Kryetari i Partisë Demokratike: Ndal rritjes së cmimit të energjisë. Rama jashtë realitetit të krizës ekonomike ku ka futur shqiptarët
Të nderuar qytetarë shqiptarë.
Dy fjalë përshkruajnë përpjekjen e dëshpëruar të kryeministrit sot.
Hi syve.
Asgjë më shumë nuk është qëndrimi i Kryeministrit për energjinë, për gjëndjen e dëshpëruar ku janë sot mijëra familje e qytetarët shqiptarë për shkak të faturave abuzive, dhe malit abuziv me kamatvonesave abuzive për shkak të faturave abuzive.
Asnjë zgjidhje nuk ofron me gjasme skemën e prezantuar.
Protesta masive qytetare e 22 nëntorit në Tiranë, marshimi kundër padrejtesisë e detyroi të bënte një hap pas, por Rama e la sërish lakun në fytin e të pamundurve.
Ai vazhdon të lërë në fuqi faturat abuzive, dhe kamatvonesat mbi to. Ai ka gjobitur padrejtësisht qytetarët e vendit, dhe tani u thotë se gjoba e padrejtë mbetet në fuqi, ju do ta paguani atë, por duke e zgjatur dhimbjen dhe agoninë.
U ofron një vdekje të ngadaltë dhe të dhimbshme, në vend të gijotinës që vendosi në shesh deri para protestës popullore.
U thotë qytetarë, nëse paguani gjobën e padrejtë, malin me kamatvonesa mbi faturat abuzive, nëse e paguani në dorë, atëherë do të keni ulje. Vetëm gangsterët sillen kështu.
Në mënyrë kriminale, Edi Rama ka zbuluar subkoshiencën e tij ku pretendon se qytetarët kanë me se, po nuk duan të paguajnë.
Kriminale sepse është përgjegjësia e tij të njohë realitetin e dhimbshëm të Shqipërisë reale ku jetojnë shqiptarët jashtë luksit kryeministror.
Mijëra familje në vend janë në kufinjtë e mbijetesës. Qindra mijëra të tjera jetojnë në kufinjtë e varfërisë ekstreme. Pjesa më e madhe e qytetarëve, e pensionistëve, e kryefamiljareve, e shtresave në nevojë, nuk kanë me se të paguajnë.
U thotë paguajani xhandarit, plus 20 %, tua fal 80 përqindëshin. Me çfarë të paguajnë?!
Me çfarë ti paguajnë kur nuk ka hapur asnjë vend pune por ka mbyllur sipas INSTAT-it 22 mijë të tillë, kur në fakt shifra është shumë më e lartë. Me çfarë të paguajnë kur rrogat nuk janë rritur, zyrtarisht janë ngrirë. Pensionet nuk janë rritur, por çmimet janë rritur, taksat janë rritur. Me çfarë t’i paguajnë?!
Faturat që the se do ti falje, se ishin abusive, dhe u bëre thirrje qytetarëve që të mos i paguajnë.
Premtove dritën e parajsës, por solle errësirën e ferrit.
Premtoi ulje të cmimit të energjisë, me uljen drastike me 6% të TVSH-së. Mos kujto se shqiptarët kanë harruar. Nuk e bëri, dhe tani po bën gati rritjen e çmimin të energjisë.
Vetë u kërkoi qytetarëve të mos paguajnë faturat e energjisë, u kërkoi që të mos i njohin faturat e energjisë sepse kur të vije zotrote do t’i rishikoje.
Jo vetëm nuk e ke bërë këtë, por ke mbjellë në çdo familje të vendit mjerimin e faturës abuzive, e sot mbi to kamatvonesat abuzive. Të gjithë këtë skemë kriminale Kryeministri e vuri në jetë pasi në mënyrë korruptive fali apo ndoshta ndau 600 milionë Euro të shqiptarëve detyrime të njohura nga hajdutja më e madhe e kohërave, kompania CEZ- sha në Shqipëri. E vuri në jetë me xhahilët e OSHEE-së, me hajdutët më të paskrupullt të asaj që ka qef ta quajë pasuria e përbashkët, debitorë si ai i Lushnjës apo i Tropojës, deri në 17 milionë lekë, që ti i ke emëruar, me rekorde kriminale. Ia ke varur mëlçitë ujkut në qafë.
Kjo është pra politika e Edi Ramës me dritat, me energjinë. Një terr i pashpirt.
Një likuidim i kacidhes më të fundit të shqiptarëve, dhe kur atë nuk e gjen më, ndëshkim me burg.
Por qytetarët e këtij vendi treguan se nuk lejojnë padrejtësi. Nuk e pranojnë të keqen.
Prandaj sot në emër të Shqipërisë në protestë po përsëris kërkesën tonë, kërkesën e qytetarëve shqiptarë;
Fali kamatë-vonesat e faturave abuzive që the se do t’i anulloje sa ishe në fushatë. Mos e rrit çmimin e energjisë asnjë qindarkë, por mbaj premtimin për uljen e tij. Merr masa të menjëhershme për pezullimin e çdo fature abuzive dhe adresimin me precedencë dhe urgjencë të ankesave të qytetarëve për faturat abuzive dhe korruptive të OSHEE-së.
Ky regjim, kjo mendësi mesjetare, që nuk sjell dritë por errësirë, që nuk sjell zhvillim, por mjerim, që nuk njeh ligj, por thellon pabarazinë, dhe avantazhon zuzarët dhe kriminelët, që nuk bashkon por fut ndasi mes qytetarëve duhet të ndalet. Dhe do të ndalet.
Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, 2 Dhjetor 2014
Read More