Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha ne hapjen e fushatës elektorale të Partisë Republikane në qytetin e Durrësit
Zonja dhe zotërinj,
Vëllezër e motra, zoti kryetar i Partisë Republikane, mik i dashur Fatmir Mediu, zonja Mediu,
Të nderuar miq, i dashur Bob, i dashur Sten, i dashur Niki,
I dashur miku ynë, deputeti i Durrësit Agron Duka,
Zonja të nderuara,
E nderuar kandidate e koalicionit, kryebashkiake e ardhshme e Durrësit, Grida Duma,
Së pari, më lejoni t’ju sjell përshëndetjet më të përzemërta nga votuesit, simpatizantët, mbështetësit tanë në komunat e Tiranës që ashtu si në Durrës sot prekin, shumëfishojnë entuziazmin tonë, frymën e fitores që këtu nga Durrësi përfaqësohet nga Grida Duma, në Tiranë nga Halim Kosova e anembanë Shqipërisë nga kandidatët tanë, kandidatët e integritetit, kandidatët e natyrës së vërtetë njerëzore, të punës dhe dinjitetit.
Vëllezër e motra, në këtë hapje të fushatës elektorale të aleatëve tanë, të miqve tanë, të bashkëluftarëve tanë në 25 vite të Shqipërisë demokratike, të Partisë Republikane të Shqipërisë, ndjej bashkë me ju frymën e fitores që po përhapet shpejt shtëpi më shtëpi, lagje më lagje, komunë më komunë, fshat më fshat
Miqtë tanë amerikanë na kujtuan me fjalët e tyre parimin e shenjtë të demokracisë, atë të vendimmarrjes nga qytetarët me votë të lirë, atë të drejtimit të vendit, jo nga një grusht njerëzish, por nga një populli i tërë që vendos dhe delegon me votë qeverisjen qëndrore dhe qeverisjen vendore. Një popull po kështu i cili me votë kërkon llogari, vendos notën, jep mesazhin, siç do ta japin shqiptarët mesazhin e përgjithshëm të zgjedhjeve vendore, të ndaljes së të keqes, të ndaljes së varfërisë dhe marshimit të saj, të papunësisë, të pamundësisë, duke zgjedhur dhe përqafuar ofertën më të mirë.
Për një muaj, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, të dashur aleatë republikanë, demokratë, opozitarë por edhe ju votues të majtë që na ndiqni, për një muaj opozita ka shpalosur ofertën e saj. Oferta e cila përbëhet në radhë të parë nga një ekip i shkëlqyer kandidatësh, njerëzish me vlera të padiskutueshme të integritetit moral, qytetar, profesionalë dhe menaxherialë siç është Grida Duma, emblematika e nisjes së re, ripërtëritjes dhe frymës së fitores së PD dhe opozitës, në këto zgjedhje.
Po kështu, ne kemi diskutuar dhe qarë së bashku hallet tuaja problemet që po kalon vendit. Në asnjë moment, për asnjë çast nuk kemi folur për interesa të ngushta të pushtetit politik, asnjë betejë e jona në këto dy vite nuk ka qenë për interesat tona politike. Kur keni ngritur zërin fuqishëm kundër rritjes së taksave, kundër rritjes së çmimit të energjisë, kundër rritjes së taksës së qarkullimit dhe çmimit të naftës, kemi përfaqësuar interesat tuaja, bukën e gojës të familjeve tuaja dhe të fëmijëve tuaj.
Kur kemi dërguar në Parlament amendamentet tona kemi bërë detyrën tonë jo vetëm si opozita por edhe si alternativa e qytetarëve shqiptarë. Amendamente që kanë pasur si qëllim të ofrojnë një zgjidhjë, të ofrojnë një mundësi, madje t’i ofrojnë një mundësi edhe dyshes Rama-Meta, për të mbajtur premtimet që solemnisht i kanë braktisur që ditën që morën votën.
Premtuan 300 mijë vende pune dhe unë ua them sot, unë dhe Fatmir Mediu, opozita, dëshiruam dhe uruam që të kishin sukses sepse për ne 300 mijë vende pune janë më të rëndësishme, pakrahasueshmërisht më të rëndësishme se çdo interes tjetër politik i opozitës, sepse interesi ynë më i mirë është interesi i qytetarëve shqiptarë.
Po ku janë vëllezër e motra? Ku janë 300 mijë vende pune?
Dy vite kanë kaluar asnjë vend i ri pune por Shqipëria është zhytur në papunësi të thellë, 7 në 100 shqiptarë kanë humbur vendet e punës.
Sot në takime me sipërmarrës të mëdhenj lajmet të trishtuara ma mbushën shpirtin me dëshpërim të thellë, qindra punonjës të tjerë janë larguar nga puna nga sipërmarrje të cilat janë nën darën e taksave të larta, kredive të pamundura, konkurrencës së pandershme, monopolit dhe korrupsionit qeveritar.
200 njerëz kam larguar nga puna, më tha një investitor i huaj dhe e di që janë në mes të katër rrugëve. Disa herë iu drejtova qeverisë për të zgjidhur poblemet e arbitraritetit të taksaver të larta, e konkurencës së pandershme, jo për mua po për këta të punësuar, nuk deshën t`ia dinë. Pse? Ku e ka mendjen Edi Rama dhe Ilir Meta nëqoftëse jo tek hallet e njerëzve, në qoftëse jo tek papunësia.
Premtuan taksa të ulura për 97% të shqiptarëve, cili prej nesh, cili prej jush paguan sot më pak?
Kush fiton më shumë? Kush jeton më mirë?
Vetëm një grusht njerëzish, as socialistë, as demokratë, as republikanë, as të djathtë, as të majtë, vetëm një bandë që e ka kapur për fyti Shqipërinë, vetëm oligarkia jeton më mirë, vetëm për ta Shqipëria është në drejtimin e duhur.
Drejtim i duhur të duket vendi, kur javë për javë bredh si turist, kur një javë shkon në muzeun e Mercedezit e në javën tjetër në muzeun e Ferrarit, pa pyetur se aty 100, 200 apo 500 metra më tej ka një kamp refugjatësh ku për turpin tënd, për faqen e zezë të kësaj qeverie për herë të parë në 25 vite nuk ka më vetëm sirianë po ka edhe shqiptarë që ky kryeministër dhe ky kryetar i Kuvendit i ka çuar refugjatë.
Ne uruam dhe bëmë gjithçka, madje i çuam edhe propozime ligjore për të ndryshuar këtë situatë por ata i hodhën poshtë.
Ne ju bëmë thirrje ju dhe sëbashku me ju manifestuam para dyerve të tyre për t`i paralajmëruar por prapë e bënë veshin shurdh, e bënë syrin qorr, dhuna e kartonave të oligarkisë refuzoi jo propozimet tona por interesat tuaja, uljen e taksave, rritjen e pagave, rritjen e e pensioneve, rritjen e ndihmës sociale, hapjen e vende të punës, këtë refuzuan në oligarkinë e pashpirt të kartonave në Parlament.
Por, vëllezër e motra 21 qershori po afron dhe më 21 qershor kartonat nuk i ka Edi Rama, kartonat nuk i ka Ilir Meta, kartonat i keni ju, kartonat i kemi ne.
Ndaj më 21 qershor unë ju ftoj, ne ju ftojmë t`i bashkojmë këto kartona me një votë plebishitare me dy mesazhe: me Votën tonë të ndalim të keqen, t`i japim mesazhin, mësimin dhe ndëshkimin e merituar qeverisë së mashtrimeve, qeverisë që i theu premtimet dhe e la popullin e vet në ditën më të zezë por me votën tonë le të përqafojmë platformën tonë, platformën e Grida Dumës për Durrësin , platformën e uljës së taksave, platformën e dëgjimit të zërit tuaj, e komunikimit me ju dhe jo shpërfilljen ndaj jush, e njërzillëkut me ju dhe jo arrogancës ndaj jush, e punës për ju dhe për ju dhe jo për bandat e për oligarkitë, Durrësit për durrsakët dhe jo të Durrësit për oligarkinë.
Vota juaj për Grida Dumën është votë për dinjitetin tuaj, është votë për një qytet , për një bashki që punon ditë e natë për ju, ju e vëtëm ju.
Por vellezër e motra , vota e 21 qershorit për opozitën është edhe votë për ,platforën tonë kombëtare, për uljen ne taksave dhe rivendosjen e taksës së sheshtë por taksës së sheshtë më të ulët në Ballkan , ky është zotimi i Luzlim Bashës,kjo është platforma e opozitës .
Pë faljen e kamat-vonesave të energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm dhe uljen me 25 për qind të çmimit të energjisë, për reduktimin e çmimit të naftës përmes reduktimit të taksës së qarkullimit, për nxjerrjen nga frigoriferi të rrogave dhe pensioneve, për rritje të pagave dhe te pensioneve për punë dhe dinjitet për të gjithë shqiptarët.
Vëllezër dhe motra, kësaj platforme i përgjigjet realiteti shqiptar, hallet tuaja janë prioriteti ynë, platforma jonë është zgjidhja e këtyre halleve, dyshja Rama-Meta shpërdridhen përditë nëpër ekrane flet për çfarë i do qefi por jo për hallet tuaja.
Thotë se ky nuk është momenti, se këto zgjedhje nuk mund të jenë për papunësi, se ky nuk është momenti për të folur për çmimet, për taksat në qoftëse këto janë hallet tuaja kryesore ne qoftëse këto janë problemet tuaja kryesore ku ka moment më të mirë se për t’i zgjidhur sot.
Ndaj dua t’ju them, dua t’ju shpall këtu edhe një herë publikisht se me votën e 21 qershorit qeveria do të pranojë platformën tonë ose për ndryshe do të largohet.
Taksa të ulta, ulje çmimesh, punë dhe dinjitet për shqiptarët për këtë ofrojmë bashkëpunimin tonë, për këtë ofrojmë zgjidhjet tona, për këtë jemi gati të shtrijmë dorën e bashkëpunimit me këdo por nëse interesat e shqiptarëve nëpërkëmben nëse qeveria vazhdon rrugën e saj pa krye ka një dhe vetëm një rrugë përballja me popullin sovran deri në fund.
Ndaj ju ftoj ta kthejmë kohën e mbetur deri më 21 Qershor me një punë të përditëshmë e të përnatëshme krah për krah me njëri tjetërin , demokratë e republikan njësoj si Grida Duma dhe Agron Duka që me shëmbullin e punës së tyre të pa mohushme cdo ditë të avancojmë drejtë fitores së Durrësit e cila është fitorja e juaj, fitorja e durrësakëve, fitorja e çdo njeriu qe dëshiron punë dhe dinjitet, fitorja e shqiptarëve !
Zoti e bekoftë Durrësin!
Rroftë aleanca midis PD dhe PR !
Fitore, fitore, fitore, fitore!
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Maj 2015
Read More