Blog

02 Maj
0

Do t’i jap dorën çdokujt që do të ecë përpara e të krijojë vende pune‏

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me përfaqësues të bizneseve të vogla që kanë përfituar dhe e kanë nisur sipërmarrjen e tyre falë projektit të Bashkisë së Tiranës për ofrimin e garancisë, për kreditimin e tyre.

Z.Kosova është i angazhuar për të mbështetur iniciativa të tilla që krijojnë vende të reja pune.

Biznesi në vend po kalon një periudhë shumë të vështira dhe nisma të tilla lehtësuese e ndimojnë shumë sipërmarrjen e vogël dhe të mesme.

“Në këto dy vite taksat janë rritur në mënyrë konsekutive. Në të njëjtën rrjedhë dhe ritëm është rritur papunësia. Sikundër po e shohim që qytetarët shqiptarë po largohen në përmasa gjithnjë e më të mëdha nga vendi. Shohim që qeveria, në vend që ta ndihmojë biznesin, e pengon atë. Shton rregullimin, shton ato kleçkat për ta kapur dhe për ta penguar në vend për ta ndihmuar atë, të paktën duke i eleminuar ato barriera biznesit”, u shpreh Dritan Shano, kordinatori i këtij takimi.

“Punësimi mbetet kryefjala e çdo bisede. Kjo është iniciativë e bashkisë ku bizneset e reja, dhe gratë do të ketë një prioritet me informacionin që kam, do të kenë mundësi ta marrin këtë kredi dhe ta vendosin në shërbim të ideve, familjes dhe të tjerëve që do punësohen në këtë biznes”, tha Kosova.

Një nga përfituesit e këtij projekti ka këtë vlerësim;

“Kjo iniciativë ishte përfekte dhe mund të them që unë, dhe si shumë të tjerë që unë njoh, kur u them që kam përfituar nga ky fond, u duket e pabesueshme. Eshtë e vetmja alternativë që unë mendoj se e ndihmon biznesin dhe që e ndihmon konkretisht”.

Halim Kosova tha se nisma të tilla do të mbështeten e do të shtrihen edhe më shumë.

“Çdo projekt që ka dhënë frutet e veta, që ato kanë qënë të prekshme si në drejtim të punësimit apo në sektorë të tjerë të qytetit, do të jenë prioritet për t’u shumëfishuar dhe për t’u vazhduar më tej”.

Një nga të pranishmit shprehu besimin tek përvoja e z.Halimi si administrator.

“Një gjë që na ka pëlqyer të gjithëve që kam kontaktuar, është ajo merita jote kur ishit ministër Shëndetësie që u duk puna e vërtetë, e atyre që folët tani. Besimi tek ju është 100%”.

Kosova u shpreh se do të garantojë një qeverisje me standarde të Tiranës.

“Njëherë në 3 muaj të mblidhemi dhe të diskutojmë  së bashku çfarë problemesh ka. Ku ka ngecur puna? Ku duhet rregulluar ? Çfarë problemesh burokratike ju kanë vonuar? Ku ju sorrollasin më shumë? Vërtetë çdo punonjës bashkie është përkrah jush apo apo ka ndonjë që ju vendos gurë në rrota?! Që ju pengon, që ju sorollat, që ju vendos gjoba pse jo?! Me këtë lloj syri kritik ose bashkëpunimi ne do ta shikojmë punën tonë në bashkinë e ardhshme”, tha Kosova.

Kandidati për kryebashkiak deklaroi se Bashkia do të jetë gjithnjë e gatshme për të ofruar lehtësi e mbështetje për nismat e sipërmarrjet e qytetarëve.

“Ti japësh dorën atij që do të ecë në jetë më duket shumë e mirë dhe jam i sigurtë që ky fond nuk do të jetë më 5 milionë por do të jetë shumë më tepër”, u shpreh Halim Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Maj 2015

Read More
02 Maj
0

Basha: Askush s’e ndal uraganin e fitores më 21 qershor‏

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nga qyteti i Durrësit se nuk ka bandit dhe kriminel që ta ndalë uraganin e fitores së shqiptarëve më 21 qershor. Pas një takimi me qytetarë durrsakë duke iu referuar dhunës së ushtruar ndaj të rinjve demokratë një ditë më parë, zoti Basha theksoi se është shenjë dëshpërimi e Ramës, Metës dhe Dakos për humbjen plebishitare që i pret më 21 qershor. 

“Ky përbashkim i madh i durrsakëve rreth alternativës sonë, rreth ofertës sonë të re, rreth Partisë Demokratike, aleatëve tanë dhe kandidates sonë fituese Grida Duma, ka shkaktuar dëshpërim të thellë tek kundërshtarët tanë politikë. I dëshpëruar është Edi Rama, i dëshpëruar është Ilir Meta, i dëshpëruar dhe i kërrusur është Gjushi që mendon se e ka marrë me tapi Durrësin, por që e di se ditët dhe orët në krye të abuzimit me pushtetin i ka të numëruara. Edhe 51 ditë dhe durrsakët do të çojnë në shtëpi Gjushin pasi nuk ka bërë as punësim, s’ka rritur mirëqenien, s’ka bërë as investime. Ka ardhur ora të japë llogari dhe nuk do t’i shmanget ndëshkimit që do t’i japin durrsakët më 21 qershor.  Ndaj e ka zënë frika , e ka zënë paniku, siç i ka zënë të gjithë këta, në vend që të përballet me qytetarët,  në vend që të japë llogari para qytetarëve. Çfarë bën, sulmon fushatën e Partisë Demokratike. I vërsulet me banda dhe me banditë të rinjve tanë të guximshëm, kurajozë dhe fitimtarë. Sulmi i bandave të djeshme mbi fushatën e Partisë Demokratike është mbi të gjitha dhe para së gjithash shenja e frikës  së humbjes së pashmangshme të Vangjush Dakos. Humbja është e pashmangshme sepse durrsakët nuk mund ta pranojnë më të keqen.  Kanë vendosur të ndahen nga e keqja, kanë vendosur të përqafojnë të mirën, ofertën tonë , programin tonë, kandidaten tonë, Grida Dumën , Partinë Demokratike dhe opozitën. Ndaj, çfarëdo që të bëjnë nuk i shpëtojnë dot verdiktit popullor të qytetarëve të Durrësit.

I bëj thirrje prokurorisë ta vërë banditin dhe banditët që agresuan dje të rinjtë demokratë, pa vonesë prapa hekurave dhe para drejtësisë. Nuk ka bandit, nuk ka kriminel të ndalë cunamin që ka nisur anembanë Shqipërisë për të përmbysur regjimin e varfërisë, regjimin e poshtërisë dhe talljes së shqiptarëve.  Ne nuk kemi frikë sepse na pret fitorja, na pret shpresa për të nesërmen, na pret besimi për një të ardhme më të mirë”, theksoi zoti Basha. 

Entuziazmi i fitores tha zoti Basha ndjehet në çdo cep të Shqipërisë sepse qytetarët përballen sot me sfidën e mbijetesës. Rritja e nivelit të papunësisë ka zhytur shqiptarët në borxhe për bukën e fëmijëve dhe çfarë është më e keqe, nuk kanë asnjë shpresë se situata do të jetë më mirë në muajt që vijnë. 

Shkaku i varfërisë suaj, që është pabesia dhe poshtërimi dhe premtimet e pambajtura të 23 qershorit, që janë taksat e larta, çmimet e larta, diskriminimi, moszbatimi i ligjit njësoj për të gjithë ju, që është papunësia e ngritur në themel të një regjimi që pasi ju merr bukën e gojës, do t’iu blejë dinjitetin me thes me miell, do t’i japim fund me votën tonë, të djathtë e të majtë, të gjithë të bashkuar. Ndaj, theksoi zoti Basha, frika që i ka kapur, sa vjen e do të shtohet. 

“Boll kanë qëndruar të heshtur qytetarët duke parë ditë për ditë se si shtohej trashja e zullumit, boll kanë qëndruar kokulur para fëmijëve duke numëruar kacidhet e fundit akoma pa u mbyllur muaji, 88% e durrsakëve, 88% e shqiptarëve besojnë se 6 mujori i ardhshëm me këtë qeveri do të jetë më i keq se 6 mujori që po lëmë pas. 1 në 3 familje shqiptare merr borxh ditë për ditë për bukën e gojës, ndërkohë që Gjushi dhe klientela e tij krihen  në projekte luksi dhe korrupsioni. Si është e mundur? Kurrë nuk është e mundur në mes të Europës të mbijetojë një regjim i tillë dhe tani që po ju vjen fundi i kanë kapur sëmundjet e vjetra të baballarëve të tyre politikë, kanë filluar të fajësojnë popullin, a thua se e ka fajin populli që e kanë detyruar të marrë borxh për bukën e gojës, a thua e ka fajin populli që 7 në 100 durrsakë kanë humbur vendet e punës në dy vitet e fundit që kur erdhi kjo e keqe në pushtet. A e ka fajin populli për mijëra e mijëra të tjerë  të cilët kërkojnë punë ditë për ditë, por nuk gjejnë dot. Por ciniku, kryeministri i së keqes si një kloun thotë: Punë ka, por populli shqiptar është popull dembel dhe nuk di ta kërkojë punën. Unë ju them se puna do të vijë, mirëqenia do të vijë,  të ardhurat do të vijnë, lekët do të vijnë, taksat do të ulen, çmimet do të rriten kur këta bashkimbuzukë do t’i çojmë në shtëpi me votën tonë plebishitare më 21 qershor”, theksoi zoti Basha.  

Optimizmi i fitores dhe shpresa e shqiptarëve për t’u ndarë nga e keqja më 21 qershor, ndjehet në çdo cep të vendit dhe është e pathyeshme, tha lideri i opozitës sipas të cilit, nga jugu në veri shqiptarët janë bashkuar si asnjëherë më parë kundër të keqes në pushtet. 

“Është e mahnitshme sesi njerëzit akoma pa nisur zyrtarisht fushata elektorale janë bashkuar rreth kësaj kandidature, rreth këtij vizioni, rreth këtij ekipi, rreth kësaj alternative për Durrësin dhe durrsakët njësoj si do të bashkoheshin në një familje të madhe politike dhe biologjike. Kjo ka ndodhur vëllezër dhe motra, sepse këtu në Durrës shtypja është e dyfishtë, varfëria është e dyfishtë, papunësia është e dyfishtë, përpjekja për të vrarë shpresën është e dyfishtë, ndaj edhe reagimi është i dyfishtë, revolta është e dyfishtë dhe fitorja do të jetë e dyfishtë. Do të jetë fitore plebishitare kundër qeverisë së lakut në fyt. Më 21 qershor durrsakët të zgjuar dhe të bashkuar në këmbë , të djathtë e të majtë, do të votojnë kundër qeverisë të së keqes, kundër mjerimit, kundër papunësisë, kundër shtypjes, kundër varfërisë. Do të votojnë sepse e keqja ka kapur prej fyti  këtë qytet, i ka kapur prej fyti njerëzit dhe nuk po i lëshon. Duart do t’i heqin nga fyti qytetarëve, lakun do ta heqin nga fyti qytetarëve me votën e bashkuar të 21 qershorit. Kërbaçin do t’ja heqin nga duart me votën tonë të bashkuar më 21 qershor. Nuk ka forcë të na ndalë sepse kjo nuk është më një fushatë politike, nuk është më fushatë e një partie, kjo është një fushatë misionare e të gjithë qytetarëve të Durrësit e të gjithë Durrësit të bashkuar për të nesërme më të mirë dhe për fitore “, theksoi kryetari i PD. 

Kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit Grida Duma, shprehu besim se më 21 qershor shqiptarëve do t’u kthehet shpresa, besimi, puna dhe dinjiteti.  

“Sot jemi në një situatë katastrofike. Durrësi është më i varfër se mesatarja e Republikës së Shqipërisë ndonëse Durrësi është qyteti më i pasur për burime, me portin e mrekullueshëm, me plazhin e turizmin, që arrin në 400 mijë turistë në verë. Sot ky qytet mposhtet nga e keqja e të shkurtërve. Kam prekur duar e njerëz të vuajtur. Kam ecur në gjithë rrethinat e këtij qyteti, janë ndier dhe ndihen të frikësuar për të ardhmen e tyre dhe të zhgënjyer për të ardhmen e tyre. Duhemi të gjithë ne t’i kthejmë njerëzve besimin që ditët e mira na presin. Kanë nevojë së pari të ngrihen në mëngjes dhe të kuptojnë se ashtu siç e ka bekuar zoti këtë qytet, do të bekojë jetët e tyre me ne.  Ne do i sjellim qytetit shpresën, besimin, do i kthejmë njerëzve dinjitetin se me ata dhe vetëm ata do lulëzojmë këtë qytet”, theksoi kandidatja e PD-së për bashkinë e Durrësit Grida Duma.  


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Maj 2015

 

Read More
02 Maj
0

Papunësia rritet, varfëria shtohet, Rama bllokon vendet e punës‏

Kryeministri i së keqes vazhdon avazin e talljes dhe poshtërimit të shqiptarëve.  Shumica e qytetarëve, siç thotë raporti i Bankës së Shqipërisë marrin borxh për t’u siguruar fëmijëve bukën e gojës, ndërsa kryeministri i akuzon se nuk e duan punën. Papunësia u rrit me 7 përqind në këto 20 muaj sepse kryeministri i së keqes rriti taksat, rriti çmimin e energjisë, rriti çmimin e naftës, mbylli me mijëra biznese.
Shqiptarët po ikin se nuk kanë punë, bukë dhe shpresë. Shumica e shqiptarëve thonë se nuk presin asnjë ndryshim për vitin 2015, madje e shohin gjendjen financiare të tyre në përkeqësim.

Ky është realiteti i trishtueshëm që po kalojnë sot shqiptarët dhe që kryeministri i së keqes nuk e sheh. Çdo kryeministër i përgjegjshëm do bënte gjithçka për të hapur vende punë kryeministri ynë i bllokon ato. Këtu pas meje, nëse nuk do t’a bllokonte kryeministri do të ishte duke u ndërtuar terminali multimodal i pasagjerëve dhe 1200 qytetarë do të ishin duke punuar. Por përveç kësaj, ky terminal do të mundësojë reduktimin e ndjeshëm të ndotjes në qytet 5 – 6 tonë CO2  në ditë nuk do të emëtohet në mjedis. Me këtë terminal qyteti do të ketë 3.1 km parkim të lirë,  dhe 2310 mjete më pak në qarkullim çdo ditë duke sjellë një çlirim të trafikut.

Kryeministri i së keqes, përveç 1200 vendeve të punës në terminalin multimodal ka bllokuar dhe 2300 vende pune në bulevardin e ri, e qindra vende të tjera pune  në dhjetëra projekte në qytet. Këtu ne flasim për punë reale jo për vende pune në letër.
Në 21 qershor, është dita të shpëtojmë prej kësaj të keqe dhe të bashkohemi e të votojmë njerëzit e punës, që do t’i kthejnë shpresën qytetarëve, kandidatët e Partisë Demokratike.


Deklaratë e koordinatorit Akil Kraja, 2 Maj 2015

Read More
02 Maj
0

Dako i varfëroi por qytetarët nuk do e shesin shpresën për një thes miell‏

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma ka vijuar takimet me banorët të shumtë në lagje të ndryshme të qytetit për të bashkëbiseduar për problemet ekonomike dhe sociale të tyre. Banorët vuajnë mungesën e perspektivës dhe shanseve për tu punësuar.

“U bënë 8 vjet që punohet majtas. Unë jam socialist dhe kam votuar familjarisht por nuk shoh që të ecë diçka që të punësohen njerëzit. Unë kam 8 vjet pa punë”, u shpreh një banor.

“Ky popull thotë gjithë ditën që do e çojë votën djathtas por kush shkon të votojë i prishet mendja për një thes miell”, tha një qytetar tjetër. Zonja Duma u shpreh e bindur se qytetarët durrsakë në katër anët e bashkisë së re e kanë kuptuar rëndësinë e votës dhe nuk kanë për të shitur shansin për një projekt ndryshe. “Unë besoj se njerëzit e kanë kuptuar që ai thesi i mjellit nuk u ndryshon më asgjë”, tha Duma.

Në lagjet e qytetit pranë plazhit dhe në afërsi të Shkozetit, kandidatja Duma u njoh me vështirësitë e banorëve dhe lënien në harresë nga bashkia.

“Kam shkuar tek Vangjush Dako dhe më ka thënë që nuk ka punë. I thashë po votat a i do? Nuk foli më Vangush Dako. Të lutem shumë, ne duam punë. Edhe unë, edhe djali edhe vajza 19 vjeçe. Nuk kam as shtëpi dhe jetoj në çadra”, tha një qytetare.

“Sa herë bie shi ne do mbushim thasët me rërë për ti vënë tek dera. Këkrojmë që të na bëhet një kanalizim vetëm për qëllimin e ujërave. Kërkojmë që edhe plehrat të hiqen sepse kemi të gjithë infeksionet në shtëpi”, u shpreh një tjetër ndërsa familje të shumta ankohen edhe për faturat e kripura të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.

Komuniteti i një prej lagjeve më të mëdha në qytet kërkoi nga kandidatja mundësinë e ndërtimit të një shkolle të re pasi fëmijët bëjnë mësim me turne. “I kam shkuar kryetarit për shkollën “Bajram Curri” numër 2. A është normale që vajza ime në klasën e 9-të të vijë në orën 8 të darkës në shtëpi?! Sepse rruga nuk ka drita. Po ju pyes si nënë”, i kërkoi kandidates një banore. Znj Duma u shpreh se ndërtimi i një shkolle të re në këtë zonë do të jetë pjesë e planit të saj për këtë lagje të qytetit.

“Nuk është vështirë një shkollë më shumë për një komunitet të madh si ju këtu sepse është kjo zona këtu që jep dyfishin e të ardhurave se një zonë tjetër. Unë e di që kjo është sakrificë e madhe. Ajo që duhet të bëhet është shkollë brenda standardeve dhe nuk është as e shtrenjtë  dhe as e pamundur. Duhet vetëm ta ndjesh brenda vetës. Unë jam nënë, jam pedagoge dhe e di shumë mirë një gjë të parë”, tha Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 2 Maj 2015

Read More
01 Maj
0

Ke besim tek ndershmëria dhe përvoja? Hadje punojmë së bashku‏

Kandidati për kryebashkiak në Tiranë, Halim Kosova, ishte sot në tregun e fruta perimeve në Qytetin e Nxënësve ku dëgjoi ankesat e tregtarëve për rënien e fuqisë blerëse dhe takoi gjithashtu qytetarë që nuk kanë mundësi të blejnë për shkak të varfërisë. Kriza është evidente dhe z.Kosova i ftoi tregtarët dhe banorët e kësaj zone të bashkohen në projektin e tij për të krijuar vende pune, mirëqënie e zhvillim.

“Hajde të bëjmë diçka bashkë. A ke besim tek ndershmëria dhe përvoja? A ke besim? Ja tek i kam me vete dhe hajde”, i tha Kosova një qytetari.

“Unë kam tre çuna pa punë, fare, me zanat e me të tëra. Vetëm këtë, po na dhe këtë, me gjithë shpirt”, i drejtohet Kosovës një nënë.

Kandidati dëgjon nga afër të gjithë ankesat e banorëve.

“Më i rëndësishëm se poçi dhe se rruga, po ta them siç e mendoj unë, është ekonomia në shtëpinë tënde brenda, se ti po e pate asfaltin xixë fare, po pate shtylla e po pate lule në rrugë, po që s’ke asnjë në punë, po që je në kulmin e varfërisë, nuk e shijon as rrugën, as poçin, asgjë”, tha Kosova.

Z.Kosova i shpjegon qytetarëve për projektin e tij për qeverisjen e qytetit.

“Sot po shoh  ku janë hallet e qytetit. Ideja ime është që t’i ndaj pjesë-pjesë, dhe të fillojmë me radhët zgjidhjen e tyre në çdo zonë. Unë kështu kam punuar gjithmonë”, shprehet Halim Kosova.

Gjatë gjithë takimeve qytetarët shprehen entuziastë për idetë dhe tregojnë besim tek përvoja menaxheriale dhe integriteti i z.Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Maj 2015

Read More
01 Maj
0

Veliaj, kandidati kallp që do shiste dhe krijuesin e tij Rama për karrierë

Erion Veliaj, një personazh i pabesueshëm dhe i shtirur foli edhe sot pa ndalim, por sot i shpëtuan  4 fjali. 4 herë atij i shpëtoi se ishte dakort me Halim Kosovën.

Të jesh dakort me Halim Kosovën është në të vërtetë drejtimi i duhur.

Eshtë mirë të jesh dakort me Halim Kosovën, si çdo qytetar tjetër i Tiranës, sepse Halim Kosova ka hyrë në një garë për t’u shërbyer banorëve, e jo për t’u marrë me politikë.

Halim Kosova është shembull për t’u ndjekur, sepse ka arritur gjithçka me punë e meritë.

Halim Kosova është krejt e kundërta e një mashtruesi të paskrupullt si Erion Veliaj që është gati të shesë në rastin më të parë edhe krijuesin e tij, Edi Rama, për të bërë karrierë.

Qytetarët e Tiranës dinë mirë ta dallojnë të mirën nga e keqja, të vërtetën nga kallpi, të drejtën nga hileja, të ndershmin nga abuzuesi.


Deklaratë e kandidates për Keshillin Bashkiak, Reila Bozdo, 1 Maj 2015

Read More
01 Maj
0

Drafti i Ramës, kopje hileqare për të mbrojtur inkriminimin‏

Prej 24 dhjetorit kur u ra dakort për marrëveshjen e dekriminalizimit, Edi Rama nuk ka paraqitur asnjë draft, asnjë alternativë se si ai mendon të realizojë këtë proces jetik për vendin, për të çliruar parlamentin dhe politikën nga të inkriminuarit, e për të pamundësuar kandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e 21 qershorit.

Partia Demokratike deklaron se drafti i lexuar dje nga deputeti Balla është drafti i opozitës, por tinëzisht i janë hequr instrumentet kryesore:‎

1-Heqja e instrumentit të masave të sigurimit personal si arresti me burg apo arrest shtepie për krime te renda nga drafti ynë, heq mundësinë e përjashtimit të kandidatëve me të shkuar kriminale për krime të rënda, duke nxjerrë si të pastër Ramën me Bushin, Ramën me Rroshin, Ramën me Ndokën e të paktën 15 deputetë të tjerë.‎

2- Heqja e instrumentit të verifikimit për kandidatët e listave të 2013-ës që do  të marrin mandatin për shkak të largimit të deputetëve që kandidojnë më 21 qershor apo lënë mandatin, heq mundësinë që të kontrollohen kandidatët me të shkuar kriminale që po presin të futen në parlament.

3-Heqja e instrumentit të verifikimit nëpërmjet shenjave daktiloskopike ‎e bën të pamundur verifikimin e personave me të pakten 4 emra të ndryshëm, pra emrat e artit në krim në kërkim ndërkombëtar dhe kjo është bërë enkas për të shpëtuar Rroshin, Frrokun apo deputetë e kandidatë bashkiakë të tjerë.

Paraqitja e draftit të Partisë Demokratike, pa instrumentet e domosdoshëm është vetëm një farsë për t’iu fshehur përgjegjësisë së futjes së banditëve në parlament dhe futjes së banditëve në listat e 21 qershorit.

Pra, ajo çka lexoi dje Balla, është një gjethe fiku, jo për të bërë dekriminalizimin, por për  ta mbuluar atë, për të gënjyer ndërkombëtarët dhe për t’i dhënë një shans të artë krimit të vazhdojë sundimin, të vazhdojë kandidimin.

Alternativa e lexuar dje, ka si qëllim mbrojtjen e banditëve në parlament dhe lejimin e banditëve për të kandiduar në 21 qershor.


Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, 1 Maj 2015

Read More
01 Maj
0

Tabaku: Papunësia në nivele alarmante, shqiptarët marrin borxh për mbijetesë‏

1 maji e gjen Shqipërinë të zhytur në papunësi, varfëri dhe mjerim. Shqiptarët shohin si të vetmen shpresë  emigrimin duke kthyer plagën e vjetër të eksodit të viteve ‘90. Niveli i papunësisë në dy vite është rritur nga 13% në 18.8% dhe më shqetësues është fakti që papunësia ndër të rinjtë është 32,5%.

Më trishtues është fakti se shumica e shqiptarëve  janë zhytur në borxhe, për të siguruar konsumin e përditshëm, pra mbijetesën,  dhe kjo si pasojë e uljes së të ardhurave nga rritja e papunësisë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura, në fund të vitit 2014 rezulton në rënie me 1,8%, krahasuar me pjesën e parë të vitit 2014 dhe në një reduktim me 5,5% krahasuar me vitin 2013. Raporti tregon se qeveria çdo ditë që kalon vetëm e thellon edhe më tej krizën.

Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, 88% e familjeve të intervistuara në 16 zona të ndryshme të vendit thonë se nuk presin asnjë ndryshim, të paktën edhe për 6 mujorin e parë të 2015-ës, madje e shohin gjendjen financiare të tyre në përkeqësim.

Larg propagandës së përditshme, ky është realiteti i trishtueshëm që po kalojnë sot shqiptarët.

Çfarë bën kryeministri për të dalë nga kjo situatë? Asgjë, madje bllokon dhe përpjekjet e autoriteteve vendore, për të hapur perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.

Këtu, pas nesh shtrihet një nga veprat më të rëndësishme të 70 viteve të fundit, për qytetin e Tiranës por që në të njëjtën kohë është dhe një kantier i madh punësimi për qytetarët që sot vuajnë për bukën e gojës, pasi do të hapte  2300 vende pune pervecc 24. 600 që janë hapur në këto 4 vite. Çdo kryeministër i përgjegjshëm do të bënte çdo gjë për të lehtësuar punën, ndërsa kryeministri ynë e bllokon.

E njëjta histori me terminalin multimodal të pasagjerëve, me tramvajin dhe dhjetëra projekte të tjerë në qytet që do të hapnin mijëra vende të reja pune janë të bllokuara nga Edi Rama dhe bëhet fjalë për vende pune reale, jo punë në letër siç thotë propaganda qeveritare.

Kryeministri turist nuk do t’ia dijë për hallet e qytetarëve, pasi i vetmi shqetësim i tij dhe kësaj mazhorance është pasurimi me paratë e shqiptarëve.

Në 21 qershor, qytetarët do të ndahen nga qeveria e propagandës dhe do të votojnë njerëzit e punës. Oferta e re e Partisë Demokratike është ulja e taksave, është taksa e sheshtë, është tregu  i lirë, është sipërmarrja, është vlerësimi i punës, është puna dhe dinjiteti.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Maj 2015

Read More
01 Maj
0

Duma: Dera e bashkisë do jetë e hapur për qytetarët‏

Qytetarët: Dako nuk ka pret, hyn fshehtas nga dera e pasme në bashki.

Kandidatja për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma takoi banorë të zonës së plazhit ku preku nga afër situatën e vështirë ekonomike, sociale por edhe të biznesit në këtë zonë të qytetit. Banorë të shumtë që ankohen për lënien në harrese nga Bashkia dhe të papërfillur në hallet dhe problemet e tyre.

“Po të shkosh tek Dako, unë e njoh sepse kam jetuar këtu që nga vitet 60, shkon tek bashkia dhe deri në 12 e ke te piaca ose diku tjetër duke pirë kafe dhe vjen më pas hyn nga dera prapa dhe del nga përpara. Megjithëse e njoh nuk mund të bisedoj njeherë normalisht. Hapni dyert të vijnë njerëzit e të këshillohen, e të merrni problemet. Të mos na hedhë hi syve se shiko si I ka lënë gropat. Pusetat e ujërave të shiut janë kthyer në puseta të ujërave të zeza. S’ka turizëm këtu, deri tek buza e ujit ka ndrëtime dhe beton”, tha një qytetar.

“Unë kam votuar për të majtën dhe se kam për turp. Por dua një njeri dhe që dera jotë si kryetare bashkie nesër të jetë derë e hapur që të dëgjosh ata njerëz dhe nënat tona për fëmijët e vetë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Znj Duma u shpreh se qytetit i duhet një administrator i zoti që të dojë njerëzit e të punojë për ta. Ajo u zotua se dera e saj do të jetë e hapur për të gjithë durrsakët. “Jashtë premtimeve elektorale, ju atë derën e keni tuajën. Nuk është dera ime. Kam ardhur për të marrë një pushtet tonin dhe tuajin të parin. Nuk ka nevojë për fjalë të bukura sepse atë që ju ndjeni unë e  di shumë mirë”, tha Duma.

Duma:Pse ta kanë prerë asistencën

Qytetari: Nuk e di. Marr pensionin por atë nuk po ma japin.

Duma: Ke shkuar tek Bashkia të kërkosh ndihmë ?

Qytetari: Kam bashkuar tek bashkia dhe nuk më ka dalë as kryetari dhe askush. Po jetoj vetëm me bukë. Nuk më ndihmojnë fare por më ndihmojnë vetëm njerëzit me bukë.

Duma: Mbas dy muajsh duhet të vish dhe të marrësh pension ose asistencë sepse nuk mund të ecësh më rrugëve.

“Kohët e fundit jemi zhgënjyer shumë. Kohën e fundit më erdhën këta banditët e INUK-ut dhe më prenë edhe pemën këtu me skavator. E kasha rritur prej 12 vitesh atë pemën. Ishalla po ndryshohet sepse kështu ëhstë kjo punë, kur kradhëtohesh do ndërshkohesh”, tha një pronar lokali.

“Nuk kanë bukë të hanë njerëzit dhe po qajnë rrugëve. Kam qënë duke vdekur për këtë lokal sepse i ra fadroma. E kisha me hipotekë”, u shpreh një pronare tjetër.

“Të marrim më 21 Qershor një pushtet që të na vlejë të gjithëve, duke qenë mirënjohjëse që ju keni shpresë keni”, u përgjigj Duma.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Maj 2015

Read More
01 Maj
0

Afate konkrete për projektet, analizë e përgjegjësi kur ato nuk ecin si duhet‏

Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorë të Laprakës dhe dëgjoi shqetësimet e tyre. Problemet me insfrastrukturën dhe mosrespektimi i personave me aftësi të kufizuara, janë dy çështje për të cilat Halim Kosova u angazhua për zgjidhje.

 “Çdo projekt do të ketë një datë fillimi e një datë mbarimi. Po të ketë një datë fillimi, një datë mbarimi, dhe mbaron kjo e pastaj fillon një tjetër, unë them do të jetë shumë e vlefshme për qytetarët . Afati i përcaktuar dhe i zbatuar me regorizitet. Dhe një gjë të vlefshme për lagjen, për qytetin, për shtëpinë, mos të kthehet në një bezdi të pafund”.

Halim Kosova u tha banorëve se ai është si ata, qytetar që kërkon një qytet më të mirë. Kosova shprehu vendosmërinë për t’u qëndruar punëve mbi kokë e për të analizuar e ushtruar përgjegjësi kur projektet nuk ecin si duhet.

“Unë jam si ju por që kam pranuar disa përgjegjësi më shumë. Do ta shohim me imtësi pse ka ngecur. Janë njerëzit, ata që e kanë marrë përgjegjësinë dhe nuk janë njerëzit e duhur, nuk kanë respektuar afatet, kanë devijuar ndonjë një fond të rrugës ?! Do ti shoh me imtësi dhe të jeni të sigurtë që do t’i bëj parandalimin çdo situate të papëlqyeshme”.

Një person me aftësi të kufizuar, i rrëfen Halim Kosovës kalvarin e tij të vuajtjeve të përditshme. Ai nuk ka marrë prej muajsh pagesën e invaliditetit.

“Unë tani sapo u ktheva nga Ministria e Çështjeve Sociale dhe më priti ajo sekretarja tek recepsioni me një përgjigje; shko tek Bashkia. I thashë po përderisa Bashkia ka dhënë kujdestarinë si ka mundësi që nuk i paska kaluar dhe këto? Jo po tha aq sa na kanë kërkuar fonde aq u kemi dërguar. Ne paguajmë dritat e ujin. Tre herë në muaj, çdo ditë më vjen policia kontroll aty, kontroll këtu. Shko kapni ata, po vidhen bankat përditë dhe asnjë s’kapet. Edhe vijnë e na ngacmojnë ne invalidëve, fukarallëkun”.

“Bashkia duhet të jetë përgjegjëse për çdo hall, për qytetarët tanë. Dhe Bashkia duhet të përgjigjet në të ardhmen, ti marrë kompetencat dhe nuk duhet të rrijë kjo në duar të politikës dhe të bindjeve të tyre. Unë jam i sigurtë se edhe ato lekë që ju prisni janë shumë minimale. Por duhet të punojmë të gjithë, duhet të hapim projekte, duhet të ecim përpara në mënyrë që edhe juve që nuk mundeni t’iu vijë siç e meritoni”, u shpreh Kosova.

“Shpresojmë tek ju”.

Halim Kosova teksa takon të rinj në rrugët e Laprakës, shprehet se do të donte që situata të mos ishte kjo.

“Jam i sigurtë se po të kishit nga një vend pune nuk do të mblidheshit sot dhe unë do isha më i kënaqur sikur mos më priste njeri kështu paraditeve. I jap dorën shumë vetëve që kanë muskuj por që s’kanë mundësi të punojnë dhe kjo është e trishtueshme për qytetin se vetëm me punë mund të vijnë të ardhurat. Kështu që, do të çajmë të gjithë përpara që t’ia hapim projektet Tiranës, t’ia hapim prespektivën Tiranës dhe pse jo të rregullojmë çdo gjë që nuk ka shkuar mirë”, deklaron Halim Kosova.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 1 Maj 2015

Read More