Blog

25 Jan
0

Basha: Nesër në 11.00 shqiptarët bashkohen në protestë kundër çmimit të karburantit

Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike

Përshëndetje

Nesër me 26 Janar i gjithë vendi do të protestojë për çmimin e lartë të naftës – më i shtrenjti në të gjithë Europën.

Nesër në orën 11.00, do të ndalojmë për 5 minuta makinat kudo ku jemi, në shenjë protestë për çmimin e karburanteve, por edhe për energjinë, për taksat dhe çmimet e larta që po rrënojnë ekonominë individuale, familjare dhe kombëtare.

Nesër në orën 11.00, do të mbajmë protestën e parë masive dhe demokratike për të drejtat ekonomike dhe sociale. Shqiptarët do protestojnë jo për pushtetin e dikujt por për veten e tyre, për fëmijët dhe prindërit e tyre, për një jetë dinjitoze që e meritojnë.

Nga rrugët, sheshet dhe autostradat e këtij vendi do t’i dërgojmë një mesazh të qartë Qeverisë se pushteti është një e mirë publike, jo një mjet represiv në duar të papërgjegjshme. Se ky vend ka nevojë për një qeveri të ndjeshme që përkujdeset për fatet e qytetarëve jo për një qeveri që zhvat paratë, shton ankthin dhe pasigurinë e tyre.

Nesër me 26 Janar në orën 11.00, do të ndalojmë për 5 minuta makinat tona kudo ku jemi duke kundërshtuar skemën tiranike të qeverisë që shtrydh popullin deri në pikën e fundit. Përmes protestës do t’i tregojmë qeverisë se nuk mund të luajë si të dojë me fatet e njerëzve.

Çdo ditë njoftohet se çmimi i naftës po ulet kudo në botë. Vetëm në Shqipëri, qytetarët nuk përfitojnë nga uljet e tregut ndërkombëtar. Pse ndodh kjo? Sepse ky vend qeveriset nga një arrogant, cinik dhe rritës i pandalshëm taksash, që ka braktisur me kohë popullin dhe interesat e tij. Ky njeri ka vetëm axhendën e pushtetit personal e klikës së tij, axhenden e interesave të oligarkëve dhe botës kriminale që e rrethon.

Ndryshe nga i gjithë globi, kryeministri rriti taksat duke shkuar thellë e më thellë në xhepat e shqiptarëve për të marrë edhe qindarkën e fundit. Etja e tij për pushtet absolut, politik dhe ekonomik është kundër çdo logjike zhvillimi dhe mirëqënie dhe po godet rëndë mbijetesën e njerëzve.

Po si mundet që Shqipëria të jetë jashtë çdo trendi botëror, e izoluar si në kohën e regjimit totalitar, e pandjeshme me çfarë ndodh në vendet fqinje, në rajon, në Europë dhe në mbarë botën. Si mundet që një kryeministër të bëjë krejt të kundërtën e asaj ç’ka duhet, lypset dhe kërkohet?!

Në vend që t’u vijë në ndihmë qytetarëve, bëhet makthi i tyre i përditshëm, bëhet këmisha e forcës që po u merr çdo ditë frymën dhe oksigjenin.

Nafta është energjia e zhvillimit ekonomik. Ulja e çmimit të naftës, ul çmimin e transportit, ul koston e shërbimeve dhe të jetesës. Qeveritë në mbarë botën luftojnë ta ulin çmimin e naftës ndërsa këtu rritet artificialisht.

Dy herë, në dy vitet e fundit, qeveria rriti taksën e qarkullimit. Mbi 60% e çmimit të naftës që paguajmë sot shkon në xhepat e qeverisë. Detyrohemi të paguajmë 1008 lekë taksat Rama në çdo litër karburant që blejmë. Kjo gijotinë në qafën e shqiptarëve me të ardhura 3 herë më të ulëta se mesatarja europiane, është një krim që duhet ndalur.

Kjo është mendësia që i sheh njerëzit si skllevër të qeverisë që nuk punojnë për veten e tyre, për familjet e tyre por për taksat e pushtetit. Produktet bazë të jetës shtrenjtohen jo nga tregu por nga taksimi i pandershëm i qeverisë. Rast unik në Europë – godet kriza por godet pa mëshirë edhe regjimi Rama-Meta.

-Një fjalë goje janë taksat për Ramën që tallet sa herë lajmëron rritje taksash dhe taksa të reja. Ju shoh që mbaheni, nuk keni vdekur, u thotë kryeministri sipërmarrësve.

-Një fjalë goje janë paratë për qeverinë por jo për qytetarët që paguajnë luksin qeveritar për çdo litër karburant që blejnë.

-Një fjalë goje janë për kryeministrin edhe fasha e energjisë, dhe rritja e çmimit të energjisë me 25 për qind;

-Një fjalë goje është edhe rritja e taksave dhe tatim fitimit me 50% që po shtyn biznesin drejt falimentimit.

Por këto nuk janë fjalë goje, por qindra mijë orë mundi dhe djerse të qytetarëve shqiptarë. Këto janë para që i merr pa djersë oligarku i “shtëpisë së gjetheve”, por i nxjerr me mundin e punës në shi, diell dhe të ftohtë, shqiptari i thjeshtë anembanë vendit.

Erdhi koha që njerëzit të mbrojnë veten. Erdhi koha t’i tregojmë qeverisë se nuk e pranojmë më rritjen e taksave, të çmimeve, të padrejtësive dhe arbitraritetit. Erdhi koha të marrim në dorë ndryshimin e vërtetë, të kthejmë vendin në rrugën e normalitetit.

Protesta e nesërme në oren 11.00 është vetëm hapja e një pranvere protestash të pandalshme, masive dhe popullore që s’kanë për ta lënë dyshen Rama-Meta të livadhisë sipas qejfit. Nuk do t’i lejojmë të sundojnë sipas trilleve, me bandat e tyre kriminale e me stoqet e një korrupsioni të frikshëm që është instaluar në çdo zyrë publike.

Nuk do të jetë Shqipëria atdheu i padrejtësive ku i pamunduri vret veten në qeli se është lënë si kriminel vetëm për një debi energjie 35 mijë lekëshe, teksa debitoret 205 milionësh krekosen në parlament të mbrojtur nga dyshja Rama-Meta.

Nuk do jetë Shqipëria vendi ku qytetarëve të ndershëm u tregohen dhëmbët shtazarakë të pushtetit, ndërsa kriminelët e trafikantët e partisë ndajnë zonat e influencës dhe postet, ndajnë fitimet me dyshen Rama-Meta.

Durimi ka një kufi. Nesër në orën 11.00 të fikim për 5 minuta makinat kudo ku jemi, të tregojmë dinjitetin e shqiptarit, forcën e shumicës për të mbrojtur familjen dhe vendin.

Pranvera e protestave po nis dhe ky regjim anti-popullor do të ndalet.

Faleminderit!

Read More
24 Jan
0

I dënuari dhe i arrestuari disa herë për drogë, rilind me Edi Ramën në task-forcën e OSHEE

Partia Demokratike denoncon inkriminimin e administratës me rekorde të reja e dramatike. I dënuari për trafik droge dhe i arrestuari disa herë për shpërndarje të lëndëve narkotike në shkolla, është caktuar në task-forcën e OSHEE, pikërisht në strukturën që po dhunon të pamundurit e favorizon njerëzit e pushtetit.

Kriminalizimi i administratës njeh rekorde të reja, dhe të dhimbshme.

Nuk është rastësi që persona me precedentë të fortë penalë, rehatohen nga qeveria e Edi Ramës, në poste delikate, si OSHEE, e cila është në krye të represionit ndaj qytetarëve të pamundur, është në krye të favorizimeve politike, duke lënë të qetë debitorë me 205 milionë lekë vetëm pse pronari është deputet i mazhorancës, kësaj strukture që është në krye të abuzimit e korrupsionit.

Florian Qafa është një emër i njohur për policinë dhe kronikën e zezë. Ai është ndaluar disa herë dhe dënuar për trafik lëndësh narkotike, pasi ka kryesuar një grup kriminal droge në zonën e Ali Demit, që shpërndante drogë edhe në shkolla.

Ja ku kemi këtu vendimin e gjykatës që permend dënimet e tij, kemi një numër të madh shkrimesh që janë bërë në media për arrestimin e tij dhe për aktivitetin e tij kriminal.

Me Edi Ramën, erdhi koha që ky person të shpërblehet për angazhimin e tij, dhe sot është pjesë e task-forcës së OSHEE në Tiranë. Pra në krye të aksionit të ndëshkimit të qytetarëve të pamundur, dhe favorizimit të hajdutëve të mëdhenj të energjisë që janë sot pranë qeverisë.

Personi me precedent penalë, ka dhe një meritë tjerë për postin që ka marrë. Ai është angazhuar në fushatën e fundit zgjedhore, pranë shtabit të deputetit socialist, Ditmir Bushati, që sot është Ministër i Jashtëm.

Për këtë inkriminim të administraës është e shqetësuar sot opozita, janë të shqetësuar mbarë qytetarët e vendit, por është e tronditur dhe Europa.

Partia Demokratike do ta bëjë cdo ditë betejën me krimin dhe lidhjet e krimit me politikën.

Kjo e keqe, e mbjellë në cdo cep nga Edi Rama, do të shkulet.

Shqipëria nuk do të mbetet peng i aleancave kriminale.

Read More
24 Jan
0

Të hënën në 11, nis refuzimi masiv i çmimeve të larta, taksave të larta, i mjerimit të shqiptarëve

Deklaratë e Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun. E hëna është vetëm hapi i parë i një një proteste mbarëkombëtare kundër çmimeve të larta të energjisë dhe naftës, kundër taksave të larta, kundër arbitraritetit e padrejtësisë. Partia Demokratike është në krah të qytetarëve, është në ballë të protestës së tyre të legjitime.

Të hënën në orën 11, qytetarët në mbarë vendin nisin aksionin kundër cmimit më të lartë të naftës në rajon e në Europë.

Në orën 11 drejtusit e mjeteve në mbarë Shqipërinë do të ndalojnë e fikin makinat për 5 minuta në shenjë proteste, kundër cmimit të lartë të naftës, kundër rrjepjes e varfërimit të qytetarëve dhe pasurimit të klientelës korruptive Rama-Meta.

Faktet janë këto.

-Në cdo litër naftë që blejnë, qytetarët paguajnë 1008 lekë taksa për qeverinë.

-Cmimi i karburantit sot tek ne është më i larti në rajon e në Europë, ndërkohë që të ardhurat janë 3 herë më të ulëta se mesatarja europiane.

Megjithëse Edi Rama i di mirë këto fakte, ai vazhdon të bëjë strucin. Sepse është ai që i ka rritur taksat në mënyrë të përsëritur.

Cmimi i naftës, cmimi i energjisë, taksat dhe cmimet e larta, dhuna dhe padrejtësitë qeveritare janë arsyet e krizës ekonomike, varfërisë dhe papunësisë që po përjetojnë sot mijëra shqiptarë.

Ndaj e hëna është vetëm hapi i parë i një një proteste mbarëkombëtare kundër cmimeve të larta të energjisë dhe naftës, kundër taksave të larta, kundër arbitraritetit e padrejtësisë.

Partia Demokratike është në krah të qytetarëve, në krah të interesave të tyre të drejta, është në ballë të protestës së tyre të legjitime.

Të hënën në orën 11 nisim refuzimin masiv të taksave të larta, cmimeve të larta, varfërisë dhe mjerimit të shqiptarëve.

Read More
23 Jan
0

Kërcënimet e Tahirit nëpër studio, demaskojnë lidhjet e tij me krimin

Partia Demokratike dënon ndërhyrjet e Ministrit të Brendshëm në debatet televizive dhe presionet që ai ushtroi ndaj medias e ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë. Lidhjet e tij me krimin dhe dyshimet që lindin pas fabrikës së Kokainës sjellin nervozizmin e deklaratat e papranueshme të Tahirit. 

Ministri i Brendshëm shantazhoi mbrëmë përfaqësuesit e medias dhe të prokurorisë, në një tur telefonatash në dy prej studiove televizive më në zë të vendit, ku debatohej dhe ngrihej shqetësimi për mungesën e rendit dhe të sigurisë në vend.

Me tone të larta, skandaloze, të papranueshme Tahiri përsëriti disa herë kërkesën që analistët të rishikonin qëndrimet e tyre e të mos kritikonin, si dhe i dha urdhra politikë përfaqësuesit të prokurorisë, drejtpërdrrejt në sytë e mbarë opinionit.

Në këtë sjellje të dyshimtë, si e ndikuar nga efektet e substancave të paligjshme, Ministri i Brendshëm, kaloi disa herë vijën e kuqe, duke treguar mentalitetin e tyre qeverisës, që kujtojnë se kanë të drejtë të urdhërojnë median, prokurorinë, e këdo që nuk mendon njësoj si ata.

Tek zoti Tahiri, ka dhe arsye të tjera që shpjegojnë këtë crregullim. Askush nuk do të merrej seriozisht me të, por kur një i pakthjellët që ulëret e kërcënon për kritikat që i bëhen, është Ministër i Brendshëm, atëherë fenomeni është shqetësues.

Kanë dalë fare hapur në publik, dhe gjithkush e di sot, se Saimir Tahiri është i lidhur me krimin e organizuar, se është mik i Emiliano Shullazit. Sic dihet se sot është e premte, ashtu e dinë qytetarët edhe për këtë kumbari mes tyre , ky është dhe burimi i nervozizmit të Ministrit të Brendshëm.

Ai vetë e pranoi mbrëmë në fakt, në atë ndërhyrjen e tij halucinante. E pranoi se Emiliano Shullazi ka kërcënuar kreun e opozitës, por nuk është marrë asnjë masë ndaj tij,perkundrazi, sipas gjykimit personal të Ministrit, kreu i opozitës e meriton një trajtim të tillë.

Sigurisht, Tahiri i tregon burgun kujtdo që guxon të kërcënojë Kryeministrin. Kemi rastin e avokatit që përfundoi në qeli pas presionit që i bëri Edi Ramës. Dhe ne nuk jemi aspak kundër mësaj mase, ligji duhet të funksionojë. Por tjetër gjë ndodh në rastin e kërcënuesit të kreu të opozitës. Atij i ofrohen lehtësi dhe mbrojtje, dhe mbrojtja shkon deri atje sa del Ministri i Brendshëm dhe bën avokati për të edhe në studio televizive.

Pikëpyetjet që po ngrihen për lidhjet e tij me fabrikën e kokainës e bëjnë gjithashtu nervoz Ministrin.

Pikëpyetjet që po ngrihen për faktin se krerët e vërtetë të rrjetit i shpëtuan aksionit të policisë, e bëjnë sërish nervoz Ministrin.

Na lini të punojmë thotë ministri, se e di ai vetë, kë arreston, kë lë të lirë, kë ndihmon të kërcënojë kreun e opozitës, kujt i hap rrugët e trafikut.

Jo zoti Ministër. Jo zoti Kryeministër.

Nuk ka për të ardhur asnjë ditë kjo kohë që ju po kërkoni. Për fat qytetarët sot kanë informacion, ka përfaqësues të medias që janë të lirë dhe zëri i tyre dëgjohet. Dhe është opozita, Partia Demokratike që do ta bëjë cdo ditë betejen me krimin, dhe me lidhjet e krimit me pushtetin, me qeverinë, me ministrin e Kryeministrin. Cdo ditë, pa u ndalur. Derisa e keqja të shkulet me rrënjë.

Read More
23 Jan
0

Brukseli i shqetësuar nga depërtimi i krimit deri në nivelet më të larta të qeverisjes në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike merr mbështetjen e Asamblesë Politikë të PPE në luftën kundër krimit dhe në procesin e dekriminalizimit 

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në punimet e Asamblesë politike të Partisë Popullore Europiane, në Bruksel. Në punimet e asamblesë, me shqetësim u diskutua për rritjen e kriminalitetit në Shqipëri dhe penetrimit të krimit në institucione të rëndësishme të vendit. Drejtues të lartë të institucioneve të Parlamentit Europian dhe të Partisë Popullore Europiane kanë shprehur shqetësimin e madh për kthimin pas të Shqipërisë e në veçanti forcimit të mafias, trafikut të drogës dhe lidhjet e tij me pushtetin.

 

Në këtë asamble, zyrtarët e lartë të PE dhe të PPE kërkuan mbajtjen e qëndrimeve të vendosura dhe të prera, kundër depërtimit të krimit në qeverisje dhe i dhanë mbështetje të plotë opozitës në betejën kundër krimit. Z.Basha theksoi se prova më e qartë e dështimit të qeverisë Rama-Meta në luftën kundër krimit dhe trafiqeve është edhe fabrika më e madhe e kokainës në Ballkan, e ngritur në Shqipëri gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit.

 

“Problemi kryesor është problemi i krimit, krimi me lidhje në politikë, penetrimi i kriminelëve në postet drejtuese deri në Parlamentin Shqiptar, instalimi në Shqipëri i bandave më të rrezikshme në rajon. Së fundmi, siç u pa, janë përgjegjës edhe për ngritjen e fabrikës më të madhe të kokainës në Ballkan, në këto dymbëdhjetë muaj që përkon me kohën e qeverisjes Rama-Meta. Këto janë sinjalet dhe provat më të qarta se larg retorikës dhe propagandës boshe, qeveria Rama-Meta jo vetëm ka dështuar tërësisht në luftën kundër krimit, por është përgjegjësja kryesore për situatën e pasigurisë në vend, për lulëzimin si asnjë herë të trafiqeve dhe për gradimin e bandave e të banditëve me pushtet të mjaftueshëm, sa që të ndihen rehat për të ngritur një fabrikë kokaine në të cilën u sekuestrua një sasi me vlerë rreth 1 miliard euro. Ky natyrisht është thelbi i rezolutës parlamentare dhe angazhimeve dypalëshe, për t’u marrë më këtë problem. Natyrisht, përsërita, që opozita është e gatshme dhe kërkon të nisë menjëherë nga puna. Natyrisht, puna kërkon vullnet të të dy palëve. Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë prioritet tjetër për Shqipërinë, nëse krimi në vend që të ndodhet  para drejtësisë dhe prapa hekurave, ndodhet në Parlament dhe bën bashkëqeverisjen. Padyshim që vullneti politik i Partisë Popullore Europiane dhe institucioneve europiane është dhe më i fuqishëm, për të na mbështetur”, u shpreh Basha për mediat pas takimit.

 

Pyetje: A jeni optimist për zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur midis mazhorancës dhe opozitës, me lehtësimin e Parlamentit Europian?

 

“Ne jemi të vendosur të punojmë për zbatimin e rezolutës. Unë kam besim të plotë se nëse ka vullnet politik për të mos penguar punën e përbashkët, ka plot burra dhe gra në Partinë Socialiste të cilëve u ka ardhur në majë të hundës dhe janë gati të japin kontributin e tyre, jo për interesin e PS-së dhe as për interesin e PD-së, por për interesine qytetarëve shqiptarë që meritojnë dhe domosdoshmërisht duhet të kenë një Parlament të çliruar nga krimi”.

 

Kryetari i PD Lulzim Basha është ndalur në fjalën e tij edhe në të ashtuquajturën reformë territoriale e cila siç theksoi z.Basha, nuk është gjë tjetër veçse një hartë elektorale që bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Z.Basha, duke e konsideruar 21 qershorin dhe një referendum të madh qytetar kundër ndarjes territoriale ka kërkuar monitorim të gjerë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh praktikën e zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit dhe të zgjedhjeve në Korçë, të blerjes së votave nga Rama – Meta.

 

“PD ka qenë dhe është e vendosur që sovranit, qytetarëve shqiptarë të mos u mohohet kurrë e drejta për të vendosur për hartën territoriale. Harta aktuale ka qenë, është dhe do të mbetet e papranueshme për PD. Ajo bie ndesh me interesat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë arsye, ne e konsiderojmë 21 qershorin një referendum të madh qytetar, për tu shprehur me votë, jo vetëm për kandidatët e opozitës por edhe kundër kësaj ndarjeje territoriale dhe për t’i hapur rrugë një procesi i cili nuk do të vonojë, ku së bashku me qytetarët shqiptarë do të vendosim hartën territoriale që është në favorin e interesave të tyre. Kërkova monitorim të plotë të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh që qeveria Rama-Meta e ka dhënë provën e saj të përgjithshme të shitblerjes së votës në 23 qershor dhe e ka përsëritur para kamerave në zgjedhjet e Korçës, duke amnistuar nga ndjekja penale keqbërësit e këtij krimi penal dhe mora garanci se jo vetëm PPE por të gjitha institucionet e BE do të jenë tërësisht të angazhuara për këtë kauzë madhore që është kauza e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri”, u shpreh Basha.

Read More
23 Jan
0

Çmimi i lartë i karburantit, të hënën në 11 nis refuzimi i qeverisë

Deputetja Tabaku shpjegon barrën e taksave që paguajnë shqiptarët për qeverinë në një litër karburant, duke e bërë çmimin më të lartë në rajon e në Europë. Të hënën në orën 11, nis aksioni i parë qytetar për ta detyruar qeverinë të tërhiqet nga kursi i varfërimit të shqiptarëve.

Ndonëse çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka 6 muaj që ka filluar të bjerë me ritme galopante, shqiptarët ende paguajnë më shtrenjtë se sa fqinjët e tyre çmimin për një litër naftë. Nga Korriku i vitit të kaluar deri më sot çmimi ka zbritur nga 110 USD për fuçi në 48 USD për fuçi, duke rënë 120%.

Për të shpjeguar se përse sot çmimi në Shqipëri nuk bie, duhet të shohim politikën fiskale që qeveria ka ndërmarrë ndaj naftës në këto dy vite qeverisje.

Në vitin e parë të qeverisjes, me gjithë kundërshtimin tonë, qeveria rriti taksën e qarkullimit nga 7 lekë për litër në 17 lekë për litër, pra shqiptarët paguan 12 lekë për litër me TVSH më shumë në të gjitha pikat e karburantit për gjithë vitin 2014.

Vetëm kjo rritje ishte 56 milionë USD më shumë nga xhepat e shqiptarëve.

Në janar të këtij viti, qeveria ka filluar të aplikojë një regjim edhe më të rënduar taksash. Duke përfshirë edhe një rritje prej 17 në 27 lekë për litër, duke e cuar kështu taksën 24 lekë me TVSH për litër dhe duke marrë 56 milionë USD të tjera nga xhepat e shqiptarëve.

Sot, qytetarët kur blejnë naftë në pikat e karburantit paguajnë; 37 lekë akcizë, 27 lekë taksë qarkullimi, 3 lekë taksë karboni, 25 lekë TVSH, 3.8 lekë taksë doganore, 5 lekë taksa ngjyrosje dhe portuale duke e shndërruar kështu peshën e taksave në çmimin përfundimtar në masën 60%.

Kështu që as Kryeministri, as qeveria nuk kanë pse çuditen që sot çmimi i naftës në Shqipëri është 1.32 USD për litër e mesatarja botërore është 0.97 USD për litër. Shqipëria e ka karburantin 36% më shtrenjtë se mesatarja botërore, shumë më shtrenjtë se kushdo tjetër krahasuar me standartin tonë të jetesës.

Dy vjet më parë kur çmimi i karburantit në tregjet ndërkombëtare ishte 3 herë më i lartë se sot, taksat zinin 40% te çmimit, ndërsa sot kur e gjithë bota përfiton nga ulja e çmimit të karburantit ne paguajmë 60% të çmimit vetëm taksa për qeverinë.

Faktet janë të qarta dhe as arroganca e pushtetit e as ndonjë gënjeshtër tjetër nuk mund t’i mbulojë ato. Prandaj, ditën e hënë qytetarët në orën 11 do të fikin makinat e tyre. Në shenjë proteste ndaj taksave të larta, ndaj një qeverie arrogante që ditë për ditë mendon si të shpërblejë klientët e saj në kurriz të qytetarëve.

Të hënën në 11, nis aksioni i parë i qytetarëve. Partia Demokratike do të jetë në anën e tyre, derisa qeveria të tërhiqet.

Read More
22 Jan
0

Skandali diplomatik, Ministri Bushati shokon partnerët duke refuzuar drejtimin e komitetit të OSBE

Deputeti Bumçi denoncon aktin e paprecedent në historinë e diplomacisë sonë, ku Ministri i Jashtëm, refuzon kërkesën e partnerëve tanë më të rëndësishëm për të drejtuar komitetin e OSBE. Shqipëria humb shansin për të balancuar presidencën serbe dhe për të fituar rol ndërkombëtar në kohën e zhvillimeve të rëndësishme në Europë.

Ministri i Jashtëm ka refuzuar kryesimin nga Shqipëria të një nga tre komitetet e OSBE, duke kryer një akt të papreçedent në historinë e diplomacisë sonë. Duke refuzuar drejtimin e komitetit, ka humbur një shans unik për të balancuar presidencën serbe të OSBE-së dhe për të rritur rolin ndërkombëtar në këtë kohë zhvillimesh të rëndësishme në Europë.

Kërkesa që Shqipëria të drejtonte një nga tre komitetet e OSBE-së, ka ardhur nga partnerët tanë më të rëndësishë në kuadër të OSBE-së, SHBA, Gjermani, etj. Kjo mbështetje nërkombëtare duhet të siguronte miratimin e të gjithë vendeve anëtare të OSBE-së, duke përfshirë Presidencën serbe që të pranonin që Shqipëria të drejtonte një nga tre komitetet.

Ndërsa ky proces është kurorëzuar me sukses, dhe kërkesa zyrtare ka ardhur nga OSBE-ja që Shqipëria të kryesojë një nga tre komitetet, nga Ministriajonë e Jashtme ka ardhur refuzimi. Me gjithë lobimin e partnerëve për të bindur Ministrin tonë të jashtëm, Bushati, ai ka refuzuar duke u justifikuar me mungesë burimesh njerëzore dhe fondesh. Këmbëngulja e partnerëve tanë, ka habitur madje të shokuar nga refuzimi i Ministrit të Jashtëm, ka arritur deri aty sa dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së i ka premtuar Ministrit Bushati se do ta mbështeste ai Shqipërinë me burime njerëzore. Por përsëri, Ministri Bushati ka refuzuar.

Është e   padëgjuar që vendet më të rëndësishme partnere dhe vetë Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së të angazhohen në interes të Shqipërisë dhe të jetë Ministri i Jashtëm i vendit, Bushati që të dalë kundër interesit të vendit të tij dhe shqiptarëve në përgjithësi.

Drejtimi i këtij komiteti do të rriste peshën dhe rolin e Shqipërisë në kuadër të OSBE-së në një moment historik dhe shumë të rëndësishëm. E para për shkak të presidencës serbe kjo do të sillte një balancim, i cili do të ishte në interes të Shqipërisë, Kosovës, dhe shqiptarëve. E dyta, për shkak të krizës në Ukrainë roli dhe pesha e OSBE-së është rritur ndjeshëm, dhe drejtimi i një nga tre komitetet do ti jepte vendit tonë një dimension dhe rol të panjohurmëparë. Drejtuesit e tre Komiteteteve janë të ulur në të gjitha tryezat e rëndësishme siç ishte dhe ajo që u organizua përpara pak ditësh për Ukrainën.

Njeriu që duhet të promovojë interesin e vendit ka dalë kundër tij. Mjafton ky skandal, që Ministri i Jashtëm Bushati të japë dorëheqjen ose të shkarkohet pa vonesë.

Read More
22 Jan
0

Të hënën në orën 11.00, aksioni i parë kundër tiranisë së çmimit të karburantit

Partia Demokratike denoncon taksat e larta e të përsëritura të qeverisë si shkaktaren kryesore të cmimit të lartë të karburantit që po varfëron shqiptarët duke rritur koston e jetesës. Të hënën paradite në orën 11.00, nis aksioni i parë qytetar në shenjë proteste ku për 5 minuta do të fiken makinat

Qytetarët e vendit, janë sot të vendosur për të luftuar kundër tiranisë së çmimit të karburanteve. Nuk mund të pranohet që shqiptarët të jenë delja e zezë e Europës me cmimin më të lartë të naftës dhe benzinës në gjithë rajonin e në gjithë kontinetin, vetëm sepse kështu ka vendosur Edi Rama me taksat e tij.

Grafika tregon taksat që merr qeveria në një litër naftë i cili është më i larti sot në Europë, qeveria merr 1008 lekë taksa.

Ndaj të hënën që po vjen, në orën 11.00 paradite, nis aksioni i parë popullor për të kundërshtuar këtë kurs të qeverisë që po varfëron cdo ditë qytetarët.

Të hënën në orën 11.00, drejtuesit e mjeteve motorrike do të ndalin makinat e tyre për 5 minuta në shenjë proteste.

Fermerët protestojnë për çmimin e lartë dhe i kërkojnë llogari qeverisë se përse ata paguajnë 60% taksa në një litër karburant. Për këtë arsye produktet bujqësore sot janë më shtrenjte e qytetaret po vuajnë pasojat e ketyre cmimeve.

Bizneset, protestojnë sepse pasi qeveria i asfiksoi me lloj-lloj taksash, ka vendosur që t’i marrë dhe frymën e fundit duke e rritur me 240 lekë në dy vjet taksën e qarkullimit.

Qytetarët, dhe cdokush që ka një makinë, apo që po vuan sot koston e shtrenjtuar të jetesës për shkak të cmimit të naftës, proteston sot, pasi qeveria e lidhur me interesat e klientelës së saj të naftës, po refuzon të dëgjojë zërin e tyre.

Shqiptarët do protestojnë të hënën paradite në orën 11.00, sepse paguajnë 10% të portofolit të tyre të përditshëm bruto për karburant, 5% më shumë se sa kroatët, 6% më shumë se sa Hungarezët, 7% më shumë se sa grekët. Ndonëse të ardhurat tona mesatare janë shumë herë më te ulëta se sa e këtyre vendeve, ne jemi kampionë, për sa i përket taksës që paguajmë.

Shqiptarët do të protestojnë të hënën paradite në orën 11.00, sepse paguajnë më shtrenjtë cdo produkt vetëm si pasojë e rritjes se cmimit te karburantit. Dhe qeveria e Edi Ramës merr nga xhepat e qytetarëve cdo vit 56 milionë dollarë taksa vetëm nga nafta.

Ky është vetëm fillimi i një aksion qytetar që duhet të vërë në lëvizje secilin prej nesh.

Partia Demokratike do të jetë në krah të shqiptarëve dhe kauzës së tyre të drejtë, derisa qeveria të marrë masa për uljen e taksave dhe uljen e cmimit të karburanteve.

Pra aksioni nis të hënën, në orën 11.00 paradite duke ndalur secili makinat për 5 minuta.

Read More
21 Jan
0

Të hënën paradite në orën 11, qytetarët do të refuzojnë taksat e qeverisë

Partia Demokratike lajmëron aksionin e parë qytetar dhe i bën thirrje qeverisë për të shfuqizuar taksën e qarkullimit që e mban çmimin e karburantit në Shqipëri më të lartin në Europë. Varfëron qytetarët e pasuron klientelën pranë Ramës. Qytetarët do të ndalin makinën për 5 minuta në shenjë proteste. 

112 milionë USD dalin nga xhepat e shqiptarëve si rezultat i rritjes së taksës së qarkullimit. Kemi  përcjellë këto ditë shqetësimin qytetar për mosuljen e çmimit të karburantit ne Shqipëri, duke denoncuar faktin qe mbajmë shifrën rekord prej rreth 100 lekë taksa për litër karburant, por duke denoncuar edhe klientet e pushtetit që  kontrollojnë tregun në fjalë.

Rritja e taksës së qarkullimit është shkaku kryesor për mosuljen e çmimit të karburantit dhe për rëndimin e xhepave të qytetarëve. Rritja e taksës së qarkullimit, ka qenë një strategji e qartë e qeverisë për të mbushur buxhetin e shtetit packa se duke u marrë frymën konsumatorëve. Të gjithëve u kujtohet kur në mbrojtje të rritjes së kësaj takse Kryeministri shpalosi humor-politikën se kjo rritje i shërbente uljes së obezitetit dhe zhdukjes së përtacisë. Një ligjërim i denjë për çmimin e liderit  më cinik në Evropë dhe më gjerë.  Mazhoranca me kokëfortësinë e saj i ngriti taksat duke i sjellë ekonomisë efektin negativ të uljes së rritjes ekonomike me 0.7 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Për dy vite me radhë, qeveria ka planifikuar të marrë, nga rritja e taksës së qarkullimit me 240 leke të vjetra, nga 56 milionë USD çdo vit. Pra, në dy vjet, nga rritja e taksës së qarkullimit, qytetarët kanë paguar 112 milionë USD, nga xhepat e tyre. Kjo është vetëm taksa e drejtpërdrejtë, sepse në rastin e karburanteve efekti multiplikator indirekt është akoma dhe më shkatërrues për ekonomitë familjare. Partia Demokratike i ripërsërit qeverisë thirrjen e fundit për të marrë masa dhe për të shfuqizuar menjëherë taksat e rritura të qarkullimit dhe për t’i dhënë fund efekteve shkatërruese të tyre në ekonomine e vendit. Partia Demokratike do të vihet në krye të aksionit qytetar kunder varfërimit të shqiptarëve nga qeveria dhe pasurimit të klientëve pranë saj.

Aksioni i parë nis të hënën e ardhshme kur të gjithë qytetarët që kanë një makinë, në orën 11 paradite do të ndalojnë për 5 minuta, në shenjë proteste ndaj cmimit më të shtrenjtë në Europë të karburantit, në raport me të ardhurat, që është i tillë sepse kështu ka vendosur qeveria.

Pra, mos harroni, të hënën e ardhshme në orën 11, për 5 minuta, qytetarët do të refuzojnë masivisht taksat e qeverisë dhe cmimin stratosferik të karburantit.

Read More
21 Jan
0

Rama i shton krizës në shëndetësi një video-mashtrim

Qytetarët refuzojnë me përbuzje propagandën e kryeministrit për spitalet me investime të bëra nga qeveria e mëparshme. Rama për vete dhe familjarët e tij zgjedh klinika private ose jashtë vendit. Spitalet publike në gjëndjen e tyre më të keqe, pacientët janë braktisur, mjekët dhe infermierët janë nën presion, ndërsa ky shërbim është kthyer në monopol pasurimi për klientët e kryeministrit. 

Edi Rama i ka shtuar një plagë tjetër shëndetësisë e cila gjendet sot në ditën e saj më të keqe. E ka bërë këtë duke tentuar të mashtrojë publikun me një video të kuruar me kujdes në montazhin e Kryeministrisë.

Me këtë video spekullim ku janë bashkuar copëza nga investimet e qeverisë së mëparshme, tenton të tregojë një parajsë që nuk ekziston, dhe aq më pak të krijuar nga ai.

Eshtë plagë e shtuar kjo, kur tenton të servirësh një realitet që nuk ekziston, një video që mallkohet cdo ditë nga mijëra qytetarë të vendit që shohin e prekin nga afër në fakt,  krejt të kundërtën e asaj që propagandon nga sarajet e tij të pushtetit, kryeministri.

Në vend që të kurojë problemin,  shqetësimin më madhor që kanë sot qytetarët, Edi Rama zgjedh të largohet gjithnjë e më shumë, zgjedh ta infektojë  gjithnjë e më shumë shëndetësinë me montazhet mediatike të  tij.

Video-mashtrimi që publikoi dje tregon dështimin që ai nuk e pranon në kokën e tij dhe e zëvendëson me zhvillime virtuale videosh. Sot asgjë nuk shkon mirë në spitalet tona, dhe asnjë ditë nuk ka qënë kaq keq shëndetësia sa me Edi Ramën.

Këtë e konfirmon vetë Kryeministri i cili kur i duhet domosdoshmërisht të shkelë në spitale për vete ose familjarët e tij, nuk zgjedh spitalin publik të rilindur sipas tij, por zgjedh ose klinikat jashtë vendit, ose spitalet private.

Kur  qytetarët  lëngojnë në mungesën e ilaceve, sëmuren më shumë në mungesën e ngrohjes, kur një e mitur abuzohet seksualisht në urgjencën e spitalit, kur mjekët dhe infermierët, ata që janë profesionistë e me integritet do të merren në provim nga diletantët e qeverisë, të publikosh një video-mashtrim të prodhuar në montazh kryeministror është provokimi më i ulët, më i papranueshëm.

Ky akt publik i kryeministrit u prit me përbuzje nga publiku dhe u kthye mbrapsht. Mjafton të shihni komentet që janë bërë në Facebookun e Kryeministrit, në atë që është tashmë aktiviteti i tij kryesor.

Refuzim masiv qytetar përzier me neveri.

Dhe kështu do të jetë.

Kjo klikë që ka mashtruar me shëndetësinë falas, që ka braktisur qytetarët në ditën e tyre më të keqe, që i sheh spitalet dhe shëndetësinë vetëm si një ndërmarrje të madhe pasurimi e monopoli shërbimesh, ka për t’u refuzuar me përbuzje.

Partia Demokratike është dhe do të jetë në krah të tyre.

Mashtrimi i kryeministrit do të përballet dhe do të njohë realitetin e protestave dhe të marshimit popullor,  më të madhin që ka parë ndonjëherë vendi.

Read More