Blog

11 Sht
0

Ne nuk do ta pranojmë kokulur diktaturën e korrupsionit, krimit e varfërisë

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ngushëlloi sot familjen e Arif Dodes i cili u vetëvra pak ditë më parë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nga OSHEE. Siç u shpreh nëna e Arifit, ai mbeti jetim në moshën 5 vjeçare pasi babai i tij vdiq në krye të detyrës gjatë ndërtimit të hidrocentralit në vitin 1975. Zoti Basha vizitoi familjen Doda dhe pa nga afër kushtet e vështira në të cilat jetonte kjo familje. E vetmja e ardhur ishte ndihma ekonomike që merrte i ndjeri Doda për shkak të aftësive të kufizuara por dhe ajo i ishte hequr nga qeveria.

“Arifi përfitonte deri para pak kohësh KEMPin (KMCAP), pra një shumë të hollash si person me aftësi të kufizuara me anë të së cilës mbante familjen. Por edhe kjo mundësi për të mbajtur familjen iu pre në mënyrë arbitrare pa i dhënë asnjë shpjegim dhe asnjë llogari. Pas kësaj, bandat dhe banditët e OSHEE i hoqën edhe dritën me të cilën dy fëmijët e tij lexonin librat e shkollës. Nuk ka nevojë të flas unë, futuni brenda dhe shikoni kushtet e kësaj familje. Duhet të kesh mentalitet kriminal si banditët që vërtitën mbi këto familje të presësh pocat e ndriçimit përkundër dëshirës për të arritur një marrëveshje. Nuk kishin ku ti gjenin dhe hallka më e dobët u këput. Kryefamiljari i mori vetes jetën, duke lënë në mënyrë tragjike dy jetimë”, tha Basha.

Kryetari i Partisë Demokratika theksoi se kjo është një tragjedi që po përjetohet çdo ditë nga mijëra familje shqiptare. Qeveria, tha zoti Basha, nuk po bën asgjë për këto familje në pamundësi ekonomike por po shton çdo ditë mjerimin e tyre.

“Kjo është një tragjedi e përmasave të papërfyturueshme për familjen Doda, por është një tragjedi që jetohet ditë për ditë në dhjetra qindra mijëra familje shqiptare. Çfarë po bën qeveria për t’u ardhur në ndihmë këtyre familjeve? Asgjë, as kompensimin e premtuar për rritjen e çmimit të energjisë, as mundësi për punësim që të ushqejnë fëmijët dhe të paguajnë drita, madje, po ju pret dhe të ardhurat që përfitojnë si persona me aftësi të kufizuar apo si të papunë. Po i shtyn pra drejt dëshpërimit po i shtyn drejt vetëflijimit. Ndaj sot, akuzoj qeverinë e Edi Ramës si vrasëse të shpresës së këtyre mijëra familjeve, si përgjegjëse numër një  për situata e tragjedi si kjo që ka goditur familjen Doda sot e  ka marrë jetën e kryefamiljarit për shkak të 20 apo 30 mijë lekëve këst që nuk kishin ku ti gjenin e dhjetra raste te tjera. Sot derrat e korrupsionit po hapin zarfet e një tenderi 5 milion dollarë, 5 miliard lekë për të rikonstruktuar zyrat e bandës kriminale që quhet OSHEE. Fjalët janë të tepërta dhe dhimbja që sëmbon sot në këtë familje, jam i sigurt është dhimbja e cdo shqiptari  që nuk është kundër ligjit, që nuk është kundër shtetit ligjor, por është kundër dyfytyrësisë, hipokrizisë kriminale që nga njëra anë shtyn qytetarët drejt masave ekstreme dhe nga ana tjetër fryn xhepat dhe kontot e qeveritarëve të korruptuar të këtij vendi. Kjo situatë duhet të marrë fund”, u shpreh Basha.

Ndërsa ka garantuar mbështetjen modeste të Partisë Demokratike për familjen Doda, zoti Basha u ka bërë apel qytetarëve të ndihmojnë këtë familje që të arsimojë femijët e mbetur jetim. Një zgjidhje afatshkurtër pasi zgjidhja e vërtetë, tha Basha, është shteti i së drejtës, shteti që iu shërben qytetarëve dhe jo që pasuron pushtetarët.

“Çështja zgjidhet me një shtet të së drejtës dhe jo me një shtet zuzarësh e kusarësh. Çështje zgjidhet me një shtet që ndien dhimbjen e qytetarëve dhe jo me një shtet që ka humbur çdo lidhje me realitetin siç është shteti i Edi Ramës dhe Ilir Metës. Zgjidhet me një shtet që cdo qindarkë e shpenzon për të luftuar varfërinë që po ulet këmbëkryq me shpejtësi të frikshme anembanë vendit dhe jo duke vjedhur 200 milion dollarë nga tatimet dhe doganat dhe me qindra milionë të tjerë nga OSSHE vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti. Situata është shumë dramatike ndaj kërkon veprim të menjhershëm dhe zgjidhje të jashtëzakonshme. i bëjmë thirrje çdo qytetari cdo shqiptari të ndershëm pavarësisht bindjeve politike, të cohemi dhe të mos e pranojmë kokulur, ne nuk jemi skllevër, jemi njerëz të lirë. Ne nuk mund ta pranojmë kokulur diktaturën e korrupsionit, diktaturën e krimit, diktaturën e varfërisë”,  tha Basha.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Shtator 2015

Read More
11 Sht
0

Basha takon Jahjagën, sfidë e përbashkët për zhvillimin ekonomik dhe integrimin mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha pati sot një mengjes pune me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, e cila shoqërohej nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, znj. Hykmete Bajrami, Selim Selimi këshilltar për cështjet ligjore dhe i ngarkuari me punë i ambasadës së Kosovës Ramiz Lladrovci.

Presidentia e Kosovës ka vlerësuar mbështetjen e madhe që PD dhe zoti Basha i kanë dhënë Kosovës si për shpalljen e pavarësisë ashtu dhe për njohjen e saj ndërkombëtare.

Ashtu si dje në qeveri dhe sot në opozitë, Partia Demokratike tha zoti Basha do të vazhdojë të ofrojë të gjithë mbështetjen për procesin e liberalizimit të vizave, antarsimin në institucionet ndërkombëtare dhe njohjen nga shtete që ende se kanë njohur Republikën e Kosovës, në mënyrë që të bëhet sa më parë antare e OKB-së.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se ndonëse i ka përshëndetur dhe inkurajuar takime më të shpeshta mes dy qeverive,  duhet veprim konkret, pasi sic u shpreh dhe presidentia Jahjaga,  sipërmarrësit ende përballen me pengesa doganore, me taksa dhe tarifa që shtohen dhe rriten.  Zoti Basha tha se hapat për zgjerimin lehtësimin dhe thellimin e bashkpunimit  duhet të jenë funksionale dhe praktike.

Zoti Basha përmendi si fushë  të rëndësishme të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës energjinë duke theksuar nevojën e një vizioni dhe vendosmërie të re për të bërë të mundur në fushën energjitike një ndryshim kolosal të ngjashëm me atë që solli ndërtimi i Rrugës së Kombit.  Një vend të vecantë në takimin Basha -Jahjaga zunë dhe zhvillimet e brendshme në të dy vendet,  ku sfidë e përbashkët për zhvillimin ekonomik dhe integrimin mbetet lufta kundër krimit dhe korrupsionit.

Duke u ndalur në zhvillimet në Shqipëri, zoti Basha theksoi se vendi ka bërë hapa pas në standartet demokratike, kusht për integrimin europian, sic janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, promovimi në nivele të larta drejtuese të shtetit dhe administratës të  personave me precedent kriminal, pasiguria juridike, rënia ekonomike dhe më e fundit shkatërrimi istrandarteve të zgjedhjeve. Raporti i OSBE- Odihr për zgjedhjet e 21 qershorit nënvizon problematikën e madhe e cila ka pamundësuar shprehjen e lirë të vullnetit të zgjedhësve,  përmes presionit, shitblerjes së votës etj.

Lideri i opozitës Basha ka vlerësuar maturinë e treguar nga klasa politike e Kosovës për krijimin e Gjykatës Speciale si një zgjidhje që do tu japë fund akuzave dhe përbaltjeve kundër luftës së drejtë clirimtare të popullit të Kosovës. Serbia, tha zoti Basha, duhet të përgjigjet për dramën familjare dhe kombëtare të mijëra personave të zhdukur. Zoti Basha ka vlerësuar edhe progresin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë,  në funksion të një realiteti të ri bashkëpunimi vetëm mes Kosovës dhe Serbisë por edhe mes vendeve të tjera të rajonit.

Bashkepunimi rajonal është një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik, theksoi zoti Basha duke nënvizuar investimin politik të kancelares Gjermane Angela Merkel përmes procesit të Berlinitsi një mundësi që duhet miradministruar për të thithur investitorë të huaj  por edhe për të përfituar fonde për zhvillimin e infrastrukturës, dhe për të nxitur bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes vendeve të rajonit, duke krijuar në këtë mënyrë një bashkjetesë të re mes popujve tanë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Shtator 2015

Read More
11 Sht
0

OSHEE, 5 miliardë lekë për mikun e klientin e Edi Ramës

Pas pak orësh, sipas porosisë së Edi Ramës, OSHEE do hapë zarfat për të shpërblyer me 5 milionë dollarë një mik e klient të vjetër të kryeministrit me të cilin ai ka marrie e dhënie që në kohën kur drejtonte Bashkinë e Tiranës.

Masha që përdoret në këtë rast, është OSHEE-ja, dhe paratë që do jepen për ndërtuesin e Edi Ramës janë marrë me kërbaç, me dhunë e me burg, me jetë njerëzish, nga shqiptarët e varfër e të pamundur.

Paratë e gjakut të shqiptarëve, janë paketuar, janë bërë gati, pra plot 5 miliardë lekë, për tiu dhënë sot mikut e klientit të Edi Ramës.

Partia Demokratike, po i shtron sot këto pyetje OSHEE-së:

A është paracaktuar fituesi për tenderin e godinës së kësaj organizate?

A janë bërë kriteret enkas për fituesin e paracaktuar?

Pse nuk ka transparencë për paratë e shqiptarëve?

Pse shpenzohen paratë e mundit, e gjakut të shqiptarëve për zyra të reja e për luks?

Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë aferë korruptive?


Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Orjela Nebijaj, 11 Shtator 2015

 

Read More
10 Sht
0

2 vjet krim dhe korrupsion, ka nisur numërimi mbrapsht për Edi Ramën dhe Ilir Metën

 Të nderuar  deputetë,

Zonja dhe zotërinj,

Shqipëria, fushë e minuar nga qeveria kampione e papërgjegjshmërisë, paaftësisë, korrupsionit dhe kriminalizimit, po jeton shpërthimin në seri të skandaleve, turpeve dhe dështimeve të padëgjuara që Edi Rama dhe Ilir Meta kanë  gatuar me duart e  tyre.

Siç e ka thënë vetë kryepërgjegjësi, s’paskemi parë gjë akoma, me këto që po ndodhin këto ditë.

Njëri prej individëve me rekorde të tmerrshme kriminale i përzgjedhur me dorë nga Edi Rama për ta graduar deputet-xhandar në Kuvendin e Shqipërisë, Armando (Edmond) Prenga, hapi zjarr në mjediset e komisariatit të Laçit kundër pjestarëve të familjes Cali, që kishin shkuar aty për të depozituar një kallzim penal kundër deputetit-bandit. Policia e Laçit akuzohet për futje në kurth të pjestarëve të kësaj familje për llogari të agresorit; një hetim i menjeherëshëm duhet të hedhë dritë edhe mbi ketë episod të turpshëm dhe personat përgjegjës duhet të marrin ndëshkimin më të rendë ligjor.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, akuzohet nga avokatët e qeverisë shqiptare për  marrjen e një rryshfeti në qindra milion lekë, në aferën e mbledhjes së borxheve  të energjisë elektrike nga një kompani e bekuar prej tij, që drejtohej nga miku i tij, KastriotIsmailaj, person që aktualisht është i arrestuar për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion. Faktet janë bërë publike, rryshfeti i tij është paraqitur si argument në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë nga zyra ndërkombëtare e avokatisë e qeverisë Rama.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ai që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë për të drejtuar rendin dhe duhej të ishte në krye të luftës kundër narkokultivimit e  narkotrafikut, akuzohet nga oficerë të lartë të policisë, të angazhuar për vite në luftën anti-drogë, si kumbari i bandave të narkotikëve në Jug, kryesisht në rajonin e Vlorës. Fakte dhe prova ta pakundërshtueshme kanë dalë e po dalin në dritë. Mjetet private të Ministrit janë përdorur dhjetra herë prej kushërinjve të tij Habilaj, që njihen kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht si kokat e trafikut të drogës. Ndërkohë, avionët e drogës nga Shqipëria bien njëri pas tjetrit në duart e policisë italiane, së bashku me trafikantët dhe ngarkesat e drogës shqiptare, sëbashku me alibitë e shpëlara të ministrit të dalë boje në sytë e të gjithëve si bashkëpunëtor, protektor dhe përgjëgjës i kthimit të Shqipërisë në një kopsht kolumbian të drogës.

Ekonomia shqiptare është në rënie të lirë, qindra vende pune mbyllen çdo ditë, konsumi dhe kreditimi janë në rënie si vetë besimi i sipërmarrësve dhe konsumatorëve. Ndërkaq, gropa e evazionit, kontrabandës dhe korrupsionit në dogana e tatime sa vjen e thellohet. 40 milionë dollarë është gropa e gushtit në raport me buxhetin e miratuar në Janar. 200 milionë dollarë i mungojnë arkës së shtetit pra arkës së qytetarëve në 8 mujorin e parë të këtij viti.

Për të legalizuar këtë akt të pashembullt vjedhje, ashtu siç paralajmëruam para 6 javësh, Edi Rama dhe Ilir Meta kaluan hajdutce, larg syve e veshëve të publikut, në errësirën e natës së 29 korrikut, aktin normativ të shkurtimit të shpenzimeve. Shkurtuan fondet e rrogave dhe pensioneve duke e renditur Shqipërinë së bashku me Bjellorusinë e Lukashenkos në dy vendet e vetme në Europë që ulën rrogat dhe pensionet e qytetarëve të tyre.

Hoqën fonde nga bujqësia që është lënë në mëshirë të fatit, nga shëndetësia që është në ditënë e saj më të zezë, nga ujësjellësit, e madje edhe nga arsimi. Shtrënguan rripin e shqiptarëve, sepse paratë që duhet të shkonin për ta, kanë përfunduar në xhepat e hajdutëve qeveritarë të korruptuar dhe oligarkëve të lidhur me ta.

Nuk mbaron me kaq. Akti normativ ka ulur me 90 milion dollarë parashikimin e mbledhjes së të ardhurave edhe për 4 muajt e mbetur të këtij vit. Pra, nga njëra anë shpallet me daulle, kërbaç dhe koreografi Lejfeniste aksioni kundër informalitetit, por nga ana tjetër, ustallarët dhe ustalleshat kanë planifikuar që në arkë të përfundojnë jo më shumë, por plot 90 milion dollarë më pak, të ardhura. Kjo nxjerr zbuluar dhe gënjeshtrën e madhe të këtij të ashtuquajturi aksion. Pavarësisht kacekëve të fryrë të propagandës kryeministrore, vetë qeveria nuk beson dhe as nuk pret rritje të ardhurash por rënie të mëtejshme të tyre.

Për t’ia fshehur publikut se çfarë po bëjnë, dyshja Rama-Meta refuzojnë diskutimin e këtyre shkurtimeve në komisionet përkatëse dhe është bërë gati ta noterizojë këtë vjedhje e turp të madh sot, me kartonat shurdhmemecë ndaj halleve të njerëzve, kartona që mbajnë në duar deputetët gojëkyçur të qeverisë.

Grupi ynë parlamentar do të qëndrojë fort sot në tabanin e të vërtetave duke nxjerre në pah me shifra, argumenta dhe fakte se ky akt normativ është vetdenoncimi i korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë qeveritare.

Eshtë vetdenoncimi i pafytyrësisë dhe dyfytyrësisë kriminale të dyshes Rama-Meta, shkaktare e tragjedive të përditshme të shqiptarëve si ajo që ndodhi dje në familjen e Hari Dodës në Sauk, 50 vjeçari që i dha fund jetës sepse nuk kish para të largonte errësirën nga vatra e tij familjare, ndërkohë që derrat e korrupsionit qeveritar nuk kanë të nginjur me vjedhjen, shpërdorimin dhe makutërinë e tyre nga OSHEE në Albpetrol, nga Tatimet e Doganat nga prokurimet e drejtpërdrejta në koncesionet miliona euroshe.

Zgjedhjet e 21 qershorit të damkosura rëndë nga raportet paraprake të vëzhguesve ndërkombëtarë morën dje vulën e thatë nga raporti përfundimtar, si zgjedhje jo të lira dhe të ndershme, si zgjedhje ku qeveria vuri shtetin e përforcuar me banda dhe para të krimit dhe korrupsionit përballë qytetarëve dhe opozitës, duke mohuar të drejtën themelore, lirinë e votës.

Janë ditë të zeza dhe dramatike për vendin.

Shqiptarët janë të tronditur. Shqiptarët janë të goditur në nder dhe në virtyt, në din dhe në iman, në moral dhe në shpresë, me skandalet e qeverisë. Nuk e kam besuar e s’kam për ta besuar kurrë atë që thuhet andej-këtej sikur vështirësitë e jetës, lufta për bukën e gojës, frustrimi dhe varfëria i kanë bërë shqiptarët të pandjeshëm ndaj  horrllëkut, vagabondazhit dhe  krimit  në  piramidën e pushtetit nga maja në bazë.

Jam i sigurt se në shtëpitë e tyre, në familjet e tyre, në shoqërinë, apo në vetminë e tyre, shqiptarët janë të fyer deri në palcë nga veshja me pushtet e banditëve, siç nuk ka ndodhur kurrë, nga ortakëria e qeveritarëve me narkofrafikantë dhe grupe kriminale, siç nuk ka ndodhur kurrë, nga abuzimet, vjedhjet, korrupsioni, evazioni dhe kontrabanda gjigande në dogana, në tatime, në tendera, në prokurime e kudo, ndërkohë që të ardhurat vetëm pakësohen dhe vështirësitë për të mbyllur llogaritë e muajit vetëm shtohen për shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë.

Shqiptarët janë të fyer, shqiptarëve po u plas shpirti jo se kanë pritur mrekullinë  nga kjo qeveri dhe mrekullia nuk po vjen, por nga paturpësitë e saj, nga pacipësia e saj, nga mënyra se si i trajtojnë akuzat që u bëhën nga të katër anët.

Arroganca u shdrit në sy si vetë cinizmi që i ka mbukuar kokë e këmbë. Nuk janë në gjendje të hedhin poshtë asnjë akuzë, në subkoshiencë i pranojnë akuzat, madje nënqeshin me to sepse, me sa duket, kanë bërë më shumë se sa akuzohen.

Ky është abuzimi më i madh me pushtetin që mund të imagjinohet, pabesia më e madhe që mund tu bëhet zgjedhesve.

Pushtet për të abuzuar, për vjedhur, për të bërë para dhe pasuri për vete dhe për një grusht oligarkësh. Për asgjë tjetër. Qytetarët, një pjesë e tyre, ata që u besuan, u dhanë kohë dy vjet, por nuk do tu japin më. Sepse nuk ka popull në Europë që i jep kohë qeverisë të vjedhë dhe të dërdëllisë si ato llafazanet e këqija.

Partnerët tanë janë të skandalizuar dhe të tronitur me rekordet e zeza të qeverisë.

Edi Ramës i kërkohet prej kohësh t’u japë duart njëherë e mirë individëve me rekorde kriminale në qeverisjen e tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i kanë bërë thirrje të hapura të miratojë me opozitën ligjin e dekriminalizimit dhe të mos kandidojë individë me rekorde kriminale në zgjedhjet vendore. Kryeministri i Shqipërisë i ka sfiduar këto thirrje me mendësinë tipike të Haxhi Qamilit “ç’më duhet Washingtoni kur kam Roshin, ç’më duhet Brukseli kur kam Bushin”.

Edi Rama e ka bërë zakon të lajë duart si Pons Pilati pasi të shohë katër njerëz për tokë të vrarë nga dora e djalit të deputetes, apo katër burra të plagosur nga dora e Prengës në komisariat. Ne përshendetëm prokurorinë për hetimin e nisur ndaj ish-deputetit Prenga, inkurajojmë drejtësinë për ndëshkimin e shpejtë konform ligjeve të krimit të shëmtuar që për pak u mori jetën disa shtetasve.

Por kjo nuk e shplan përgjegjësinë e kryeministrit, nuk e lan njollën e turpit të tij.

Ai është përgjegjegjësi numër një për futjen në Kuvendin e Shqipërisë dhe emërimin në poste publike të individëve me rekorde të tmerrshme kriminale për të bërë detyrën e shëmtuar të skuadronëve të dhunës kundër kundërshtarit  politik, kundër opozitës, kundër  fjalës së lirë, kundër vetë pluralizmit.

Ai është përgjegjegjësi numër një për kandidimin e këtyre individëve në zgjedhjet  për pushtetin vendor me  synimin e vetëm që këta, me rrjetin e tyre të malavitës dhe me paratë e pista të krimit, të blejnë vota, të kërcënojnë votuesit, të  dhunojnë e manipulojnë zgjedhjet në funksion të kapjes së pushtetit, të fitores së tyre fiktive, të fitores fiktive të Edi Ramës.

Ai është përgjegjës për hapësirat e pamata të abuzimit dhe shpërdorimit që u ka  krijuar në mbarë vendin këtyre azapëve, të cilët me imunitetin dhe fuqinë që u ka dhënë, grabisin pambarim pronat e qytetarëve dhe pronat publike, nuk paguajnë asnjë taksë, mbajnë nën terror njerëzit, shpërfillin dhe kërcënojnë organet policore, organet tatimore, qëndrojnë mbi ligjin, janë një bandë sipër shtetit.

Ai është përgjegjës për konfliktin që çoi në ngjarjen e rëndë të Laçit, pasi duke dashur të shpërblejë me lagunën e Patokut deputetin e tij për aktet e dhunës kundër opozitës, u ra ndesh interesave të peshkatarëve të vjetër në zonë dhe ka krijuar, siç e ka zakon, premisa përplasjesh për të cilat nuk do t’ia dijë ku u del tymi, jo si të ishte kryeministër që ka për detyrë te peshojë drejt dhe me urtësi interesat e njerëzve,  por një bajraktar dhe ngatërrestar pa tru.

Dashuria e Edi Ramës për individët me rekorde kriminale, komplekset dhe loja e tij me ta është një temë për t’u studiuar nga studiuesit. Eshtë rekordi i tij i zi në  qeverisje për të cilën do të mbahet mend.

Ne opozita, jemi zotuar të çlirojmë Kuvendin dhe institucionet nga krimi nepërmjet nismës sonë hisotrike dhe jetike të dekriminalizimit. E kam bërë të qartë që në fillim dhe dëshiroj ta përsëris, me besim se sot do të më kuptojnë më mirë edhe ata që nuk më kanë kuptuar apo nuk më kanë besuar para një viti.

Edi Rama nuk i zgjodhi si socialistë individët me rekorde kriminale, ata nuk kanë  qenë dhe nuk janë socialistë. Nuk i zgjodhi si militantë, ata nuk kanë qenë dhe nuk janë militantë. Nuk i zgjodhi as si të rehabilituar pas dënimit që disa prej tyre kishin kryer, ne e njohim të drejtën e rehabilitimit të çdo individi pas shlyerjes së dënimit që i ka dhënë  gjykata.

I zgjodhi për atë që, ata kanë qenë, kur ishin ndjekur, arrestuar apo dënuar nga policitë dhe gjykatat e vendeve europiane, pra i zgjodhi si kriminelë. I mori për t’u dhënë detyra kriminale, për t’u thënë; ju jeni këta që keni qenë, ju nuk ndryshoni kurrë, ejani në shërbimin tim.

Kriminalizmi është ideja e tij e poshtërimit të shtetit dhe shoqërisë në tërësi të zonave e trevave në veçanti. Nuk ka kërkuar kurrë falje për ketë dëm të jashtëzakonshëm, për këtë damkë që i vuri vendit në sytë e botës. Përkundrazi drekon e darkon me ta sa në Kavajë e sa në Lezhë si për ti nxjerë gjuhën jashtë të gjthë shqiptarëve e në veçanti socialistëve duke ju thënë; këta janë të preferuarit e mi, si për të tallur e hedhur poshtë përpjekjet e partnerëve tanë ndërkombëtarë duke ju bërë temena me fjalë e karshillëk me vepra.

Janë ditë kushtrimi për të reaguar, për të vepruar, për t’u ngritur të gjithë, i madh e i vogël, pa dallime politike, kundër së keqes.

Kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe me opininin publik, votimin e menjëhershëm të projektlkigjit të dekriminalizimit, të konsultuar me Komisionin e  Venecias,  projekt i cili në një anë mundëson përjashtimin e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale nga  postet  dhe funksionet  publike, dhe nga ana tjetër garanton përmes masave të qarta ndalimin e depërtimit të këtyre individëve në të ardhmen në Kuvendin e Shqipërisë, në krye të bashkive, në  poste publike me peshë, e tjerë.

Parlamenti, bashkitë, zyrat e shtetit nuk mund të jenë më për asnjë çast, sot dhe përgjithmonë, strehë e individëve me rekorde të tmerrshme kriminale që katapultohen në këto poste si xhandarë të kryetarit të qeverisë. U bëj thirrje të gjithë deputetëve, kryebashkiakëve dhe zyrtarëve me rekorde kriminale të çdo partie qofshin, të japin dorëheqjen nga postet dhe detyrat që mbajnë.

Askush nuk do të mund t’iu shmanget dekriminalzimit. Edi Rama genjen veten nëse mendon se duke lëshuar ndonjë aty-këtu, do të hedhë lumin. Duhet ta dijë se është në shenjestër si arkitekti i kriminalizmit. Në shënjestër të opozitës, publikut, partnerëve. Kjo është një valë që nuk ndalet, është një kauzë  mbarëpopullore për jetën, për nderin, për dinjitetin, për zhvillimin, për integrimin.

Në këtë kuadër, përpjekja e turpshme për të mos vendosur edhe sot në kalendarin e parlamentit projekligjin e propozuar nga opozita për dekriminalizimin dhe amendamentet shoqëruese kushtetuese do të marrë përgjigjen më të vendosur nga aksioni i kombinuar i Grupit Parlamentar dhe i Partisë Demokratike me qytetarët shqiptarë.

Duke nisur nga dita e nesërme, komisioni i dekriminalizimit nën drejtimin e Oerd Bylykbashit do të nisë shqyrtimin e nismës së paraqitur në Parlament, për të hequr çdo alibi të kryepërgjegjësit për dekriminalizimin, për mosfutjen dhe mosdiskutimin e këtij ligji në seancë plenare.

Kemi kërkuar dhe kërkojmë me forcë dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, hetimin  e tij si deputet i zakonshëm, hetimin nga Prokuroria për akuzat e rënda që i janë bërë nga avokatët e qeverisë shqiptare. I kemi kërkuar Prokurorisë  të nisë hetimet kryesisht për këto akuza të publikuara nga rrjeti i gazetarëve investigativë të Ballkanit Perendimor. Kërkojmë me forcë largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit, që është sot nyja gordiane e narkotrafikut, dhe hetimin e tij nga prokuroria.

Votimi i projektligjit të dekriminalizimit, dorëheqjet dhe hetimi i Metës dhe Tahirit, plani ekonomik i shpëtimit janë sot oferta e Partisë Demokratike për nxjerrjen e vendit nga qarku i skandaleve dhe zbutjen e krizës ekonomike. Dëshirojmë zgjidhje institucionale. Por nuk do të presim sepse nuk ka kohë më për të pritur.

Këto kërkesa do t’i ndajmë dhe çojmë përpara me qytetarët shqiptarë në turin politik që unë dhe gjithë së bashku me mua do të ndërmarrim në mbarë vendin, nga Jugu ne veri nga Lindja në Perendim. Nyja e nyjeve ku janë lidhur skandalet, turpet, dështimet dhe kriza e thellë ekonomike, është kryeministri i vendit, qeverisja e tij e dështuar.

Po vjen ora e veprimeve. Do të vendosim me qytetarët, do të veprojmë me qytetarët, do të fitojmë me dhe për qytetarët.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 10 Shtator 2015

 

 

 

Read More
09 Sht
0

Ilir Meta iu imponua CEZ-it për Ismailajn, ka vetëm një rrugë; dorëheqja dhe dalja para drejtësisë

Ilir Meta po prodhon çdo ditë reagime të dëshpëruara që vërtetojnë pozitën e tij të vështirë, nën akuzë për marrje rryshfeti.

Provat dhe dëshmitë për skemën e madhe të korrupsionit dhe mashtrimit ku është direkt i përfshirë Ilir Meta, janë bërë publike.

Provat e rryshfetit të tij, janë pjesë e raportit zyrtar që avokatët e qeverisë shqiptare kanë paraqitur në arbitrazhin e Vjenës.

Ilir Meta iu imponua kompanisë CEZ, për të kontraktuar mikun e tij Kastriot Ismailaj, edhe kur ishte Ministër i Jashtëm duke bërë negociata private pa pasur asnjë tagër zyrtar, por dhe më pas kur ishte Ministër Ekonomie.

Ai loboi fort që Kastriot Ismailaj të merrte miliona euro nga CEZ, dhe natyrisht Ilir Meta kishte pjesën e tij në këto shuma marramendëse.

Akuza është e rëndë, dhe siç e kanë konsideruar avokatët ndërkombëtarë të qeverisë shqiptare, bëhet fjalë për skemën më të madhe të mashtrimit dhe korrupsionit në vend.

Partia Demokratike i konsideron qesharake reagimet e Ilir Metës, dhe thekson se atij i mbetet vetëm një shteg; dorëheqja dhe dorëzimi para drejtësisë.


Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Orjela Nebijaj, 9 shtator 2015

Read More
09 Sht
0

Regjimet shtypëse janë njësoj, të ngrihemi e ti hapim vendit rrugën drejt Europës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë sot në përkujtimin e 69 vjetorit të kryengritjes anti-komuniste të Postribës.

Basha shprehu vlerësimet për kurajon dhe sakrificën e patriotëve të Postribës që u ngritën kundër shtypjes së regjimit komunist në vitin 1946, dhe tha se ajo lëvizje është frymëzim për qytetarët dhe rininë e sotme për të mos u pajtuar me format e reja të shtypjes, të shkeljes së të drejtave të njeriut, të dhunimit të votës e sundimit të krimit.

“Ata patën vizion e kurajo për t’u rreshtuar pra para një ideali të madh kombëtar siç është liria dhe dinjiteti i çdo anëtari të një kombi. Vizion i madh, vizion i madh realizimi i së cilit do ta kishte sjellë Shqipërinë 70 vite më parë në NATO e Evropë do ta kishte afruar në familjen e vlerave dhe standardeve të jetës, si BE e SHBA. Ideali i kryengritjes së Postribës nuk ka asnjë ndryshim nga ideali i kryengritjes së 1990,  liri, demokraci, dhe Shqipëri si gjithë Evropa. Kujtoje dhe nderoje rini postribase, kujtoje dhe nderoje rini shkodrane,  kujtoje dhe nderoje rini e Shqipërisë”, u shpreh Basha para qindra të pranishmëve në këtë aktivitet.

“Ne kujtojmë sot se kjo rrugë e këto të drejta, e drejta e fjalës e drejta e shprehjes së lirë, e drejta e besimit në Zot, në objektet tona të kultit pavarësisht besimit, myslimanë syni, bektashi, katolikë apo ortodoksë, e drejta më e çmuar e një demokracie, e drejta për të zgjedhur me votë të lirë e të patjetërsueshme, e drejta për të zgjedhur e vendosur me votë pushtetin, për të zgjedhur e larguar me votë pushtetin, janë sot nën kërcënimin më të madh nga pinjollët e atyre që i lyen duart me gjakun e kulluar të heronjve të Postribës, e që sot po mundohen hap pas hapi në aleancë me një tjetër krim, me krimin ordiner, me trafikantët me njerëzit e drogës dhe vrasjeve, të kthejnë Shqipërinë në një diktaturë hibride të një shteti dhe pushteti që godet liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të tij në aleancë me bandat më të rrezikshme në vend, në një aleancë që ushqen njëra-tjetrën, vidh popullin, bjeri popullit dhe paguaj me paratë e korrupsionit dhe të drogës bandat që mbajnë në këmbë pushtetin”, deklaroi Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike bëri thirrje për rininë shqiptare sot që nën shembullin e guximtarëve të Postribës, me frymëzimin e tyre, të mos lejojnë asnjë shtypje tjetër.

“Çohu rini e Shqipërisë, ju keni në genet tuaja fisnike mosmposhtjen nga diktatura e Enver Hoxhës, ju nuk mund të pranoni kurrë diktaturën e krimit, diktaturën e bandave, diktaturën e korrupsionit. Bashkë do ti largojmë e do të kthejmë amanetin e martirëve të Postribës për një Shqipëri të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri perëndimore që ecën krah për krah dhe e nuk i sfidon aleatët euroatlantikë, në aleancë me krimin siç bën Ilir Meta e Edi Rama. Çohu rini e Postribës me baballarë, me  të rinj me të reja, me Partinë Demokratike, t’i japim fund këtij regjimi të korruptuar e të hapim rrugën edhe një herë për Shqipërinë në Evropë”, tha Lulzim Basha.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 9 Shtator 2015

Read More
09 Sht
0

ODIHR konfirmon rënien e zgjedhjeve, bashkë me qytetarët do rikthejmë votën e lire

OSBE-ODIHR publikoi Raportin përfundimtar për zgjedhjet e 21 Qershorit, i cili me plot gojën mund të cilësohet si damka më e zezë që ka marrë një proces zgjedhor në Shqipëri që prej vitit 2003.

3 janë konkluzionet kryesore të Raportit.

E para, se me 21 Qershor, në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare. Standarti më themelor i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është liria e votës. Dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të këtij standardi themelor dhe kriteri të Kartës së Kopenhages, dokument themelor i të drejtave të njeriut. Raporti konkludon se, pikërisht liria e votuesve për të hedhur votën e tyre, të lirë e pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë, u dhunua.

Për këtë, raporti sjell prova të presionit dhe frikësimit të zgjedhësve nga qeveria, detyrimit për të marrë pjesë në aktivitete të qeverisë dhe për të votuar për kandidatët e qeverisë. Raporti nënvizon veçanërisht presionin dhe kontrollin mbi punonjës të administratës nëpërmjet kërcënimit për largimin nga puna dhe thekson frikën e tyre për t’u filmuar nga mediat në aktivitetet e subjekteve joqeveritare. Këtu është edhe konkluzioni i dytë kryesor i raportit: Zhbërja e standarteve themelore të zgjedhjeve si liria e votës, dhe standarteve të tjera, nuk erdhi për shkak të mungesës së legjislacionit, as thjesht prej mungesës së  vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të mos bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të kapur pushtetin me çdo çmim e me çdo mjet.

Konkluzioni i tretë i raportit i referohet dhunimit të një tjetër standardi themelor të zgjedhjeve të lira, po kështu kriter i Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti, zbulon mekanizmin me anë të të cilit, dyshja Rama-Meta dhunuan zgjedhjet për të kapur me çdo çmim pushtetin. Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën.

Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve.

Këto janë tri konkluzionet themelore të këtij raporti, por në çdo faqe dhe rresht  të tij, damka e zezë e zgjedhjeve të 21 Qershorit është e pranishme. Blerja e votës është tashmë e provuar nga ky raport i ODIHR. Eshtë hera e dytë pas 2013 për fat të keq, që blerja e votës shfaqet si problem. Raporti thekson shtrirjen masive të raportimeve për blerjen e votës që nxin standardin e zgjedhjeve, po mbi të gjitha dhunon lirinë e votës dhe dinjitetin e zgjedhësve.

Raporti konstaton votimin në grup dhe votimin për të tretë, që cënon lirinë dhe fshehtësinë e votës dhe të drejtën për të votuar drejtëpërdrejt. Këto janë parime bazë ndërkombëtare dhe kushtetuese. Janë vërejtur sekuenca firmash të hedhura me një dorë, gjë që konfirmon mbushjen e kutive. Këtë e kemi bërë publike dhe transmetuar me pamje, me figurë, si në rastin e qendrës së votimit në Pult, ku komisionerët e qeverisë dhunuan komisionerët e opozitës dhe mbushën kutitë.

Raporti thekson edhe raportimet për marrje të kartave te identitetit, çka pengon zgjedhësit të votojnë. PD ka denoncuar me filmime këtë fenomen, si në rastin e Kamzës, ku kandidati i qeverisë ishte i përfshirë në blerjen e së paku 70 kartave në një rast të vetëm.

Zgjedhësit u intimiduan nga prania e madhe dhe kërcënuese e përfaqësuesve të PS dhe LSI para qendrave te votimit, duke kontrolluar emrat e e zgjedhësve dhe identitetin e tyre.

Raporti nënvizon shkeljen e lirisë për të kandiduar në mënyrë të barabartë, duke theksuar shkeljen e standardit për të drejtën e kandidimit të lirë dhe barazinë e sufrazhit pasiv. Kjo është e paprecedentë që nga zgjedhjet 1997 – 2000.

Në raport  theksohet problematika e kandidaturave me të shkuar kriminale.

Raporti nënvizon numrin e madh të ankesave për dhunë ndaj aktivistëve të opozitës dhe incidente të dhunshme, por nënvizon numrin e pakët të ankesave formale dhe thekson mungesën e besimit se policia e politizuar dhe institucionet të politizuara, do të jepnin zgjidhje efektive për këto shkelje të lirisë së fushatës.

Pra një konstatim i paprecedent në dekadën e fundit, më shume se politizimi i administrates zgjedhore që është semundje e vjetër, është politizimi i institucioneve të tjera të shtetit nga dyshja Rama Meta. Kjo përfshin politizimin e procesit të hartimit të listave me pasoja në saktësinë e tyre, pasiviteti i policisë për të hetuar shkeljet e ligjit dhe presionit të ndaj aktivistëve dhe kandidatëve të opozitës.

Shkelje flagrante e standardit për ndarjen e shtetit nga politika, përmes abuzimit flagrant me burimet shtetërore në favor të kandidatëve qeveritarë. Dhe ajo që rëndon shkeljen është gjetja e raportit se; kjo është kryer nga figurat e larta të qeverisë, përfshirë dy drejtuesit e saj. Kur e shkelin drejtuesit, që nuk është rastësi apo teknikalitet, por është vullnet i hapur negativ në funksion të fitores me çdo kusht.

Kontroll mbi mediat nëpërmjet kontrollit dhe pazarit me interesat ekonomike të pronarëve të mediave. Raporti nënvizon përdorimin e tenderave dhe parave për reklama qeveritare si mjet për kontroll. Kjo ka çuar në ndërhyrje në autonominë editoriale, autocensure dhe kufizim të pluralizmit të qendrimeve mediatike.

Theksohet se partitë e qeverisë blenë më shumë se 80% të kohës së reklamave. Kjo tregon për financat gjigande të përdorura nga qeveria, por të padeklaruara. Vetem kandidati qeveritar për Tiranën harxhoi miliona euro për spote publicitare.

Raporti thekson cenimin dhe dhunimin e lirisë së fjalës nëpërmjet kërcënimit dhe përdorimit të akuzave penale për shpifje dhe fyerje. Raporti i quan këto, cenim të parimeve ndërkombëtare dhe rekomandon që shpifja dhe fyerja të mos jenë më vepër penale, ndryshe nga deklarimet e Kryeministrit. Raporti ilustron këtë shkelje me denimin penal për dy deputetë, figura drejtuese të opozites dhe aktivistes në Gjirokastër. Kur denohen dy deputetë, qytetarët dhe gazetarët nuk kanë asnjë shans.

Raportet e mëparshme kanë theksuar progresin e bërë në lidhje me listat e zgjedhësve. Ky raport, thekson shkeljet dhe mangësitë e qëllimshme veçanërisht në lidhje me regjistrimin e paligjshem përmes transferimit të vendbanimit. ODIHR ka kritika dhe për prokurorinë që nuk ka hetuar me shpejtesi para zgjedhjeve këto shkelje dhe kërkon që këto raste të hetohen në të ardhmen.

Vora është theksuar si rast kompleks i dhunës, presionit dhe intimidimit nga qeveria ndaj kandidatit të opozites dhe zgjedhesve.

Ajo që perkeqëson standardin është njëanshmeri politike e vendimmarrjes së KQZ. Askush nuk ka ekuivok se kjo njëanshmëri ishte kundër dhe në dëm të PD, opozitës dhe koalicionit opozitar dhe çdo subjekti tjetër që nuk ishte në koalicion me qeverinë

Kjo u pa nga standardi i dysfishtë në vendimmarrje në favor të qeverisë dhe zbatimi selektiv i ligjit nga qeveria dhe KQZ. Por në thelb të këtyre konstatimeve, mekanizmi i shkatërrimit dhe dhunimit  të standardeve zgjedhore, është fakti se u pengua një garë reale alternativash, një garë programesh mes partive politike.

Pra jo garë mes partive, por shteti kundër qytetarëve.

Por cili shtet?

Ai që e kemi parë vetë me sytë tanë; shteti i dyshes Rama-Meta që kandidoi zyrtarisht si përfaqësues të saj njerëz të botës së krimit, vrasës, trafikantë droge, prostitucioni, pengmarrës, për kryetarë bashkie dhe këshilltarë, pasi bllokoi marreveshjen për dekriminalizimin dhe injoroi me cinizëm të gjitha perpjekjet e mëdha, që partneret tanë ndërkombëtarë bënë për të ndihmuar që qytetaret  të mos votojne për kriminele.

Dyshja Rama-Meta rekrutoi bandat e i vërsuli me tërbim para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve, me mbështetjen dhe nën mbrojtjen e Policisë.

Dyshja Rama-Meta bleu masivisht votat me paratë e drogës, krimit dhe korrupsionit.

Dyshja Rama-Meta që mbajti peng kartat e identitetit të votuesve.

Dyshja Rama-Meta dha tendera miliarda lekësh për të blerë vota e dorovitur para për klientët përpara zgjedhjeve. Dyshja Rama-Meta që vuri çdo aset publik në dispozicion të kandidatëve të qeverisë, deri tek çertifikatat e pronësisë e dha miliona euro për reklama.

Dyshja Rama-Meta urdhëroi me zë drejtorët të mbushnin kutitë e votimit.

Dyshja Rama-Meta importoi kundra ligjit, votues e i mbushi listat sipas interesave.

Dyshja Rama-Meta vuri në dispozicion si ansjëherë më parë infrastrukturën  shtetërore, policinë madje dhe ushtrinë në funskion të kapjes dhe shkatërrimit të zgjedhjeve.

Dyshja Rama-Meta u soll si bandë, dhe aty ku nuk bënte punë paraja e presioni, fuste bandat e armatosura, duke kërcënuar me jetë qytetarët dhe aktivistët e  përfaqësuesit e opozitës.

Kriminelët më në zë të vendit u rreshtuan në krah të qeverisë në zgjedhjet e 21 Qershorit.

Trafikantët më të njohur të drogës si Elvis Roshi dhe Artur Bushi u kandiduan drejtpërdrejt për kryetar bashkie nga Edi Rama.

Pra ata që duhej të ishte garant në garën mes partive e alternativave, janë një shtet i inkriminuar i ndërsyer me egërsi ndaj qytetarëve, për të marrë me çdo kusht votat, për të fituar me çdo kusht Bashkitë.

Me çdo kusht Bashkitë, për të marrë më shumë pushtet, më shumë korrupsion, më shumë pasuri për vete dhe për bandat.

Ky është refreni i poshtërimit të qytetarëve, i shkatërrimit të zgjedhjeve, i zgjedhjeve fasadë, ku rezultatin u vendos nga kërcënimet, shitblerja masive e votës, mbushja e kutive, dhuna e  pushtetit dhe  bandave kriminale të lidhura me të. Edi Rama dhe Ilir Meta janë sot publikisht nën akuzë se e kanë kthyer vendin pas në ditët më të errëta, pa zgjedhje, pa votë të lirë të sovranit.

Përballë kësaj makinerie të inkriminuar, Partia Demokratike është e vendosur të qëndrojë me çdo forcë e çdo mjet. Ne, bashkë me qytetarët e vendit; e kemi të qartë rrugën tonë;

Pa rikthimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, nuk ka zhvillim të vendit, vendi nuk do të mund të ecë përpara, ekonomia nuk do të mund të ringrihet.

Beteja për zgjedhjet do të bëhet deri në fund dhe çdokush që ka prekur votën e qytetarit do të mbajë përgjegjësi.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 9 Shtator 2015

 

Read More
08 Sht
0

Fakte të reja për rryshfetin miliona eurosh të Ilir Metës. Të japë dorëheqjen, prokuroria të nisë hetimin

Fakte të reja janë publikuar sot për korrupsionin dhe skemën e mashtrimit me miliona euro në CEZ. 

Agjensia BIRN ka bërë sot publike dëshminë e plotë të ish drejtorit të CEZ, Hajsek, i cili u ka deklaruar avokatëve të qeverisë shqiptare se DIA, firma e Kastriot Ismailajt, iu imponua kompanisë çeke, nga Ilir Meta.
Drejtori çek ka dëshmuar për lidhjen e fortë të Ismailajt me kryetarin e parlamentit.
Rryshfeti me miliona euro për të cilin akuzohet Ilir Meta shihet nga avokatët e qeverisë shqiptare si provë kyçe në procesin e arbitrazhit që po mbahet në Vjenë.
Ata e konsiderojnë këtë rast si një nga skemat më të mëdha të mashtrimit dhe korrupsionit të vendit tonë.
Pikërisht për këto afera skandaloze, qeveria e kryeministrit Berisha i dërgoi për ndjekje penale Kastriot Ismailajn dhe CEZ-in.
Nga ana tjetër Edi Rama dhe Ilir Meta me ardhjen e tyre në pushtet jo vetëm i falën apo ndanë me CEZ 600 milionë euro borxhe të njohura nga CEZ, por ata me një akt mafioz e të kundraligjshëm nënshkruan për të ndërprerë hetimet dhe ndjekjen penale për aferën e korrupsionit të CEZ me Kastriot Ismailaj.
Ndërsa Petrit Ahmeti, i identifikuar nga Hajsek si negociatori për kontratën e Kastriot Ismailajt ka rilindur dhe sot është kreu i ERE, me propozim të Ilir Metës.
Sipas dëshmisë së publikuar sot Ilir Meta rezulton drejtpërdrejt i përfshirë në këtë skemë korrupsioni me miliona euro, si lobues që kompania DIA e mikut të tij Ismailaj, të përfitonte shumat e mëdha nga kompania CEZ.
Dëshmia e ish drejtorit çek Hajsek është dokument zyrtar i avokatëve të qeverisë Rama në gjyqin e arbitrazhit, dhe ata kanë paraqitur gjithashtu një raport ku shkruhet se paratë që përfitoi me mashtrim Kastriot Ismailaj u përdorën për rryshfete ku përfitoi ish-kryeministri Ilir Meta.
Këto janë faktet e dala në publik.
Ilir Meta është nën akuzë për marrje rryshfeti.
Ai duhet të japë dorëheqjen e të shkojë para drejtësisë.
Partia Demokratike i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm të nisë pa vonesë hetimin, për atë që vetë avokatët e qeverisë Rama e cilësojnë si skema më e madhe e mashtrimit dhe e korrupsionit në Shqipëri.


Deklaratë për shtyp e deputetit së PD, Luçiano Boçi, 8 Shtator 2015

Read More
07 Sht
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri për akuzat tronditëse ndaj tij, përsa kohë si Ministër i Brendshëm e ndan pushtetin me bandat e drogës.

Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër i Brendshëm është në ortakëri me Habilajt e Shullazët.

Nuk mund dhe nuk do të hetohet dot Saimir Tahiri, përsa kohë si Ministër e Brendshëm therret në zyrë Prokurorin e Përgjithshëm dhe autoritete të tjera të hetimit.

Vetëm largimi i tij nga detyra dhe asistenca e ekspertëve të kualifikuar auroatlantikë, sigurojnë kushtet për një hetim të plotë dhe objektiv.

Akuzat janë më të rëndat për një ministër të brendshëm dhe provat e faktet e lidhjes së tij me bandat e trafikut të drogës janë bërë publike.

Mjetet e tij private, makina dhe skafi janë përdorur nga bandat e trafikut të drogës, dhe këta trafikantë kanë imunitet, policia nuk i ndalon, ata lëvizin lirshëm dhe ushtrojnë lirshëm aktivitetin kriminal.

Prova dhe fakte për këto akuza tronditëse, e sërish Tahiri nuk mban përgjegjësi, madje dhe mashtron, si sot në parlament kur tha për avionin tjetër me drogë të nisur nga Shqipëria që u kap në vendin fqinj, se mjeti po lëvizte brenda për brenda Italisë. Por policia italiane e përgenjështroi duke konfirmuar se avioni ishte ngarkuar dhe ishte nisur nga Shqipëria. I diskredituar publikisht, nën akuzë për drejtimin e trafikut të drogës, ai ka guximin të shkojë në Prokurori, për të kërkuar çertifikatë virgjërie. Nuk ka gomone shpëtimi për këtë ministër të zhytur në trafikun e drogës.

Duhet të largohet nga detyra menjëherë, e të bëhet subjekt i drejtësisë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Shtator 2015

Read More
07 Sht
0

Krimi në pushtet sjell vetëm krim, varfëri, e mjerim

Në ndryshim nga arsyet që paraqet raporti i Komisionit të Mandateve për votimin që sapo bëmë për heqjen e imunitetit Prenga, ne e votuam jo vetëm për faktin që u përfshi në këtë krim para 24 orësh por e votojmë për faktin që është një hap më përpara aksidental në procesin e dekriminalizimit të këtij parlamenti dhe strukturave shtetërore që janë ngërthyer në pushtetin e krimit. Eshtë ai shqetësimi jonë i cili pak më pare, në këto pak muaj që kryeministri që qeveris, kryetar i kësaj bande që sot ka ngërthyer vendin, e quante dhunë verbale. Sot për të disatën herë në letrat e Prokurorisë, kjo nuk është dhunë verbale por shkelje e Kodit Penal dhe vepër e rëndë penale. Albumi fotografik i deputetëve me pranga në duar, të shoqëruar me makinë policie që hyjnë e dalin në derën e paralementit, do të jetë shenja e vetme e kësaj legjislature, e triumfit të 1 milionë votave të Edi Ramës  dhe Ilir Metës. Ky parlament dhe legjislaturë është për tu harruar nëse ne sot nuk japim përgjigjen e duhur sepse nesër do të jetë vonë. Kauza e vetme e kësaj shoqërie është dekriminalizimi. Nuk është thjeshtë kauza e opozitës. Dekriminalizimi është tashmë në çdo shtëpi shqiptare dhe i ka kaluar limitet e konfliktit politik dhe tifozllëkut politik. Pse?! Krimi me pushtet asgjeson shtetin, mbyt ekonominë dhe shoqërinë. Pyetje që kemi të gjithë është se kur do të ngopen njëherë. A do të mjaftohen me këto para që po vjedhin?!

Të nderuar qytetarë. Bandat kushtojnë, dhe nuk ngopen kurrë. Të mbash pushtetin me banda është një punë e madhe dhe një biznes i madh dhe shpenzim i madh gjithashtu. Për këtë arsye u duhen lagunat ku ti nuk mund të peshkosh. U duhen hidrocentralet e madje edhe ilaçet tuaja. U mashtrojnë dhe u vjedhin miliona me një dorë. U duhej korrupsioni në CEZ me miliona euro ndërkohë që ti nuk ke të paguash ato që ke harxhuar dhe fatura të vjen shumë herë më tepër nga ajo që ke harxhuar. Ju duhen ato miliona ndaj dhe nuk po u rriten pensionet dhe po ashtu edhe rrogat. Përkundrazi, ulen dhe ska punësim. Taksat po kapin qiellin. Këto janë milionat që duhet ti kishit ju për të ushqyer fëmijët. Për pushimet, të rregullosh shtëpinë apo për të mos u shqetësuar për të paguar letrat e makinës. Pak më pare, para se të vija këtu në këtë sallë, së bashku me kolegë të tjerë na ndaluan një grup qytetarësh në oborrin e Partisë Demokratike. Ishin të gjithë përfitues të ndihmës ekonomike të invalititetit dhe kanë javë të tëra që nuk e marrin. Gra që dridheshin dhe thonin që kemi hyrë në borxh se kemi bukën e fëmijës autik në gradën më të thellë. Nuk ka përgjigje për këto. Përgjigje janë reformat dhe se do të vijë era shtet. Kjo është era që i vjen këtij shteti.

Secili prej jush të nderuar qytetarë duhet të pyesni veten se pse kur shikoni policin në rrugë që mban era shtet tashmë, vrapit ia fut shitësi ambulant i cigareve, ai fëmija i vogël apo ai burri që mban familjen me bukë në mes të diellit dhe shiut dhe jo shpërndarësi i drogës në gjimnaze apo diskoteka. Pse ia fut vrapit ai fshatari që mbjell duhan dhe jo ai trafikanti që mbush faqen e malit me kanabis. Polici detyrohet të kthejë kokën të mos shikojë atë faqen e malit por tek disa parcela të tjera të cilat nuk kanë paguar haraçin tek policia e qeveria. Pse duhet të dridhet biznesi i vogël duke pritur orë të tëra nëse e mori kasën apo jo, sepse në këtë shtet nuk shitet më asnjë çimçakiz pa faturë tatimore sepse do bëjmë shtet, ndërkohë avionët e drogës e kanë bërë Adriatikun si linjën Tiranë-Manëz, plot me drogë. Këto para duhet ti kishe ti qytetar por si ke sepse ky shtet është kriminalizuar në rrënjë deri në placë. Kjo që shikoni sot është vetëm maja e ajsbergut sepse kjo është aksidentale. Eshtë ajo që kemi dy vite që e denoncojmë, është ajo që dy vite rresht kryeministri thotë se është dhunë verbale, është ajo që deputetë të maxhorancës, që me urdhër të kryeministrit, pyesin se kush janë këta se nuk i njohim. Por ti qytetar i njeh shumë mirë sot, as media nuk i fsheh më. Ky nuk është shtet i nderuar qytetar, është regjim. Jo çdo autoritet quhet shtet dhe aq më tepër oksidental. Regjimet që të jetojnë mirë nuk kanë nevojë për konsensusin tonë dhe ju mjafton të mpijnë reagimin qytetar dhe me këtë shkojnë gjatë dhe 46 vite të tjera. Për këtë u duhet ajo media e pavarur, propaganda e tyre që të mpijnë sensin dhe reagimin tend, dhe pjesë të rëndësishme të pavare që të mungojnë i marrin ata. Ka dy vjet që nuk ankohen më për para.

I nderuar qytetar, ka ardhur koha që kjo të jetë edhe kauza jote dhe jo vetëm në kafe apo duke psherëtirë me miq shokë, por ka ardhur koha që të jetë kauza jote në rrugë e të bësh mrekullinë si në 90-tën. Atëherë u bë mrekullia se kauza ishte e të gjithëve ne dhe jo vetëm e atyre që kishin vuajtur padrejtësitë e komunizmit. Njeriun nga kafsha e dallon dinjiteti dhe për këtë duhet të jemi gati e të ngrihemi në këmbë për ti treguar cilitdo që tenton të provokojë këtë shoqëri në dinjitet, tek buka e fëmijëve. Nëse vonojmë do e paguajmë edhe më shtrenjtë sepse një ditë do të ngrihemi. Sa më vonë aq më keq. Banda është Edi rama dhe ai duhet çmontuar.

Faleminderit!


Fjala në kuvend e deputetit të PD, Gent Strazimiri, 7 Shtator 2015

Read More