Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi sot kandidatët për kryetarë bashkie, zotin Kasem Mahmutaj në Berat, zotin Myslym Haxhi në Kuçovë dhe zotin Bujar Hoxha ne Urën Vajgurore.
Lideri i opozitës theksoi se deshpërimi ka kapluar çdo shtëpi. Mijëra qytetarë i kanë vënë dryrin shtëpive dhe kanë emigruar. Ai tha se dyshja Rama-Meta është burim i çdo fatkeqësie që përjetojnë sot shqiptarët ndërsa janë përgatitur t’i kthehen zakoneve më të keqia, parave për për blerë votën. Basha u shpreh se për Ramën dhe Metën populli nuk ka dinjitet dhe e konsiderojnë mall që blihet dhe pasi i marrin votën u vënë lakun në fyt siç u dëshmua këto dy vjet.
“Sot, në këtë ditë të bukur, në këtë qytet të krenarisë tonë jemi mbledhur të gjithë me një sens shprese. Por kohët, janë kohë të vështira. Janë kohë të vështira për Beratin, janë kohë të vështira për beratasit, janë kohë të vështira për shqiptarët anëembanë. Dy vjet pas ardhjes në pushtet të një qeverie që erdhi me premtime të mëdha para shqiptarëve, gjërat po shkojnë keq e mos më keq. Marrëzitë, zullumet, katastrofat me të cilat shqiptarët janë përballur që me ardhjen e dyshes Rama-Meta në pushtet nuk kanë të mbaruar.
E zeza e keqqeverisjes, e korrupsionit, e vjedhjes, e përbuzjes së virtytit, e përbuzjes së dijes që është kaq e shtrenjtë e kaq e çmuar për shqiptarët, e në veçanti për qytetarinë beratase, e ngritjes në kult të rryshfetit, të korrupsionit e së fundmi edhe krimit, e kanë nxirë imazhin e Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Ia ka dalë të nxijë edhe muret e bardha shekullore, shtëpitë e vjetra beratase. Kjo duk me zezë që e ka emrin Rama-Meta nuk ka sjellë asgjë të mirë në këto dy vite. Jo 300 mijë vende pune, por asnjë vend të vetëm nuk ia kanë dalë të hapin. Përkundrazi, dhjetra, qindra njerëz çdo e javë e çdo muaj, ose nën rryshfetin dhe arbitraritetin e spastrimit të administratës, ose sepse kompanitë të vogla, mesme, mëdha mbyllin dyert, largojnë punonjësit, i nxjerrin në rrugë, sepse taksat janë rritur, faturat janë shtuar, çmimi i energjisë që premtuan se do ta ulin është rritur. Çmimi i naftës në Berat është më i lartë se në Berlin.
Kjo nuk është Shqipëria që ne ëndërruam, kjo nuk është Shqipëria që ne duam, ky nuk është Berati që ju meritoni, kjo nuk është e sotmja dhe e nesërmja që meritoni ju apo fëmijët tuaj. Dëshpërimi pa cak ka kapluar çdo prag. Dëshpërimi është pasojë e drejtpërdrejtë e keqqeverisjes, e vrasjes së vendeve të punës përmes taksave të larta, çmimeve të rritura, por mbi të gjitha e vrasjes së shpresës se e nesërmja mund të sjellë diçka më të mirë.
E pra sot jemi mbledhur këtu jo thjesht për të treguar me gisht përgjegjësit e kësaj situate sepse të gjithë i njohim, e kanë emrin Rama-Meta, ose këtu në Bërat Meta-Rama. Edhe këtu në këtë qytet zullumi i tyre nuk njeh kufi. Në fakt është kaq i madh, saqë ka hedhur përtej edhe barrierat politike. E shumë prej jush, të mërzitur siç jeni, të pashpresë siç jeni, siç keni qenë që ditën e parë me të ashtuquajturën “Rilindje”, po provohet një varrmihëse e shpresave të shqiptarëve, e dini se edhe ata që i votuan dy vite më parë, edhe votues të tyre, madje edhe militantë të tyre, madje edhe anëtarët e partive të tyre, iu ka ardhur në majë të hundës, aty ku nuk mban më, sepse nuk ka asnjë fije idealizëm, asnjë fije militantizëm, ka pazar, pazar dhe vetëm pazar.
Shpresa ka lindur dhe rilindur nga muret e lashta, nga kujtesa dhe tradita, nga tabani i mençurisë beratase dhe do të rilindë dhe po rilind prap. Nuk ka si të jetë ndryshe. Nuk mund t’ia lëmë peng të ardhmen tonë, fëmijët tanë, zullumit Rama-Meta. Ka ardhur koha të çohemi të gjithë në këmbë, pa dallim të djathtë dhe të majtë, e t’i themi ndal kësaj mynxyre.
Ndaj zgjedhjet e 21 qershor nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë thjesht dhe vetëm zgjedhje vendore. Nuk do të ishin të tilla as në ndonjë rast tjetër. Sepse ndryshimi arbitrar që i bënë hartës lokale kishte dhe ka për qëllim asgjesimin e qeverisjes vendore, që do të thotë vendosjen e oligarkisë Rama-Meta në nivel lokal. Që do të thotë hendek që thellohet me qytetarin, shurdhëri, verbëri ndaj halleve dhe problemeve tuaja, jo zgjidhje por përbuzje, shpërfillje, braktisje të beratasve, jo vetëm nga Tirana por tashmë edhe nga Berati.
Por nuk është vetëm problem që këta me poshtërësinë më të madhe iu kërkojnë të votoni me duart tuaja zhbërjen e pushtetit vendor, zhdukjen e të vetmes hallkë që ka mbetur dhe që e ka për detyrë të jetë sa më afër qytetarëve. Jo, këta kërkojnë që me votën tuaj më 21 qershor të sanksionojnë të keqen, ta sanksionojnë me çdo kusht e për këtë janë të përgatitur të bëjnë më të pabërat. Janë përgatitur edhe njëherë t’iu kthehen zakoneve më të ndyra, parave për votën, kërcënimeve për votë. Sepse në mendjen e tyre ju nuk keni dinjitet, ju nuk keni personalitet, ju nuk trajtoheni si njerëz, si qytetarë. Dy vjet zullume për Beratin,Kucoven uren vajgurore dhe mbare shqiperine dy vjet fatkeqësi për Beratin, papunësi, varfëri, lakun në fyt, rripi që shtrëngohet, faturat që shtohen gjithnjë e më shumë të kripura, dhe mendojnë se kur të vijë dita e gjykimit mund t’ia mbyllin gojën me 20 mijë lekë, apo me 30 mijë lek, apo me 40 mijë lek, apo me 50 mijë lekë, e t’ju thonë futeni këtë shupë lekësh në xhep, dhe e dini çfarë keni, mbylleni gojën, uleni kokën dhe qerohuni. Kështu i bëjnë hesapet ata.
A i bëjnë hesapet drejtë me Beratin kur mendojnë kështu? A do të ecë kështu vallë fati i këtij qyteti dhe i gjithë Shqipërisë? Kjo është pyetja në buzën e çdo shqiptari dhe përgjigja që do të japim më 21 qershor nuk ka se si të jetë përveçse një përgjigje politike, ndaj një projekti ogurzi i cili tashmë po kulmon me marrjen peng të 100 mijë shtëpive të shqiptarëve, për t’i marrë peng për faturat e papaguara afrofe, abuzive, të çmimit të rritur të energjisë.
Prandaj dhe përgjigja jonë është dhe duhet të jetë një përgjigje politike, është dhe do të jetë përgjigja e rezistencës, është dhe do të jetë përgjigja Ndal dhe Jo oligarkisë në Tiranë dhe kukullave të oligarkisë këtu në Berat. i kanë nxjerrë nga oxhaqet nepotike kandidatët apo i kanë nxjerrë nga xhepi i tyre, pak rëndësi ka, i kanë apo si kanë dhëndur politik, pak rëndësi ka. Ata nuk kanë fytyrën e tyre, ata nuk kanë vullnetin e tyre, ata nuk përfaqësojnë veten e tyre, e lër më t’ju përfaqësojnë ju, nuk ju përfaqësojnë ju, nuk do t’ju përfaqësojnë ju. Ata janë thjesht dhe vetëm të caktuarit për të bërë këtu zullumin e Rama-Metës, për të ndarë këtu rryshfetin e Rama-Metës, për të qenë këtu xhandarët e Rama-Metës.
Kandidatët e Partisë Demokratike kanë një dhe vetëm një urdhër të lartë, t’ju përfaqësojë ju. Të luftojë për ju, të luftojë për bizneset që të mos i mbyllin dyert, mos t’i ulin qepenat, mos të shtojnë rradhët e të papunëve. Të luftojnë për ndërmarrjet që të mos i nxjerri në rrugë nënat, kryefamiljaret, kryefamiljarët, por të investojnë dhe të hapin më shumë vende pune. Duke votuar në zgjedhjet e 21 Qershorit do ti themi ndal revanshit dhe marrëzisë të kësaj qeverie, taksave të larta, çmimeve të larta, faturave të kripura të energjisë, çmimit të lartë të karburanteve. Për t’i thënë ndal arbitraritetit dhe arrogancës së pushtetit, terrorit të pushtetit mbi njerëzit e thjeshtë, selektivitetit dhe mungesës së zbatimit të ligjit njësoj për të gjithë. Ju ftoj të bashkoheni si asnjëherë më parë në votën tuaj qytetare e të zgjidhni birin tuaj, shërbyesin tuaj, njeriun e punës dhe të mirave për t’i thënë jo fatkeqësisë, për ta zbrapsur fatkeqësinë dhe për të hapur ditët e shpresës dhe besimit për gjithë Shqipërinë”, tha Basha.
Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 25 Prill 2015
Read More