Blog

28 Gus
0

Panorama online dhe Balkanweb: Paaftësi dhe servilizëm qeveritar

Me një zell të tepruar dhe jashtë çdo kriteri profesional, Panorama online dhe Balkanweb sulmuan sot me një shkrim anonim Partinë Demokratike duke u përpjekur të mbrojnë qeverinë me një mashtrim diletant.

Partia Demokratike denoncoi sot faktin se qeveria ende nuk ka publikuar të dhënat zyrtare për financat e muajit Korrik. Qeveria nuk reagoi sepse ajo i fsheh të dhënat.

Ndërsa në vend të qeverisë reagoi Panorama.al dhe Balkanweb duke pretenduar se ministria e Financave i paska nxjerre këto të dhëna.

Në fakt linku qe servir Panorama.al dhe balkanweb, janë të dhënat paraprake, jo përfundimtare.

Partia Demokratike i referohet këtyre të dhënave paraprake në deklaratën e sotme për shtyp. Shqetësimi ynë është përse qeveria nuk respekton ligjin për të publikuar të dhënat përfundimtare zyrtare, gjë që duhej ta kishte bërë deri me 20 Gusht.

Ky raportim përbehet nga 29 faqe me informacion të detajuar mbi shpenzimet, trendet historike, të ardhurat sipas zërave dhe institucioneve që mbledhin të ardhurat, mallrat e aksizës, etj. Afati ligjor i publikimit të këtij raportimi është data 20 e muajit pasardhës, pra të dhënat e korrikut që duhej të publikoheshin në 20 Gusht nuk janë publikuar ende.

Ndërkohë, materiali i publikuar nga ministria e Financave (që quhet treguesit fiskal sipas buxhetit të konsoliduar) është vetëm një tabelë paraprake, e cila përmban informacion jo të detajuar nga i cili opozita dhe publiku nuk arrin të informohen mbi çështje të rëndësishme si psh sesa të ardhura janë mbledhur nga tatimet apo nga doganat veç e veç, apo të shohë sesa karburant apo cigarë janë importuar, etj.

Shkruesi anonim i referohet infos te publikuar në: http://www.financa.gov.al/files/userfiles/Thesari/Treguesit_Fiskal_sipas_Buxhetit_te_Konsoliduar/2015/7m_fiskale_Publikim2.pdf

Partia Demokratike i referohet pikërisht kësaj tabele në deklaratën e sotme. Por denoncon faktin se të dhënat zyrtare përfundimtare mbahen ende të fshehura nga qeveria edhe pse ka kaluar afati ligjor që është data 20 e muajit pasardhës,, pra 20 Gushti.

Opozita kërkon raportimin që duhej të publikohej në: http://www.financa.gov.al/al/raportime/programimi-ekonomiko-fiskal/raporte-dhe-statistika-fiskale-mujore/statistika-fiskale-mujore

Partia Demokratike shpreh keqardhjen për këtë sulm ndaj opozitës bazuar mbi një mashtrim që në fakt nuk mjafton as për të mbrojtur qeverinë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Gusht 2015

Read More
28 Gus
0

Qeveria fsheh të dhënat e korrikut, mbulon korrupsionin në financa me propagandë

Qeveria vazhdon të fshehë të dhënat zyrtare për financat e muajit korrik, edhe pse zyrtarisht duhej të ishin publikuar me 20 gusht.

Informacionet paraprake tregojnë se muaji korrik është sërish një gërshetim i dështimit me korrupsion dhe të ardhurat nga doganat dhe tatimet janë shumë më poshtë se sa plani.

Mungesa e transparencës në këtë drejtim, është thjesht thellim i abuzimit dhe mbulim i hajdutërisë masive në tatime e dogana.

Kërkojnë ta fshehin këtë gropë financiare që u kushton qytetarëve, me aksione propagandistike, por në fund janë shifrat që vlejnë dhe jo llafet.

Muaji korrik është sërish dramatik në mbledhjen e të ardhurave, ku mungojnë para në buxhet për rrugë e shkolla, për çerdhe e kopshte, për rritje pagash e pensionesh. Por ky muaj është nga ana tjetër një parajsë për kontrabandistët dhe klientelën e qeverisë, që shmangin detyrimet, ndajnë paratë me zyrtarët duke shtuar pasurinë dhe luksin.

Partia Demokratike e denonon me forcë këtë mungesë transparence, këtë përpjekje të dëshpëruar për të mbuluar korrupsionin dhe dështimin.

Partia Demokratike ka një plan për shpëtimin e vendit, që konsiston në uljen e taksave, barazinë para ligjit, luftën ndaj korrupsionit dhe transparencën e plotë të financave të vendit.


Deklaratë për shtyp e këshilltarit të Grupit Parlamentar të PD për financat, Dorian Teliti, 28 Gusht 2015

Read More
28 Gus
0

Mjerimi i fshatrave të Kukësit, të rinjtë kanë braktisur familjet

Deputeti i Kukësit, Flamur Noka dhe kryetari i Bashkisë, Bashkim Shehu, u takuan me banorë të fshatrave të zonës së Shishtavecit të cilët kanë përjetuar një eksod masiv të familjarëve të tyre. Banorët u ankuan për kushtet e vështira të jetesës që i kanë detyruar të rinjtë të largohen duke lënë në shtëpi vetëm të moshuarit.

“Nuk kemi punë për fëmijët por as siguri për vete. Mbyllim 2 dyer me çelës që të ndihemi të sigurtë. S’ka siguri këtu dhe as bukë, ndaj kemi mbetur vetëm dy pleq dhe kanë ikur fëmijët. Ka ikur i gjithë katundi. Siç e marrim pension 105 mijë lekë e shpenzojmë. Vetëm dritat 35 mijë lekë. I ndjek lajmet dhe po shoh që po gënjen popullin e shkretë. Njerëzit këtu mbledhin ca lule ti shesin dhe pak patate se s’ka kush ti punojë arat. U kemi thënë fëmijëve vetë, ikni prej këtu se nuk rrihet”, u shpreh një çift të moshuarit.

“Më kanë ikur dy djem dhe një vajzë sepse ishim me një pension. Nuk ngopeshim me bukë. Nusja me gjithë fëmijët ikën. Jam 86 vjeç dhe jetoj vetëm me bukë. Nuk ta merr mendja hiç. Nuk mbjellin njerëzit patate se nuk ka kush ti punojë”, tha një i moshuar tjetër.

Ndërkohë, ata pak banorë që kanë mbetur nuk punojnë tokën për shkak se prodhimet nuk u shiten.

“Ato pak që mbjellim nuk na shiten. Na janë kalbur dhe ua hedhim lopëve. Djemtë kanë ikur në emigrim. S’ka jetesë dhe krejt rinia ka ikur jashtë. Kemi mbetur vetëm pleq. Djalin me nusen dhe fëmijën 8 muajsh e kam qitur vetë prej dere të ikin prej këtu”, tha një e moshuar.

Pronarja e dyqanit në fshatin Novesej u shpreh se banorët marrin ushqime me listë dhe ajo vetëm shtohet. “Marrin ushqime me listë dhe lista është bërë shumë e gjatë. Ja ku e kam listën dhe marrin vetëm ushqime, vaj, oriz, sheqer e makarona. Presim ti sjellin lekët”, tha shitësja  e dyqanit që tregoi listën e ushqimeve të marra borxh.

Deputeti Noka u shpreh se ky është realiteti në fshatrat e Kukësit, kret ndryshe nga sa propagandon Edi Rama dhe ministri i tij i Brendshëm. Sipas Nokës, rreth 7 mijë banorë të Kukësit, kryesisht të rinj, janë larguar për një jetë më të mirë pasi nuk kanë asnjë shpresë nën këtë qeveri. Noka tha se ata largohen kryesisht nëpërmjet Shkupit dhe Prishtinës për shkak të kostove më të lira.

“Siç e shikoni, gjendja dhe realiteti këtu në fshatrat e Kukësit është krejt ndryshe nga sa e reklamon qeveria. Këtu njerëzit janë të pashpresë. I dëgjuat vetë banorët se çfarë thanë dhe çfarë kushtesh kanë. Ky është një realitet i dhimbshëm dhe si pasojë e këtij realiteti dhe pasigurie, papunësisë e varfërisë, e skamjes dhe mjerimit, dhe çka është më e dhimbshmja si pasojë e humbjes së shpresës nga të rinjtë e këtyre zonave dhe banorëve, kuksianët janë të detyruar të braktisin pleqtë, familjet dhe të marrin rrugët e kurbetit. Shteti nuk u ka ofruar asgjë. Edhe ato dy prodhime që bëjnë nuk kanë pasur mundësi ti shesin. As mundësi punësimi, as përkrahje nga shteti, dhe janë në mes të katër rrugëve. Të braktisur e të harruar. Dhe dhimbje kanë marrë rrugët e kurbetit.

Në rast se Edi Rama dhe ministri i tij Tahiri, këto zona e fshatra i quajnë Greqi dhe banorët që kanë ikur prej këtu që janë rreth 7 mijë kuksianë, mendojnë se janë banorë që kanë ikur nga Greqia, atëhëre ky është realiteti mashtrues i tyre. Realiteti që jetojnë kuksianët është ky që po themi. E vërteta është se 7 mijë banorë të pashpresë, të mjeruar, pa asnjë dritë jeshile për një të ardhme jaën detyruar të marrin rrugët. Në rast se TIMS-i i tyre rezulton ndryshe është çështje e tyre sepse e kanë falsifikuar. Banorët e këtyre zonave nuk janë banorë që numërohen në avionët që nisen nga Rinasi pasi këta banorë kanë zgjedhur rrugën  më të lirë e të shpejtë nga Prishtina e Shkupi, për shkak të kostos dhe distancës më të afërt për tu larguar nga ky vend. Ky është realiteti”, deklaroi deputeti Flamur Noka.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 28 Gusht 2015

Read More
27 Gus
0

Asnjë shpjegim për shefin e policisë në trafikun e drogës, heshtja implikon Tahirin

Qeveria dhe Ministri i Brendshëm vazhdon të fshihet dhe nuk jep asnjë shpjegim pas zbulimit që i bënë autoritetet italiane rrjetit të trafikut të drogës me avionë, dhe pas zbulimit se në krye të kësaj skeme mafioze ishte shefi i tij i Policisë në Vlorë.

Qytetarët dhe opinion publik kërkojnë të dinë se ku e gjeti mbështetjen shefi i personelit të Policsë së Vlorës për të nisur avionë me drogë drejt Italisë?

Me kë i ndante ai paratë e këtij biznesi kriminal?

Cili deputet apo ministër siguronte paprekshmëri dhe garantonte këtë linjë trafiku të drogës?

Si u rikthye në Policinë e Shtetit në këtë post kyç, i përjashtuari nga policia për shkak të lidhjeve me bandat?

Kjo është një ngjarje tronditëse që tregon se sa pushtet ka fituar krimi në këtë vend dhe sa shumë i lidhur është me qeverinë.

Pa ndërhyrjen e autoriteteve italiane, trafiku do të vazhdonte. Avionët me drogë do të fluturonin të qetë, dhe paratë do të ndaheshin e pasuritë e zyrtarëve do të shtoheshin.

Ministri i Brendshëm është nën akuzë për këtë ngjarje dhe heshtja e tij vetëm sa e implikon më shumë.

Bën propagandë me ca rrënjë kanabis, ndërkohë që lejon trafikun me avion të tonetalave bimë narkotike.

Situata është kritike dhe ortakëria me krimin ka kapur majat. Vetëm një reagim mbarëpopullor do ta pastrojë politikën dhe qeverisjen nga krimi e droga.


Deklaratë për shtyp e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, 27 Gusht 2015

Read More
26 Gus
0

Shembja e kishës akt vandal i qeverisë për të larguar vëmëndjen nga kriza ekonomike e trafiku i drogës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani i shoqëruar edhe nga deputeti Aldo Bumçi, bashkëbiseduan me banorët e Dhërmiut për prishjen e Kishës së fshatit të tyre nga autoritet qeveritare. Ristani e vlerësoi prishjen e Kishës si një akt arbitrar që kthen vendin në kohërat më të errëta të diktaturës, por edhe një akt për hequr vemendjen e qytetarëve nga problemet e mëdha të vendit si trafiku i drogës apo situata e rëndë ekonomike.

“Pa gdhirë, sot në mëngjes, në errësirë të plotë, Rama dhe Kokëdhima shembën Kishën e Shën Thanasit. Një veprim monstruoz, një veprim me precedent vetëm në kohërat më të errëta të dikaturës komuniste, një veprim që i vë minat bashkëjetesës ndërfetare, një tradite shumë të mirë të shoqërisë shqiptare. Një veprim që na kthen pas në kohë. Një veprim i bazuar mbi diktatin, mbi dhunën, mbi arbitraritetin. Kanë terrorizuar banorët e zonës. Ne takuam disa prej tyre dhe të them të drejtën ishin të frikësuar sepse ndërkohë pasi kanë shembur kishën fadromat kanë vajtur të shembin edhe pasuritë e tyre. Një diktat i tillë shtrembëron pa masë të gjithë konceptin e demokracisë dhe lirisë ku jetojmë. Megjithatë më duhet të theksoj që po sot kishim një avion droge, që siç e dini ishte ngarkuar për të transportuar nga Shqipëria, dhe duket qartë që veprime të tilla bëhen për të shkëputur vemendjen e publikut nga rënia në pikiatë e ekonomisë, nga problemet e mëdha të drogës, nga problemet e mëdha të korrupsionit, nga krimi që po lulëzon në këtë vend dhe thellohet më tepër duke i fryrë një konflikti fetar dhe një situate që është e papëlqyeshme për të gjithë ne”, tha Ristani.

Deputeti Bumçi tha se prishja e kësaj kishe ishte një lajm i keq që vendi s’mund ta ketë pas historisë së trishtë në kohën e diktaturës. Bumçi shtoi se qeveria duhet të kishte ndjekur një rrugë tjetër dhe jo këtë sjellje primitive.

“Mbas asaj historie të tmerrshme të shkatërrimit të kishave dhe xhamive, të përsekutimit të klerit, Shqipëria nuk duhet të prodhonte më lajme të prishjes së objekteve të kultit. Eshtë e paimagjinueshme pas 25 vitesh. E dyta, ne duhet të respektojmë të gjithë trashëgiminë tonë historike dhe kulturore dhe këtu në Dhërmi. Jemi të vonuar në hapjen e përmendoreve në hapjen e shkollave shqipe para 400 vitesh si këtu në breg, në Kurbin apo në Lezhë. Por asgjë nuk e përligj këtë sjellje barbare e primitive. Nuk mund të vijë më shteti e të prishë objekte kulti. Ka 1 mijë mënyra për të komunikuar me komunitetet fetare, për të nderuar historinë dhe njerëzit që kanë kontribuar në identitetin kombëtar shqiptar. Por jo në këtë mënyrë”, u shpreh Bumçi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 Gusht 2015

Read More
26 Gus
0

Inkriminimi i Policisë dhe i Shtetit, rekord i zi i dyshes Rama-Meta

Falë autoriteteve italiane u ndërpre një tjetër pistë kriminale e trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali, përmes avionëve të vegjël.

Ju kujtohet besoj se këta avionë me ardhjen e Edi Ramës dhe Ilir Metës në pushtet, e pushtuan qiellin shqiptar, dhe ne së bashku me qytetarët dëshmitarë okularë të këtyre avionëve, denoncuam këtë skemë mafioze që bëhej nga krimi me lejen e qeverisë dhe në bashkëpunim me të.

Përgjigja e Edi Ramës dhe Ilir Metës ishte sulmi ndaj Partisë Demokratike, dhe u tallën me shqiptarët duke i quajtur këta avionë, mushkonja. Por Riformato ra në Divjakë. Ra avioni me drogë, por nuk ranë lidhjet e krimit me qeverinë Rama-Meta. Avioni tjetër u zbulua nga autoritetet italiane që kanë hetuar prej një viti dhe kanë sjellë informacionin në rrugë zyrtare përmes Prokurorisë së Krimeve të Rënda duke mos i lënë asnjë shteg tjetër policisë dhe qeverisë shqiptare përveç zbatimit, sepse nuk kishin nga tia mbanin.

Me avionin sot, u zbulua edhe një rast tjetër i krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim. Në krye të bandës së trafikut qëndronte vetë shefi i burimeve njerëzore të Policisë së Vlorës Vladimir Zanaj, i shkarkuar në vitin 2007 nga Policia e Shtetit pikërisht prej dyshimeve për përfshirje me bandat kriminale, por i punësuar me rilindjen në tetor të vitit 2013.

Prapa Vladimir Zanajt, qëndrojnë të tjerë zyrtarë të lartë të policisë së Shtetit e pushtetarëve.

Ky është një tjetër fakt dhe dëshmi tronditësë e ortakërisë së qeverisë Rama-Meta me krimin.

Po qeveria çfarë bën ndërkohë?

Eshtë në luftë me qytetarët.

Eshtë në luftë me të pamundurit.

Eshtë në luftë me besimtarët.

Eshtë në luftë me azilantët e dëshpëruar.

Eshtë në luftë me biznesin.

Eshtë në luftë me pjesën më të madhe të shoqërisë të cilës ia ka bërë jetën të pamundur nga kriza ekonomike, varfëria, taksat dhe çmimet e rritura, papunësia, korrupsioni dhe ortakëria me krimin.

Kjo qeveri, Edi Rama dhe Ilir Meta, janë ndërkohë në paqe me bandat.

Janë në paqe dhe në bashkëpunim me kontrabandistët.

Janë në paqe dhe në bashkëpunim me të inkriminuarit që i kanë sjellë në pushtet e në poste kyçe.

Janë në paqe dhe në bashkëpunim me klientelën e tyre të korruptuar.

Në paqe me përfituesit, abuzuesit, zhvatësit e parave publike.

Gjendja është kritike.

Qytetarët, shqiptarët, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë e këtij vendi nuk mund të mbajnë më në kurriz një qeveri që ju ka shpallur luftë.

Partia Demokratike dhe unë, jemi në krye të thirrjes për ta ndalur qeverisjen e krizës, qeverisjen e krimit dhe korrupsionit.

Ne kemi një plan për shpëtimin e vendit dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do t’ia dalim.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 26 Gusht 2015

 

Read More
26 Gus
0

Deklaratë e Partisë Demokratike

Partia Demokratike në mbështetje të dialogut Kosovë – Serbi, përshëndet nënshkrimin e marrëveshjeve në sektorin e energjisë, telekomunikacionit, dhe çlirimin e lëvizjes në urën e Mitrovicës.

Partia Demokratike beson se këto marrëveshje dhe zbatimi i tyre do të kontribuojnë në normalizimin e marrdhënieve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në përmirësimin e jetës së qytetarëve të tyre dhe në klimën e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit. Partia Demokratike, nxit, mbështet vijimin e këtij procesi të dialogut dhe bashkëpunimit në Ballkan si rruga e sigurtë për realizimin e aspiratës sonë të përbashket të integrimit në BE.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 gusht 2015

Read More
25 Gus
0

Eksodi, Rama e mohon dhe akuzon qeverinë e Merkelit

Ka disa muaj që një nga plagët më të mëdha të shoqërisë shqiptare, një eksod i frikshëm i shqiptarëve, të rinj e të vjeter, me dhe pa fëmijë, gati në përmasat e viteve ’90, ka prekur rëndë jo vetëm Shqipërinë por gjithë Europën!

Pas shumë vitesh, Shqipëria sot rikthehet dhimbshëm në faqet e gazetave botërore dhe në tryezat e diskutimit të qeverive europiane me një eksod të frikshëm të shqiptarëve, cili është një mesazh i qartë për qeverinë, për pushtetarët dhe për çdokënd që po e çon Shqipërinë në këtë gjendje të mjerueshme!

Gazeta e njohur gjermane FAZ thotë qartazi se shqiptarët ikin nga përfshirja e kriminelëve në qeverisje, rritja e frikshme e papunësinë, nga rritja e taksave, nga terrori policor dhe politik që i bëhet çdo familje e çdo shqiptari, në emër të ngritjes së një shteti që në fakt po bën qindra mijëra qytetare të tij të ikin çdo ditë pa kthyer kokën pas, njësoj si emigrantet e luftës, më të shumtë në numër se emigrantët nga Siria!

Ndërsa këtu, askush nuk mban përgjegjësi për këtë mesazh të qartë që qytetarët po japin, askush, asnjë qeveritar e as me pak Kryeministri nuk po merr seriozisht këtë gjendje të jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Shqipëria!

Në vend që të ulen e të punojnë për të krijuar vende pune, të punojnë me seriozitetin që i takon një qeverie, duke mos terrorizuar njerezit e thjeshtë në emër të një lufte ndaj krimit që në fakt po lulëzon çdo ditë e më shumë, por duke marrë seriozisht faktin që me politika taksash të frikshme, që rëndojnë çdo xhep, me presion e me shtypje, me gafa e më këtë rënie ekonomik, Shqipëria nuk ecën dot përpara!

Sot ministri i Brendshëm Tahiri, akuzon qeverinë gjermane se shifrat nuk i ka të sakta dhe se i ka bërë llogaritë gabim! Sot Tahiri thotë se shifrat e qeverisë së Ramës janë të sakta, jo ato të Merkelit! Sot Tahiri kujton sërish se mund të luajë si të dojë me të dhënat e Gjermanisë ashtu siç bën me INSTAT sa herë ka dëshirë!

Dje vetë Kryeministri Rama, me një qendrim skandaloz e turpërues, u mundua të anashkalojë rëndësinë e çështjes duke thënë që kërkuesit e azilit janë shqiptare nga Greqia e jo nga Shqipëria. Kushdo shqiptar ka sot në fisin e në lagjen e tij një familje qe ka marrë trastat e është larguar për në Gjermani, ndaj si mund të kujtojë Kryeministri i një vendi se populli i tij është aq budalla sa të besojë broçkulla të tilla! Në vend që të ulet e të marre masa serioze për këtë moment ekzistencial në të cilin ndodhet Shqipëria, ai tallet me dramën e mijëra familjeve shqiptare nga Jugu ne Veri, nga Lindja në Perëndim.

Kryeministri, ministrat, qeveritarët e pushtetarët duhet të kuptojnë se sot ka ardhur koha që të lënë gënjeshtrat, mbulimet e anashkalimet, të lënë mënjanë talljen masive që po u beni edhe shqiptarëve, edhe vetë Europës, dhe të merrni seriozisht hapa konkrete dhe urgjente që kjo gjendje të ndalë!

Por, çdo dite duket qartë që kryepërgjegjësi nuk ka asnjë plan, asnjë zgjidhje.

Sepse Edi Rama dhe keqeverisja e tij në partneritet me krimin është në fakt vetë problemi dhe pikënisja e të gjithë problemeve të tjera, arsye kryesore të eksodit tragjik të mijëra shqiptarëve. Ndaj dhe zgjidhja e problemit nis me largimin e kësaj qeverie dhe të këtij kryeministri.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Gerti Bogdani, 25 Gusht 2015

Read More
25 Gus
0

Korrupsioni, Meta dhe Rama blenë kryetarin e komunës para zgjedhjeve të 21 qershorit

Korrupsioni elektoral dhe blerja e votave janë evidentuar si praktike kryesore e zgjedhjeve të 21 qershorit nga raportet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sot po ju tregojmë një aferë të pastër korrupsioni, të blerjes përpara zgjedhjeve të një kryetari komune, për ti shërbyer kandidatit të Ilir Metës në Cërrik.
Agron Hysa, ish-kryetari i Komunës Mollas, nuk i përkiste kësaj mazhorance. Por ai kaloi me Ilir Metën dhe Edi Ramën, pasi kompanisë së tij iu dha në mënyrë të pastër korruptive tenderi prej 8 miliardë e 684 milionë lekësh për rikonstruksionin e rrugës Elbasan-Banje, në fillim të qershorit.
Në këmbim të këtij favori financiar miliarda lekësh, kryetari i Komunës u rreshtua në krah të Ilir Metës e kandidatit të tij për Cërrikun, dhe kjo dëshmohet nga dhjetra foto të takimeve elektorale që ju mund ti shihni në ekran.
Vetë tenderi ka shkelje dhe abuzime të rënda ligjore.
Firma e shpallur fituese ka dhënë ofertën me çmimin më të lartë, ndërkohë që kompanitë e tjera u skualifikuan ndonëse kanë dhënë oferta më të ulëta siç pasqyrohet në këtë dokument.
Ky është një korrupsion i skajshëm me paratë publike, një hajdutëri tipike e markës Rama-Meta.
Sigurisht, fituesi ishte i paracaktuar. Dhe ndërkohë Agron Hysa u zhvendos poltikisht nën strehën e fundit të maskarenjve, duke punuar në fushatën e LSI-së për Bashkinë Cërrik.
Ky rast i pastër korrupsioni politik dhe financiar duhet ta verë menjëherë në lëvizje Prokurorinë.
Por ky është vetëm një nga rastet e këtij regjimi të korruptuar që tenderon e jep me koncesione miliarda lekë për miqtë dhe klientët, nga rrugët tek burgjet, nga shëndetësia në ekonomi, në tatime e dogana e në çdo sektor publik, ndërkohë që zhvat edhe kacidhen e fundit nga shqiptarët e pamundur.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimin e kësaj afere, e të vërë para përgjegjësisë penale autorët e këtij krimi korruptiv.
Partia Demokratike i siguron qytetarët e vendit, se së bashku me ta, do të verë para ligjit e përgjegjësisë hajdutët e parave publike dhe vrasësit e zgjedhjeve dhe të shpresës së shqiptarëve.


Deklaratë për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, 25 Gusht 2015

Read More
24 Gus
0

Basha viziton familjen Haziraj: Eksodi dramë kombëtare. Shkaktarët heshtin

Jam sot këtu për t’i shprehur ngushëllimet më të ndjera familjes Haziraj që humbi vajzën, Elën, 23 vjeçare në një aksident në Gjermani ku ndodhej bashkë me të fejuarin e saj, Saimir Gjokpalaj, i plagosur, të cilit po kështu i uroj shërim të shpejtë. Është një humbje e madhe për familjen Haziraj. Ela bashkë me Saimirin ishin nisur në Gjermani në kërkim të një jete më të mirë pasi nuk kishin punë, nuk kishin shpresë, nuk kishin asgjë. Ishte vajza e madhe e një familje me katër fëmijë. Babain të punësuar si shofer në një  ndërmarrje, herë me punë e herë pa punë. Nënën të papunësuar. Fëmija më i madh në një familje me kushte jashtëzakonisht të vështira si mijëra familje shqiptare dhe zgjodhi rrugën e largimit në kërkim të një jete më të mirë por ëndrra për t’i ikur mjerimit, varfërisë, iu këput në mes nga një aksident tragjik.

Ngushëllimet, sado të sinqerta, nuk mund ta zbusin dhimbjen që ndjen kjo familje, të afërmit, miqtë e Elës. Por për nga shkaqet që e kanë shkaktuar këtë tragjedi, ajo në fakt është shumë më e madhe. Është një tragjedi kombëtare. Është drama e mijëra e mijëra shqiptarëve nga Kukësi dhe gjithë Shqipëria, të cilët largohen pasi kanë marrë borxh dhe kanë shitur çfarëdo pasurie që u ka mbetur sepse janë të papunë, të pashpresë.

Shkaqet e kësaj tragjedie kombëtare kanë edhe shkaktarë. Ata rrijnë të heshtur, rrijnë indiferentë. Është e tmerrshme kur dëgjon dhe shikon qendrimin që shkaktarët mbajnë para kësaj tragjedie me përmasa kombëtare dhe tashmë me një dimension ndërkombëtar, siç e vërtetojnë shqetësimet e kancelarive perëndimore dhe të mbarë opinionit ndërkombëtar shprehur përmes mediave ndërkombëtare.

Indiferenca dhe qëndrimi i shkaktarëve është tregues i përgjegjësisë së tyre. Përgjegjësi që vjen në radhë në parë nga mosndjeshmëria ndaj halleve të njerëzve dhe probleme të tyre, papunësisë, varfërisë, pamundësisë. Dhe kjo pandjeshmëri prodhon në Kukës dhe gjithë Shqipërinë masa represive; kërbaç, taksa të larta që shkaktojnë edhe më shumë papunësi, edhe më shumë varfëri.

Ndaj kjo tragjedi kombëtare kërkon një përgjigje kombëtare. Një përgjigje kombëtare që vjen në radhë të parë duke identifikuar rrugët e daljes nga kriza që detyron shqiptarët të largohen masivisht nga vendi si asnjëherë më parë. Dhe së dyti, mjetet për të realizuar këtë plan shpëtimi. Mjetet që janë gjithmonë në dorë të njerëzve sepse në demokraci nuk ka masë që nuk zhvlerësohet nga forca e bashkuar e njerëzve. Nuk ka ligj që ti qendrojë forcës së bashkuar të njerëzve.

Ndaj, apeli im është të qendrojmë përballë kësaj tragjedie kombëtare jo vetëm duke qendruar në krah të familjes Haziraj, por duke qendruar në krah të njëri tjetrit duke kërkuar dhe vendosur zgjidhjen e kësaj gjendje të papranueshme që largon bashkëatdhetarët tanë ditë për ditë nga shtëpitë e tyre, këtu e jo jashtë vendit tone, duke identifikuar shkaqet, duke marrë përgjegjësi për zgjidhjet, duke iu treguar vendin shkaktarëve.


24 Gusht 2015

Read More