Blog

04 Shk
0

Situata është kritike, të shpallet menjëherë gjendja e emergjencës

Kërkesat e Kryetari të Partisë Demokratike drejtuar qeverisë:

-Të shpallë gjendjen e emergjencës.

-T’i futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin  e  gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre  të domosdoshme.

-Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës,  për  gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.

-Të  përllogariten në vijimësi humbjet dhe të vendoset kompensimi i tyre konform ligjeve të vendit.

-Të marrin masa  pa humbur kohë për të evituar përmbytjet dhe fatkeqësitë e  evitueshme në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.

-Të  rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e  fondeve për  bujqësinë  dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet  dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.

Të nderuar deputetë,

Nëser është seanca e radhës, por nuk ka asgjë rutinë apo të zakonshme në Shqipëri për momentin. Vlora dhe Fieri, Gjirokastra, Permeti, Tepelena, Berati, Elbasani dhe  shumë bashki dhe komuna  janë prej  katër ditësh dhe vazhdojnë të jenë në një situatë dramatike, të jashtëzakonshme, për shkak të reshjeve masive që kanë goditur këto zona dhe kanë përmbytur shtëpitë, pasuritë, bagëtitë, pronat, tokat dhe të mbjellat e mijëra e mijëra familjeve shqiptare, duke u shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.

Këto zona janë në fakt në gjendjen e emergjencës kritike, pavarësisht se kryeministri, për t’u ikur përgjegjësive nuk e ka njohur dhe nuk e ka shpallur gjendjen e emergjencës deri në këtë moment. Banorët e këtyre zonave janë në alarm të madh, në një të keqe të madhe që i ka zënë. Po vajtojnë humbjet e jashtëzakonshme.

Sot kam qenë në Fier dhe në Vlorë, kam parë nga afër gjendjen dhe kam biseduar me dhjetra e qindra banorë të goditur. Përpara meje kanë qenë në  zonat e përmbytura Sekretari i Përgjithshëm, zoti Ristani, deputetë të zonave, zonja Vokshi kryetare e Komisionit për Çështjet Sociale, dhe zyrtarë të tjerë qendrorë dhe vendorë të Partisë Demokratike.

Dua ta nis me një falenderim për kontributin e gjithë atyre trupave vullnetare apo pjesëtarë të strukturave shtetërore,  policë, ushtarakë, civile  që  u angazhuan në momentin e parë dhe në vazhdimësi për të evituar  humbjet eventuale të jetëve njerëzore.

Në emrin tim, në emrin tuaj, në emër të Partisë Demokratike u shprehim  falenderimet dhe mirënjohjen me të thellë familjeve vlonjate, fierake, beratase e tjerë, që kanë hapur dyert për  familjet e përmbytyra. Ky është solidariteti  njerëzor, një vlerë e vjetër mbarëshqiptare, vlera që që na sjellin më afër me njëri-tjetrin për të ndihmuar në ditë të vështira, në ditë të këqia si këto që po përjetojnë qindra e mijëra familje të këtyre zonave.

Falenderim të veçantë kam për gazetarët, mediat e pavarura, korespondentët e terrenit, që kanë raportuar me realizëm zhvillimet dhe të vertetën në zonat e përmbytura, që kanë mbrojtur e po mbrojnë me integritet të lartë dhe sakrificë vlerat e profesionit, kundër  presioneve, denigrimeve apo zhurmuesve  që ka lëshuar kundër tyre qeveria propagandistike.

Por nga ana tjetër, ne si opozitë, bashkë me  mediat e pavarura  që monitorojnë pa pushim gjendjen në terren,  kemi denoncuar dhe denocojmë me forcë  sërish sot,  braktisjen e banorëve  në fatkeqësi nga qeveria, nënvlerësimin  e fatkeqësisë së tyre, nga qeveria, mungesën e një  operacioni  dinamik dhe efikas të emergjencës për t’u ardhur  në ndihmë apo për të lehtësuar kushtet e tmerrshme në të cilat janë shtrënguar  të jetojnë apo më mirë të themi të mbijetojnë.

Janë lënë në mëshirën e rastit dhe në varësinë e  fatit për t’u strehuar, për tu ushqyer, për ujin e pijshëm, për bagëtitë, e deri  për të siguruar vendin se ku do kalojnë natën. Kushdo që i takon dhe bisedon me këta banorë siç shumë prej nesh kanë bërë këto ditë, e kupton fare qartë se një shpërfillje e tillë nga ana e ekzekutivit  nuk  ka ndodhur në asnjë prej fatkeqësive natyrore që ka goditur vendin tonë.

Përballë situatës kritike të emergjencës, përballë mijëra e mijëra  burrave, grave, fëmijëve,  pleqve dhe të sëmurëve që janë shtrënguar të lënë banesat e përmbytura dhe të strehohen te miqtë e tyre, përballë shtëpive nën ujë, tokave të përmbytura  dhe  bagëtive të mbytura, përballë dhjetra   e  dhjetra rasteve kur banorët detyrohen  të paguajnë skafistë  privatë për të shpëtuar bagëtitë e tyre, “shkëlqen” margaritari i mashtrimit, qeveria e Edi Ramës, vetëm në një drejtim: në propagandë, në demagogji, në llafollogji dhe në fajësimin e opozitës!

Ma thanë sot drejt, disa banorë  të zonave të përmbytura:  qeveria krihet ndërkohë që fshati digjet. Kryeministri gjen kohë të dredhë  zinxhirin. Janë fjalë pak të zbukuruara sepse aty ku isha ma thanë më vendçe. E kanë marrë vesh të gjithë, se në këtë kohë përparësia e Kryeministrit mbeten eglendisjet, qejfet. E kanë marrë vesh të gjithë se kur Gjirokastra dhe Vlora po përmbyteshin, ai bënte qejf në Korçë.

E vërteta e përmbytjeve në Jug nuk është ajo që thotë qeveria propagandistike dhe veglat e saj.

Eshtë ajo që jetojnë dhe thonë banorët  e zonave të përmbytura.  Eshtë ajo që ata ankojnë, ajo që ulërasin  të revoltuar shumë prej tyre për shkak të  braktisjes, shpërfilljes dhe demagogjisë qeveritare.

Kjo është qeveria e shpërfilljes arrogante të halleve, fatkeqësive, brengave  dhe nevojave  më jetike të njerëzve – këtë e dimë. E kemi parë  e denoncuar  me dhjetra herë qëkurse Rama-Meta kanë ardhur në pushtet.

Kjo është qeveria e pashpirtësisë- edhe këtë e dimë. E kemi parë e denoncuar  me qindra raste dyshen “Rama-Metën” që arrreston fukarenj dhe të pamundur, i harron në qeli, i shtyn deri në vetvrasje.

Kjo është qeveria e arbitraritetit dhe arrogancës, e dime ne dhe gjithë shqiptarët. E kemi parë e denoncuar me qindra mijëra herë  qeverinë  që ka shembur në kundërshtim flagrant me ligjin dhe me  pashpirtësi ektreme  shtëpitë e jetës, mundin dhe kursimet të sa e sa shqiptarëve, për të cilat, do të japin llogari patjetër para drejtësisë.

Duan ta vazhdojnë në Vlorë këtë  avaz.  Rama  nuk rri dot asnjë ditë pa prishur, pa shkatërruar, pa goditur  qytetarët e këtij vendi.

Në kulmin e fatkeqësise natyrore të reshjeve dhe përmbytjeve në gjithë vendin, deputeti dhe kreu i ekzekutivit lajmëron se do të vijoje me prishjet e shtëpive të hallexhinjve në Vlorë pa i kompensuar fare me vlerë tregu. Ky është një qëndrim i pa
shoq, tipik i dyshes Rama-Meta që në vend se të cojnë të gjitha mjetet, resurset, mjetet e rënda për të zhbllokuar rrugët, për të vendosur prita, për të riparuar apo ndërtuar argjinaturat, për të parandaluar dëmet e metejshme, tani po mendojne si të bëjnë garë me natyrën për të dëmtuar më shumë njerëzit.

Kjo është qeveria e demagogjisë, rrenave dhe mashtrimeve, – edhe këtë e dimë. Por  me rastin e përmbytjeve në Jug, sikurse edhe me rastin e pilotit major të  forcave  të armatosura  që humbi jetën  në Spanjë  duke pilotuar një  helikopter të  ngarkuar me drogë, kemi mësuar dhe ka dalë në pah një tjetër  ves i  kësaj qeverie:  Kjo është qeveria që ka lënë punën.

Eshtë qeveria që ka braktisur punën.Ajo dhe agjencitë e saj. Qindra punonjës të Shërbimit Informativ të Ushtrisë, të Policisë Ushtarake dhe instuticioneve  të tjera të kontrollit, që janë numerikisht shumëfishi i subjekteve për t’u kontrolluar në sektorë të  veçantë të Forcave të Armatosura, kanë rezultuar jashtë loje në rastin e pilotit të drogës.

Shkrehje apo demotivim nga ngritja dhe promovimi i drogës në sistem prej kësaj qeveria e cila i ka shtyrë të mbyllin gojën, kjo pak rëndësi ka. Përgjegjësia  politike në të dyja rastet i shkon e plotë zonjës ministre dhe zotit kryeministër.

Por këta nuk e dinë ç’është përgjegjësia, nuk e  dinë ç’është llogaridhënia në sistemin demokrattik. Shkojnë e vijnë lart e poshtë duke mburrur njëri-tjetrin, i japin dekorata njëri tjetrit në parada qesharake, reklamojnë suksese  që nuk i sheh njeri dhe nuk i prek  njeri, me përjashtim të klientelës së tyre të ngushtë politike-ekonomike të dyshes Rama-Meta.

Puna e vetme që nuk e ndalin asnjë minutë  është të akuzojnë opozitën. Nuk kanë bërë asnjë ditë qeverinë, vazhdojnë të bëjnë opozitën e ish-qeverisë. Ky është një perversitet i madh politik, por edhe një tallje e madhe me zgjedhësit që i kanë votuar para një viti e gjysëm për të qeverisur.

Po e shohim edhe në rastin e përmbytjeve. Kryeministri, një e dy dhe fajin për përmbytjet e paska opozita.  Kujton se njerëzit hanë bar dhe besojnë  mbroçkullat e tij. Njerëzit jo që nuk i besojnë, por me sa po shoh unë në  takimet e mia me qytetarët, nuk duan ta dëgjojmë më, nuk dua ta shohin më me sy, aq i pabesueshëm është bërë.

Pse ke  ulur e shkurtuar  investimet për  bujqësinë, për hidrovoret, për kanalizimet, për kullimin, për veprat mbrojtëse të tokës dhe vendbanimeve? Pse i destinon paratë e taksapaguesve tek vila e gjethit, tek bunkarti yt, tek festa e dritave, e të tjera vepra luksi “Jessie James” dhe korrupsioni qeveritar, si ato që kemi denoncuar dhe nuk  i çon aty ku janë nevojat me të mëdha për sigurinë e  shtëpive, tokave, bagëtive dhe jetës të  qytetarëve.

Pse nuk  ke  ndërhyrë  me INUK-un tënd aty ku  thua se paska qenë e keqja,  por s’ke lenë shtëpi pa rrafshuar aty ku  s’të pëlqente ty apo kishe mllefe për të nxjerrë? Pse nuk  shpall gjendjen e emergjencës?

Këto janë  pyetjet  që bëjnë  njerëzit, familjet e përmbytura, media e pavarur dhe ne si opozitë.  Kryeministri hesht. Heshtja e tij flet. Heshtja e tij thotë “s’ma ndjen. Kështu e kam nisur e kështu do ta vazhdoj sa të jem në këtë karrige”.

Në fakt emergjenca më e madhe  kombëtare, që ua kalon përmbytjeve, është pikërisht kryeministri i papërgjegjshëm. Ditë pas dite kjo po bëhet bindja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Dhe shumë shpejt kjo shumicë do të jetë aq e madhe e aq zëlartë për tu ndjerë rehat vetëm me hapësirën e jashtëzakonshme të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, apo sheshit Skënderbej apo të çdo sheshi tjetër në Shqipëri.

Sot jemi në emergjencë dhe prandaj nga kjo mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, në emrin tuaj, në emër të gjithë deputeve të opozitës, në emër të shumicës  qytetare në vend, i kërkoj  kryeministrit dhe qeverisë:

Të shpallë gjendjen e emergjencës.

T’i  futen punës, të organizojnë me plane konkrete mbështetjen e banorëve të zonave të përmbytura, lehtësimin  e  gjendjes së tyre, plotësimin e nevojave të tyre  të domosdoshme.

Të informohet media dhe publiku në mënyrë zyrtare, në çdo orë të ditës,  për  gjendjen dhe zhvillimet në zonat e goditura.

Të  përllogaritën në vijimësi  humbjet dhe të  vendoset kompensimi i  tyre konform ligjeve të vendit.

Të marrin masa  pa humbur kohë për të evituar përmbytjet  dhe fatkeqësitë e  evitueshme  në zonat e tjera të vendit që mund të goditen në ditët në vijim nga reshjet dhe moti i keq.

Të  rishikohet buxheti i shtetit më qëllim alokimin dhe rritjen e  fondeve për  bujqësinë  dhe mbrojtjen nga përmbytjet dhe moti i keq, duke hequr dorë nga investimet  dhe shpenzimet e luksit dhe korrupsionit qeveritar.

Ne do të vijojmë të qëndrojmë  pranë zonave të përmbytura për të ndihmuar me të gjitha fuqitë dhe mundësitë tona, për të dëgjuar zërin e tyre, për të ngritur zërin e tyre në Kuvend nesër dhe në vazhdim, për të ngritur zërin e tyre në çdo tribunë të komunikimit  publik, për të  nxitur e shkundur qeverinë, për të promovuar solidaritetin qytetar me njerëzit në nevojë, duke dhënë ne shembullin tonë, siç bëri dje dega e PD-së e Vlorës, ndërsa sot ajo e Fierit.

Të gjithë deputetët tanë do të vazhdojnë të jenë në kontakt të përhershëm me zonat  dhe qarqet e tyre, e në veçanti në zonat e përmbytura, për të informuar për gjendjen dhe përpektivën e  afërt në dritën e parashikimeve të motit, të jemi të parët që të japim alarmin e të kërkojnë ndërhyrje në pikat ku mund të godasë përmbytja, të jemi panë qytetarëve me qytetarët siç është mendësia, filozofia, dhe vetë arsyeja e ekzistencës tonë.

Faleminderit!

Read More
04 Shk
0

Basha me banorët e përmbytur: Situata dramatike, çfarë pret Kryeministri për të vepruar

Basha: “Situata është katastrofike, ç’farë pret më që të shpallë gjendjen e mergjencës?! I përsëris dhe njëherë kërkesën time kryeministrit Rama, jo si kryetar i opozitës por si qytetar, si prind. Kjo është situata, nuk e ka fabrikuar as opozita dhe as media këtë. Shpall gjendjen e emergjencës, vihu në krye të shtabit dhe nis menjëherë planin e masave”.

Kryetari i Partisë Demokratike ishte sot pranë banorëve të zonave të përmbytura të Fierit dhe Vlorës ku pa nga afër gjëndjen e tyre kritike dhe mungesën e përpjekjeve dhe angazhimit të strukturave qeveritare.

“Gjendja është jashtëzakonisht e rëndë. Këtu në këtë fshat niveli i ujit vazhdon të rritet. Në një pjesë të fshatit ka kaluar mbi dy metra dhe ka përmbytur tërësisht banesat e fshatarëve, të banorëve, shpesh herë të kryefamiljarve apo dhe të moshuarve që janë të vetëm në shtëpi. Banorët thonë që askush nuk është interesuar deri më sot. Gjendja është shumë e rëndë. Prioriteti numër një, i çdokujt sot, duhet të jetë jeta e njerëzve, prona e tyre dhe normalizimi sa më shpejt i furnizimit me ujë me ushqime dhe me çdo masë që mos t’u ngordhë bagëtia që është dhe mjeti kryesor dhei vetmi i jetës së tyre. Ndaj, së pari, i bëj thirrje autoriteteve të zhvendosen me shpejtësi aty ku ka ndodhur katastrofa. Nuk bën fajde të bësh thirrje vetëm nga ekranet. Resurset e shtetit duhet të jenë në dispozicion të qytetarve të përmbytur, kudo ku kjo kandodhur. Këtu nuk ka ardhur akoma askush”, tha Bashan teksa vizitoi fshatin Darzezë.

Banorët u ankuan për mungesë strehimi, për mungesë ushqimi e uji të pishëm dhe mungesë ushqimi për gjënë e gjallë.

“Po mbytet shtëpia, a ka shtet a s’ka shtet? Të vërë dorë shteti, po mbytemi. Po mbytet ky fshat, vini dorë. Nuk po duroj dot më”, u shpreh një banore e fshatit.

“Mungesa e ujit të pijshëm, mbytja e bagëtive, përparimi i nivelit të ujit dhe futja e tij edhe më thellë nëpër shtëpitë e banorve është rrezik real dhe në përparim. Nuk e kuptojmë se përse qeveria nuk ka shpallur akoma gjendjen e jashtëzakonshme. Çfarë pritet që të shpallet gjendja e jashtëzakonshme? Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme, duhet të shallet si e tillë. Kryeministri duhet të vihet në krye të shtabit dhe të marrë masat e plota. Të evakuohen banorët kudo ku rreziku vazhdon, siç bëhet fjalë për pesë familje më larg nga këtu ku jemi ne, ku akoma askush nuk ka shkuar. Të merren masat për t’iu ardhur në ndihmë me ujë të pijshëm, me mbështetjen elementare, me ushqime aty ku ka nevojë. Të merren masa për të evakuuar bagëtitë dhe gjënë e gjallë dhe për ti mbështetur me bazë ushqimore minimale. Pra, të kalohet në planin e veprimit siç është plani i veprimit në rastet e përmbytjeve. Shqipëria nuk përmbytet për herë të parë, ka një plan veprimi. Por e para dhe kryesorja është të shpallet gjendja e emergjencës. Është absurde, paradoksale, e papranueshme që akoma nuk është shpallur gjendja e emergjencës. Ndaj thirrja ime urgjente është; të shpallet sot, menjëherë, brenda orës, gjendja e emergjencës. Të mblidhet shtabi qendror i emergjencës dhe të dislokohet numri i mjaftueshëm i resurseve për t’u ardhur në ndihmë banorëve”, tha Basha.

Kryetari I Partisë Demokratike ishte dhe pranë banorëve të zonave më të rënduara në Vlorë, si në Fshatin Fitore e Bishan të Novoselës.

 “Kerkojmë nga shteti të hapen kanalet. Gjëndja është e tmerrshme, skemi asnjë përkrahje”, u shpreh një banor i zonës.

“Situata është dramatike, emergjenca vazhdon në çdo kuptim. Pjesa më e madhe e shtëpive vazhdojnë të jenë nën ujë, edhe kur është tërhequr uji, janë tërësisht të pabanueshme, fëmijë të vegjël e të mitur janë shpërndarë dhe mbahen nëpër zona të tjera larg larg familjeve, të sëmurët po kështu, pra familjet janë në një gjëndje të shpartalluar. Kjo është gjendje emergjence, ndaj sa të bëjmë kot debate boshe, i bëj thirrje kryeministrit Rama: Mos u merr me opozitën por shpall gjendjen e emergjencës. Shpall gjendjen e emergjencës pasi këta njerës flasin vetë, nuk kemi ardhur ne këtu të bëjmë politikë me ta. Ne duam që ata të mbështeten me ujë, me veshmbathje, me çizme, me ushqime”, u shpreh Basha.

“Po këtu nuk vjen njeri, ose vjen 5 min para se të vijë kryetari i opozitës. Kjo është kriminale, dy minuta erdhi kryeministri i Shqipërisë”, ankohet një banor.

“Nuk është përmbytur vetëm i majti apo i djathti. Po të gjithë qytetarët, se vjen dhe na përmend votat kryeministri, rri dy minuta atje lart e na tregonte me dorë nga qielli, e dimë ne që fajin e ka moti, po tani cdo bëjmë të flemë në rrugë”, shprehet një banor.

“Kjo do të thotë të refuzosh të shohësh dhe të dëgjosh realitetin. Realitetin e dhimbshëm dhe tronditës, dramatik të këtyre banorëve. Duhet një përpjekje e organizuar e shtetit, ka njerëz të përkushtuar dhe me përvojë për të përballuar emergjencat që e dinë se emergjenca fillon me shpalljen e saj nga qeveria, me caktimin e burimeve njerzore, me caktimin e personelit për cdo zonë të përmbytur, me komunikimin e përhershëm, me furnizimin e përhershëm, me avakuimin, me marrjen në mbrojtje të të sëmurëve , pleqve e fëmijëve etj etj. Gjendja është katastrofike, ç’farë pret më që të shpallë gjendjen e mergjencës?! I përsëris dhe njëherë kërkesën time kryeministrit Rama, jo si kryetar i opozitës por si qytetar, si prind. Kjo është situata, nuk e ka fabrikuar as opozita dhe as media këtë. Shpall gjendjen e emergjencës, vihu në krye të shtabit dhe nis menjëherë planin e masave”, deklaroi Basha.

Read More
04 Shk
0

Kërcënimi i Galdinit, provë e kapjes së shëndetësisë nga klani mafioz


Kërcënimi i denoncuesit të korrupsionit, është dëshmi e pastër e faktit se shëndetësia është kapur nga një klan mafioz i lidhur me kryeministrin e vendit. Kjo skemë, jo vetëm ka uzurpuar shërbimet dhe të gjitha burimet financiare, por tenton të mbyllë edhe gojën e atyre që dëshmojnë, që akuzojnë me fakte.

Kanosja e bërë ndaj aktivistit të shoqërisë civile, Arian Galdini, pas denoncimit të tij publik në lidhje me një skandal të paprecedentë në shëndetësi, është një këmbanë alarmi për shoqërinë dhe vendin.

Aktivisti i shoqërisë civile solli dëshminë e tij për një rast konkret, tronditës në lidhje me korrupsionin në shëndetësi, dhe me trajtimin kriminal të pacientëve.

Galdini solli publikisht fakte dhe argumenta për të mbrojtur pretendimin e tij.

Dëshmia publike e aktivistit të shoqërisë civile u pasua fillimisht nga heshtja kriminale e Mininistrisë së Shëndetësisë, e cila nuk bëri asnjë transparencë, asnjë llogaridhënie për akuzën konkrete dhe për rastin konkret, me emra konkretë e rrethana konkrete.

Heshtja e autoriteteve është sjellje e njohur tashmë e qeverisë Rama, sjellje që ka marrë e merr në mbrojtje skemat korruptive dhe emërimet kriminale.

Pas denoncimit publik me fakte e argumenta, sipas një mekanizmi mirëfilli mafioz, vjen kërcënimi me jetë i denoncuesit, i personit që pati kurajon të zbulojë të vërtetën dramatike të gjëndjes skandaloze, abuzive, të përfitimit kriminal financiar në kurriz të qytetarëve.

Kërcënimi i denoncuesit është dëshmi e pastër e faktit se shëndetësia është kapur nga një klan mafioz i lidhur me kryeministrin e vendit. Kjo skemë, jo vetëm ka uzurpuar shërbimet dhe të gjitha burimet financiare, por tenton të mbyllë edhe gojën e atyre që dëshmojnë, që akuzojnë me fakte.

Partia Demokratike e dënon kërcënimin e bërë ndaj z. Galdinit dhe i kërkon Policisë dhe Prokurorisë ta zbardhin sa më shpejt ngjarjen, të gjejnë autorët dhe porositësit, të cilët gjenden në krye të shëndetësisë.

Ne inkurajojmë cdo përpjekje të shoqërisë civile e të qytetarëve, për të denoncuar e dëshmuar për korrupsionin dhe kapjen e shëndetësisë nga mafia pranë Edi Ramës.

Read More
04 Shk
0

Demokratët e Vlorës ndihma për të përmbyturit

Partia Demokratike me ndihmën e disa subjekeve private ka ndihmuar familjet me 200 pako me ushqime. Shpërndarja është bërë sipas listës së përcaktuar nga vetë banorët e dëmtuar nga përmbytjet. Edhe sot do të shpërndahen 150 pako të tjera me ushqimet bazë

Përmbytjet në Qarkun e Vlorës kanë marrë përmasa dramatike. Mijëra hektarë tokë janë përmbytur dhe janë në mëshirë të fatit, bashkë me to 600 krerë lopë e qindra bagëti të tjera. 1500 familje të fshatrave Fitore, Bishan, Poro, Mifol, Novosele, Akroni, Bëllenje, Delisuf janë pa strehim, pa ushqim, pa ujë dhe pa ilace. Asnjë përfaqësues i shtetit nuk ka prekur nga afër situatën. Shkollat janë mbyllur e fëmijëve e të moshuarve nuk po i ofrohen kushtet minimale për jetesë.

Në zonën më të prekur të qarkut të Vlorës, nuk funksionon asnjë shtab emergjence.

Duke parë se situata sa vjen e përkeqësohet e shteti nuk vë dorë mbi banorët e prekur nga fatkeqësia, Partia Demokratike me ndihmën e disa subjekeve private ka ndihmuar familjet me 200 pako me ushqime. Shpërndarja është bërë sipas listës së përcaktuar nga vetë banorët e dëmtuar nga përmbytjet. Edhe sot do të shpërndahen 150 pako të tjera me ushqimet bazë.

Partia Demokratike e Vlorës i bën thirrje qytetarëve dhe atyre që kanë mundësi të ndihmojnë, që të angazhohen në këtë situatë për t’iu gjendur afër të dëmtuarve, në kushtet e neglizhencës dhe mosekzistencës së strukturave të qeverisë.

 

 

Read More
03 Shk
0

Vokshi në zonat e përmbytura, gjendja alarmante, duhet ndërhyrje e menjëhershme

Mijëra banorë të Novoselës, Urës së Mifolit, Dardhzezës, Ferrasit  e Levanit në gjendje dramatike. Vokshi ripërsërit kërkesën drejtuar qeverisë për reagim të shpejtë dhe marrjen e masave të menjëhershme për strehim, për ushqim e medikamente, si dhe për ushqim për gjënë e gjallë

 

Deputetja Albana Vokshi vizitoi sot zonat e përmbytura të Vlorës dhe Fierit, ku u takua nga afër me qindra banorë të cilët po vuajnë pasoja dramatike të shkaktuar nga reshjet e fundit.

Të dëmtuarit u shprehën se nuk kanë ende një vend ku të strehohen dhe po vuajnë nga mungesa e ushqimit dhe e ujit të pishëm. Problem serioz është edhe mungesa e ushqimit për gjënë e gjallë, për ato që kanë mundur të shpëtojnë nga përmbytjet.

Në zonat e Novoselës, Urës së Mifolit, Dardhzezë, Ferras, Levan, u vu re se përpjekjet e strukturave janë të pamjaftueshme. Shpesh këto përpjekje e struktura mungojnë fare. Banorët kanë nevojë për përgjigje të menjëhershme, pasi gjëndja është alaramante.

Banorët janë të traumatizuar dhe janë me qindra bagëtitë e mbytura deri më tani ndërkohë që nuk ka asnjë siguri për ditët në vazhdim.

Deputetja Vokshi ripërsëriti kërkesën drejtuar qeverisë për reagim të shpejtë dhe marrjen e masave të menjëhershme për strehim, për ushqim e medikamente, si dhe për ushqim për gjënë e gjallë.

 

 

 

Read More
03 Shk
0

Gjendja nga përmbytjet dramatike, asnjë masë konkrete nga qeveria

Partia Demokratike i përsërisit thirrjen z.Rama, që të vihet në krye të shtabit të emergjensës e të vërë në jetë një plan konkret masash për lehtësimin e situatës, për tu ardhur në dihmë të evakuarve dhe atyre që janë të izoluar nga përmbytjet, me ushqime, medikamente dhe ushqime për gjënë e gjallë. Dhimbja dhe vuajtja e qytetarëve kërkojnë përgjigje të menjëhershme, jo vëzhgim e premtime të pabesueshme.

Banorët e goditur nga përmbytjet në Jug të vendit po kalojnë momente dramatike, ndërkohë që qeveria ende nuk ka marrë masat e duhura.

Ende nuk janë ngritur qendra strehimi, teksa të dëmtuarit po kalojnë netët nëpër shtëpitë e të njohurve.

Edi Rama flet për të ardhmen, por konkretisht asnjë masë për qytetarët që janë në qiell të hapur, dhe asnjë masë për gjënë e gjallë e pronat e tyre.

Asnjë siguri konkrete nuk është ofruar për dëmshpërblimet.

Banorët kanë nevojë për zgjidhje emergjente, tani, në këtë moment, dhe nuk kanë nevojë për premtime boshe.

Ndërkohë, kemi informacion se në Kurvelesh, rreth 1200 banorë, janë pa energji e të bllokuar nga dëbora prej 5 ditësh. Ata ankohen se nuk po komkunikojnë dot as me autoritetet e as me deputetët e mazhorancës që i përfaqësojnë.

Në Fier në fshatrat Dardhzezë, Hoxharë, Poro e Cerven, gjëndja është katastrofike. Nuk ka asnjë masë konkrete për t’u ardhur në ndihmë banorëve që po vuajnë për strehim e ushqim. Ndërkohë që po humbasin gjënë e gjallë.

Në Vlorë, në fshatrat Bishan e Fitore, gjëndja është alarmante. Edhe këtu asnjë masë konkrete nga autoritetet për strehim e ushqim. Vetëm premtime.

Në Tepelenë, Memaliaj, Gjirokastër, Përmet, banorët kanë përballuar vetë pasojat e përmbytjeve, pasi nuk është parë asnjë prezencë e strukturave të shtetit.

5 fshatra gjenden krejtësisht të izoluar në Këlcyrë. Ka mungesë energjie në dhjetra komuna.

Për fat të keq, situata është dramatike. Dhe nuk kemi asnjë masë konkrete nga Edi Rama, i cili në vend që të përgjigjet për jetën e pronën e qytetarëve, zgjedh të sulmojë opozitën.

Ky është realiteti që kërkon zgjidhje konkrete, jo batuta në tweeter e facebook.

I përsërisim thirrjen z.Rama, që të vihet në krye të shtabit të emergjensës e të vërë në jetë një plan konkret masash.

Një plan të detajuar për lehtësimin e situatës, për tu ardhur në dihmë të evakuarve dhe atyre që janë të izoluar nga përmbytjet, me ushqime, medikamente dhe ushqime për gjënë e gjallë.

Dhimbja dhe vuajtja e qytetarëve kërkojnë përgjigje të menjëhershme, jo vëzhgim e premtime të pabesueshme.

Read More
03 Shk
0

Edi Rama mbrojti korrupsionin, hodhi në rrugë denoncuesen

Dy ligje u shkelen, ligji për nëpunësin civil, dhe ligji që nxit denoncimin e korrupsionit dhe ofron mbrojtje për denoncuesit, për të shkarkuar nga puna nëpunësen, e për të mbrojtur korrupsionin e Erion Veliajt. Kjo është e vërteta e korrupsionit në vend. Kur duhen masa konkrete, Edi Rama mbron korrupsionin dhe nxjerr në rrugë denoncuesit e tij. Ky është mesazhi për të gjithë. Nëse denonconi korrupsionin, do ta keni Edi Ramën nga pas derisa të hakmerret ndaj jush deri ne fund. 

Platforma on-line për anti- korrupsionin e Edi Ramës ndoshta vlen për të shtuar shpenzimet e qeverisë por jo për të luftuar korrupsionin.

Shqiptarët e kuptojnë se cdo të thotë të luftohet korrupsioni me internet e rrjete virtuale, kur kryeministri heq nga puna pikërisht ata që e denoncojnë korrupsionin.

Edi Rama kishte në dorë, në  24 qershor, një ankesë konkrete, nga një punonjëse me përvojë e administrates që ai drejton, për një rast korruptiv që po bëhej nga Ministria e Erion Veliajt.

Luiza Gjonaj i drejtohet Edi Ramës ku i thotë se ka shkelje të rënda të ligjit në lidhje me një tender fiktiv, për blerjen e një malli që tashmë ekzistonte, dhe për më tepër firma EAG, e mirënjohur për publikun si kompania e vëllati të ministrit që fiton të gjithë tenderat, ishte shpallur ndërkohë fituese.

Cfarë bëri Edi Rama me këtë rast. Asgjë. Ankesa u arkivua, rasti abuziv i përvetësimit të fondeve publike u konsumua deri në fund. Korrupsioni nuk u ndal.

Në gusht, Edi Rama merr një tjetër letër nga Gjonaj. Ajo i shkruan kryeministrit, se pas denoncimit që ka bërë, po merr kërcënime dhe presione nga njerëzit e Erion Veliajt.

Cfarë bëri Edi Rama me ankesën e dytë. Asgjë. Nuk bëri asgjë sepse kryeministri kishte marrë në mbrojtje korrupsionin, dhe sigurisht nuk mund të mbronte denoncuesen e korrupsionit. Kishte bërë zgjedhjen e kundërt me atë që propagandon.

Dhe më në fund, në 24 dhjetor, nëpunësja që guxoi të denonconte korrupsionin, u largua nga puna.

Në kundërshtim me ligjin për nëpunësin civil, në kundërshtim me ligjin që ofron mbrojtje për ata që denoncojnë korrupsionin, Gjonaj u shkarkua nga puna.

Dy ligje u shkelen, ligji për nëpunësin civil, dhe ligji që nxit denoncimin e korrupsionit dhe ofron mbrojtje për denoncuesit, për të shkarkuar nga puna nëpunësen, e për të mbrojtur korrupsionin e Erion Veliajt.

Kjo është e vërteta e korrupsionit në vend.

Kur duhen masa konkrete, Edi Rama mbron korrupsionin dhe nxjerr në rrugë denoncuesit e tij. Ky është mesazhi për të gjithë. Nëse denonconi korrupsionin, do ta keni Edi Ramën nga pas derisa të hakmerret ndaj jush.

Read More
02 Shk
0

Ristani në zonat e përmbytura: Duhen shumëfishuar përpjekjet e resurset

Sekretari i Përgjithshëm u kërkoi degëve lokale dhe të zgjedhurve vendorë të PD të mbajnë kontakte të vazhdueshme me banorët dhe të informohen për gjëndjen e tyre. 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani vizitoi zonat e përmbytura të Fierit dhe Vlorës dhe takoi banorët e prekur nga kjo situatë e rënduar nga reshjet.

Ristani konstatoi se me gjtihë përpjekjet e shtabeve lokale, gjëndja është e rënduar dhe dhjetra banorë rrezikojnë jetën dhe pronat.

Sekretari i Përgjithshëm u kërkoi degëve lokale dhe të zgjedhurve vendorë të PD të mbajnë kontakte të vazhdueshme me banorët dhe të informohen për gjëndjen e tyre. Ristani kërkoi gjithashtu bashkëpunim të plotë me autoritetet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në vështirësi, pasi jeta e tyre dhe prona është prioritet absolut.

Gjatë takimeve në Novoselë, u vu re se situate është dramatike dhe e papërballueshme. Kushtet e rrethanat kërkojnë domosdoshmërisht shumëfishimin e përpjekjeve dhe resurseve qeveritare.

Read More
02 Shk
0

Rama të ngrejë menjëherë Shtabin Qendror të Emergjensës

Partia Demokratike i kërkon kryeministrit të ngrejë menjëherë Shtabin Qendror të Emergjensës, e të shumëfishojë praninë dhe punën e agjensive qeveritare në terren, të mobilizojë të gjitha resurset për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe komuniteteteve të përmbytura, dhe të raportojë publikisht, në mënyrë periodike për gjendjen. 

Situata e përmbytjeve vecanërisht në zonat e Jugut sa vjen e rëndohet. Sipas të dhënave që vijnë në Partinë Demokratike dhe raportimeve në media, jeta e qindra familjeve dhe prona e tyre janë në rrezik ekstrem.

Pavarësisht përpjekjeve të deritanishme të strukturave dhe shtabeve vendore, situata avazhdon të mbetet e papërballueshme. Banorët informojnë shpeshherë se e kanë të pamundur kontaktimin dhe komunikimin me autoritetet.

Partia Demokratike i kërkon kryeministrit të ngrejë menjëherë Shtabin Qendror të Emergjensës, e të shumëfishojë praninë dhe punën e agjensive qeveritare në terren, të mobilizojë të gjitha resurset për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe komuniteteteve të përmbytura, dhe të raportojë publikisht, në mënyrë periodike për gjëndjen.

U bëjmë thirrje qytetarëve në zonat e përmbytura t’u përgjigjen thirrjeve të autoriteteve për evakuim apo për masa të tjera sipas rastit.

Degët lokale të Partisë Demokratike, deputetët dhe të zgjedhurit vendorë janë në kontakt të përhershëm me banorët dhe do të bashkëpunojnë me autoritetet për të kontribuar në zgjidhjen e vështirësive.

Jeta e qytetarëve dhe prona e tyre janë përparësi absolute.

 

Read More
31 Jan
0

Transparencë dhe nxjerrje përgjegjësie për implikimin e forcave të armatosura në trafik droge

Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i forcave tona të armatosura. Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit.

Partia Demokratike i kërkon Ministres së Mbrojtjes të bëjë transparencë mbi rastin e majorit të Forcave të Armatosura të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge.

Kjo është një cështje e rëndësisë publike, ka të bëjë me sigurinë kombëtare, dhe nuk mund të trajtohet nga Edi Rama apo zonja Kodheli si punë e tyre personale.

Kur një major, nga më të besuarit sic pranohet zyrtarisht, përfshihet në trafik ndërkombëtar droge, një ministre nuk mund të fshihet e të bëjë arroganten.

Ne do të kërkojmë në parlament interpelancë me zonjën Kodheli, por ftojmë prokurorinë të nisë një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes.

Si ka mundësi që shërbimi informativ i ushtrisë, apo strukturat e tjera monitoruese nuk kanë informacion për oficerët me detyra kaq delikate sa majori në fjalë, i cili ishte një nga pilotët e besuar të flotës tonë ajrore?

Si mund të rekrutohet majori i besuar nga trasikantët ndërkombëtarë të drogës?

Të dhënat tregojnë se majori ka hyrë dhe ka dalë 6 herë nga vendi gjatë vitit të fundit deri para pak ditësh kur ndodhi ngjarja në Spanjë.

A ka të dhëna Ministria e Mbrojtjes, se ku shkojnë oficerët, dhe me cfarë aktiviteti merren kur janë jashtë shtetit për specializim?

A është ai i vetmi oficer që ka kryer këtë aktivitet, dhe a kanë dijeni eprorët për këto raste?

Ne jemi vend anëtar i NATO-s dhe janë bërë shumë reforma e përpjekje për arritjen e standarteve në këtë sektor në shumë vite.

Por me Edi Ramën ka vetëm kthim mbrapa. Fabrika kokaine e shndrrimi i vendit në kolumbi të Europës. Pak kohë më parë, u zbulua se insfrastruktura e mbrojtjes ishte përdorur për trafik droge. Në fillim Edi Rama dhe Ilir Meta u tallën dhe i quajtën avionët e narkotrafikut mushkonja, por më pas të dhënat treguan përdorimin kriminal të Gjadrit dhe pikave të tjera dhe qeveria u detyrua nga presioni publik e qytetar të mbyllë aerodromet. Rasti i majorit të përfshirë në trafik ndërkombëtar droge është një tjetër dëshmi që tregon se ku ka përfunduar integriteti i forcave tona të armatosura.

Duhet transparencë e plotë dhe e menjëhershme për rastin. Duhet llogaridhënie deri në pikën e fundit.

Partia Demokratike do të vërë në lëvizje cdo mjet derisa kjo ngjarje të zbardhet e të dalin të gjithë përgjegjësit e përgjegjësitë për implikimin skandaloz të forcave të armatosura në trafik ndërkombëtar droge.

Read More