Blog

16 Mar
0

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në Kuvendin Zgjedhor të degës nr 13 të PD, Tiranë

 

 

PJESË NGA FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË KUVENDIN ZGJEDHOR TË DEGËS NR 13 TË PD, TIRANË

 

 

Pazari i turpshëm i 48 orëve të fundit, por që në fakt ka qenë tenxhere me presion prej fillimit. Sepse hallexhinjtë e kësaj marke ia dinë gjuhën njëri-tjetrit, ia dinë ku i dhemb njëri-tjetrit dhe janë të gatshëm të bëjnë pazare me njëri-tjetrin për njëri-tjetrin, por jo për shqiptarët. Pazari i fundit, është padiskutim një Pazar i pastër për interesat në radhë të parë dhe mbi të gjitha të Edi Ramës, i cili e sheh dhe e ndjek kudo që politikisht sot është një pakicë absolute në popull, bashkë me gjysmën e qeverisë, sepse gjysma tjetër ia ka marrë SPAK-u apo është në kërkim ndërkombëtar, inetesat e Sali Berishës dhe interesat e disa vulëhumburve që sic erdhën ashtu po ikin të katapultuar në politikë pa asnjë farë kontributi dhe që u janë ngjitur sytë, veshët, stomaku dhe të prapmet pas karrigeve që kanë qëllim të vetëm të ruajnë këto karrige duke sakrifikuar aspiratën e demokratëve dhe të shqiptarëve për rotacion.

 

Pesë muaj i ashtëquajturi revolucion, çfarë prodhoi? Prodhoi që Edi Rama të kalojë ça i desh qejfi. Nga buxheti, te aktet korruptive, te heqja e parave për pronarët, tek investimet strategjike pa asnjë kritikë opozitare, pa u dëgjuar zëri i opozitës në Parlament. Se në vend që të flisnin, i binin bilbilave. Për çfarë i ranë bilbilave? Që nga 8 të mernin 2 komisione. Dhe këto 2 komisione, objekti është të shikojnë masat administrative dhe të përmirësojnë ligjet që mos të vjedhi Edi Rama. Sepse Edi Rama dhe Ilir Beqja vjedhin se janë ligjet e këqija. Këtu u katandis revolucioni, nga 8 në 2. Dhe nga këta të dy, njëri siç e keni parë dhe dëgjuar SPAK-u të hënën komunikon akuzat dhe po bëhet gati të çojë në burg të pandehurit. Për këtë pra u shit revolucioni. Asgjë. Madje më keq se asgjë, minus, sepse ligji për komisionet hetimore ka ndryshuar në mënyrë të njëanshme nga Edi Rama duke e bërë edhe më të vështirë, deri në kufijtë e pamundësisë transparencën.

 

Pse shqiptaret duhet të jenë të lumtur me këtë Pazar? Përkundrazi, për turpin e tyre po pranojnë të kthehen në një fasadë për Edi Ramën që të ruajnë kushtetutën e 2008-ës dhe të ruajnë listat e mbyllura, dhe të ruajnë kontrollin politik së bashku me atë tjetrin dhe në këtë mënyrë të sigurojnë një monopol politik për veten e tyre. I kanë të qarta gjërat, Edi Rama do të vazhdojë i pashqetësuar pushtetin. Ky tjetri gëzohet me shpresën e vakët dhe të reme, se po e konsideron partner. Ndërsa këta të tjerët thonë 2025-sa iku, të kapim një karrige me votat e plakut se pastaj s’dihet se çfarë ndodh me plakun.

 

7 miliardë euro që i kaloi për katër minuta dhe nuk ka zgjidhje për pensionistët që janë poshtë kufijve të mbijetesës. Po mos të ishte për fëmijët e tyre në emigracion e të afërmit e tyre. Nuk ka zgjidhje për sipërmarrësit shqiptarë, disa prej të cilëve i takova sot në panairin e mobiljeve, është shqetësim kryesor krahu i punës që u largohet, punonjësit që u largohen dhe mungesën totale të mbështetjes apo qoftë edhe të kujtesës për ta, nuk kujtohen për ta. Po të flasim për fermerët e kësaj zone, sa prej tyre kanë parë subvencione me sy? I gjithë prodhimi i kësaj zone, e gjithë mrekullia e kësaj zone është mrekullia e punës së njerëzve të mrekullueshëm të këaj zone, jo me ndihmën e qeverisë. 7 miliardë euro, jo vetëm që nuk gjejnë lekë për fermerët, por vjedhin edhe eurot që sjell Europa. Skandali i IPARD-it që ne e vumë si prioitet për ta hetuar në shtator të këtij viti.

 

Me njerëzit dhe për njerëzit, bashkë me faktorë të tjerë politikë do të nisim shumë shpejt një dialog për të treguar se mendjet, zemrat, vizionet por dhe faktorët politikë që duan ndryshimin, duan rotacionin. Duan listat e hapura, duan votën e emigrantëve, duan barazinë e votës, të japin mbështetje pa kushte për SPAK-un për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe që e shohin të ardhmen dhe të sotmen e Shqipërisë tek partneriteti me perëndimin dhe vlerat e tyre, me SHBA dhe BE, janë shumë më shumë edhe si faktor politik dhe si factor jo politik. Pra një aleancë të gjerë vlerash me qytetarët. Kësaj sigurisht duhet t’i përgjigjet në sinkron gjithçka që ne themi por dhe gjithçka që ne bëjmë.

Read More
15 Mar
0

Kryetari i PD, Lulzim Basha, në Kuvendin Zgjedhor të degës së PD, Kurbin

 

 

PJESË NGA FJALA E KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA, NË KUVENDIN ZGJEDHOR TË DEGËS SË PD, KURBIN

 

 

Për fat të keq revolucioni u flijua. Revolucioni i shpallur me bujë u flijua për dy komisione hetimore, njëri prej të cileve sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burgë sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrejnë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propoyojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet. Për këtë u shit revolucioni i premtuar kurbinasve dhe gjithë demokratëve shqiptarë. Ka ardhur koha të vëmë gishtin në plagë, ku ndoshta të gjithë kemi gisht në këtë plagë kush më shumë e kush më pak. Shpresa e reme është lidership i remë. Ku është revolucioni, ku është përmbysja e Edi Ramës? Cila është fitorja që i shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do ta rrëzoje Edi Ramën? Ku është bashkia e Kurbinit? Të gjitha kanë avulluar si iluzione, sepse nisen me një pretendim të remë.

 

Por diku tjetër fle lepuri, te marrëveshja famkeqe e kushtetutës 2008-ës për të mbajtur monopolin për kandidatët për deputetë, për të kontrolluar sistemin politik siç u ka lënë trashëgimni Ramiz Alia. Edhe pse kjo në këtë formë mund të vij me një cmim shumë të lartë jo thjesht për demokratët, por për të gjithë Shqipërinë, për të gjithë Kombin me çmimin e lartë të konsolidimit të pushtetit të Edi Ramës dhe rënimit të opoyitës shqiptare. Po kaq u bën atyre që është thënë dhe me të drejtë u katapultuan pas asnjë meritë si kandidat për deputetë dhe që e kanë frikë listat e haçura, sepse kanë frikë të vijnë e të përballen me gjykimin e demokratëve, me gjykimin e qytetarëve, me votën tuaj. Frika ndaj listave të hapura i ka shtyrë drejt këtij komploti të ri ku janë prap bashkë, bashkë për t’i mbajtur listat e mbyllura, bashkë për t’i mohuar shqiptarëve barazinë e votës, bashkë për të mohuar votimin dhe numërimin elektronik që iu heq instrumentet e manipulimeve të tjera zgjedhore, bashkë për t’i mohuar votën diasporës që duan ta degdisin ose në dyrt e ambasadave, ose me postë, të Postës Shqiptare, të foles dhe çerdhës së pushtetit, në fakt ta themi troç, të çdo pushteti.

 

Shumë shpejt, duke filluar nga java e ardhshme, Partia Demokratike do të jetë në qendër të koagulimit fillimisht të një koalicioni politik me parti të cilat ndajnë këto tre vlera themelore: reformë zgjedhore për të fuqizuar njerëzit dhe jo për t’i mbajtur ata nën zgjedhën e tutelën e listave të mbyllura të 2008-ës. Mbështetje pa kushte për drejtësinë, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe padiskutim partneriteti i palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me komunitetin Euro-Atlantik. Këto janë ato që na përkufizojnë, na bëjnë bashkë, na mbajnë bashkë edhe përkundër vështirësive më të mëdha. Dhe përmes këtyre shënohet rruga jonë për të ecur përpara. Por si Parti Demokratike kemi detyrë që shkon përtej kësaj. Po do ta hedhim këtë hap dhe kam kënaqësinë, përivilegjin, nderin ta njoftojë këtu në Kuvendin Zgjedhor të Kurbinit, krijimin e një koalicioni pro perëndimor, Euro-Atlantik me në qendër Partinë Demokratike të Shqipërisë.

 

Padiskutim që ne kemi një detyrë morale dhe politike, dhe institucionale të denoncojmë nga çdo forum i mundshëm. Nga parlamenti që e kanë asgjësuar për pesë muaj. Pesë muaj që të kalonte buxhetin 7 miliardë euro në katër minuta pa asnjë opozitë, pa asnjë argument. Kalojnë ligje për të zaptuar pronat e shqiptarëve, për t’i hequr kompensimin pronarëve dhe për t’ia dhënë Eurocontrol, i cili është i bllokuar nga Arbitrazhi me prapësitë dhe zullumet e Edi Ramës e kështu me radhë. Pesë muaj që iu bëjmë thirrje atyre që kanë vepruar shpeshherë në emër të demokratëve ta ndalin këtë marrëzi dhe ja ku është produkti: një ligj i ndryshuar për komisionet hetimore, një revolucion i shitur për të hetuar Ilir Beqën nga parlamenti, ndërkohë që përpiqet të bëhet gati për t’u futur në burg nga SPAK-u.

 

Sot u njoftua që kanë mbaruar hetimet dhe që do të komunikohen akuzat dhe që me të drejtën e ligjit dhe pritshmëritë e qytetarëve nga Ilir Beqja me shokë, do të shkojnë në burgë sepse kanë vjedhur. Këta kanë rënë dakord që të ngrejnë komision, ta hetojnë, të shohin çfarë shkeljesh administrative kanë bërë dhe t’i propozojnë Ramës që të ndryshojnë ligjet.

 

Pesë muaj që iu bëjmë thirrje atyre që kanë vepruar shpeshherë në emër të demokratëve ta ndalin këtë marrëzi dhe ja ku është produkti: një ligj i ndryshuar për komisionet hetimore, një revolucion i shitur për të hetuar Ilir Beqën nga parlamenti, ndërkohë që përpiqet të bëhet gati për t’u futur në burg nga SPAK-u.

Read More
15 Mar
0

Deklarata e fortë e kreut të SPAK, Basha: Sulmet e politikës inkurajojnë krimin të kërcënojë drejtësinë. PD mbështet SPAK

 

Reagimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha:

Deklarata e kreut të SPAK-ut se krimi i organizuar ka kërcënuar familjen e një prokurori është një kambanë alarmi që duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Çdo sulm i politikës ndaj sistemit të drejtësisë, nuk bën gjë tjetër vetëm se inkurajon krimin e organizuar të bëjë, gjithashtu, të njëjtën gjë.

Ndaj Partia Demokratike e Shqipërisë dhe unë i kemi dhënë dhe vijojmë t’i japim SPAK-ut dhe organeve të reja të drejtësisë mbështetje pa kushte.

Vetëm një drejtësi e pasulmuar nga politika, do të jetë një drejtësi e duhur për të mirën e njerëzve.

Vetëm një drejtësi që i shërben shqiptarëve, është një drejtësi imune ndaj çdo kërcënimi.

Read More
14 Mar
0

Intervista e plotë e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, për Zërin e Amerikës

 

INTERVISTA E PLOTË E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË, LULZIM BASHA, PËR ZËRIN E AMERIKËS

 

 

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, për çfarë jeni këto dito ditë këtu në Uashington?

 

Lulzim Basha: Jam këtu si raporter i Këshillit të Evropës në një mision do të thoja historik për të bashkërenduar midis Këshillit të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për konfiskimin e aseteve ruse dhe vendosjen e tyre në dispozicion të rindërtimit të Ukrainës.

 

 

Zëri i Amerikës: Zoti Basha, këto ditë ka patur një përpjekje për dakordësi mes shumicës socialiste dhe shumicës së deputetëve demokratë që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha për të rikthyer normalitetin në jetën parlamentare. Cili është komenti juaj, reagimi juaj për këtë zhvillim të ri?

 

 

Lulzim Basha: Për çdo zhvillim në Shqipëri, standarti i ri i një kulture të re politike, që ne si Parti Demokratike aspirojmë ta ndërtojmë në dialog me gjithë shoqërinë është përgjigja ndaj një pyetjeje: A i shërben shqiptarëve dhe si u shërben shqiptarëve? Nisur nga zhvillimet e fundit në Shqipëri, mund të them që paralajmërimet tona prej kohësh kanë treguar që zoti Rama dhe zoti Berisha bashkëpunojnë për interesat e tyre, por kundër intetesave të shqiptarëve.

 

Zëri i Amerikës: Kundër cilave interesa në këtë rast?

 

Lulzim Basha: Reformës zgjedhore, në veçanti. Ne kemi një kohë të gjatë që kemi paraqitur në komisionin e reformës zgjedhore propozime, të cilat shkojnë përtej interesave partiake, por janë në interes të qytetarëve. Të tillë janë propozimi për listat e hapura; që qytetarët të zgjedhin vet se cilin do të dërgojnë në parlament dhe jo kryetarët e partive. Kjo është zhbërja ‘de facto dhe de jure’, nëse propozimi do të adoptohej, i ndryshimeve kushtetuese Berisha – Rama të vitit 2008. Po kështu është propozimi ynë për barazinë e votës, sepse sot në Shqipëri, falë këtij sistemi është e qartë se nuk ka barazi vote. Me 8 mijë e 500 vota zgjidhet deputeti në Vlorë, por duhen 13 mijë e 500 vota për të zgjedhur deputetin në Kukës. Të dy këto lidhen me dy propozime të tjera që kanë të bëjnë me vendime të Gjykatës Kushtetuese si vota e diasporës, vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë,

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, partia juaj ka qenë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore prej një kohe të gjatë dhe ka një vit e gjysmë që ky komision nuk ka arritur përparim. A mban përgjegjësi partia juaj për këtë mungesë përparimi? Vetëm kohët e fundit ju keni kërkuar që të ecet me reformën zgjedhore, ndërsa në një vit e gjysmë nuk u bë asgjë.

 

Lulzim Basha: Përgjegjësia e Partisë Demokratike është nëse ka një rol aktiv apo jo. Kam kënaqësinë të them se përfaqësuesi i Partisë Demokratike, bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, e njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, zoti Alibeaj, bashkë me ekipin e ekspertëve, ka kontribuar gjatë gjithë këtij një viti e gjysmë në dy blloqe të mëdha. Blloku i parë ka qenë blloku i propozimeve për të luftuar dukuritë e shitblerjes së votës, përdorimit të administratës publike, presionit ndaj votuesve, përdorimit të administratës shtetërore dhe të aseteve shtetërore. Blloku i dytë i propozimeve ka që në nëntor në komisionin e reformës zgjedhore dhe përmban katër propozime: listat e hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, votimi elektronik dhe numërimi elektronik, si dhe vota e diasporës. Sigurisht që duhet vullneti i palës tjetër.

 

Zëri i Amerikës: Komisionit më 21 mars i mbaron mandati. Çfarë do të ndodhë më tej?

 

Lulzim Basha: Nuk na takon ne që të themi se çfarë do të ndodhë më tej. Ajo që na takon ne është që ne do ta vazhdojmë betejën për këto parime, për këto vlera, për këto standarte, të cilat janë pjesë e vizionit tonë me koherencë dhe me kohezion me gjithë ato komponentë të opozitës pro-perëndimore dhe euro-atlantike, për të vendosur në Shqipëri në shinat proceset zgjedhore, që kanë kohë që kanë dalë prej shinave. Mund të themi me gojën plot që Partia Demokratike ka pjesë të përgjegjësisë për këtë, qoftë me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, dhe pasojat e këtyre ndryshimeve. Prandaj them me gojën plot që pyetja e vetme që duhet t’i përgjigjet çdo politkan është: A i shërben kjo Shqipërisë? Qartësisht ajo që po ndodh nuk është në interes të qytetarëve shqiptarë, por është në interesat personale të zotit Rama dhe të zotit Berisha.

 

Zëri i Amerikës: Pas shpalljes non-grata të zotit Berisha ju e përjashtuat atë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por ju nuk arritët të mbanit partinë të bashkuar. Si e shpjegoni faktin që sot shumica e Partisë Demokratike mbështet zotin Berisha?

 

Lulzim Basha: Unë nuk do të futem në një debat numerik, i cili gjithësesi bazohet mbi perceptimet e një pale, apo një tjetre. Dua të them se të luftosh për të vërtetën, të luftosh për të drejtën vjen me sakrifica dhe me kosto të mëdha. Por të mos luftosh për to është krimi më i madh kur je në shërbim publik, në shërbim të qytetarëve, kur je në politikë, sepse praktikisht dëmton interesat e tyre, varros shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Kjo është ajo që ka ndodhur në Shqipëri. Politikanët kryesorë në një teatër të sinergjizuar me njëri tjetrin, faktikisht kanë vrarë shpresën në Shqipëri, dhe problemi kryesor i shqiptarëve është që sot ata nuk besojnë tek institucionet demokratike dhe tek proceset zgjedhore. Ndaj misioni ynë kryesor është që të kthejmë besimin tek politika, si një instrument ndryshimi për të mirë, tek politika me fytyrë njerëzore, tek politika që mbron dhe promovon interesat e njerëzve dhe jo të një grushti politikanësh, që kanë 34 vjet, që nga rënia e komunizmit që urdhërojnë shqiptarët dhe vendosin për fatet e tyre.

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, shifrat nuk mund të anashkalohen lehtë. Numri i deputetëve, që iu mbështetin ju është më i vogël se numri i deputetëve, që mbështesin zotin Berisha. Siç u pa edhe me zgjedhjet e fundit vendore në Shqipëri, numri i votave për këtë krah të Partisë Demokratike ishte më i madh se pjesa tjetër…

 

Lulzim Basha: Prandaj nuk dua të futem në debate numrash, sepse në rastin e Partisë Demokratike, ajo nuk kandidoi në 51 bashki…

 

Zëri i Amerikës: Pyetja është …

 

Lulzim Basha: … ndërkohë që përsa i takon numrit të deputetëve, ata janë individë, që janë aty, sepse kanë qenë në një listë të mbyllur emërore të renditur nga kryetari i partisë, prandaj mendoj që t’i ikim debatit mbi numrat.

 

Zëri i Amerikës: Zgjedhjet e përgjithshme po afrojnë. Ato janë vitin e ardhshëm. Cila është oferta juaj për mbështetësit?

 

Lulzim Basha: E para dhe kryesorja është që të heqim dorë nga kjo telenovelë e shëmtuar që luhet në kurriz të shqiptarëve. Ditë për ditë shikojmë një teatër me akuza e kundërakuza, që pastaj natën shuhen apo kthehen në pazare. Kjo është mënyra e vjetër e të bërit politikë dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve u ka kushtuar shumë. Hapja e një dialogu të drejtpërdrejtë me qytetarët për ne do të thotë në radhë të parë, jo thjesht që të tregojmë me gisht se çfarë po ndodh në kurriz të tyre, sepse këtë shqiptarët e provojnë vet, por çfarë ofrojmë ne dhe a është kjo një ofertë e besueshme, dhe a ka një rrugë të besueshme për ta realizuar këtë? Që nga sistemi i taksave, i cili po rëndon gjithmonë e më shumë mbi sipërmarrjen e ndershme, mbi profesionistët, tek gjendja e fermerit shqiptar, e cila është më e rënda se e çdo fermeri në Ballkan, më e keqe se fermeri në Kosovë apo në Maqedoni të Veriut për shkak të mungesës së subvencioneve, investimeve dhe për shkak të mungesës së aksesit në treg. Gjendja e rinisë, ku lidhet gjithçka me situatën në arsim, në universitete, në tregun e punës. Gjendja e pensionistëve shqiptarë, që është më e dobëta nga gjithë pensionistët e Ballkanit perëndimor. Pra, një ofertë realiste, sepse do të bazohet mbi realitetin dhe mundësitë që ka Shqipëria dhe një ekip të besueshëm, që ta realizojë këtë program, pra të mos mbetet në një program elektoral, por të kthehet në një program qeverisës.

 

Zëri i Amerikës: Ju kritikuat udhëheqësit politikë, që janë aty për një kohë të gjatë, por edhe ju vet jeni në politikën shqiptare për shumë vite. Që nga përjashtimi i zotit Berisha nga grupi parlamentar i PD-së, ju keni kërkuar ndjesë për gabimet tuaja, por nuk keni përmendur konkretisht se për çfarë. A mund të ndani me elektoratin tuaj dhe me ne disa nga ato gjëra, që sot do t’i bënit ndryshe?

 

Lulzim Basha: Në gjithë rastet që kam patur, së fundi edhe në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, e kemi shteruar se çfarë është bërë gabim. Kurrë nuk duhet të kemi hezitim për të kërkuar ndjesë për atë që është bërë gabim, por e rëndësishme për shqiptarët është se çfarë ofrojmë ne sot. Pse ata duhet të drejtojnë sytë nga Partia Demokratike? Dhe unë ju them se ka dy arsye: E para sepse ajo është e vetmja forcë politike, që ka hartuar një program të qenësishëm, jo parrulla elektorale, jo diçka për t’iu përgjigjur shijes apo kërkesave të momentit, por një program, i cili bazohet në një njohje të thellë të realitetit, të problemeve, që Shqipëria ka, si dhe të mundësive për t’u dhënë zgjidhje këtyre problemeve. Ky program është produkt i një ekipi ekspertësh, jo politikanësh, me asistencë nga ekspertë perëndimorë, evropianë dhe të SHBA-ve. Arsyeja e dytë, të cilës po i afrohemi me shpejtësi; nuk jemi ende aty, është ekipi i Partisë Demokratike, i cili do të përbëhet nga njerëz me reputacion, të kenë besim në komunitet, jo njerëz që e shohin politikën si një profesion për veten e tyre, por si një shërbim ndaj njerëzve. Jam i bindur se me përfundimin e porcesit të riorganizimit të Partisë Demokratike, shumë shpejt në një dialog, në një debat, jo në kulisa, do t’u japim shqiptarëve një ekip prej 140 kandidatesh dhe kandidatësh, të cilët do të jenë një pasqyrë e më të mirës, ku shqiptarët të kenë vërtet besim se do të përfaqësohen dhe mbrohen interesat e tyre dhe jo interesa klaneshm, tarafesh apo personash të caktuar.

 

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tek një zhvillim tjetër i po këtyre ditëve në Shqipëri. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme, që të regjistrojë një proces penal për ngjarjet e 21 janarit dhe na kallëzim është edhe emri juaj. Në atë kohë ju keni ministër i brendshëm. A i druheni hetimeve për këtë rast?

 

Lulzim Basha: Aspak. Unë kam kërkuar prej fillimit një hetim të plotë dhe transparent. Sigurisht nuk komentoj asnjë vendim gjykate. Kanë kaluar 13 vite dhe është qartë besoj edhe për familjet e viktimave, që rasti është përdorur për politikë, për përfitime të ngushta politike. Mund të shohim madje edhe njerëz që janë akuzuar natën e 21 janarit, por që pastaj u graduan nga Partia Socialiste si kryetarë degësh apo kryetarë bashkish të Partisë Socialiste. Është një lojë e pistë edhe me gjakun e këtyre katër viktimave të pafajshme.

 

Zëri i Amerikës: Megjithatë, viktimat u vranë nga plumbat e ardhur nga ndërtesa e kryeministrisë, në kohën që ju ishit ministër i brendshëm.

 

Lulzim Basha: Dhe për këtë kam kërkuar prej ditës së parë një hetim të plotë dhe transparent, sepse unë personalisht nuk kam asgjë për të fshehur, apo për t’iu trembur dhe besoj se në këtë rast, si në çdo rast tjetër, drejtësia duhet të veprojë e papenguar nga politika dhe nga deklaratat politike dhe e pashfrytëzuar nga politika.

 

Zëri i Amerikës: Ju e përjashtoni çdo mundësi që një urdhër apo udhëzim të ketë dalë nga ju atë ditë?

 

Lulzim Basha: Pa diskutim.

Read More
13 Mar
0

Flutura Açka ironizon Ramën: Dhjetë qartësime një idioti të padobishëm

 

Nga nënkryetarja e PD, Flutura Açka:

 

Me gjuhën e tij kanalhanshe, kryeministri ynë i nderuar iu sul sot çdo shqiptari që dyshon se çdo marrëveshje e tij politike me Foltoren, është e dyshimtë dhe se është vetëm përsëritje e marrëveshjes famëkeqe e vitit 2008, mes tij dhe Berishës. Aty po e nis edhe qartësimin për shqiptarët:

 

Ju, zoti Kryeministër, jeni njeriu që keni humbur çdo besueshmëri për të bërë rolin e atij që ka ndonjë dije për rolin e tij në postin e tij. Ju jeni sjellë gjithë kohën tuaj në pushtet si kryetari i PS-së, një herë si “rilindas”, një herë si shofer me timon, një herë si dajrexhi, dhe herë-herë edhe si politikan. Dhe në konceptin shqiptar të politikanit, ju jeni një politikan, përderisa po i jepni një kockë edhe manovristëve, po të flas me terminologjinë e përdorur dje nga shpura e “idiotëve” që jua paskan prishur rehatinë.

 

Ju, zoti Kryeministër, nuk doni zgjedhje të ndershme në këtë Shqipërinë tonë, ju keni luftur me gjithçka ju kanë dhënë shqiptarët si privilegj, që të mos e sillni vullnetin e tyre në Parlamentin e tyre. Ju nuk do t’i hapni listat, me qëllimin të sillni po këtë konstelacion butakësh pesimistë dhe perfidësh manovristë, vetëm për pushtetin tuaj.  Që t’i zgjidhni ju deputetët dhe vetëm për pushtetin tuaj.

 

Ju, zoti Kryeministër, nuk do të sillni vullnetin e Diasporës shqiptare në politikën tonë, sepse i trembeni si djalli temjanit asaj, sepse ajo është Opozite prej vërteti dhe do ta ndryshojë Shqipërinë për kah Europa, jo Europa e ekraneve luksoze dhe e fjalimeve tuaja, por për kah Europa e vërtetë ku ajo, Diaspora Shqiptare, plot sa gjysma e jonë, jeton dhe meriton të respektohet nga kjo gjysma brenda vendit. Ju do të dilni edhe kundër Gjykatës Kushtetuese për këtë, pra kundër shqiptarëve, vullnetin dhe fatin e të cilëve ajo mbron.

 

Ju, zoti Kryeministër, nuk i doni shqiptarët të ndihen të barabartë para votës, sepse talleni me ta, dhe nëse ka një gjë që do të mbetet prej jush vërtet, janë përtalljet gjatë shëtitjeve tuaja zgjedhore që iu bëni shqiptarëve, duke u hargalisur me ta, ngaqë ia dilni t’i fyeni dhe madje t’u rrëmbeni edhe buzëqeshje kënaqësie nga fyerja që iu bëni. Kjo më është dukur përherë ana juaj antinjerëzore, e tillë, që nuk do të kisha dashur ta shihja nga kryeministri im. Batutat tuaja janë kthyer tani në fjalorin urban të qyeteteve dhe periferive dhe me ç’shoh kjo ju pëlqen, fundja kohë tallavash po jetojmë. Për ju një vlonjat vlen sa gjysma e një kuksiani, përderisa në Kukës duhen 13 mijë vota, dhe në Vlorë 7500 vota për një deputet.

 

Ju, zoti Kryeministër, krijuat sistemin e patronazhistëve, një rrjet të frikshëm që i tejkaloi madje edhe ata të ngritura nga Sigurimi i Shtetit. Jo vetëm që nuk ndiet ndonjë pikë turpi, por i duartrokitët, përgëzuat dhe i sponsorizuat, duke grabitur të dhënat e të njëjtit sistem që na e shitët si fitore të digjitalizmit kombëtar. Madje shkuat deri në dokëndisjen e madhe të kontrollit me satëlitet tuaj me emrin e madh Albania1 e Albania2, që do t’ua bënin rrup-sup shqiptarëve. Ju jeni nëna e cerimangës marrafrymëse të shqiptarëve. Ju, bashkë me shpurën tuaj, nuk po lini shkollë, institucion, klinikë, universitet pa e anëtarësuar në partinë tuaj mavi, që po iu shkaton mavijosje edhe lëkurës së shqiptarëve, dhe lirisë së tyre.

 

Ju, zoti Kryeministër, bashkë me manekinët, buratinot, marijonetat, kukullat, maskat, xholët tuaj, të cilëve iu jepni formën e statuetave tuaja larushane, krijuat për shqiptarët totemin e buratinos së Partisë Demokratike, Lulzim Bashës, me të cilin keni negociuar dikur, sikurse me manovristët e sotëm. Madje që ta shtrini përdhe për vdekje, jeni ndihmuar me një dorë të fuqishme edhe nga Foltorja jonë, edhe nga manovristët tanë, që të jetë më i helmët plumbi. A thua se ai nuk është Ata politikisht. Në fakt, ju nuk e keni me Lulzim Bashën, por me një frymë te re që mund të pështillet rreth tij, me njerëz që duan një Shqipëri normale, një politikë me erë njeriu dhe politikanë me integritet. Ju e dini se Luli është shënjestra juaj më e dobët, dhe ju fuqi deri aty nuk keni dhe e bëni shembull të fletë-rrufeve tuaja socialisto-foltoristo-manovriste.

 

Ju, zoti Kryeministër, e dështuat qëllimisht Reformën Zgjedhore, enkas që të shkonit te kjo alibi, të cilin besoni se, edhe të veshur me sheqer batutash dhe mbledhje vetulladh e dërdëllisje parlamentare, do ta besojnë shqiptarët. Jo, nuk ta besojë njeri, dhe ajo që kam dëgjuar nëpér korridoret e Parlamentit, dhe ajo që e pohoni edhe vetë se do të ruani po atë Kod Zgjedhor, sepse ai ju jep pushtet, është e vërtetë. Ju thjesht po hidhni kockën (lodër edhe ajo) një shpure që i druhet votës së lirë të shqiptarëve. Ju përfitoni nga një tufë deledashësh që e keni ngopur me të gjitha privilegjet që ua jep të qenit “anëtarë të zgjedhur”, por të përkedhelur dukshëm prej jush. Nëse nuk është kështu, jepini Komisionin hetimor të Shëtitjeve tuaja dhe mundësisht me ligjin e vjetër të Komisioneve Hetimore.

 

Ju, zoti Kryeministër, keni vetëm një qëllim: t’i bëni të gjithë idiotët t’ju besojnë juve kur të gjeni bishtëza se si ta kastroni SPAK-un, se si ta mpini Gjykatën Kushtetuese, se si ta zhbëni Reformën Zgjedhore dhe se si ta sterilizoni Parlamentin Shqiptar nga bezdisësit. E provuat këtë me njëfare ligji që nxituat ta sillni. Po e provoni me njëfarë Nënkomisioni në Komisinin e Ligjeve, ku partia zyrtare nuk ka asnjë qasje. Vendime të tilla të larta nga varen fatet e demokracisë shqiptare, do t’i bëni qartazi me manovristët e zgjedhur, që t’i bëni i qetë, i përligjur, ja ashtu duke ndryshuar ligje që do ta anojnë demokracinë shqiptare.

 

Ju, zoti Kryeministër, në shkelje të hapur të ligjeve të këtij shteti, korruptuat një figurë qendrore të FBI-së, gjë e njohur botërisht. E bëtë për të shkatërruar Opozitën shqiptare, mbi gërmadhat e shkatërrimit të së cilës keni hedhur valle dhe keni korruptuar edhe më, edhe më, edhe më, pra gjithçka që shihni e fluturon para jush. Me kushtin që të harrohet kjo çështje, e cila në substancë është një tradhëti e lartë ndaj demokracisë shqiptare, dhe do të ishte e tillë edhe sikur këtë ta bënte një politikan i Opozitës, ju do të nxitoni që ta mbyllni shpejt zullumin në favorin tuaj. Sepse po vijnë zgjedhjet, dhe një Zot e di çfarë ju ka zënë pritë fati. Kjo është arsyeja pse po amnistoni Berishën, pse pritët që të ristrukturohej Foltorja para se t’i shpallnin negociatat, kjo është arsyeja se pse i keni mbaruar negociatat dhe vetëm do t’i shpallni, dhe kjo është arsyeja pse doni ta vrisni Partinë Demokratike zyrtare, e cila nuk di pse ju del nëpër ëndrra te frikshme, me gjithë sponsorizimet që i keni bërë betonimit të totemit të “gjumashit” që e drejton. Jepini komisionin hetimor për McConigal dhe vetohuni kështu edhhe ju nga kjo histori turpi të dënueshëm.

 

Ju, zoti Kryeministër, keni muaj që mbani zvarrë dhënien e kryesimit të grupit Partisë Demokratike, do ta mbani zvarrë deri në fund padyshim me kinse çështjen e vulës, edhe pse e dini shumë mirë se rrugëtimet politike antiligjore të çetave, nuk janë në kodet e demokracisë. Ju po bëni një precedent të rrezikshëm, që një ditë do t’ju kthehet në derë tuaj, në partinë tuaj, kur dikush do të luajë edhe me ju si macja me miun. Mos e dhënte Zoti t’ju shoh një ditë të vraponi pas vulës edhe ju, pasi edhe tenxherja juaj mavi është me presion, mesa po shoh. Nëse e meriton ose jo Lul Basha kryesinë dhe vulën, nuk e vendosni ju, por e drejta. Nëse i takon shumicës apo pakicës vula, nuk e vendosni ju, por e drejta. E vendos Drejtësia. Të cilën po e shkatërroni për pushtetin tuaj, edhe personal.

Read More
13 Mar
0

Alibeaj i përgjigjet Ramës: Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që kryeministri po bën pazar me Reformën Zgjedhore

 

REAGIMI I SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PARTISË DEMOKRATIKE  DHE BASHKËKRYETARI I KOMISIONIT TË POSAÇËM TË REFORMËS ZGJEDHORE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

 

Vetëm një idiot i lindur bën sikur nuk e kupton që Rama po bën pazar pë Reformën Zgjedhore. Vetëm një gjë ama duhet pranuar se e ka thënë drejt: asgjë nuk ka ndryshuar!

 

Asgjë nuk ka ndryshuar me 2008 kur pazarin e beri po me Non Grata-n. Asgjë nuk duan të ndryshojnë: listat të mos i hapin; diaspora të mos votojë; të marrin mandate gratis në tavolinë.

 

Mund të jeni 3 hapa para me spërdredhje siç keni bërë për 30 vjet në kurriz të shqiptarëve por mos harroni se shqiptarët shkelmin e kanë gati!

Read More
12 Mar
0

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj: Ashtu siç e kishim paralajmëruar, marrëveshje e sotme së pari ka qëllim të godasë Reformën Zedhore, sepse as Edi Rama as Sali Berisha nuk duan listat e hapura, barazinë e votës, Shqipërinë një zonë zgjedhore, votën e diasporës dhe heqjen e herësit zgjedhor

 

DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD DHE BASHKËKRYETARIT TË KOMISIONIT PËR REFORMËN ZGJEDHORE, ENKELEJD ALIBEAJ

 

 

 

Përshëndetje!

 

Tashmë që ra sipari i negociatave të fshehta dhe që publiku u njoh, mund të thuhet me gojën plotë se, asgjë e re nga fronti i pazareve të vjetra!

 

Sot u vërtetua se retorika për revolucion dhe përmbysje ka qenë një gënjeshtër e stisur keq që, herët a vonë, do të dilte në dritë.

 

E gjithë nëpëkëmbja e demokratëve për muaj me radhë nuk ka pasur asgjë në interes të tyre dhe të familjeve të tyre, por gjithçka ka qenë në interesin e një grupi të vogël njerëzish që luftojnë për të mbajtur fort njëri-tjetrin në lojë, sepse rënia e njërit i hap rrugë automatikisht dhe rënies së tjetrit.

 

Tashmë është e qartë se marrëveshja nuk ka qenë për të mbajtur në kontroll qeverinë dhe Edi Ramën, por ka qenë që së bashku me Edi Ramën të mbajnë monopolin e sistemit politik, marrëveshjen Rama-Berisha të vitit 2008, ai në pushtet dhe ata në një opozitë gjithmonë dhe më të paktë. Gjithashtu, të godasë SPAK-un, nëpërmjet kontrollit të sistemit të drejtësisë.

 

Ashtu siç e kishim paralajmëruar, kjo marrëveshje e sotme, më së pari, ka si qëllim të godasë Reformën Zedhore, sepse as Edi Rama as Sali Berisha nuk duan një sistem që t’ua heq atyre monopolin e listave dhe t’ua japë qytetarëve të drejtën e zgjedhjes.

 

Asnjë prej aktorëve të politikës së vjetër nuk e duan Shqipërinë një Zonë Zgjedhore, sepse vetëm duke e fragmentarizuar e kontrollojnë dhe e manipulojnë më lehtë.

 

Asnjë prej tyre nuk e do barazinë e votës së çdo shqiptari, sepse e kanë ndarë Shqipërinë në domenë, ku secili e quan pronë të tijën pjesë të caktuara të saj.

 

Asnjë prej politikanëve që duhet t’i përkisnin së shkuarës, nuk e duan heqjen e hersit zgjedhor, sepse e gjithë lufta këto kohë është bërë me premtimin për të qenë në vende të sigurta në listat e vitit të ardhshëm.

 

Edi Rama dhe Sali Berisha janë kundërshtarët më të mëdhenj të votës së diasporës, sepse herë njëri dhe herë tjetri, janë shkaktarët kryesorë të emigrimit të shqiptarëve, ndaj ata do të bëjnë gjithçka për të mos e realizuar një gjë të tillë.

 

Ndaj jam sot këtu për të denoncuar këtë pazar në kuriz të njerëzve dhe për interesa të ngushta vetjake

Shqiptarëve ju duhet një reformë zgjedhore që i jep fuqi votës se tyre, dhe mundësi për të vendosur ata kush do ti përfaqësojë në kuvend e qeverisje. Ky ka qenë, është dhe do të jetë qëllimi i Partisë Demokratike.

Read More
11 Mar
0

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD, Edvin Kulluri: Nuk mund të ketë marrëveshje kundër listave të hapura, barazisë së votës, votës së diasporës dhe votimit elektronik

 

REAGIMI SEKRETARIT PËR MARDHËNIET ME PUBLIKUN NË PD, EDVIN KULLURI

 

Marrëveshjet midis palëve në Kuvendin e Shqipërisë nuk mund të jenë marrëveshje që cenojnë interesin publik!

Partia Demokratike prej muajsh kërkon që Kuvendi të kthehet në normalitet dhe jo teatër konfliktesh që kanë prodhuar ligje të pa debatuara dhe jo transparente, ashtu siç dëshironte Rama. Ashtu siç kërkesat për komisione hetimore janë të drejta, por ato duhet të jenë të qarta dhe në shinat e praktikave parlamentare, siç dëshmoi Komisioni hetimor për Inceneratorët që e Partia Demokratike ngriti 2 vite më parë dhe resuzultoi një sukses i plotë.

Por nuk mund të ketë marrëveshje kundër Listave te Hapura, Barazisë së Votës, Pjesëmarrjes së Diasporës dhe Votimit Elektronik. PD është e vendosur që vota t’u kthehet qytetarëve si shprehje e vullntetit dhe sovranitetit të tyre.

Po ashu, Partia Demokratike ua bën të qartë PS dhe Deputetëve të tjerë të Kuvendit, se çdo përpjekje kunder Reformës në Drejtësi do të gjejë tek Partia Demokratike një kundërshtar të vendosur. PD do mbetet kundër çdo pazari dhe njëkohësisht pro funksionimit demokrafik të insitucioneve.

Read More
11 Mar
0

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Enkelejd Alibeaj: PS po kërkon të dështojë reformën zgjedhore

 

 

DEKLARATA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË PD DHE BASHKËKRYETARIT TË KOMISIONIT PËR REFORMËN ZGJEDHORE, ENKELEJD ALIBEAJ

Tre ditë më parë i jam drejtuar me një thirrje publike partisë socialiste për të sqaruar në interes të publikut një çështje kryesore: a janë duke kërkuar dështimin e reformës zgjedhore? A janë duke kërkuar që çështja e reformës zgjedhore të ikë nga komisioni i reformës zgjedhore ku palët janë të barabarta në kushte barazie dhe të kalojë pastaj në komisionin e ligjeve, ku partia socialiste ka shumicën e ku me votat e saj mund të ndërmarrë çfarëdolloj iniciative të njëanshmë, për sa kohë që opozitës i hiqet garancia e vetos. Sot përfitoj nga rasti t’i bëj të njëjtën thirrje: a po kërkon partia socialiste të dështojë komisionin e reformës zgjedhore? A po kërkon ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, atje ku ka shumicën dhe nëpërmjet peshkimit të votive opozitare, të mund të ndërmarë iniciativa të njëanshme e ku opozitës i mungon garancia, siguresa e vetme që është vetoja kundër çdo iniciative të njëanshme.

Unë e di, publiku e di në fakt që partia socialiste nuk i ka dashur listat e hapura, që partia socialiste nuk e do votën e diasporës, votën e gjysmës së shqiptarëve jashtë teritorit. E di që partia socialiste nuk e do që Shqipëria të jetë një zonë zgjedhore që vota e shqiptarëve në veri a në jug të jetë e barabartë. Sepse do që nëpërmjet këtij sistemi të marrë në mënyrë jo të drejtë më së paku 6-7 mandate në tavolinë. E di që partia socialiste nuk e do votimin dhe numërimin elektronik.

Ndaj pyetja që unë kam edhe njëherë për përfaqësuesit e partisë socialiste është: përse nuk i duan listat e hapura, përse nuk duan t’u japin shqiptarëve të drejtën që ata të zgjedhin përfaqësuesit e tyre? Përse duan ta ruajnë me çdo kusht marrëveshjen famëkeqe të 2008-ës? Përse nuk duan që shqiptarët jashtë Shqipërisë të dëbuar nga kjo mazhorancë të mos votojnë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë? Përse nuk duan që vota e shqiptarëve të votohet dhe të numërohet elektronikisht? Media ka thënë, ka folur që negociata apo pazare okulte janë duke u zhvilluar, ndaj ky është një interes public që partia socialiste ta bëjë të ditur këtë gjë. Në komisionin e reformës zgjedhore, Partia Demokratike ka përfaqësuesit e vet. Aty është vendi se ku debatohen të gjitha alternativat dhe të gjitha pozicionet.

Ne i kemi çuar prej kaq e kaq muajsh të gjitha opsionet tona, të gjitha alternativat tona, dreftligjin përlatës, për listat e hapura, për Shqipërinë një zonë, për votën e diasporës, për votimin dhe numërimin elektronik dhe për një sërë garancish të tjera që procesi zgjedhor dotë duhet të ketë. Ndaj, një orë e më parë tashmë ku letrat janë hapur, partia socialiste do të duhet ta tregojë, do ta dështojë komisionin e reformës zgjedhore, do të bëjë një marrëveshje okulte, do të bëjë një marrëveshje të njëanshme, do ta çojë çështjen në komisionin e ligjeve, do të bëjë një ligj të njëanshëm sipas orekseve dhe shijeve të saj? Kjo është ajo se çfarë publiku kërkon, zgjedhësit kërkojnë, Shqipëria kërkon. Ndaj është një përgjigje që duhet dhënë një orë e më parë.

Read More
11 Mar
0

Kreu i degës së PD Durrës, Joni Myshketa: Vazhdon ripërsëritja e problematikës së qytetit, përmbytje në vetëm pak minuta shi

 

Reagimi i kryetarit të degës së PD, Durrës, Joni Myshketa:

Vazhdon ripërsëritja e problematikës së Durrësit të përmbytur në vetëm pak minuta shi.

Qytetarë të penalizuar për shkak të situatës së rënduar.

Bizneset të dëmtuara.
Trafik I rënduar e për më tepër rrezik për çdo kënd.

Ky nuk është Durrësi turistik që duam.

Vazhdon e njëjta retorikë me lugë bosh për qytetarët durrsakë të cilët përballen çdo herë me të njëjtat premtime të gënjeshtra…

 

Read More