Blog

06 Tet
0

Inkriminimi Tahiri duhet të marrë fund, çdo orë në detyrë është provokim për shqiptarët

Prej 35 ditësh, Saimir Tahiri është nën akuzën e përfshirjes në trafikun e drogës, nën akuzën e bashkëpunimit e krijimit të lehtësive për bandën e narkotikëve në Vlorë.

Kemi një ministër të brendshëm që jo vetëm ka humbur legjitimitetin, por që po bëhet barrë e papërballueshme për vendin, pasi skandali i tij është ndërkombëtarizuar.

Sikur të mos mjaftojnë provat e dëshmitë e oficerit Zagani, për lidhjet e Tahirit me grupet e narkotrafikut që ai vëzhgonte kur ishte në detyrë, çdo ditë dalin lidhje të tjera, fakte të reja të kapjes, inkriminimit të policisë, nën drejtimin e Tahirit.
Shefi i kufirit të Dhërmiut, ai që e ka për detyrë të ruajë territorin ku magazinohet e transportohet droga për në Itali, shfaqet në lidhje shumë të ngushtë me Habilajt, me kushërinjtë e ministrit.
Pra Tahiri jo vetëm u ka dhënë makinën e tij, u ka dhënë garanci e mbrojtje, por ka vënë pikat kyce të policisë në shërbim të plotë të bandës.
Teksa punonjësit e ndershëm të policisë së shtetit luftojnë me krimin, sakrifikojnë dhe jetën, ministri i tyre bën pazare me krimin, u krijon lehtësi bandave, është pjesë e tyre.
Ky inkriminim zmadhohet çdo ditë, sa më shumë qendron në detyrë Saimir Tahiri.
Qëndrimi në detyrë i Tahirit, një orë më shumë, është një provokim i padurueshëm që i bëhet qytetarëve të vendit, është nxitje e krimit e trafikut të drogës.
Kjo duhet të marrë fund.
Saimir Tahiri duhet të largohet nga detyra, e të hetohet për përfshirjen e tij në trafikun e drogës.


Deklarata për mediat e deputetit Luciano Boçi, 6 Tetor 2015

Read More
06 Tet
0

Opozita kërkon ekspertë ndërkombëtarë për ligjin e barnave, në mbrojtje të sigurisë së jetës

Deputetët demokratë kanë vijuar betejën për të rrëzuar draftin ligjor  klientelist për barnat që rrezikon sigurinë e jetës së shqiptarëve. Në diskutimin nen për nen, në komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësine, Kryetarja Albana Vokshi kërkoi të ngrihet komision me ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të zyrtarizuar nga OBSH për të përmirësuar ligjin në drejtim të sigurisë së medikamenteve.

“Pas ndryshimeve të sjella nga qeveria qëndrojnë vetëm interesa të lobeve dhe klienteve të Edi Ramës dhe Ilir Beqës. Miratimi i këtij ligji, do ti hapë rrugën barnave të pasigurta dhe mund të sjellë largimin e kompanive të tjera prestigjoze në farmaceutikë, në kushtet e një konkurrence të pandershme kur hyjnë barna të falsifikuara” u shpreh deputetja Vokshi.

Deputetët demokratë theksuan dhe një herë se arsyetimi i Qeverisë që  ligji aktual bie ndesh me marrëveshjen e CEFTA-s është mashtrim i pastër.

Neni 17 shprehet qartë ‎se CEFTA nuk tejkalon ligjet e një vendi kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit publik.

Në kushtet ku në Shqipëri Agjencia Kombetare e Barnave dhe Pajisjeve Mjeksore, nuk ka as teknologjinë dhe as kapacitetet njerezore për të bërë kontrollin dhe analizën e cilësisë, sigurisë së barnave, ligji ekzistues është një filtër i domosdoshëm për barnat që importohen nga Ballkani. ‎Një muaj më parë gati 700 barna të falsifikuara kanë qarkulluar në Europë, pavarësisht certifikimit, ku një pjesë e tyre mendohet se janë edhe në Shqipëri. Deputetët demokratë risollën në vemendje të publikut se ligji i ri i barnave dhe i shërbimit farmaceutik u hartua në menyrë klienteliste, pa asnjë mendim dhe propozim të profesionisteve.

Deputetët demokratë depozituan propozimet e tyre për përmirësimin e ligjit në interes të shëndetit e sigurisë së qytetarëve, të cilat u rrëzuan nga mazhoranca.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Tetor 2015

Read More
06 Tet
0

Rama i jep tenderin ndërtuesit të sarajeve të tij, 4 miliardë e 540 milionë lekë për Carapulin

Edi Rama ia dha dje 4 miliardë e 540 milionë lekët mikut të tij për ndërtimin e godinës së OSHEE, edhe pse kjo aferë u denoncua publikisht nga Partia Demokratike, me date 11 shtator, edhe pse opinioni publik u informua për këtë tender ku fituesi ishte i paracaktuar.

Fituesi u shpall dje, dhe ai është ndërtuesi i sarajeve të Edi Ramës, miku i tij i vjetër në biznes, Carapuli, ashtu siç kishim paralajmëruar ne me denoncimin publik që bëmë.

Ky është një korrupsion i pastër me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës. Masha e tij e bindur në OSHEE vetëm sa ka zbatuar porosinë në këtë rast.

Miku, partneri, ortaku i Edi Ramës mori tenderin prej 4 miliardë e 540 milionë lekësh, edhe pse kishte paraqitur ofertën më të lartë.

U skualifikua subjekti tjetër që u fut në garë duke ofruar 740 milionë lekë më pak, pra që do ti kursente qytetarëve shqiptarë 740 milionë lekë.

Vetëm një urdhër i Edi Ramës do të sillte këtë rezultat, që fitues të shpallet dikush që e ka ofertën 500 mijë euro më të madhe.

Askush nuk do të kishte guxim kaq të marrë për të dhënë një tender të tillë, pa urdhrin e Edi Ramës, urdhrin e atij që vendos në fakt për çdo tender në vend.

Shqipëria nuk është në ditën kur respektohet procedura, ligji, kur kursehen paratë në tendera.

Miku dhe interesi i Edi Ramës prevalon mbi të gjitha.

Pazaret dhe aferat e Edi Ramës janë urdhri.

Ky korrupsion, kjo babëzi, kjo zhvatje bëhet pikërisht me paratë që OSHEE, kjo bande kriminale, ua ka marrë shqiptarëve me kërbaç, duke i shtypur e poshtëruar, duke i dërguar në burg, e shpesh duke u marrë dhe jetën.

Kanë përfunduar në burg e kanë vrarë vetën për 30 mijë lekë të vjetra qytetarët tanë, ndërkohë që kryeministri ndan miliardat me mikun e tij në shkelje të ligjit e procedurës.

Po dhunohen çdo ditë mijëra qytetarë që jetojnë me një dyqan të vogël, ndërkohë që Edi Rama sdo tia dijë për asnjë rregull apo ligj, jep 4 miliardë e 540 milionë lekë për ndërtuesin e sarajeve të tij të luksit.

Shihni me sa lehtësi këto para të gjakut të qytetarëve ndahen si tortë mes miqve e ortakëve.

Këtu kemi arritur.

Nuk ka më kohë të dashur qytetarë.

Vetëm drejtësia që vjen nga bashkimi ynë për të ndalur këtë oligarki të korruptuar e kriminale, është rruga e daljes.


Deklarata përmediat e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 6 Tetor 2015

 

Read More
05 Tet
0

Qeveria rrit shtypjen dhe heq garancitë për qytetarët me ndryshimet në Kodin e Punës

Partia Demokratike ngriti sot shqetësimin për ndryshimet që po bën qeveria në Kodin e Punës dhe dënoi hipokrizinë e saj në këtë drejtim, kur mijëra gra e burra janë shkarkuar pa motiv, dhe kur qytetarët dhunohen nga punëdhënësit, siç ishte rasti i punonjëses së Bashkisë që u godit edhe fizikisht nga Veliaj pas shkarkimit nga puna.

“Eshtë hipokrizi të diskutosh për Kodin e Punës dhe të harrosh se vetëm një javë më parë në zyrat e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ish-Ministrit të Mirëqënies Sociale, i cili ka firmosur për këtë kod pune, të dhunohet punonjësja e shkarkuar me vendim të njëanshëm, pa respektuar kontratën e punës”, u shprehën përfaqësuesit e PD në komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.

Deputetët e PD-së theksuan se Neni 90, i propozuar nga qeveria sanksionon me ligj shfrytëzimin e punonjësve. Në këtë nen propozohet që “Punëdhënësi mund të urdhërojë, në mënyrë të njëanshme, kryerjen e orëve shtesë të punës, por jo më shumë se 200 orë në vit”, duke sanksionuar kështu me ligj shkeljen e të drejtave të punonjësve.

Neni 43 i propozuar nga qeveria përjashton gratë nga tregu i punës gjatë lejes së paslindjes edhe në rastet kur ajo dëshiron të punojë. Edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e kanë konsideruar këtë një përjashtim nga tregu i punës sidomos duke marrë në konsideratë kushtet e një papunësie të lartë në Shqipëri sidomos ndër gratë.

“Për të mbuluar pazaret me vendet  e punës, qeveritarët kanë hequr në Kodin e Punës zbatimin e vendimit të të formës së prerë të gjykatave për kthimin në vendin e mëparshëm të punës”, u shprehën përfaqësuesit e Partisë Demokratike në komision.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 5 Tetor 2015

 

Read More
05 Tet
0

Shqipëria pa ambasador në OSBE nën presidencën serbe, qeveria ka braktisur interesat e shqiptarëve

“Marrdheniet e Shqipërise me OSBE-në janë në piken e tyre më të ulet duke dëmtuar rëndë interesin tonë kombëtar dhe imazhin e vendit në një nga organizmat më të rendesishëm ndërkombëtar. Sot, Shqipëria duhet të ishte duke drejtuar një nga tre komitetet e rendesishme te OSBE-së, ofertë e partnereve tanë ndërkombetarë dhe Sekretarit të Pergjithshem të OSBE-së, në një kohë që Serbia do të merrte Presidencen e radhës të OSBE. Kjo ofertë vullnet mire e partnereve për të balancuar Presidencen Serbe, u refuzua pa asnjë argument nga Ministri Bushati duke demtuar imazhin dhe interesin tonë kombëtar. Sot Shqipëria nuk ka ambasador në OSBE, ndërkohe që Serbia ka Presidencen e radhes së OSBE-së, çfarë do të thotë se interesat e Shqiperise por dhe të shqiptareve në rajon të jenë tërësisht të papërfaqësuara.

Terheqja e Ambasadorit tone ne OSBE eshte nje akt i papergjegjshem i Ministrise së Jashtme dhe Qeverisë. Ky qendrim i Ministrit Bushati për terheqjen e ambasadorit nga OSBE-ja vjen  mbas kritikave të forta të ketij insitucioni dhe partnereve më të rendesishem ndaj Qeverisë. Raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale, ishte raporti me kritik për zgjedhjet që OSBE ka hartuar që nga vitit 2003. Në raport flitet për blerje të votës, presion masiv ndaj votuesve, deri në “shqetesime serioze për mundesine e qytetareve qe të votonin te lirë nga frika dhe kërcenimet”. Qendrimi i Ambasadorit Amerikan në Keshillin  e Perhershëm të OSBE-s, si pergjigje e raportit te prezantuar nga ambasador Raunig, se “Eliminimi i korrupsionit dhe shmangja e influencave kriminale në qeverisje është vendimtare për përparimin e Shqiperise” është një nga deklaratat më të renda të bëra ndonjëherë. Menjeherë mbas këtyre qendrimeve, Ministria e Jashtme i dergon një letër institucioneve të tjera ku i kërkohet që të rishikoheshin projektet me OSBE-në pra një “tkurrje” të rolit të OSBE. Ky qendrim, pasohet me tërheqjen e ambasadorit tonë nga OSBE.

E treta, me kete precedent, Ministri i jashtem Bushati ka shkelur Kushtetuten e vendit e cila ia njeh Presidentit të Republikës të drejtën për të dekretuar fillimin dhe mbarimin e mandatit të një ambasadori. Mbarimi i mandatit të ambasadorit, kthimi i tij në atdhe, edhe pse Presidenti nuk është shprehur me dekret, duke i thënë se do të pritet rroga dhe çdo mbeshtetje tjetër financiare, është një precedent i rrezikshem me pasoja të renda për përfaqesimin e Shqiperisë në botë”.


Deklarata për mediat e deputetit Aldo Bumçi në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, 5 Tetor 2015

 

Read More
05 Tet
0

Veliaj shton inkriminimin, i dënuari për plagosjen e një gruaje bëhet shef i taksave

Edhe pse nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim, asnjë reagim për inkriminimin që i bëri Bashkisë duke emëruar drejtor në Ujësjellës ish-nënkryetarin e komunës Levan autor i plagosjes në mes të ditës së dy qytetarëve me armë pa leje, Erion Veliaj vazhdon ta pasurojë organikën me persona me precedentë penalë.

Veliaj ka caktuar së fundmi përgjegjës në terren për tatimet një person të dënuar për plagosje me dashje.

Pikërisht, ka vënë në një detyrë delikate që ka të bëjë me raportin e drejtpërdrejtë me qyterarët dhe me biznesin, Artan Ligorin, i cili në maj të vitit 2007 ka plagosur një grua.

Kemi këtu vendimin e gjykatës që e ka dënuar Ligorin në tetor të vitit 2007.

Eshtë dënuar për plagosjen me dashje të një gruaje, ndërkohë Erion Veliaj e bën shef të inspektimit tatimor në terren.

Këto janë standardet e Erion Veliajt, i cili po ndjek me vërbëri modelin e shefit të tij Edi Rama në inkriminimin e administratës dhe posteve kyce.

Kjo është një tradhëti që u bëhet qytetarëve të Tiranës, të cilët nuk kanë votuar që Erion  Veliaj ta mbushë bashkinë me autorë plagosjesh.

Degradimi në një kohë kaq të shkurtër i Erion Veliajt nuk është aspak surprizë, pasi ai ishte që në fillim një kandidat kallp dhe i gënjeshtërt. E vërteta është se ai është thjesht një zgjatim i qeverisjes qendrore dhe bashkëjetesës me krimin.


Deklarata për mediat e kryetarit të listës së këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Leonard Olli, 5 Tetor 2015

 

Read More
05 Tet
0

Qeveria po heq sigurinë e barnave për interesat e klientelës

Projektligji i ardhur nga Qeveria për ndryshimin në ligjin për “Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik” cënon rëndë sigurinë medikamentoze te ne.

Ky ndryshim kërkon heqjen nga ai ligj, në nenin për importin e medikameteve te prodhuara ne vendet e Ballkanit, të detyrimit “që ato të qarkullojne në një nga vendet e BE”.

Ky “liberalizim” godet frymen e ligjit, eliminon kriteret e cilësisë se medikamenteve të qarkulluara te ne mbi të cilat bazohet ai.

Argumentimi i Ministrise se Ekonomise me mareveshjen e CEFTA është i gabuar, se ajo ka të bëjë me tregtine e lirë, që nuk preket.

Standartet e koeficienti i sigurisë janë diçka tjetër, për të cilën pergjigjet së pari Ministria e Shendetesise para popullsise.

Ky ndryshim në ligj, nëse realizohet duhet paraprirë detyrimisht me të tjerë elementë që sigurojne cilësinë e atyre medikamenteve edhe te ne, njëlloj si në vendet e BE.

Në këto kushte, ne kërkojme që më parë të ngrihet një komision i posaçëm i përbërë nga specialiste vendas dhe të huaj të zyrtarizuar nga EMA ose OBSH për të përmiresuar ligjin tonë në drejtim të sigurise së medikamenteve:

– Të prodhuara ne vend.

– Të importuara nga prodhimet e atyre vendeve të Ballkanit.

– Generiket në tërësi.

– Për të forcuar kapacitetet tona kontrolluese laboratorike etj.

Kjo, me qellim që e njejta garanci të vlejë si për medikamentet e prodhuara në Shqiperi, për nga vendet e Ballkanit, apo generiket.

Për  prodhimin vendas duhen percaktuar mekanizmat e plota të sigurise, si fillim kriteret GMP të OBSS.

Medikamentet e prodhuara në vend, ato të importuara prej jashte vendeve të referimit dhe generiket duhet të analizohen para licensimit dhe periodikisht, për të percaktuar edhe bioaktivitetet e tyre, në laboratore të certifikuara të BE.

Pra, në kushtet aktuale kur tregu farmaceutik në vendin tonë është në një konfuzion, kur te ne mungojnë kapacitetet e plota kontrolluese të medikamenteve, nuk duhet realizuar një  ndryshim ligjor i tille, pa u implementuar me parë mekanizmat e kontrollit.

Siguria medikamentoze nuk mund të preket as për premtime politike ndaj vendeve të tjera, as per ulje artificiale të kostos dhe as për interesa grupimesh të ndryshme.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, 5 tetor 2015

 

Read More
04 Tet
0

Shefi i kufirit të Dhërmiut ku kalon droga për Itali në shërbim të habilajve të Tahirit

Kushërinjtë e Saimir Tahirit, Habilajt që hetoheshin për trafik droge, dhe që policia i njeh mirë për aktivitetin e tyre në Vlorë e më gjerë, po vazhdojnë të forcojnë lidhjet me pikat kyçe të kalimit të narkotikëve.

Kemi këtu, Moisi Habilajn, kushëriri i preferuar i Tahirit, në një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me kreun e policisë kufitare në Dhërmi.

Pikërisht në Dhërmi, aty ku sipas dëshmisë së oficerit të lartë të antidrogës Zagani, banda e drogës magazinon mallin dhe e bën gati për ta nisur në Itali.

Por siç dëshmojnë këto foto, kreu i policisë kufitare në Dhërmi, Sokol Bode, nuk ka prioritet hetimin e trafikut të drogës sepse në fakt është vënë në shërbim të tyre.

Ja tek festojnë sëbashku kreu i kufirit të Dhërmiut me Habilajt, arritjet në biznesin kriminal. Dolli pa fund për drogën dhe për shefin e madh në Tiranë.

Oficeri Bode e ka marrë mesazhin.

Ai nuk mund të hetojë kushëririn trafikant të ministrit të brendshëm.

Nuk mund të prekë Habilajt që ndajnë makinën me Saimir Tahirin.

Eshtë provuar publikisht tanimë, dhe e ka pohuar vetë me gojë Tahiri, se makina e tij që shërben si mbrojtje, si garanci e imunitet, është në dispozicion të habilajve kur ata kanë punë me drogën, e më pas në dispozicion të Saimirit kur ai shkon me pushime.

Kjo aferë kriminale, ky skandal i padëgjuar më parë, tashmë është ndërkombëtarizuar. Mediat italiane kanë pasqyruar akuzat tronditëse që rëndojnë ndaj narkoministrit të brendshem shqiptar.

Prokurorët italianë të anti-mafias janë vënë në alarm për volumin e madh të drogës që po kalon nga Shqipëria drejt vendi fqinj.

Por narko-ministri, zoti AA003GB, bën krenar Edi Ramën me gjithë këto bëma.

Prej 33 ditësh ai është ministri i brendshëm më i diskredituar në faqen e rruzullit, njeriu që favorizon bandat e drogës, nxit krimin dhe imkriminon policinë.

Çdo ditë në detyrë e narko-ministrit është një ditë më shumë në kalendarin e krimit dhe drogës.

Vetëm largimi i tij i menjëhershëm i hap rrugë drejtësisë dhe heq njollën e turpit, korrupsionit e inkriminimit, me të cilën narkoministri ka ndotur punën, përpjekjet dhe sakrificat e mijëra efektivëve të policisë së shtetit.


Deklarata për mediat e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 4 tetor 2015

 

Read More
04 Tet
0

Beqa dhe Rama kërkojnë të sanksionojnë me ligj biznesin kriminal me barnat

Ilir Beqa do të mbahet mend si ministri që i hapi portat ilaçeve të dyshimta e të skaduara duke vënë në rrezik jetën e pacientëve, por duke ndërtuar gjithashtu një biznes me fitime marramendëse për miqtë e tij e të Edi Ramës.

Një vit më parë, me bekimin e Edi Ramës, Ili Beqa futi duart në sigurinë e medikamenteve, për ti hapur rrugën klientelës qeveritare, përmes modifikimit që i bëri tenderit me urdhërin e tij.

Pas kësaj ne pamë se në spilalet tona plasën skandalet e barnave me origjinë të dyshimtë, që paguheshin shtrenjtë nga qytetarët dhe nuk ishin efektivë.

Sot, këtë çmenduri, këtë kaos, mungesë kontrolli e sigurie për medikamentet, Ilir Beqa kërkon ta sanksionojë me ligj.

Qeveria, Edi Rama dhe Ilir Beqa, po kërkojnë të heqin pikërisht atë nen të ligjit që shërben si garanci për ilaçet që hyjnë në vendin tonë.

Duke i hapur rrugët e importit për skarcitete, vetëm e vetëm që biznesi i miqve dhe klientelës Rama-Beqa të lulëzojë, pa marrë në konsideratë shëndetin e qytetarëve.

Ligji aktual nuk lejon futjen e një medikamenti që nuk ka qarkulluar të paktën dy vjet në vendet e Bashkimit Europian.

Kjo garanci për pacientët shqiptarë, është pengesë për biznesin e Ramës dhe Beqës, ndaj ata po kërkojnë ta heqin, duke vënë në rrezik shëndetin, sigurinë e barit, cilësinë e tij.

Partia Demokratike e dënon fuqimisht këtë përpjekje kriminale të Ramës dhe Beqës, dhe fton qytetarët të reagojnë të mbrojnë shëndetin e tyre. Të mos lejojnë këmbimin e shëndetit me biznesin e ilaçeve të Ramës dhe Beqës.

Deri më sot, Ilir Beqa dhe Edi Rama kanë nxjerrë nga arka e shtetit 35 miliardë lekë gjoja për shëndetësinë falas. Ku kanë shkuar këto para? Shëndetësia është në ditën më të keqe. Në spitale mungojnë gjërat më bazike. Paratë janë në xhepat e qeveritarëve dhe miqve të tyre. Dhe qytetarët paguajnë vetë çdo gjë e shumë shtrenjtë.

Prokuroria duhet të hetojë këtë sipërmarrje kriminale në kurriz të qytetarëve dhe shëndetit publik.


Deklarata për mediat e deputetit të Partisë Demokratike, Roland Keta, 4 Tetor 2015

 

Read More
03 Tet
0

Fuqizim i Partisë Demokratike, riorganizim, alternativë

Më lejoni ta nis me një ngushëllim të ndjerë për familjen e efektivit të Policisë, komandantit të FNSH-së në Shkodër, Simon Gjeta, për rënien e tij në krye të detyrës, dhe me një shprehje të mbështetjes totale ndaj efektivave të policisë së shtetit që vazhdojnë operacionin në Shkodër, dhe burrave e grave në uniformë anembanë Shqipërisë. Presim neutralizimin me çdo kusht e mjet të autorit të goditjes së forcave të policisë dhe vënien para drejtësisë dhe para ligjit me ashpërsinë me të madhe. Një ngjarje e rëndë që na kujton edhe njëherë se sa e domosdoshme është mbështetja pa ekuivoke në luftën kundër krimit ordiner apo të organizuar dhe se sa esenciale është për moralin e forcave tona të policisë pastërtia e duarve politike që drejtojnë Policinë e Shtetit. Në këtë moment, lutjet e mia janë për familjen e Simon Gjetës, për efektivët e policisë akoma në detyrë në këtë operacion dhe përkrahja ime e plotë shkon për çdo burrë dhe grua në uniformë të policisë së Shtetit.

Mbledhja e sotme e kryesisë, siç është njoftuar, kishte në rend të ditës çështje të analizës dhe riorganizimit të Partisë Demokratike pas konkluzioneve që janë nxjerrë e po nxirren në çdo degë përsa i përket rezultatit të zgjedhjeve të 21 Qershorit, ku pavarësisht dënimit të merituar të farsës zgjedhore të 21 Qershorit nga institucionet ndërkombëtare, Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të vendosur të nxjerrim mësimet tona me qëllim përmirësimin në nivel organizativ të strukturës, nga seksioni në qendër dhe përgatitjen e fuqishme për përballjen e ardhshme në zgjedhjet politike të përgjithshme parlamentare në të cilat Partia Demokratike do të shkojë si një parti e fuqizuar në numrin e anëtarëve, ndjekësve, të rinjve, të rejave, grave e burrave demokratë dhe me një program dhe ofertë bindëse për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza morale, politike dhe ekonomike ku e ka zhytur papërgjegjshmëria e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Për të ofruar zhvillim në bazë të ligjit, konkurencës së ndershme dhe të meritës për këdo.

Në këtë kuadër, unë mora një sërë vendimesh përsa i përket grupeve të punës që do të merren, nga njëra anë me organizimin dhe riorganizimin e partisë dhe nga ana tjetër me hartimin e programit tonë, ofertës tonë qeverisëse për shqiptarët në bashkëpunim të ngushtë dhe me mbështetje të madhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe nga partitë tona simotra. Po kështu, në këtë mbledhje u sanksionua edhe ngritja e Komisionit të përhershëm të Integritetit dhe Etikës, të kryesuar nga Dr.Halim Kosova, ngritja e Departamentit të Kontributeve Historike në seli dhe në çdo degë të Partisë Demokratike dhe një sërë vendimesh të tjera të karakterit organizativ për Partinë demokratike.

Pyetje: Z.Basha, në lidhje me organizimin e partisë, a bëhet fjalë për rizgjedhje në degë të Partisë Demokratike ku ka humbur PD për të zgjedhur kryetarë të rinj dege?

Basha: Grupi i punës do të sjellë rekomandime të plota pas konsultimit të gjerë me anëtarësinë në terren dhe përfitimit nga analiza, e cila ka përfunduar apo është në proces në çdo degë të Partisë Demokratike.

Pyetje: A u fol për përgjegjësi konkrete në zonat ku është humbur?

Basha: Në kryesi pati një raport nga sekretariati i cili ishte një raport shterrues përsa i përket problematikave, objektive dhe subjektive. Objektive të natyrës organizative të Partisë Demokratike dhe subjektive sigurisht; përballjen, siç e tha edhe raporti i OSBE/ODIHR-it, jo të alternativave siç i takon një vendi europian por të qytetarëve dhe opozitës me makinën shtetërore të përforcuar me krim dhe paratë e korrupsionit. Por ky është fillimi i një procesi, i cili nuk do të zgjasë pafundësisht, dhe që ka për qëllim riorganizimin e plotë të Partisë Demokratike dhe bërjen e saj gati për në përballjen elektorale e politike në krah të qytetarëve shqiptarë, në ndihmë të qindra mijë shqiptarëve që sot gjenden në ditët e tyre më të zeza të mbijetesës dhe pamundësisë, dhe në ofrimin e programit tonë për daljen e vendit nga kriza.

Pyetje: Z.Basha, Partia Socialiste ka ngarkuar disa persona në rajone të ndryshme të vendit për të drejtuar riorganizimin e saj për zgjedhjet parlamentare të 2017. A ka PD persona që do t’i mandatojë në zona të caktuara për këtë proces?

Basha: Çdo parti ndjek metodikën e vet në këto çështje. Ne kemi adoptuar dhe do të adaptojmë përqasjet dhe metodologjinë më moderne e bashkëkohore të partive tona simotra sipas normave dhe standardeve të Partisë Popullore Europiane.

Pyetje: Z.Basha, kur do të jetë platforma e shpëtimit kombëtar gati dhe a do jetë ajo pjesa e alternativës së qeverisjes?

Basha: Puna për platformën tonë qeverisëse ka nisur. Fuqizimi dhe strukturimi i kësaj pune, jo vetëm në Tiranë po kudo ku demokratët, në konsultim me qytetarët do të hartojnë alternativën, ofertën tonë të zhvillimit sipas burimeve që posedon çdo qytet, çdo fshat në vend, pra kjo punë do të vazhdojë me intesitet të madh. Siç e thashë, procesi do të mbështetet fuqimisht jo vetëm nga burimet tona më të mira njerëzore në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, por edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Afati i përfundimit të kësaj pune do të jetë në përputhje dhe në përshtatje me bërjen gati të Partisë Demokratike për përballjen e saj bashkë me qytetarët shqiptarë me këtë qeveri të dështuar të mashtrimeve dhe skandaleve. Ndërsa për çështjen e Paketës së Shpëtimit Kombëtar, ne nuk do të mjaftohemi vetëm me hartimin e alternativës të programit tone, por siç kemi bërë deri më sot, dhe jemi e vetmja opozitë në 25 vite demokraci që përveç denoncimeve ofron edhe alternativat e saj, do të ofrojmë shumë shpjet edhe një paketë shpëtimi. Nuk ka asnjë dyshim për ne që kjo paketë shpëtimi, duke pasur mbështetjen tonë dhe të qytetarëve shqiptarë, me siguri do të hasë në rezistencën e atyre që mbajnë kartonat e shumicës, por jo legjitimitetin moral të saj. Prandaj ne jemi të vendosur që bashkë me qytetarët shqiptarë të hedhim një orë e më parë hapat për daljen nga kjo situatë e rëndë ku ndodhet vendi.

Pyetje: Z.Basha, sot u takuan Rama dhe Meta. A keni ndonjë koment?

Basha: Unë kam qënë në mbledhje të kryesisë së Partisë Demokratike. Nuk kam asnjë informacion por është fare normale që bashkëfajtorët takohen të rakordohen, të puthen e përqafohen dhe nesër të përshtyhen prapë e më pas prap të puthen. Kjo është puna e tyre. Një gjë ama e kanë bërë; kanë harruar hallet e qytetarëve, dhe i kanë bërë kapicë me politikën e tyre të kërbaçit, të lakut në fyt, të korrupsionit më masiv në histori dhe të inkriminimit të politikës. Ne nuk i kemi harruar. Për ne primare është gjetja e rrugëve të daljes së Shqipërisë nga kriza dhe jo rruga e dallavereve, pazareve dhe batakçilleçeve që lidhin, bashkojnë dhe fusin në këtë valle tangoje, dyshja Rama-Meta.

Pyetje: Z.Basha, a u shtua kryesia me anëtarë të rinj?

Basha: Në bazë të vendime të kryesisë ka pasur kooptim të disa funksioneve siç është kryetari i bordit të Fondacionit për Liri dhe Demokraci. Komisioni i Integritetit dhe Etikës të kryesuar nga Halim Kosova. Dy zotërinjtë e komanduar në departamentet përkatëse të lëna vakant nga dy persona të zgjedhur kryetarë bashkish, dhe adoptimi i standardit të kooptimit në kryesi të kryetarëve të bashkive qendër qarku.

Pyetje: Z.Basha kur do nisni turin e takimeve më qytetarët apo do nisni protestat?

Basha: Fjalën e kanë qytetarët dhe për të dëgjuar fjalën e tyre nuk ka nisje dhe përfundim të turit por ka një kontakt të vazhdueshëm me ta nga të gjithë drejtuesit e Partisë Demokratike e në veçanti nga unë. Duke filluar nga java e ardhshme do të jem në terren me qytetarët për të dëgjuar fjalën e tyre dhe për të thënë edhe ne fjalën tonë.


Prononcimi për mediat i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 3

 

Read More