Blog

03 Mar
0

Basha: Kjo është përplasja e kumbarëve Rama-Meta dhe e bandave të tyre të thirrura nën armë‏

Ilir Meta duhej sot të deklaronte vetëm një gjë. Dorëheqjen si kryetar i Kuvendit dhe dorëzimin para drejtësisë, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sot Ilir Meta duhej të ishte para drejtësisë, duke iu nënshtruar procedurave të hetimit.

-Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë. Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

-Nuk mund të ketë gjysëm-dekriminalizim. Ai duhet të bëhet i plotë pa kursyer askënd, sidomos themeluesit e tij. Ishin pikërisht Edi Rama dhe Ilir Meta që e ngjizën paktin me krimin përpara zgjedhjeve të fundit dhe ftuan në aleancën e tyre të gjithë qelbësirat, thjesht e vetëm për të ardhur në pushtet.

-Çdo të ishte një dekriminalizim nëse nuk do të pastronte politikën nga etërit krijues të inkriminimit? Ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj emergjence kombëtare.

Të nderuar deputetë të Partisë Demokratike

Të nderuar aleatë

Ka lajme të këqia për vendin dhe për këdo që shpresonte se ishte një ëndërr e keqe, ajo që pamë dje. Por është realitet, është një ditë e zezë për demokracinë. Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Kryeministri është nën akuzë se ka dijeni prej 5 muajsh për këtë skenar.

Nuk dihet më ku është kufiri ndarës në këtë binom-kriminal, kush është autori e kush është bashkëpunëtori, kush është porositësi e kush është dëshmitari.

Në vitin 2015, 25 vjet pas hapjes së Shqipërisë, pas nisjes së rrugëtimit europian, gjendemi para realitetit tronditës, të kthyer mbrapsht në parametrat e republikave të dështuara kriminale, ku dy personat që qeverisin vendin janë të zhytur në bëmat më të errëta, në skenare vrasjesh që vijnë pas pazareve të prishura, nga trafiqet e paligjshme tek ushtrimi i influencës për përfitim financiar.

Tani që bomba ka shpërthyer dhe ujërat më të ndotura të kanaleve të mazhorancës po vërshojnë në sytë e të gjithëve, duke nxjerrë faqe botës llumin e krimit e të përlyerjes më të fëlliqur të dy kokave të pushtetit e gjithë klaneve të tyre, të dy aktorët kryesorë, Ilir Meta dhe Edi Rama po rreken të fshihen, po rreken të krijojnë alibi, të dalin të pastër nga kjo histori.

Ilir Meta duhej sot të deklaronte vetëm një gjë. Dorëheqjen si kryetar i Kuvendit dhe dorëzimin para drejtësisë, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sot Ilir Meta duhej të ishte para drejtësisë, duke iu nënshtruar procedurave të hetimit.

Në vend se të trokiste në dyert e Prokurorisë, se është nën akuzën më të rëndë të 25 viteve politikë, del e kapardiset para kamerave dhe synon të krijojë mjegull me deklarata të rreme e kriminale, akuza të mjera kundër opozitës.

Çdo i dëshpëruar kur gjendet para akuzave të përbindshme të kësaj natyre, që ka porositur dhe parapaguar vrasjen e dy deputetëve, do të fliste përçart e do të bënte gjeste të dëshpëruara, irracionale. Por kjo nuk ka për ta shpëtuar Ilir Metën. Ai duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë, të vihet në dispozicion të Prokurorisë, aty ku e ka vendin nga dje në orën 2.

Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar Kuvendi, asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues, një të akuzuar për dy vrasje.

Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë.

Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Alibia e Edi Ramës nisi që dje, në fabrikimin e disa tezave përmes medias, sikur gjoja paska nisur dekriminalizimi në partinë e tij, me përjashtimin e deputetit akuzues.

Por të gjithë e pamë, se ajo çfarë deshi Edi Rama të bënte, ishte një pajtim, një pakt i ri, një mbyllje e hesapeve, pra bash e kundërta e dekriminalizimit.

Ai dërgoi emisarin Kokëdhima për negociata dhe dështoi. Ai dërgoi më pas emisarin Tahiri për negociata dhe sërish dështoi.

Çfarë është e gjitha kjo?

Asgjë tjetër përveçse lojë kumbarësh që përplasen me njëri tjetrin se kujt do tia puthin dorën; don Ramës apo don Metës. Asgjë tjetër nuk është kjo dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë qytetarët e vendit.

Ky teatër po luhet me interesat e vendit, vetëm se në kullën e pushtetit ka plasur lufta e klaneve, me vrasës me pagesë. Hesape personale, për interesa që shkojnë nga trafiqet tek kontrolli i doganave e pasurive, e ndarja e influencave. Luftë brenda llojit për pushtet dhe secili ka thirrur nën armë bandën e tij.

Këto ngjarje e kanë bërë urgjencë kombëtare, dekriminalizimin. A ka vërtetim më të madh se sa zhvillimet e fundit, nevoja që ka vendi për ta pastruar politikën nga krimi? Tani dekriminalizimi po del qartë se nuk është më një procedurë, është vetëm vullnet politik. Po cili duhet ta dëshmojë vullnetin politik. Padrinot e vërtetë që janë sot, njëri i akuzuar për planifikimin e vrasjes, tjetri si bashkëpunëtor pasi ka 5 muaj që është në dijeni të këtij skenari mafioz.

Unë gjej rastin edhe një herë të përshëndes qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë, të aleatëve të çmuar amerikanë dhe Bashkimit Europian, që dje në orën më kritike për demokracinë në vend, dolën dhe thanë shprehimisht se dekriminalizimi duhet të bëhet sa më shpejt.

Nuk mund të ketë gjysëm-dekriminalizim. Ai duhet të bëhet i plotë pa kursyer askënd, sidomos themeluesit e tij. Ishin pikërisht Edi Rama dhe Ilir Meta që e ngjizën paktin me krimin përpara zgjedhjeve të fundit dhe ftuan në aleancën e tyre të gjithë qelbësirat, thjesht e vetëm për të ardhur në pushtet.

Kush i solli në parlament njerëzit e hurit e të litarit?

Kush i solli në parlament mujsharët e punëve të pisëta, që sot po shpallen gjoja armiq, vetëm për interesa personale. Këtë e dëshmojnë edhe vetë deputetët e Partisë Socialiste, të cilët thonë se po kriset një miqësi për kokë, për hesape të sho-shoqit, ku nuk gjendet asnjë gjurmë principi, përveç interesave dhe axhendës private.

Çdo të ishte një dekriminalizim nëse nuk do të pastronte politikën nga etërit krijues të inkriminimit?

Ne jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund kësaj emergjence kombëtare.

Partia Demokratike bëri gjithçka mundi. Ne qëndruam në kauzën tonë edhe përkundër agresionit fizik, përkundër shkeljes së përsëritur të të gjithë të drejtave kushtetuese, përkundër zvogëlimit deri në zhdukje të çdo hapësire. E thamë fjalën tonë deri në fund, e mbajtëm të gjallë kauzën.

Shihni Edi Ramën.

Nuk e ka përmendur as edhe një herë të vetme si fjalë dekriminalizimin. Edhe kur mbarë Europa u trondit nga depërtimi i krimit deri në nivelet më të larta të politikës, edhe kur mbarë Europa u ndërgjegjësua për zgjatimin alarmant vertikal e horizontal të krimit në çdo zyrë të qeverisjes, vetëm një njeri heshti dhe as nuk e nxori një herë të vetme nga goja fjalën dekriminalizim. Dhe nuk ka se si. Nëse nis dekriminalizimi, Edi Rama bie. Krimi dhe lidhjet e tij, janë gjysma e Edi Ramës. Nëse bie krimi, nëse bien lidhjet kriminale, rrëzohet sakaq dhe Edi Rama.

Të dashur qytetarë të vendit.

Shqipëria sot është vënë përfund nga një oligarki e organizuar kriminale. Jemi të gjithë dëshmitarë, se këtu luhen fatet e vendit. A do ta lëmë ne vendin peng të përplasjes së bandave në pushtet?

Unë them jo. Partia Demokratike nuk do ta lejojë. Opozita nuk do ta lejojë. Qytetarët e vendit nuk do ta lejojnë. Ata që kanë hesape janë një minorancë me pushtet e me klane të rrezikshme nga pas. Ata janë subjekt i drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm është sot para një përgjegjësie historike për t’i shërbyer vendit e Kushtetutës. Unë e inkurajoj, ne të gjithë e inkurajojmë për hetim të plotë e të thellë derisa të dalin përgjegjësit para ligjit.

E dimë që ai vetë dhe prokurorët janë nën një kërcënim mafioz por i japim fuqinë e plotë të zemrave dhe shpirtrave të bashkuar të shqiptarëve që presin sot nga ai dhe Prokuroria e Përgjithshme të bëjë detyrën më të lartë përpara sfidës më të rrezikshme me të cilën është përballur ndonjëherë vendi.

Sepse shumica e njerëzve të ndershëm në këtë vend kanë tjetër axhendë nga kjo minorancë mafioze.

Shumica e qytetarëve kanë zgjedhur Europën.

Dhe ne, do ti prijmë kësaj aspirate.

Nuk do të lejojmë askënd të vrasë shpresat, ëndrrat dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Kjo është një betejë që do të luftohet e fitohet me çdo çmim.


Deklaratë e Kryetarit Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, 3 Mars 2015

Read More
02 Mar
0

Basha: Rama-Meta të zhytur në krim, vrasje e shantazh‏

-Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite.

-Akuza bëhet edhe më tronditëse, kur deputeti i mazhorancës thotë se prej 5 muajsh ka vënë në dijeni kryeministrin për planin e kryeparlamentarit për vrasjen e dy deputetëve. Më e pakta, kemi sot një kryeministër dëshmitar në krim. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh?

-Asnjë shqiptar nuk mund të pranojë të ketë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve. Nuk ka shqiptar të pranojë një kryeministër bashkëpunëtor në këtë skenar.

-Asnjë qytetar i vendit, jam i bindur, nuk mund ta njohë Ilir Metën si Kryetar të Parlamentit, dhe as Edi Ramën si kryeministër, të dy nën akuzë, njëri të organizimit të vrasjes, tjetri si dëshmitari që hesht.

-Partia Demokratike është e vendosur që të mos e lerë Shqipërinë të mbahet peng i serialeve mafioze dhe kriminale! Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiqë përpara popullit sovran që do ta clirojë veten nga ky tumor malinj. Dhe ne do t’i prijmë kësaj sfide të madhe të shqiptarëve.

Jam sonte në këtë komunikim jo të zakonshëm, në ditën kur të gjithë shqiptarët pa përjashtim kanë parë dhe kanë dëgjuar se deri ku shkon inkriminimi i qeverisë, i mazhorancës, i dyshes Rama-Meta. Krim, vrasje, shantazh, dhe në këtë teatër mafioz, personazhet janë Ilir Meta, Edi Rama, Saimir Tahiri, dhe deputetët e tyre deri dje më të besuarit, sot të kthyer në shënjestra.

Tronditja është evidente për çfarë dëgjuam e po dëgjojmë, për çfarë kemi mësuar e po mësojmë. Indinjata gjithashtu. Një histori me vrasës me pagesë që nuk zhvillohet në kthinat dhe bodrumet e errëta të mafias, por në  pallatet kryesore të politikës shqiptare, në kupolën e dyshes politike që qeveris Shqipërinë.

Kjo ka ndodhur, ky është realiteti. Ne kemi paralajmëruar që herët se aleanca me krimin, do të sjellë krime, asgjë tjetër.

Kryetari i Kuvendit akuzohet për vrasje. Akuzohet se ka porositur vrasjen e dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra që ushtron dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë për tu hetuar mbi akuzën më të rëndë të bërë ndonjëherë në politikën shqiptare në këto 25 vite.

Parlamenti nuk mund të mbajë në krye të institucionit një person nën akuzë nga të zgjedhur të mazhorancës, se ka paguar për të vrarë dy deputetë.

I kërkoj Prokurorisë të nisë menjeherë hetimet për zbardhjen pa humbur kohë të akuzave të bëra publike.

Akuza bëhet edhe më tronditëse, kur deputeti i mazhorancës thotë se prej 5 muajsh ka vënë në dijeni kryeministrin e vendit për planin e kryeparlamentarit për vrasjen e dy deputetëve.

Më e pakta, kemi sot një kryeministër dëshmitar në krim. Deri ku shkon implikimi i Edi Ramës e Saimir Tahirit, personazhe kyçe në këtë histori krimi e vrasjesh?

Kjo nuk është më një cështje që u përket atyre, cështje e brendshme e dyshes Rama-Meta, e zhytur në krim dhe korrupsion, dyshe e kthyer në një barrë të padurueshme për qytetarët e vendit. Kjo kronikë e paralajmëruar, është pasojë e paktit kriminal të  denoncuar nga ne që në ditët e para të krijimit të kësaj aleance mafioze.

Për këtë arsye, kjo është një cështje që u përket të gjithë shqiptarëve. Është një çeshtje e dinjitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me këtë rast falenderoj dhe përshëndes qëndrimet e partnerëve tanë, SHBA dhe BE, në mbështetje të procesit të dekriminalizimit .

Asnjë shqiptar nuk mund të pranojë të ketë në krye të Kuvendit të Shqipërisë një shtetas të akuzuar për porositjen e dy vrasjeve. Nuk ka shqiptar të pranojë një kryeministër bashkëpunëtor në këtë skenar.

Asnjë qytetar i vendit, jam i bindur, nuk mund ta njohë Ilir Metën si Kryetar të Parlamentit, dhe as Edi Ramën si kryeministër, të dy nën akuzë, njëri të organizimit të vrasjes, tjetri si dëshmitari që hesht.

Çdo minutë që kalon, vetëm e përkeqëson pozicionin e kryetarit të kuvendit dhe të kryeministrit, vetëm e kthen Shqipërinë prapa, e bën me njollën më të zezë para Europës e mbarë botës.

Partia Demokratike është e vendosur që të mos e lerë Shqipërinë të mbahet peng i serialeve mafioze dhe kriminale!

Ata dhe klani i tyre i ngushtë janë një grusht njerëzish të rrezikshëm e me pushtet, por janë tartabiqë përpara popullit sovran që do ta clirojë veten nga ky tumor malinj.

Dhe ne do t’i prijmë kësaj sfide të madhe të shqiptarëve.


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, 2 Mars 2015

Read More
02 Mar
0

Dhunimi i studentëve, PD kërkesë urgjente për interpelancë me kryeministrin‏

Partia Demokratike ka dorëzuar sot kërkesën për interpelancë urgjente me kryeministrin e vendit lidhur me dhunën e ushtruar nga policia ndaj studentëve protestues që kishin shpallur grevën e urisë.

Duke e konsideruar këtë një shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon kryetarit të kuvendit të përfshijë në seancën e së enjtes më 5 mars, interpelancën urgjente me kryeministrin.

“Deputetët e opozitës parlamentare janë thellësisht të shqetësuar për këtë fakt dhe për përsëritjen e vazhdueshme të dhunimit të të drejtave të shqiptarëve, nëpërmjet përdorimit të forcës nga Policia e Shtetit. Në vlerësimin tonë, është detyrë e Kryeministrit të një vendi kandidat për në Bashkimin Europian që  të analizojë me përgjegjshmëri këto fakte tronditëse, si dhe të mbajë qëndrim publik mbi punën e kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit”, thuhet në kërkesën e deputetëve demokratë.

Kërkesa është bazuar në nenin 97 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, ku parashikohet se: “Një Kryetar grupi parlamentar ose 7 deputetë mund të kërkojë zhvillimin e një interpelance për çështje urgjente”, me qëllim marrjen e një informacioni të plotë nga Kryeministri për rrahjen e dhunimin brutal të studentëve, të rinjve e të rejave, natën e 28 shkurtit duke u gdhirë 1 marsi.


Njoftim për shtyp, 2 Mars 2015

Read More
01 Mar
0

Ministrja Nikolla konfirmon se është pjesë e dhunës ndaj studentëve

Ministria e Arsimit konfirmoi sot se është pjesë e dhunës së ushtruar mbrëmë ndaj studentëve grevistë.

Ndërsa opinioni publik priste që Ministria e Arsimit, të tregonte solidaritet me të rinjtë që kërkojnë të drejtën e tyre për arsim, siç do të bënte në fakt çdo ministri e arsimit në botë, qëndrimi i saj është krejt i kundërt, është në favor të rrahjes e poshtërimit brutal të studentëve.

Ministria e Arsimit mbajti një qëndrim racist, duke i stigmatizuar studentët grevistë, duke i ndarë ata në qytetarë të dorës së dytë, që nuk paskan të drejta si gjithë të tjerët.

Partia Demokratike e konsideron të turpshëm këtë qëndrim, aq më tepër kur studentët po protestojnë pikërisht për një të drejtë që u është mohuar nga Ministria e Arsimit.

Vetë ministrja e arsimit, Lindita Nikolla, vjen nga radhët e studentëve të universiteteve private, dhe është e neveritshme se si ajo sot, mban qëndrim fyes, tallës e poshtërues ndaj studentëve që kanë të njëjtin status si ajo në të shkuarën e saj.


Reagim i Partisë Demokratike ndaj qëndrimit të Ministrisë së Arsimit, 1 Mars 2015

Read More
01 Mar
0

Dhuna ndaj studentëve, fillimi i fundit për këtë qeveri

Tirana, Shqipëria, nuk është më e njëjta që prej mesnatës së djeshme, më saktë prej orëve të errëta të mëngjesit. Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur.

Edi Rama ka hedhur në erë çdo garanci për bashkëjetesë demokratike, duke mbyllur me dhunë një grevë studentësh, duke shoqëruar me dhunë në komisariat grevistët e duke i dhunuar në qeli.

Edi Rama ka vendosur pra të mos lejojë protestën, mendimin ndryshe, kundërshtimin e qeverisë së tij. Ka vendosur me dhunë të ndalojë vlerën më themelore në demokraci, oksigjenin e saj, që është e drejta për t’u organizuar, për të shprehur kundërshtimin me qeverinë, për të kërkuar drejtësi.

Grevistët, studentët, nuk janë anëtarë të Partisë Demokratike.

Janë të rinj që kërkojnë të arsimohen, që kërkojnë të mos diskriminohen nga qeveria.

Këtyre studentëve u është mohuar një e drejtë fondamentale kushtetuese, e fituar me sakrifica të mëdha që më rënien e komunizmit, pasi qeveria ka vendosur një taksë të rëndë, të papërballueshme ekonomikisht nga ata dhe familjet e tyre. Qeveria u ka mbyllur dyert e shkollës.

Prej një viti këta studentë kërkojnë të drejtën e tyre, por janë trajtuar me përbuzje e janë shpërfillur e poshtëruar sistematikisht. Dhe në fund, vendosën të bëjnë grevë urie, sepse zëri i tyre, kërkesa e tyre u refuzua. Ata u refuzuan si qënie humane nga qeveria, por jo rrallë nga shoqëria, e nga media. Të gjithë jemi pak fajtorë para kauzës së tyre të paqortueshme.

Çfarë duan ata?  Duan të studiojnë, ta vendosin vetë të ardhmen e tyre. Duan të ndjekin ëndrrën e tyre, duan të diplomohen, të marrin një profesion, të ecin në rrugën e dijes.

Edi Rama jo vetëm i ndalon, por mbrëmë, në orë 2 e 30 pas mesnate, në errësirën e hajnave e cubave, shfaqet para tyre i dhunshëm, u heq dhe të drejtën për të protestuar, të drejtën për ta kërkuar drejtësinë e mohuar.

A mundet Edi Rama t’u mbyllë gojën mijëra studentëve shqiptare që në një sipërmarrje tërësisht korruptive i ka lënë pa të drejtën e arsimimit. Nuk janë vetëm studentët e Tiranës, por janë dhe të Peshkopisë në protestë që këtë muaj u ndërpritet e drejta e studimit dhe transferohen në Durrës, janë dhe studentët e Elbasanit, Vlorës e Gjirokastrës që nuk paguajnë dot tarifat e dyfishuara.

Për interesat e tij për pushtet, Edi Rama ka bërë grevën e urisë më të kontestuar në historinë e vendit, duke bllokuar bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, e duke penguar integrimin europian të vendit dhe heqjen e vizave për shqiptarët. Sot, përsëri për interesat e tij, ndalon me dhunë, kamzhikë e kallashnikovë, një grevë të drejtë studentësh.

Mbrëmë ishte nata e thyerjes së xhamave në Tiranë. Skalionet e policisë të armatosur rëndë, që kanë harruar ligjin dhe udhëhiqen vetëm nga porositë politike,

thyen dritaret e dyert e godinës,

u futën me dhunë në atë ambjent ku studentët po mbanin gjallë të drejtën e fundit që u kishte mbetur,

i morën zvarrë duke i lidhur duart me fasheta të mprehta plastike,

i përplasën duke i kapur nga flokët, djem e vajza,

I futën në makina private me targa falso,

i goditën dhe në komisariat në qeli, i kërcënuan, i poshtëruan, e çuan deri në fund porosinë e kryeministrin për frikësimi dhe terrorizimin përsëgjalli.

Të paktën 12 prej tyre u vizituan nga deputetët tanë në Spitalin Ushtarak ku po mjekohen. Një pjesë janë dërguar në spitalin civil, shenjat e plagëve i kanë akoma të freskëta.

Ndërkohë gjatë natës, në konspiracion të plotë dhe sipas mësimeve të shkollës së vjetër të Sigurimit të Shtetit, ish-sigurimsat e kthyher në polici nuk jepnin asnjë informacion se ku gjendeshin të rinjtë. Edhe pas kërkesave të vazhdueshme të të afërmve të tyre dhe përfaqësuesve të tyre, ishte e pamundur për të marrë të dhëna.

Deri afër mesditës, studentët nuk e dinin se ku i kishin shokët e tyre, pasi policia u ka marrë mbrëmë edhe telefonat, për të hequr çdo mundësi filmimi apo dokumentimi të aksionit të turpshëm të këtij regjimi gangsterësh.

Partia Demokratike e konsideron këtë akt, një sulm danditesk të paligjshëm.

Partia Demokratike, fajëson e bën direkt përgjegjës Edi Ramën për konliktin civil që e ka nisur prej ditës së parë si kryeministër, e që mbrëmë shënoi një kulm tjetër.

Unë angazhohem sot para jush, para opinionit publik, në emrin tim, në emër të Partisë  Demokratike, në emër të opozitës, në emër të standardeve demokratike europiane, më emër te ligjit demokratik se do të bëjmë drejtësi;  secili prej dhunuesve me uniformë shtetërore, nga zbatuesit në errësirën e hajnave e cubave, e deri tek urdhëruesit, ministri e shefi i tij do të përgjigjen deri në fund për dhunimin e poshtërimin që u kanë bërë të rinjve.

Përsëris kërkesën time drejtuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimet për dhunuesit dhe urdhëruesit e dhunës ndaj studenteve.

Ne jemi e do të jemi në krah të tyre, derisa kauza e tyre e drejtë të triumfojë.

Demokracia nuk do të ndalet me urdhër të askujt, aq më pak të Edi Ramës.

I kujtoj atij sot, se në historinë 25 vjeçare të vendit nuk ka pasur njeri në këtë vend, sado i sëmurë në papërgjegjshmërinë e tij, që t’ia dilte t’u mbyllte gojën studentëve. Me aktin e djeshëm, ai jo vetëm që ka minuar themelet e bashkëjetesës demokratike por vetë legjitimitetin e tij si kryeministër, me guximin për të bërë me studentët atë që nuk guxoi Ramiz Alia, ka vulosur fatin e tij më keq së të Ramiz Alisë.

Revolta ka pushtuar çdo qytetar, këtë revoltë nuk ka dhunë që ta ndalë. Largimi i kësaj qeverie nga pushteti, është zgjidhja e vetme për vendin dhe qytetarët.


Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 1 Mars 2015

Read More
27 Shk
0

Koço Kokëdhima shkeli 150 herë Kushtetutën

Neni 70 i Kushtetutës qartësisht e detyron deputetin Koço Kokëdhima që të zgjedhë midis mandatit të deputetit apo aksionerit të kompanive që përfitojnë fondet publike, duke i konsideruar të dy funksionet si të papajtueshme me njëra-tjetrën. Pika 3 e këtij neni, shprehimisht thotë “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”. Koço Kokëdhima për 6 muaj nga data e betimit si deputet ka mbajtur të gjitha aksionet e ndërmarrjes së tij duke përfituar 150 herë fonde publike.

Kontrata më e rëndësishme në Republikës së Shqipërisë, është Kushtetuta, prej së cilës rrjedhin ca kontrata të tjera, të shkruara në ligje specifike.

Deputeti Koco Kokëdhima, në vetëm 6 muaj, e ka shkelur 150 herë Kushtetutën, mbi, dhe në emër të së cilës, është betuar formalisht për të respektuar edhe ligjet që rrjedhin prej saj.

Kjo ka ndodhur në seancën më të shkurtër, por më substanciale të Kuvendit! Në datën 10 shtator të vitit 2013, është ngritur në këmbë pasi i është thirrur emrin, dhe ka thënë “Betohem”! Nga ky moment çdo “kontratë” e mëparëshme duhej të ishte bërë nul!

I njejti individ del sot dhe thotë se kontratat e ndërmarrjes së tij qenkan më të rëndësishme se Kushtetuta dhe ligji, prevalokan mbi Kushtetutën dhe ligjin, dhe argumenti i vetëm që ka për këtë duket të jetë “zotësia e avokatëve të tij”.

Kjo është një rrëfenjë për “dëgjo ketu biri im”, por qesharake dhe aspak serioze për një ligjvënës.

Koco Kokëdhima, që prej ditës që është mandatuar si deputet duhej të kishte hequr dorë nga aksionet e tij në kompaninë private. Pra Kushtetuta e detyronte të mos përfitonte më asnjë qindarkë.

Neni 70 i Kushtetutës qartësisht e detyron deputetin Koco Kokëdhima që të zgjedhë midis mandatit të deputetit apo aksionerit të kompanive që përfitojnë fondet publike, duke i konsideruar të dy funksionet si të papajtueshme me njëra-tjetrën. Pika 3 e këtij neni, shprehimisht thotë “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”.

Edhe neni 28 i ligjit për “Parandalimin e Konfliktit të Interesit” sanksionon se “deputeti nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse” (pika a), si dhe “nuk mund të zotërojë në mënyrë aktive asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregëtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg” (pika c).

Mirëpo, deputeti i Edi Ramës, duke injoruar në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe ligjin, ka përfituar në xhepin e tij plot 150 herë fonde publike.

Ai jo vetëm nuk hoqi dorë nga aksionet dhe nga përfitimet e të ardhurave nga Buxheti i Shtetit, por në nëntor të vitit 2013, pra 3 muaj pasi ishte bërë deputet, i rriti aksionet e tij në kompani, duke u bërë aksioner i vetëm me 100 përqind.

Koço Kokëdhima Kokëdhima ia ka dalë disa herë ti shpëtojë ndëshkimit të ligjit, dhe ai është një shkelës i përsëritur, me ndërtimin e sarajeve 20 metra larg detit, e me disa ndërtime të tjera në Tiranë.

Por kësaj radhe, ai ka guxuar shumë duke u tallur me Kushtetutën e vendit.

Ne i bëjmë thirrje kryetarit të Kuvendit të trajtojë me shpejtësi kërkesën e Partisë Demokratike për dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetutëse, për mbarimin e mandatit të deputetit Kokëdhima.

Me miqësinë që ka me Edi Ramën, ai mund të vazhdojë të jetë beu i Jugut, por deputet nuk është më. E ka humbur mandatin.

Dhe një këshillë falas: Sugjeroju “juristëve” të tu, të lexojnë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin “Beqja”, gjithashtu mik i Ramës, shkelës vetëm në një rast i ligjit, dmth të paktën 149 herë më pak se ti.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, 27 Shkurt 2015

Read More
27 Shk
0

Qeveria ka vetëm një skemë për energjinë, skemën anti-qytetare

Skema e lehtësimit, është e kundërta e represionit që është duke aplikuar qeveria.

Ka vetëm një skemë lehtësuese për qytetarët;

Të ulet cmimi i energjisë elektrike me të paktën 14%, aq sa premtoi Edi Rama në fushatë.

Të anullohen menjëherë faturat abuzive.

Të shqyrtohen menjëherë ankesat e qytetarëve.

Të falen kamatvonesat.

Të faturohen në mënyrë të rregullt mbi bazën e konsumit.

Është shumë arrogante dhe cinike që Ministri i Energjitikës dhe Drejtori i OSHEE të flasin për skema lehtësuese.

Edi Rama, Ministri dhe Drejtori i OSHEE janë krijuesit, organizuesit e zbatuesit e skemës shkatërrimtare energjitike për qytetarët e familjarët, duke i ngarkuar ata me fatura abuzive, duke i vendosur gjoba mbi këto fatura, duke mos dëgjuar ankesat e tyre, duke i rrjepur deri në qindarkën e fundit, duke i burgosur, dhe shpesh duke i shtyrë në akte dëshpërimi vetvrasjeje.

Rasti dramatik i Qamil Zelës, i Llazi Nasit, i babait në Shkodër që donte të shpëtonte jetën e djalit 7 vjecar, janë akuza të drejtpërdrejta për qeverinë.

Skema e lehtësimit, është e kundërta e represionit që është duke aplikuar qeveria.

Ka vetëm një skemë lehtësuese për qytetarët;

Të ulet cmimi i energjisë elektrike me të paktën 14%, aq sa premtoi Edi Rama në fushatë.

Të anullohen menjëherë faturat abuzive.

Të shqyrtohen menjëherë ankesat e qytetarëve.

Të falen kamatvonesat.

Të faturohen në mënyrë të rregullt mbi bazën e konsumit.

Vetëm kjo skemë merr parasysh realitetin dhe shqetësimet e qytetarëve.

Të tjerat janë fjalë dhe vetëm fjalë.

Qytetarët e ngritën zërin me 22 nëntor, në protestën më masive të viteve të fundit.

Ata kërkojnë zgjidhje.

Nëse zgjidhja nuk vjen, qytetarët do të mblidhen edhe më të shumtë, edhe më të vendosur në protestë popullore.


Deklaratë e koordinatores Reila Bozdo, 27 Shkurt 2015

Read More
27 Shk
0

Ministri i Brendshëm, rekord mashtrimesh në publik

Gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, kur siguri kanë vetëm kriminelët, dhe kur grabitjet, vjedhjet, rrëmbimet, po bëjnë kërdinë.

-Gënjeu kur tha se nuk ka lidhje me Emiliano Shullazin.

-Fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së Kokainës dhe lidhjet e tyre me qeveritarët, duke mashtruar për aksionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë.

-Në progres raportin e Bashkimit Europian dhe atë të Departamentit të Shtetit, thuhet se këto aksione janë sot më të pakta se më parë.

-Nuk iu përgjigj pyetjes për të inkriminuarit që janë emëruar në Policinë e Shtetit dhe për numëruesit e votave të PS që e drejtojnë sot Policinë.

-Gënjeu publikisht kur tha se; ai, paska anëtarësuar Shqipërinë me të drejta të plota në Europol. Anëtarë me të dreta të plota në Europol janë vetëm vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Ministri i Brendshëm u shfaq mbrëmë para publikut, ndërkohë që, Shqipëria është sot, më e pasigurtë se asnjëherë më parë.

Bilancit të rënduar të krimeve, grabitjeve e tritolit, Ministri i shtoi edhe një seri gënjeshtrash skandaloze.

Gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, kur siguri kanë vetëm kriminelët, dhe kur grabitjet, vjedhjet, rrëmbimet, po bëjnë kërdinë.

Gënjeu kur tha se nuk ka lidhje me Emiliano Shullazin.

Fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së Kokainës dhe lidhjet e tyre me qeveritarët, duke mashtruar për aksionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë.

Eshtë e qartë si drita e diellit, në progres raportin e Bashkimit Europian dhe atë të Departamentit të Shtetit, se këto aksione janë sot më të pakta se më parë.

Nuk iu përgjigj pyetjes për të inkriminuarit që janë emëruar në Policinë e Shtetit dhe për numëruesit e votave të Partisë Socialiste që e drejtojnë sot Policinë.

Gënjeu publikisht kur tha se; ai, paska anëtarësuar Shqipërinë me të drejta të plota në Europol.

Gënjeshtër me bisht, thotë populli. Anëtarë me të dreta të plota në Europol janë vetëm vendet anëtare të Bashkimit Euriopian.

Mes fantazisë e mashtrimit përgjatë 3 orëve intervistë, kjo ishte e pavërteta më lapidare e Tahirit, anëtarësimi i Shqipërisë në Europol, prej atij vetë.

Tahiri përsëriti shpesh një shprehje; se ai mban përgjegjësi për atë që thotë, por mashtroi publikisht me deklarata të rreme.

Kjo shkallë mashtrimi tregon se për Tahirin dhe qeverinë kjo është kthyer në normë, dhe ata janë tashmë tërësisht të pabesueshëm.

Nëse i ka mbetur pak dinjitet, le ta nisë, duke mbajtur përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit.

Të mbash përgjegjësi, do të thotë të japësh dorëheqjen.

Partia Demokratike i kërkon ministrit ta mbajë dhe ta ushtrojë këtë përgjegjësi.

Kjo është e mjaftueshme besojmë, për Edi Ramën, që ta largojë Ministrin nga detyra, kur ai gënjen publikisht dhe nuk mban përgjegjësi për ato që thotë.


Deklaratë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Arben Ristani, 27 Shkurt 2015

Read More
26 Shk
0

Fjala në Kuvend e ish-kryeministrit Berisha

“Zoti kryesues i seancës.

Mprehtësia e problemeve dhe e zhvillimeve dramatike në vend, bëjnë që, pesha e diskutimeve të këtë tempull të anojnë aty ku qytetari është më i kërcënuar, aty ku atij i dhëmb më shumë, aty ky ai kërcënohet më shumë. Midis këtyre faktorëve pa diskutim, krimi dhe dhuna janë në top listë, çështjet e sigurisë se një individit janë çështja e parë e çdo individi, çështja e sigurisë së shoqërisë janë çështja e parë e çdo shoqërie, çështja e sigurisë së një vendi janë çështje të para të çdo vendi , është diskuar dhe diskutohet shpesh në këtë parlament për banda, për lidhje me krimin dhe bandat janë paraqitur fakte dhe do të vazhdojmë të paraqesim.  Prej mbi 18 muajsh me dhjetar herë opozita ka denoncuar këtu në parlament  lidhjet vëllazërore të Saimir Tahirit me Emilin e partisë. Janë bërë përpjekje të turpshme për të nxjerrë lidhje të paqene në të gjitha krahët e këtij banditi, i cili bën ligjin në pjesën dërrmuese të Tiranës, por ato kanë qenë të pandershme.  Do t’ju jap vetëm një dokument të lidhjeve të Edi Ramës me  Emilin e partisë.

Të dashur qytetarë.

Dokumenti  është i datës 15.02.2014. Republika e Shqipërisë, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë, Emili i partisë i burgosur për armëmbajtje pa lejë shpallet i pafajshëm me ndërhyrjen e partisë, por kjo është vetëm gjysma. Gjysma tjetër është ne kohen se kur Qemal Zela var veten  për mungesë ilaçesh për 35 dollarë borxh  kësaj qeverie të pa shpirt, Emili i partisë  merr të gjithë kompensimin për burgun e padrejtë që bëri  për shkak se u kap me armë. Ministri i Financave i paditur nga Emili i partisë në gjykatë dërgon përfaqësuesin e vete në Gjykatë. Gjykata vendos siç thotë Edvini. Po pse e them unë këtë dhe ku e bazoj këtë?  Nuk është e lehtë kjo të thuash se Edvini e mori në telefon gjykatësin. E them unë sepse gjyqin e fitoi Emili në shkallë të parë. Ministria e Financave është e detyruar me ligj ta apelojë, për të mbrojtur interesin tënd publiko-qytetar.  Nuk e bëri dot kurrë këtë,s epse e urdhëroi Edvin Kristaq Rama. Në fakt unë e kuptoj se Saimiri është dhjetë herë me i lig se Emili. SE të paktën Emili nuk ka marrë mandat por rrin pritave dhe skutave, ku të gjobisë, ku të vrasë, kurse Saimiri rri me Kollare dhe Rama rri me kollare. A e shihni ju zotërinj se atij i janë dhënë 5 milion lekë  dhe partia siciliste ka refuzuar ta apelojë vendimin e pa drejtë të gjykatës dhe i ka lënë 5 milion lek në xhep Emilit të partisë. Për ju që keni minimumin e përgjegjësisë ndaj qytetarëve cfarë do të thotë kjo?  Një njeri i ndershëm edhe ai  ishte njëri punëtor, serioz i cili për 35 dollarë u la në qeli, kurse Emili shpërblehet se kapet me armë pa lejë me urdhrin e Edi Ramës.  A doni një episod tjetër për lidhjet tuaja me Emilin. Para pak kohës Gjushit tuaj i bie telefoni dhe ishte  me pesë persona të tjerë në tavolinë.

– Kush je i thotë Gjushi? – Jam Emili!  Për hir të së vërtetës Gjushi ia mbyll telefonin. Pas tre minutash e merr në telefon Saimir Tahiri dhe i thotë pse ia mbylle atij telefonin. Gjatë bisedës ai i thotë se ka marrë tender  për leje pastrimin e Durrësit.

Zotërinj!

Vendin po e çoni në një katastrofë të pa merituar sepse shqiptarët krimin nuk e meritojnë. Asnjë komb nuk e meriton krimin. Ka dhjetë ditë që kronika ka ngjarje të rënda kriminale dhe terror policesk mbi popullatën. Sot dëgjoja kreun tuaj tek  ju thoshte qytetarëve , denonconi. Hipokrit!  I pa përfytyrueshëm. Po cilin dënoi nga policë të cilët grushtuan dërrmua  ju thyen kokën e këmbët qytetarëve. A e shihni këtë qytetar këtu ju deputete e Durrësit. Ky quhet Shpëtim Abazi. Shkoni e keni në spital, këmbën të thyer ,ligamenteve  e kaviljes të shqitura, që të gjitha nga komisariati i Durrësit, prej tre javësh dergjet në Spital. Barbarët kriminelet që përdorin  institucionin për ti bërë këtë atij, bënë  gjithçka që në  raportin mjekësor ti vonojnë në shkallën më maksimale sepse do të bënte padinë. Ky është Shpëtim Abazi i dhunuar.  Tani nuk i bëjnë rezonancën  duke i kërkuar që të paguajë, ia thyen këmbën ia dërrmuan pjesët e trupit dhe tani i kërkojnë  të paguajë për rezonancën. Meqenëse jemi këtu, ka edhe raste të tjera.  Më vjen një mesazh ;- “zoti Sali jam një nënë nga Pogradeci , më kanë ndaluar djalin për 0,03 gram hashash dhe e kanë liruar atë që e kapën me 50 gramë kanabis”.  Në lagjen Salo Halili në Shkodër, polici  të cilin e larguan nga puna në moshën 58 vjeçare vari veten. Ka Shkodra deputet apo jo, sepse ai mbeti vetëm më një rroga nga paga e bashkëshortes si pastruese.

Zotërinj!

Kam raste të tjera këtu, qytetarët informojnë. “Isha duke ecur rrugës më rrethojnë makinat dhe erdhën e më kapën pa patur asnjë lloj gjëje”,- terror mbi një fëmijë,  justifikimi, -“ja se po na humbasin shumë gjëra”.  Ky nuk  është  justifikim ky është banditizëm.  Çfarë ndodhi me Tomi Mishën. Absolutisht identike më atë që ndodhi në Malendrino. Po kur vjen puna për tu vërsulur ndaj tjetrit vërsulemi me të gjitha bateritë me një nacionalizëm folklorik. Po kur vijmë tek vetja jonë heshtim. Kudret Kume  u vra barbarisht në një kat racizmi të pa shembull, por të mos harrojmë se kishte vrara një gardian. Unë e kam dënuar me forcën më të madhe dhe e dënoj atë qëndrim. Autoritete greke  i arrestuan njëherë 12 dhe më pas nisën një proces. Autoritete greke, qeveria prokuroria shtypi  që të gjitha u vërsulen kundër barbarisë ndaj Kudret Kumes . Çfarë ndodhi ndaj Mishës. Misha  nuk vrau njëri, Misha nuk plagosi njëri, Misha gërvishti një makinë dhe desh i morën shpirtin njëlloj si atij në qelinë pa kamera. A e kuptoni apo jo se ku po shkojmë.  A e dini  se rrahësi ju ka rrahur dhe zhdëpur në dru edhe nënkryetarin e Bashkisë në Korçë. Po , more po. Po kush ju pyet juve . ai ngroh xhepat super dhe ishte mbi komisar drejtor e të gjithë. Sa për atë që thua për  Gazideden, ai e ka nxjerrë nga shërbimi për leckash. Me ligj e ka nxjerrë. Por këshilltari i dashur i Edi Ramës e ka pasur mik atë. Del policia në mes të rrugës në Kavajë. Njeriun e lidhur  merr e shkelmon dhe grushton, duhet të jesh kafshë që të sillesh në atë mënyrë. Dhe ata që janë vrasës i kemi dënuar me jete për krimin e ndodhur  dhe nuk mund ti vrasësh rrugëve. Ai po shoqërohej nga policia nga Shijaku në Burgun e Peqinit. Policia e nxori në pritë e bëri fërtele, po dini gjë kush e bëri, të gjithë thonë se e bëri banda e Shullazit pasi Shullazin e kishte rrahur në burg ai. Ekzistojnë të dhëna të sakta për këtë. Atëherë bandit është Tahiri nuk është Shullazi. Kur ti nxjerr në prite të tjerët. Një tjetër më thotë se 14 vjeç është Fatlindi. Të cilin e kanë marrë dhe nuk e linin të telefononte në komisariat. Kur shkova nuk kishte asnjë objeksion. Po nëse kapim fëmijë e të rinj, kjo është e turpshme,  këtë e bën vetëm një sht
et policor që zbaton metodat më të egra policore.

Çfarë më thotë tjetra?

Ish-punonjëse e IT në Drejtorinë e Shëndetësisë në Gjirokastër: Më shkarkuan pa asnjë motiv. Fitova  gjyqin. Drejtori i Shërbimit Shëndetësor të Gjirokastrës, Golemi, punon vetë në katër punë. Bën vetë katër punë. Është drejtor Drejtorie, punon në spital, punon në një spital privat ka dhe një klinikë private dhe në mënyrë kategorike refuzon të zbatojë vendimin e gjykatës dhe të më japë rrogat që më takojnë. I drejtohem ministrisë, s’më kthen asnjë përgjigje, ky është zoti Kola nga Gjirokastra.

Po kështu ka raste të tjera të panumërta. Po montoni një strategji terrori të paimagjinueshme mbi shqiptarët. Keni mbushur burgjet me 38 mijë vetë. Dhe i kënaqet shpirti nipit të Spiro Kolekës.

Avokati i Populli ka faktuar se futen 20 vetë në një qeli, që përbën torturë të rëndë psikologjike dhe fizike. Të gjitha këto krime, asgjë nuk ndodh, unë i them vetëm dy fjalë kësaj zonjës këtu (ministres Lindita Nikolla). Ju nuk arrini të shihni veten tuaj sepse Liza është modeli juaj, sepse Moza Kuqi është modeli juaj dhe të flasësh sikur s’ka ndodh asgjë do të thotë që të jetosh në këmbë, sepse ato që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe të shkurtër nuk kanë ndodhur kurrë në historinë e shtetit shqiptar. Lizë nuk ka patur Shqipëria ndonjëherë. Liza është modeli i prostitucionit shtetëror, ai në të gjitha manualet quhet prostitucion shtetëror sepse organizohet nga shteti në institucionet e shtetit. Ndodhi rasti tjetër, askujt nuk i hyri gjembi në këmbë. Po pse? Sepse Liza i kishte shndërruar në klientë të rrjetit të saj një pjesë të mirë të atyre që duhet të vendosin. Dhe e mbrojtën. Po Moza Kuqi ku është simboli juaj, po badigardi ku është? Po dhjetëra të tjerë ku janë?

Sot muri i krimit është njëri aspekt, por po kaq i tmerrshëm është muri i korrupsionit. A e dini ju që të gjitha punimet e mëdha janë bllokuar. Është bllokuar autostrada Qukës-Qafë Plloçë, është bllokuar pastrimi i ujërave për Tiranën, 120 milionë dollarë, është bllokuar ujësjellësi i Durrësit, dhjetëra e dhjetëra milionë dollarë. Po pse? Sepse vetëm e vetëm po i shtypni dhe po i shtypni në mënyrë që të fusni në xhepa sa më shumë. I bëj thirrje Bankës Botërore të ndalet me seriozitetin më të madh mbi këto që po ndodhin. Të shqyrtojë tenderin pavarësisht se nuk është financuar prej saj, i pastrimit të ujërave të Tiranës, tenderin e autostradës Qukës-Qafë Plloçë, të shqyrtojë tenderin e ujësjellësit të Durrësit, të tria këto janë nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Pse këto mbahen peng prej dy vitesh? Çfarë ndodh me këtë mazhorancë, i bën dhe i ribën derisa të gjejnë kushtet për të mbushur xhepat. Unë mendoj se Shqipëria ka nevojë për kredi, por kreditë duhet të shkojnë në interesin më të mirë të qytetarëve. I kërkoj Bankës Botërore sot të shqyrtojë të gjitha qëndrimet e saj, sepse në parime themelore ajo nuk mund të mbështesë kurrë në një projekt që ndryshon për keq jetën, qoftë edhe të një qytetari. Banka Botërore ka parim themelor reduktimin e varfërisë, urdhëroni sillni grupe, shihni ç’po ndodh me terrorin energjetik të kësaj qeverie, i cili ka vetëm një shkak, vjedhjen e tmerrshme të 620 milionë eurove që qeveria bëri me CEZ-in. Ka vetëm këtë shkak.

Ndërkohë kur ai merr dhjetëra hektarë në Poro, ndryshon destinacionin bashkë të vëllanë, Koçoja. Do të bëjë resorte. E kisha bllokuar me vite të tëra. E gjeti tani.

***

– Jam një invalide nga Shkodra, jam e vetme në shtëpi, s’kam pasur dhe as kam për t’i paguar dritat sepse më kanë ardhur 15 milionë lekë të vjetra. 6 mijë marr ilaçet. Unë kam me çfarë t’i paguaj. CEZ shpërndarja dërgoi faturën e energjisë 2007-2010 zero lekë, kurse pas kësaj më vjen fatura e energjisë 2007-2014 2 qind e 42 mijë e 3 qind e 92 lekë. Ku të shkoj unë? Me konkrata, me të gjitha aktmarrëveshjet ramë dakord, të gjithë të paguajmë gjithçka. Bëmë aktmarrëveshjen dhe thanë që do të paguani çdo muaj 25 mijë lekë. Iku kjo dhe vetëm në janar më sollën faturën 2 milionë lekë. Më arrestojnë babain, kur ne gatuajmë me gaz, fatura ishte 70 mijë lekë, e paguajmë, jo na thanë të nesërmen, kjo faturë nuk është 70 mijë, kjo faturë është dhjetë herë më e madhe. Ma rrëmbyen babain thotë, ma morën tre ditë në komisariat dhe tani i thonë do të vish me detyrim të paraqitesh.

Ju përdorni energjinë për të ushtruar terror ndaj qytetarëve, ato para po vidhen me thasë, aty është një nga burimet më të mëdha të vjedhjes së qytetarëve. Po u them me saktësinë më të madhe.

****

Jam me dy pleq në shtëpi dhe me një vajzë të vogël. Kam vetëm një dhomë. Ramë dakord të paguajmë 25 mijë lekë me kamatën shtesë çdo muaj. As që ia varën fare kësaj. Erdhën me 2 milionë lekë ose do të shkosh në qeli. Për të vendosur një lidhje me OSHEE është një ferr i vërtetë, nuk e ve sot dot kurrë pa muaj. Një javë të shkon për të plotësuar dokumente, javë të tjera do të presësh derisa të japësh ryshfetin. Me radhë e me radhë pa dy muaj nuk e merr dot kurrë energjinë.

Mos i besoni ja ku jeni, janë qytetarë të ndershëm, burra, gra, njerëz me halle. Këto nuk mbarojnë. Është fushatë terrori ndaj qytetarëve. Nuk bën njeriu kështu. Edhe këto para po vidhen të gjitha.

***

Më kanë faturuar mua 8 milionë lekë pa qenë në shtëpi, duke qenë çdo ditë në Greqi. Pa patur njeri në shtëpi.

***

Jam nga Kavaja. Posedoj një farmaci dhe jo më larg se sot më vjen një pacient me recetë nga mjeku. Pasi merr ilaçet pacienti shkon përsëri tek mjeku për t’i treguar ilaçet që ia kërkoi mjeku dhe për çudi pas 10 minutash më kthehet në farmaci pacienti dhe më thotë që mjeku më tha se duhet të jenë italiane pa firmë, kontrabandë. Shkon merr ilaçet tek farmacia që i ka këto ilaçe dhe kjo është farmacia e drejtorit të Spitalit të Kavajës, Dr. Agron Beut. E marr në telefon mjekun dhe i kërkoj sqarim se përse duhet të shkruajë ilaçe italiane pa pullë kur ato nuk mund të tregtohen dhe ne kemi ilaçet tona me pullë. Më thotë se nëse nuk i ke ti, i ka farmacia tjetër. Ky është standardi i këtij që bën një luftë të pashembull në historinë e këtij vendi kundër bluzave të bardha.

Për të thënë se na mashtroi këtu:

Medindo-pa ishte 7.6 e ka bërë 10.5

Adenalol ishte 2.3 e ka bere 3.1, ky që gjoja na mashtron me çmime të ulta

Amotidina nga 1.9 ne 2.7

Nifetidin nga 6.7 ne 8.7

Rinitidinen nga 3.3 ne 5

Ameofilinen nga 10 ne 14.8

Kodeinen nga 10 ne 14.5

Lista do lexohet këtu në Parlament si dëshmi e mashtrimeve të paskrupullta ndaj të sëmurëve.

Çfarë ka bërë tjetër? Zoti Nasip kur ju kishit Ministrinë e Shëndetësisë, me paratë e Këshillit të Europës dhe shtetit shqiptar u ndërtua ndoshta spitali më modern që kishim patur ndonjëherë, shtetëror, spitali i urg
jencës. Në katin e parë nën dhe janë aparaturat më moderne që ekzitojnë për sterilizimin. Të të gjitha mjeteve, të cilat janë të papërdorura në asnjë sekondë sepse nuk kishim specialistë për t’i përdorur, çka do të thotë se duhet të merrnim specialistë. Ato janë fjala e fundit e teknologjisë. Çfarë po ndodh? Na doli Nushi tjetër tani. Na mbiu. Një firmë tjetër do të marrë pastrimin, sterilizimin e të gjithë instrumenteve mjekësore të Shqipërisë, ndërsa qendra aty poshtë në bodrum ka kapacitet tejkaluar Tiranën së paku dy herë. Sepse duhet të vijë një firmë që duhet të mbushë xhepat, por ky është krim. Është krim i shëmtuar, s’ka bërë kurrë në historinë e Shqipërisë një qeveri kështu siç silleni ju. Ju ftoj të keni përgjegjësi ndaj këtyre.

Natyrisht që kur je zhyt në baltën e Karavastasë (Erion Braçes), nuk do të dëgjojë më për qytetarët, por i bindur të jesh që halat do të mbeten në fyt ty, ty dhe shumë të tjerëve. Ne jemi këtu për të qenë më të pamposhtur për të mbrojtur interesin qytetar që ju po i vidhni, ju po i rrezikoni jetën, që ju po rrënoni çdo gjë. Ndaj dhe koha juaj ka skaduar. Ftoj shqiptarët të çojnë Shqipërinë drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme për t’u ndarë nga kjo e keqe e madhe, nga kjo farë e keqe, e bllokut hoxhist që qeveris sot vendin!


Fjala e ish-Kryeministrit Sali Berisha në Parlament, 26 Shkurt 2015

Read More
26 Shk
0

Kush pasurohet në këtë vend?!

Parlamenti, sot ka në rendin e ditës marrëveshjen për Heqjen e Tatimit të Dyfishtë me Republikën e Islandës. Një marrëveshje pozitive për sa i përket heqjes së tatimit të dyfishtë për bizneset që operojnë në Shqipëri apo ato shqiptare që operojnë në Islandë. Ndonëse, kjo marrëveshje vjen në një moment aspak të mirë për vendin. Gjendja politike, ekonomike dhe sociale është e rënduar dhe ndaj dhe po parashtroj disa pika të rëndësishme në këtë diskutim të cilat janë si më poshtë:

– Qytetarët e vendit vuajnë pasojat e një politike që pasuron njerëzit pranë qeverisë, rasti i parë është ai i abuzimeve me shitjen e energjisë elektrike. Në muajin Shkurtë, OSHEE bleu energjinë elektrike në 4 kompani të cilave vetëm disa ditë më pas KESH u shiti energjinë (që mund t’ia shiste OSHEE-së) 2 milionë euro më lirë se sa blerja e OSHEE. Asnjë përgjegjës për këtë abuzim dhe vjedhje të hapur të parave tona që përkthehet në çmim më të lartë të energjisë elektrike.

– Një deputet i qeverisë, Koço Kokdhima, zbulohet se ka përfituar 150 kontrata nga paratë publike të qytetarëve në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Askush nga qeveria apo nga mazhoranca në parlament nuk kërkon heqjen e mandatit për të. Ndërkohë që shqiptarët vuajnë rritjen e taksave, çmimeve, tarifave dhe nuk mund të konsumojnë dot si më parë ndërsa deputetët e qeverisë pasurohen.

– Një shtet i cili burgos të dobëtit e këtij vendi, të varfërit që nuk paguajnë energjinë sepse çmimi është i papërballueshëm. Nuk flet asnjë fjalë për ato që abuzojnë haptazi me paratë e taksapaguesve.

– Një qeveri që ka ulur shpenzimet kapitale sepse duhet të paguajë për një vend pune dy punonjës. 3.3 miliardë lekë ka shpenzuar vetëm në 2014 qeveria për të paguar me paratë tona punësimin në kundërshtim me ligjin të militantëve të saj.

Sa e vlefshme në realitetin tonë mund të jetë një marrëveshje e tillë kur ne luftojmë për një mbijetesë ndërkohë që pushtetarët luftojnë se kush të pasurohet më shumë?! Kjo është pyetja që i ftova t’i bëjnë vetes mazhoranca që deri më dje u qante hallin xhepave të qytetarëve ndërsa sot mendojnë për xhepat e tyre.


Fjala në Kuvend e deputetes së PD, Jorida Tabaku, 26 shkurt 2015

Read More