Blog

07 Maj
0

Kallëzim në Prokurorinë e Përgjithshme për Dakon, shtoi listat me 2700 votues

Spaho, Ristani: ”Në mënyrë të shumëanshme, me shumë makinacione po tentohet manipulimi i zgjedhjeve”.

Deputetët e Partisë Demokratike Edmond Spaho dhe Arben Ristani depozitojnë në Prokurorinë e Përgjithshme skandalin e cënimit të listave të zgjedhësve nga bashkiaku Vangjush Dako. Janë afro 2700 zgjedhës që i janë shtuar listës zgjedhore, në cënim të plotë të ligjit dhe Kodit zgjedhor. Deputeti   Spaho theksoi se justifikimi i Dakos për të shtuar zgjedhësit në 21 Qershor në emër të lëvizjes së lirë, cënon dy parimet thelbësore të procesit zgjedhor që janë  zgjedhjet e lira dhe zgjedhje të ndershme. Z. Ristani u shpreh se kjo qeveri dhe mazhorancë po tentojnë të manipulojnë zgjedhjet  në mënyrë të shumëanshme, me shumë makinacione. 

Spaho: Njoftuam Prokurorinë e Përgjithshme për skandalin e manipulimit të listave të zgjedhësve në Bashkinë e Durrësit. E njoftuam për materialin që KQZ ka përcjellë për këtë çështje në Prokurori.  Sikurse dorëzuam kallëzimin penal që Partia Demokratike ka përgatitur dhe faktet që ne disponojmë nga hetimi në lidhje me këtë çështje. Kërkuam hetim të shpejtë dhe të plotë të kësaj çështjeje për shkak të urgjencës që ka, pasi së shpejti dalin listat përfundimtare dhe afron dita e zgjedhjeve. Këta zgjedhës që janë futur në mënyrë arbitrare në lista, detyrimisht do të hiqen prej tyre dhe nuk do të votojnë në zgjedhjet e 21 Qershorit në Durrës. Kjo është kërkesa e Partisë Demokratike. Më rezulton që edhe Partia Socialiste e ka pranuar skandalin pasi në debatin që është zhvilluar në KQZ përfaqësuesi ligjor në KQZ zoti Gjonçaj ka pranuar që të hiqen këta individë nga lista të cilët nuk janë pak por 2700 deri në fund të prillit, të hiqen pra nga lista por me një proçes të rregullt ligjor. Sikurse kam mësuar se z. Denar Biba ka deklaruar se janë të papranueshme në ditët e sotme praktika të tilla, manipulimi i procesit zgjedhor. Mua më ka habitur deklarata e djeshme e Vangjush Dakos , ku thekson që ka njerëz që janë regjistruar në listat e zgjedhësve dhe në bazë të së drejtës së lëvizjes së lirë si dhe ka pretenduar që kjo është  një praktikë që ka ndodhur dhe në të shkuarën. Dua t’i them se,  kjo nuk është lëvizje e lirë por kjo është një lëvizje e shtyrë nga mbrapa, e nxitur nga njerëzit e Vangjush Dakos . Për  më tepër kjo lëvizje e lirë në thonjëza prek dy parime të rëndësishme të procesit zgjedhor të cilët janë  zgjedhje të lira dhe të ndershme pra po flasim për zgjedhje të lira dhe zgjedhje  të ndershme dhe kjo “lëvizje e lirë” e Vangjush Dakos prek këto dy parime thelbësore të procesit zgjedhor. Përsa i takon qëndrimit të tij se  kjo paska ndodhur dhe në të shkuarën , kjo logjikë më le të kuptoj se nëse Vangjush Dako vjedh, më lind edhe mua e drejta të vjedh , apo nëse Vangjush Dako shkel ligjin edhe unë paskam të drejtë të shkel ligjin, gjë që nuk qëndron dhe më shumë i ngjan filozofisë së Zhvejkut që “Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë”. Sigurisht dorëzuam prova në prokurori, të gjitha provat që ne disponojmë për listën e plotë të 2700 personave që janë futur në listat e zgjedhësve, kontratat e qerasë që ka nënshkruar me ndërmarrjen e Plazhit në Durrës, që ka nënshkruar drejtori apo kontrata të tjera sipërmarrje të individëve ortakë të Vangjush Dakos  dhe prokuroria na siguroi që do të fillojë një proces hetimi. 

Pyetje: A persona të tjerë të përfshirë? 

Spaho: Sigurisht, ka persona të tjerë të përfshirë. Sapo  e përmenda është stafi në bashkinë e tij dhe individë të cilët mbështesin z. Dako. 

Pyetje:  Z. Dako ka deklaruar se nuk ju njeh. Keni një përgjigje ndaj  kësaj deklarate? 

Spaho: Dhe unë e ngatërroj shpesh z. Dako me Zahon. 

Pyetje:  Z. Ristani, Partia Demokratike i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë mbi përgjimet e kryeministrit Rama në takimin me strukturat në Shkodër. 

Ristani: Partia Demokratike po konstaton që në mënyrë të shumëanshme me shumë makinacione po tentohet manipulimi i zgjedhjeve. Kryerilindjoti dhe kryerilindjotët po mundohen të bëjnë çdo gjë që të fallsifikojnë procesin elektoral  dhe të mundohen të fitojnë zgjedhjet në tavolinë pa zgjedhje të lira dhe të ndershme siç u shpreh z. Spaho. 

Pyetje:  Ç’bëhet me padinë që keni depozituar ndaj ministrit Tahiri? Keni patur rezultate? 

Ristani: Po presim që Prokuroria të konkludojë në lidhje me kallëzimin që ne kemi bërë. Sigurisht që janë hetime komplekse që ndoshta  Prokuroria do kohën e saj por  sigurisht sa më shpejt se një drejtësi e vonuar është një drejtësi e mohuar kështu që unë besoj se do të nxitojnë për të mbyllur çështjen.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7  Maj 2015

Read More
07 Maj
0

Njeriu i duhur, në momentin e duhur!

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, vazhdon turneun e takimeve në zonën e pallatit me shigjeta, Medresesë dhe Laprakës.

Kandidati për Bashkinë e Tiranës Halim Kosova, dëgjoi nga afër një ndër problematikat më të mëdha të komunitetit rom në zonën e pallatit me shigjeta, siç është edhe strehimi, duke sqaruar se si konflikti politik në Tiranë ka lënë pa banesa qindra qytetarë. Në këtë komunitet Halim Kosova u angazhua se do t’i japë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje që vijon tashmë prej vitesh.

Kosova u shpreh se: “Ne do bëjmë një Bashki që mos ndikohet nga politika, por të ndikohet nga halli i qytetarëve. Shembulli më i qartë se si politika mund të dëmtojë qytetarin e vetë, se si politika mund të bëhet pengesë, është mosmbledhja e Këshillit Bashkiak për t’u dhënë sipas listës apartamentet falas”.

‘’Kush do na qajë hallin neve? Të na hapin rrugët të ikim në vend tjetër, të na hapin rrugën, mos rrimë ne këtu. Gjithë romët janë pa shtëpi. Ato kasollet që i kanë do prishen, ku do shkojmë neve, ku të mbytemi ne?’’, shprehet më tej një qytetar.

Kandidati Kosova nga ana tjetër u shpreh se ky komunitet duhet të organizohet dhe kërkojnë të drejtat e tyre.

Në zonën e Medresesë ndihet rënia e konsumit dhe varfëria.

Tregtarja: ‘’Ne si tregtarë themi që ka rënë leku edhe nuk ka punë. Kjo është. Dhe kemi shpresuar shumë që çdo gjë do bëhet më mirë por kjo qeveria që erdhi më keq e bëri’’. 

Kosova vijon më tej: ”Ky vend nuk është se është i mallkuar, por njeriu i duhur në vendin e duhur”.

Ndërkohë gjatë takimit të tij me banorët e zonës së Laprakës ai u shpreh se: ”Qyteti i Tiranës ka nevojë për ndeshje të bukura, ka nevojë për ballafaqime frytdhënëse, ka nevojë për të prekur jetën e çdo qytetari dhe mos ndahesh nga problemet që ka ai.”


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7  Maj 2015

Read More
07 Maj
0

Nuk u distancuan, e fshehën, Rama-Meta dalin si autor të sulmit të dhunshëm ndaj opozitës

Partia Demokratike dënon me forcë përpjekjet e dështuara të dyshes Rama –Meta për të kamufluar dhunën politike të urdhëruar dhe orkestruar nga kjo dyshe në aktivitetin elektoral të kryetarit të opozitës në Ersekë.

Përpjekja mjerane për të kamufluar identitetin e autori të dhunës, nxjerr edhe më zbuluar autorët e vërtetë të dhunës në Ersekë, dyshen Rama-Meta.

Ja tek janë fotot që tregojnë se Suel Liço është pjesë e strukturave të Partisë Socialiste siç edhe njihet publikisht nga banorët e Ersekës.

Mos dënimi i sulmit ditën e djeshme dhe mashtrimi i opinionit sot, dëshmojnë qartë se prapa këtij sulmi të dhunshëm në Ersekë, nuk qëndron askush përveç Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Partia Demokratike paralajmëron me forcë dyshen Rama –Meta se do të mbajnë përgjegjësi personale të plotë dhe të gjithanshme për tensionimin e fushatës elektorale dhe aktet e dhunës kundër opozitës.

Dyshen Rama-Meta e ka zënë paniku prej ditës se gjykimit që po afron.

Partia Demokratike i bën thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe mbarë qytetarëve të zgjerojnë dhe forcojnë bashkimin tonë për t’i thënë jo oligarkisë Rama-Meta, për t’i thënë jo dhunës dhe terrorit, për të larguar me votë të keqen që ka mbërthyer vendin.


Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 7  Maj 2015

Read More
07 Maj
0

Basha: Të djathtë e të majtë janë në kufijtë e mbijetesës, askush nuk mund ta ndalë largimin e së keqes

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie, në Mallakastër z. Agron Kapllanaj, në Memaliaj z. Sadik Xhelili, në Tepelenë z. Veip Çela, në Këlcyrë z. Gentjan Muhameti, në Përmet z. Niko Shupuli dhe Kolonjë z. Viktor Duro.

Situata e rëndë ekonomike dhe zhgënjimi për premtimet e pambajtura dhe braktisjen që qeveria u ka bërë qytetarëve, ka bashkuar në aktivitete prezantuese të kandidatëve qytetarë të djathtë e të majtë, madje këta të fundit kanë shprehur edhe pakënaqësinë tyre ndaj qeverisë.  Njëri prej tyre pjesëmarrës edhe në protestën e 21 janarit i thirrur nga Edi Rama për të rrëzuar “regjimin e Berishës”, ia bën haram votën që i ka dhënë.

Banor : “Jam i plagosuri i 21 janarit, më ka mashtruar. Më ka thënë do të përmbysim regjimin e Sali Berishës. Ky është regjimi i Sali Berishës, të më lërë pa punë? Ky është regjimi Sali Berishës që më premtoi? Ku është premtimi i tij? Turp e faqja e zezë! Këtu jemi mbledhur në një terror psikologjik. Nusja ime është kryetare e Këshillit Bashkiak nga Partia Socialiste për qytetin e Memaliajt, çunin e kam nënkryetar të FRESSH-it nga Partia Socialiste. Mesazhi im është: Mos gënjeni dhe mos mashtroni popullin shqiptar”.

Banor: “Siç kam vuajtur në kohën e Enverit, se po më ngjethen mishtë, ashtu po vuaj edhe sot me këtë qeveri”.

Të njëjtën situatë z. Basha ndeshi edhe në Këlcyrë, Përmet dhe Ersekë. Qytetarë të zhgënjyer, varfëri dhe mjerim, premtime të pambajtura. Të majtë dhe të djathtë shohin sot vetëm një shpresë të largohen nga Shqipëria. Kryetari i Partisë Demokratike u ka kërkuar qytetarëve të bashkohen për të larguar të keqe pasi kjo është zgjidhja dhe jo largimi i qytetarëve.

Banor: “Kam qenë anëtar i PS-së, jam vetë i gjashtë në familje, me fëmijë të sëmurë. Asistencën sociale na e preu PS-ja. Më premtuan për punë, do të punësojmë. Vete te kryetari i Bashkisë, punë s’ka. Vete te PS-ja, më thotë ja ku është mali shko mbill lule. Kam një çupë 8 vjeçe dhe nuk po i  paguaj dot as 20 mijë lekshin mujor për kursin se nuk kam asnjë të ardhur”.

Basha: “Në qoftë se për ne këto dy vite në opozitë kanë qenë ashtu si për fat të keq i parashikonim, vite gënjeshtrash, vite dështimesh, vite mashtrimesh, vite të shtrëngimit të lakut në fyt për çdo qytetar. Për votuesit e majtë këtu në Kolonjë dhe kudo në Shqipëri dhimbja është e dyfishtë, është e dyfishtë sepse i kanë gënjyer, i kanë mashtruar, i kanë braktisur, u kanë marrë votën dhe i kanë poshtëruar më keq se votuesit tanë. Se njësoj si para 25 vitesh as hedhja e gurit, as hedhja e karriges, as hedhja e fajit diku tjetër nuk do t’i shpëtojë nga gjykimi popullor më 21 qershor”.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7  Maj 2015

Read More
07 Maj
0

Partia Demokratike dënon dhunën e orkestruar nga pushteti në aktivitetin e kryetarit të opozitës në Kolonjë

Partia Demokratike dënon me ashpërsi dhunën e orkestruar  që u ushtrua në nisje të aktivitetit për prezantimin e kandidatit të opozitës  në Kolonjë, ku një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin,  hodhi një karrige në drejtim të qytetarëve të mbledhur në aktivitet duke plagosur zotin  Fuat Ndini 65 vjeç. Z. Ndini u shoqërua menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjeksore për shkak të plagëve të rënda në kokë.

Mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës. Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor.

Partia Demokratike shpreh mirënjohjen ndaj anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë që kanë vërshuar masivisht  në takimet prezantuese të kandidatëve tanë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike  do të vazhdojë dhe intensifikojë fushatën e saj dinjitoze, qytetare dhe demokratike.

Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta se çdo përpjekje  apo presion kriminal i frymëzuar dhe i paguar nga kjo dyshe,  nuk do të arrijë kurrë të  mposhtë vendosmërinë plebishitare të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë gjykimin e merituar, por  vetëm do ta shtojë padurimin e shqiptarëve të bashkuar për të  larguar një orë e më parë oligarkinë  Rama-Meta nga keqqeverisja shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 7 Maj 2015

Read More
06 Maj
0

Urbanistët dhe arkitektët e Durrësit: Vizioni i Dumës kthen zhvillimin ekonomik

Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma zhvilloi një bashkëbisedim me arkitektë dhe urbanistë të qytetit ku ndau me ta vizionin e një qyteti si njësi ekonomike. Pjesë e diskutimit të gjerë përfishiu rigjenerimin e komuniteteve në qytet dhe rrethina, rritjen e cilësisë së jetës së durrsakëve në kaosin urban të shkaktuar në këto vite si dhe kthimin e qytetit drejt zhvillimit ekonomik dhe rritjes së punësimit.

Urbanistët dhe arkitektët e qytetit kërkuan nga zonja Duma të vërë në zbatim vizionin e saj për një zhvillim të qendrueshëm.

“Në vizioni tuaj të implementoni një frymë për të shpërndarë investime në kuota të vogla por me impakt sa më të madh dhe në sa më shumë shtrirje gjeografike”, tha një prej arkitektëve të qytetit, Indrit Hamiti.

“Bërja e punëve me qytetarinë aktive është një nga çelësat e suksesit. Duhet të marrë gjithsecili përgjegjësitë e tij”, u shpreh një arkitekt tjetër.

Profesionistët e qytetet u shprehën se investimet e deritanishme janë pa vizion dhe nuk i shërbejnë një zhvillimi ekonomik. “Në Durrës kemi kaq shumë sheshe pa asnjë funksion. Kemi kaq shumë arkeologji por që nuk di se ku janë. Pa folur për problemet e tjera si përmbytjet, qarkullimi, plehrat etj”, tha një arkitekt.

Kandidatja Duma kërkoi nga profesionistët e të githa fushave në qytet një komunikim të hapur në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet. “Të qendrojmë në komunikim të vazhdueshëm për të zgjidhur problemin e konkurencës së drejtë midis të gjithë aktorëve dhe të kemi pjesmarrjen e gjerë të aktorëve në treg. Kjo është e vetmja mënyrë për të bërë punësimin. Për mua është detyrim ndaj jush të merrni vendin që u takon në pjesën e qytetit që ju e njihni më shumë se kushdo”, tha Duma.

Ajo u shpreh se projekti i saj kthen Durrësin një qytet në njësi ekonomike ku çdo investim do ti shërbejë vetëm rritjes së miqëqenies që qytetarëve.

“Do doja që bashkë të biem dakord për atë që është kolona e projektit të vazhdueshëm; Durrësi njësi ekonomike. Pra si ta përkthejmë çdo lloj investimi në sinergji ekonomike për komunitetet”, u shpreh Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Maj 2015

Read More
06 Maj
0

Skema e Dakos për manipulim, e organizuar, gjakftohtë dhe kriminale

Sot do ju njohim me një tjetër skandal të Rilindjes por në dallim nga skandalet e tjera përsëritet vetëm kur ka zgjedhje.

Partia Demokratike prej disa muajsh po ndjek me vëmendje se si Vangjush Dako me larot e tij po përgatisin skemën për të deformuar vullnetin e qytetarëve durrsakë.

Mekanizmi për ta bërë këtë është regjistrimi në listat e zgjedhësve të Bashkisë Durrës, i njerëzve me bindje të majta, që aktualisht banojnë në territorin e bashkive të tjera, duke u ndryshuar në mënyrë fiktive regjistrin e gjendjes civile dhe konvertuar ata në banorë të Bashkisë së Durrësit.

Skema ka filluar të zbatohet në muajin mars kur Vangjush Dako u garantua që do të jetë ai kandidati i Partisë Socialiste pë Bashkinë Durrës.

Sikurse shikoni në grafik, hyrjet e banorëve të rinj në territorin e Bashkisë së Durrësit nga muaji Qershor 2013 deri në janar 2015 janë mesatarisht 183 persona në muaj. Ky trend me rritje të lehte vazhdon edhe në janar dhe Shkurt me rreth 250 persona në muaj.

Në muajin mars kur u vendos që Vangjushi të kandidojë për Partinë Socialiste, skema fillon të zbatohet dhe hyrjet rriten në 774, në dy javët e fundit të prillit në 1412 dhe në total janar – prill janë 2702 persona. Ata kanë ardhur nga Vora, Preza, minibashkitë e Tiranës, Kavaja, Sukthi dhe rrethe të tjera.

Për të bërë levizjen e vendbanimit duhet që të kesh një banese së paku të marrë me qera. Këtu hyn në skeme Drejtori i Ndërmarrjes së Plazhit në Bashkinë e Durrësit, Alfred Dhuli, vartës i Vangjush Dakos i cili u ofron atyre strehim provizor në pronat e Bashkisë Durrës në Plazh dhe Currila, me kontrata provizore, pa pagesë, dhe pa vendim të Këshillit Bashkiak. Ai ka bërë kontrata ku ka sistemuar edhe dy familje me 8 anëtarë në 15 metra katror sipërfaqje banimi.

Krahas tij, strehim provizor ofron ortaku në biznesin e ndërtimit i Vangjush Dakos, anëtar i Këshillit Bashkiak, i cili u “shet” të ardhurve të rinj apartamente ende të pandërtuara dhe këto kontrata shërbejnë për të realizuar ndryshimin e vendbanimit.

Noterizimi bëhet kryesisht në dy notere besnike emrat e të cilave i disponojmë.

Asnjë prej të ardhurve rishtas në Durrës për të votuar në zgjedhjet e 21 qershorit nuk banon në vendbanimin e ri në Durrës sikurse do ta shihni edhe në regjistrimet filmike që kemi bërë.

Si ka vepruar Partia Demokratike?

Auditi i saj në KQZ, inspektoi zyrat e gjendjes civile në Durrës dhe verifikoi të gjitha këto fakte të cilat sot po i bëjmë publike dhe përgatiti një raport të cilin KQZ e shqyrtoi ditën e hënë pasdite. KQZ vendosi që raportin t’ia kalojë Prokurorisë së Përgjithshme për ndjekje të mëtejshme mbi bazën e të dhënave të qarta për skemë për manipulimin e zgjedhjeve.

Partia Demokratike po bën kallëzim penal për autorët dhe ekzekutorët e kësaj skeme përfshirë çdo individ në listën e deritanishme që ne disponojmë me emër dhe mbiemër, nga kanë ardhur dhe ku janë regjistruar në Durrës.

Dje informuam dhe ju vumë në dispozicion një kopje të materialeve Ambasadorit Amerikan, Ambasadores së BE-së dhe Ambasadorit të OSBE-së. Jemi në proces për të informuar Këshillin e Ministrave të BE-së, Parlamentin Europian, OSBE-në dhe ODHiR-in në Vjenë, Këshillin e Evropës, dhe Kongresin e autoriteteve lokale.

Askush të mos shohë ëndrra se mund të vjedhë zgjedhjet në 21 Qershor. Sikurse e shihni edhe nga ky njoftim publik që po bëjmë, ne jemi plotësisht të informuar për hapat e tyre dhe i kemi të gjitha mjetet që ta pengojmë atë.

Qytetarëve të Durrësit duam t’u themi se Vangjush Dako i cili e përdori pushtetin për 8 vite për të ndërtuar perandorinë e bizneseve të tij, sot e ndjen urrejtjen e zgjedhësve për gjithë çka abuzuar dhe përpiqet të deformojë vullnetin tuaj me votues të importuar nga rrethe të tjera të vendit por nuk do ta arrijë atë. Dërrmojeni me votë.

Një paralajmërim dëshirojmë t’i bëjmë edhe një individi, hajdutit të tenderave në OSHEE, i cili ka marrë përsipër organizimin dhe ekzekutimin e skemës për të sjellë votuesit e importuar në Durrës në 21 Qershor për të votuar.

Do të kesh një llogari të hapur me Partinë Demokratike nëse fut duart në zgjedhje. Hajdutët e zgjedhjeve do kenë të njëjtin fund si kudo.


 

Deklaratë e n/kryetarit të Partisë Demokratike Edmond Spaho, 6 Maj 2015

 

Read More
06 Maj
0

Urdhëri i Ramës për drejtorët, urdhër për manipulim të zgjedhjeve

Kryeministri Rama është kapur dhe një herë në flagrancë duke shkelur ligjin. Një tjetër skandal i është shtuar vargut të gjatë të skandaleve të dyshes Rama-Meta që prej dy vjetësh po sundojnë shqiptarët duke dhunuar hapur të drejtat e tyre nëpërmjet shkeljes së ligjit dhe Kushtetutës.

Në një material të bërë publik dje, kryeministri Rama, gjatë një takimi me struktura të Partisë Socialiste dhe drejtues të administratës shtetërore, urdhëron qartazi angazhimin e drejtorëve të administratës në marrjen e votave për kandidatët e maxhorancës parlamentare.

Sipas Ramës, çdo drejtor jo vetëm duhet të marrë nën përgjegjësi disa qendra votimi, por nën përgjegjësinë e tij personale duhet të deklarojë ”me letër”- siç urdhëron Rama, se sa vota gjenden për maxhorancën në secilën kuti.

Ky është një skandal që tregon qartazi se sa keq janë zhytur në llumin e antiligjit kryeministri dhe i dyti i tij Meta. Edhe vetë reagimet e këtyre të dyve pas denoncimit të skandalit, tregojnë qartazi jo vetëm implikimin e tyre në këtë aferë të ndyrë por edhe tentativat e dështuara për të fshehur të vërtetën.

Meta, i cili pranon se ka qenë i pranishëm në takim, si specialist i afirmuar tashmë për afera të tilla, fillimisht e quan atë “montazh” dhe menjëherë pas kësaj pranon që në takim ka patur drejtorë të administratës, por që janë pjesë e strukturave të partisë.

Në anën tjetër në “përgënjeshtrimin” e Ramës flitet për ”drejtorë fushate” e jo drejtorë administrate.

Atëherë kë të besojmë nga dyshja, Metën që pranon se ka patur drejtorë administrate, apo Ramën që flet për drejtorë fushate?

Të dy e dinë mirë se abuzimi dhe përfshirja e administratës qoftë dhe në fushatë, është shkelje e ligjit.

Po a mbeten vetëm këtu urdhrat e Ramës për drejtorët?

Çdo të thotë që drejtorët duhet të marrin “nën përgjegjësi personale” çdo kuti votimi?

Mos flitet për blerje votash? Mos drejtorët me paratë e korrupsionit duhet të blejnë votat në kutitë për të cilat mbajnë përgjegjësi?

Çdo të thotë që secili prej tyre duhet të dijë se sa vota ka në çdo kuti për PS-LSI?

Si mund të dijë një drejtor administrate se sa vota janë në një kuti votimi pa filluar ende votimi?

Duket qartazi se Rama dhe Meta edhe këtë herë, më shumë se çdo herë tjetër, të bindur se do të përballen me revoltën e shqiptarëve në kutitë e votimit, me dëshpërim po përpiqen të manipulojnë zgjedhjet.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë menjëherë mbi këtë skandal.

OSBE dhe ODIHR të marrin menjëherë në shqyrtim dhe të marrin masa për të analizuar këtë skandal me shkeljen e ligjit dhe Kodit Zgjedhor.

Përfaqësive të SHBA-së dhe vendeve të BE-së që të drejtojnë gjithë vëmendjen e duhur ndaj këtij skandali që cënon haptazi zgjedhjet e lira në Shqipëri.

Partia Demokratike është e vendosur që të përballë personalisht me ligjin dhe të drejtën e qytetarëve, këdo që do të guxojë të cënojë votën e shqiptarëve.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 6 Maj 2015

 

Read More
06 Maj
0

Basha: Rama-Meta fatkeqësi për shqiptarët, më 21 qershor hapim rrugën e shpresës

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie, Fiqiri Ismailin në Vorë, Hamdi Pashën në Krujë dhe Redi Saraçin në Shijak. Z. Basha i kujtoi mazhorancës premtimet e mëdha me të cilat erdhën në pushtet në 2013-ën dhe që deri më sot nuk kanë mbajtur asnjë, përkundrazi erdhi si fatkeqësi për çdo qytetar.

Premtuan 300 mijë vende të reja pune, premtuan uljen e çmimit të energjisë, premtuan se 97% e shqiptarëve do të paguanin më pak taksa.

Premtuan se fermerët do të paguanin çmimin e reduktuar të naftës dhe do të përfitonin subvencione për punën e tyre të lodhshme. Premtuan shëndetësi falas, legalizime falas dhe mosprishjen e asnjë objekti, sikur Enver Hoxha të ngrihej nga varri.

Braktisën një nga një premtimet e tyre dhe sot, në çdo shtëpi vepra e tyre, dora e tyre ndihet vetëm si fatkeqësi, si papunësi, si mjerim apo si burgosje e njerëzve të pafajshëm të cilëve nuk u ka lënë asnjë mundësinë për të shlyer detyrimet e tyre. 

Misioni ynë më i madh, misioni më i madh i të zgjedhurve vendorë të 21 qershorit është të hapim me votën tuaj rrugëdaljen, rrugëdaljen e shpresës”.

Qytetarët në të gjithë Shqipërinë, tha zoti Basha janë bashkuar rreth ofertës së re të Partisë Demokratike sepse  duan punë dhe dinjitet, duan një të ardhme më të mirë për vete dhe fëmijët e tyre.

Vërshimi juaj këtu është padurimi për të hapur së bashku rrugën e re, rrugën e re të Shqipërisë dhe shqiptarëve, rrugën e punës, rrugën e dinjitetit për çdo krutan, për çdo shqiptar”.

  1. Basha theksoi se vendi ka shkuar në drejtimin e gabuar dhe të vetmit që rilindën janë qeveritarët dhe kriminelët. Qytetarët janë zhytur në varfëri dhe mjerim.

Janë dyfishuar listat nëpër dyqane, ekonomia kërcet nën barrën e rëndë të kërbaçit dhe arbitraritetit qeveritar. Premtuan se do të ulnin çmimin e energjisë por në fakt e rritën atë dhe faturat e kripura të energjisë janë bërë shkak për  varfërimin e çdo ekonomie familjare. Çfarë bëri me paratë që mori nga taksat tuaja? Sa kantiere të reja hapi? Sa vende pune hapi?  Zero për besë. Kantieret e luksit, palmat, kullat e korrupsionit janë treguesit e vërtetë të kësaj qeverie


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Maj 2015

Read More
06 Maj
0

Shumëfishim përpjekjesh për sportin në komunitet

Kandidatja për kryetare bashkie në Durrës, Grida Duma zhvilloi një takim me sportistë dhe ish-sportistë të disiplinave të ndryshme, ku ka dëgjuar prej tyre problemet me të cilat sporti përballet sot në qytet. Znj Duma mori mbështjen e këtij komuniteti për masivizimin e sportit përmes projektit ndryshe të krijimit të këndeve për sport tek të rinjtë.

“Një komunitet mund të jetojë edhe me një rrugë më pak, por me një qendër sportive apo me një qendër për fëmijë më pak për fëmijët, jeton edhe me keq. Të jemi bashkë në këtë projekt që nuk do të thotë domosdoshmërisht 4 fishim fondesh por 4 fishim i mendjeve tuaja profesionale për të shtuar tek komunitetet tona sportin”, tha Duma

Sportistët shprehën mendimet e tyre për rritjen sportit duke theksuar mungesën e ambjenteve dhe investimeve lehtësisht të realizueshme për këndet sportive. Deputeti Agron Duka tha se me kandidaten Duma sporti do rikthehet në jetën durrsakëve ndërsa ftoi të gjithë të bëhen pjesë e ofertës së kandidates së djathtë. 


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Maj 2015

Read More