Blog

12 Qer
0

Programi i Halim Kosovës për Njësinë 10

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë u shpjegon banorëve projektin e tij që parashikon ndërhyrje dhe investime në çdo rrugë e lagje të kësaj zone. Transparencë dhe punësim sipas meritës.

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, halim Kosova, prezantoi para banorëve të Njësisë 10, programin e tij për këtë zonë, që parashikon ndërhyrj e investime në cdo rrugë e lagje.

“Duhet të ndërhyhet në këto rrugë: rruga“Kajo Karafili”, “Ibrahim Tukiqi”, sheshet e pallateve në rrugën e Durrësit, degëzimi i rrugës Mihal Duri, rruga “Kont Uran” me trotuaret e saj. Projekti parashikon ndërhyrjen në paketën e shtresave rrugore me gjatësi 500 metra linear në këtë pjesë të lagjes tuaj, ndërtimin e trotuareve me rreth 1500 metra katrorë për të cilat ka nevojë lagjia juaj, ndërtimin e rrjeteve inxhinierike, 500 metra kanalizim të ujërave të shiut dhe 300 metra për ujërat e zeza si edhe ka nevojë për 600 metra kanale ujësjellësi”, tha Kosova.

“Investime nga 2015 deri në 2017 në lagjen tuaj janë kryesisht 5 objekte të mëdha me vlerë 325 486 402 lekë të cilat konsistojnë në përmirësimin e higjenës dhe infrastrukturën e bllokut të kufizuar nga Kajo Karafili, Mihal Duri, Kont Uran dhe rruga e Durrësit. Përmirësimi i infrastrukturës së arsimit parashkollor dhe parauniversitar, shkolla 9 vjeçare “Dora D’Istria”, shkolla 9vjecare “Avni Rustemi”, shkolla 9vjecare “Konferenca e Pezës”, shkolla “Kostandin Kristoforidhi”. Rikonstruksioni i 62 klasave, shtimi i 20 klasave të reja, 2 laboratore, rikontruksioni i 2 palestrave, 3 terrene sportive, instalimi i sistemit të ngrohjes për 4 objekte të tjera”, bëri të ditur Kosova.

Duke u ndalur tek specifikat e zonës, Kosova u shpreh se:

“I takoj dhe gati sa nuk i dalin lotë nga sytë ku shtëpia, prona e vetme që ata kanë është gjysëm e rrënuar me qerpiç, dhe ata janë të detyruar ta lejnë këtë pronë të trashëguar brez pas brezi dhe të marrin shtëpi me qera sepse lagjes së tyre politika i ka vënë një emër, lagje muze. Vecse sebepi muzeut nuk ekziston fare aty. Ky më është dukur një paradoks. Sigurisht do ti jap zgjidhjen e duhur me ekspertët më të mirë përbri duke pasur parasysh interesin qytetar, interesin e pronarit dhe duke mos pasur pranë meje asnjë firmë ndërtimi të favorizuar nga unë, në mënyrë që interesi i qytetit të Tiranës të zbatohet dhe të vijmë afër qytetarit në më të mirën e mundur”.

Mesazhi i kandidatit për kryetar Bashkie është i qartë.

“Unë mendoj komplet ndryshe. Unë mendoj që Tirana nuk ka nevojë as për një individ dhe as për një parti! Tirana ka nevojë për një gjë shumë të thjeshtë dhe që i ka munguar vazhdimisht, të ketë në krye një njeri I cili Bashkinë do ta lejë në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe nuk ka rrugë tjetër që një njeri të rrijë pranë meje në drejtim të Bashkisë të Tiranës përvecse sipas meritës dhe sipas takatit që do ketë për ta ndjekur ritmin tim dhe sipas asaj që çfarë shërbimi, me sektorin që ai do të mbulojë do ti ofrojë banorëve të Tiranës për çdo lloj nevoje që ata do të kenë. Unë kam kandiduar, dhe me shumë dëshirë e kam marrë këtë pozicion të kandidimit dhe me 21 qershor, të detyrës së Kryetarit të Tiranës me votën tuaj, sepse jam i bindur më shumë se kurrë se në këtë qytet, ata që besojnë se ndershmëria  përbën thelbin e suksesit tashmë janë shumica e banorëve”, tha Halim Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015

 

Read More
12 Qer
0

Fier, periferia e diskriminuar, bulevardi jofunksional

Periferia e Fierit e diskriminuar nga pushteti vendor, investimet bëhen nga vetë banorët

Janë zhvendosur në Fier për një jetë më të mirë, por nuk e gjetën. Banorët e lagjes Mbrostar Ferko , Celigrad  dhe Afrim i ri jetojnë të diskriminuar për shkak të vendodhjes në periferi të qytetit. Ata kanë shprehur indinjatë për dhjetëra vite harresë nga pushteti vendor gjatë një vizite që Enkelejd Alibeaj bëri në këto lagje.

Përmasat e neglizhencës së pushtetit vendor i kanë detyruar banorët të propozojnë investime me të ardhurat e veta duke kërkuar vetëm mjete në dispozicion për shtrimin e rrugëve, por as kjo nuk u është ofruar.

Enkelejd Alibeaj u ka konfirmuar banorëve të këtyre zonave se nën drejtimin e tij bashkia do të përgjysmojë çmimin e ujit të pijshëm ndërsa investimet për rrugë do të garantohen nga taksat e vetë qytetarëve ku secilit komunitet do t’i kthehen për ndërtimin dhe asfaltimin e rrugëve dhe sistemit të kanalizimeve.

Bulevardi i Fierit, jofunksional, shkaktar i ngarkesës së qarkullimit rrugor

Investimi për bulevardin kryesor të Fierit ka rezultuar jo funksional për një qytet me karakter tregtar si Fieri. Qindra tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre përgjatë bulevardit e ngritën këtë shqetësim në një takim me kandidiatin e opozitës. Ata ankohen për izolim dhe bllokim të aktivitetit pas investimit që e shndërroi bulevardin  në Pedonale. Shkak është bërë konceptimi i këtij të fundit si shëtitore ku vetëm një korsi është e disponueshme për automjetet dhe pa hapësira parkimi.

9 muaj qëndruam të izoluar për shkak të punimeve se nuk kalohej me makinë këtu. Tani shohim që makinat  nuk kanë mundësi të parkojnë por vetëm të kalojnë dhe thonë që edhe kjo do të jetë me orar të kufizuar, thotë një tregtar.
Një tjetër tregtar thotë se kjo nuk është rastësi, por bashkia e ka bërë qëllimisht këtë për të bllokuar xhiron e tregtarëve këtu me qëllim që diku tjetër të ketë përfitime. Nuk na pyetën fare dhe nuk e dinim se do bëhej kështu thotë një pronar butiku. Po ta dinim nuk do lejonim që të merrte këtë formë rruga.

Enkelejd Alibeaj u tha tregtarëve se në krye të bashkisë së Fierit do të ulë taksa për biznesin dhe do vendosë bashkërisht me tregtarët për mënyrën se si do të funksionojë qarkullimi i automjeteve në bulevardin kryesor.


 

Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015

Read More
12 Qer
0

Edi Rama akuzon bashkëshorten e Erion Veliajt si të përfshirë në pastrim parash

Kryeministri sulmon pronarin e Agon Channel për burim kriminal të ardhurash, ndërkohë që Ajola Xoxa është avokate e Bechettit në këtë çështje. Por Rama ofron imunitet dhe ligji nuk vepron ndaj zonjës Veliaj.

Sipas Edi Ramës, Ajola Xoxa, bashkëshortja e kandidatit të tij për Tiranën, është e përfshirë në para të pisëta.

Kështu i quan Edi Rama paratë e pronarit të Agon Channel, ku Ajola Xoxe është e lidhur drejtpërdrejt si përfaqësuese ligjore e z.Becchetti.

Eshtë bërë publike sot, se zonja Veliaj ka përfaqësuar në disa gjyqe pronarin e Agon Channel, pikërisht për çështjen financiare për të cilën është akuzuar klienti i saj.

Ndërkohë që, dy ditë më parë, kur sapo nisi procesi për këtë rast, Edi Rama shpalli verdiktin e tij. Si prokuror madje si gjyqtar suprem, ai tha: “Bllokimi i burimit të parasë së zezë që ushqente Agon Channel një sukses!”.

Ajola Xoxe ndërkohë është në mes të gjithë kësaj histore transaksionesh si avokate e Becchettit. Nëse paratë e pronarit të Agon janë të pisëta, me burim kriminal, si ka mundësi që zonja Veliaj është e përfshirë?

Si ka mundësi që ndaj saj nuk ka sot një procedim penal, sepse ekziston, është në fuqi një ligj që e detyron avokatin të raportojë pranë Drejtorisë së Pastrimit të Parave kur ka lëvizje të dyshimta parash, që e kalojnë shumën e 1 milionë lekëve të vjetra.

Ligji nr 9917, i vitit 2008, e detyron Ajola Xoxen të raportojë. Neni 3 thotë se subjektet e këtij ligji janë, avokatët, noterët, përfaqësuesit ligjorë, ekspertët kontabël, etj. Zonja Veliaj, sipas dokumentave të bëra publkike sot është pikërisht avokate e z.Becchetti.

Si është e mundur që ky ligj i Republikës së Shqipërisë nuk vepron dot ndaj bashkëshortes së Erion Veliajt?

Pse ka imunitet ajo, çfarë e mbron atë, pse nuk është e barabartë para ligjit?

Pse nuk vepron ky ligj ndaj Ajola Xoxes edhe në rastin e Dzanashvillit, bosit të mafias së Ballkanit e më gjërë, avokate e të cilit është bashkëshortja e Veliajt.

Dhe a ka ndonjë shpjegim, që sa herë flitet për para të pisëta, e pastrim parash me burim kriminal, del emri  Ajola Xoxes si avokate?

A kanë marrë formën e posterave, spoteve, zyrave elektorale, formën e fushatës së luksit të Erion Veliajt, paratë e pisëta ku është përfshirë bashkëshortja e tij.

Edhe sa do të vazhdojë Edi Rama ta mbrojë zonjën Xoxa nga përballja me ligjin.

Edhe sa skandale të tjera duhet të ndodhin që Erion Veliaj të flasë, të bëjë transparencë.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 12 Qershor 2015

 

Read More
12 Qer
0

Duma: Projekti për rivitalizimin e lagjeve, vende pune, ujë të pijshëm, kanalizime, ndriçim

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma prezantoi programin me banorët e lagjes nr 11. Duma tha se investimet dhe projektet e bashkisë do të hapin 15 mijë vende pune me një objektiv që çdo familje të ketë të paktën një të punësuar.

“Kam thënë që premtimi i parë është 15 mijë vende pune duke thënë që sot që programet e zhvillimit dhe gjitha format e investimit do na çojnë drejt punësimit, që çdo familje e bashkisë së Durrësit të ketë të paktën një të punësuar”, tha Duma.

Takimi më banorët u zhvillua pranë ish lulishtes 1 Maji, atje ku zbulimi arkeologjik u muros me beton.

“Vazhdoj ta them që Durrësi është roma e Shqipërisë. Kodrat që ka rreth e qark janë Toskana e Shqipërisë. Por këtu mund të kishim Pompein e Shqipërisë. Kjo është ajo që është gjetur dhe po ta kishim sot do të kishte qënë një nga pasaportat më të rëndësishme të turizmit”, shtoi Duma.

Kandidatja e djathtë foli mbi proramin e saj për rivitalizimin e lagjeve me gjelbërim dhe të gjithë standardin e duhur.

“Në një vit e 8 muaj do të mbarojmë të gjithë sistemin e kanalizimeve, do ndajmë ujërat e zeza nga ujërat e bardha dhe do mbyllim 3 kanalet që sot janë gangrenë dhe një situatë infeksioni dhe sëmundjesh. Në një vit e 8 muaj ne do të mbarojmë me gangrenën që ka mbi 20 vjet që vazhdon. Në çdo lagje do kthejmë standardin e lagjes tip ku mes pallateve nëse është nga 500 në 800 metra katrorë ne do të kemi minimalisht 400 metra katrorë gjelbërim pa u frikësuar fare si do ta bësh këtë se nuk ka njeri që nuk e di që një metër katrorë beton apo pllakë është 7 fishi i një metri katrori gjelbërim dhe bar. Pa u shqetësuar se  si do të bëjmë ne që në çdo lagje të ketë një minipark lojërash ku të ketë një shilarëse siç kanë qënë në situatat e qyteteve normale me stola ku të kemi mundësinë të kemi edhe ndriçimin e përhershëm. Çdo rrugicë e bashkisë së Durrësit do jetë e ndriçuar”, tha Duma.

Ajo u shpreh se do të ndryshohet marrëdhënia me biznesin duke marrë si shembull gjobitjen nga ana e bashkisë aktuale.

“E dini kush është zëri në buxhet që e parashikojnë dhe e planifikojnë më mirë se sa të gjitha ?! Është zëri të ardhurat nga gjobat. Të ardhurat nga gjobat ishin 120 milionë lekë dhe ishte i vetmi zë që ishtë plotësuar i gjithi. Kishin marrë 120 milionë lekë gjoba aq sa e kishin parashikuar se do të kishin qënë gjobitjet  që në fillim të vitit. Kjo është sjellja me biznesin dhe pastaj thonë se me çfarë do ti hapë vendet e punës. Grida Duma thotë 15 mijë vende pune ku 30 % e taksave do të ulen në momentin e parë në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak. Që taksa e pasurisë do zbresë deri në nivelin mundësisht të 150 lekëve. Kur të hapim vende pune, të gjitha nënat që janë kryefamiljare që për një arsye apo një tjetër disa nuk jetojnë me parnerët e tyre, disave u kanë vdekur e disa rrisin fëmijë jetimë, e disa që janë të punësuara të vetme në jë familje, të gjitha ato që punojnë në ndërmarrjet fason, bashkia do të ketë fondin e subvencionimit të sigurimeve”, tha Duma.

Në lidhje me me transportin publik, Duma tha se menjëherë do të shtohet fluksi i autobuzëve për të plotësuar nevojat në bashkinë e re të Durrësit.

“Është super e nevojshme që qytetit t’i trefishohen linjat e autobuzëve por edhe t’’ trefishohen oraret. Premtimi tjetër për shkollën është që atje ku shkolla është e paarritshme, për shkollën transporti publik do jetë falas për ato shkolla që janë larg, për të cilat ne e kemi detyrim bëjmë shkollën afër fëmijëve dhe afër komunitetit. Ajo që ju siguroj nga sot e tutje është; stop absolut betonizimit agresiv të qytetit dhe bregdetit”, tha Duma.

Kandidatja mori mbështetjen e banorëve në veçanti të një nëne e cila tha se:”Kam 20 vite që familjarisht jetoj në Greqi. Erdha vetëm për ti dhënë votën Gridës”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015

Read More
12 Qer
0

Do të jemi mburojë ligjore dhe njerëzore për kavajasit

Kandidati i Aleancës Popullore për Punë dhe Dinjitet, Engjëll Cara, u ndal në një takim me banorët e fshatit Kryemëdhenj të komunës Golem.

Problem madhor në këtë komunë është prishja selektive e ndërtimeve me leje, vetëm e vetëm për presione politike. Z. Cara, u zotua para banorëve që ai, nesër, do të jetë për ta një mburojë ligjore dhe njerëzore.

” Kjo është një zonë e cila është urbanizuar tashmë. Ka ndërtime, që janë ndërtuar dhe akoma vazhdojnë të ndërtohen por ne do të bëjmë kujdes, do të bëjmë kujdes, që, askush nesër të mos veprojë në mënyrë selektive për të prishur ndërtimet që janë gjaku dhe djersa e këtyre banorëve. Ne do jemi mburojë ligjore dhe mburojë njerëzore”

Më tej kandidati i djathtë Engjëll Cara, ceku një tjetër problem shqetësues për këtë zonë, që është ndarja abuzive e tokës në kundërshtim me ligjin.

“Probleme të shumta ka kjo zonë për tokat bujqësore, të cilat në këto vite nuk janë trajtuar nga ana ligjore, nga njerëz kompetentë, ndaj ne marim përsipër, azhornimin e të gjitha sipërfaqeve të tokave për çdo pjestar, për çdo fermer dhe sistemimin e tyre duke bërë këshillimin me specialistët më të mirë të fushave përkatëse, për të përcaktuar sipas strukturës së tokës dhe mënyrën më efikase për të rritur prodhimin në produkte të ndryshme bujqësore, pemtari apo blegtori”, tha Cara.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015

Read More
12 Qer
0

Frrokaj: Lezhjanëve do tu kthejmë hapësirat e duhura për ta

Kandidati demokrat për bashkinë e Lezhës Fran Frrokaj është ndalur në bashkëbisedimet e tij me çdo banor në lagjet Besëlidhja dhe Gurra. Ndërsa ka dëgjuar shqetësimet e banorëve të lagjes besëlidhja, Frrokaj ka deklaruar se do ti japë fund bunkerizimit me ndërtime pa kriter duke rikthyer sërish hapësirat që u takojnë qytetarëve.

Me banorët e lagjes Gurra, Frrokaj ka deklaruar se kryetari i bashkisë duhet të përfaqësojë interesat e qytetarëve dhe zgjidhjen e problemeve që sipas tij në këtë lagje janë më të shumta se kudo.

Infrastruktura rrugore, hapësirat e gjelbërta, ambientet për fëmijët dhe të moshuarit janë disa prej mangësive që kanë prezantuar banorët e lagjes Gurra dhe Besëlidhja, duke kërkuar zgjidhjen e tyre nga kandidati Fran Frrokaj.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015

 

Read More
12 Qer
0

Basha: Dinjiteti i shqiptarëve nuk është në shitje, me votë do ta ndalim të keqen

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e  takimeve elektorale në Malësi të Madhe. Ky bashkim i madh i shqiptarëve nga veriu në jug është dëshmia më e madhe e vullnetit të zgjedhësve për të ndalur këtë të keqe që ka mbërthyer vendin, ka varfëruar shqiptarët, ka vrarë shpresën.  Era e ashtuquajtur e rilindjes, era e mortit siç i thonë sot anembanë vendit, erdhi në Malësi para dy vitesh, i varfëroi si asnjëherë tjetër qytetarët, njerëzit, familjet, Malësinë, vendin, ju versul dinjitetit, gjësë më të shtrenjtë që ka shqiptari, tha zoti Basha duke theksuar 21 qershori është ora e llogaridhënies e kësaj mazhorance në Malësi të Madhe dhe kudo në Shqipëri.

Jo vetëm në këto gjashtë javë, por për dy vite kemi qenë pranë jush dhe kemi prekur me dorë, kemi parë me sy hallet e mëdha. Kam parë burra të fortë që u dridhej buza sepse nuk kishin kokrrën e lekut për të paguar bukën e fëmijëve të tyre. Kam parë nëna që shisnin gjakun e trupit të tyre për të paguar faturat. Këta që e sollën këtë të keqe, dyshja Rama-Meta që e sollën këtë të keqe i gënjen mendja se me 21 qershor, me 20 mijë lekë apo 30 mijë lekë apo me thesin me miell do të mund të blejnë dinjitetin tuaj, do të mund të blejnë bukën tuaj për një natë që t’ju shkelin për një vit. E kanë gabim, varfëria që mbollën, mjerimi që shtuan është në armiqësi me dyshen Rama-Meta, është mallkimi i tyre, është ndëshkimi i tyre. Ndaj dita e vendimmarrjes me votë po afron, nuk i ikin dot”- theksoi zoti Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se mazhoranca kërkon t’i ikë përgjegjësisë për gjendjen e krijuar, ti ike llogaridhënies për mosmbajtjen e asnjë premtimi të dhënë. Sot, ne Shqipëri çmimete energjisë dhe naftës dhe niveli i taksave është më i larti në rajon. Papunësia është rritur, shumica e shqiptarëve marrin borxh për të mbyllur muajin dhe të vetmit që pasurohen janë qeveritarët me paratë e taksapaguesve.

Rama-Meta e shumëzuan me zero dinjitetin tuaj e shumëzuan me zero dinjitetin e të gjithë shqiptarëve, me rritjen që i bënë çmimit të energjisë elektrike, çmimeve dhe taksave në përgjithësi. Ka patur gjithmonë mospërmbushje 100 përqind të premtimeve elektorale por të kthesh mbrapsht premtimet, të premtosh ulje të çmimit të energjisë dhe ta ngresh atë, të premtosh uljen e taksave dhe ti ngresh ato, të premtosh uljen e çmimit të karburantit dhe ti ngresh ato e ta bësh më të shtrenjtin në Ballkan, vetëm këta e bënë, vetëm një bandë që e konsideron popullin pa tru, vetëm këta mund ta bëjnë.

Kemi çmimin më të lartë të energjisë në rajon, e tha dje Eurostati dy herë më të lartë sesa vendet e tjera të rajonit. Kemi taksat më të larta në rajon. Kemi çmimin e naftës më të lartë në rajon. Pagat, pensionet dhe të ardhurat më të ulta në rajon. Pse e bënë? Sepse gjetën rrugën më të thjeshtë, t’i bien popullit, gjetën rrugën më të gabuar, të shkatërrojnë ekonominë, taksat e larta, çmimi i lartë i energjisë elekrtike dhe karburantet, krimi i veshur me pushtet dhe korrupsioni, këto janë shkaqet kryesore se pse po rrokulliset Shqipëria, përse po bëhet çdo ditë e më keq”.

Ulja e çmimit të energjisë, ulja e taksave, është oferta e partisë për zgjidhjen e lakut, daljen nga qorrsokaku ku e ka futur qeveria, tha zoti Basha duke garantuar se  me votën e popullit askush nuk mund ta refuzojë këtë ofertë.

Ju do të zgjidhni mes ofertës tonë për uljen e taksave, uljen e çmimeve, uljen e çmimeve të mallrave të shportës, heqjen për TVSH-në e naftës në bujqësi, subvencione për bujqësinë dhe blegtorinë, rritje të rrogave dhe pensioneve, mbajtjen e pushtetit vendor këtu për qytetarët e Malësisë së Madhe, banorët e Malësisë së Madhe dhe jo emigrimin e pushtetit vendor në kulisat e oligarkisë në Tiranë dhe ofertës se tyre që është kapja e pushtetit me çdo kusht. E patë se çfarë plani djallëzor kanë që ju të mos shkoni drejt në zyrat e Bashkisë dhe të qani hallet si qytetar por të shkoni përmes sekserëve të pushtetit në mënyrë që të lëpihen e ti merret palca e kockës nga Paulini me shokë, e pastaj t’ja hedhin malësorëve.

Me votën tonë, me votën tuaj ne do të heqim lakun nga fyti i familjeve që vuajnë nën shtrëngesën ekonomike. Me votën tonë, me votën tuaj do t’ju themi Paulinit, skotës së tij por edhe qeverisë në Tiranë se zotër të Malësisë së Madhe janë banorët e Malësisë së Madhe dhe askush tjetër. Nuk e dorëzojmë pushtetin vendor, nuk e zhdukim pushtetin vendor por do të krijojmë një pol fuqie qytetare për të çuar në drejtimin e duhur, për të ndalur të keqen dhe për ti hapur rrugën zhvillimit, punës dhe dinjitetit.

Ju jap fjalën se vota juaj për Anton Kokën, vota juaj për PD, do t’ju shpërblehet me vendosmërinë tonë, me punën tonë dhe me vendimin tonë për t’i shkuar deri në fitore betejës tonë për zgjidhjen e halleve tuaja dhe problemeve tuaja. Se pas 21 qershorit pa asnjë alibi nuk do të pranohet më, se me vulën e popullit sovran të Malësisë së Madhe dhe gjithë Shqipërisë ne do ti ulim taksat, ne do ti ulim çmimet, ne do të rrisim rrogat dhe pensionet, ne do ta rifusimin ekonominë në rrugën e zhvillimit të shpejtë, të krijimit të vendeve të punës për të gjithë ata që kanë nevojë e në veçanti për të rinjtë e të rejat e Malësisë së Madhe

Askush s’na tremb dot, askush s’na kërcënon dot, betejën për votën e lirë e kemi fituar para 25 viteve dhe nuk na e merr dot askush. Ndërsa betejën për të ardhmen e Malësisë së Madhe, për të ardhmen e fëmijëve tuaj nuk e vendos dot as zarfi i parave të pista që i kanë vjedhur me ton e i kthejnë me pikatore, as vandalët që shëtisin natën si hije e si hije do të mbeten pas me 21 qershor, as zyrtarët që i paralajmëroj të mos shkelin ligjin sepse do të japin llogari një për një, emër për emër para ligjit, kjo është fjala ime, ky është zotimi im.”-përfundoi fjalën kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 12 Qershor 2015

Read More
11 Qer
0

Duma: Bashkë me Flamurin do krijojmë kushte për personat me aftësi të kufizuara në Durrës

Flamur Bala, një djalë me aftësi të kufizuara në Durrës, ndërtoi vetë me materiale të riciklueshme disa rampa për t’i vendosur në pika kryesore në qytet në mënyrë që ai dhe qytetarë të tjerë me aftësi të kufizuara të lëvizin lirshëm në qytet. Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma vlerësoi punën dhe kontributin e Flamurit.

“Janë materiale të ricikluara. Është përdorur vetëm dërrasë, gozhda dhe bojë. Kostoja është e ulë. Mjafton vetëm 200 lekë për ta bërë. E kemi bërë edhe në formë simbolike duke parë që mbështetja nga institucionet është pothuaj zero për ne personat me aftësi të kufizuara”, tha Flamuri.

Zonja Duma tha se bashkë me Flamurin do të punohet që të 453 personat me aftësi të kufizuar në Durrës të kenë lehtësira në lëvizjen e tyre duke pajisur autobuzët, pallatet dhe trotuaret me rampa.

“Bashkëpunimi jonë në të ardhmen nuk do jetë prej mëshire që t’i të kërkosh 200 lekëshin për të bërë atë. Ne do ndërhyjmë realisht tek rampat që do t’i krijojmë çdo trotuari. Ashtu siç kemi thënë që do t’i realizojmë tek të gjithë autobuzët që nuk e kanë rampën. Do ta bëjmë me menteshë dhe do të ketë rampë. Po ashtu të gjithë pallatet ku ju banoni. Ne i kemi evidentuar që ju jeni  453 individë që keni nevojë për rampën atje ku banoni. Do kemi rampën e qendrueshme tek pallatet e vjetra dhe rampën me menteshë tek pallatet e reja”, tha Duma.

Në mënyrë simbolike, Flamuri dhe një grup të rinjsh bashkë me kandidaten Duma vendosën disa rampa të ndërtuara nga ai në disa prej trotuarëve në qendrën historike të qytetit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Qershor 2015

Read More
11 Qer
0

Do t’i kushtoj vëmendje të veçantë zejtarisë dhe prodhimeve artizanale në Korçë

Kandidati Gjergj Mero vizitoi punishten më të njohur dhe të vetme të poçerisë dhe punimit të terakotës në Korçë, por dhe në Shqipëri. Duke e cilësuar si një  vlerë të rrallë vazhdimin e kësaj tradite shekullore në Korçë,  kandidati Mero tha se varfëria e madhe ulja e fuqisë blerëse dhe taksat e larta,  ka bërë që këto për këto punime të mos ketë interes blerjeje dhe tregtimi.

“Me  bashkinë e re unë do ti kushtoj një vëmendje të veçantë zejtarisë dhe prodhimeve artizanale, u shpreh kandidati Mero duke mëshuar në uljen e barrës fiskale dhe zbatimin e nismave  bashkëpunuese me organizatat ndërkombëtare për zhvillimin e zejtarisë.  Ulja e taksave dhe tarifave vendore si dhe subvecionimi i Bashkisë së re do te jenë inkurajimet kryesore në këtë fushë të veçantë biznesi.

Zhvillimin  e kësaj tradite, kandidati Mero e ka si projekt  kryesor në gjallërimin e traditave dhe si  marka  turistike të Korçës. Ai tha se me  keto punishte do te punësohen  gra dhe të rinj të cilët kanë talent dhe pasion për këto punime por nuk gjejnë mbështetje nga Bashkia dhe strukturat përkatëse


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Qershor 2015

 

Read More
11 Qer
0

Komuniteti çam mbështet vetëm Genc Deromemaj, deputeti Tahiri: Sahanlëpirësit s’mund të kërkojnë votë nga çamët

Komuniteti çam në Vlorë mbështet fuqishëm kandidatin Gend Deromemaj dhe Partinë Demokratike, kjo është faktuar edhe në takimin madhështor organizuar me mbështetje të deputetit Dashmir Tahiri në Pallatin e Kulturës në Vlorë. Me qindra çamë, të të gjitha moshave, kanë pjesë e këtij takimi entuziast, ku është garantuar vota për fitoren e 21 qershorit.

“Ne nuk e kemi luksin e akrobacive politike”, – tha Bukuroshe Isufi, pjesë e listës së këshilltarëve bashkiak. “Për këtë, – tha ajo, – ne mbështesim me këmbëngulje deputetin Dashamir Tahiri.” Ndërsa kërkoi votë për numrin 3 dhe numrin 15.

Numri 2 i Partisë Demokratike të Shqipërisë Arben Ristani, i kërkoi çamëve e gjithë vlonjatëve të votojnë si duhet në 21 qershor, për t’i dhënë fund arrogancës dhe klikës së krimit që ka kapluar shtetin. Ai tha se Genc Deromemaj ka një program konkret, ndërsa përballë s’ka alternativë.

“Shtëpia e çdo çami është aty ku kanë qenë shtëpia e të parëve tanë, te Partia Demokratike”, – tha deputeti Dashamir Tahiri.

Ai u kërkoi bashkëkomunitarëve të tij të zbojnë sahanlëpirësit që kërkojnë votë për interesa personale. Deputeti Tahiri garantoi se me Genc Deromemaj dhe Partinë Demokratike, çamët do të përfaqësohen denjësisht në nivelet e qeverisjes lokale, duke marrë vendin që meritojnë.

“Me konsideroni djalin tuaj, djalin e Çamërisë, dhe më mbështesni!”, –  ishte kërkesa e sinqertë e kandidatit Genc Deromemaj ndaj komunitetit cam. Ai tha se u detyrohet atyre dyfish, për shkak të shpërfilljes së madhe dhe mungesës së vëmendjes për zonat ku jetojnë çamët në Vlorë.

Salla e tejmbushur e Pallatit të Kulturës, dëshmoi edhe një herë se çamët në Vlorë, janë pjesë natyrale e së djathtës e në 21 qershor do të mbështesin e votojnë Genc Deromemaj dhe Partinë Demokratike, pasi ky komunitet gjithmonë është mbështetur te puna dhe dinjiteti, vlera që do të mbrojë edhe me votën e 21 qershorit.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 11 Qershor 2015

 

Read More