-Nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë Bulevard i mbushur si asnjëherë më parë dhe në emër të mijëra të tjerëve që nuk gjenden sot këtu por ndajnë me ne të njëjtën brengë e kanë të njëjtat ëndrra për Shqipërinë Europiane, i themi shkelësve të ligjit, të akuzuarve për vrasje e bashkëpunim në këto mynxyra, sido që ta kenë emrin, Ilir, Edi, Emiliano, Hakmarrje për Drejtësi, apo Saimir, ne jemi këtu, shumica e patrembur e shqiptarëve, përballë do të na keni, derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet.
-Për dy vite me radhë, kanë rritur taksat, kanë shtuar represionin, kanë bllokuar, kanë shtrënguar dhe kanë shtypur popullin. Asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, asnjë akt të vetëm për të qëndruar në anën e tyre. Kanë çuar në vetvrasje dhjetra kryefamiljarë. Kanë arrestuar 38 mijë bashkëqytetarë në një vit të vetëm. Njerëz të braktisur, të refuzuar e të përbuzur nga qeveria e tyre që kurrë nuk gjen një minutë kohë për t’i dëgjuar.
-Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Në Shqipëri, krimi nuk ka pasur asnjëherë lidhje më të forta me qeverinë se sa sa pas 23 qershorit të vitit 2013. Bandat e Ilirit, të Edit, apo të Saimirit kanë dorë të lirë, territore nën kontroll dhe janë bërë të paprekshëm. Nuk kuptohet më ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Trafikantë droge e krerë bandash kanë kapur zyrat publike, dhe kanë arritur deri në parlament.
-Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Dhe kjo akuzë vjen nga më i afërti i Edi Ramës dhe Ilir Metës, miku për kokë deri dje, superdeputeti, ai që i hapeshin të gjithë dyert, ortaku i bizneseve dhe i aferave. Për 6 muaj, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë mbajtur të fshehtë krimin, për 6 muaj jepnin e merrnin me njëri-tjetrin në errësirë, me dorasin e porositësin, me shënjestrën, me oborrtarin Ministër që synon të fshehë gjurmët.
-I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë; ik jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat si porositës i vrasjes së dy deputetëve.
-I kërkojmë me një zë Edi Ramës të ndalë menjëherë trysninë brutale ndaj organit të akuzës, të mos bëjë më asnjë sekond kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin për krimin makabër të denoncuar nga deputeti i tij më i afërt i ortakërive të ngushta politike, të japë llogari para drejtësisë dhe opinonit publik dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm për ndjekje penale, për mbajtjen fshehtë për gjashtë muaj të këtij denoncimi të paprecedent monstruoz.
Motra dhe vëllezër
Shqipëria e pa, bota e pa, të gjithë e panë se pamja e bashkimit të shqiptarëve sot në këtë shesh, mbylli parlamentin dhe e pushoi Ilir Metën nga detyra e Kryetarit të Kuvendit.
E panë bashkimin e shqiptarëve. Shikojeni bashkimin e shqiptarëve. Dëgjojeni bashkimin e shqiptarëve. Meta ik! Rama ik!
Motra dhe vëllezër,
Nëna dhe baballarë,
Të rinj e të reja,
Bashkqytetarë nga gjithë Shqipëria,
Nga Saranda, Vlora, Lushnja, Fieri, Durrësi, Shkodra, Lezha, Kurbini, Elbasani, Korça. Nga Dibra e Mati, Leskoviku, Skrapari, Gjirokastra dhe Berati, nga gjithë Shqipëria,
Të dashur qytetarë të Tiranës,
Jemi mbledhur sot këtu, në një takim madhështor, më të bashkuar se kurrë, sepse në jetën tonë, në jetën e çdo shqiptari, në rrugën me shumë mund e përpjekje, në ëndrrat që kemi, në dëshirat tona, për të pasur, punë, dinjitet e siguri, dikush ka ndërhyrë brutalisht, duke na kthyer mbrapsht në makthin më të keq.
Ka ndërhyrë brutalisht qeveria, Edi Rama dhe Ilir Meta që kanë përmbysur gjithçka.
Sot çdo familje shqiptare është nën rrethim nga gjithë të këqiat e mundshme.
Çmimi i energjisë është rritur, faturat janë të papërballueshme.
Kurrë më parë s’ka pasur mes nesh kaq shumë të papunë.
Varfëria është thelluar, qindra mijëra familje mezi mbijetojnë.
Shumica e shqiptarëve sot vuajnë.
Kokëulur janë sot çdo mëngjes prindërit se nuk i blejnë dot librat e shkollës fëmijëve.
Kokëulur janë se nuk marrin dot ushqimet në dyqane e markete, se listat e borxheve nuk mbajnë më.
Kanë ulur kokën, të rinjtë e të rejat, studentët, prindërit, kryefamiljarët, të moshuarit, të gjithë, sepse nuk munden më.
Pas çdo fature të rritur, pas çdo vështirësie, qëndron ikona e së keqes, dyshja Rama Meta.
Për dy vite me radhë, kanë rritur taksat, kanë shtuar represionin, kanë bllokuar, kanë shtrënguar dhe kanë shtypur popullin. Asnjë akt të vetëm për të lehtësuar qytetarët, asnjë akt të vetëm për të qëndruar në anën e tyre. Kanë çuar në vetvrasje dhjetra kryefamiljarë. Kanë arrestuar 38 mijë bashkëqytetarë në një vit të vetëm. Njerëz të braktisur, të refuzuar e të përbuzur nga qeveria e tyre që kurrë nuk gjen një minutë kohë për t’i dëgjuar.
Mjerim, varfëri dhe papunësi kudo. Por ata, oligarkët po mbushin xhepat, në çdo zyrë të qeverisjes ka vjedhje, ka përvetësim, makutëri për pasurim të shpejtë.
Zyrat e qeverisë janë kthyer në portat e ferrit, të zhvatjes e të rrjepjes së qytetarëve, sipas modelit të dyshes Rama-Meta.
E kur ekonomia është zhytur në krizë, kur mjerimi ka shtrënguar lakun në fytin e çdo familje shqiptare, kur shqiptarët nuk mbyllin dot muajin, një hall tjetër edhe më i madh na ka zënë.
Pasiguria, tritoli, krimi që bredh lirshëm e kërcënon çdo ditë.
Kur shumica e shqiptarëve nuk mblidhen dot rreth tavolinës, se nuk kanë me se, çdo ditë e më shumë njerëzit po luten që të shpëtojnë kokën, që tritoli të mos shpërthejë, që armët të mos shkrehen aty ku ata kalojnë, që fëmijët të kthehen shëndoshë në shtëpi.
Ka një arsye pse rendi dhe pasiguria janë më keq se kurrë. Të stampuar si autorë të këtij krimi të madh, sepse nuk ka krim më të madh se sa të mos u garantosh qytetarëve rend e siguri, janë Edi Rama dhe Ilir Meta.
Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në pushtet me krimin dhe qeveris me krimin. Në Shqipëri, krimi nuk ka pasur asnjëherë lidhje më të forta me qeverinë se sa sa pas 23 qershorit të vitit 2013.
Bandat e Ilirit, të Edit, apo të Saimirit kanë dorë të lirë, territore nën kontroll dhe janë bërë të paprekshëm. Nuk kuptohet më ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Trafikantë droge e krerë bandash kanë kapur zyrat publike, dhe kanë arritur deri në parlament.
Po krusma e madhe s’kish mbërritur akoma.
Na del se Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Dhe kjo akuzë vjen nga më i afërti i Edi Ramës dhe Ilir Metës, miku për kokë deri dje, superdeputeti, ai që i hapeshin të gjithë dyert, ortaku i bizneseve dhe i aferave.
Për 6 muaj, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë mbajtur të fshehtë krimin, për 6 muaj jepnin e merrnin me njëri-tjetrin në errësirë, me dorasin e porositësin, me shënjestrën, me oborrtarin Ministër që synon të fshehë gjurmët. Për 6 muaj janë përpjekur t’ia faturonin këtë opozitës, Partisë Demokratike dhe Sali Berishës. 6 muaj të zhytur në krim, 6 muaj duart me gjak.
Në zyrat më të rëndësishme të shtetit, në zyrën e Kryetarit të Kuvendit, në zyrën e Kryeministrit, të Ministrit të Brendshëm, është bërë pazar me jetën e dy deputetëve, është negociuar mes bandave. Janë bërë shantazhe e matje forcash. Secili grup ka thirrrur nën armë banditët e tij.
Jemi sot të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, më e rënda në 25 vite, sepse kumbarët në pushtet nuk vendosën dot paqe, nuk u morën vesh për ndarjen e tortës së pushtetit, nuk u morën vesh për ndarjen e tenderave dhe koncesioneve, të bizneseve të pisëta, të trafiqeve dhe shpërndarjes së privilegjeve.
Pazari nuk u arrit dhe ujërat e qelbura dolën në shesh. Ja ku jemi sot: kryetari i Parlamentit nën akuzë për vrasjen e dy deputetëve, kryeministri bashkëpunëtor që në ditën e parë, ministri i brendshëm korrier privat mes vrasësit e ish mikut të tyre superdeputet.
Ligji dhe Kushtetuta, të shkelura me përdhunë, si në republikat e krimit. Krerët më të lartë të shtetit në një garë të ethshme se kujt do t’i puthnin dorën, don Metës, apo don Ramës.
Janë mbledhur si një sekt mafioz e gatuajnë çdo ditë alibi, fabrikojnë e manipulojnë, nxjerrin informacione hetimore, dhe i bëjnë presion Prokurorisë, që të arrijë në përfundimet që ata duan, për të dalë të larë nga kjo histori e zezë krimi.
Por ata kanë harruar se ne jemi këtu, më të bashkuar se kurrë, më të vendosur se kurrë, për të mos lejuar rënien e demokracisë, rrëzimin e shtetit dhe të çdo principi e vlere bashkëjetese që e kemi arritur me mund e me djersë në këto 25 vite.
I kërkojmë sot Ilir Metës me një zë; ik jep dorëheqjen. Jep dorëheqjen dhe përballu me akuzat si porositës i vrasjes së dy deputetëve.
I kërkojmë me një zë Edi Ramës të ndalë menjëherë trysninë brutale ndaj organit të akuzës, të mos bëjë më asnjë sekond kryeprokurorin dhe kryegjyqtarin për krimin makabër të denoncuar nga deputeti i tij më i afërt i ortakërive të ngushta politike, të japë llogari para drejtësisë dhe opinonit publik dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm për ndjekje penale, për mbajtjen fshehtë për gjashtë muaj të këtij denoncimi të paprecedent monstruoz.
Deklarojmë nga ky bulevard i lirisë dhe i shpresës, mbështetjen tonë të plotë ndaj organeve të prokurorisë e drejtësisë, dhe kërkojmë prej tyre zbardhjen e plotë, të akuzave më të rënda në historinë e demokracisë.
Jemi këtu për të manifestuar fuqinë e pathyeshme të bashkimit mbarëpopullor.
Për të thënë se jemi gati, jemi në këmbë, të gatshëm të ngrihemi, t’i dalim zot me çdo mjet demokratik vendit tonë, fateve tona dhe të fëmijëve tanë.
Ti dalim zot demokracisë tonë të çuar buzë humnerës si asnjëherë tjetër nga Edi Rama dhe Ilir Meta, këta shkelës me këmbë të ligjit dhe Kushtetutës, këta oligarkë pa din e pa iman.
Ti dalim zot të ardhmes tonë dhe të fëmijëve tanë të kërcënuar seriozisht nga pasiguria, varfëria dhe krimi i ngritur në sistem.
Për këto jemi mbledhur sot dhe do të qëndrojmë të mbledhur e të bashkuar deri në fitore.
Nga ky bashkim i shqiptarëve në këtë Bulevard i mbushur si asnjëherë më parë dhe në emër të mijëra të tjerëve që nuk gjenden sot këtu por ndajnë me ne të njëjtën brengë e kanë të njëjtat ëndrra për Shqipërinë Europiane, i themi shkelësve të ligjit, të akuzuarve për vrasje e bashkëpunim në këto mynxyra, sido që ta kenë emrin, Ilir, Edi, Emiliano, Hakmarrje për Drejtësi, apo Saimir, ne jemi këtu, shumica e patrembur e shqiptarëve, përballë do të na keni, derisa ta çlirojmë vendin nga krimi, derisa drejtësia të bëhet.
Ky është një moment tragjik për gjithë ata shqiptarë që kishin varur shpresa të mëdha dhe kanë pritur tjetër gjë nga qeveria e tyre.
Por është edhe koha e një zgjimi të vrullshëm, e një kushtrimi të madh për të zbritur të bashkuar pa dallim, demokratë, opozitarë, të majtë e të djathtë, në rrugët dhe sheshet e protestës popullore, për të demostruar sovranitetin e drejtpërdrejtë të popullit para një qeverie që ka devijuar nga rruga e ligjit, e së mirës, e së drejtës dhe e Zotit. Jemi këtu jo vetëm për ta ndalur, por për ta larguar.
Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re, dhe unë ju jap fjalën se Shqipëria do ta ketë këtë ofertën e re.
Ne nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi.
Nuk ndalemi derisa krimi të mposhtet.
Nuk ndalemi derisa më të mirët e bijve dhe bijave tona të marrin drejtimin e vendit.
Nuk ndalemi derisa qytetarët të kontrollojnë qeverinë dhe jo qeveria qytetarët.
Nuk ndalemi derisa të shporrim të keqen.
Nuk ndalemi derisa Edi Rama dhe Ilir Meta të largohen.
Ky bashkim i madh, ky bashkim i paprecedentë që nga ditët e zjarrta të demokracisë është shenja e parë se qeveria Rama-Meta është rrëzuar moralisht. Dëgjojeni zërin e qytetarëve.
Ilir Meta dëgjoje zërin e qytetarëve. Jep dorëheqjen.
Edi Rama, mos bëj hesape me krimin, mos bëj hesape me bandat, mos bëj hesape me Ilir Metën> Bej hesape me popullin, përndryshe shporru dhe ti.
Rroftë populli shqiptar!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Rroftë demokracia!
Fjalimi i Kryetarit të Partisë Demokratike në protestë, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, 12 Mars 2015
Read More