Blog

10 Gus
0

Rama-Meta hakmerren ndaj pogradecarëve, mbajnë peng Bashkinë

Partia Demokratike denoncon papërgjegjshmërinë ekstreme të Edi Ramës dhe levave të tij, që mbajnë Pogradecin  në kaos, duke mos lejuar konstituimin e Këshillit Bashkiak dhe nisjen nga puna të Bashkisë.

Përmes Peleshit dhe Prefektit të Korcës, Edi Rama po hakmerret ndaj pogradecarëve që nuk votuan për të dhe ortakun e tij Meta, duke mbajtur peng Bashkinë e re.

Me pretekste banale sikur këshilltarët e majtë qenkan me pushime, janë mbyllur dyert e kësaj bashkie e cila prej 10 muajsh është pothuajse jo-funksionale.

Kanë kaluar tashmë 27 ditë që Prefekti ka në tryezë vendimin përfundimtar të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për këtë Bashki.

Pengimi i konstituimit dhe fillimit të punës, është një hakmarrje e verbër por dhe shkelje e ligjit njëkohësisht, dhe për këtë Partia Demokratike do ti drejtohet organeve të drejtësisë.

Ne i bëjmë thirrje Prefektit të Korcës të heqë dorë nga ky shërbim kriminal, e të zbatojë ligjin. Qytetarët e Pogradecit nuk mund të ndëshkohen, duke u mbajtur peng Bashkinë dhe shërbimet.

Edi Rama po vërteton tezën e tij të fushatës zgjedhore se nëse shqiptarët nuk votonin kandidatët e tij ai do ti linte pa ujë e pa investime. Por në realitet, ai po shkon edhe më larg, duke i lënë qytetarët që nuk e kanë votuar atë, edhe pa Bashki.

Partia Demokratike i bën të ditur Edi Ramës se ai nuk është zot i vendit dhe pronar i bashkive. Vullneti i qytetarëve të Pogradecit nuk mund të mbahet peng, dhe nuk ka për tu mbajtur peng nga marionetat e tij e tij Pelesh-Prefekt.


Deklaratë për shtyp e deputetes së PD, Albana Vokshi, 10 Gusht 2015

Read More
07 Gus
0

Rama kundërshton dekriminalizimin, del në krah të Roshit

Edi Rama u shfaq sërish si mbrojtës i krimit në politikë, pikërisht pasi Partia Demokratike paraqiti publikisht platformën e dekriminalizimit. Duke dalë nëpër ambjente publike në krah të kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Edi Rama po sfidon qytetarët, opozitën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e partnerët europiane, të gjithë të angazhuar e me vullnet të qartë për ta pastruar politikën e zyrat publike nga personat e inkriminuar e me precedentë të tmerrshëm penale.

Platforma e dekriminalizimit sjell ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të të zgjedhurit të tij në Kavajë, por dhe në parlament, bashki e zyra të tjera, por Edi Rama ka preferuar t’i japë garanci njeriut të tij të dënuar për trafik droge në Zvicër, duke kaluar pushimet me të e duke u shfaqur me të në sytë e qytetarëve. Me besnikërinë e shfaqur ndaj Roshit, Edi Rama dëshmoi se është kundër dekriminalizimit, dhe mbetet promotor i palodhur i krimit në politikë e administratë. Çlirimi i politikës dhe i zyrave publike nga krimi nuk ka për t’u mbajtur dot peng nga Edi Rama.

Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë përpara procesin jetik të shkëputjes së vendimmarrjes nga krimi, nga soji i Roshit, Ndokës, Bushit e qindra ta tjerëve që kanë kapur pushtetin përmes Edi Ramës. Nëse vendos të mbrojë deri në fund krimin, Edi Rama do të ketë fatin e tyre. Vullneti i shumicës së shqiptarëve që kanë në krah partnerët ndërkombëtarë nuk ndalet dot nga aleanca në minorancë e krimit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Gusht 2015

 

Read More
07 Gus
0

Akti Normativ thellon krizën, vetëm alternativa e PD zgjidhje për ekonominë

Politikat e mbrapshta fiskale dhe ekonomike, të nisura këtu e dy vjet më parë sollën si pasojë dështimin e plotë të parashikimit qeveritar, të një buxheti të trumbetuar 11 muaj më parë si një buxhet historik që do ta çonte ekonominë në fund të mandatit të parë rilindës me një rritje prej 4%.

Në gjashtë muaj të këtij viti, rritja e taskave, një administratë e korruptuar e cila përdor kërbaçin si kërcënim dhe agjencitë qeveritare si dogana edhe tatimet që dështojnë nga muaji në muaj në realizimet e tyre, i kanë sjellë arkës së shtetit 13.4 miliardë lekë më pak të ardhura. Megjithëse, ky ka qenë viti i dytë në radhë, në të cilin qeveria ka rritur taksa që ndikojnë drejtë për drejtë në xhepin e konsumatorëve dhe në ciklin ekonomik të vendit, ku një sërë taksash si tatimi mbi fitimin, dividendin, qeraja, tatimi mbi të ardhurat personale u rritën me 50%, taksa e qarkullimit me 240 lekë etj.

Me paturpësinë më të madhe, kryeministri i vendit për dy orë me radhë paraqiti fakte që flisnin për një rritje ekonomike të vendit, kur pak kohë më parë në fshehtësi të plotë kishte miratuar Aktin Normativ të radhës. Përmes të cilit kishte shkurtuar buxhetin me 3.92%.

Akti i Normativ, i miratuar në fshehtësi të plotë, ka vulosur uljen me rreth 25 mld lekë shpenzimet qeveritare. Buxheti i ri do të zvogëlojë me 2.67 miliardë lekë (18%) investimet në ujësjellësa dhe kanalizime, sikundër do të shkurtojë me 1.79 miliardë lekë (8.7%) investimet në infrastrukturën rrugore. Sektori prioritar i bujqësisë, që këtë vit duhet të pësonte një rritje, do të ketë 520 milionë lekë, 26% më pak investime për një nga sektorët që aq shumë përzemër e kishin si mazhorancë.

Ndryshe nga se propagandon qeveria se rishikimet nuk prekin prioritetet e kësaj mazhorance, akti normativ do të prekë në mënyrë të drejtë për drejtë, duke përgjysmuar me 50% fondin e investimeve në fushën e shëndetësisë. Duke e ulur këtë fond nga 18 miliardë lekë në 9 miliardë lekë. Investimet në fushën e arsimit, një tjetër prioritet i qeverisë në kontratën me shqiptarët, do të shkurtohen me 36% apo 1.3 miliardë lekë më pak për investime për të rinjtë dhe të rejat në fushën e edukimit.

Me sa duket nuk kemi parë ende asgjë; qeveria e majtë që në preambulën e programit të saj kishte barazinë dhe drejtësinë ndaj më të varfërve dhe moshës së tretë, ka vendosur që të ulë shpenzimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Sipas buxhetit të rishikuar, qeveria do të ulë me 800 milionë lekë shpenzimet për sigurimet shoqërore, duke i vënën një tjetër gur të rëndë në kurrizin e pensionistëve. Me të cilët pasi u tall me një rritje pensionesh që nuk indeksonte as inflacionin, tanimë u rëndon akoma më tej pagesat e tyre duke i marrë para nga arka që ishin të destinuara për to.

Sot vendi ka më shumë të papunë se sa dje, kjo si pasojë e politikave të gabuara, politikave fiskale të nisura si pasojë e interesave personalë të disa personave në kurriz të së mirës sonë të përbashkët. Qeveria sërishmi ka vendosur që t’u bie në qafë të pamundurve dhe të papunëve, duke qenë se me aktin e ri normativ, kjo qeveri ka vendosur që të ulë me 200 milionë lekë pagesën e papunësisë, edhe pse shqiptarët të papunë janë më shumë se sa një vit më parë.

Ky është realiteti i shifrave dhe fakteve që qeveria duhet të përballet. Mirëpo, sot ajo është me pushime dhe nuk dëshiron të shqetësohet, megjithëse rritja ekonomike as që i afrohet 2.5%.  Realitet që ka shqetësuar jo vetëm opozitën por edhe partnerët ndërkombëtarë, të cilët të alarmuar gjithnjë e më shumë po i thërrasin një qeverie e cila ka vendosur të bëjë sikur nuk dëgjon.

E gjithë kjo situatë, vjen si pasojë e një politike fiskale abuzive që do të sjellë si përfundim kolapsin e plotë ekonomik dhe fiskal të një shteti që vuan nga paaftësia dhe nga abuzimi administrativ. Nuk është çudi që për dy vite me kokëfortësi insistuan që rritja e taksave nuk do kishte ndikim, ndërkohë që informaliteti është rritur në shifra alarmante, kreditimi i ekonomisë ka rënë, depozitat kanë rënë. Për këtë arsye alternativa e propozuar nga ne, alternativa e taksës së sheshtë 9% do të sjellë frymëmarrje për ekonominë, duke i dhënë mundësi biznesit të rigjenerohet nga këto dy vite krize e do ta bëjë Shqipërinë përsëri konkuruese në rajon.

Akti Normativ është dëshmia e dështimit të politikave, të rritjes së taksave, të presionit, të policisë tek bizneset. Ai gjithashtu, është një tjetër sinjal alarmi për një mazhorancë që me arrogancë dhe mendjemadhësi po e çon vendin drejt një gremine ku më të humburit do të jenë qytetarët.


Deklaratë për mediat e deputetes së PD, Jorida Tabaku, 7 Gusht 2015

Read More
06 Gus
0

Çdo produkt pa opozitën, fatale për drejtësinë dhe të ardhmen e vendit

Ndoqa nëpërmjet medias deklaratën e përfaqësuesit politik të mazhorancës në komisionin e Reformës në Drejtësi z. Xhafaj lidhur me procesin e deritanishëm të këtij komisioni dhe me duhet të them që në fillim se protagonizmi politik nuk e ndihmon procesin, pasi besoj se qytetarët dhe partenerët tanë ndërkombëtare do të kërkonin një qendrim të përbashkët në lidhje me procesin e deritanishëm dhe po aq për të ardhmen.

Është plotësisht e vërtetë se, Partia Demokratike është e vendosur për një reformë në drejtësi tërësore, jo të fragmentuar, me një strategji të plotë dhe vizionare, që të largojë gjyqtarët e prokurorët e paaftë e të korruptuar, apo të kapur politikisht, dhe të garantojë një sistem  drejtesie të fuqishëm dhe të plotësisht të pavarur.

Një reformë brenda standardeve europiane, transparente, gjithpërfshirëse, të udhëhiqet nga ekspertiza euro- amerikane dhe të marrë certifikimin e komisionit të Venecias.

Një reformë që ti japë fund metodologjisë së ndjekur vitin e kaluar nga mazhoranca, e cila kaloi fiks një vit më parë tre ligjet e drejtësisë, jo për të reformuar sistemin por për të bërë ligje për karrige, për të kapur institucionet e drejtesisë, gjykatat, KLD, Gjykatën e  Lartë me njerëz tërësisht politikë.

Një reformë që ti japë fund qëllimit të kësaj mazhorance që është kapja dhe nënshtrimi i drejtësisë, t’i japë fund standardeve të turpshme të vendosura nga Gjykata e Lartë, ku deputetët e mazhorances shpallen të pafajshëm e heronj kur godasin me grushta  deputetët e opozitës në parlament, dhe nga të njejtët gjyqtarë, lidershipi i opozitës denohet vetëm se  kritikon kryeministrin.

Një reformë që t’i japë fund qendrimit në detyrë të gjyqtarëve të paaftë, të kapur, e të korruptuar që lirojnë trafikantët, vrasësit dhe baronët e drogës e lidhur me pushtetin, dhe mbajnë në burg të varfërit që nuk kanë mundësi të paguajnë.

Një reformë që të ndalojë dhe zhbëjë kapjen politike të sistemit që ndodhi në këto 2 vjet, si armikun më të egër të drejtësisë. Një reformë që të ndërtojë një sistem vlerash dhe meritash, për njerëzit e aftë dhe profesioniste në drejtësi dhe jo për miqtë e pushtetit.

Një reformë që të ketë si rezultat suksesin dhe jo dështimin.

Ndaj si opozitë parlamentare jemi në këtë proces të reformës, më të vendosur se kurrë, jo për t’i bërë makiazh drejtesisë së kapur nga mazhoranca, as për të qënë fasadë e një strategjie kapje politike të mëtejshme të sistemit, por jemi aty pa protoganizëm politik, por me qëllimin që bashkë me garancinë dhe qendrimin syçelët të  partnerëve ndërkombëtarë, të japim impakt konkret që reforma të bëhet tërësore, dhe të udhehiqet nga standardet dhe ekspertiza ndërkombëtare dhe kapja politike e sistemit të drejtesisë të ndalet.

Vetëm një proces i përbashket dhe me trasparence do të jete garanci për një reforme konsesuale dhe të suksesshme.

Çdo produkt i komisionit të Reformës që nuk do të përfshinte kontributin e opozitës,  do te ishte shkaterrues për konsesusin dhe po aq për suksesin dhe jetëgjatësinë e kësaj reforme jetike për të ardhmen e vendit.

Për të dy dokumentet e prezantuar edhe sot nga përfaqesusi politik i Partisë Socialiste, zoti Xhafaj, opozita do të paraqesë në fillim te sesionit të ri paralamentar produktin e vet, në mënyrë që analiza të mos fshehë asnjë të metë të sistemit në këto 16 vitet e fundit, siç ishte fshehja tërësore e asaj që ka ndodhur në periudhën 1999-2005, kapja me flagrante e drejtesisë nga politika dhe shkaterrimi më vrastar i pavarësisë së drejtësisë.

Periudhë ku ministri i Drejtesisë bëhej kryetar i Gjykatës së Lartë, ku deputetë e zëvëvëndesministra drejtonin institucionet e drejtësisë dhe ishin anëtarë të gjykatave të vendit, ku sekretari ligjor i PS, behej kryetari i Gjykatës Kushtetuese në vend.

Vetem pasqyrimi i saktë dhe jo fshehja e bën do dobishëm procesin.

Sepse vetëm kështu do të jemi të sinqertë me qytetarët që ajo periudhë e errët nuk do të rilinde me pas kurrë.

Nga ana tjetër, dokumenti i dytë, strategjia e reformës që duhet të pasqyrojë zgjidhjet që presin qytetarqt shqiptarë dhe partenerët ndërkombëtare, duhet të jetë një strategji e përbashkët, konkrete, me impaktin e opozitës,  dhe të mishërojë qëllimin e konsolidimit të pavarsisë, të eleminojë tërësisht kapjen politike, të ndalë kapjen e mëtejshme dhe të kristalizojë një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe paaftesisë në drejtësi.

Ekspertët e perzgjedhur nga opozita janë duke punuar intesivisht dhe fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe impaktin e plotë të opozitës për të dy dokumentat e mesipërm.

Të dyja këto dokumenta vetëm pasi të përfshijnë edhe impaktin e opozitës duhet ti kalojnë Komisionit të Venecias për opinionin e tij të pazëvëndesueshëm. Ky është dhe do te jetë një proces që nuk duhet të krijojë debat mes palëve politike, në mënyrë që të eleminohet arroganca e deritanishme dhe konsesusi të garantohet plotësisht.

Lidhur me procesin e fazës së tretë atë të draftimit, anëtarët e komisionit nuk kanë asnjë informacion ende. Por është jetike për këtë fazë që mos përseriten problemet e mësiperme, që ky proces, draftimi i dispozitave të jetë transparent, gjithpërfshirës dhe konsesual.

Është e padiskutueshme që në çdo mbledhje te grupit të ekspertëve të nivelit të lartë për këtë proces dhe përgatitjen e çdo produkti, të marrin pjesë ekspertet e nivelit të lartë të caktuar nga opozita.

Asnjë njoftim për mbledhje të ndonjë grupi punë nuk është përcjellë deri tani as tek unë dhe as tek ekspertët e emëruar para 2 javësh nga komisioni.  Çdo produkt që do dilte nga keto grupe pune pa praninë e ekspertëve të caktuar nga opozita do të dëmtonte plotësisht konsesusin e arritur për një reformë të përbashkët.

Ndaj i kërkoj sot jo vetëm stafit politik dhe teknik të komisionit, por të gjithë përfaqësuesve të misionit Euralius, OPDAT dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare që bashkëdrejtojnë grupet e ekspertëve të nivelit të lartë, që në çdo mbledhje që do të zhvillojnë të informojnë opozitën, të përfshijnë ekspertët e caktuar nga opozita, në mënyrë që produkti që do të dalë nga dita e emërimit ëe tyre, padyshim dhe nga sot, të jetë produkt i diskutuar dhe me ekspertët e nivelit të lartë të caktuar prej nesh.

Transparenca dhe sinqeriteti në këtë fazë të reformës është jetik për të ardhmen e saj.

Vetëm një reformë trasparente, gjithpërfshirëse, konsesuale, me eskpertizë euro-amerikane dhe me certifikim të komisionit të Venecias, do të sjellë daljen nga stasquo –ja ku ndodhet sistemi i drejtësisë, çmontimin e kapjes politike që iu bë institucioneve, ndalimit imediat të kapjes së metejshme, luftës pa kompromis ndaj gjyqtarëve, të paaftë, të korruptuar dhe të kapur politikisht.

Për këtë, Partia Demokratike ngelet më e vendosur se kurrë bashkë me garancinë e partnerëve ndërkombëtare.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Eduard Halimi, 6 gusht 2015

Read More
05 Gus
0

Tragjedia në minierën e Hasit, qeveria ka braktisur minatorët

Jam këtu për të shprehur ngushellimet e Partisë Demokratike për humbjen e jetës së Maxhun Aliajt, teknik në minierën e kromit në Has dhe plagosjen e 4 punonjësve të tjerë. Jemi pranë familjeve të viktimës dhe të lënduarve në këtë ditë të vështirë por duam gjithashtu të denoncojmë faktin se kushtet në minierat tona janë përkeqësuar dhe qeveria ka braktisur minatorët.

Kjo ngjarje e rëndë ndodhi vetëm një javë pas humbjes së jetës së një tjetër minatori në Bulqizë. Partia Demokratike denoncon lënien e minatorëve në mëshirë të fatit pa minimumin e kushteve të sigurisë.

Pas dy vitesh qeverisje të Edi Ramës kemi sot numrin më të madh të minatorëve që kanë humbur jetën apo janë plagosur në kushtet e vështira të punës së nëntokës në dy dekada të marra sëbashku.

24 minatorë kanë humbur tragjikisht jetën dhe ashtu si herën e kaluar, kryeministri i vendit nuk ka gjetur sërish kohën të shprehë as ngushëllime për familjen e viktimës më të fundit në Has.

Edi Rama mashtroi minatorët për kushte më të mira pune dhe për paga më të mira. Ai premtoi shumë për minatorët dhe doli se thjesht i shfrytëzoi ata për fushatë, për të ardhur në pushtet, më pas u ktheu kurrizin.

Mashtroi minatorët, siç ka mashtruar shumicën e shqiptarëve për taksat, punësimin, shëndetësinë e çdo aspekt të jetës.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Alban Zeneli, 5 Gusht 2015

Read More
05 Gus
0

Partia Demokratike dënon sulmin e deputetit të inkriminuar të Edi Ramës ndaj Genc Pollos

Deputeti i Edi Ramës, Arben Ndoka ka sulmuar në mënyrë primitive, me fyerje rrugë e me tone banditësh deputetin Genc Pollo pasi përfaqësuesi i Partisë Demokratike ka postuar në rrjetin social faktet e inkriminimit të tij. Partia Demokratike e dënon ashpër këtë agresion të pashembullt të deputetit të Edi Ramës, i dënuar për trafik prostitucioni e rrëmbim personi. Sigurisht, i zgjedhuri i Partisë Socialiste ka bekimin e Edi Ramës për sulmet që bën ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe ai është përsëritës në këtë drejtim. Por këto janë grahmat e fundit të krimit në parlament e në politikë, pasi Partia Demokratike do ta çojë deri në fund procesin e dekriminalizimit me mbështetjen e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Akti rrugaçëror i deputetit të Ramës është një vërtetim më shumë për nevojën urgjente të pastrimit të politikës nga soji i Ndokës. Ai u përzgjodh nga shefi i tij për të sulmuar opozitën dhe po e mbyll karrierën e inkriminuar duke sulmuar opozitën. Ky është niveli banal ku e ka çuar parlamentin Edi Rama. Me njerëz që nuk njohin asnjë vlerë të demokracisë të debatit e fakteve, por njohin vetëm gjuhën e dhunës e të agresionit. Nuk e ndalon dot Edi Rama dekriminalizimin me kërcënime të tilla.  Partia Demokratike është më e vendosur se kurrë ta çojë deri në fund këtë proces jetik për vendin.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 5 Gusht 2015.

Read More
04 Gus
0

Financat pranojnë dështimin dhe korrupsionin, PD do vendosë taksën e sheshtë 9 përqind më të ultën në rajon

Ministria e Financave ka pranuar më në fund zyrtarisht dështimin e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave. Dështimi në mbledhjen e të ardhurave, dështimi në tatime e dogana, është në fakt dështimi kryesor i një qeverie. Kur një qeveri nuk mbledh të ardhurat, ajo pushon së funksionuari në rolin e saj më kryesor.

Pranimi zyrtarisht i këtij dështimi nga Ministria e Financave ka nxjerrë në pah gënjeshtrat e Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë më parë kur bëri bilancin, foli për arritje e suksese.

Më e rënda për vendin është se këto 134 milionë dollarë që mungojnë në buxhet, që mungojnë në investime, në rrugë, shkolla, apo ujësjellës, kanë si origjinë korrupsionin. Janë 134 milionë dollarë që kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, e ministrave e klientelës së Edi Ramës.

134 milionë dollarë që mund të ishin pensione të rritura, apo paga më të mira, shkolla e kopshte, rrugë të reja, ujësjellës apo rrjet i ri energjitik, rimbursim për energjinë apo ndihma ekonomike për të varfërit, nuk ekzistojnë sot sepse janë kthyer në pasuri për një grusht njerëzish e janë përdorur për të blerë vota.

Partia Demokratike e ka denoncuar që në fillim, se korrupsioni, rryshfeti, ulja e traut të doganës për miqtë e qeverisë po shkaktonte një gropë të madhe në të ardhurat e vendit. Edi Rama e mohoi vazhdimisht dhe fliste gjithnjë për rritje e arritje.

Por e vërteta e hidhur ka dalë në shesh. Tani nuk e dimë se çfarë emri do ti vërë Edi Rama kësaj? Çfarë arritje apo suksesi janë këto 134 milionë dollarë të vjedhura në tatime e dogana?

Ky korrupsion galopant i ka dhënë pasojat, siç e dimë përfaqësuesi i FMN u shpreh i zhgënjyer dhe fondi monetar ka vendosur të mos lëvrojë kredinë. Edhe pse Edi Rama vendosi taksat më të larta në rajon, ai sot ka performancën më të dobët në rajon në grumbullimin e të ardhurave.

Para këtij fakti tronditës, nuk ka asnjë shenjë reflektimi. Përkundrazi, në filozofinë e Edi Ramës, fajin e ka populli.

Ai nuk ka ndërmend të ndalojë e të marrë masa për hajdutërinë e hajdutët rreth tij, por ka shpallur se do të rrënojë popullin, do ti tregojë atij burgun, me një fushatë kërbaqi që ka vendosur të nisë në shtator.

Ka ndërmend ti nxjerrë në kurriz të popullit, të ardhurat që nuk ua merr miqve të tij biznesmenë, të ardhurat që nuk ia merr klientelës së tij në dogana. Të ardhura që sigurisht i ndan me ta.

Qytetarët e këtij vendi kanë duruar shumë padrejtësi të kësaj qeverie, dhe zor se do të durojnë edhe padrejtësinë e mbulimit të korrupsionit e selektivitetit në pagimin e taksave dhe detyrimeve doganore.

Partia Demokratike thekson se zgjidhja e vetme është ulja e taksave, administratë e ndershme në tatime e dogana, dhe trajtimi i barabartë para ligjit e detyrimit për të gjithë.

Partia Demokratike bën edhe një herë të ditur se sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit, ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 përqind, më të ultën në rajon.

Do shmangim kështu korrupsionin e informalitetin, do rrisim të ardhurat, dhe do ta bëjmë vendin më tërheqësin në rajon për investime.


Deklaratë për mediat e nënkryetarit të PD, Edmond Spaho, 4 Gusht 2015

Read More
03 Gus
0

Qeveria, gati spastrimin e ri në shkolla, kërkon bindjet politike të mësuesve

Politikat e vërteta të Edi Ramës në Arsim nuk janë ato që deklarohen me fjalë e propagandë.

Shihni se si menaxhohet në fakt arsimi, në Drejtorinë Rajonale të Tiranës.

Ky email që po ju tregojmë në ekran u ka shkuar të paktën 76 shkollave të kryeqytetit, ku shefat e arsimit u kërkojnë drejtuesve të shkollave, të bëjnë raport të plotë për punonjësit e tyre dhe për bindjet e tyre politike.

Me 27 korrrik, ka mbërritur në shkollat e Tiranës një porosi urgjente, ku i kërkohet drejtorëve që deri të nesërmen në orën 11, duhet të dërgojnë listën e stafit dhe përbri, thotë urdhëri, bindjen politike për secilin.

Ky skandal paralajmëron fshesën e re që ka ndërmend të bëjë qeveria me mësuesit  përpara fillimit të vitit të ri arsimor.

Edi Rama kërkon të kapë kështu çdo segment të arsimit në vend, për ta mbushur me militantë. Ai i sheh shkollat si organizata të partisë ku meritojnë të jenë në punë vetëm militantët e tij.

Kjo është një goditje fatale që i jepet shkollave dhe mësimdhënies në vend, duke larguar mësues me përvojë e profesionistë dhe duke i zëvendësuar ata me vëzhgues, komisionerë e numërues të Partisë Socialiste.

Edi Rama dhe mercenarët e tij në arsim, do të mbajnë përgjegjësi për këtë dëm që po i sjellin shkollës dhe edukimit të fëmijëve tanë.


Deklaratë për mediat e deputetit të PD, Luçiano Boçi, 3 gusht 2015

Read More
01 Gus
0

Pazar-shëndetësia e Ramës, të hëhën 61 milionë euro mikut të tij për dializën

Pas dy ditësh, Edi Rama, ka vendosur të japë nje koncesion prej 61 milione eurosh për shërbimin e dializës.

61 milionë euro do të marrë me 3 gusht një mik i Edi Ramës, siç e tregon përvoja e deritanishme dhe qepja e kritereve sipas portretit të fituesit të paracaktuar.

Sipas ekspertëve të fushës, mjafton 1/10 e kësaj shume për të përmirësuar shërbimin ekzistues e për ta bërë atë funksional.

Edi Rama jo vetëm po i jep 61 milione euro klientit të tij, por po e nxjerr dhe këtë shërbim jashtë sistemit duke ia besuar njerëzve të tij për interesa biznesi dhe jo për interesat e shëndetit të qytetarëve.

Edi Rama e ka shndërruar shëndetësinë në minierë përfitimesh financiare me koncesionet e njëpasnjëshme që po jep për miqte dhe donatorët e tij.

Premtoi shëndetësi falas por pas dy vitesh shëndetësia është bërë pazari më i madh në vend, kushtet janë në ditën më të keqe, qytetarët po paguajnë më shumë se asnjëherë tjetër, shërbimi është skandaloz, ndërsa miliona euro po përfundojnë në xhepat e klientelës.

Kudo në çdo sektor të shëndetësisë, Edi Rama po zbulon biznese milionash me skema mafioze të rimbursimit të ilaçeve e me koncesione që i përfitojnë të afermit e kryeministrit.

Kjo është goditja më e madhe që i është bërë shëndetësisë me pasoja të rënda që do kërkojnë shumë kohë e mund të rikuperohen.

Partia Demokratike nuk do ta lejojë këtë biznes monstruoz me jetën e qytetarëve të vendit.

Ne garantojmë qytetarët se do të anulojmë çdo koncesion korruptiv dhe do vemë para ligjit përgjegjësit sapo qytetarët të na japin besimin e tyre për të drejtuar vendin.


Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Orjela Nebijaj, 1 Gusht 2015.

Read More
31 Kor
0

PD e Kurbinit nuk e njeh shtetasin Bardhi për kryetar Bashkie, zgjedhjet një farsë antiligjore

Partia Demokratike Dega Kurbin nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit ne Kurbin pasi ato nuk përmbushën asnjë standard minimal demokratik.

Partia Demokratike e Kurbinit, nuk e njeh shtetasin Artur Bardhi për kryetar Bashkie, një person me precedent penal i kandiduar nga Edi Rama.

Ky ishte nje proces farsë që në fillim, pasi ishin zgjedhje pa garë. Edi Rama nëpërmjet vendimeve të paligjshme të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve ia doli të emërojë në krye të Bashkisë së Kurbinit oligarkun e tij lokal, por ky mbetet një emërim i turpshëm, dhe pa asnjë legjitimitet.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 31 korrik 2015

Read More