Blog

26 Qer
0

Basha: Misioni im dhe i PD, çmontimi i instrumentit të oligarkisë që deformoi vullnetin e zgjedhësve në 21 qershor

“Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel”.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mori pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane në Bruksel. Në qendër të bisedave që zoti Basha zhvilloi me drejtues të lartë të vendeve anëtare të BE ishte dhunimi i standardeve të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, të nënvizuara dhe në raportin paraprak të OSBE/ODHIR-it, Këshillit të Europës, SHBA dhe BE. Kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme Elmar Brook tha nëse gjysma e raportit të OSBE është e vërtetë, atëherë sipas tij, rrjedhimisht i bie që zgjedhjet janë të manipuluara dhe do e ngrejë këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në komisionin e punëve të jashtme te parlamentit europian.

“Ka një zhgënjim të jashtëzakonshëm për stadin në të cilin gjendet Shqipëria, si rezultat i prishjes së zgjedhjeve lokale nga shumica, përmes kandidimit të personave me rekorde kriminale, angazhimit të krimit dhe bandave kriminale për të intimiduar zgjedhësit dhe për të mbështetur kandidatët e shumicës në shumë raste, përdorimit masiv të parave publike por edhe të parave të pista, të korrupsionit e krimit për të blerë votën e qytetarëve shqiptarë dhe natyrisht kërcënimit të votuesve, nëse nuk do votonin për kandidatët e shumicës, për humbjen e vendit te tyre të punës apo të afërmve të tyre, në rastet kur këta punojnë në administratën publike, raste këto të mirë dokumentuara nga opozita, nga PD, të bërë të njohura institucioneve ndërkombëtare. 

Opozita shqiptare, PD ia ka dalë në rezultatin formal që sigurisht është shumë më i ulët se ç’do të ishte rezultati real, pa këtë makineri presioni të shitblerjes së votës, angazhimit të krimit, ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë siç tregojnë edhe shifrat e publikuara nga KQZ në votimet për kandidatët” – theksoi zoti Basha.

I pyetur për deklaratën e kryetarit të komisionit të Punëve të Jashtme Elmar Brook, sipas të cilit nëse gjysma e konstatimeve të raportit të OSBE është e vërtetë, atëherë zgjedhjet janë të manipuluara dhe do e ngrejë këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në komisionin e punëve të jashtme, zoti Basha tha se çmontimi i këtij  instrumenti  të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe i tij si kryetar i saj.

“Nuk ka dyshim që instrumenti që shkatërroi dhe deformoi zgjedhjet e 21 qershorit përbën një kërcënim real për demokracinë shqiptare, për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Lufta për të çmontuar këtë instrument të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe imi si kryetar i saj. Sot apo nesër besoj do të jetë dita e fundit e përmbylljes së procesit të numërimit, në të cilin pavarësisht gjithë këtyre parregullsive, ne morëm pjesë dhe u bëmë thirrje numëruesve tanë të ishin të kujdesshëm në zbatimin e ligjit. Me përfundimin e këtij procesi, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate dhe akute që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel” – u shpreh lideri i opozitës Lulzim Basha.

Duke iu referuar letrës që kryeministri i Hungarisë Victor Orban i ka drejtuar presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe presidentit të Këshillit të Ministrave Donald Tusk, ku kërkon që të organizohet një samit në Budapest për emigracionin nga Ballkani Perëndimor, zoti Basha tha se liderët kryesorë të Europës janë jashtëzakonisht të shqetësuar për përmasat në rritje të emigracionit i cili vjen si rezultat i marrjes peng të demokracisë nga oligarkia, dëshpërimit dhe krizës ekonomike.

“Janë jashtëzakonisht të shqetësuar dhe mund t’ju them se liderët kryesorë të Europës që janë të pranishëm në këtë samit u shprehën qartë se për Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit, ku oligarkia ka marrë peng demokracinë dhe ka bërë të mundur që një vend i cili para pak vitesh u bë anëtar i NATO, pak vite më vonë mori të drejtën që qytetarët të lëvizin pa viza e pak muaj më parë mori statusin e vendit kandidat, të ketë shkaktuar një dëshpërim kaq të madh mes qytetarëve të vet, jo vetëm për shkaqe ekonomike por edhe për shkaqe të zhbërjes së standardeve civile, qytetare, demokratike, saqë ata të dynden masivisht në portat e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE” – theksoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 Qershor 2015

Read More
26 Qer
0

Elmar Brok: Shqetësim për falsifikimin e madh të zgjedhjeve lokale

Kryetari i komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian  Elmar Brok tha në një prononcim për mediat se nëse gjysma e raportit të OSBE është e vërtetë, atëherë siç shprehet Brok, rrjedhimisht i bie që zgjedhjet janë të falsifikuara dhe do e ngrejë këtë shqetësim në rendin e ditës javën e ardhshme në komisionin e punëve të jashtme të Parlamentit Europian.

Zoti Brok, ç’mendoni për raportin e OSBE/ODIHR, për zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe shqetësime të ngritura si shitblerja e votës apo presioni mbi votuesit?

Elmar Brok, eurodeputet: Mendoj, se ky raport është befasues. Sikur edhe gjysma e këtij raporti të jetë e vërtetë, atëherë duhet ë themi që  këto zgjedhje janë të falsifikuara. Unë do ta vë këtë raport në rendin e ditës së të hënës së komisionit të punëve të jashtme.

Do t’a fusni për diskutim në këtë komision?

Elmar Brok, eurodeputet: Po, do ta përfshij në rendin e ditës për të informuar anëtarët e komisionit të punëve të jashtme për falsifikimin e madh të zgjedhjeve.

Jeni i shqetësuar për këtë ?

Elmar Brok, eurodeputet: Po, jam shumë i shqetësuar për këtë dhe pavarësisht se çfarë ndodhi, zoti Rama humbi 20% të votave të përgjithshme. Kjo është drejtësi.

Kryetari i PD Lulzim Basha u takua në samitin e PPE edhe me komisionerin për zgjerim dhe politikën e fqinjësisë, Johannes Hahn me të cilin diskutoi për problematikën e zgjedhjeve, të reflektuar dhe në raportin paraprak. Hahn ka qenë i rezervuar me mediat, duke thënë se po pret raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 26 Qershor 2015

Read More
25 Qer
0

Ambasadori amerikan përgëzon z. Halim Kosova

I dashur Dr Kosova,

Doja të dërgoja këtë letër për t’iu përgëzuar për fushatën pozitive për Bashkinë e Tiranës dhe të përqendruar në problematika.

Ambasada jonë ka folur shpesh në muajt e fundit rreth politikanëve të korruptuar dhe kriminelë që janë përfshirë në blerje vote, shantazhim dhe manipulim të institucioneve demokratike.

Në kontrast me këtë, ne pamë që ju ishit personalisht i angazhuar në një proces të ndershëm dhe të hapur. Ju folët për çështje që shqetësojnë votuesit e Tiranës. Ne mendojmë se fushata juaj ishte një shenjë për qytetarët shqiptarë se sistemi i tyre politik po maturohet.

Ne të falenderojmë për përpjekjet tuaja për të përmirësuar vendin. Në veçanti, ne vlerësojmë punë tuaj të jashtëzakonshme si Ministër i Shëndetësisë. Mezi pres të bisedoj me ju për këto çështje në një të ardhmen të afërt.

Sinqerisht

Donald Lu


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Qershor 2015


Read More
25 Qer
0

Humbi në popull, Ilir Meta synon ta rrëmbejë bashkinë në tavolinë

Jam sot këtu  për të shprehur një alarm publik, lidhur me atë që po ndodh me mbylljen e procesit zgjedhor në bashkinë e Vorës.

Megjithëse fitorja e kandidatitit të opozitës është e qartë, ka një përpjekje evidente për ta vjedhur atë në tavolinë nga përfaqësuesit e mazhorancës, kryesisht të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ndonëse numërimi i votave për kandidatin përfundoi të hënën në drekë, ka një zvarritje të qëllimshme të procesit të numërimit për këshillin bashkiak, e cila shoqërohet me shkelje të rënda të Kodit Zgjedhor nga përfaqësuesit e shumicës në KZAZ dhe në tavolinat e numurimit.

Dhe ndërkohë që në KZAZ situata është e nderë dhe përfaqësuesit e PD-së ndodhen vazhdimisht nën presion, në Vorë zhvillohen cdo ditë protesta nga militantë të mazhorancës, që pretendojnë manipulimin e zgjedhjeve nga opozita. Ato udhëhiqen në të gjitha rastet nga drejtues të lartë politikë të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kjo është hera e parë në Shqipëri, por ndoshta edhe më gjerë, që pushteti proteston në rrugë, duke akuzuar opozitën se i ka vjedhur votat.

Protestat nisën menjeherë pas daljes së rezultatit për kandidatët, ku përfaqësuesi i opozitës rezultoi fitues me rreth 250 vota. Individë të të gjitha kategorive rrethuan fillimisht KZAZ-në, por pastaj u larguan prej aty vetëm pas ndërhyrjes së ministrit të Brendshëm, për të vazhduar në sheshe të tjera.

Është fare e qartë se LSI shpreson që ta rrëmbejë fitoren e kandidatit të opozitës duke pasur në mëndje shumica të cuditshme, që mund të krijohen në KQZ apo në Kolegjin Zgjedhor, ndonëse nuk ka asnjë argument ligjor dhe provë që të mbështesë pretendimet e saj.

Përfaqësuesit e saj janë shprehur për rreth 500 transferime qytetarësh në 6 muajt e fundit drejt bashkisë së Vorës, por e vërteta është se ato janë gjithësej vetëm 59 raste, që nga janari e këtej, madje njëri prej tyre është edhe i vëllai I kandiatit të LSI-së.  Me kërkesën e mazhorancës për këtë ka nisur një hetim, i cili nuk përbën fare shqetësim për ne. Por dje prokurori i cështjes,Genci Qano, u pa në shoqërinë e zv. ministres së Arsimit, Nora Malaj, e ngarkuara nga LSI për zgjedhjet në Vorë, dhe kjo që sigurisht që është një problem. (Paraqitet foto)

Në këto kushte, Partia Demokratike i kërkon bashkëpërgjegjësve për integritetin e procesit zgjedhor, kryeministrit, Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, që të mos e trashin më shumë zullimin në Vorë, sepse nuk do të munden kurrë të deformojnë vullnetin e zgjedhësve të shprehur qartë dhe prerë atje.

Të heqin dorë sa më parë nga cdo përpjekje të dhunshme apo të paligjshme për ta zvarritur dhe bërë pis procesin e numërimit dhe të ndalojnë protestat e nxitura politikisht dhe të udhëhequra prej tyre. Në rast se sot po protestohet nga qeveria se Partia Demokratike u paska vjedhur votat, nuk është cudi që nesër të kemi protestta në rrugë dhe sheshe, që Shqipëria të mos ketë fare opozitë. Përdorimi i bandave, i policisë dhe i administratës, kërcënimet dhe shantazhet, goditjet e përsëritura ndaj vetë kandidatit Ismaili, gjatë gjithë fushatës, madje edhe në ditën e votimit, edhe pa këto të fundit, do të ngelen një njollë e zezë e këtyre zgjedhjeve. Ndaj boll më!

Ndërkohë, duke i falenderuar për mirëkuptimin e deritanishëm, i kërkojmë misionit të OSBE-ODIHRi-it në Tiranë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë që të rrisin vëmendjen e tyre ndaj asaj që po ndodh aktualisht në Vorë. Përpara të gjithëve ne po përgatitet rrëmbimi i një mandati të opozitës, ndonëse gara është mbyllur dhe fitorja është e pastër. Dhe në rast se kjo ndodh, në Shqipëri, as tani dhe as më vonë, nuk mund të flitet më për zgjedhje.


Deklartë për shtyp e deputetit të PD, Astrit Patozi, 25 Qershor 2015

Read More
24 Qer
0

Sterkaj dhe Policia në Malësi të Madhe, minojnë zgjedhjet

Partia Demokratike dënon me forcë aktin kriminal të përfaqësuesve të qeverisë në KZAZ-në numër 1 në Malësi të Madhe, ku deputeti Sterkaj dhe banda e tij kanë ushtruar dhunë dhe presion ndaj numëruesve e vëzhguesve, dhe ndaj përfaqësuesve të Partisë Demokratike, në përpjekje për të ndikuar rezultatin atje.

Kulmi ka arritur mbrëmë vonë kur deputeti Sterkaj ka nxjerrë armën dhe siç e akuzojnë kandidati i Partisë Demokratike dhe kryetari i Partisë Demokratike atje, ka goditur me qytën e saj, pikërisht kreun e degës Pjerin Spathari, i ndihmuar nga banditët e tij.

Një akt e një ngjarje e rëndë që ka minuar zgjedhjet në këtë zonë, nisur nga fakti se banda e qeverisë dhe e deputetit Sterkaj gëzon imunitet dhe bën ç’të dojë, me bekimin e Policisë.

Në fakt, më e rënda është se vetë policia, në vend se të ndalojë shkaktarët e kësaj dhune, është rreshtuar në anën e banditëve e personave që shkelin ligjin.

Prokuroria duhet urgjentisht në nisë hetimet e të vëjë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarjeve.

Ne e kemi dokumentuar ngjarjen dhe do ta paraqesim para vëzhguesve ndërkombëtarë.

Partia Demokratike do të ruajë çdo votë të qytetarëve, ne jemi të vendosur për këtë, ashtu siç paralajmërojmë këdo që tenton të prekë vullnetin e qytetarëve, që do të përgjigjet para ligjit deri në fund.


Deklaratë për shtyp e kryetarit të Grupit Parlamentar, Edi Paloka, 24 Qershor 2015

Read More
24 Qer
0

Basha: Hidhërim për humbjen e jetës së efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, shërim të shpejte efektiveve , Isaj dhe Hamitaj

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vizituar në spitalin e traumës dy efektivet e policisë të plagosur në Lazarat. Lideri i opozitës u ka uruar të plagosurve shërim të shpejtë sikundër ka shprehur dhimbjen dhe hidhërimin për efektivin e policisë së RENEA-s Ibrahim Basha, i cili humbi jetën, dhe u ka shprehur ngushëllime familjareve, miqve dhe kolegeve të tij.

Prononcimi i kryetarit të  Partisë Demokratike Lulzim Basha

Në orët e para të mëngjesit kemi ndjekur nga raportimet e mediave zhvillimet në Lazarat, si rezultat i së cilave ka humbur jetën një efektiv i forcave speciale të policisë RENEA, Ibrahim Basha, një efektiv i ri në moshë dhe i ri në repartin e RENEA, një humbje për të cilën dua të shpreh dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet e mia familjarëve të Ibrahimit, kolegëve e shokëve të tij.  Jemi thellësisht të shokuar nga kjo humbje. Vizituam dy kolegët e tij, Perlat Hamitaj dhe Jetmir Isaj të cilët janë me plagë të lehta fatmirësisht dhe jashtë rrezikut. U uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve.

Kemi kërkuar që në orët e para, minutat e para kur ngjarja është bërë publike nga mediat, nga policia të marrë të gjithë masat, për të mos pasur cënimin e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit dhe popullsisë civile. Kemi kërkuar që autorët të ndalen me forcën e ligjit, kemi kërkuar atë që mungonte deri tani, transparencën për çfarë ndodhi e çfarë po ndodh.

Një fakt shqetësues që sapo morëm vesh nga dy të shtruarit është që i gjithë grupi i efektivëve që është goditur nga kriminelët ka qenë në skenën e operacionit me një automjet të papërshtatshëm, wolsvagen

Ky nuk është momenti për t’u ndalur këtu por një analizë e plotë dhe e gjithanshme për humbjen e jetës, plagosjen e vënien në rrezik të efektivëve të policisë por ajo  duhet bërë patjetër me objektivitet, pa politizim.

Shpreh keqardhjen e thellë që me një qëndrim totalisht të papranueshëm, kryeministri i vendit, njeriu që duhet të marrë përgjegjësi të bëjë transparencë për këtë ngjarje gjeti rastin ta përdorë këtu tek dera e spitalit për të bërë politikë e për të sulmuar opozitën, me një frymë.

Është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike që unë e hedh poshtë me neveri. Nuk ka asgjë të dykuptimtë në dënimin që i bëjmë me ashpërsi këtij akti kriminal të goditjes së efektivëve të policisë së shtetit. Partia Demokratike  dhe unë personalisht kemi qenë, jemi e do të jemi gjithmonë në krahun e çdo efektivi të policisë së shtetit në detyrë dhe në zbatim të ligjit.

Nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh mbrojtjen e jetëve të efektivëve të policisë së shtetit, jetëve të popullsisë civile, nuk ka asgjë të dykuptimtë të kërkosh transparencën që mungon në këtë çast, ndaj është një deklaratë e papërgjegjshme, diabolike e me motive të errëta

Edhe njëherë, shpreh ngushëllimet e mia për familjen e Ibrahim Bashës, kolegët e tij dhe u uroj shërim të shpejtë të dy efektivëve të policisë së shtetit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 24 Qershor 2015

Read More
24 Qer
0

Reagim i Partisë Demokratike për ngjarjen në Lazarat

Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet në Lazarat, ku raportohet për shkëmbim zjarri mes forcave të policisë dhe personave të armatosur, me pasojë humbjen e jetës së një efektivi të RENEA-s dhe plagosjen e një efektivi tjetër.

 Kërkojmë nga Policia të zbardhë menjëherë ngjarjen, të ofrojë transparencë maksimale për çfarë po ndodh, të marrë të gjitha masat për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë të banorëve dhe punonjësve të policisë si dhe të marrë të gjitha masat për ndalimin e autorëve të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, duke shmangur çdo pasojë mbi popullatën civile.

 Partia Demokratike u bën thirrje banoreve të Lazaratit të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të grupeve kriminale.


Deklaratë për shtyp e Partisë Demokratike, 24 Qershor 2015

Read More
23 Qer
0

Basha: Partia Demokratike hap të madh drejt ringritjes, pavarësisht procesit të deformuar zgjedhor‏

Të dashur bashkëqytetarë,

Zonja dhe zotërinj,

Dua ta nis me një falenderim për të gjithë ju që morët pjesë në votimet e 21 qershorit. Rezultatet paraprake në shkallë kombëtare tregojnë se këto zgjedhje janë një hap i madh për Partinë Demokratike.

Pavarësisht prej hartës territoriale të manipuluar nga dyshja Rama-Meta për interesat e pushtetit të tyre, pavarësisht prej kandidimit të personave me rekorde kriminale.

Pavarësisht prej përfshirjes së malavitës dhe bandave të lidhura me pushtetin të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë nën hundën dhe para syve të policisë;

Pavarësisht prej presioneve të paligjshme ndaj administratës nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit dhe përfshirjes masive të institucioneve shtetërore në fushatën elektorale;

Pavarësisht prej transferimeve të paligjshme të mijëra zgjedhësve dhe falsifikimit të kartave të identitetit;

Pavarësisht presionit të ushtruar ndaj medias së lirë;

Pavarësisht prej gjuhës së paprecedentë kërcënuese dhe anti demokratike e anti europianiste të krerëve të qeverisë;

E pavarësisht prej blerjes masive të votës fakt tashmë i regjistruar si shqetësim madhor edhe nga raportet zyrtare të vëzhguesve ndërkombëtarë;

Partia Demokratike me aleatët ka hedhur një hap të madh të ringritjes duke rritur mbështetjen popullore anembanë vendit, duke fituar një numër të madh bashkish disa prej tyre për herë të parë në dy dekada, dhe duke ngushtuar  diferencën në të tjera bashki anembanë Shqipërisë, nga jugu në veri, nga lindja ne perëndim.

Kjo është një dëshmi e vendosmërisë dhe forcës tonë. Kjo është një fitore për të gjithë demokratët. Me këtë rast dua të falenderoj nga zemra kandidatët tanë per përfaqësimin dinjitoz dhe mesazhin e madh të shpresës dhe alternativës që i dhanë qytetarëve shqiptarë!

Dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë ata që treguan guxim duke sfiduar këtë mekanizëm presioni dhune dhe blerje votash, duke votuar Partinë Demokratike dhe kandidatët tanë, dua të falenderoj mbështetësit, komisionerët, numëruesit, dhe vëzhguesit për punën e palodhur, të cilët bënë më të mirën, që zëri i qytetarëve të dëgjohet pavarësisht qindra incidenteve!

Dua t’ ju drejtoj një thirrje numëruesve dhe komisionerëve: “Nga ana tjetër megjithë investimin e tyre total, mjetet dhe format e presionit të hapur dhe të fshehtë të kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, pazareve që shtuan vagonët e babëzisë në trenin e qeverisë, koalicioni i tyre ka pësuar një braktisje të madhe nga votuesit çka përbën refuzimin nga njëra anë të hartës territoriale Rama-Meta,  të bërë pa konsultim me qytetarët dhe kundër interesave të tyre, dhe nga ana tjetër një mesazh të qartë e të prerë kundër keqqeverisjses, varfërisë, papunësisë, pasigurisë dhe padrejtësisë” .

Strukturat e Partisë Demokratike kanë dokumentuar në kohë reale me qindra raste të shkeljeve flagrante të ligjit dhe standardeve ligjore  dhe i kanë raportuar ato para institucioneve  ndërkombëtare të vëzhgimit të zgjedhjeve.

Ne zgjodhëm që këtë problematikë të mos e bënim publike gjatë ditës së zgjedhjeve në mënyrë që të mos ndikonim negativisht në pjesëmarrjen në votime, por beteja jonë nuk do të ndalet derisa dhunuesit e standardeve të këtyre zgjedhjeve të japin llogari para ligjit.

Unë dhe Partia Demokratike kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë të cilët janë thellësisht të shqetësuar për procesin, veçanërisht për Blerjen e Votës, dhe kërcënimin e të punësuarve për votën,  gjë që ka ndikuar në rezultatin e një numri jo të vogël bashkish.

Për fat të keq këto zgjedhje janë një kthim i dukshëm prapa për Shqipërinë, misoni i ODIHR, Këshillit i Europës, Ambasada e SHBA dhe përfaqësia e BE folën qartë për shqetësimet e mëdha.

Pretendimet e Partisë Demokratike u vërtetuan. Qeveria me arrogancë injoroi kërkesën tonë dhe sugjerimet e nderkombëtarëve për të mos kandiduar persona me rekorde kriminale. Kjo qeveri edhe një herë tregoi se nuk është e interesuar për të përmbushur detyrimet e veta para shqiptarëve.

Unë dua të garantoj sot të gjithë qytetarët që na besuan me votë por edhe ata qindra mijëra që për arsye të presionit, të frikës apo edhe të kërcënimeve për bukën e gojës nuk votuan se ne do të vazhdojmë betejën tonë për t’ i kthyer Shqipërisë shpresën, zhvillimin, punën dhe dinjitetin.

Beteja jonë kundër intimidimit dhe presionit ndaj zgjedhësve, kundër blerjes së votave dhe pushtetit me paratë e korrupsionit dhe krimit, kundër kandidatëve dhe të zgjedhurve me rekorde kriminale do të vazhdojë.

Beteja jonë për tu hequr lakun nga fyti qindra,  mijëra familjeve shqiptare që mezi mbyllin muajin dhe për të ndalur spiralen e rënies ekonomike, shpirtërore dhe të gjithëanshme, beteja jonë për taksa të ulëta, çmime të ulëta, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe të ardhura më të larta, ka marrë sot një mbështetje të madhe kombëtare dhe kjo na mbush me energji të reja.

Partia Demokratike dhe unë do te jemi në krahun tuaj që sëbashku me ju nga ky hap i madh të bëjmë hapin vendimtar drejt të ardhmes sonë të re.

Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, për zgjedhjet lokale, 23 Qershor 2015

Read More
23 Qer
0

Mbetem i angazhuar në shërbim të qytetarëve

Të dashur miq,

Bashkëqytetarë të Tiranës!

Jam këtu sot, për të shprehur falenderimet e mia të përzemërta për qytetarët e Tiranës, pa asnjë dallim partiak, veçanërisht ata që votuan me besim në platformën time që kishte themel punën dhe dinjitetin, punë jo fjalë.

Në këto dy muaj, kam pasur qindra takime me banorë të Tiranës dhe bashkëbisedimi me ju të dashur bashkqytetarë do të mbetet një prej përvojave të mia më të çmuara.

Unë zgjodha kontaktin e drejtpërdrejtë me qytetarin në çdo cep të Tiranës, në çdo rrugë e lagje, në çdo fshat dhe jo fushatën e luksit në ekran, i bindur se kjo ishte zgjidhja më e mirë.

Dua të falenderoj Partinë Demokratike, anëtarët e simpatizantët tanë, të rinjtë e të rejat që shkuan derë më derë, komisionerët, numëruesit, vëzhguesit, që kanë punuar pa u lodhur dhe që shumë prej tyre janë ende duke qendruar pranë votës, për të garantuar deri në fund vullnetin e qytetarëve. Ata kanë në dorë një tjetër moment të rëndësishëm, që janë votat për Këshillin Bashkiak.

Falenderoj nga zemra ekipin tim të fushatës, që punoi me shumë përkushtim.

Zgjedhjet mbaruan dhe ndërsa numërimi ende vazhdon, fituesi i kësaj gare rezulton Erion Veliaj të cilin dua ta uroj dhe të shpresoj që do ti mbajë premtimet e nuk do ti zhgënjejë qytetarët e Tiranës.

I premtoj qytetarëve të Tiranës se angazhimi im për të marrë përgjegjësi në interes të tyre do të vazhdojë pa u ndalur asnjë çast.


Deklaratë për shtyp e kandidatit të PD për Bashkinë Tiranë, Halim Kosova, 23 Qershor 2015

Read More
21 Qer
0

Dhjetëra raste dhune qeveritare, por të dhënat flasin për fitore bindëse të Partisë Demokratike

Orari i votimit është mbyllur.

Opinioni publik është njohur përmes medias për shumë probleme që janë hasur gjatë zgjedhjeve, ku përpjekjet për manipulim nga qeveria, nga dyshja Rama-Meta dhe njerëzit e saj kanë qenë prezente.

Partia Demokratike ka arritur të frenojë shumë prej këtyre rasteve. Ne po ju paraqesim tani një pjesë të listës me parregullsi e cënim të standardeve të raportuara gjatë gjithë ditës nga njerëzit tanë të pranishëm në çdo qendër votimi. Shkelje të faktuara e të dokumentuara, për të cilët janë njoftuar partnerët ndërkombëtarë.

Kështu, vetëm pak orë para se votimi të hapej zyrtarisht dhe në orët e para të 21 qershorit, në Selenicë, vëllai i kandidatit të majtë për bashkinë,  Kasem Cenaj, shef komisariati në Shkodër, ka kërcënuar me jetë disa votues në këtë zone duke mbjellur një klimë terrori dhe frike. Në Klos, shefi i policisë, njëkohësisht bashkëshorti i  kandidates së majtë për këtë bashki, ka kërcënuar dhe sulmuar fizikisht aktivistë të Partisë Demokratike.

Sot, për disa orë në qendrën e votimit 1629 në Krrabë, Nazmi Balla, një oficer burgjesh, i armatosur, kërcënonte votuesit.

Në Vorë, në Lezhë, në Përmet në Peqin zyrtarë të administratës kalonin në filtër qytetarët para se ata ti drejtoheshin kutisë së votimit.

Në Shkodër, një mjet tërësisht i veshur me logot dhe flamujt e LSI ka transportuar materialet zgjedhore nga KZAZ në qendrat e votimit.

Në Krujë, eskorta e makinave që transportonin materialet zgjedhore nga KZAZ ka qenë e drejtuar nga vëllai i kandidatit të majtë, Artur Bushi. Ajo që e bën dhe më shqetësuese është që eskorta e Bushit ka lëvizur e shoqëruara nga policia dhe stafi i KZAZ në një bashkëpunim të pastër që nxit dyshimet për një krim elektoral.

Në Shkodër, në disa qendra votimi si ajo 92, 259/1, e 288 janë shfaqur individë me karta të falsifikuara ose që kanë votuar në emër të personave të tjerë, siç ishte rasti i bërë publik sot nga votuesja Ingrid Paçrami, e cila nuk arriti të votonte, pasi një tjetër person me identitetin e saj ishte paraqitur në qendrën e votimit.

Po ashtu Shaban Meta nga Durrësi nuk votoi dot se dikush votoi në emër të tij me kartë të falsifikuar.

Është denoncuar në mbarë vendin cilësia e dobët e bojës, dhe ky element sigurie ka rënë që në mëngjes herët.

Janë raportuar dhe dhjetëra raste, të dhunës fizike dhe verbale të ushtruar ndaj qytetarëve e mbështetësve të Partisë Demokratike nga funksionarë shtetërorë dhe banditë të lidhur me ta. Ne kemi raporte të plota, dhe përgjegjësit kanë emër. Ata do të mbajnë përgjegjësi para ligjit deri në fund, dhe partnerët tanë e misioni i vëzhguesve do të njihen me këto rekorde kriminale.

Pavarësisht këtyre akteve, të dhënat e Partisë Demokratike flasin për fitoren tonë të qartë dhe bindëse, të kandidatëve dhe Partisë Demokratike nga Jugu në Veri.

Ne i kërkojmë qeverisë, dyshes Rama-Meta, të heqin dorë nga çdo përpjekjet e tyre për manipulim, të mos prekin rezultatin.

Vota është hedhur, tani të dëgjojmë zërin e qytetarëve.

I bëjmë thirrje numëruesve tanë të qëndrojnë në krye të përgjegjësisë historike që kanë për të garantuar votën e shqiptarëve.

Partia Demokratike është pranë jush, miqtë tanë ndërkombëtarë janë pranë jush.


Deklaratë për shtyp e Kryetarit të Grupit Parlamentar, Edi Paloka, 21 Qershor 2015

Read More