Blog

30 Dhj
0

Rama humbi besimin e shqiptarëve, nuk ka shëndetësi falas

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë, Tritan Shehu reagoi ndaj daljes së kryeministrit me mjekët duke e cilësuar përpjekjen e tij të dëshpëruar për të argumentuar reformat e munguara në shëndetësi.  

Dje, kryeministri Rama, në një përpjekje të dëshpëruar, u mundua të bindë mjekët se qeverisja e tij po kryen reforma në shëndetësi.

Dëshirojmë të pyesim kyreministrin Rama, cilin nga premtimet elektorale e ka realizuar në këto 18 muaj kjo qeverisje?

A ka shëndetësi “falas” ? As nuk ka dhe as nuk mund të ketë!

Rrugët e financimit janë ato që kanë qënë, përkundrazi me një shtim të pagesave direkte të popullsisë, veçanërisht për shtrimet.

Niveli i financimit të sistemit shëndetësor është këtë vit nga më të ultat, 2,8% e GDP-së, kur premtimi ishte rreth dyfishi.

Spitalet e rretheve, ndryshe nga premtimet, funksionojnë të cunguara për shkak të mungesave në specialistë e furnizime. Kjo i detyron ata që edhe urgjencat t’i evakuojnë.

QSUT prej muajsh është në mungesa të mëdha për gjithçka i nevojitet për të punuar.

Për herë të parë aty kërkohet të kufizohen shtrimet, ndërhyrjet kirurgjikale të planifikuara etj.

Kryeministri foli për forcim të dinjitetit të punonjësve shëndetësorë.

Ndoshta për këtë arsye nuk ka realizuar asnjë rritje rroge për ata punonjës, edhe ajo e 13-ta këtë vit ju mohua?!

Rama foli për konceptin e decentralizimit e “spitalit ndërmarje”.

Shumë e drejtë si strategji, por të gjitha hapat e deritanishme të qeverisjes së tij çojnë në drejtim të kundërt. Centralizimi veçse është absolutizuar.

Centralizimi është bërë ekstrem, jo vetëm në administrim, por dhe në emërimet e shefave të shërbimeve, specialistëve, infermiereve.

Centralizmi ka kufizuar e vështirësuar dhe pacientët në të drejtën e tyre për të zgjedhur ata vetë shërbimin mjekësor.

Rama përmendi dje dhe një tjetër proces centralist “ritestimi”, larg edukimit të vazhdueshëm ky, një rast sui generis, i keqpërdorshëm e diskriminues për specialistët e shëndetësisë.

Një proces i artikuluar në atë mënyrë, jo vetëm nuk ka asnjë bazë ligjore, por rrezikon seriozisht të gjithë sistemin tonë shëndetësor si dhe atë të arsimimit mjekësor.

Pra “drejtimi komunist” i spitaleve që ai përmendi, jo vetëm nuk është zbutur, por ka marrë tipare thellësisht të kuqe.

Kryeministri, mbasi humbi besimin e shqiptarëve vazhdoi të spekullojë dje me mjekët së shëndetësia po bëhet “falas”.

Kjo vazhdon të bllokojë çdo reformë frutdhënëse shëndetësore te ne!

Read More
29 Dhj
0

Rritja e çmimit të energjisë na prek të gjithëve, Rama do përballet me protesta

Deklarata e deputetit Luçiano Boçi i cili denoncoi rritjen e çmimit të energjisë që do të prekë mirëqënien e çdo familje shqiptare 

Rritja e çmimit të energjisë elektrike tashmë është një fakt. Rama, çuditërisht harroi premtimet e tij në 2013, për ulje të ndjeshme të çmimit të energjisë.  Ai  harroi gjithashtu premtimet për ndihmë emergjente ndaj familjeve që nuk kanë mundësi ta paguajnë energjinë, për skema lehtësuese dhe mosnjohje të faturave abuzive. Të gjitha u harruan. Ndërsa sot, e vërteta është që përfundimisht çmimi u rrit dhe kjo rritje do të na prekë të gjithëve:

•Do të prekë në radhë të parë 76% të konsumatorëve të cilët që nga 1 janari do të paguajnë 24% më shtrenjtë energjinë e tyre. Nga 7.7 në 9.5 l/kë/muaj, pa llogaritur edhe shtesën 20% të TVSH-së. Këto janë shtresat më të prekura të popullatës, dhe paratë për të paguar rritjen e çmimit do t`i heqin nga ushqimi dhe veshmbathja për kalamajtë dhe familjarët e tyre. Kompensimi i premtuar i qeverisë është qesharak kundrejt nevojave të vërteta të kësaj shtrese;

•Por çmimi është rritur edhe për pjesën e mbetur të konsumatorëve; nga 1 janari 2015 shumë produkte bazike si buka, vezët, qumështi, etj do të jenë më të shtrenjta për të gjithë ne, si pasojë e rritjes shumë të madhe të çmimit të energjisë për prodhuesit.

Kjo është e vërteta e hidhur, të cilën opozita e kishte paralajmeruar me kohë që kur denoncuam megaskandalin financiar dhe moral të CEZ-it, ku 600 milionë euro të shqiptarëve përfunduan në xhepat e kompanisë çeke.

E kishim paralajmëruar me kohë kur denoncuam dhe vazhdojmë të denoncojmë keqadministrimin e kompanisë, në postet drejtuese të së cilës u vendosën persona me precedentë penalë, të parë abuzues me energjinë elektrike janë ata vetë.

E në këtë çast, kryeministri rreket të argumentojë se çmimi energjisë në fakt na qenka ulur. Nuk ka situatë më qesharake se kjo që Rama ka futur veten e tij. Por tashmë i është bërë ves ky qëndrim.

•Siç ndodhi me rritjen e taksave individuale dhe tatim fitimit me 50%, kur përpiqej t`i mbushte mendjen shqiptarëve se në fakt i kishte ulur taksat për 95% të tyre;

•Siç ndodh me ofrimin falas të shëndetësisë, apo me legalizimet falas, etj etj.

Siç po ndodh rëndom kur dështimet përpiqet t`i shesë për suksese.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë menjëherë rritjen e çmimit të energjisë. Përndryshe do të përballet me protestat më masive dhe të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi.

Read More
29 Dhj
0

Rama sulmon viktimën pas vdekjes, mbron drejtorin e tij me 38 milionë lekë vjedhje energjie

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun Grida Duma denoncon represionin e urdhëruar nga Rama që i mori jetën babait të 3 fëmijëve 

I gjithë opinioni publik është tronditur nga ngjarja tragjike ku një kryefamiljar, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve i dha fund jetës në qeli pasi po mbahej atje prej dy muajsh nga represioni i dhunshëm e ç’njerëzor frymëzuar e urdhëruar nga Edi Rama.

Gjithkush ka shprehur revoltën dje nga kjo ngjarje, sidomos kur u mësua se fatkeqi nuk ishte aspak vjedhës energjie, por e paguante atë. Ekspertët kanë zbuluar se jo vetëm nuk kishte diferencë, me mënyrën se si ai kishte lidhur dyqanin e tij me sahatin familjar, por përkundrazi e paguante edhe më shtrenjtë energjinë.

Babai i tre fëmijëve kishte bërë atë që kanë bërë mijëra qytetarë në vend që duan të mos mbyllin biznesin e vogël me të cilin ushqejnë familjen, pasi OSHE-ja e Edi Ramës nuk të përgjigjet asnjëherë për kërkesat që mund të kesh.

Vetëm një njeri në Shqipëri nuk ka treguar asnjë lloj ndjeshmërie për këtë dramë, që nuk është vetëm e një të ndjeri, por e mbarë vendit. Ky është Edi Rama, i cili e ka shumëfishuar dhimbjen e familjes lushnjare e të afërmve të viktimës, por dhe të mbarë opinionit publik, duke e cilësuar hajdut burrin që protestoi ndaj padrejtësisë duke u vetëflijuar.

Ky është reagimi i vetëm i përgjegjësit kryesor, për humbjen e kësaj jete, goditja e mëtejshme e viktimës. Pasi i mori jetën me skemën e tij anti-humane, me represionin e verbër policor, Edi Rama, e vazhdoi luftën ndaj babait të tre fëmijëve duke e shpallur vjedhës, pas vdekjes. Duke gënjyer publikisht në fakt, dhe gënjeshtra e tij solli edhe më shumë revoltë dje, pasi qartazi u pa se 52 vjecari nuk abuzonte me energjinë, ai e paguante atë.

As i rrezikshëm për shoqërinë, as në kushtet për të manipuluar provat, as në arrati të mundshme, ky kryefamiljar u mbajt në arrest burgu, sikur të ishte kryebandit që kërcënon shoqërinë. Kemi ndërkohë këtu rastin e një debitori të pashembullt, energjie, me 38 milionë lekë. A është ai në burg? Jo, është njeri i Edi Ramës, dhe është drejtor rajonal për Mjedisin në Gjirokastër.

E mbron Kryeministri drejtorin e tij hajdut 38 milionësh, dhe nuk gjen një cast për të ngushëlluar një qytetar me borxh 35 mijë lekësh të vjetra, që dha jetën prej urdhërit të tij, prej politikës së tij, por e diskretitoi edhe pas frymës së fundit.

Edi Rama në fakt u vetdiskretitua, duke dalë para shqiptarëve, ashtu i plotë siç është, i pandjeshëm, arrogant, cinik i pashpirt, i padurueshëm më.

Qytetarët e vendit e kanë kuptuar mirë edhe më parë se dje. Por kjo e djeshmja ishte përtej cdo të keqe të përfytyrueshme. Edi Rama shkeli çdo normë e moral, çdo kod të shqiptarit.

Ai hodhi në erë vetë karrigen e tij. Tiranët kështu e nisin theqafjen e tyre, kur tregojnë faqe publikut gjithë përmasat cnjerëzore. Shqiptarët do tia tregojnë derën.

Më të bashkuar se kurrë, në protestë për liri, mirëqënie  e dinjitet.

Read More
28 Dhj
0

Reagim i Partisë Demokratike ndaj OSHEE

Drejtuesit e OSHEE-së, ata që kanë nënshkruar emërime hajdutesh dhe debitorësh si rastet e bëra publike në Lushnjë dhe sot në Gjirokastër, apo personash në ndjekje penale për armëmbajtje pa leje si rasti Tropojës, sot duhet të japin dorëheqjen e jo të bilbilosin. Koha ka ardhur që ata dhe shefat e tyre politike të japin llogari deri në një për padrejtësitë e tyre që po marrin jetë njerëzish. Vjedhësit dhe abuzuesit më të mëdhenj të energjisë janë vetë banda kriminale e transplantuar në drejtim të OSHEE-së dhe bosët e tyre politike që vjedhin e shpërdorojnë dhjetëra miliona euro pa ju hyrë gjemb në këmbë.

Read More
28 Dhj
0

“Lak në fyt” për të pamundurit, marshim kundër arrogancës qeveritare

Deputeti Gent Strazimiri denoncon dhunën policore ndaj të pamundurve për të paguar energjinë ku një kryefamiljar nga Lushnja vrau veten në burgun e Rrogozhinës, i arrestuar për 35 mijë lekë të vjetra detyrime. Kryefamiljarët e një pallati u arrestuan të gjithë në mënyrë kolektive. Por drejtorët e qeverisë kanë imunitet si ai i Mjedisit në Gjirokastër, debitor ndaj OSHEE me 38.6 milionë lekë.  

Prej 48 orësh, në komisariatin e Krujës ndodhen të arrestuar, pa të drejtën e konsultës me një avokat,  të gjithë kryefamiljarët e një pallati, me akuzën e “vjedhjes së energjisë elektrike” madje sipas njoftimit të policisë “të shpallur në kërkim”.

“Operacion policor” pra, u përmbyll “me sukses” në mesnatë, me arrestimin e të gjithë qytetarëve kryesisht mbi 55 vjeç, kryesisht me arsim 8 vjeçar, të gjithë të papunë, një pjesë invalidë, pra në pamundësi absolute për të paguar paratë që u kërkon qeveria.

Mes tyre ka persona të sëmurë që nuk lejohen as të marrin ilaçet, siç është rasti i zotit Shpëtim Bami, diabetik.

Ka persona që kanë rilidhur energjinë, por kundrejt pagesës së negociuar me OSSH;ashtu sikurse ka persona që nuk kanë qenë asnjë ditë debitorë siç është rasti i zotit Hysni Bega.

Po sot, në burgun e Rrogozhinës një tjetër qytetar i ka dhënë fund jetës, duke e konsidëruar këtë akt ekstrem si të vetmen mënyrë për të gjetur drejtësinë.

52 vjeçari Zela, sipas familjarëve dhe mediave, ishte burgosur për një debi 35 mijë lekë të vjetra ndaj OSSH!

Ndërkohë, qeveria e “ligjit të hekurt” dhe “puritanizmit ligjor”, ka vendosur që në Gjirokastër, luftën kundër vjedhjes së energjisë elektrike, në pozicionin e drejtorit, e zbaton më mirë se kushdo tjetër  Koço Thimjo, debitor ndaj OSSH me mbi 38 milione lekë, borxh i akumuluar që nga viti 2009 në mënyrë konsistente dhe të përsëritur sistematikisht.

Në emër të “popullit opozitar” të “1 milionë të papunëve” dhe të “97%-shit” që nuk do të paguante me asnjë taksë, apo të 100%-shit të popullit që do t’u ulej çmimi i energjisë elektrike, i kërkojmë qeverisë të mbajë premtimet e qershorit 2013.

I kerkojmë të mbajë dorën vrastare që mban në burg qytetarët e dëshpëruar e që kriminelët e burgjeve i bën drejtore, pushtetarë lokalë e deri deputetë.

I nderuar qytetar që sot po vuan arbitraritetin e mashtrimin e qeverisë, në këtë vit të mbrapshtë, pa bukë, drita e të drejta…por të mbushur me propagandë e propagandues rrogtarë të qeverisë:

“litari në qafë” nuk është zgjidhje, nuk është shpëtim! Ka një rrugë tjetër që shpëton vendin dhe ty njëkohësisht!

“Litarin” që mban në ato duar me kallo që kurrë nuk mjaftuan për të mbajtur fëmijët me bukë, vare në qafën e qeverisë së mashtrimit, si në shkurt ’91, si në mars ’92!

Read More
28 Dhj
0

Me rritjen e çmimit të energjisë, Rama i hapi rrugën rritjes së çdo çmimi e kosto jetese

Deputetja Tabaku denoncon efektin shkatërrues që do të ketë rritja e çmimit të energjisë për 75 % të familjeve shqiptare dhe për biznesin. 

Siç është bërë tashmë zakon, në ditët e fundit të vitit, qeveria u dhuroi shqiptarëve një dhuratë për vitin e ardhshëm; rritjen e çmimit energjisë elektrike!

Nga 1 janari i vitit 2015 shqiptarët do të paguajnë më shumë për energjinë elektrike. Ato shtresa në nevojë, pensionistë, persona me aftësi të kufizuara e kushdo që ishte i mbrojtur deri më sot, falë qeverisjes socialiste do të paguajnë 9.4 lekë/ këh në vend të 7.7 lek / këh (dhe kjo pa TVSH). Plot 24 përqind më shumë!

Dje propaganda qeveritare po përpiqej të na mbushte mendjen se çmimi mesatar është më i ulët! Unë nuk e di se cilit shqiptar i intereson çmimi mesatar. Askujt nuk i duhet se sa ka qenë mesatarja. Por të gjithë me një aritmetikë të thjeshtë, e kemi të qartë që nga viti i ardhshëm 75% e familjeve shqiptare do të paguajnë 24% më shumë.

Të qartë e kanë edhe qytetarët të cilët me të drejtë prisnin nga qeveria heqjen e TVSH-së për energjinë e si këmbim të votës së besuar ajo u dhuroi rritjen e çmimit të energjisë.

Akoma më të qartë, për fat të keq, e kanë ato nevojtarë që i besuan taksimit progresiv të qeverisë, dhe sot 97% e tyre po mbajnë mbi shpatulla taksat e rritura.

Të qartë e ka dhe qeveria, që po përpiqet të shpikë gjithçka për të mos thënë të vërtetën. Shqiptarët do të paguajnë më shumë nga Janari për energjinë elektrike, ashtu siç sot paguajnë më shumë për taksa. Shqiptarët do të jenë më të varfër nesër se sot, sepse shteti po dështon të luajë rolin e tij social. Sepse shteti për shkak të paaftësisë po zgjedh rrugën më të lehtë, atë të ngopjes me taksa qytetarëve.

Shqipëria reale është shumë ndryshe nga ajo virtuale, ku duket se kalon kohë së fundmi kryeministri dhe stafi i tij.

Miku i biznesit pasi u përkujdes në rritjen e taksave për shumicën prej tyre, tashmë krenohet se nuk kemi më një taksë të sheshtë prej 10% por e kemi prej 15%. Po u shton dhe një barrë tjetër mbi to, rritjen e çmimit të energjisë. I cili, do të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin e produkteve dhe njëkohësisht në kostot e biznesit. Duke shtrenjtuar akoma më tej jetesën! Duke i hapur rrugën kështu një tjetër viti të vështirë dhe depresiv!

Për bizneset e mëdha rritja e cmimit të energjisë është 11.8% ndërkohë që ka sektorë si  Industria rritje me 33% e Bujqësia rritje me 35%.

Në ç’do vendim që kjo qeveri merr filozofia është e qartë! Kush shpenzon më pak paguan më shumë, kush shpenzon më shumë paguan më pak!

Kryeministri që ka dëshirë të ndërtojë Republikën e tij brenda mureve virtuale, duhet të kuptojë se shqiptarët e kanë të pamundur të jetojnë nën këtë trysni që dita ditës po bëhet më e vështirë për t’u përballuar.  Dhe qytetarët do të dalin nga kjo spirale krize, do ta ndalin të keqen të bashkuar në protestë.

Read More
27 Dhj
0

I papranueshëm mashtrimi me energjinë, shqiptarët gati për protesta

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Arben Ristani denoncoi rritjen e çmimit të energjisë dhe mosreflektimin e kryeministrit që theu premtimin ndaj qytetarëve e bashkë me të edhe legjitimitetin e tij.

Dje, 5 ditë para Vitit të Ri, Edi Rama vendosi një rekord të zi me rritjen prej 25 për qind të çmimit të energjisë elektrike për 75 përqind të shqiptarëve.

Pasi fali apo ndau  600 milionë euro detyrime të njohura CEZ-it, pasi vendosi administratorë hajdutë të pashembullt në këtë sektor, debitorë e persona nën hetim  për korrupsion ose me precedentë penalë dhe pasi thelloi këtë gropë të madhe në pasurinë e përbashkët të shqiptarëve, Edi Rama kërkon t’u marrë qytetarëve edhe qindarkën e fundit.

Në këtë kurs të çmendur, të shkatërrimit, Edi Rama jo vetëm nuk ndalet, por vendos që në vend të akti ndihme në këtë fundvit të vështirë për qytetarët e vendit, të dërgojë mandatin e kobshëm të rritjes së çmimit të energjisë.

Shqipëria ka mbërritur në këtë pikë si pasojë direkte e politikës së rritjes së taksave, rritjes së shpenzimeve qeveritare, mungesës së investimeve dhe arrogancës e paligjshmërisë qeveritare.

Në 22 nëntor, në një marshim proteste të paparë në dy dekadat e fundit, qindra mijëra shqiptarë e thanë fjalën e tyre. Ata i kërkuan Edi Ramës të mos e rrisë çmimin e energjisë.

Por kryeminstri nuk reflektoi.  Ai mori këtë vendim shkatërrues për xhepat e shqiptarëve pasi u fsheh për muaj të tërë, pasi mohoi se çmimi do të rritej, duke deklaruar deri pak ditë më parë se opozita gënjente dhe çmimi nuk do të rritej.

Edi Rama mashtroi shqiptarët duke thyer premtimin se do të ulte çmimin e energjisë.

Edi Rama mashtroi përsëri kur u tha shqiptarëve se çmimi i energjisë nuk do të rritej.

Edi Rama e rriti çmimin e energjisë elektrike dhe theu kontratën me qytetarët e bashkë me të edhe legjitimitetin e tij.

Durimi i shqiptarëve ka një kufi. Ka ardhur koha ti tregojmë sharlatanëve vendin, si kudo në botën e qytetëruar.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës të tërheqë menjëherë rritjen me 25 për qind të çmimit të energjisë. Përndryshe do të përballet me protestat më masive dhe të fuqishme që ka njohur ndonjëherë vendi.

Read More
25 Dhj
0

Basha uron Krishtlindjen nga qyteti i Shkodrës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha uroi Krishtlindjen për të gjithë shqiptarët nga qyteti i Shkodrës: 

“Nga margaritari i respektit dhe i bashkëjetesës fetare për Shqipërinë, Ballkanin, Europën dhe mbarë botën, nga zonja Shkodër dua të uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve; Gëzuar Krishtlindjen! Festën e shpresës, dashurisë e të besimit. I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre, ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e ditës së sotme, të na frymëzojë e të na bëjë optimistë për një të nesërme më të mirë. Gezuar! ”

Read More
24 Dhj
0

Basha: Fillimi i fundit të kriminalizimit, PD në ballë të betejës qytetare për nxjerrjen e vendit nga qorrsokaku

Deklarata për mediat e kryetarit të PD: 

Me kënaqësi të veçantë dëshiroj të përshëndes sot nënshkrimin dhe miratimin e Rezolutës për normalizimin dhe  dekriminalizimin e  Kuvendit të Shqipërisë.

Do të kemi një demokraci  funksionale dhe të shëndetshme, të mbështetur në vlerat dhe virtytet më të mira, apo një pseudodemokraci,  një kartel, ku ligjin e bën krimi i organizuar dhe  një grusht oligarkësh që mendojnë vetëm për sundimin dhe pasurimin e tyre ?!

Kjo ka qenë dhe mbetet akoma pyetja kyçe që gjëmon e kumbon si  gjëmë.  Ky ka qenë udhëkryqi ku e vuri shoqërinë shqiptare  gjashtë  muaj më parë shumica Rama-Meta në lajthitjen për të qeverisur pa opozitë, ose me një opozitë fasadë, duke e përjashtuar nga ligjvënia e cilësuar, nëpërmjet trafikut të deputetëve, duke i mohuar të drejtën kushtetutese hetimit parlamentar, dhe së fundi duke hedhur në veprim  repartin e dhunës  për  t’i mbyllur gojën opozitës, për t’i marrë asaj edhe mjetin e fundit, fjalën e lirë.

Pa asnjë dilemë se e vetmja alternativë për Shqipërinë dhe shqiptarët është demokracia funksionale e modelit europian, Partia Demokratike dhe opozita vendosën gjashtë muaj më parë ndërprerjen e marrëdhënieve me Kuvendin, si një veprim i domosdoshëm për të ekspozuar qartë dhe bindshëm në sytë e opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar të vërtetën tronditëse,  të një Kuvendi të kriminalizuar  me vetëdije nga krerët e mazhorancës aktuale.

Ne mbrojtëm Kuvendin duke shpallur papajtueshmërinë tonë absolute me kriminalizimin e tij. Ne kërkuam dhe propozuam një marrëveshje politike, për ç’montimin deri në burmën e fundit të mekanizmit që promovon kontingjente të krimit të organizuar në Kuvend dhe në çdo institucion tjetër publik, me bindjen e plotë se kjo nuk ishte e nuk mund të jetë një çështje e zakonshme e interesit partiak të një pale, por një çeshtje madhore e demokracisë, kauzë jetike e shqiptarëve. Ne e ndërkombëtarizuam problemin kur pamë se shumica po bënte veshin të shurdhër. Ishte kjo përpjekje, e gjatë dhe e vendosur, që solli më në fund marrëveshjen dhe rezolutën e miratuar sot në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo rezolutë përfaqëson kuadrin e qartë të parimeve  dhe angazhimeve të përbashkëta shumicë-opozitë për dy çështje kyçe:

Së pari, për normalizimin e jetës parlamentare përmes zbatimit sistemik të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rishikimit të rregullave në lidhje me funksionimin efikas të komisioneve parlamentare hetimore bazuar në praktikat  më të mira  ndërkombëtare.

Së dyti, për të punuar sëbashku, në mënyrë konsensuale, me ndihmën e Parlamentit dhe Komisionit Europian për dekriminalizimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera të qeverisjes.

Rezoluta ka mbështjen e plotë të përfaqësuesve të  grupeve  më të mëdha të Parlamentit Europian, Partisë Popullore Europiane dhe Partisë Socialiste Europiane. Zbatimi i Rezolutës po kështu do të monitorohet  prej tyre në vazhdimësi. Në vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, kjo është një ngjarje më rëndësi të madhe për jetën politike, parlamentare dhe shoqërore të Shqipërisë.

Frytet e saj do të duken  menjëherë dhe në vijimësi, në vartësi të  seriozitetit, shpejtësisë dhe cilësisë së zbatimit të masave të gjithëpranuara për të garantuar sovranitetin e plotë të ligjeve kushtetuese dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe sidomos për dekriminalizmin e Kuvendit dhe institucioneve  të shtetit, për  eliminimin njëherë e mirë të praktikave që mundësojnë vërshimin e krimit në këto institucione, kapjen dhe kapitullimin e tyre.

Si nismëtarë të këtij zhvillimi, që paralajmëron goditjen dhe fundin e një kancerogjeni shumë të rrezikshëm për shtetin dhe shoqërinë shqiptare, dua të shpreh mirënjohjen time të pakufishme për qytetarët  shqiptarë, që kanë  ndarë me ne këtë shqetësim madhor dhe na kanë mbështetur pa rezerva në këtë betejë.

Falenderoj nga zemra me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë dhe partnerët tanë europianë dhe amerikanë, zotërinjtë Kukan dhe Fleckenstein në veçanti, që ndihmuan me përkushtim të madh për arritjen e kësaj marrëveshje  dhe  do të vazhdojnë të na mbështesin për zbatimin e saj.

Kalimi nga qëndrimi i përbashkët i shprehur  në rezolutë,  tek veprimet e përbashkëta, duke përshtatur praktikat më të mira me asistencën e Bashkimit Europian, është hapi  i ri që duhet të hedhim tani, pa humbur kohë, me qëllim që dekriminalizimi të mos mbetet deklarativ, por të kthehet në akt dhe të jetë një proces pa ngecje deri në finalizim.

Ne jemi të vetëdijshëm se rezoluta nuk është fundi, por vetëm fillimi i punës dhe përpjekjeve për  zbatimin  e saj. Thënë ndryshe, është fillimi i fundit për kriminalizimin e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo institucioni tjetër.

Partia Demokratike dhe opozita janë në  Kuvend për ta vazhduar  këtë betejë dhe për ta çuar deri në fund, tashmë me një mbështetje të plotë qytetare dhe ndërkombëtare dhe me një dokument parimesh dhe angazhimesh detyruese për shumicën dhe opozitën. Beteja nuk do të jetë e lehtë, por ne jemi të vendosur dhe optimistë se do t’ja dalim. Shqipëria e vlerave dhe virtyteve  është misioni ynë. Me ketë rast dua t’i siguroj të gjithë demokratët dhe qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike do të vazhdojë të jetë zëri i tyre në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, do të vazhdojë të jetë në sintoni të plotë e të përditshme me Shqipërinë në protestë, do të vazhdojë t’u prijë protestave popullore përballë gjendjes gjithnjë e më të përkeqësuar ekonomike dhe shoqërore në vend.

Vendi ka rrugëdalje, ka zgjidhje nga qorrsokaku ku ndodhet, dhe ne jemi më të vendosur se kurrë për ti realizuar ato.

 Faleminderit.

Read More
24 Dhj
0

Fjala në Kuvend e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka

Z. Kryetar,

Kolegë

Të dashur qytetarë,

Ne po kthehemi në Parlament sot pas një periudhe bojkoti të detyruar, por po rikthehemi me kokën lart sepse kemi ia kemi arritur më në fund të realizojmë qëllimin dhe kërkesat tona, që nuk janë thjeshtë në interesin e opozitës por janë në interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe demokracisë shqiptare.

Rikthehemi me vullnet dhe dëshirën që ky Parlament më në fund të kthehet në tempullin që duhet të jetë realisht, tempullin e demokracisë, tempullin e përfaqësimit dhe mbrojtjes të lirive, të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.

Bojkoti për ne u bë një zgjedhje e detyruar pasi ky Parlament, duke mosrealizuar detyrimet e tij, u kthye në vendin ku më së pari u shkelën dhe u dhunuan të drejtat e opozitës dhe të qytetarve shqiptarë.

Dhuna fizike ndaj deputetëve të opozitës dhe fjalës së tyre, ishte vetëm akti i fundit që ndodhi në një Parlament ku vazhdimisht injoroheshin rregullorja, ligjet, shkelej Kushtetuta dhe nuk zbatoheshin as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Standardet e drejta të këtij Parlamenti kanë qenë të turpshme. Një parlament ku dënohej i agresuari, njësoj me agresorin. Një parlament ku kryeministri mban nën kërkcënim kryetarin e Prlamentit me prangat e burgut.

Për këto arsye e jo për tekat tona, ne u larguam nga Parlamenti. Ne nuk vumë kushte, as nuk kërkuam favore nga maxhoranca. E vetmja gjë që kërkuam ishte që kjo maxhorancë të mos vazhdonte e të bënte sikur nuk e dinte se çfarë kërkonte opozita dhe të shprehte vullnetin e saj të qartë për zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, të shprehte vullnetin e saj të qartë se nuk do të shkelte më të drejtat e opozitës në Kuvend dhe se pas gati dy vjetësh aspak të një qeverisje të lumtur, do të heq më në fund dorë nga arrogance e një shumice absolute në Parlament.

E çfarë është më e rëndësishmja, vullneti për të mos lejuar më kriminalizimin e Parlamentit dhe administratës shqiptare.

Bojkoti, sado i padëshiruar nga ne, tërhoqi vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët megjithëse në një Evropë dhe botë të mbytur në problem akute, i dhanë vlerësimin e duhur situatës në Shqipëri dhe duhet të pranojmë që ishte sidomos këmbëngulja e tyre që solli dhe përgatitjen dhe votimin e kësaj rezolute që voztojmë sot në Parlament. Prandaj për këtë duhet ti falenderojmë.

Ne shpresojmë që votimi i kësaj rezolute të përbashkët sot, të realizojë qëllimin që ne si opozitë kemi dhe besojmë që kjo rezolutë ju jep përgjigje shqetësimeve madhore që opozita ngriti e që imponuan largimin tonë nga Parlamenti.

Ne duam që demokracia të funksionojë në këtë vend. Që 25 vjet pas rrëzimit të regjimit më të urryer nga shqiptarët, ata të mos tremben nga kthimi pas por të shohin me shpresë nga e ardhmja. Prandaj ne urojmë që dhe maxhoranca të marrë me seriozitet zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ne e dijmë që marrëveshjet qendrojnë në këmbë e zbatohen vetëm kur të gjitha palët janë të interesuara dhe përfitojnë prej tyre.

Përvoja në Shqipëri, sidomos kohët e fundit, ka treguar se luajaliteti i palëve nuk mjafton për zbatimin e marrveshjeve. Por ne shpresojmë që kjo marrëveshje e fundit të qëndrojë, pikërisht sespe është jo vetëm në interest të demokracisë shqiptare, në interes të qytetarëve shqiptarë që na zgjedhin si përfaqësues të tyre, por dhe në interes të palëve politike. Opozitë dhe maxhorancë bashkë.

Kush sheh më largë se hunda e tij në politikë e kupton lehtë një gjë të tillë.

Askush të mos mendojë se ne kemi iluzionin e ndryshimit të papritur të vullneteve tek kjo maxhorancë.

Por nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar rradhën, gabon.

Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve që ndërhynë për realizimin e saj, prapë gabon.

E ca më shumë, ne se ndonjërit do i pëlqejë ta interpretoj këtë marrëveshje thjesht si një ‘favor’ që ju bë opozitës për ta shpëtuar nga djegia e mandateve, gabon dhe gabon shumë rëndë.

Ne besojmë realisht se kjo marrëveshje është në favor të të gjitha palëve, në interest të demokracisë në Shqipëri, që duhet të jetë dhe interesi i të gjitha palëve në Shqipëri.

Ky moment e kjo marrëveshje, janë rasti i duhur për ta shpëtuar politikën shqiptare, për aq sa mundemi, nga zhytja totale në llumin e krimit dhe korrupsionit e kjo nuk do të ishte vetëm në të miren e qytetarëve shqiptarë por dhe në të mirën e atyre që janë largpamës e që mendojnë të jenë pjesë e një politike, e cila nuk mund të jetë siç është sot, e ca më tepër nuk mund të lejohet të degjeneroj më tej.  Pasojat në të kundërt do të veprojnë e nuk do të prekin vetëm një palë.

Prandaj shpresojmë duke besuar, që kjo marrëveshje të sjellë realisht një ndryshim në politikën shqiptare e për këtë duhet vetëm vullnet nga kjo maxhorancë

Nga ana tjetër askush të mos ketë iluzionin që kjo marrëveshje është një pakt paqeje midis nesh dhe kësaj qeverie.

Për ne, por dhe për shumicën sot të qytetarëve shqiptare, kjo qeveri që po shkatërron çdo ditë jetët e qytetarëve të saj, me paaftësisë, papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e saj, e ka mbyllur ciklin dhe duhet të ik në shtëpi.

Prandaj duke falenderuar së fundmi të gjithë qytetarët shqiptarë, demokratë apo jo, që na mbështetën dhe inkurajuan gjatë këtyre muajve, i garantojmë se interesi i tyre është i vetmi interes i yni, pasi realisht interesin tonë si opozitë e shohim të lidhur ngushtë me interesin e qytetarëve dhe do të jemi në Parlament për ta mbrojtur atë deri në fund këtë interes.

Ju Faleminderit!

Read More