. Këta e kanë në dorë? Këtyre do t’ua lëmë ? Kush e ka në dorë? Ju e keni në dorë! Ne e kemi në dorë dhe ne nuk do ta lejojmë!
8 dhjetori po afron dhe 8 dhjetori ka një mësim të madh për shqiptarët. 25 vite më parë, 30 nëntor 1990 kush dëgjonte muzikë rrock rrezikonte burgun. Kush ankohej se nuk kishte për të blerë bukë, se gjë tjetër s’kishte nëpër dyqane rrezikonte burgun. Kush rriste flokët sesa standardet e përcaktuara nga partia shtet rrezikonte burgun. Pse, kush e kishte në dorë? Një tufë pleqsh të rrëgjuar, Byroja Politike dhe një aparat diktature që u shërbente verbërisht. Por studentët e dhjetori 1990 kuptuan të vërtetën e madhe, nuk mund ta kishte Byroja Politike, nuk mund ta kishin zuzarët e veshur me pushtet për të terrorizuar një popull të tërë fatin e shqiptarëve. Jo, thanë studentët e dhjetorit. Jo, tha Azem Hajdari. Jo thanë demokratët e parë, u ngritën dhe e çliruan Shqipërinë nga diktatura më e egër, e morën në dorë fatin e Shqipërie. E hapëm Shqipërinë e bashkuam me vendet e tjera që hodhën tej perçet e robërisë. Hapëm rrugën drejt integrimit, lirisë së sipërmarrjes, lirisë së fjalës, lirisë për të bërë atë që çdokush dëshiron për t’u ndjerë i lumtur, lirisë së shprehjes, lirisë së organizimit politik. Ndonëse rruga ka qenë e vështirë dhe plot zig-zag, ëndrra e studentëve të dhjetorit sot ja vlejti. Shqipëria sot është anëtare e NATO-s, ju sot lëvizni të lirë e pa viza anembanë  Bashkimit Europian. Shqipëria ia ka dalë falë përpjekjeve të gjata e të mundimshme të sigurojë mundësinë për integrimin në BE ndonëse në nëntor Bashkimi Europian ia mbylli derën jo Shqipërisë por kësaj qeveria që ka ngritur krimin në sistem dhe sot shënon rekordet më të zeza të korrupsionit në Ballkan dhe në Europë.
A do ta lëmë kështu? A do t’i japim më kohë të keqes? A do të lejojmë që këta hajdutë  kampionë, këta kampionë të korrupsionit dhe të krimit vitin e ardhshëm me instrumenta ligjore dhe joligjore të vjedhin përsëri nga xhepat e çdo shqiptari, të mashtrojnë të madh e të vogël, fondet, paratë, taksat tuaja në vend që të investojnë në shëndetësi, në arsim, në mundësi për shkollim, në ndihmë ekonomike, në taksa të ulëta, në punësim t’i kthejnë në tendera qindra milionësh, në “Jaguar”, në konto bankare, në hotele dhe në luks për qeveritarët.
A e pranoni ju këtë? A do ta lejojmë ne këtë? E pra, 8 dhjetori po vjen përsëri kush e ka në dorë me 8 dhjetor? Një grusht hajdutësh të korruptuar, Edi Rama me 40 hajdutë, apo rinia e Elbasanit, rinia e Tiranës, rinia e gjithë Shqipërisë.
Ju e keni në dorë.  Ne e kemi në dorë. Ndaj ju ftoj ta ktheni energjinë pozitive të kësaj gare, të kësaj gare në gjirin e familjes tonë e cila po zhvillohet dhe do të zhvillohet deri në fund brenda rregullave të etikës së re që ju po impononi të gjithë Partisë Demokratike dhe gjithë skenës politike në vend.
Ta marrim këtë energji me vete nga kjo sallë, nga ky qytet, nga gjithë kjo trevë e ta sjellim me 8 dhjetor në Tiranë para Byrosë së hajdutëve e të korruptuarve dhe e tu themi që këtej e tutje e kemi ne në dorë. E ne themi jo, jo korrupsionit, jo krimit në sistem. Jemi gati të hapim një rrugë të re për Shqipërinë njësoj si 25 vite më parë kemi energjinë, kemi vizionin, kemi vendosmërinë dhe nuk ka asgjë të na ndalë. Pa kthim janë betejat tona. 6 vite më parë atëherë si deputet i juaji ju premtova se pa kthim do të ishte beteja me masivin e Kërrabës dhe masivi është dorëzuar dhe ne jemi më afër se kurrë Tiranë-Elbasan, Korçë e Durrës. Pa kthim do të jetë edhe masivi i korrupsionit dhe krimit, ndaj ju ftoj të bashkoheni me mua, bashkohuni me PD të rrëzojmë bandën e Edi Ramës me 40 hajdutë dhe të hapim rrugën e Shqipërisë europiane.
Rroftë rinia e Elbasanit!
Zoti e bekoftë Forumin Rinor të Partisë Demokratike dhe rininë shqiptare!
Fitore!


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Nëntor 2015

Read More
30 Nën
0

Edi Rama, 120 milionë euro mikes së tij, që të bëjë taksinë për kampionet e gjakut

Koncesioni 120 milionë euro për Vilma Nushin, është korrupsioni më skandaloz që ka ndodhur deri tani me Edi Ramën, edhe pse vjedhjet dhe abuzimet janë nga më masivet e më të larmishmet në çdo drejtim e në çdo fushë.

Edi Rama i dha mikes së tij, Vilma Nushi, 120 milionë euro, që popullsia nga 40 deri në 65 vjeç të bëjë një kontroll mjekësor. Eksperiencë e tillë e padëgjuar më parë në asnjë vend të Evropës apo edhe edhe në botë.

Por çfarë po ndodh në realitet me koncesionin e Vilmës??

Edhe pse paratë për të dytin vit, mikja e Edi Ramës i ka marrë paradhënie; kontrollin e kanë bërë vetëm rreth 10 përqind e qytetarëve të parashikuar (popullsia nga 40 – 65 vjeç është rreth 1 mln banorë).

Kontrolli bëhet me infrastrukturën dhe pajisjet e qendrave shëndetësore, me stafin e qendrave shendetësore. Punën e bëjnë infermierët dhe stafi që paguhet nga shteti, nga taksat tona. Madje infermierët e qendrave shëndetësore punojnë mesatarisht 3 – 4 orë në ditë për llogari të Vilmës. Pra punë e bërë nga stafi i QSH pa asnjë bonus pasi Vilma as këtë nuk e paguan.

Vilma deri më sot duhet të hapte 18 laboratore, deri më sot vetëm 3 janë hapur, ndërsa 15 të tjerëve u është blerë vetëm emri se analizat e tyre sillen në Tiranë.

E vetmja gjë që bën mikja e kryeministrit, është se bën taksinë, në fakt merr kampionet me makinat që shpërndan duhanin, biznesin e saj primar.

Pra 120 milionë euro, Edi Rama, ia ka dhënë mikes së tij, që makinat e saj pasi të kenë shpërndarë cigaret nëpër Shqipëri, në kthim, ato të marrin kampionet e lëna disa orë në pritje, çka dëmton edhe garancinë e cilësinë e analizës që në shumë raste edhe ngatërrohen.

Një kaos skandaloz që jo vetëm nuk po i shërben qytetarëve, por po bëhet një rrezik i madh për shëndetin e tyre.

Partia Demokratike i kërkon mikes së Edi Ramës të tërhiqet nga ky abuzim e të kthejë paratë e shqiptarëve.

Partia Demokratike do ta anullojë këtë vjedhje, këtë abuzim skandaloz me paratë dhe shëndetin e shqiptarëve.

Me 8 dhjetor nis përballja pa kthim, për të ndalur këtë hajdutëri, këtë korrupsion të përbindshëm.


Deklarata për mediat e deputetes Albana Vokshi, 30 Nentor 2015

 

Read More
29 Nën
0

Të rinjtë kuksianë, më 8 Dhjetor në shesh kundër qeverisë

Të rinjtë e Kukësit, Hasit dhe Tropojës zhvilluan konventën për kreun e ri të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Qindra të rinj mbushën sallën kryesore të qytetit të Kukësit dhe ndoqen debatin mes 3 kandidatëve Belind Këlliçi, Ervin Salianji, Orjela Nebijaj.

I ngarkuari i kryesisë së Partisë Demokratike, Gent Strazimiri falenderoi të rinjtë në sallë për mbështetjen që i japin demokratëve. Ai i ftoi ata të angazhohen në strukturat e forumit rinor dhe u bëri thirrje që në datën 8 Dhjetor të jenë në shesh të bashkuar kundër maxhorancës së inkriminuar.

Nesër përballja zhvendoset në Elbasan ku mijëra të rinj do të votojnë për kreun e ardhshëm të Forumit Rinor.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29 Nentor 2015

Read More
29 Nën
0

Bijtë e korruptuar të etërve, Rama dekoron vrasësit e diktatorit Hoxha

Dekorimi nga Edi Rama i xhelatëve më të urryer të regjimit komunist, i hetuesve, prokurorëve e gjykatësve që kanë vrarë pa gjyq, kanë dënuar me vdekje, kanë internuar, torturuar e dhunuar mijëra qytetarë gjatë diktaturës, është një akt i pashembullt armiqësie, është një dënim i dytë që i bëhet familjeve të viktimave dhe gjithë shoqërisë që ka vuajtur për 45 vjet privimin e çdo të drejte dhe lirie, që ka vuajtur deri në krizën e urisë, nga pushteti i Enver Hoxhës.

Ky vendim monstruoz është marrër nga qeveria me rastin e 70 vjetorit të çlirimit, dhe është mbajtur i fshehtë për një vit, por u zbulua nga investigimi i Gazetës Shqiptare.

Dekorimi i xhelatëve është një thikë pas shpine që u bëhet shqiptarëve, një provokim i një regjimi të ri, që po dëshmon se ka rrënjë e mendësi të përbashkëta me dikaturën gjakatare komuniste.

Edi Rama me dekorimet që ka dhënë, del qartazi se nuk ndryshon aspak nga hetuesi i At Zef Pllumit, nga hetuesit, prokurorët e gardianët e zinj, që kanë ushtruar tortura çnjerëzore ndaj atyre që nuk mendonin njësoj me regjimin, apo që besonin në Zot.

Ky akt i rëndë i dekorimit të xhelatëve, është zyrtarisht glorifikimi që Edi Rama po i bën diktatorit Hoxha, një projekt që ai e nisi me festimet me portretin e tij, e që tani po e dekreton me medalje qeveritare gjithë xhelatëve që kanë vrarë e kanë prerë në emër të Enverit.

Edi Rama dhe ministrat e tij, 25 vite pas rënies së diktaturës po dëshmojnë se janë bijtë e etërve, janë vijimësia e kohës më të errët që ka kaluar kombi, e diktaturës më të egër në gjithë lindjen.

Dekorimi i vrasësve të diktaturës është medalja e turpit e një regjimi të korruptuar e kriminal, që po shtyp çdo ditë shqiptarët.

Por , të nderuar qytetarë, ashtu si 25 vite më parë, shqiptarët do të dinë ti japin përgjigjen e merituar bijve të korruptuar të etërve komunistë.

Me 8 dhjetor nis përballja pa kthim. Asnjë regjim, nuk ka fituar dot mbi popullin. Dhe ky i sotmi, regjimi i krimbur në korrupsion e krim, që glorifikon diktaturën, i ka ditët e numëruara.


Deklarata për mediat e Nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 29 Nentor 2015

 

Read More
28 Nën
0

Është koha për të lartësuar edhe njëherë virtytin duke mundur njëherë e përgjithmonë vesin dhe krimin e ngritur në sistem

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deputetë dhe qytetarë të Tiranës kanë përkujtuar sot në orën e ngritjes së flamurit 103 vjet me parë, Ismail bej Vlorën. Kurora me lule u vendosen pranë shtatores së tij . Kryetari i Partisë Demokratike uroi që kjo ditë  e madhe të bashkojë shqiptarët në një vullnet të ri për t’ju rikthyer shembujve shtetformues të Ismail bej Vlorës e themeltarëve të tjerë të shtetit të pavarur shqiptar, e për të lartësuar edhe njëherë virtytin, duke mundur njëherë e përgjithmonë vesin dhe krimin e ngritur në system.
“Jemi këtu me qytetarë të Tiranës për të përkujtuar në këtë orë të madhe të historisë, orën kur 103 vite më parë kur Ismail bej Vlora e ngriti flamurin shqiptar dhe deklaroi pavarësinë e Shqipërisë, veprën e pavdekshme të babait të pavarësisë dhe burrave të tjerë të cilët sakrifikuan gjithçka për shtetin shqiptar të lirë e të pavarur. Shembulli i Ismail bej Vlorës, shembujt e bashkëluftëtarëve të tij që shkrinë gjithçka për pavarësinë e Shqipërisë, që sakrifikuan jetët e tyre, pasuritë e tyre. Për fat të keq, sot bie në kontrast të thellë me sjelljet antishtetare dhe atyre që në kurriz të shtetit shqiptar, e të qytetarëve shqiptarë jo vetëm që nuk japin por marrin pasuritë publike të shqiptarëve. Qoftë kjo ditë një ditë e madhe qe të bashkojë shqiptarët në një vullnet të ri për t’ju rikthyer shembujve shtetformues të Ismail bej Vlorës e themeltarëve të tjerë të shtetit të pavarur shqiptar, e për të lartësuar edhe njëherë virtytin, duke mundur njëherë e përgjithmonë vesin dhe krimin e ngritur në sistem. I paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e pavdekshme e Ismail bej Vlorës”, tha Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Nentor 2015

Read More
28 Nën
0

Liria është e paplotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, padrejtësisë, arbitraritetit dhe arrogancës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish kryeministri Sali Berisha, nënkryetari i Kuvendit Edmond Spaho, deputetë, drejtues vendorë, veteranë, etj bënë sot homazhe pranë varrezave të Dëshmorëve të Kombit në nderim të të rënëve për liri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në mesazhin e tij se liria është e paplotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, pa lirinë nga tirania e padrejtësisë, e arbitraritetit dhe arrogancës ndërsa ftoi shqiptarët në një bashkim të madh për t’i dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota dhe të vërteta, të lirisë, demokracisë, përparimit, zhvillimit dhe shanseve të barabarta për të gjithë para ligjit.

“Nga altari i martirëve të kombit dua t’i uroj të gjithë shqiptarëve anembanë Shqipërisë, trojeve shqiptare dhe anembanë botës gëzuar festën e Pavarësisë, festën e Flamurit, gëzuar festën e Çlirimit!

Dua të përkujtoj së bashku me të gjithë qytetarët shqiptarë sakrificën sublime të mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që dhanë jetën e tyre për lirinë kombëtare, për lirinë e Shqipërisë, për lirinë nga okupatorët nazifashistë.

Asnjë komb tjetër nuk ka paguar më shtrenjtë për lirinë kombëtare se kombi shqiptarë ndër shekuj. Por kjo liri është e paplotë pa lirinë nga tirania e varfërisë, pa lirinë nga tirania e padrejtësisë, e arbitraritetit dhe arrogancës. Ndaj jam i bindur se ky 28 Nëntor do të shërbejë për një bashkim të ri dhe të madh të shqiptarëve për t’i dhënë lirisë kombëtare dimensionet e plota dhe të vërteta, të lirisë, demokracisë, përparimit, zhvillimit dhe shanseve të barabarta për të gjithë para ligjit” theksoi zoti Basha.

Drejtuesit më të lartë të Partisë Demokratike dhe ish kryeministri Sali Berisha kanë përkujtuar sot në ditën e lindjes së tij dhe komandantin legjendar Adem Jashari.

“Sot festojmë edhe ditëlindjen e Adem Jasharit, komandantit legjendar të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, birit të Drenicës kreshnike të cilin Zoti e lindi në një ditë historike e të shënuar, për të shënuar me sakrificën e tij, e familjes së tij, aktin sublim. Do t’ia ngrinte kokën shqiponjës dykrenare, do ta bënte të plotë Pavarësinë e Shqipërisë, përmes lirisë së Kosovës.

Nderim përjetë Adem Jasharit!  Lavdi veprës së tij të pavdekshme! Lavdi dhe mirënjohje bashkëluftëtarëve të tij !

Zoti e bekoftë Kosovën!

Zoti e bekoftë Shqipërinë”, deklaroi zoti Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike vizitoi edhe familjen e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Nentor 2015

Read More
28 Nën
0

Debati i Gjirokastrës, të rinjtë demokratë nderojnë ditën e Flamurit

Gara për kreun e Forumit Rinor të Partisë Demokratike përjetoi sot emocione të forta në përballjen e Gjirokastrës ku të rinjtë demokratë përkujtuan së bashku edhe Festën e Pavarësisë. I ngarkuari i kryesisë deputeti Florion Mima uroi të rinjtë për Festën e Flamurit duke apeluar për angazhim të tyre në politikë për të ndalur këtë qeveri me politikën e saj të varfërimit të shqiptarëve.

Mangësitë e ligjit për arsimin e lartë ishte tema e debatit mes 3 kandidatëve të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Ata debatuan për padrejtësitë e këtij ligji të qeverisë dhe dhanë idetë e tyre për zhvillimin e arsimit në Shqipëri.

Gjirokastra ishte konventa e 14-të e të rinjve demokratë. Nesër ata do të debatojnë mes të rinjve kuksianë për ta përmbyllur në datën 6 Dhjetor në Konventën e Tiranës.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Nëntor 2015

Read More
27 Nën
0

Intervistë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhënë per gazetaren e ABC NEWS , Merita Haklaj

Pyetje: Z.Basha doja të ndalesha tek 8 dhjetori, vazhdimisht, veçanërisht gjatë kësaj jave janë thirrur qytetarët e mbarë vendit të marrin pjesë në një marshim proteste, një marshim si një përballje pa kthim për të rrëzuar qeverinë, kështu jeni shprehur ju. Në fakt 8 dhjetori është një ditë simbolike, u nisët nga simbolika apo ishin  pjekur kushtet për të arritur në këtë ditë. D.m.th do të mbahej një marshim edhe nëse nuk do të kishte një 8 dhjetor?

Basha: Unë mendoj se  janë të dyja. Unë përfitoj nga rasti të bëj ftesë të gjithë qytetarëve shqiptar të bashkohen me 8 dhjetor njësoj si para 25 viteve, në një kauzë që na përbashkon pa dallime politike, për një Shqipëri të lirisë, për një Shqipëri të dinjitetit, për një demokraci që funksionon për këdo dhe jo vetëm për një grusht njerëzish dhe për një Shqipëri ku zhvillimi ekonomik nuk mbetet pasuri e oligarkëve dhe qeveritarëve të lidhur me të. Ndërkohë që populli vuan për bukën e gojës, sipërmarrjet janëq në recension, profesionistë, intelektualë, akademikë, studentë ndodhen përballë rrebesheve të arbitraritetit qeveritar. Pra, është një thirrje e opozitës, po kështu është një përgjigje e opozitës, përgjigja e Partisë Demokratike, përgjigjja e Lulzim Bashës ndaj kërkesave të mijëra e mijëra qytetarëve që kam takuar këto muaj nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, të të gjitha moshave, profesioneve, të punësuar apo të papunë, që të kanalizojmë këtë frustrim të madh, këtë depresion ekonomik dhe psikologjik që ka shkaktuar qeveria “Rama” në një energji pozitive për të ndryshuar rrugën në të cilën  ecën Shqipëria dhe padyshim ky ndryshim rruge nuk mund të vijë pa ndryshuar qeverinë.

Pyetje: Në fakt z.Basha flitet shumë për besim tek partitë politike. Teksa e drejtoni këtë thirrje ju a keni besim se populli ka arritur deri në pikën sa të ngrihet në një përballje pa kthim drejt qeverisë. Dua të kujtoj këtu 8 vitet e qeverisjes Berisha, pati plot protesta, por shkuan 8 vite, ndoshta  nuk ishin protestat që e sollën PD në pushtet?

Basha: Ky është një krahasim që më mirë se unë e bëjnë vetë qytetarët. Gjendja sot mendoj se është e pakrahasueshme me çdo zhvillim tjetër paraprake të paktën të dekadës e fundit. Gjendja ekonomike flet vetë, investimi, kreditimi dhe si rezultat punësimi janë në pikiatë. Vetëm dy muajt e fundit 73 mijë njerëz kanë humbur vendet e punës për shkak të të ashtuquajturit aksion kundër informalitetit. Dhjetëra e mijëra kanë humbur ndihmën ekonomike, dhjetëra e mijëra fermerë janë privuar nga mundësia për të rritur produktet e tyre me kosto të arsyeshme dhe pastaj për t’i shitur ato pa një presion, pa dhunë, pa arbitraritet, në një treg që për të thënë fjalën e popullit, nuk ka pare, nuk ka lekë, e s’mund të ketë kur s’ka punësim, kur s’ka shpresë. Kjo është e vërteta e madhe e Shqipërisë, por ka edhe një të vërtetë të vogël. Ka një grup njerëzish në krye të vendit që po vënë pasuri përrallore, jo në një vit por në muaj, javë për javë, miliona euro para që u mblidhen shqiptarëve me kërbaç, me represion, me burg. Dhe në vend që të kthehen në investime, në politika punësimi për shqiptarët kthehen në luks të shfrenuar për oligarkët, për Edi Ramën dhe ministrat e tij. Ne i kemi denoncuar me fakte, shqiptarët e kanë ndjekur denoncimet tona, ata i prekin ditë për ditë problematikën që i shkakton krimi dhe korrupsioni në këtë qeverisë. Prandaj jam i bindur që kjo situatë siç është e paprecedentë, pa asnjë krahasim, po kështu do të gjejë përgjigje të paprecedentë nga populli, nga njerëzit, nga individët të cilët sot më shumë se kurrë kanë nevojë të thonë fjalën e tyre, kanë nevojë që dufin që mbajnë brenda vetes së tyre ka kanalizojnë politikisht dhe opozita, Partia Demokratike ua jep këtë mundësi me 8 dhjetor.

Pyetje: A ka një strategji përtej 8 dhjetorit për të arritur në këtë pikë dhe në rast se arrin supozojmë në rrëzimin e qeverisë, a jeni gati për të hyrë në zgjedhjet e parakohshme, për të fituar?

Basha: Çështja e demokracisë është një tjetër çështje themelore përveç ekonomisë. Zgjedhjet e fundit kanë qenë zgjedhje të shkatërruara dhe të kapura nga Edi Rama dhe Ilir Meta përmes skemës së tyre të blerjes së votave dhe përdorimit krimit dhe presionit ndaj votuesve të opozitës dhe votuesve në tërësi. Prandaj çështja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është sot çështja më kryesore për Shqipërinë për sa i përket zhvillimit, për sa i përket demokracisë dhe prespektivës së saj europiane.

Pa dyshim që zgjidhje e problemit të votës së lirë, pra të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe do duhet të jetë një zgjidhje politike, nuk është një zgjidhje “alacart” dhe kjo zgjidhje politike nuk mund të vijë përmes një qeverie e cila tashmë është provuar si dhunuese e zgjedhjeve të lira.

Ndaj largimi i qeverisë i hap rrugë përgatitjeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për ti kthyer edhe një herë shqiptarëve shansin për të vendosur me votë për rrugën tjetër që duhet të ndjekim, për daljen nga kriza ekonomike, për daljen nga ky depresion ekonomik, psikologjik, politik, të gjithanshëm dhe për ti  vënë të gjitha pasuritë e vendit në dispozicion të qytetarëve dhe jo të një grushti oligarkësh që po pasurohen ditë për ditë, ndërkohë që populli largohet.

Pyetje: Ju thoni se nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërkohë keni folur si opsioni  PD-së do të ishte krijimi i një qeverie teknike, kjo është më shumë për tu përgatitur ju dhe për të fituar edhe kohë për të shkuar në këto zgjedhje, apo në këtë mënyrë përfshirja e gjithë partive politike në këtë qeveri do të ishte një garanci për të organizuar këto zgjedhje?

Basha: Modalitetet janë të ndryshme dhe natyrisht që mund të diskutohen. Ajo që nuk mund të diskutohet për mua, për PD është që kësaj qeverie i ka mbaruar ora. U ka bërë dëmin më të madh që mund tu behej qytetarëve në vetëm dy vite dhe projektbuxheti që ka sjellë në Parlament  është deshmi e qartë se bëhet gati për një dëm edhe më të madh. Si? Asnjë rritje rroge, asnjë rritje për pensionet, asnjë investim, ulje të buxhetit. E para herë që ulet buxheti, e para herë në kujtesën e njerëzve në demokraci.

Të vetmet që rriten janë shpenzimet e luksit dhe mundësitë që Rama, Beqja, Kokëdhimët, Ahmetët, Tahirët të fusin duart edhe më thellë, të vjedhin, të vjedhin edhe më shumë, të pasurohen edhe më shumë, ndërkohë që populli sa vjen e varfërohet. Kjo duhet të ndalojë dhe për këtë ne jemi të vendosur. Thirrja që u bëjmë qytetarëve për 8 dhjetor është t’i japim fund kësaj keqqeverisje dhe sëbashku të garantojmë kushtet që qytetarët të vendosin për një qeverisje tjetër, për një qeverisje të re me votën e tyre të pandikuar në mënyrë të pandershme dhe të zgjedhin mes ofertave më të mira. Padyshim këtu Partia Demokratike ka një ofertë solide për ta nxjerrë vendin nga kriza ekonomike, për ta sjellë vendimmarrjen politike afër qytetarit, për të dhënë llogari qytetarit dhe për të realizuar një dalje nga depresioni ekonomik ku e ka futur qeveria “Rama”, për të rifilluar rritjen ekonomike, punësimin dhe zhvillimin për gjithë shqiptarët.

Pyetje: Z. Basha supozojmë, e marrim të mirëqenë faktin se ajo që thoni nuk ka më hapësirë, nuk të përcjellë më asnjë sinjal shprese se diçka mund të ndryshojë në të ardhmen. Po vetë PD së brendshmi është e përgatitur? Ju keni qenë edhe një proces analize këto kohë, ndërkohë që pritet edhe procesi i finalizimit dhe ndryshimit që pritet për riorganizimin e PD. Por ndërkohë ju jeni përballur herë pas here edhe me kritika së brendshmi, i keni dëgjuar në mbledhje grupi, në mbledhje kryesie, takime të ndryshme. Çfarë ndjen pas këtyre kritikave, si i përclllni ato, ju imponojnë ato qëndrimet tuaja, apo i kaloni në heshtje, ndërkohë ndiqni strategjinë tuaj që e keni të përcaktuar?

Basha: Padyshim strategjia është e përcaktuar,  është një strategji e përcaktuar në një kolektiv vendimmarrje duke reflektuar mbi të gjitha për realitetin që ne prekim ditë për ditë, realitetin ku jetojnë shqiptarët, jo realiteti e zyrave. As zyrat e qeverisë, as zyrat e opozitës nuk tregojnë realitetin, realitetin e tregojnë qytetarët.

Padyshim që në këtë diskutim ka pikëpamje të ndryshme, ka mendime të ndryshme, ka kritika. Unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë i vëmendshëm dhe padyshim aty ku ka vend për konstruktivitet, për reflektim, jam nga ata drejtues, lider që reflektoj dhe përshtas strategjinë, mënyrën e veprimit me nevojën e kohës, me nevojën e ditës.

Por askush nuk mund të më mohojë se Partia Demokratike në këto muaj, ndonëse në këto dy vite të qeverisjes Rama, ndonëse gjendemi përballë një qeverie antiopozitare  në veprim, një qeverie, e vetmja qeveri në Ballkan që ka krijuar ligjin antiopozitar për ti mbyllur gojën opozitës, prapë se prapë ka spikatur si opozita më denoncuese, si opozita për përballëse me zullumet e kësaj qeverie, si opozita që ja ka dalë që në këto dy vite të ndërgjegjësojë shqiptarët për rrezikun e madh, për kërcënimin e madh që paraqet kjo qeveri për demokracinë, për pasuritë publike për shkak të korrupsionit galopant dhe lidhjeve me krimin. Padyshim që këto denoncime jo vetëm kanë zënë vend tek qytetarët shqiptarë, por kanë zënë vend edhe tek figura të spikatura të mazhorancës, qartësisht sot me fjalorin e opozitës, me faktet e denoncuara nga opozita, po bëjnë sintezat e tyre, ndonëse në pikëpamjen time subjektive por që çojnë padiskutim në të njëjtin përfundim, qeveria e Edi Ramës jo vetëm që nuk ka arritur të ngjallë shpresë, por është sot problemi kryesor, problemi numër një në vend për sa i përket ekonomisë, punësimit, korrupsionit, krimit, demokracisë.

Nga ana tjetër nuk kemi folur vetëm kaq, kemi shpalosur dhe do të shpalosim alternativën tonë të lidhur nga nevoja dhe në padyshim nga nevoja e njerëzve sigurisht në përputhje me mënyrën se si i shohim ne zgjidhjet, me tabanin tonë politik, liria për të  punuar, liria për të folur, liria për të tregtuar, liria për tu shprehur, liria për të bërë atë që bëjnë njerëzit e lirë pa pasur frikë se mund të dalë policia apo tatimori për të kërkuar në mënyrë të padrejtë, selektive dhe arbitrare  atë që në fakt ka nevojë qytetarët.

Pas kësaj kemi një platformë solide për daljen e dhe nxjerrjen e vendit nga kriza, e cila ndonëse me vendimet e saj duket se ka frymëzuar edhe një kryeministër kopjac, prapë se prapë mbetet platforma e PD-së një zgjidhje që ne jemi gati ta vëmë një funksion të nxjerrjesh së vendit nga kriza në momentin e parë që shqiptarët do të na besojnë në një proces votimi të lirë dhe demokratik.

Pyetje: Pse nuk ia kanë mbushur syrit Eduart Selamit këto ?

Basha:  Unë,  siç e keni ndjekur nuk kam bërë asnjëherë komentuesin. Çdo kush ka mundësi të shprehë dhe të japë kontributin e vet pozitiv dhe konstruktiv brenda partie, këtu është detyra ime, pjesa tjetër mund të jetë detyra e juaj, e gazetarëve, e çdokujt tjetër. Unë nuk mund të shpenzoj asnjë sekondë, asnjë pikë energjie time apo të Partisë Demokratike në një debat i cili nuk fokusohet tek e keqja e madhe në vend që është korrupsioni, krimi i ngritur në sistem, hajdutëria masive dhe mizorja ekonomike që ka shkaktuar qeveria e Edi Ramës.

Pyetje: Ju u investuat në shtator në aferën e CEZ, përmes akuzave të forta ndaj Ilir Metës , aq sa LSI-ja aludonte për një pakt mes jush dhe Ramës kundër Ilir Metës. Ndërkohë që ditët e fundit nuk po shpreheni edhe shumë kundër Ilir Metës. Ka ndryshuar diçka, ju dhe Rama keni patur  më frikë aleatin e vogël Ilir Meta?

Basha: Për ne të dy janë kundërshtar, secili ka pjesën e vet të zullumit në këtë keqqeverisje, ndaj secili ka pjesën e vet të përballjes me Partinë Demokratike. Nuk kemi bërë dhe nuk bëjmë kurrë kulisa apo intriga për t’i parë këta të dy veç e veç sepse bashkë janë në zullum, bashkë janë në pazare dhe bashkë duhet të jenë edhe në përballjen me përgjegjësitë e tyre. Padyshim që secili ka proporcionin e vet të zullumit dhe keqqeverisjes, secili ka proporcionin e vet të përgjegjësisë e vet të vjedhjeve së miliona euroshe që po u bën shqiptarëve dhe ka gjetur tek Partia Demokratike dhe Lulzim Basha secili prej tyre një kundërshtar të paepur që e katandisi Shqipërinë në dy vite në vendin më të depresuar ekonomikisht, politikisht dhe psikologjikisht në Ballkanin Perëndimor. Vendi i vetëm të cilin Bashkimi Europian refuzoi ti hapë edhe bisedimet për anëtarësim.

Pyetje: Ju jeni shprehur në intervista të ndryshme televizive, se kurdo të ketë zgjedhje se do ta lexoni qartë vullnetin e zgjedhësit për sa i përket aleancave. Keni folur edhe për përmirësim të sistemit, në konceptin tuaj, në mënyrë që vota e qytetarit të lexohet drejt dhe vullneti i tyre të përkthehet në opozitë apo qeverisje. Vazhdoni ti qëndroni faktit që PD dhe e djatha do të vijë në pushtet. Apo nuk përjashtoni mundësinë e bashkëpunimit edhe me eksponentë të së majtës?

Basha: Prioritet tona, prioritet e mija janë të qarta. Së pari, të mos i japim më kohë të keqes. projektbuxheti që kanë sjellë është prova më e qartë, prova më e qartë, është lopa në dhomën e ndenjes, siç i thonë, vetëm se është një lopë pa qumësht sepse qumështin ia kanë vjedhur. Do ti bie më shumë pensionistëve, arsimtarëve, të punësuarve, një kategorie të veçantë të cilët ia kanë 5-fishuar kontributin shoqëror, sipërmarrjes që i kanë vënë taksa të reja, siç është taksa mbi truallin, gjobat arbitrare, ku me një të tillë i marrin fitimin e dy viteve, tre viteve, katër viteve. Çfarë presim më? T’i japim më kohë të keqes apo jo? Kjo është pyetja që unë shtroj përpara çdo shqiptari dhe para çdo shqiptareje dhe nuk e shtroj vetëm teorikisht, e shtroj edhe në takimet e mia me ta. Dhe shoh që edhe ata e ndjejnë që nuk ka kohë më për të pritur. Prandaj 8 dhjetori nuk është më një thirrje për protestë është një pikë takimi i opozitës së vendit e PD-së, e imja, e qytetarëve shqiptar që presin një rrugëdalje nga kriza.

Pyetje: Ndërkohë keni realizuar një kauzë, dekriminalizimi po kryhet në kuptimin e miratimit të ligjit dhe pritshmërive për ndryshimet kushtetuese që mundësojnë edhe zbatimin e tij në realitet. Keni folur në mbledhjen e Grupit Parlamentar që mungojnë edhe garanci të tjera, përveç dekriminalizimit, çfarë i druheni përveç kësaj pjese?

Basha: Projektligji për dekriminalizimin i cili pritet të votohet javën e ardhshme është padyshim një arritje madhore për gjithë shoqërinë shqiptare ndonëse kauza u ngrit dhe u luftua nga opozita, PD sepse ashtu na takonte. Çfarë është ligji për dekriminalizimin? Është vetëm një hap. Vullneti për zbatimin e  këtij ligji është testi tjetër për ata që e sollën këtë problem të madh këmbëkryq në shoqërinë shqiptare, për Edi Ramën që emëroi trafikantë, tutorë prostitutash, vrasës, rrëmbyes, hajdutë me banda të organizuara në vendet e perëndimit, i përzgjodhi dhe i solli në Parlament. Duhet të kujtojmë edhe një herë se nuk ishin këta që e kapën Edi Ramën prej mënge po ishte ky që shkoi dhe i përzgjodhi si pjesë e strategjisë së tij për të siguruar një fitore me çdo kusht kundër Partisë Demokratike në vitin 2013 dhe kjo fitore erdhi me një faturë të madhe, me një Parlament  thellësisht të kriminalizuar i cili jo vetëm nuk përfaqësonte vullnetin e shqiptarëve por nuk kishte si të përfaqësonte hallet e shqiptarëve. Përfaqësonte hallet e këtyre banditëve të cilët ndërhynin në operacionet policore, fshihin krimelët në makina, rrëmbenin pasuritë publike, kërcënonin dhe vrisnin e prisnin qytetarë shqiptarë, nuk paguanin taksa dhe u përdorën për të kërcënuar opozitën në Parlament. Prandaj nga kjo pikëpamje është një betejë e madhe e fituar e opozitës, përveç një fitoreje politike që e kthen një opozitë në qeverisje, unë mendoj se është fitorja më e madhe që një opozitë ka korrur në 25 vite demokraci. Por siç e thashë është vetëm hapi i parë. Një rëndësi të veçantë dekriminalizimi ka padyshim për zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të paktën në zgjedhjet e ardhshme që qytetarët shqiptarë do të kenë për të shprehur vullnetin e tyre, ky ligj do të parandalojë, do të bëjë të pamundur përzgjedhjen e kandidatëve nga bota e errët e krimit, do të demotivojë një kategori e cila kështu siç e kishte nisur në Parlamentin e ardhshëm të ishte një shumicë.

Pyetje: Ju vjen keq, për simbolikë që nuk jeni në seancën e ardhshme për të shtypur atë butonin jeshil për dekriminalizimin ?

Basha:  Jo, aspak. Unë e kam udhëhequr këtë betejë si kryetar i Partisë Demokratike, së bashku me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe së bashku me bashkëpunëtorët e mi dhe padyshim që votimi me konsensus i këtij ligji kurorëzon përpjekjet dhe një sfidë, një betejë të vërtetë të fituar jo thjesht nga unë apo nga PD, por jam i bindur janë të fituar dhe ndjehen dhe do të ndjehen të fituar të gjithë qytetarët shqiptar pa dallim politike.

Pyetje: A ka një linjë të qartë për reformën në drejtësi. Nëse supozojmë se nga Komisioni i Venecias nuk ndryshon kjo paketë që ka bekimin e socialistëve, për hir të së vërtetës LSI ka qasje janë edhe të njësuara me ju?

Basha: Qëndrimet tona për reformën në drejtësi janë të qarta kristal, janë qëndrimet më të qarta të çdo force tjetër politike, nga çdo forcë politike në vend. Ne jemi për një luftë pa kompromis kundër korrupsionit në drejtësi. Korrupsioni në drejtësi është një problem serioz, i thellë, i dhimbshëm për qytetarët shqiptarë, maja e korrupsionit në drejtësi është korrupsioni politik, është Edi Rama që telefonon gjyqtarët për të dënuar kundër ligjit, në kundërshtim me jurisprudencën shqiptare, në kundërshtim me 13 vendime të Gjykatës së Strasburgut Arben Ristanin dhe Edi Palokën sepse denoncojnë lidhjet e tij me krimin. Pra, është një politikë që lejon që Armando Prenga të shkojë në shtëpi ndërkohë që qindra qytetarë dergjen burgjeve për 30-40-50 mijë lek të vjetra mosrakordim të faturave apo për të tjera kundravajtje. Problemi më serioz për drejtësinë sot është Edi Rama dhe koncepti i tij për shtetin. Për Edi Ramën shteti është ai, për ne shteti është ligji.

Pyetje: A keni garanci nga ndërkombëtarët, të paktën keni pasur takime të vazhdueshme, intensivisht ambasadorët janë të përfshirë në këtë proces që propozimet tuaja mund të merren parasysh?

Basha: Kemi një kuptim të madh për sa i përket motiveve tona, motivet tona janë reformë në drejtësi por jo kapje politike e saj dhe falë politikës tonë ka një vetëdijesim të të gjithë faktorëve dhe në veçanti të faktorit ndërkombëtar për rrezikun e madh që i paraqet Shqipërisë kapja e drejtësisë nga kjo mazhorancë politike apo nga mazhorancë politike.

Pyetje: E nisëm me simbolikë dhe po kthehemi tek simbolika për të përmbyllur këtë intervistë. Ju përveç 8 dhjetorit që nisni marshim e protestës keni edhe 25 vjetorin e krijimit të partisë në dhjetor. Si është konceptuar, nëse do të mund të na zbuloni diçka dhe cilat janë mesazhet kryesore që do të përcillni?

Basha: Ky 25-vjetor e gjen Partinë Demokratike në një situatë jo të pangjashme me ditët e para të themelimit të saj, me një vullnet të madh popullor për t’u shkëputur nga kjo gjendje e padurueshme ekonomike, shoqërore dhe politike, me dëshirën për të forcuar dhe rinovuar kontratën tonë të përbashkët me një demokraci pjesëmarrëse ku shqiptarët, votuesit, të mos bëjnë sikur pyeten një herë në katër vite dhe pastaj të harrosh, por të jenë pjesë reale e vendimmarrjeve të mëdha në vend dhe me dëshirën për të ecur përpara drejt stacionit tonë final që është anëtarësimi në BE me gjithë benefitet ekonomike, sociale, të punësimit, të lëvizjes së lirë që sjell kjo ëndërr e shqiptarëve që është në të njëjtën kohë një mision hyjnor i Partisë Demokratike. Një pjesë e misionit është përmbushur, anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë në zonën Shengen, kjo pjesë e misionit anëtarësimin  në Bashkimin Europian, një pjesë e vështirë dhe plot sfida është edhe frymëzimi ynë në këtë 25-vjetor.

Faleminderit !

Read More
27 Nën
0

Nga Lezha të rinjtë konfirmojnë pjesmarrje masive në protestën e 8 Dhjetorit

Gara për kreun e FRPD vijoi në Lezhë, ku tre kandidatët shpalosën strategjinë e tyre për fuqizimin e Forumit në sfidat për shpëtimin e Shqipërisë nga kriza. Në fjalën e tij i ngarkuari i kryesisë deputeti Ridvan Bode u shpreh se kjo garë ringre dhe konfirmon besimin e të gjithë të rinjve shqiptarë tek liria, demokracia dhe vlerat e shtetit të së drejtës.
Vendi po perjeton ngjarje te renda me varfëri e papunësi të lartë dhe eksod masiv. Energjia rinore duhet ti paraprijë ndryshimit të kësaj klike sundimtarësh, tha z.Bode
Tre kandidatët shpallen më tej qëndrimet dhe për temën e ditës “Ligji i arsimit të lartë dhe pasojat tek të rinjtë shqiptarë”.
Kandidatët dhe të rinjtë lezhjane shprehën vullnetin e tyre për pjesëmarrje të jashtzakonshme në protestën e 8 Dhjetorit si celja e siparit të revoltave mbarëkombëtare kundër qeverisjes dhe mazhorancës së krizës dhe krimit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 27 Nentor 2015

Read More
27 Nën
0

Lista e qeverisë, mungojnë gjyqtarët që “çudirat” i bëjnë “me leje dhe miratim nga lart”

Qeveria, nëpërmjet Ministrit të Brendshem, ka përpiluar  dhe bërë publike një listë gjyqtarësh e prokuroresh që paskan bërë “çudira” në proceset penale duke liruar të pandehur në mënyrë të padrejtë.

Këtë listë ia ka bërë me dije Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtesise, duke tërhequr verejtjen për mosmarrje masash.

Edhe sikur në këtë vend, Qeveria apo Ministri i Brendshem të ishte autoriteti shtetëror që mbikqyr gjykatat dhe prokurorinë në dhenien e drejtësisë, edhe sikur kjo të mos përbente një skandal kushtetues, ligjor e moral, lista e çështjeve dhe individeve që shqetësojnë qeverinë nuk është aspak ajo që tmerron opinionin publik dhe qytetarët e këtij vendi.

Në listën në fjalë, nuk permenden prokuroret, gjyqtarët dhe oficerët e policisë gjyqësore që çmontuan procesin ndaj deputetit të radhes në listën e “rilindjes”, Arben Frroku;

As gjyqtarët e “lartë”, prokurorët e oficerët e policisë gjyqësore që “bënë mrekullinë” dhe liruan deputetin tjeter “rilindas” Armando Prenga, ndërkohe që mbajnë në burg viktimat e tij me plumbat ende ne trup.

Nuk permenden as prokurorët dhe gjyqtarët që ende nuk kanë marrë në përgjegjesi penale individin AA003GB, i cili ka pranuar botërisht të ketë mashtruar për qëllime përfitimi me dashje e qëllim, e që është titullari dhe përdoruesi i mjetit të përfshirë në trafik droge.

Nuk permenden as gjyqtaret dhe as prokurorët që heshtin për të njejtin individ, i cili rezulton i vetmi përgjegjës për fshehjen në sirtar të mandat arrestit të Interpolit për deputetitn tjeter “rilindas” Mark Frroku, e meqe jemi ketu, edhe për mosndalimin e trafikantit të drogës që ndodhej në makinen  e tij këtu e 2 vjet më parë.

Nuk permenden as prokurorët e gjyqtarët që nuk procedojne penalisht dhe lënë të lirë nëpër rrugët e Tiranes, ministrin që ka për detyrë të mos “lejojë kriminelë të mirënjohur të bredhin lirshem e të paprekshem në Tirane”, siç po e thonë qartazi përfaqësuesit më të rendesishëm të partnereve euro-atlantike.

Për këto arsye, lista e publikuar sot është një listë inkuizitore, jo me gjyqtare e prokurore të korruptuar, por me gjyqtare e prokurore që nuk i pëlqejnë qeverise, sepse me sa duket kane bërë “çudira pa leje”!

Disa të tjerë, me të dhëna të njëjta, madje shume, shumë më të renda, nuk permenden, sepse “çudirat” i bëjnë “me leje dhe miratim”.

Këta të fundit, me sa duket, në projektin e qeverisë janë programuar të drejtojne, drejtësine “e reformuar” me votat e krimineleve që Qeveria ka sjelle ne Kuvend, dhe, për këtë arsye “madhore” i mbron me “çudirat” që prodhon pjesa më e felliqur e sistemit të drejtësisë.

Ajo e korruptuara edhe politikisht.

Ajo që i bën qokat Qeverise, duke dënuar deputetet e opozites që denoncojnë kriminalizimin e çdo qelize të shtetit prej qeverise dhe ministrave të kapur në flagrance me krimin.

Të nderuar qytetare!

Mbajini shenim keto bëma, gjëma dhe emrat përkatës për ditën e shpagimit që po afron! Ditën e ngadhnjimit të shtetit mbi krimin.


Deklarata për mediat e deputetit te Partise Demokratike, Gent Strazimiri, 27 nentor 2015

 

Read More