Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nga Kukësi se për opozitën nuk ka dhe nuk mund të ketë prioritet më të madh se hallet dhe problemet e qytetarëve, pamundësia për të mbyllur muajin, varfëria, papunësia, pasiguria. Në këto dy vjet, nga qeverisja Rama-Meta, – tha zoti Basha, kudo nga jugu në veri jeta është vështirësuar, mjerimi është rritur.
“Kam parë burra dinjiteti, malësorë krenarë që e mbajnë veten edhe kur u troket fatkeqësia në derë por që u dridhet mjekra sepse oligarkia i ka lënë pa bukë për fëmijët e tyre. Kam parë burra të fortë që i kanë qëndruar mortit dhe fatkeqësive të mëdha por që sot nuk mbajnë dot veten sepse janë të pasigurt për të nesërmen e familjeve të tyre. Këtu e kanë katandisur Kukësin, Tropojën, Hasin dhe gjithë Shqipërinë kjo qeveri e taksave të larta, e çmimeve të larta e besës së thyer, e premtimeve të pambajtura, e lakut në fyt për shumicën e shqiptarëve.
Tani që ora e ballafaqimit me të vërtetën po vjen, po bëjnë gjithçka për t’i ikur ballafaqimit me ju. Flasin e gjezdisin por nuk thonë asgjë për papunësinë që kanë thelluar, për varfërinë që kanë shtuar, për taksat që kanë rritur, asnjë fjalë për ju, asnjë ofertë për ju, asnjë zgjidhje për ju.
Oferta e vetme që kanë është kapja e pushtetit vendor nga njerëz të korruptuar, hajdutë të papërgjegjshëm, njerëz të cilët e kanë provuar se për interesat e tyre meskine dhe private janë gati të braktisin çdo kuksian e kuksiane, çdo hasian e hasiane, çdo tropojan e tropojanë.
Një tipar i bashkon tre kandidatët e oligarkisë. Hasan Metën, Adem gjobën dhe Rexhë besëprerin, i bashkon dashuria dhe lakmia për paratë tuaja, për paratë tuaja dhe pasuritë tuaja, aty i kanë sytë, aty e kanë mendjen dhe paktin me oligarkinë e kanë që t’ju zhvasin e t’ju rrjepin për llogari të oligarkisë.
Halil Meta nuk ka përgjigje për hallet dhe problemet tuaja, sepse Halil Meta nuk mund të jetë kurrë zgjidhja për ju, Halil Meta është problemi për Kukësin, problem që ju do ta zgjidhni me votën tuaj, me votën tuaj të bashkuar me 21 qershor duke i thënë jo vjedhjes, jo korrupsionit, po Bashkim Shehut dhe Partisë Demokratike” – theksoi z. Basha.
Këta që e zhytën Shqipërinë në dy vite në këtë gjendje të tmerrshme ekonomike, – tha zoti Basha gënjejnë para shqiptarëve e t’u thonë se 21 qershori nuk qenka momenti kur populli mund të votojë për hallet e veta. 21 qershorin, – tha kryetari i Partisë Demokratike nuk e duan për vullnetin e popullit por e duan për të emëruar drejtorët e komunaleve, që mund t’i kontrollojnë nga Tirana, për të zhvatur edhe më mirë paratë e pasuritë tuaja.
“Nga Kukësi, i them Edi Sudes që ka ngritur piramidën më të madhe të mashtrimeve në historinë e shtetit shqiptar, – meqë më në fund e pranove që Lulzim Basha po thotë të vërtetën siç është dhe siç e gjen tek populli, çfarë të pengon të ulësh taksat, çfarë të pengon të ulësh çmimin e energjisë që e ke dyfish më të lartë se çdo vend tjetër në Ballkan, çfarë të pengon të ulësh çmimin e naftës që e ke rritur me 240 lekë/litri, çfarë të pengon t’ua bësh bukën, bukën e gojës 20% më të lirë shqiptarëve? Pse nuk e bën, pse nuk i përgjigjesh ftesës sonë, pse nuk iu përgjigje amendamenteve tona? Pse nuk bashkon dhe ti, zërin tënd me zërin tim, për t’u ardhur në ndihmë njerëzve, për t’i ardhur në ndihmë popullit?
Përgjigja është e qartë dhe ju e dini fare mirë. Sepse hallet tuaja nuk kanë qenë dhe nuk janë prioritet i dyshes Rama-Meta, sepse problemet tuaja nuk kanë qenë dhe nuk janë prioritet i dyshes Rama-Meta, sepse shpenzojnë më shumë energji duke sharë, gënjyer, duke ofenduar, duke kërcënuar opozitën, kandidatët, qytetarët, se sa duke punuar, sepse kanë dy muaj që sillen nëpër Shqipëri. I ka zënë ankthi, i ka zënë paniku, jo për hallet tuaja por për pushtetin, për kontrollin të cilin duan me çdo kusht ta ruajnë e ta shtojnë në 21 qershor, sepse për ta ky është drejtimi i duhur” – u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.
Lideri i opozitës ka garantuar banorët e Kukësit, Hasit, Tropojës dhe gjithë shqiptarët se me votën e tyre të bashkuar, në 21 qershor askush nuk mund ta ndalë realizimin e ofertës së Partisë Demokratike për ulje taksash, ulje të çmimit të energjisë dhe falje kamatë-vonesash, mbështetje të biznesit për hapje vendesh pune dhe ndihmë personave në nevojë.
“Vota juaj për PD, ju jap fjalën, është vota e një beteje pa kthim deri në uljen e çmimit të energjisë me 25% dhe faljes së kamatë-vonesave, kthimit të Shqipërisë në vendin me taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan, rritjes së rrogave e pensioneve, kthimit në listën e ndihmës ekonomike të familjeve që u hoqën me të padrejtë dhe shtimit në këtë listë të çdo familje që ka nevojë për bukën e gojës.
Vota juaj për numrin 15, për PD, për partinë e popullit dhe njerëzve të thjeshtë është votë për të ulur me 20% menjëherë çmimin e miellit sheqerit, orizit, vajit, mishit, vezës, qumështit, duke eliminuar TVSH, sepse hallet tuaja janë urgjente, hallet tuaja janë të mëdha, hallet tuaja janë të jashtëzakonshme, urgjente do të jetë përgjigjja, e madhe do të jetë përgjigjja, e jashtëzakonshme do të jetë përgjigjja” – deklaroi nga Kukësi, kryetari i Partisë Demokratike.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Qershor 2015
Read More