Mund t’ua kish kursyer shqiptarëve monologun banal të mbushur me mashtrime dhe shifra të genjeshtërta që i pergenjeshtrojnë vetë institucionet e qeverisë së tij. Por Edi Rama u kreh gjatë sot para pasqyrës ndërsa Shqipëria digjet nga varfëria, nga kriza ekonomike, nga pasiguria, nga mungesa e shpresës dhe e besimit për të ardhmen.
Ndërkohë që Rama krihej para kamerave, mijëra familje shqiptare gjenden në krizë të thellë ekonomike, dhe dhjetra e qindra mallkojnë realitetin që ka krijuar kjo qeveri e bëjnë gati valixhet çdo ditë, dhe nisen për kurbet.
Mburret Edi Rama po në Europë ka nisur debati për kthimin e regjimit të vizave sepse të dëshpëruarit, bashkëqytetarët tanë që po marrin arratinë se nuk kanë me çfarë të ushqejnë fëmijët, janë shtuar e shtuar çdo muaj.
Çfarë bilanci është ky, që përshkruan një realitet që nuk e ndesh në asnjë rrugë, në asnjë lagje, në asnjë sofër të shqiptarëve.
Në cilën fantazi të kryeministrit paska 104 mijë vende të reja pune, kur papunësia shtohet çdo ditë frikshëm.
Po ju rendis disa momente, kur qeveria dhe institucionet e saj hedhin poshtë tullumbacet e Ramës.
Foli për rritje ekonomike prej 2.12% për vitin 2014, ndërkohë që INSTAT i kontrolluar prej tij, zyrtarisht ka publikuar një rritje prej 1.89%. Premtoi se rritja ekonomike do jetë 3%, ndërkohë që ministri i tij i financave bashkë me FMN deklaruan pak javë më parë se rritja prej 3% nuk mund të realizohet.
Foli për pagesa të detyrimeve të prapambetura prej 641 milionë dollarë, por të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se janë paguar në total 46 miliardë lekë apo 368 milionë dollarë.
Tha se jane rritur Investimet e Huaja Direkte, ndërkohë që sipas vetë të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, këto investime jetike për vendet e reja të punës gjate vitit 2014 ishin 13.4% ose 124 milionë euro më pak sesa një vit më parë, pra janë në rënie.
Shpalli 104 mijë persona më tepër të punësuar, por INSTAT thotë se papunësia është në nivelin rekord prej afro 18 përqind.
Deklaroi se është rritur konsumi, por treguesi kryesor i konsumit që janë të ardhurat nga TVSH e hedh poshtë këtë mburrje. Gjatë periudhës janar-maj 2015, të ardhurat nga TVSH janë 32 milionë dollarë më të ulëta sesa janar-maj 2014. Ose 288 milionë dollarë më pak konsum se viti i kaluar.
U krenua që mbështet investimet ne bujqësi por gjatë dy viteve të para fondet për kullim dhe ujitje janë 3 herë më pak se ç’pati premtuar.
Rrahu gjoksin se rriti pensionet me 1.4%, ndërkohë që nuk ka përmbushur as detyrimin e tij ligjor që është indeksimi me normën e inflacionit i cili sipas të dhënave zyrtare ishte 1,6 përqind. Ndërkohë, pagat kanë mbetur të ngrira dhe paga minimale nuk ka ndryshuar prej 2 vitesh, duke ulur fuqinë blerëse të konsumatorëve.
Në shëndetësi, situata është pak të thuhet skandaloze. Çdo ditë zbulohen afera të tmerrshme korruptive, vjedhje milionash me skema fiktive rimbursimi, siç ishte më i fundit ai i insulinës. Janë dhënë paratë për 220 mijë flakone, ndërkohë që në treg kanë hyrë 60 mijë. Paratë për 160 mijë flakone insulinë që mungojnë janë në xhepat e beqajve e klanit të tij.
Koncesioni i Dializës prej 61 milionë euro, një turp i padëgjuar. 61 milionë Euro kur me një të dhjetën mund të bëhet një investim ultramodern e 50 milionë Euro të tjera të shkojnë për shërbime më të mira dhe jo të zhduken në xhepat e klientëve të Edi Ramës.
Biznes e korrupsion edhe me jetën, me sëmundjet, me dramën më të madhe të njerëzve.
Në cilin bilanc, nuk analizohet, nuk përmendet vjedhja e 150 milionë dollarëve në dogana? Para këto që i mungojnë qytetarëve në formën e investimeve, shkollave e rrugëve, por që sigurisht nuk kanë avulluar, ato thjesht janë tjetërsuar në pasuri për miqtë e kryeministrit e zyrtarët e tij.
Ul traun e doganave për klientelën, dhe paralajmëron kërbaçin e burgun për ata që mezi mbajnë familjen e tyre me një biznes të vogël e me një dyqan.
Korrupsioni, rryshfeti, zhvatja e qytetarëve dhe e biznesit është shtrirë e rritur në nivele alarmante, por kjo dramë që po e mban peng vendin, ecjen e tij përpara, nuk gjen vend në asnjë fjalë të kryeministrit.
A mund ta besoni që flet për mbrojtjen e zonave nga ndërtimet, ai që lejon mikun e tij të mbushë me tulla e llaç muret e Kalasë së Tiranës në zemër të kryeqytetit.
Kushdo që ka ende durimin të dëgjojë fjalime pleniumesh, ka të drejtë të mendojë se janë efektet e delirit që mund të kenë shkaktuar tek kryeministri temperaturat e larta të Korrikut.
Por kjo në fakt është një skemë tashmë që vijon prej ditës së parë. Skema e përkeqësimit çdo ditë të realitetit nga njëra anë, por e mohimit të tij çdo ditë, e përpjekjes tinzare për të servirur një tjetër fasadë për shqiptarët. Një jetë paralele, që qytetarët tanë nuk e hasin, nuk e prekin, nuk e shijojnë dhe nuk e kanë asnjë ditë.
Zor se gjen sot një kryeministër që të sajojë me kaq dhunë një bilanc, e të gënjejë kaq hapur. Por kjo është gënjeshtra me këmbët më të shkurtra të mundshme që përgenjështrohet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë në lëkurën e shqiptarëve.
Do të ishte kishte qenë e udhës, që, Edi Rama të dilte e të fliste për ndryshim kursi. Për ulje taksash, për ulje të çmimit të energjisë, për heqjen e taksave që po e çojnë naftën në 2 mijë lekë litrin. Por siç e patë, asnjë fjalë për këto. Asnjë fjalë për hallet e vërteta të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Ky është tipari i këtyre 2 viteve që lamë pas. Abuzimi e makutëria për tu pasuruar e rrëmbyer pasurinë publike, duhet ta pranojmë që është i vetmi sektor që njeh rritje, madje rritje galopante.
Kishte nevojë sot për një qershi mbi këtë tortë të madhe gënjeshtrash të Edi Ramës. Dhe nuk na zhgënjeu.
Ai që i përzgjodhi vetë, enkas me rekorde kriminale deputetët e kryebashkiakët e tij, dhe dhjetra zyrtarë të lartë e në poste kyçe, ai që i gërmoi në skutat më të errëta, që largoi gratë për ti bërë deputetë, që i urdhëroi të sulmonin opozitën, tha se nuk i njeh për të tillë.
I di të pastër, edhe pse jo vetëm ka informacione e fakte për ta, por për secilin prej tyre flet lagjia e krejt qyteti, flet shtypi dhe opinion publik, flet opozita dhe aleatët tanë ndërkombëtarë, flet e shkruan media botërore dhe institucionet euro-atlantike.
Por Edi Rama nuk e njeh këtë turp. Për të dënimi i Ndokës për prostitucion dhe rrëmbim personi është vetëm ngatërresë. Elvisi apo Ervini me dënime për drogë në Zvicër është vetëm çështje emrash. Bushi me dënime për drogë në Itali është një sajesë e medias së huaj.
Por nëse është kështu, nëse me të vërtetë beson se nuk ka asnjë me rekorde kriminale pse nuk pranoi Edi Rama që ata të japin shenjat e gishtërinjve?
Sepse Rama gënjen. Ai e di fare mirë kë ka ulur në sofrën e pushtetit.
Prandaj ka penguar dhe pengon çdo ditë dekriminalizimin, këtë nevojë jetike për vendin, ndaj ka sfiduar dhe gënjyer aleatët tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian, ka rrezikuar dhe po rrezikon çdo ditë marrdhëniet strategjike.
Sepse për të, marrdhënia me kriminelët e veshur me pushtet është marëdhënia më strategjike. Sepse ata janë vetë themeli i pushtetit të korruptuar të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Sepse pa ta nuk ka as mazhorancë, as vjedhje votash, as presione për të mbajtur në këmbë këtë regjim.
Prandaj fshehu kërkesën e Interpolit. Prandaj largoi në drejtim të paditur vrasësin e kryekomisarit. Prandaj i bëri presion gjyqtarëve për të liruar Ndoka-Ndreun. Prandaj është mbushur Shqipëria si asnjëherë me drogë.
Edi Rama dhe krimi në pushtet nuk janë dy por janë një. Mjerë ai që ka ilizion për këtë.
Por, dekriminalizimi do të bëhet. Do të bëhet dhe Partia Demokratike do ta çojë deri në fund. Kundër vullnetit të Edi Ramës dhe Ilir Metës, por me vullnetin e qytetarëve shqiptarë, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve europianë.
Nuk kam asnjë shpresë që pushimet verore të sjellin një kthjellim në mendjet e delirosura qeveritare. Ndërkohë që do të shijojnë ujin e ftohtë të Bregut apo lukset jashtë shtetit, Shqipëria e vërtetë do të vazhdojë të zhuritet nga pasiguria, papunësia dhe pamundësia për të mbyllur gushtin.
Por kam shumë shpresë, kam shumë besim se ky kthjellim po vjen dhe se Shqipëria e vërtetë, Shqipëria e nëpërkëmbur, e braktisur, e zhgënjyer, do të ngrihet e nuk do të mposhtet as gjunjëzohet, as nuk dorëzohet, por do të shpresojë dhe luftojë së bashku me ne, sëbashku me mua, derisa e vërteta e drejta dhe e mira të fitojnë mbi të keqen.
Deklaratë për shtyp e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 30 Korrik 2015
Read More