Lidhja Demokratike e gruas , anëtarët e Këshillit bashkiak të Tiranës dhe Forumi rinor protestuan sot para Bashkisë, kundër dhunës së ushtruar nga kryetari Erion Veliaj dhe stafi i tij ndaj punonjëses Violeta Geca. Kryefamiljarja Geca u pushua nga puna dy ditë më parë në shkelje flagrante të ligjit dhe në përpjekje për tu ankuar tek Erion Veliaj, ajo u kërcënua e më pas u dhunua fizikisht nga ai vetë dhe stafi i kabinetit. Zonja Geca tha se sot denoncon publikisht dhunën që ka pësuar jo vetëm moralisht piskologjikisht por mbi të gjitha fizikisht nga stafi dhe kryetari Veliaj.
Blog
Operacioni i Partisë për spastrime nga puna dhe krijimin e vendeve për militantët ka nisur edhe në Jug, nën drejtimin e komisarit Kokëdhima.
Pasi mori gjithë zonën e Jugut nën zotërim me dekret të posaçëm nga Edi Rama, puna e parë e Koços ka qënë kalimi në sitë i administratës, identifikimi i çdokujt që mund të ketë biografi jo të mirë.
Ja ku është shkresa që zyra e Kokëdhimës ka shpërndarë për gjithë institucionet, ku i kërkohet me urgjensë të plotësohen formularët për cdo punonjës të administratës.
Plani i partisë ka nisur të zbatohet, dhe një furtunë shkarkimesh priten në gjithë zonën që ka nën komandë Kokëdhima.
“Konsiderojeni prioritet”, thotë urdhëri i Kocos, dhe për ata që kanë deri në 20 punonjës u jep afat 1 ditë, për ata që kanë nga 20 deri në 50 punonjës u jep afat 2 ditë, për ata që kanë 50 deri në 100 punonjës u jep 3 ditë, dhe 5 ditë kohë kanë ata që kanë mbi 100 punonjës.
Ky është një akt skandaloz i shkatërrimit të administratës, i konsiderimit të institucioneve publike si pronë e partisë.
Eshtë një kthim mbrapa dhe minim i një prej prioriteteve kyçe në rrugën e integrimit europian.
Aq më tepër kur i gjithë Jugu i besohet një personi si Koço, e kritereve të tij, një deputet i spikatur në emërimet kriminale që ka bërë deri tani, një frymëzues i mbjelljes së hashashit, një shkelës i përsëritur i ligjit dhe i Kushtetutës.
Ne i kërkojmë Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për këtë shkelje të rëndë dhe të informojë opinionin publik mbi ecurinë e procesit.
Partia Demokratike do të vërë në dijeni partnerët ndërkombëtarë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadat e vendeve të Bashkimit Europian për këtë akt skandaloz të shkatërrimit të administratës.
Partia Demokratike do të përdorë çdo mjet për të mbrojtur administratën dhe nëpunësit dhe ne i ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkarkimit të padrejtë nga detyra.
Ky është fundi i një pushteti të inkriminuar, dhe shumë shpejt administrata do të çlirohet nga ky sundim, punonjësit do të kenë garancitë që meritojnë.
Deklarata për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Arben Ristani, 27 Shtator 2015
Departamenti i Mjedisit, Pyjeve dhe Turizmit pranë PD pati një dëgjesë të hapur publike në Nartë me banorët e Nartës dhe Vlorës, anëtarë të Këshillit Bashkiak të Vlorës lidhur me Vendimin e Qeverisë të datës 22 Korrik 2015 për “Miratimin e Lejes së Ndërtimit për Ndërtimin e Sheshit të Pusit të Naftës ‘Zverneci Perëndimor 1’ me vendndodhje Nartë, Bashkia Vlorë”
Asnjë banor i zonës dhe asnjë anëtar i Këshillit Bashkiak nuk ishte në dijeni të këtij vendimi. Asnjë përfaqësues i qeverisë nuk ka informuar asgjë lidhur me lejen e pusit të naftës brenda në Zonën e Mbrojtur Vjosë-Nartë. Asnjë përfaqësues i qeverisë nuk erdhi të shpjegonte nëse ky vendim ishte në përputhje me ligjet dhe konventat ndërkombetare apo jo.
Ky projekt shkakton ndikim mjedisor të drejtpërdrejte tek peshkatarët dhe banorët e Nartës dhe të Vlorës, por përmes zinxhirit ushqimor mund t’a pësojnë edhe gjithë qytetarët që mund të konsumojnë prodhime deti të ndotura nga nafta.
Në takim banorët shprehën indinjatën e tyre lidhur me këtë vendim antiligjor pa asnjë informacion. Ky vendim antiligjor dhunon;
(i) Konventën Aarhus, (ii) Konventën Ramsar, (iii) Ligjin për Biodiversitetin, (iiii) Ligjin për Zonat e Mbrojtura; (v) Strategjinë e Biodiversitetit; (vi) Planin e Menaxhimit të Zonës së Mbrojtur Vjosë-Nartë; etj.
Qeveria vendos shpim naftë brenda zonës më strikte të zonës së mbrojtur Nartë-Vjosë. Po atëherë pse mbajmë me para një agjensi për zonat e mbrojtura me 230 punonjës që shpenzon 90,000 USD në muaj dhe 6,000 USD dieta në muaj kur në zonat e mbrojtura mund të hapen edhe puse nafte?
Banorët shprehën kundërshtimin për hapje puse nafte në zonën e tyre, ndërsa këshilltarët bashkiakë të PD kërkuan urgjent mbledhje të këshillit bashkiak Vlorq pqr të kërkuar debat të hapur dhe anullimin e këtij vendimi antiligjor.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 Shtator 2015
Trafikanti me targa AA003GB është ende i lirë e i patrazuar, për të “shpjeguar” sa here del, një variant të ri të historisë së tij të dashurise me makinën dhe trafikantët.
Nëse zoteria i matrikuluar do të ishte një deputet anti-Rama, sot do të ishte në burg për “kallzim të rreme” si Tom Doshi. Por kjo qeveri hallin nuk e ka me “mos-sinqeritetin” por me të pabindurit.
Zotëria AA003GB, thotë me gojën e tij se ka shitur një makine luksi “në të zeze”… teknikisht si berberet që guxojne të rruajne e të qethin pa kasë, si shitesi ambulant i cigareve në trotuar nga i cili gjithashtu shteti do pjesën e tij, dhe nuk i hyn gjemb në kembe…
Kjo, sepse kjo qeveri që “lepurin e kap me qerre”, armik ka berberin e shitësin ambulant të cigareve apo çamçakizave, dhe zotëria AA003GB nuk është asnjë prej tyre…ai është thjesht një ministër…
Ministri AA003GB, me vendim Gjykate i ka sot borxh shtetit dhe individeve të përbaltur padrejtësisht prej tij një shume jo të vogel parash; teknikisht si borxhi që i kushtoi jetën Arif Dodes (që ishte Iinvalid, i papune e në dëshpërim), Qamil Zelës (që ishte një tregtar pakice që përpiqej të jetonte me djersë), si Llazi Nasi (pensionisti nga Novosela) e sa e sa të tjerë viktima të “luftes kundër informalitetit” që sot nuk jetojne më…
Por me ministrin qeveria nuk merret! Qeveria armik ka shpallur invalidin e papunë, tregtarin e pakicës që jeton me djersë, pensionistin që pensioni nuk i del as për të marre ilaçet, e ministri nuk është asnjë prej këtyre.
Ministri AA003GB që drejton policinë ka shkelur me te dyja kembet Kodin Penal në mënyrë të përsëritur, siç e pranon sa herë flet, por policia arreston e procedon pa asnjë bazë juridike, Fatmir e Indrit Hoxhen, Gentjan Gjonajn e sa të tjerë që burgun e qeverisë së bunkereve e kanë pasur rrisk që para se të lindin,… për shkak te bunkereve…
Por ministri i policisë është i mbrojtur 24 orë në ditë nga policia, megjithëse pranon sa here flet shkeljet e ligjit, dhe sa herë hap gojën shton me vetëdeklarim një nen tjeter të shkelur prej tij ne Kodin Penal…
Ministri i Policise me numer AA003GB, nga policia ruhet 24 orë në ditë, por pranon se mund të shkembejë makina me trafikantë “vetem për pushime”, sepse ministër ai është nga ora 8- ne orën 3, ndërsa 3 me 8, si qytetar privat mund të transportoje veten dhe familjen me taksinë e drogës…
I nderuar qytetar,
Ne botën e qyteteruar dilemat janë 2: qeveri ligjesh apo qeveri njerezish…
Qeveri ligjesh Jo e Jo, por kjo nuk është as qeveri njerëzish, është thjesht grupim banditësh.
Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Gent Strazimiri, 26 Shtator 2015
Nën modelin Rama që pushteti jo vetëm merret por dhe mbahet me njerëz të inkriminuar, ka ri-rilindur tashmë edhe Bashkia e Tiranës me kryetar, Erjon Veliajn.
Një nga emerimët e para të Veliajt në drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, specifikisht në pozicionin e Drejtorit të Parkut të Ujësjellësit Tiranë, është graduar Eqrem Braçe, i cili në maj 2014, edhe pse zv-kryetar i Komunës Levan, plagosi me armë pa leje 2 qytetarë në mes të dites në rrugën nacionale Fier – Levan.
Sikur të mos mjaftonte inkriminimi i administratës shtetërore, inkriminimi i parlamentit shqiptar, kriminalizimi i zgjedhjeve vendore me kandidatë të lidhur me bandat e trafikun e drogës, edhe Erjon Veliaj po jep kontributin e tij në projektin e Rilindjes së administratës shtetërore me shkarkimin e punonjësve të Bashkisë Tiranë dhe zëvendësimin e tyre me kriminelë të afirmuar.
Mesa duket Veliaj nuk ka kohë që për emërimet e tij të bëjë të paktën një kërkim të thjeshtë në google ku rezulton se drejtori i tij Eqrem Braçe ka probleme të forta me ligjin.
Nuk ka kohë Veliaj se është i zënë me shkatërrimin përfundimtar të administratës së Bashkisë duke shkarkuar përditë dhjetra nëpunës që prej vitesh janë pjesë e administratës publike.
Dje Veliaj ka shkarkuar në mënyrë krejt abuzive nga puna nënën e 4 fëmijëve zonjën Vjoleta Geca , e cila në përpjekje për ta takuar punëdhënësin e saj është konfrontuar fizikisht me Erjon Veliajn dhe shefen e kabinetit të Veliajt.
I bëjmë thirrje Veliajt të ndërpresë valën e shkarkimeve abuzive nga puna të nëpunesve të ndershëm dhe zëvendësimin e tyre me njerëz të inkriminuar, sepse numri i shpullave që Veliaj do marrë nga padrejtësitë që shkakton, shumë shpejt mund tia kalojë numrit të shpullave që ai përdor për propagandë.
Deklaratë për shtyp e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Fabian Topollaj, 26 Shtator 2015
Saimir Tahiri ka pranuar dje se makina e trafikut të drogës, taksia me imunitet, AA003GB, është pronë e tij dhe përdoret herë nga ai, herë nga kushërinjtë e tij habilaj.
Pra ai e ndan makinën, si ministër i brendshëm që është, me një grup kriminal, të njohur mirë nga policia, të mbajtur nga policia nën vëzhgim, si trafikantët më të rrezikshëm të drogës në Jug.
Duke nxjerrë alibi të reja, sa herë del në televizion ka një variant të ndryshëm për implikimin e tij, Tahiri mbrëmë u mundua të mbrohej duke thënë se habilajt i paska kushërinj të largët. Po, aq të largët, sa u lë makinën personale që ata të mos ndalohen nga policia e të kalojnë edhe në pikat e kalimit kufitar, dhe kur ata të mos kenë punë, makinën e drogës e merr sërish Saimiri.
Makina përdoret për trafik dhe këtë e kanë konstatuar në punën e tyre vëzhguese oficerët e anti-drogës. Dhe për tiu dhënë edhe më shumë garanci e imunitet, vetë Saimir Tahiri, ministër i brendshëm shfaqet në timonin e kësaj makine, për t’iu treguar edhe një herë policisë e strukturave të zbatimit të ligjit se në fakt është ai pronar, drejtues i linjës AA003GB. U tregon policëve e strukturave të tjera që të rrinë larg kësaj makine, larg këtij grupimi kriminal, larg bandës së tij të drogës.
Skandali i Tahirit po zmadhohet çdo ditë me alibitë që ai prodhon, dhe çdo variant që nxjerr është një krim i ri. Deri mbrëmë, ai mbrohej duke thënë se ka shitur makinën në të zezë, ka fshehur pasurinë. Pra ka bërë një krim më të lehtë se sa përfshirja direkte në trafikun e drogës. Por mbrëmë e pranoi vetë se e ka përdorur sërish narko-taksinë, AA003GB, edhe pse e paska shitur, duke u vetëdenoncuar si i implikuar në trafikun kriminal.
Nuk ka më asnjë shteg shpëtimi për Saimir Tahirin.
Duhet të largohet nga zyra e nga detyra që mban, që prokuroria të bëjë hetim të plotë e të pandikuar.
Deklaratë për shtyp e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 25 Shtator 2015
Skandali i CEZ po merr çdo ditë përmasa tronditëse dhe provat e dëshmitë e reja po hedhin dritë për përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë skemë të korrupsionit më të madh në historinë e vendit, të Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Eshtë konfirmuar publikisht tashmë se falja e 600 milionë eurove kompanisë CEZ, kjo afere kriminale, dhe dëmi i tmerrshëm financiar që i është bërë vendit, ka për autorë dhe përfitues, hartuesit dhe votuesit e marrëveshjes anti-kushtetuese në parlament, Edi Rama dhe Ilir Meta.
Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ri-bashkuar në pakt kriminal. Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ja ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro DIA-CEZ.
Të bashkuar në krim, Rama dhe Meta po bëjnë gjithçka për të mbyllur mundësitë e hetimit dhe për të fshehur vjedhjen më të madhe të pasurisë së shqiptarëve ku janë të dy dorëbrenda.
Partia Demokratike e denoncoi këtë krim që ditën e pare. Ne dërguam për ndjekje penale CEZ, DIA dhe këdo që ishte përfshirë në këtë aferë të tmerrshme korruptive. Por me ardhjen e tyre në pushtet Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ dhe të ndalonin me ligj, e përsëris me ligj, ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit.
Sot kur kjo dyshe duket se po përgatitet të ndalë hetimin e Jozef Hejsek, drejtorit të CEZ për llogari të Edi Ramës dhe aferës së tij 600 milion euro dhe për llogari të Ilir Metës dhe aferës 135 milion euro me Kastriot Ismailajn, dua tiu informoj se në fillim të javës së ardhshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S.”.
Partia Demokratike argumenton qartë në kërkesën e saj se ky akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxh të tmerrshëm çdo qytetar të vendit, dhe kjo si pasojë e drejtpërdrejtë e aferës më të madhe korruptive të Edi Ramës dhe Ilir Metës.
Po ashtu, dua tiu informoj sot se Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive.
Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga prokuroria e vendit. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre.
Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro.
Vetëm pak orë më parë, përmes një videoje që u transmetua nga televizioni News 24, ne pamë se si një dëshmitar kyç, bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë çështje, edhe pse nën mbrojtjen e policisë, është tërësisht vulnerabël, i sulmueshëm, dhe ndaj tij bëhet shantazh. Kërcënohet pikërisht dëshmitari, i cili nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe Ilir Metën.
Edi Rama dhe Ilir Meta kanë djegur çdo mundësi për hetim të kësaj afere. Ndaj hetimi ndërkombëtar është e vetmja rrugëzgjidhje, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve.
Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Eduard Halimi, 24 Shtator 2015
Prej disa ditësh, të zënë me presh në duar nga avokatët e vetë qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare, segmente të mazhorancës dhe persona në hetim, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë opinionin publik lidhur me thelbin e këtij hetimi dhe se çfare ka ndodhur në të vërtetë.
Për të sqaruar opinionin publik dhe për të denoncuar këto përpjekje të dëshperuara të të implikuarve në këtë çështje, po paraqes faktet dhe dokumentet e mëposhtme;
- Siç është thënë shumë herë, kontrata e privatizimit të CEZ ka qënë e shoqëruar me një garanci bankare të Bankës Botërore prej 60 milionë Euro, e cila mund të tërhiqej nga CEZ në rastet kur ERE nuk kishte marrë vendim në përputhje me kontratën lidhur me borxhin e keq sipas studimit qe do të bënte Deloitte, kompania ndërkombëtare e zgjedhur nga të dy palët.
- ERE në vitin 2011, pas publikimit të raportit nga Deloitte, vendosi çmimin 2.8 lekë duke mos e marrë në konsideratë raportin e Deloitte për nivelin prej 16.85% të borxhit të keq. Pra faturave të papaguara të energjisë elektrike.
- Kjo solli kërkesën e CEZ drejtuar Bankes Boterore dhe Qeverise Shqiptare, per te sekuestruar garancine prej 60 milionë euro në datën 25 nëntor 2011.
- Banka Botërore, në rolin e arbitrit dhe garantuesit të marrëveshjes, pas vlerësimeve të saj teknike, njoftoi institucionet shqiptare dhe CEZ, me letrën e saj të datës 14 Dhjetor 2011, ku qeveritarët e akuzuar nuk janë të interesuar ta nxjerrin. Në këtë letër Banka Botërore shkruan se;
- Qeveria shqiptare për shkak të vendimit të mësipërm të ERE-s rrezikonte humbjen e 60 milionë eurove.
- Ajo mbështeste qeverinë për te gjetur një zgjidhje të drejte dhe të qëndrueshme dhe se për të arritur këtë, ERE duhej të miratonte nivelin e borxhit të keq 16.85% dhe të reflektontë këtë gjë në tarifat përkatëse.
- Kjo zgjidhje konsiderohej nga Banka Boterore si në perputhje me praktikat më të mira dhe në përputhje me interpretimin e saj për deklaratën rregullatore për borxhin e keq.
- Nëse bëhej kjo, kërkesa e CEZ për të sekuestruar garancinë bankare të mbajtur prej saj, nuk do të ekzekutohej.
Ndërkaq, siç pretendohet se ishte ulur çmimi, CEZ kishte rrëzuar me vendim gjykate vendimin e ERE për çmimin prej 2.8 lekësh që lidhej me llogaritjen e borxhit të keq në nivelin 14 % ( jo 16.85 siç thotë audituesi ndërkombëtar Deloitte) dhe për këtë arsye nuk paguante prej muajsh energjinë që merrte nga KESH, duke e çuar në vështirësi financiare.
Letra që përflitet e Ministrisë së Financave që tundin ata që janë të akuzuar me shpresë që të manipulojnë opinionin publik por edhe provat me shpresën se mund të mbulojnë skandalin e CEZ dhe të kompanisë DIA, pa e lexuar në asnjë rast përmbajtjen e saj, kjo letër është përgjigje ndaj nje letre të ERE ku njoftonte insitucionet ashtu edhe Ministrinë e Financave e cila u përfshi në çështje nga dhjetori i vitit 2011 për shkak të garancisë, ku deklraronte masat që ajo mendonte të ndërmerrte pas rekomandimit të Bankës Botërore për të shëndoshur sektorin energjitik shqiptar.
Në këtë letër, nuk ka asnjë kërkesë për ulje çmimi, apo as dhe një opinion se sa duhej të miratohej çmimi, pasi kjo është një e drejte ekskluzive e ERE. Letra mbështet programin e ERE në kushtet që të jetë i bazuar në kuadrin ligjor respektiv, në rekomandimet e Bankës Boterore, në heqjen e rrezikut që vendi kishte në procese gjyqesore vendore dhe ndërkombëtare që do të përfundonte me sekuestrimin e 60 milionë eurove si dhe në funksion të garantimit të furnizimit me energji elektrike të pandërprerë për popullatën pa rritur çmimin për konsumatorët. Pra kjo është letra që tundet nga të akuzurit. Sigurisht që mes institucioneve ka komunikim dhe aq më tepër që isha në rolin e garantuesit të një gjobe që mund ti vihej vendit prej 60 milionë eurosh, kur efekti i çmimit të diskutueshëm ishte 10 milionë euro.
Për ta përmbledhur, Ministria e Financave nuk ka thënë as më shumë dhe as me pak, nga ajo që Banka Botërore i ka thënë qeverisë shqiptare dhe vetë ERE. Aq është e vërtetë kjo, sa ne Vendimin e ERE për të miratuar borxhin e keq, në mënyrë të qartë dhe pa ekuivok thuhet se [citoj] “letra e Ministrisë së Financave ne cilesine e garantorit mbështet propozimin e Bankës Botërore”.
Në përfundim, faktet që ka konstatuar vetë avokati i qeverisë shqiptare, në letrën e tij drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare, pasi ka shqyrtuar të gjitha dokumentet ka dalë në konkluzion se në vitin 2012, çmimi i KESH është rritur me 48%, dhe nuk është ulur siç pretendojnë, dhe se kjo siç duket ka sjellë prishjen e pazareve mes DIA dhe atyre që janë të lidhur me të dhe CEZ. Për saktësi ju lutem referoheni paragrafit 1743 në faqen 31 të raportit të vetë konsulentit ndërkombëtar.
Partia Demokratike ka kërkuar dhe kërkon një hetim ndërkombëtar për këtë çështje si dhe dorëheqjen e Ilir Metës për t’i hapur rrugën një hetimi të plotë dhe të drejtë të kësaj çështje. Faktet e fundit për kërcënim deshmitarësh janë përpjekje të pushtetarëve për të mbyllur hetimin e këtij rasti të paprecedentë dhe manipulimi me faktet dhe të vërtetat po ashtu është një devijim nga vëmëndja e publikut lidhur me aferën tepër të rëndë, si në rastin e raportit të DIA-s ashtu si me rastin e zgjidhjes së kontratës së privatizimit të CEZ, ku qindra milionë euro iu falën në mënyrë të paargumentuar, dhe ku u bllokua çdo proces penal të personave të implikuar në çështjen me CEZ. Mbetemi të vendosur për ti hapur rrugën një hetimi ndërkombëtar.
Deklaratë për shtyp e ish ministrit të Financave, Ridvan Bode, 24 Shtator 2015
Të nderuar kolegë deputetë
Ne këto ditë presim në vijë në Kuvend projekligji i propozuar nga qeveria për ndryshime në Kodin Penal. Për një stekë cigare të padeklaruar çdo shqiptar do ndërshkohet nëse kapet në kufi (vetëm dy steka lejon ligji) dhe nëse ke stekën e tretë do të dënohesh me 10 vite burg. Pra një shqiptar që jeton mesatarisht 70-80 vite duhet të kalojë një të tetën apo të shtatën e jetës së tij për një stekë cigare. Po cili vend në botë e ka këtë gjë? Vetem ne kështu?! Le të marrim SHBA-të me legjislacionin më të shpër në botë kundër evazionit e ka gjobë deri në 250 mijë dollarë dhe burg deri në 5 vite, nesë përfshihet në krime tatimore. Projekligji është plot me difekte por dua të përsëris sërish. Nëse këto shifra nuk janë si këto që po deklaroj unë largohem nga ky parlament.
Le të shohim shifrat. Në vitin 2013, në energjike shifrat nga shitjet janë 37.7 miliardë lekë dhe në 2014 janë 38.8, pra e një rritje natyrore. Janë mbledhur edhe 10 miliardë lekë shtesë nga fatura të papaguara për periudhën 2007-2013. Por ama në 2014 janë 14 miliardë lekë fatura të papaguara. Ky është suksesi?! Pyetja që mund të lindë është kaq të zi jemi ne shqiptarët?! Që nuk paguajmë taksa?! Le të shikojmë shifrat. Mua më rezulton janë më të mira se shumë nga vende që na rrethojnë dhe se ato ku duam të anëtarësohemi. FMN thotë që TVSH mblidhet mirë nëse mblidhet 0.4 % për 1 % shkallë tatimore. Pra shqipëria duhet të mbledhë 8 % të GBD-së në TVSH. Por sot mbledh 9.2 %, pra 1.2 % më shumë ose 150 milionë dollarë. Shqiptarët padrejtësisht i paguajnë shtetit të tyre 150 milionë dollarë më shumë. Ky është fakt. Austria mbledh vetëm 7.7 %, Franca 6.8 %, Belgjika me TVSH 21 % e ka 6.1 %, Italia me shkallë 22 % mbledh 5.2 %. Këto shifra na çojnë tek pyetja tjetër llogjike. Për çfarë do të bëjë ky ligj nëse miratohet? Vetëm korrupsioni do të rritet me gjobat 100 milionëshe dhe të jeni të bindur se inspektorë të pandërgjegjshëm do të bëjnë presion për të marrë një të dhjetën e gjobës vetëm për të mos zbardhur gjobën. Të ardhurat do të bien siç po e konfirmojnë shifrat. Papunësia do të rritet dhe po ashtu varfëria. Investimet do të ulen.
Qeveria kërkon të shmangë edhe ngjarje më të mëdha ku është përfsirë lidershipi i kësaj maxhorance. Mbrëmë jemi njohur me një tjetër skandal që do njihemi më shumë në ditët në vijim. Për ta mbyllur, po them një barcaletë të fundit që po qarkullon. Një qytetar hyn në dyqan dhe blen një televizon dhe pasi nuk merr mallin. Të dera e dyqanin e pret polici dhe i thotë që meqë nuk e paske kuponin, 30 metra larg dyqanit do gjobitesh me 5 milionë lekë dhe dyqani me 100 milionë lekë. i vetmi që fiton është shteti. Qytetari ska shpëtim por shpëtim ka vetëm nëse aty afër është Audi me target AA003GB.
Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Florion Mima, 23 Shtator 2015