Blog

23 Mar
0

Transparencë dhe standard të njëjtë edhe për mandatin e deputetit Kokëdhima

-Z. Halimi, keni kërkuar që mbledhja e Këshillit të bëhët me praninën e medias?

Kjo ka qënë njëra nga dy kërkesat proceduriale që opozita kërkoi në këtë këshill. Kërkesa e parë kishte të bënte me mbulimin mediatik të kësaj seance të këshillit, bazuar kjo rregulloren e Parlamentit, bazuar po ashtu në një standard të vendosur gjatë gjithë këtyre viteve në parlament, ku seancat dëgjomore me dpeutetët të cilëve u është kërkuar t’u hiqet apo kufizohet imuniteti, kanë qënë gjithmonë publike. Standardi i transparencës të asaj që ndodh në Kuvendin e Shqipërisë ndaj qytetarëve është një standard krucial për funksionimin e Parlamentit. Çështja e dytë proceduriale kishte të bënte me kërkesën e bërë edhe në seancën e kaluar nga z.Ristani, për vendosjen në rend dite edhe të një deputeti tjetër për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, pasi është po ky këshill i cili vendos në lidhje edhe me këtë kërkesë, në mënyrë që të mos kemi dy standard, një standard, që njëri sillet brenda 24 orëve dhe deputeti tjetër edhe pse ka 3 javë që kërkesa është në dyert e Kuvendit, akoma çështja nuk ka filluar në Këshillin e Rregullores.

Lidhur me çështjen e trasnparencës u arrit në konkluzionin se seanca e radhës që do të jetë ditën e mërkurë, do të jetë në prani të medias. Pra për deputetët, të cilët kërkohet nga Prokuroria të arrestohen, kanë të drejtën e tyre për tu dëgjuar në mënyrë publike në Këshillin e Rregullores. Ndërsa për kërkesën tjetër, për Kokëdhimën, nuk morëm përgjigje për të qënë në rendin e ditës edhe çështja tjetër pasi nënkryetari i Kuvendit do ta këshillojë edhe njëherë më stafin. Pra nuk morëm përgjigje.

Lidhur me kërkesën e paraqitur nga z.Doshi për ta shtyrë për disa ditë këtë seancë për arsye mjekësore, deputetët e opozitës u shprehën qartë se qendrimi i grupit të opozitës është po ai që ka qënë edhe para dy ditëve. Pra në çdo kohë, ne si grup parlamentar dhe si deputetë, jemi në favor të të kërkesave të Prokurorisë, siç kemi qënë gjatë gjithë këtyre 10 viteve të fundit, ashtu siç kemi qënë edhe pro transparencës në seanca dëgjimore gjatë gjithë këtyre 10 viteve të fundit. Deputetët e PS-së pranuan kërkesën e deputetit Doshi për ta shtyrë me dy ditë. Për orën do njoftohemi nga administrata e Kuvendit.


Prononcim për mediat e deputetit të PD, Eduard Halimi, 23 Mars 2015

Read More
22 Mar
0

Platforma e opozitës për dekriminalizimin është gati, në provë vullneti i shumicës për të larguar krimin nga pushteti

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bashkë me aletatët tanë, kanë vendosur që javën e ardhshme, në kuadër të Marrëveshjes së Dekriminalizimit, të bëjë publike propozimet tona, amendamentet tona, kushtetuese dhe ligjore, për të përjashtuar nga Parlamenti i Shqipërisë dhe nga çdo zyrë tjetër publike, të zgjedhur apo të emëruar, personat me rekorde të tmerrshme kriminale të natyrës së krimit të organizuar.

Pas një pune voluminoze, nga ekspertët më të mirë të Partisë Demokratike dhe të vendit, ne jemi gati të ecim me platformën tonë të dekriminalizimit dhe në këtë kuadër, bashkë me qytetarët shqiptarë, kërkojmë angazhimin e plotë të deputetve të shumicës, bashkëpunimin e tyre në kuadër të marrëveshjes, qoftë kjo edhe kundër urdhrave politik të krerëve të tyre. Pra, dekriminalizmin e plotë të Parlamentit dhe të institucioneve të tjera publike përmes amendamenteve ligjore brenda kohës më të shkurtër të mundshme të parashikuar nga rregullorja e Kuvendit, ose përballjen me qytetarët shqiptarë në sheshet e protestës popullore.

Ky është vendimi i Grupit Parlamentar, i aleatëve tanë dhe në funksion të këtij vendimi opozita, duke filluar nga dita e nesërme, do të hedhë hapat për të institucionalizuar amendamentet tona për përjashtimin nga Kuvendi i Shqipërisë, nga të gjitha insititucionet publike, të personave me rekorde të tmerrshme kriminale të krimit të organizuar. Sikundër do të kërkojë brenda afatit kushtetues dhe ligjor edhe shqyrtimin pa vonesë të dy amendamenteve tona të 20 Janarit, për uljen e çmimit të energjisë dhe uljen e çmimit të karburantit përmes heqjes së TVSH-së për energjinë elektrike dhe eliminimin e taksës që Edi Rama shtoi këto dy vite mbi karburantet.

Për këto dy çështje, dekriminalizimi dhe këto dy ulje taksash, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompromis. Ka një ultimatum dhe një afat kushtetues ndaj mazhorancës për të bërë atë që duhet të bëjë sipas marrëveshjes së dekriminalizimit, për të bërë atë që duhet të bëjë për t’i ardhur në ndihmë mijëra e mijëra familjeve që e kanë lakun në fyt për shkak të rritjes së taksave nga Edi Rama dhe Ilir Meta, ose përndryshe përballjen finale në sheshet e protestës popullore.


Prononcim për mediat i kryetarit të PD, Lulzim Basha. 22 Mars 2015

Read More
22 Mar
0

Partia Demokratike dënon sulmin ndaj banesës së kreut të PD, Gjirokastër

Partia Demokratike dënon sulmin me eksploziv ndaj banesës së kryetarit të Partisë Demokratike të Gjirokastrës, Roland Bejko, si një sulm me motiv e prapavijë politike.

Ky është një aggresion i përsëritur ndaj banesës së z.Bejko, dhe policia nuk ka marrë masat e duhura në rastet e mëparshme.

Ky sulm mbi baza politike, bëhet edhe më i rëndë kur ndodh në kohën që kryeministri viziton Gjirokastrën.

Dhuna ndaj përfaqësuesve dhe zyrave të Partisë Demokratike po shtohet teksa po afrojnë zgjedhjet.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë të distancohet nga këto akte dhe të ndalojë frymëzimin e agresionit ndaj opozitës.

Ne e dimë se këto janë shenjat e agonisë së një pushteti arbitrar që ka humbur besimin e popullit, por asgjë nuk e justifikon goditjen e kundërshtarit.

Partia Demokratike dhe demokratët janë sot më të fortë se kurrë dhe bashkë me qytetarët do tia dalim të largojmë oligarkinë që po sundon me dhunë.


Deklaratë për shtyp e Partisë Demokratike, 22 Mars 2015

Read More
22 Mar
0

Partia Demokratike bashkon ish-të përndjekurit në Korçë, vendi po kalon orë kritike

Departamenti për ish-të përndjekurit në Partinë Demokratike organizoi dje një takim të zgjeruar në Korçë me shoqata dhe grupime, ku u diskutua për pjesmarrjen në politikëbërje të përfaqësuesve dhe familjarëve të kësaj kategorie.

Mbi 400 pjesmarrës në këtë takim, dolën në konkluzionin mbi domosdoshmërinë e angazhimit aktiv të ish-të përndjekurve në këto momente kritike për vendin.

Në këtë konferencë rajonale, u bashkuan Unioni Mbarëkombetar i të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politik, të gjithë organizatat e të përndjekurve dhe shoqatat anti-komuniste.

Ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre të Korcës, Pogradecit, Devollit dhe Ersekës ndanë të njëjtin mendim mbi nevojën e bashkimit në prag të zgjedhjeve lokale, dhe duke marrë parasysh zhvillimet e rënda politike, të krizës së gjithanshme ekonomike, të inkriminimit të politikës dhe qeverisjes si dhe të mungesës së perspektivës për këtë shtresë të shoqërisë me qeverisjen aktuale.

Duke u ndalur tek nevoja e lustracionit, proces i nisur nga Partia Demokratike në vitin 2009, ish-të përndjekurit u shprehën se nuk mund t’i hapin dosjet, ata që i krijuan dosjet.

Partia Demokratike mbetet e vendosur në mbështetje të procesit të lustracionit, por jo me pseudo-ligje të kësaj mazhorance, por me mekanizmin e duhur që garanton transparencë të plotë e të thellë.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike u angazhuan për të thelluar aleancën dhe bashkëpunimin me ish-të përndjekurit, të cilët janë pjesë thelbësore e vlerave që ndajnë demokratët, për lirinë, demokracinë e të drejtat e njeriut.

Ish-të përndjekurit dhe familjarët e tyre kanë qënë, janë dhe do të jenë edhe më shumë pjesë e aksionit dhe platformës së Partisë Demokratike.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 22 Mars 2015

Read More
21 Mar
0

PD respekton institucionet, por Meta dhe Rama dogjën shanset për hetim të besueshëm

Kërkesa e Prokurorisë lidhur me dy deputetët e Kuvendit të Shqipërisë ka dy anë, ka dy aspekte. Aspektin e saj formal procedurial dhe aspektin e përmbajtjes. Lidhur me aspektin formal procedurial, Partia Demokratike, në mënyrë koherente, ka qenë gjithmonë në favor të kërkesave të Prokurorisë për çdo anëtar të Kuvendit, në mënyrë që ata të shkojnë para drejtësisë si çdo qytetar i këtij vendi. Ky ka qenë një qëndrim koherent prej dhjetë vjetësh i Partisë Demokratike. Madje tre vjet më parë, ka qenë Partia Demokratike që ka propozuar një ndryshim kushtetues, sipas të cilit çdo deputet duhet të kishte të njëjtin standard për t’u gjykuar në mënyrë të barabartë si çdo qytetar i lirë i këtij vendi dhe ka qenë Partia Socialiste që e ka refuzuar. Në rast se Partia Socialiste do ta kishte pranuar në atë kohë amendamentin kushtetues, sigurisht që sot, nuk do kishte fare nevojë as për kërkesë të Prokurorisë për t’ia dërguar Parlamentit dhe as që të mblidhej ky Këshill. Standardi i Partisë Demokratike ka qenë një standard europian, pro hetimit, në mënyrë koherente dhe të qëndrueshme. Një standard që shkon drejt sundimit të ligjit, një standard që shkon drejt funksionimit të institucioneve demokratike në mënyrë që insitucionet të jenë të besueshme, por po ashtu edhe hetimi që del nga këto institucione të jetë i besueshëm. Kaq, përsa i përket anës formale proceduriale të kërkesës së Prokurorisë.

Lidhur me anën e përmbajtjes, Partia Demokratike e ka bërë të qartë, se ajo dhe gjithë qytetarët shqiptarë e shohin këtë çështje si një përpjekje farsë për të mbyllur një orë e më parë çështjen ndaj Kryetarit të Kuvendit. Partia Demokratike e ka theksuar se çështja nuk ka filluar në datën 3 mars 2015. Çështja ka filluar 6 muaj më parë, kur Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, respektivisht Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe Kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, shmangën Prokurorinë për 6 muaj dhe në datën 3 mars 2015, kur Prokuroria filloi çështjen, ata dolën njëri pas tjetrit dhe u thanë shqiptarëve se këtu çështje nuk ka. Ndaj dhe për Partinë Demokratike dhe për gjithë shqiptarët është e qartë, se një hetim i kësaj afere, i kësaj çështje të numrit dy të shtetit dhe numrit një të ekzekutivit, nuk mund të jetë i besueshëm, për aq kohë sa numri dy i shtetit mban postin. Ai duhet të shkojë para drejtësisë ashtu si çdo qytetar i thjeshtë i këtij vendi, pa funksionin e Kryetarit të Kuvendit. Ndaj dhe qëndrimi i Partisë Demokratike është i qartë, ai do vazhdojë të jetë i njëjtë. Ne kërkojmë që Kryetari i Kuvendit të japë dorëheqjen, të shkojë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë, në mënyrë që hetimi i Prokurorisë të jetë i besueshëm dhe i pranueshëm për Partinë Demokratike dhe për gjithë qytetarët.


Prononcim për mediat i deputetit të PD, Eduard Halimi, 21 Mars 2015


Read More
21 Mar
0

Durrësi në këmbë: Jo krimit në pushtet

Të dashur miq

Motra e vëllezër, qytetare dhe qytetarë, të dashur durrsakë që keni stolisur sot këtë qendër të madhërishme të civilizimit europian me praninë tuaj masive qytetare për ti thënë Ilir Metës ik, për ti thënë Edi Ramës ik. Meta ik. Rama ik.

Jemi mbledhur sot këtu, sepse ky qytet i bukur, kjo qendër krenare e lashtësisë, qytetarisë, kulturës, qyteti juaj i bukur, Durrësi dhe durrsakët bashkë me të lëngojnë, situata është e rëndë, e keqja është shtrirë kudo.

Varfëria, papunësia, mjerimi, padrejtësia, pasiguria për jetën, krimi, preken kudo. Kudo si në çdo qytet tjetër të Shqipërisë edhe këtu në Durrës, si me urdhër të tiranit, e keqja është shtrirë e kanë vënë lakun në fytin e çdo shqiptari të ndershëm.

Çdo ditë bëhet më keq; në vend që të zgjohen me shpresën e një ndryshimi pozitiv, njerëzit zgjohen me ankth të një vuajtje të zgjatur, për frikën e tmerrshme për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre, për rrjepje të ditës nga një qeveri që ju merr edhe kacidhen e fundit me kërbaç në dorë por nuk ju kthen asgjë; as investime, as vende pune, as siguri, as arsim as shendetësi dhe as shërbime qytetarëve të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

Të mbërthyer në darët e kësaj gjendjeje torturuese, njerëzve u ka mbetur vetëm një shpresë. Shqiptarët po kërkojnë vetëm një gjë; të mbarojnë një orë e më parë ditët e qeverisë Rama-Meta që janë shkaku numër një i malit me halle që lartësohet çdo ditë për çdo shqiptar, për çdo familjeje, e për mbarë vendin.

Miqtë e mi!

Tek dëshpërimi dhe dhimbja e çdo familjari që ka zor t’u dalë para fëmijëve se nuk mbyll dot muajin, tek rraskapitja e pensionistëve e të moshuarve, tek kotësia, stresi, humbja e kohës dhe e perspektivës e të rinjve, është dora e Edi Ramës dhe Ilir Metës, të cilët rritën taksat, mbyllën vendet e punës, rritën çmimin e energjisë e të karburantit, rritën koston e jetesës dhe mbyllën me mijëra vende pune.

Rama dhe Meta kanë hyrë dhunshëm në jetën e çdo shqiptari. Hallet e durrsakëve e mbarë shqiptarëve u bënë kapicë dhe të papërballueshme, kur në krye të vendit erdhën oligarkët që prej dy vitesh sundojnë e çojnë përpara jo axhendën e qytetarëve, por axhendën e tyre personale, pa pasur në asnjë moment në mendje, asnjë prej jush, asnjë prej shqetësimeve që keni, asnjë prej kërkesat, vuajtjeve, pritshmërive dhe aspiratave tuaja legjitime.

Sa ishte fatura e energjisë për muajin Shkurt? Dyfish. Pse? Sepse e rriti Edi Rama për pjesën më të madhe dhe më të pamundur të shqiptarëve.

Janë ata, Edi Rama dhe Ilir Meta pas çdo mundimi, ligështie, dëshpërimi e fatkeqësie e që ka kapur pjesën më të madhe të shqiptarëve sot. Sepse nuk krijuan një vend të ri pune, por me taksat e tyre të larta e padrejtësinë e tyre mbyllën me mijëra dhe i flakën njerëzit mes katër rrugëve. Nuk bënë asnjë investim të vetëm për interesin e qytetarëve. Vetëm për xhepat e tyre të pangopur dhe korruptiv shkullën dritat që i kishin vënë para 5 vjetësh dhe i zëvëndësuan me më të shtrenjtat. Për xhepat e tyre dhe për askënd tjetër nuk kanë marrë një vendim për askënd tjetër përveçse xhepave të tyre në këto dy vite.

Kanë ofruar dhe ofrojnë vetëm burgun, errësirën dhe dhunën.

Kjo është e vërteta. Kjo është e vërteta që prek çdo shqiptar dhe jo propaganda dhe demagogjia e përjavshme në ekranet e propagandës qeverisëse.

Qytetarët, durrsakët, shqiptarët janë lënë në mes të rrugës, janë braktisur nga një qeveri që në parim duhet të jetë shërbyese në krah të tyre, por në fakt Edi Rama e Ilir Meta bëhen prezent në formën më çnjerëzore, me lakun që e shtrëngojnë dhe e shtrëngojnë, me rripin që e shtrëngojnë dhe e shtrëngojnë duke ua bërë shqiptarëve jetën më të vështirë e më të pamundur.

Dhe ndërkohë që u bëjnë këtë shqiptarëve, vetë ata, Ilir Meta dhe Edi Rama janë përfshirë në një luftë bandash me skenarë vrasjeje e eleminimi fizik mes njëri-tjetrit për pazare, hesape, afera, tendera, privatizime, për drogë e për kontroll territoresh. Këto janë arsyet e vërteta të kësaj përplasje në pallatin e pushtetit.

I akuzuari për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, Ilir Meta, bashkëpunëtori i tij më i ngushtë Edi Rama, ia dolën që me pushtetin që kanë të manipulojnë hetimin, ta fusin procesin në hullinë e përcaktuar nga vetë ata kur skandali plasi sheshit.

Kam pasur këto ditë takime të rëndësishme dhe domethënëse me zyrtarë të lartë të Europës. Të gjithë shprehin habinë se si kryetari i kuvendit nuk dha dorëheqjen, për të lejuar hetim të plotë e të paanshëm.

E parrokshme nga mendja e tyre, që si kryetari i kuvendit me akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, vazhdon të mbajë detyrën, pengon drejtësinë, përpiqet të fshehë të vërtetën.

Si në çdo përplasje bandash kriminale, banda më e fortë mbizotëron për momentin. Në këtë përplasje, Rama-Meta ia kanë dalë ti vënë përfund miqtë e tyre renegatë Doshi-Frroku, por duke lënë pas tokën e djegur.

Tokën e djegur të ligjit që u shkel me dy këmbët pasi kryeministri dhe ministri i brendshëm bashkëjetuan me krimin dhe e fshehën atë për 6 muaj.

Tokën e djegur të çdo norme demokratike, që u përdhos nga Ilir Meta i cili nuk iu përgjigj thirrjes së mbarë popullit për t’u dorëhequr e për të lejuar një hetim të besueshëm.

Por kjo miqtë e mi durrsakë, zonja dhe zotërinj e shqiptarë që na ndiqni nga mbarë vendi është vetëm lavdia e përkohshme e të keqes.

Ata mund ta kontrollojnë hetimin e ta diktojnë atë, por nuk e fshehin dot të vërtetën. Kjo çështje nuk ka për t’u mbyllur. Ky skandal nuk është punë private e bandave e pushtetit të lidhur me to. Kjo është prova më e madhe për vendin dhe për shqiptarët.

Për dyshen Rama-Meta qytetarët nuk ekzistojnë. Dyshja Rama-Meta nuk ka sy t’ju shohë, nuk ka vesh t’ju dëgjojë. Dyshja Rama-Meta nuk iu ka në hesap. Dyshja Rama-Meta nuk i fut në hesap qytetarët. Por e ka gabim, e ka shumë gabim se qytetarët janë në këmbë. Durrësi është në këmbë. Shqipëria është në këmbë bashkë me opozitën dhe Partinë Demokratike.

E vërteta e madhe, që shqiptarët e panë dhe e dëgjuan me sytë e tyre, nuk fshihet dot. Kjo është e vërteta që sado të përpiqen Ilir Meta dhe Edi Rama, çdo shqiptar e di. E vërteta se krimi qëndron në rrënjët e tyre, se krimi është në krah të tyre, se krimi është në zyrat e tyre, krimi është mentori dhe bosi i tyre.

A ka shqiptar sot, a ka burra dhe gra, të rinj e të reja, prindër e kryefamiljarë, në këtë shesh, në Durrës, në Kavajë, në Shijak e kudo, që janë gati t’ua lënë vendin në dorë këtyre oligarkëve të paskrupullt që këmbejnë çdo gjë, demokracinë, shtetin ligjor, drejtësinë, të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, vetëm dhe vetëm për karriget e tyre, për privilegjet e tyre, për pasuritë që po i shtojnë çdo ditë në kurriz të shqiptarëve që varfërohen çdo ditë ?!

A është kush gati në këtë shesh, në këtë qytet dhe në këtë vend, ti lerë këta zullumqarë të verbër për të parë e të shurdhër për të dëgjuar, ta çojnë deri në fund mbrapshtinë e tyre?!

Jo. Unë them jo. Partia Demokratike thotë jo. Opozita thotë jo. Durrësi thotë jo. Shqiptaria thotë jo.

Vetëm një bashkim si ky i sotmi, do t’i presë udhën kësaj dyshe zullumi dhe skotës së tyre që i kanë zënë frymën shqiptarëve.

Do ti presë udhën dyshes Rama Meta që prish shtëpitë dhe dyqanet e të pamundurve që mbajnë familjet me to, por lejojnë gradaçelën e mikut në rërën e plazhit, si simboli i korrupsionit këtu në Durrës.

Dyshes Rama-Meta do t’ia presim rrugën. Dyshes që fut në burg të papunët, të varfërit, të vobektit që s’kanë mundësi të paguajnë faturat abuzive dhe lë zona të tëra në errësirë për muaj me radhë, si këtu në Durrës, por furnizon çdo ditë deputetin e tyre, debitor me 205 milionë lekë, sepse në krye ka një super të korruptuar si Çela i korrupsionit që e ka vendin në burg dhe jo në krye të OSHEE-së.

Bashkimi ynë do t’i presë udhën kësaj dysheje që i thyen këmbë e brinjë Shpëtim Abazit dhe qytetarëve që s’kanë patur kurrë probleme me ligjin, ndërsa saluton dhe bën ortakëri me bandat më të rrezikshme në vend.

Vetëm ky bashkim, ky bashkim i madh dhe i fuqishëm si sot këtu në Durrës do ti presë rrugën metastazave që po çojnë drejt akteve ekstreme vetëflijuese bashkëqytetarët tanë, shpresë-humbur para arrogancës dhe korrupsionit galopant të zyrave të qeverisë.

Vetëm një bashkim, një bashkim i madh si ky në Durrës, si ai i 12 marsit në Tiranë, dhe në çdo qytet tjetër në ditët e ardhshme për të kulmuar sërish në Tiranë, vetëm një bashkim kombëtar do t’i hapë rrugën e do të mundësojë dekriminalizimin e vertetë që fillon nga koka e përfundon te kembët e krimit.

Durrsakë, vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj,

Ju jeni në këmbë, shqiptarët janë në këmbë, revolta dhe zemërimi, mbjellë nga keqqeverisja e kësaj dyshe, e rritur nga shtimi i zullumit të kësaj dyshe, është në çdo vatër, dhe zgjidhja do të vijë nga revolta e drejtë dhe paqësore e shqiptarve.

Vendi ka nevojë për një ofertë të re.

Unë ju jap fjalën se Partia Demokratike e ka gati ofertën e re.

Ajo është ngjizur mes jush, vjen prej jush dhe do të zbatohet për ju, qytetarë të Durrësit dhe mbarë Shqipërisë.

Oferta e re e Partisë Demokratike do të ulë taksat, do të ulë çmimin e energjisë dhe të karburantit, do të krijojë vende pune. Oferta e re do të rrisë pagat e pensionet.

Oferta e re do të sjellë një qeveri që ndihmon jo një qeveri që godet qytetarët.

Qytetarët që kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveri që dhunon qytetarët.

Të shporrim nga zyrat banditët e kriminelët që kanë zaptuar administratën dhe njohin vetëm gjuhën e dhunës, rryshfetit, dhe do të sjellim në krye më të mirët e bijve dhe bijave të Durrësit.

Durrësi ka qindra qytetarë të zotë, të shkolluar, me dinjitet, që do të marrin fatin e qytetit në duar.

Ka mijëra Shqipëria, prej bijve dhe bijave tona më të mira, të edukuar e të shkëlqyer në rezultatet e tyre, që janë sot në hije prej kohës dhe pushtetit të maskarenjve, por që do të marrin vendin që meritojnë.

Me ju dhe me më të mirët e bijve dhe bijave të Shqipërisë do t’i ndalim.

Për të shërbyer, për ta çuar Durrësin dhe Shqipërinë në Europë.

Për të mos ndalur ëndrrën tonë.

Ora e votës po vjen. Ora e llogarisë po vjen. Ora e drejtësisë po vjen.

Rroftë Durrësi!

Rroftë Shqipëria!


Fjala e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 21 Mars 2015


Read More
20 Mar
0

Nën sundimin e krimit dhe kapjes së institucioneve, e vërteta nuk ka asnjë shans

-Z. Basha, një prononcim për zhvillimet e pasdrekës ku kemi një kërkesë nga Prokuroria për autorizim nga Kuvendi për arrestimin e dy deputetve Doshi dhe Frroku.

Për ne ky nuk vjen si një hap i papritur. Kemi paralajmëruar që prej ditës së parë se me Ilir Metën Kryetar Kuvendi e vërteta nuk ka asnjë shans, drejtësia shqiptare, Prokuroria shqiptare nuk kanë asnjë mundësi të zbardhin të vërtetën, as unë, por besoj asnjë shqiptar nuk beson se e vërteta mbi këtë çështje, mbi këtë skandal, mund të dalë në dritë, ndërkohë që i akuzuari kryesor vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend, prandaj nga kjo pikëpamje, ajo që ka ndodhur është ajo që porositi kryeministri Rama , z. Meta, dhe që paralajmëroi Sajmir Tahiri, një mbyllje të shpejtë të hetimit. Pyetjet mbeten. Nëse rama, Meta, Tahiri e dinin këtë prej 6 muajsh, përse nuk e bën këtë para 6 muajsh? Pse nuk kërkuan transparencën para 6 muajsh, meqë çështja do të mbyllej? Pse e lanë Fation Skënderaj të largohej për në Gjermani kur ishte në listën e të kërkuarve dhe shkuan pastaj dhe e rikthyen vetë? Ka shumë pse. E sotmja, veprimi i sotëm, vetëm i shton pse-të, veçanërisht në një kohë kur thirrjet e faktorit ndërkombëtar, për një hetim të besueshëm, dhe për hapjen rrugë të hetimit përmes largimit nga posti i numrit dy, Ilir Metës, janë shtuar. Vijnë pra këto hapa në kohën kur kërkesa për dorëheqjen e Ilir Metës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, është një kërkesë që është intesifikuar, ndaj e sotmja nuk zgjidh asgjë, shton pikëpyetjet dhe vërteton atë që ne iu kemi thënë shqiptarve, që sa kohë, që i akuzuari kryesor në këtë aferë vazhdon të ushtrojë pushtetin e numrit dy, në bashkëpunim me numrin një të ekzekutivit, e vërteta do të mbetet e strukur.

-Z. Basha, vetëm pak minuta më parë, Ambasada Amerikane përshëndeti vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Komenti juaj për këtë çështje?

Unë përshëndes çdo vendimn të institucioneve të vendit që nuk pengohen për të trajtuar të barabartë përpara ligjit këdo. Sepse ne jemi Parti e shtetit ligjor. Partia Demokratike është themeluar dhe do të jetë përgjithmonë parti e shtetit ligjor. Eshtë e paimagjinueshme për ne që të bllokojmë, të hedhim çdo hap që mund të bllokonte hetimet. Hetimet duhet të bëhen të plota. Çdokush përgjegjës për këtë aferë duhet të japë llogari përpara drejtësisë, ndaj dhe e kemi nisur dhe do e vazhdojmë me një mbështetje të plotë për drejtësinë që të bëjë punën e saj pa u ndikuar, por kjo nuk ka për të ndodhur, nuk po ndodh dhe nuk do të ndodhë, për sa kohë që i akuzuari kryesor do vazhdojë të ushtrojë pushtetin e numrit dy në vend.

-A do të vazhdojnë protestat e Partisë Demokratike?

Protestat e Partisë Demokratike dhe të qytetarëve shqiptarë do të vazhdojnë edhe më të fuqishme. Do të vazhdojnë për kauzën e dekriminalizimit, një kauzë të cilën akoma nuk e ka shqiptuar, as Ilir Meta, as Edi Rama, dhe s’kanë si ta shqiptojnë. Sepse kjo që bëjnë sot është një larje hesapesh midis Ramës, Metës, Tahirit, Doshit dhe Frrokut. Por kjo aferë shkon përtej këtyre 5 individëve apo atyre 12-13 të tjerëve me rekorde kriminale në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk janë pazaret e tyre të pista të para 23 Qershorit dhe të pas Gushtit të vitit të kaluar, për të cilat jemi ngritur në protesta. Eshtë kauza e shqiptarëve që përbashkon të majtë e të djathtë, është kauza e pasigurisë sepse krimi është ngritur në sistem. Eshtë kauza e arbitraritetit dhe padrejtësisë që po merr jetë të pafajshme njerëzish sepse krimi është ulur në poltronet e shtetit. Eshtë kauza e papunësisë, e varfërisë, e mjerimit. Eshtë e papërgjegjshmërisë, e rritjes së çmimit të energjisë për çdo shqiptar, kur premtuan uljen, dhe rritjes së taksave për çdo shqiptar, kur premtuan uljen për shumicën e shqiptarëve. Pse?! Sepse papërgjegjshmëria është ulur në prehrin e krimit dhe krimi është ulur në poltronin e pushtetit. Prandaj ne do ti bëjmë thirrje shqiptarëve të bashkohen më shumë dhe më fortë se kurrë në thirrjen tonë për të shndërruar sheshet dhe rrugët e Shqipërisë, duke filluar nesër me Durrësin, nis institucioni suprem i sovranitetit në kushtet e mosfunksionimit të Kuvendit, në kushtet e kriminalizimit dhe kapjes së institucioneve, në kushtet e braktisjes së qytetarëve nga qeveria Rama-Meta.

-A do të vijoni me kërkesën e dorëheqjes së z Meta?

Pa pikë dyshimi po. Se si mund ti shërbejmë të vërtetës ndërkohë që i akuzuari kryesor bashkë me aleatin e tij kryeministër po bëjnë çdo përpjekje për ta mbuluar të vërtetën, përveçse me dorëheqjen e tij nuk shoh asnjë rrugë tjetër.

-A do ta votoni heqjen e imunitetit të dy deputetëve?

Për këtë e morët përgjigjen. Ne jemi parti e shtetit ligjor. Eshtë e paimagjinueshme për ne të bllokojmë hetimin. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit.

-Po nëse z.Meta nuk jep dorëheqjen?

Ua dhashë përgjigjen. Protesta.


Prononcim për mediat e kryetarit të PD, Lulzim Basha, 20 Mars 2015


Read More
20 Mar
0

Dorëheqje e Metës dhe ekspertizë europiane për një hetim të besueshëm

Faktori ndërkombëtar, institucionet europiane, kanë 10 ditë që shprehen qartë, për ata që kanë vesh të dëgjojnë, që kanë sy të shikojnë dhe mendje të kuptojnë, dhe shqiptarët besoj nuk mund të merren për budallenj. Ka folur Parlamenti Europian, përmes europarlamentarëve Dan Preda dhe Plenkoviç. Kanë folur parlamentarët e Bundestagut z.Krichbaum, kryekomisioneri i çështjeve europiane në Berlin z.Kiesewetter, ish-reporter për Shqipërinë, njohës shumë i mirë i vendit tonë dhe i rajonit. Dje foli Kryetari i Komisionit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Europian z.Elmar Brok. Çfarë kanë thënë?! Atë që ka thënë opozita, atë që pret çdo qytetar, për akuzat më monstruoze që mund të jenë bërë në këto 25 vite, akuza të cilat vijnë nga gjiri i mazhorancës, jo nga opozita; se Kryetari i Kuvendit, numri dy i Republikës së Shqipërisë, ka parapaguar dhe ka porositur vrasje, për këtë akuzë duhet të ketë një hetim të plotë profesional dhe të besueshëm.

A mund të ketë një hetim të plotë profesional dhe të besueshëm kur ndaj Prokurorisë, ndaj hetimit mbahet një qendrim pengues për të fshehur të vërtetën, për të trysnuar hetimet, për të intimiduar apo bërë qesharak Prokurorinë siç ka ndodhur në bllok nga Kryeministri, tek Kryetari i Kuvendit, tek Ministri i Brendshëm?! Absolutisht jo. Prandaj çështja është shtruar tashmë si një standard, si një standard europian, që do të thotë dorëheqja e Ilir Metës nga Kreu i Kuvendit është një parakusht për zhvillimine hetimeve normale, hetimeve të besueshme.

Ne gjithmonë kemi kërkuar, që nga momenti i parë, dhe kërkojmë, që me aktin e dorëheqjes, Ilir Meta t’i hapë rrugë hetimeve, t’i japë një shans të vërtetës. A do dalë apo jo e vërteta në shesh kjo varet nga disa faktorë. Por që e vërteta nuk do të dalë dhe nuk mund të dalë në shesh kur i akuzuari është numri dy i vendit, kur ngjarja ka gjashtë muaj që mbahet e fshehtë, kur ka përpjekje për t’ia faturuar ngjarjen opozitës, përpjekje për ta redikulizuar akuzën, ngjarjen, kur ka përpjekje për të trysnuar Prokurorinë, kur ka përpjekje për të drejtuar hetimin në një hulli të paracaktuar nga vetë krerët e shumicës, natyrisht që në këto kushte nuk mund të ketë dhe nuk ka hetim objektiv, nuk mund të ketë dalje të së vërtetësh në shesh. Nuk mund të ketë besueshmëri, asnjë shqiptar, as i djathtë as i majtë nuk mund të besojë dhe ka të drejtë të mos besojë në një hetim i cili kryhet në këto kushte.

-Z.Basha, LSI e ka cilësuar si një përdorim politik të z.Elmar Brok, të paktën prononcimin e tij të djeshëm.

Nuk merrem me komente të tilla bajate. Këto tregojnë një nivel dëshpërimi dhe paniku i cili meriton një analizë më vete. Ne nuk kemi ngritur gishtin e akuzës për të përcaktuar vrasësin apo vrasësit në këtë aferë. Akuzën e kanë ngritur vetë deputetët e mazhorancës, në gjirin e kësaj mazhorance, të fuqishëm deri dje, që drekonin dhe darkonin me Ilir Metën dhe Edi Ramën. Ne kemi thënë që organi i akuzës duhet të hetojë. Duhet të hetojë në mënyrë të papenguar dhe objektive këto akuza dhe kemi thënë atë që thonë edhe institucionet europiane, që një hetim i tillë është tërësisht i pamundur, kryekëput një utopi nëse personi i cili është akuzuar për këto vrasje vazhdon të kryejë dhe të ushtrojë pushtetet e numrit dy në vend. Ndaj i kemi bërë thirrje Ilir Metës të dorëhiqet, të vihet në dispozicion të hetimit. Është një hetimi tillë që mund të zbardhë të vërtetën,. Çdo përpjekje tjetër, çdo hetim, ndërkohë që Ilir Meta është Kryetar i Kuvendit, ndërkohë që Edi Rama flet me aktet e tij politike të trysnisë apo flet dhe me heshtjen e tij, duke miratuar presionin ndaj hetimit, diskretiton hetimin.

Çështja është se Shqipëria nuk mund të pranojë, Shqipëria nuk mund të mbajë më një skandal të tillë. Ky shtet është tepër i dobët për të mbajtur në themelet e tij një skandal ku Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje, ku kryeministri dhe ministri akuzohen për fshehje, për bashkëveprim në fshehjen e krimit, dhe ku organeve të drejtësisë, duke filluar me Prokurorinë, I mohohet, siç i mohohet faktikisht, mundësia për të hetuar.

Nuk mundet Republika e Shqipërisë të vazhdojë të ekzistojë si një shtet normal në këto kushte. Ky është tritol në themelet e shtetit ligjor. Çfarë presim ne, përsa i përket besueshmërisë së institucioneve?! Çfarë presim ne, përsa i përket respektit të institucioneve nga qytetarët shqiptarë nëse krerët më të lartë të vendit, Kryetari i Kuvendit, kryeministri, janë bërë bllok për të penguar hetimin objektiv dhe të besueshëm të kësaj ngjarjeje?! Ndaj kërkesa jonë është ultimative dhe e pandryshueshme. Ilir Meta duhet të largohet nga posti i Kryetarit të Kuvendit deri në përfundimin e hetimit. Çdo hetim që kryhet me Ilir Metën në postin e Kryetarit të Kuvendit ka zero vlerë.

Së dyti, kemi kërkuar dhe mbështesim një përfshirje të institucioneve europiane në ndihmë të hetimit. Edhe si një xhest moral, mbështetje morale për Prokurorinë, për drejtësinë, e cila jo në Shqipëri, po në asnjë vend tjetër të Europës , madje të Botës, nuk mund të veprojë normalisht nëse ka një presion të tillë nga çifti më i pushtetshëm në vend, Kryeministër e Kryetar Kuvendi. Por po kështu, edhe si një parakusht për një hetim objektiv i cili mund dhe duhet të përfitojë nga një nga eskpertiza europiane siç përfitojnë sot e gjithë ditën organet e drejtësisë në Kosovë, siç po kërkojnë të përfitojnë edhe organet e drejtësisë të Maqedonisë apo të vendeve të tjera, ku natyra e akuzave është tepër e rëndë për ti besuar verbëriesht një prokurorie që është nën presion politik.

-Z.Basha, përveç kësaj çështje, sa është gati Partia Demokratike për zgjedhjet e 21 qershorit?

Para se të kalojmë në zgjedhjet e 21 qershorit, dua të theksoj se çështja, skandali “Doshi-Meta” është pjesë e një dosje shumë më të madhe dhe shumë me shqetësuese për parnrerët ndërkombëtarë, që është dosja e dekriminalizimit. Dekriminalizimi është një proces ku mazhoranca u angazhua të bashkëpunojë me opozitën  për të cilin është ngritur një komision. Opozita ka vullnetin për ti shkuar deri në fund këtij procesi. Pa një proces të dekriminalizimit të politikës, pa ndarjen e krimit nga vendimmarrja e lartë politike, nuk mund të ecet përpara në asnjë rrafsh; as në zgjedhje lokale, as në reformën në drejtësi dhe as në ndonjë reformë tjetër për të cilat vendi ka nevojë për të përmirësuar gjendjen e papranueshme të pasigurisë, për të reformuar ekonominë, për të krijuar mundësinë për zhvillim ekonomik që hap vende pune dhe siguron mirëqenie. Asgjë nga këto nuk mund të ecën përpara. Shikoni se çfarë ndodh. Numri i atentateve me eksploziv rritet në mënyrë të papranueshme. Numri i vjedhjeve, i grabitjeve, i tentativave ndaj jetës dhe pronës së qytetarëve rritet. Pse?! Sepse krimi në krye të shtetit është një sinjal i fortë për krimin në tërësi. Ndaj ne duhet të zgjidhim patjetër problemin e krimit të veshur me pushtet dhe të pushtetit të veshur me krim, duke nisur me përgatitjet për zgjedhjet lokale. Nuk mund të pranojmë që në zgjedhjet lokale të garojnë njerëz me rekorde të tmerrshme kriminale. Ne kemi detyrime ndaj shqiptarëve të krijojmë instrumentat ligjorë dhe institucionalë për të përjashtuar pa asnjë dilemë të gjithë pushtetarët që kanë rekorde kriminale të natyrës së krimit të organizuar, nga çdo organ vendimmarrës i Shqipërisë, administratë, pushtet lokal, apo parlament si dhe për të parandaluar në të ardhmen depërtimin e këtyre elementëve kriminalë në sferat e vendimmarrjes politike në Shqipëri.

Partia Demokratike dhe unë personalisht jemi të angazhuar që këtë proces ta finalizojmë  me çdo çmim. Uroj dhe shpresoj që këtë kërkesë tonën që është kërkesa e shumicës dërmuese të shqiptarëve, që është insistimi i institucioneve europiane, që është prioriteti numër një për integrimin europian të Shqipërisë, shumica ta trajtojë me seriozitet, të tregojë vullnet, bashkëpunim në komisionin e dekriminalizimit, në miratimin pa vonesë të kuadrit ligjor që do të bëjë të mundur largimin nga Parlamenti shqiptar dhe nga administrata shqiptare të personave me rekorde të tmerrshme kriminale të krimit të organizuar, trafikantët, kodoshët e prostitucionit, persona të kërkuar apo të dënuar për vrasje, në lidhje me trafikun dhe t’i hapë rrugë bashkëpunimit që duke nisur nga zgjedhjet e ardhme lokale dhe akoma më e rëndësishme, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, shqiptarët të shohin në garat për këto poste drejtuese njerëz me integritet. Njerëz që përfaqësojnë aspiratat më të mira të komunitetit, që gëzojnë reputacion dhe besim dhe po kështu, japin garanci se përfaqësojnë më të mirën në Kuvendin e Shqipërisë dhe jo më të keqen e këtij vendi.

-Z.Basha, po ju a i keni gati kandidatët për zgjedhjet lokale?

Procesi i diskutimit të kandidaturave në të gjithë vendin është hapur. Një gjë është e sigurtë. Në partinë Demokratike, nga java e ardhshme do të ngrihet edhe Komisioni i Integritetit i cili do të ketë detyrë eksluzive kalimin në sitë të çdo kandidature për anëtarë të këshillit apo për kryetar të njësive të pushtet vendor, për të parandaluar në bashkëpunim me sa mundemi me kuadrin aktual ligjor, edhe me institucionet e vendit, pra për të parandaluar depërtimin e çdo personi me rekorde të tmerrshme kriminale. E kam thënë dhe e përsëris. Partia Demokratike është shtëpia e madhe e lirisë, e hapur për këdo. Absolutisht për këdo që ndan vlerat tona. Të vetmit që nuk kanë vend në këtë shtëpi dhe nuk do të gjejnë strehë dhe  rehat në këtë shtëpi, janë njerëzit e krimit dhe njerëzit e botës së krimit.

-Z, Basha, a keni nisur negociatat me aleatët?

Ne jemi në një proces diskutimesh me aleatët në mënyrë të vazhdueshme. Në kuptimin formal, besoj se do të ulemi në ditët apo në javët e ardhshme për të formalizuar paktin e aleancës tonë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

-Po për Tiranën?

Partia Demokratike i ka të përcaktuara qendrimet dhe është e hapur për aleancë me këdo që e shikon veten në opozitë me këtë qeveri. Sigurisht e kam thënë dhe e them, asnjë parti s’mund të zgjedhje të bëjë edhe opozitën edhe aleatin e e qeverisë.

-Në Tiranë do t’u shohim ju sërish kandidat?

Për Tiranën qëndrimin tim do ta bëj publik shumë shpejt.


Prononcim për mediat i kryetarit të PD, Lulzim Basha, 20 Mars 2015

Read More
20 Mar
0

Mafia e kromit të Ilir Metës dhe policët e Tahirit po dhunojnë banorët e Kukësit

Mafia e minierave e Ilir Metës, që merret me biznesin e kromit po grabit në mënyrë arbitrare jo vetëm pasurinë e fshatrave të Kukësit, por po dhunon e ushtron terror prej shumë kohësh ndaj banorëve të këtij rrethi.

Dje në fshatin Mamëz policia ka arrestuar e dhunuar fizikisht, burra e gra e të moshuar. 50 banorë janë shoqëruar në komisariat.

E njëjta situatë e rëndë është edhe në fshatin Kalimash e Surroj.

Banorët e fshatrave ngrenë zërin, dhe protestojnë sepse mafia e minierave e Ilir Metës, po grabit pasurinë, po dëmton pronat e tyre, protestojnë sepse kjo mafie e kromit është sulur ngado, dhe babëzia e saj nuk ka kursyer as oborret e shtëpive.

Kushdo që kundërshton, e pret dhuna e policisë dhe burgu, pasi në anën tjetër të këtij biznesi është ortaku i Ilir Metës, Saimir Tahiri, i gatshëm për bashkëpunim kriminal, në këtë rast bashkë me kushëririn e tij drejtor policie në Kukës.

Prej afro dy vitesh, kjo klimë terrori është prezente në Kukës, dhe në shumë fshatra ku mafia e kromit e liçensuar dhe e kotrolluar nga Ilir Meta nuk kursen askënd.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit të tërhiqet menjëherë nga ky represion antiligjor. Ne i bëjmë të ditur personave përgjegjës, se do të shkojnë para ligjit për këtë dhunim brutal që po u bëjnë banorëve.

Partia Demokratike i bën të ditur frymëzuesve dhe porositësve të kësaj dhune, Ilir Metës e mashave të tij, që të mos provokojnë qytetarët e banorët e Kukësit, pasi do të mbajnë përgjegjësi deri me një.

Populli është në këmbë. Ora e drejtësisë po afron.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Flamur Noka, 20 Mars 2015

Read More
19 Mar
0

Brukseli i tronditur nga akuzat për Metën dhe për mosdorëheqjen e tij

Dorëheqja e kryetarit të parlamentit, Ilir Meta i akuzuar si porositës i vrasjes së dy deputetëve, konsiderohet nga eurodeputetët një akt i detyrueshëm për standartet demokratike. Në përfundim të samitit të PPE, që u mbajt sot në Bruksel, ku mori pjesë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme të PE-së, Elmar Brok e konsideroi të çuditshëm faktin që kryeparlamentari nuk ka dhënë ende dorëheqjen, në një kohë kur ka nisur një hetim lidhur me akuzat ndaj tij.

“Së pari, është detyrë e autoriteteve shqiptare që të hedhin dritë mbi çështjen dhe të kryejnë hetimin. Nëse ka akuza për kreun e Kuvendit që ai ka urdhëruar dy vrasje, atëherë është Prokurori i Përgjithshëm që hap hetimin dhe në rrethana normale, në këta rast, në një vend demokratik, Kryetari i Kuvendit jep dorëheqjen. Nëse hetimi është në vijim e sipër nga autoritetet shtetërore, atëherë do të ishte e çuditshme të mos jepet dorëheqje”, u shpreh Brok, në një prononcim për mediat.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e drejtuesve të shteteve dhe qeverive anëtare të BE, drejtuesve të institucione të BE, dhe parlamentit europian, në aksionin që ka bashkuar opozitën dhe qytetarët shqiptare, atë të pastrimit të politikës dhe administratës nga personat e inkriminuar. Pas këtij takimi, Basha foli për mediat.

“Pata rastin të informoj të gjithë bashkëbiseduesit për situatën jashtëzakonisht të rëndë në Shqipëri, për mos-iplementimin e marrëveshjes së dekriminalizimit, për skandalin “Doshi-Meta” dhe përpjekjen për të mbajtur të fshehtë për 6 muaj, si një klikë brenda shtetit dhe jo si një shtet ligjor, si dhe për përpjekjen e vazhdueshme për të fshehur të vërtetën, për të trysnuar hetimin dhe për të drejtuar hetimin në hullinë ku dëshiron z.Meta, kryeministri apo ministri i brendshëm”, tha Basha.

Kreu i opozitës shoti se: “Siç mund ta imagjinoni këto ishin jashtëzakonisht shokuese për bashkëbiseduesit që i dëgjonin për herë të parë, të cilët, po kështu si kolegët, bashkëpunëtorët që ishin mjaft të informuar për situatën, konkluduan se një situatë e tillë përbën një rrezik, një kërcënim për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre europiane por edhe më gjerë”.

“Ndaj na dhanë mbështetje të plotë dhe të gjithanshme, Partisë Demokratike, mua si kryetar i saj, opozitës dhe aksionit të saj me qytetarët shqiptarë për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm demokratikë për ta kthyer këtë mynxyrë, këtë tragjedi, në një mundësi të artë për ta pastruar politikën dhe institucionet nga krimi dhe personat me rekorde të tmerrshme kriminale. Kjo mbështetje është jashtëzakonisht e rëndësishme, dhe vjen për një çështje që nuk i ndan shqiptarët, nuk i polarizon shqiptarët në të djathtë dhe në të majtë. Siç tregoi edhe protesta e të enjtes së kaluar, siç po tregojnë protestat e përditshme, shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë në thirrjen e dekriminalizimit të politikës shqiptare. Kur them shumica dërrmuese kam parasysh edhe të majtët, të cilët nuk mund të pranojnë që edhe ata, fëmijët e tyre të cilët janë të diplomuar në universitetet normale apo edhe në perendim të mbeten papunë, ndërkohë që krimi dhe kriminelët kapin vendet e punës, si në shtet dhe përmes trafiqeve dhe influencave, pasurohen çdo ditë. Kjo është një çështje e emergjencës kombëtare”, deklaroi Basha.

-A u artikulua në gjirin e Partive Popullore Europiane mbështetja për një hetim ndërkombëtar si edhe për një mundësi për të përfshirë një ekspertizë ndërkombëtare në hetime, dhe dorëheqja e kreut të Kuvendit, ashtu sikundër u kërkua nga disa përfaqësues të Bundestagut për sa kohë hetimi në Shqipëri vazhdon?

Basha: Jo vetëm në Berlin, por edhe këtu në Bruksel, edhe këtu në Samit u diskutua gjerësisht për domosdoshmërinë për të mbështetur besueshmërinë dhe objektivitetin e këtyre hetimeve përmes institucioneve europiane, angazhimin dhe mbështetjen morale në hetimin për të qenë sa më objektiv. Në mënyrë absolute dorëheqja e një personi me pushtet të tillë si kryetar i Kuvendit, u konsiderua një standard europian për t’u përmbushur automatikisht në rastin e një skandali, një akuze kaq të rëndë, si ajo nën të cilën është vendosur Ilir Meta.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 19 Mars 2015

Read More