Sot u bëmë dëshmitarë të një shfaqje tjetër me regji qendrore nga ato që Edi Rama ia ka marrë dorën dhe i ka bërë risinë e vetme dhe ritualin më të mërzitshëm të qeverisjes së tij. Një shfaqje, e cila si gjithmonë vjen pasi plasin skandalet, pasi akuzat me fakte dhe argumente të pakundërshtueshme drejtohen ndaj tij dhe ministrave të tij. Nuk jep përgjigje. Nuk lejon transparencën. Ndalon hetimin. Por sa herë që i plasin skandale kemi të garantuar estradën me regjisor personal Edi Ramën. Këtë bëri dhe sot. Rrahu gjoksin para shqiptarëve por nuk u tha asnjë fjalë se pse u grabitën 600 milionë euro, një vit e gjysëm fatura energjie dhe 1 vit pensione të të gjithë shqiptarëve. Pse ndaloi hetimin për vjedhjen e shekullit. Pse nuk pranon sot hetimin ndërkombëtar si instrumentin që ka propozuar opozita për të zbardhur skandalin më të madh të korrupsionit dhe mashtrimit në Europë, sipas vetë avokatëve të qeverisë. Sado kopacë e zarë të blejë dhe të pajtojë ne jemi këtu për ti bërë këto pyetje në emër të qytetarëve shqiptarë.
Pse i fale 600 milionë euro CEZ-it?
Pse ndale arbitrazhin?
Pse ndale hetimin për këtë aferë?
Ku janë paratë e shqiptarëve?
Sot, siç e ka bërë zakon, rrahu gjoksin dhe ngriti gishtin e akuzës. Rrahu gjoksin duke thënë se ky ishte një pazar i mirë. Sigurisht që ishte një pazar i mirë dhe madje i ëmbël për të dhe Ilir Metën dhe për ministrat, për thërrimet që kanë marrë. Por në fakt është pakt kriminal, një gur fundosës për financat e vendit, është një peshë e papërballueshme që i shtohet halleve që po u bëhen kapicë shqiptarëve dhe familjeve të tyre anembanë vendit. Por vetëm hallet e shqiptarëve nuk deportojnë dot në atë sallë, të izoluar dhe me regji qendrore. Aty ku ndodhen ata që pasi falën dhe ndanë 600 milionë euro, u vërsulën mbi shqiptarët me kërbaç dhe haraç. Por çfarë bënë me paratë që mblodhën me dhunë dhe padrejtësi, që i morën jetën Qamil Zelës, Llazi Nasit, Gjovalin Lazrit, Arif Dodës, kryefamiljarë që nuk përballuan dot aribraritetin banditesk të OSHEE-së.
Çfarë i bënë këto para?!
5 miliardë ia japin Carapulit, ndërtuesit të sarajeve të Edi Ramës. Me një tender të bërë enkas për të, me çmim të fryrë dhe ofertuesit më të shtrenjtë dhe ka dy javë që nuk thotë asnjë fjalë por edhe e mbron edhe pse opozita e denoncoi se tenderi ishte me fitues të paracaktuar. Dhe këtë bëri edhe sot.
850 milionë lekë i janë dhënë Safet Gjicit, kandidatit të Edi Ramës për bashkinë e Kamzës.
340 milionë lekë i janë dhënë Pjerin Ndreut, deputetit të Edi Ramës.
Miliona ka marrë edhe kompania e Ilir Beqës.
970 milionë lekë ka marrë kompania e Sadri Abazit.
Para të gjakut të shqiptarëve të dhëna pa tender, pa garë.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut, është vetëm një pjesë e aferave në OSHEE me paratë e gjakut të shqiptarëve. Ne po bëjmë një hulumtim të plotë për të zbardhur gjithë skemën mafioze, maskarallëqet dhe ndarjen e milionave me porosi dhe urdhër të Edi Ramës për miqtë e klientët e tij.
Ju garantoj sot, median, qytetarët shqiptarë, nga kjo foltore me përgjegjësi të plotë, se Partia Demokratike do të vazhdojë denoncimet dhe do t’i mbajë përgjegjës deri në fund këta zullumqarë.
Do ta paguajnë, njësoj siç po i paguajnë sot shqiptarët vjedhjet dhe grabitjet e pushtetarëve.
Hetimi i skemës më të madhe të korrupsionit, i aferës së CEZ është gur themeli për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e tij.
Çdo ditë që kalon pa hedhur dritë e pa bërë transparencë, pa nxjerrë përgjegjësitë dhe pa i vënë para drejtësisë për 600 milionë euro që u janë marrë shqiptarëve, është një kthim pas.
Nuk mundet që Edi Rama të vazhdojë të qeverisë vendin, kur e ka plaçkitur atë me 600 milionë euro.
Nuk mundet Edi Rama të dalë para shqiptarëve, kur u ka marrë nga shtëpia e tyre, nga tavolina e bukës së tyre, nga ekonomia e tyre, nga e ardhmja e fëmijëve të tyre, 600 milionë euro.
Zvarritja e qëllimshme është thellim i kësaj vjedhje.
Provat dhe faktet janë bërë publike, të konfirmuara nga media ndërkombëtare, nga avokatët ndërkombëtarë të qeverisë dhe së fundmi nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Qytetarët kërkojnë transparencë, shqiptarë meritojnë drejtësi, opozita ka ofruar instrumentin duke depozituar në parlament projektligjin për hetim ndërkombëtar.
Por transparenca dhe drejtësia po zvarritet nga Edi Rama dhe Ilir Meta.
Janë këta të dy që e ndaluan me ligj hetimin e aferës CEZ. Janë këta të dy që ndaluan ndjekjen e mëtejshme penale të fajtorëve të dërguar për ndjekje penale. Janë po këta të dy që e zvarrisin hetimin ndërkombëtar sepse qendrojnë kokë e këmbë pas kësaj afere. Nxjerrin pretekste, zvarrisin dhe rrëzojnë kërkesat e opozitës, kërkojnë të fitojnë kohë. Sa më shumë ndodh kjo aq më shumë vetëdenoncohen dhe zhvishen lakuriq para shqiptarëve si autorë të aferës korruptive me 600 milionë euro.
Kanë futur duart në paratë e shqiptarëve, kanë marrë shumën e barabartë me pensionet e një viti, dhe për këtë megaskandal nuk duan as hetim, as përgjegjësi, as ballafaqim me ligjin.
Sulmojnë opozitën, sulmojnë institucionet e pavarura, sulmojnë median që hetoi mbi skandalin, dhe këdo që kërkon drejtësi dhe transparencë.
Sipas tyre cështja nuk ekziston, 600 milionë euro janë një fjalë goje.
U bë çfarë u bë, ky është qendrimi që kanë teksa fërkojnë barqet e tyre të nginjura me paratë e vjedhura nga shqiptarët në kufinjtë e mjerimit, pamundësisë dhe të mbijetësës.
Edhe kryetari i Kuvendit që u mburr para kamerave, që kur thotë po është po, sot po thotë vazhdimisht jo.
Sigurisht është i kapur, sepse ka pjesën e vet në këtë aferë.
Mbajnë njëri-tjetrin në këtë mëkat ku kanë vendosur martesën e re dhe përkushtimi i tyre është të mbajnë sa më larg hetimin dhe drejtësinë.
Vjedhja është e madhe, është mina e ekonomisë shqiptare.
Kjo aferë i kushton çdo shqiptari për frymë minimalisht 200 euro. E genjen mendja këta se shqiptarët do paguajnë 200 euro për frymë fatura të konfirmuara, për xhepat e tyre dhe luksin e tyre.
Kjo ska për të ndodhur. Paratë do të kthehen, përgjegjësit do të vihen para drejtësisë. Dhe pa ndodhur kjo, as në parlament dhe as në Shqipëri nuk do të ketë as qetësi dhe as stabilitet.
Deklarata për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 20 Tetor 2015
Read More