· Padurimi i njerëzve për të votuar është padurimi për të dalë nga kjo gjendje, është revoltë kundër qeverisë, është shpresë për një të ardhme tjetër, të re, të mirë. 21 qershori është dita e gjykimit të madh të kësaj qeverie.
· Falë kundërshtimeve të opozitës dhe ndoshta edhe për taktikë elektorale qeveria ka bërë një hap prapa në lidhje me këtë projektligj të turpshëm. Nëse kjo tërheqje do të konfirmohet, kemi arsye të regjistrojmë një tjetër fitore të opozitarizmit në mbrojtje të interesit publik.
· Këto zgjedhje janë guri i provës, i vullnetit, i seriozitetit, i vendosmërisë dhe i lirisë për tu ndarë me akte dhe me ligj nga pengmarrja kriminale, nga ndërvartësia ndaj krimit të organizuar, nga aleancat e ndyra me individë me rekorde kriminale, nga kandidimi në zgjedhjet vendore i personave nga kjo kategori.
· Njerëzit e thjeshtë në Shqipëri s’po gjejnë më derman as duke kërkuar ushqime me listë, ndërsa kandidati socialist për Bashkinë e Poliçanit, Adriatik Zotka është kallëzuar penalisht për fshehje të 1.5 milionë eurove.
· Qytetarët burgosen dhe shtyhen drejt vetëvrasjes për 30 mijë lekë të vjetra, ndërsa trafikantët e drogës dhe prostucionit janë sot kandidatë për kryebashkiakë, si Artur Bushi në Krujë, Ervin alias Elvis Roshi në Kavajë e gjetkë.
· Asgjë nuk do t’a ndalë procesin e dekriminalizimit. Partia Demokratike ka kërkuar dhe kërkon të procedohet me shpejtësi për miratimin e amendamentit ligjor që pengon kandidimin e të inkriminuarve.
Fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD:
Të nderuar deputetë,
Më lejoni të ndaj sot, në këtë takim të përjavshëm, një lajm shumë të mirë të cilin po e ndjej, po e shoh, po e prek, po e jetoj bashkë me ju,dhe me disa prej anëtarëve të grupit tonë të cilët në këtë moment janë në takime elektorale me aleatët tanë, me kandidatët tanë për kryetarë bashkish, me stafet e tyre elektorale në mbarë vendin.
Ka një dëshirë të madhe, ka një padurim të qytetarëve për të votuar. Rrallë ka ndodhur gjatë 24 viteve të hapjes demokratike që fushatat të kulmojnë akoma pa nisur mirë akoma, që prezantimi i kandidatëve të Partisë Demokratike dhe opozitës të shndërrohet në një vërshim e një marshim popullor, të protestës kundër qeverisë Rama-Meta, në një manifestim popullor të shpresës, në manifestim të bashkimit pa dallime politike rreth kandidatëve tanë, rreth ofertës sonë.
Pse ky padurim? Pse ky vërshim? Pse ky plebishit i përditshëm në qiell të hapur? Pse ky bashkim rreth opozitës dhe kandidatëve të saj? Përgjigja nuk mund te jetë tjetër veç asaj që na pohojnë qytetarët në këto takime.
U ka ardhur ku nuk mban më.
Laku në fyt dhe thika në palcë, këtu i katandisi qeverisja Rama-Meta.
Padurimi i njerëzve për të votuar është padurimi për të dalë nga kjo gjendje, është revoltë kundër qeverisë, është shpresë për një të ardhme më të mirë, të re dhe të ndryshme nga e sotmja.
Përgjatë dy viteve qeveria ka bërë çfarë ka dashur me qytetarët, pa i pyetur, pa u marrë mendim, pa u dhënë shpjegime, pa u kërkuar ndjesë për gënjeshtrat dhe mashtrimet elektorale.
Përgjatë dy viteve qeveria Rama-Meta i ka dhunuar dhe poshtëruar sistematikisht njerëzit, duke duke u hedhur në kurriz si peshqesh të zi varfërinë, arrogancën dhe dhunën.
Përgjatë dy viteve qeveria Rama-Meta ka patur në dorë edhe gurin dhe arrën kundër qytetarëve.
Kjo është një histori e dhimbshme, të cilën shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë të shkruar në lëkurë.
Por kjo histori nuk mund të vazhdojë pa fund. Asnjë qeveri nuk mund të nxjerrë nga skena qytetarët, asnjë qeveri nuk mund të nxjerrë nga loja demokracinë.
Më 21 qershor e kanë rradhën qytetarët.
Më 21 qershor e kanë fjalën njerëzit.
Qytetarët janë ndergjegjësuar si asnjëherë tjetër se zgjedhjet janë dita e tyre, janë mjeti i tyre, janë instrumenti i tyre për të ndryshuar gjendjen.
Njerëzit janë ndërgjegjësuar si asnjëherë tjetër për fuqinë sovrane dhe pa çmim të votës së lirë.
Njerëzit mezi po presin të marrin hak, t’i japim hakun, domethënë një mësim për t’u mbajtur mend, qeverisë që u uli kokat prindërve para fëmijëve, që u dha rrugët e botës pas 25 vjetëve shqiptarëve.
21 qershori nuk është një ditë e zakonshme zgjedhjesh. 21 qershori është dita e gjykimit të madh të kësaj qeverie.
Do të pranohet, apo do të refuzohet me votë të lirë modeli i mashtrimit.
Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë modeli i kërbaçit.
Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë modeli i varfërisë dhe i korrupsionit.
Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lire ngritja e krimit në sistem.
Do të pranohet apo do të refuzohet me votë të lirë zhdukja e pushtetit vendor nga oligarkët Rama-Meta, që kanë vizatuar një hartë të çifligjeve të ëndërruara, por ligjin e decentralizmit nuk e bënë kurrë.
Kemi bindjen e plotë se qytetarët nuk do ta bekojnë, kurrsesi nuk mund ta bekojnë me votë këtë model të të keqes së tyre, por do ta ndalojnë, do ta delegjitimojnë në kutitë e votimit, do ta hedhin pas si një aksident të historisë sonë.
21 qershori është dita e ndëshkimit të madh të kësaj qeverie.
T’i ndalim, kjo është thirrja e bashkimit të shqiptarëve në barrikadën më të madhe të lirisë dhe demokracisë gjatë gjithë këtyre viteve.
21 qershori është dita e bashkimit të madh të shqiptarëve rreth aspiratës së tyre për punë, zhvillim dhe dinjitet, rreth ofertës sonë të re.
Kam kënaqësinë të pohoj para jush se axhenda opozitare e dy viteve të opozitës sonë të re është bërë një axhendë mbarëpopullore. Edhe socialistët, ata që nuk janë pjesë e tenderave dhe llokmave në panairin e krimit dhe korrupsionit qeveritar, janë në një mendje me ne për të gjitha problemet që kemi shtruar e po shtrojmë për rendin dhe sigurinë, ekonominë, arsimin, shendetësinë, papunësinë, eksodin, borxhin, etj. E vërteta e mbështetur me fakte, argumente dhe arsye nuk mund të mos jetë përbashkuese, gjithmonë e më përbashkuese.
Ndaj në padurimin e natyrshëm të votuesve tanë për të shkuar një orë e më parë në zgjedhje shohim të jenë bashkuar, po aq të paduruar, qindra mijëra qytetarë të lirë, qindra mijëra zgjedhës të zhgënjyer me qeverinë që kanë votuar para dy vjetësh.
Ky entuziazëm, ky padurim për të votuar është për ne, Partinë Demokratike dhe opozitën, momenti i një përgjegjësie të shumfishtë për t’i prirë deri në fund stuhisë që është ngritur për të ndëshkuar qeverinë, për të drejtuar me besnikëri shpresën që paralajmëron ndryshimin, për të diktuar që në këto zgjedhje, me fuqinë e votës popullore, ofertën tonë uljen e çmimit të energjisë, uljen e çmimit të karburanteve, uljen e taksave, uljen e informalitetit, mbylljen e shpenzimeve dhe investimeve të luksit e korrupsionit, ofertën tonë të re për punë dhe dinjitet.
Rama-Meta nuk kanë fytyrë t’u dalin para qytetarëve. Takimet dhe prezantimet e tyre nuk janë manifestime të lira të qytetarëve, por inskenime të sforcuara me regji të sforcuar, nuk janë festa të shpresës, por funerale zie.
Pavarësisht propagandës, të cilën e kanë shtuar dhe do ta shtojnë dita -ditës sepse propagandën e kanë zanat dhe në propagandë i kanë mbështetur shpresat. Realiteti i sfidon orë pas ore, përkeqësimi u përplaset në fytyrë ditë pas pas dite, duke i shumëzuar me zero llafet e tyre të bukura.
Shikoni çfarë ndodh në dogana. Importet janë rritur sipas INSTAT-it, por të ardhurat për muajin mars ranë në 70 përqind të planit. Marsi më keq se shkurti, prilli pritet të jetë më keq se marsi. Është dështimi që kemi paralajmëruar ne, është dështimi për të cilin kemi folur në rrafshin e mbledhjes së të ardhurave nga qeveria. Por kjo që po ndodh në dogana nuk mund të quhet më dështim. Është një vjedhje e përmasave gjigante e parave që duhej të shkonin në arkën e shtetit.
Ku shkojmë kështu? Çfarë janë këta që rrisin në qiell taksat dhe mbledhin më pak para për buxhetin? Ç’janë këta që sillen si kaçakë me kollare dhe vula me mallrat që hyjnë dhe dalin nga vendi?
Çfarë janë këta që marrin të tretën për xhepat e tyre dhe për shefat e tyre? Si opozitë e përgjegjshme kemi detyrimin para publikut që, duke filluar që sot t’u kërkojmë shpjegime dhe llogari, t’i vëmë para fakteve dhe t’i denoncojmë me argumente për këtë situatë paprecedent në doganat e vendit.
Ja ku është një nga shkaqet e mëdha të përkeqësimit dhe varfërisë. Tallen, eksperimentojnë me kukulla, abuzojnë, vjedhin. Qytetarët nuk mashtrohen më nga propoganda e tyre. Propaganda e tyre xhiron në baltën e mashtrimeve, dështimeve dhe abuzimeve.
E dimë shumë mirë se gjatë dy muajve që na ndajnë nga zgjedhjet, qeveria do të bëjë çmos të mpijë padurimin e njerëzve për të votuar, do të bëjë çmos të godasë entuziazmin dhe optimizmin e tyre për ndryshim , do të bëjë çmos të shkurajojë shpresën e tyre, do të bëjë çmos të mashtrojë përsëri, duke hedhur në veprim me frenezi makinerinë e saj propagandistike të shplarjes së truve, të premtimeve në hava, të shpifjeve dhe përbaltjes së kundërshtarëve.
Qeveria e ka tmerr padurmin e njerëzve për të votuar. Ndaj do të bëjë çmos ta vrasë këtë padurim.
Nuk do ta lejojmë. Është në dorën tonë të mbajmë gjallë dhe të rrisim përditë si një ortek besimin e njerëzve në fuqinë sovrane të votës. Me frymëzim, me kurajo, me përkushtim, me bashkim, me qytetari, me ofertë, me programe, me këmbët në tokë, kjo është fushata jonë.
Në këtë kuadër grupi ynë parlamentar ka një rol të dorës së parë për të vazhduar në aulën dhe tribunën e Kuvendit, mbrojtjen pa kompromis të interesit publik. Javën e kaluar dhe sot është në diskutim Projektligji “Për sektorin e energjisë elektrike” që parashikon vendosjen e barrës hipotekore të sekuestros nga vetë OSHE mbi banesat e qytetarëve shqiptarë, që kanë krijuar një detyrim prej 300 mijë lekë apo biznesin që ka krijuar një detyrim 200 mijë lekë.
Deri këtu ka shkuar marrëzia e qeverisë. Të aplikojë një masë që përbën ndërhyje flagrante në të drejtën kushteteuse të shtetasve. Urdhërat e bandës së OSHE-së të dalin mbi kushtetutën!
Në asnjë rast dhe për asnjë rrethanë cënimi i së drejtës së pronësisë së një personi privat nuk mund të kryhet nga kreditori, thotë ligji. OSHE është një subjekt privat, pa asnjë kompetencë për të vepruar mbi pronat e shqiptarëve. Çdo detyrim që i jep kësaj shoqërie statusin e kreditorit, duhet të vihet në ekzekutim nga mjetet e parashikuara nga ligji, njëlloj siç veprohet me çdo kreditor që pretendon ekzekutimin e një detyrimi në të holla.
Ky parashikim është arbitrar dhe cënon drejtpërdrejt të drejtën e pronës së qytetarëve shqiptar dhe bizneseve shqiptare. Kjo dispozitë është antiligjore e antikushtetuese, antinjerëzore, antipopullore .
Falë kundërshtimeve tona dhe ndoshta edhe për taktikë elektorale qeveria ka paralajmëruar një hap prapa në lidhje me këtë projektligj të turpshëm. Nëse kjo tërheqje konfirmohet, kemi të arsye të regjistrojmë një tjetër fitore të opozitës në mbrojtje të interesit publik.
Por duhet të jemi të përgatitur për betejë, sepse kjo qeveri e ka zakon pabesinë. Duhet t’ua bëjmë të qartë qytetarëve se nëse qeveria detyrohet të bëjë një hap prapa sot në prag të fushatës, ajo do ta shumëfishojë arbitraritetin e saj nesër, nëse mbështetet me votë në zgjedhje. Duhet të lançojmë në çdo aulë të komunikimit publik ofertën tonë, këmbënguljen tonë për uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe faljen e kamatvonesave.
Të nderuar deputetë,
Dekriminalizimi ka qenë një imperativ për jetën politike dhe shoqërore në vend që ditën kur grupi ynë parlamentar ia doli ta vendoste në axhendën e politikës kombëtare dhe në atë të partnerëve tanë amerikanë dhe europianë. Sot, në prag të zgjedhjeve vendore, dekriminalizimi është më imperativ se kurrë. Këto zgjedhje janë guri i provës për vullnetin, seriozitetin dhe vendosmërinë për tu ndarë me akte dhe me ligj nga pengmarrja kriminale, nga ndërvartësia ndaj krimit të organizuar, nga aleancat me individë me rekorde kriminale, nga kandidimi në zgjedhjet vendore i personave nga kjo kategori.
Ne kemi qenë dhe jemi të përkushtuar në angazhimet tona dhe nuk mund të jetë ndryshe një forcë që e ka denoncuar, ngritur dhe shtruar për zgjidhje problemin e madh të krimit në pushtet.
Nga ana tjetër, dyshja Rama-Meta që e ka krijuar problemin në përmasat troditëse që tashmë e njeh gjithë bota, në vend që të punojë e kontribuojë për zbatimin pa humbur kohë të angazhimeve, të shkruara me ndërmjetësimin e Brukselit, vazhdon të jetë e përfshirë në një një përpjekje të vazhdueshme, në lloj-lloj formash e mënyrash, për të penguar procesin e dekriminalizimit.
Për një kohë të gjatë kanë zvarritur dhe sabotuar punën normale të komisionit parlamentar, duke nxjerrë pretekste dhe bishta. Tani, ndërsa deputetët tanë kanë formuluar amendamentet ligjore për pengimin e kandidatëve me rekorde kriminale në zgjedhjet vendore, dyshja Rama-Meta po e sfidon hapur këtë proces, me akte dhe me gjeste.
Njerëzit e thjeshtë në Shqipëri s’po gjejnë më derman, as duke kërkuar ushqime me listë, por kandidati socialist për Bashkinë e Poliçanit, Adriatik Zotka, është kallëzuar penalisht për fshehje të 1.5 milionë eurove.
Qytetarët burgosen dhe shtyhen drejt vetëflijimit për 30 mijë lekë të vjetra, por trafikantët e drogës dhe prostucionit janë sot kandidatë për kryebashkiakë, si Artur Bushi në Krujë, Ervin alias Elvis Roshi në Kavajë e gjetkë.
Asgjë nuk do t’a ndalë procesin e dekriminalizimit. Partia Demokratike ka kërkuar dhe kërkon të procedohet me shpejtësi, pa asnjë vonesë për miratimin e amendamentit ligjor që pengon kandidimin e të inkriminuarve.
Dua me ketë rast të shpreh, mirënjohjen e veçantë timen dhe të Partisë Demokratike për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që po i jep Shqipërisë në sfidën e dekriminalizimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.
Sfida e ditës sot, është largimi i subjekteve të dekriminalizimit nga listat e kandidatëvë për pushtetin vendor. Ne kemi treguar emra, kemi publikuar prova dhe fakte që implikojnë kandidatët e dyshes së Edi Ramës.
Fjalët në erë nuk vlejnë. Nuk ka më kohë për akrobacira. Me krimin e veshur me pushtet dhe me pushtetin e veshur me krim, vendi vetëm vijon të humbë në imazh, në rrafshin e lirive dhe të drejtave, në çeëhtjet e rendit dhe sigurisë, në zhvillim, dhe në çdo fushë tjetër
Në këto kushte, duke mos u tërhequr asnjë milimetër dhe për asnjë çast nga angazhimi ynë për dekriminalizimin e jetës politike dhe institucionale të vendit përmes një ligji konsensual, përsëris bindjen dhe thirrjen tonë drejtuar qytetarëve të vendit, për ta zgjidhur me votë të lirë këtë problem jetik për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
Asnjë votë trafikantëve! Asnjë votë tutorëve të prostitucionit! Asnjë votë kriminelëve dhe vrasësve nga bota e errët e krimit të organizuar.
Faleminderit
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 30 Prill 2015
Read More