Kryetari i Partisë Demokratike lançon projektin “Drejt Lirisë”, në 25 vjetorin e demonstratës së parë antikomuniste të 1990, në Shkodër.
Të dashur dhe të nderuar protagonistë dhe pjesmarrës në demonstratën historike të 14 janarit 1990 këtu në Shkodër,
Zoti kryetar i bashkisë,
Të nderuar deputetë,
zoti kryetar i Qarkut,
Të dashur të rinj e të reja, zonja dhe zotërinj, qytetarë të Shkodrës.
Kaluan 25 vjet, kaloi një çerek shekulli nga dita kur këtu në Shkodër, në ketë qytet me emër të madh në histori, një grup njerëzish të thjeshtë, kryesisht punëtorë, të mbështetur pastaj nga qindra mijëra bashkëqytetarë shkodranë ideuan dhe organizuan në mes të vetmisë dhe terrorit komunist të kohës demonstratën e famshme të 14 Janarit 1990, përballjen e parë popullore me diktaturën, shpërthimin e parë të lirisë në vendin më të shtypur, më të mbyllur dhe me të varfër të Europës.
Gjithnjë jemi mahnitur, akoma mahnitemi e ndihemi krenarë me vendimin e guximshëm të liberatorëve shkodranë, për të rrëzuar bustin e vëllait të madh të Enver Hoxhës, bustin e Stalinit, të cilin nxënësit dhe lakejtë e tij të regjimit të Tiranës e kishin ngritur këtu në Shkodër jo vetëm si simbol të komunizmit me të egër, por edhe si një fyerje për qytetin e vjetër të zakoneve dhe traditave fisnike.
Gjithnjë jemi ndjerë krenarë me kurajon qytetare të shkodranëve që dolën nga shtëpitë dhe u mblodhën në lulishten kryesore të qytetit paraditen e 14 janarit 1990 për të bërë në kushte pakrahasueshmërisht të vështira atë që kishin bërë gjatë vitit 1989 qytetarët polakë, çekë, hungarezë, gjermanolindorë, bullgarë apo rumunë, për t’i dhënë betejë regjimit komunist, për t’i dhënë shenjën e njohjes Lirisë, për të paralajmëruar e filluar ndryshimin e madh.
Shkodra e ka patur zakon të mahnisë dhe t’u flasë brezave me virtytet më të larta të bijve dhe bijave të saj. Ndaj, nuk ka qenë dhe nuk mund të ishte rastësi që demonstrata e parë popullore antikomuniste shpërtheu në këtë truall të vjetër të civilizimit shqiptar, në këtë bastion të sakrificave dhe martirizimit legjendar për vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Por duhet të kthehemi në rrethanat dhe atmosferën e kohës për të kuptuar më mirë rëndësinë dhe madhështinë e demonstratës së 14 janarit 1990. Gjithë Europa kishte flakur zgjedhën e komunizmit dhe kishte hapur epokën e re të lirive. Vetëm Shqipëria jo. Në të kundërtën, regjimi i Tiranës ishte betuar të mbahej me thonj e me dhëmbë, me dhunë dhe terror sipas teorisë së vet të izolimit “as Lindje, as Perëndim”.
Në këto kushte u ngrit Shkodra. Pa mbështetje dhe vëmendje të posaçme ndërkombëtare, pa media dhe dëshmitarë të njohur që do t’i rrëfenin pjesës tjetër të vendit apo botës veprën e tyre, organizatorët, protagonistët dhe pjesmarrësit në demostratën e 14 janarit u rebeluan kundër vdekjes dhe turpit kombëtar pa marrë parasysh asnjë sacrificë.
Krerët e demonstratës u arrestuan, u torturuan barbarisht dhe u dënuan me dënime të rënda. Dhjetra e dhjetra të tjerë u rrahën pa mëshirë në dhomat e paraburgimit të policisë dhe sigurimit të shtetit dhe u mbyllen përdhunshëm në spitalet psikiatrike të vendit.
Sot kam nderin e veçantë, që në emër të Partisë Demokratike, duke u përkulur me nderimin më të madh para veprës të heronjve që janë midis nesh dhe atyre që si kemi më midis nesh, të konfirmoj se në bashkëpunim me Shoqatën “Shkëndia e Lirisë”, i kemi dorëzuar Presidentit të republikës propozimin për dekorimin e heronjve përfaqësues të demonstratës së 14 Janarit 1990.
Përpjekja për ti mbajtur të fshehtë rrethanat dhe heronjtë e kësaj ngjarje u bë përmes një operacioni të mirëfilltë ndërshkimor sepse kishte si qëllim të bënte të paqënë jo vetëm ngjarjen por të shuante trondijen që i ishte krijuar regjimit nga aktet fisnike dhe të trimërisë të rracës kryengritëse shkodrane në demonstratën e 14 Janarit.
Por nuk ia dolën. Demonstrata e çau perden e censurës dhe terrorit. Demonstrata u përhap si kushtrim në mendjet dhe zemrat e mijëra e mijëra shqiptarëve në të katër anët e vendit. Demonstrata kurdisi orën e re të Shqipërisë që nuk mund të qëndronte më as komuniste, nuk mund të qëndronte më as Lindje, as Perendim, sado të përpiqeshin pasardhësit e Enver Hoxhës.
Në dritën e zhvillimeve të mëvonshme, demonstrata e 14 janarit rezultoi të ishte termeti i parë i madh që tronditi ngrehinën e diktaturës pesëdhjetëvjeçare. Shqipëria e re nisi këtu në Shkodër udhëtimin e ri, të vështirë por historik, drejt pluralizmit, hapjes, lirisë dhe demokracisë si gjithë Europa. Demokracia jonë e re i ka fillesat e saj në Shkodër dhe në heroizmin e atyre që bënë 14 janarin e Shkodrës.
Sot shqiptarët përkulen me nderim dhe adhurim të madh para guximit, idealizmit, mundimeve dhe sakrificave tuaja, të nderuar zotërinj. Pëkulen me nderim dhe respekt të pakufishëm para kujtimit të ndritur të atyre protagonistëve që nuk jetojnë më. Njerëz të mençur të kësaj bote, liberatorë si ju, ithtarë të lirisë si të gjithë ne, na kanë thënë se për disa plagë nuk ka shpagim dhe ndreqje në kuptimin konkret të fjalës. Por ekziston një shpagim madhor për të gjitha sakrificat dhe mundimet njerëzore në emër të lirisë dhe kjo është vetë liria, vetë demokracia për çdo qytetar.
14 janari jeton dhe do të jetojë brez pas brezi si vepër e kurajos sepse jeton e do të jetojë liria, punon e do të punojë demokracia.
Prandaj e kujtojmë dhe e mbajmë në panteonin e vlerave më të mira këtë ngjarje sepse është dëshmia e një vlere që nuk vjeterohet kurrë dhe për të cilën shoqëria e njerëzve të lirë ka nevojë çdo ditë, çdo orë: dhe kjo vlerë është kurajoja civile. Ajo që ka lëvizur historinë e njerëzimit dhe të Shqipërisë gjithashtu drejt lirisë dhe prosperitetit.
Vëllezër dhe motra, zonja dhe zotërinj.
Ora e kurajos civile ka ardhur sërish miqtë e mi.
Një shtatore të re, njësoj të mënxyrshme po tenton të vendosë qeveria dhe dyshja Rama-Meta, në Shkodër e kudo. Eshtë po aq e rrezikshme sa ajo e Stalinit. Eshtë instalimi i qeverisjes më të inkriminuar, është instalimi i qeverisjes me banditë. Nuk ka rrezik më të madh për lirinë, për një demokraci e qytetërim si i juaji, si i joni, si i Shkodrës, se sa lidhja e politikës me krimin, promovimi i krimit, kthimi i krimit në model.
Kjo ka ndodhur në Shkodër më shumë se në asnjë qytet tjetër. Kjo qeveri, dyshja Rama-Meta tinëzisht e ka kuptuar mirë se kulturalisht e me vizion nuk hyn dot në këtë qytet, sepse ka të kundërt me ju e ka botëkuptimin, orientimin, kulturën, frymëzimin dhe vlerat e shpirtit. Përdori shteg
un e dhunës e të krimit, të atyre që ky qytet i ka tëhuajtur historikisht.
Eshtë një triumf i përkohshëm i të keqes. Këtë e di mirë, dhe e dini shumë mirë edhe ju. Ky qytet që hodhi regjimin gjakatar të sigurimit të shtetit, nuk do të lejojë një regjim të ri, oligarkik, të korruptuar që ka një gjë të përbashkët me të kaluarën e errët, urrejtjen për lirinë, urrejtjen për fjalën e liri dhe urrejtjen për kundërshtarin politik.
Por e dimë mirë se vlerat tona, ajo ç’ka përfaqësojmë, ky bashkim i joni sot, por dhe bashkimi i protestës së përditshme të qytetarëve të vendit nga Shkodra në Vlorë, nga Korça në Durrës, i kallin datën kësaj oligarkie, i fusin të dridhurat. Ndaj ora e 14 Janarit është zemreku i artë që nuk ndalet e nuk do të ndalet kurrë.
14 Janari si vepër e kurajos qytetare është një pasuri e madhe e Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë, një pasuri e madhe e demokracisë sonë, një pasuri e bashkimit, e etjes dhe sakrificave të qytetarëve për liri dhe dinjitet, është një nga monumentet më madhështore të përballjes së forcave antagoniste të kohës: qytetarët, populli dhe rinia me aspirata demokratike në një anë, regjimi i hurit dhe litarit në anën tjetër. Në këtë përballje epike, që vijoi si në një stafetë gjatë gjithë vitit 1990, forcat demokratike triumfuan në dhjetor mbi dikaturën më të egër të kontinentit, duke hapur pas kësaj epokën e re të lirisë.
Ky vit është 25 vjetori i kësaj ngjarje nga më madhoret në historinë e Shqipërisë. Për ta përkujtuar me nderimet e merituara ne kemi shpallur projektin tonë “Drejt Lirisë” që është rikthimi ynë dhe i brezit të ri në gjurmët e përpjekjeve, sakrificave dhe heroizimit më të spikatur, udhëtimi ynë simbolik në vijën e këtyre ngjarjeve për të njohur më mirë veprën e paraardhësve tanë, për t’u lidhur fort me themelet tona, për ta bërë historinë pjesë organike të formimit dhe vetëdijes të të rinisë shqiptare, të për ta ngritur kurajon në lartësinë e një virtyti popullor të çmuar.
Ky udhëtim sot ka nisur tashmë.
Për ketë jemi sot në Shkodër.
“Drejt lirisë” nga Shkodra e qindra martirëve, nga Shkodra e 14 janarit.
Drejt lirisë nga Tirana.
Drejt lirisë nga Kavaja.
Drejt Lirisë nga Vlora, Saranda, Korça.
Drejt lirisë nga qyteti “Studenti”.
Drejt lirisë nga shpirti liridashës i shqiptarëve.
Drejt lirisë dhe për lirinë me ëndrrat dhe synimet tona të reja për një të ardhme më të mirë.
Rroftë liria!
Rroftë demokracia!
Zoti e bekoftë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë.
Ju faleminderit!
Read More