Blog

30 Maj
0

Rama shkel Kodin Zgjedhor, kërkohet monitorim dhe ndjekje penale

Edi Rama vazhdon të shkelë Kodin Zgjedhor dhe të injorojë thirrjet për të mos cënuar standardet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Edhe sot, ai vuri në dispozicion të kandidatit të tij për Tiranën, nje zyrë te administratës publike, siç është Aluizni, duke e kthyer punën e saj dhe detyrimin ligjor që ka, në një shoë mediatik e propagandistik për interes të fushatës.

Kjo është një shkelje brutale e Kodit Zgjedhor, e nenit  3, i cili ndalon përdorimin e aseteve publike në fushatën elektorale.

Konkretisht në pikën 7 dhe të 8 të këtij neni thuhet :

-Me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj, ndalohet vënia në përdorim të subjekteve zgjedhore i mjeteve, fondeve dhe materialeve të ndryshme pronë publike, si dhe i burimeve njerëzore të administratës publike të çdo niveli.

-Institucionet e administratës publike, të çdo niveli, me veprimtarinë̈ e tyre nuk duhet të cënojnë zhvillimin e zgjedhjeve.

Kodi Zgjedhor është Kushtetuta e zgjedhjeve, dhe është votuar e miratuar edhe nga Edi Rama.

Në mënyrë të përsëritur, kryeministri po e shkel këtë Kushtetute, ashtu siç po mbjell kudo, e stimulon kudo, frymën e manipulimit të votës.

Partia Demokratike i bën thirrje ODIHR-it, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, ambasadave të vendeve të Bashkimit Europian,  që të monitorojnë nga afër e të evidentojnë në raportet e tyre këto shkelje të pashembullta e të përsëritura të stardardeve të zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Përsërisim thirrjen ndaj Prokurorisë të nisë menjëherë

ndjekjen penale për këtë shkelje të rëndë e flagrante, ditën për diell, që funksionarët e lartë të Administratës po i bëjnë Kodit Zgjedhor.

Shkelja në këtë rast ka emër, quhet Artan Lame, i cili e ka kthyer ALUIZNI-n në zyrë të shtabit elektoral të kandidatit Erion Veliaj.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Keltis Kruja 30 Maj 2015

 

Read More
30 Maj
0

Duma: Nuk do lejojmë betonizimin e bregdetit, drejt agroturizmit

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me banorët e Ishmit mbi planin afatgjatë për turizmin në këtë zonë me potencial të madh zhvillimi. Duma tha se nuk do lejojë më betonizimin e bregdetit por do shkojmë drejt agroturizmit.

“Kam thënë që nuk do lejoj më betonizimin e bregdetit. Do shkojmë drejt agroturizmit dhe drejt turizmit të resorteve me dy-tre kate maksimumi, me hapësira të gjelbërta, që i shkojnë të gjitha jo si mur detit, por vertikal drejt detit. Të shikohet deti sepse në Durrës nuk shikon më detin njeri. I është vënë muri detit. Ju i keni bërë shtëpitë gati për turizëm. Rrugën do e bëjmë urgjent dhe pastaj do fillojmë dalgandalë me pastrimin e lumit sepse edhe ai ka pjesën e vetë turistike që mund ta shrytëzojmë shumë bukur”, tha Duma.

Banorët e Ishmit mirëpritën programin e kandidatës për të hapur mundësi punësimi për zonën e tyre.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015

Read More
30 Maj
0

Basha: Pasi i shtyu drejt vetëvarsjes, u hoqi bukën e fëmijëve, i detyroi të jepnin dorëheqje për të futur kriminelë në parlament,Rama-Meta u kërkojnë sot votën grave

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin e bashkëbisedimit me qytetarë dhe tregtarë të bashkisë së Durrësit. Taksat e larta, shtimi i bizneseve informale në prag të zgjedhjeve, rritja e çmimit të energjisë dhe rënia e fuqisë blerëse kanë qenë disa prej shqetësimeve të paraqitura nga tregtarët. Mungesa e ilaçeve nëpër spitale dhe pamundësia për t’i siguruar ishte një tjetër shqetësim që iu shpreh zotit Basha, në afërsi të spitalit të Durrësit.

Pasi u njoh me shqetësimin e një gruaje e cila e kishte të pamundur tu siguronte bukën fëmijëve të saj, zoti Basha tha se respekti për gratë nuk tregohet duke i mbledhur në mitingje elektorale por duke u mundësuar punë, që ato të mos vuajnë mungesën e bukës së fëmijëve.

“E dimë mirë ne se sa i do gratë Edi Rama, e dinë familjet e Brunilda Mekës që e çoi drejt vetëvrasjes kur e hoqi nga puna, e di familja e asaj zonjës tjetër që ra në korent sepse ia kishte shkyçur korrentin, megjithëse  e kishte fëmijën me azmë. E dinë gratë kryefamiljare që rrisin jetimë, sepse burrat i hoqën nga puna dhe u mori edhe jetën me vetëflijim, nga Rrogozhina në Tale të Lezhës. I përdori gratë për të hequr rivalët e tij në parti dhe pastaj i detyroi gratë që të jepnin dorëheqjen që të fuste kriminelët në parlament. Ky është Edi Rama dhe respekti i tij për gratë”

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua dhe me banorë të Shënavlashit. Në dy vjet, Edi Rama dhe Ilir Meta jo vetëm nuk mbajtën asnjë premtim, tha zoti Basha por kanë refuzuar dhe të votojnë propozimet e Partisë Demokratike për uljen e çmimit të energjisë, uljen e taksave, subvencione për bujqësinë etj. Në 21 qershor, tha zoti Basha kartonat janë në duar të qytetarëve dhe me votën e tyre do ta ndalin të keqen dhe do t’i hapin rrugë ofertës së Partisë Demokratike për punë dhe dinjitet.

“21 qershori do jetë fitorja e zgjidhjeve për hallet tuaja, problemet tuaja, duke ulur taksat, duke ulur çmimet, duke bërë të mundur investime që të hapin vende pune dhe duke ndihmuar fermerët me investime në infrastrukturë dhe qytetarët me investime në shëndetësi e në arsim, duke qenë pranë jush me vepra, duke ndalur të keqen e duke hapur derën e  së mirës për çdo banor të Shënavlashit, për çdo banor të Rrashbullit e Shqipërisë”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015

Read More
30 Maj
0

Kandidati i Ramës për Tiranën, mashtron dhe shpif me firmën e Ramës

Edi Rama e bëri qesharak kandidatin e tij për Tiranën, kur e nxori dje të sulmojë doktor Halim Kosovën në lidhje me godinën e klinikës, që sipas tij është ndërtuar pa leje.

Edhe më qesharak u bë kandidati po të keni parasysh mllefin që përdori dje me këto akuza, bazuar në mashtrim e shpifje.
Kjo që po ju tregoj tani, është një leje ndërtimi për rikonstruksion objekti, dhe leje ndërtimi për shtesë objekti, që Edi Rama ka firmosur në vitin 2004 kur ishte kryetar Bashkie, për klinikën e z.Kosova.
Ja ku është dokumenti zyrtar, me firmë dhe me vulë.
Kjo është e vërteta.
Kjo është e vërteta e dokumentuar, për të cilën askush nuk kishte dyshim, sepse Halim Kosova asnjëherë në jetën e tij nuk ka shkelur ligjin.
Atëherë pse Erion Veliaj, gënjen, mashtron dhe shpif?
Me siguri e ka nga halli.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015

Read More
30 Maj
0

Duma: Emergjencë pastrimi i qytetit nga plehrat, impiant riciklimi në Porto Romano

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma vizitoi vendodhjen e depozitimit të plehrave të qytetit në Porto Romano, e cila është kthyer në një burim ndotje alarmante për qytetin. Duma tha se pastrimi i qytetit është emergjencë dhe do të niset nga diferencimi i plehrave që kur hidhen nga qytetarët. Ajo u shpreh se do të ndërtohet një impiant modern i përpunimit dhe riciklimit të plehrave ç’ka do të mbrojë Durrësin nga ndotja e madhe dhe do të hapen vende pune.

“Kjo zonë është emergjencë për tu pastruar dhe për të kthyer riciklimin e plehrave edhe në një aktivitet ekonomik, siç e ka gjithë bota. Në fakt plehrat kanë nevojë për një tjetër trajtim. Kanë nevojë për trajtim që në burim ku i hedh secili nga ne. Do ti ndajmë plehrat në 3 kategori dhe do fillojmë që nëpërmjet procesit të riciklimit të ndërtojmë një fabrikë të reciklimit të plehrave shumë herë më moderne e cila është edhe për të shpëtuar ambjentin por edhe për vende pune”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015

Read More
30 Maj
0

Manipulimi i zgjedhjeve në Kavajë, 800 regjistrime të reja anonime për zgjedhje

Kandidati i djathtë për kryetar Bashkie në qytetin e Kavajës, zhvilloi një takim me banorët e lagjes “Grykë”, me të cilët ndau disa pika kryesore të programit të tij elektoral.
Kandidati Engjëll Cara tha se prioritetet e programit të tij janë: Rikthimi i dinjitetit të qytetit të Kavajës dhe lufta e pakushtëzuar ndaj varfërisë.
“Në projektin tonë, primare është, kthimi i Kavajës në dinjitet. Në sot jetojmë në Kavajën tonë më të varfër se 4 vite më parë. Në këto 4 vite janë larguar nga skema ekonomike qytetarë, vetëm e vetëm se nuk ishin anëtarë të “Rilindjes”. Kemi takuar familje në nevojë që nuk kishin mundësi të blinin ilaçe”

Kandidati Cara vuri në dukje tentativat e kundërshtarit për të manipuluar zgjedhjet me zgjedhës fiktivë, që vijnë kryesisht nga Tirana.
Janë 800 regjistrime të reja, anonime, që vijnë nga Tirana për t’u regjistruar në kontrata 3-mujore, vetëm e vetëm për zgjedhje.

Kandidati për Kavajën Cara, u fokusua sërish në luftën kundër varfërisë.

“Programi ka prioritet numër një luftën kundër varfërisë. Në buxhetin e ardhshëm të Kavajës, fond i veçantë do të jetë për familjet në nevojë”, tha Cara.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015

Read More
30 Maj
0

Basha: Rama – Meta s’kanë ofertë, më 21 qershor ta ndalim të keqen

Kryetari i Partisë Demokratike  Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me banorë të Belshit, Cërrikut dhe Bradasheshit në Elbasan. Banorët e njohën z. Basha me shqetësimet e tyre, që nga rënia e fuqisë blerëse, rritja e çmimit të energjisë e deri tek pamundësia për të blerë ilaçet. Një zonjë i tha z. Basha se po kurohet me kura popullore se nuk ka të ardhura për të blerë ilaçe. Nëpër dyqane gjen të mbivendosura mbishkrime, “nuk japim më veresie”.

Banore: Energjinë po shyqyr, tani na e rritën prapë.

Basha: Sa të ka shkuar fatura mujore?

Tregtare: Ka raste 80.

Basha: Sa e ke pasur përpara, sa të shkonte?

Tregtare: 40.

Basha: Dyfishim, do me thënë.

Tregtare: Tërë ditën e ditës sot, turp të tregosh, kaq xhiro, isha e sëmurë më bënin ilaçet 22 mijë lekë, nuk i mora dot. Po luftoj sëmundjen me kura popullore.

Tregtare: Kemi 25 vjet këtu, si tani nuk ka bërë vaki, nxijnë listat, nuk i mbledhim dot, do më japësh një bukë veresie, e po kjo është tmerr.

Basha: Vota për Partinë Demokratike, unë premtoj do të shkojë për paketën tonë të shpëtimit, të ulim taksën në minimum, më të ultën në Ballkan, të ulim çmimin e energjisë, që ato lekë që i çojmë për fatura e kamatë-vonesat, t’i kenë në xhepin e tyre, të vijnë e të blejnë bukë e të blejnë mallrat kryesore, të heqim TVSH-në për mallrat e shportës, që të paktën t’i paguajnë 20% më pak. Ç’ kuptim ka që shteti vjen e të merr 20% për vezën, bukën, kurse ai tjetri s’ka lekë të japë për bukën?!

Në zonën e Dumresë, banorët merren me kultivimin e duhanit dhe  shqetësim i tyre është rritja e kostove të punimeve bujqësore për shkak të rritjes së çmimit të naftës  dhe energjisë. Banorët thonë se marrin me listë plehrat kimike por pamundësia për t’i shlyer i ka bërë që tregtarët të mos ua japin më. Problem, thanë banorët  janë gjithashtu faturat abuzive të energjisë dhe emigrimi i madh i banorëve që nuk shohin asnjë shpresë.

Tregtare: Xhiro fare, ka ra, pastaj kemi shumë veresie që na marrin, gjithë lagjja, ka ikur të gjithë në Gjermani.

Tregtar: Na premtoi me 7 mijë lekë kilen e duhanit. Çmimi i duhanit sot është1500 lekë. Tani, ne ku të vemë?

Basha: Kostoja e proceseve është dyfishuar fare…

Tregtar: Dyfishuar, jo trefishuar.

Tregtar:  4 milionë e 600 me ka ardhur fatura e dritave

Basha: Për një muaj?

Tregtar: Tani ka vajt 9 milionë e ca, plus kamata…

Basha: Çfarë fabrike ke atje?

Tregtar: Asnjë fabrikë s’kam, kam një lokal të vogël. Kur më ka ardh ajo faturë, unë sa e kam hapur atëherë. 18 milionë në fshat, në një fshat të humbur?!

Basha: Kjo zgjidhet me votë dhe në 21 qershor ju keni mundësinë që këtë të keqe ta ndalni me votën tuaj por nga ana tjetër, duke votuar për Partinë Demokratike në 21 qershor, ju bëni një zgjedhje për platformën tonë të uljes së çmimit të energjisë me 25% dhe faljes së kamatë-vonesave për të gjithë banorët e Dumresë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Maj 2015

Read More
29 Maj
0

Gjarpërinjtë pushtojnë bregdetin në Vlorë, ja përse nuk u hap sezoni turistik

 Kandidati i Partisë Demokratike për Vlorën Genc Deromemaj reagon për gjendjen e Lungomares në Vlorë: “LUNGOGJARPRI!”

Të dashur miq: E kam shprehur prej kohësh, publikisht, shqetësimin për mos-hapjen e sezonit turistik këtë vit në Vlorë.

Duke e quajtur madje ‘mbyllje të sezonit’.

Fotot që shihni më poshtë japin një pamje të frikeshme dhe rrënqethëse. Ja pra, se pse nuk mund t’a hapnin sezonin.

Gjarpërinjtë kanë pushtuar atë që pushteti e quan ‘Lungomare’ ndërsa vlonajtët si ne e ju, herë ‘Lungobalta’ e herë ‘LungoRama’.

Që sot e tutje mund t’i themi edhe ‘LungoGjarpëri’.

Këta gjarpërinj dalin nga shtufi I hedhur aty, por nuk janë të vetmit që rrezikojnë jetën e banorëve, dhe sidomos fëmijëve.

Në atë palo rërë që kanë hedhur në plazh, rriten edhe akrepat e merimangat.

Kam një lutje: Mbajini larg fëmijët nga ajo zone!

Bëni durim:

Ora e ndryshimit po vjen! Vlora nuk do ta pranojë këtë turp!


 

Deklaratë e kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Vlorës, Genc Deromemaj, 29 Maj 2015

Read More
29 Maj
0

Projektet e mëdha për Durrësin; tregje, markata e peshkut, lunapark

Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me gratë e fshatit Kullë në Sukth mbi projektet e bashkisë së re. Duma tha se do të ndërtojë 3 tregje të mëdha bujqësore çka do të mundësojnë shitjen shpejt dhe me çmim më të lartë të produkteve të fermerëve në këtë zonë që bujqësinë e kanë prioritet. Projekti i saj përfshin edhe ndërtimin e portit dhe markatës së peshkimit por edhe një lunapark që do të ndërtohen pranë komunave dhe jo në bregdet.

“Kushdo që më pyet se cilat do jenë projektet e mëdha të Durrësit, do ketë vepra të mëdha siç do jetë markata e peshkut dhe porti i peshkimit që do rehabilitohen plotësisht. Ashtu siç do ketë në anën veriore projektin e një Lunaparku, pra një kënd i madh që do të jetë atraktiv. Nuk do të jetë në bregdet por në pjesën e komunave. Ashtu siç do të jenë projekte të 3 tregjeve të mëdha të produkteve bujqësore dhe frigoriferike që do të krijojnë aksesin dhe hyrjen e produkteve në tregjet e mëdha në atë të Durrësit”, tha Duma.

Kandidatja foli edhe për jetën në komunitet si shkollat, këndet sportive, transportin publik dhe rregullimin e rrugës në këtë fshat.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29  Maj 2015

Read More
29 Maj
0

Igli Kokalari: Barazi për të gjithë qytetarët e Bashkisë së Gjirokastrës

Të kthejmë sytë nga të gjitha lagjet e qytetit, kjo ishte edhe kryefjala e kandidatit z. Igli Kokalari gjatë takimit në lagjen Zinxhira të qytetit të Gjirokastrës. E lënë në mëshirën e fatit kjo lagje vuan për  shërbimet më elementare nga bashkia. Në lagjen ku informaliteti është më i lartë se kudo dr. Igli Kokalari premtoi se do t’i japë zgjidhje këtij problemi njëherë e mirë, duke e bërë bashkinë pjesë të zgjidhjes së këtij ngërçi.

Bashkia e re do jetë negociatorja kryesore në legalizimin e të gjithë banesave të qytetarëve duke qenë se qeveria aktuale ka dështuar plotësisht në legalizimin e këtyre banesave që janë të shumta në këtë lagje. Ndërtimi i shkollave, kopshteve, dhe gjelbërimin e kësaj lagjeje, do të jenë prioritar në projektet që bashkia e re do të realizojë në dy vjeçarin e parë të saj, duke e njehsuar këtë lagje me qytetin e Gjirokastrës.

Gjithashtu në këtë takim ai premtoi dhe rregullimin e infrastruktures rrugore, zgjidhjen e problemit të ndriçimit pa harruar edhe lagjen e romëve. Duke përmendur problematikën e këtij komuniteti, dr. Igli Kokalari premtoi një trajtim të njëjtë nga bashkia e Gjirokastrës edhe për hallet dhe problemet që bashkia aktuale i ka anashkaluar. Duke u ndalur në problematikën që paraqet komunitetit rom, dr. Igli Kokalari pasi dënoi me forcë indiferencën e bashkisë aktuale, ftoi banorët e këtij komunitetit që të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve të tyre, duke votuar për Igli Kokalarin, si një njeri që do t’u sigurojë atyre trajtim të barabartë me të gjithë qytetarët e Gjirokastrës.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 29  Maj 2015

 

Read More