Blog

24 Dhj
0

Fjala në Kuvend e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka

Z. Kryetar,

Kolegë

Të dashur qytetarë,

Ne po kthehemi në Parlament sot pas një periudhe bojkoti të detyruar, por po rikthehemi me kokën lart sepse kemi ia kemi arritur më në fund të realizojmë qëllimin dhe kërkesat tona, që nuk janë thjeshtë në interesin e opozitës por janë në interesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe demokracisë shqiptare.

Rikthehemi me vullnet dhe dëshirën që ky Parlament më në fund të kthehet në tempullin që duhet të jetë realisht, tempullin e demokracisë, tempullin e përfaqësimit dhe mbrojtjes të lirive, të drejtave dhe interesave të qytetarëve shqiptarë.

Bojkoti për ne u bë një zgjedhje e detyruar pasi ky Parlament, duke mosrealizuar detyrimet e tij, u kthye në vendin ku më së pari u shkelën dhe u dhunuan të drejtat e opozitës dhe të qytetarve shqiptarë.

Dhuna fizike ndaj deputetëve të opozitës dhe fjalës së tyre, ishte vetëm akti i fundit që ndodhi në një Parlament ku vazhdimisht injoroheshin rregullorja, ligjet, shkelej Kushtetuta dhe nuk zbatoheshin as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Standardet e drejta të këtij Parlamenti kanë qenë të turpshme. Një parlament ku dënohej i agresuari, njësoj me agresorin. Një parlament ku kryeministri mban nën kërkcënim kryetarin e Prlamentit me prangat e burgut.

Për këto arsye e jo për tekat tona, ne u larguam nga Parlamenti. Ne nuk vumë kushte, as nuk kërkuam favore nga maxhoranca. E vetmja gjë që kërkuam ishte që kjo maxhorancë të mos vazhdonte e të bënte sikur nuk e dinte se çfarë kërkonte opozita dhe të shprehte vullnetin e saj të qartë për zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, të shprehte vullnetin e saj të qartë se nuk do të shkelte më të drejtat e opozitës në Kuvend dhe se pas gati dy vjetësh aspak të një qeverisje të lumtur, do të heq më në fund dorë nga arrogance e një shumice absolute në Parlament.

E çfarë është më e rëndësishmja, vullneti për të mos lejuar më kriminalizimin e Parlamentit dhe administratës shqiptare.

Bojkoti, sado i padëshiruar nga ne, tërhoqi vëmendjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët megjithëse në një Evropë dhe botë të mbytur në problem akute, i dhanë vlerësimin e duhur situatës në Shqipëri dhe duhet të pranojmë që ishte sidomos këmbëngulja e tyre që solli dhe përgatitjen dhe votimin e kësaj rezolute që voztojmë sot në Parlament. Prandaj për këtë duhet ti falenderojmë.

Ne shpresojmë që votimi i kësaj rezolute të përbashkët sot, të realizojë qëllimin që ne si opozitë kemi dhe besojmë që kjo rezolutë ju jep përgjigje shqetësimeve madhore që opozita ngriti e që imponuan largimin tonë nga Parlamenti.

Ne duam që demokracia të funksionojë në këtë vend. Që 25 vjet pas rrëzimit të regjimit më të urryer nga shqiptarët, ata të mos tremben nga kthimi pas por të shohin me shpresë nga e ardhmja. Prandaj ne urojmë që dhe maxhoranca të marrë me seriozitet zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

Ne e dijmë që marrëveshjet qendrojnë në këmbë e zbatohen vetëm kur të gjitha palët janë të interesuara dhe përfitojnë prej tyre.

Përvoja në Shqipëri, sidomos kohët e fundit, ka treguar se luajaliteti i palëve nuk mjafton për zbatimin e marrveshjeve. Por ne shpresojmë që kjo marrëveshje e fundit të qëndrojë, pikërisht sespe është jo vetëm në interest të demokracisë shqiptare, në interes të qytetarëve shqiptarë që na zgjedhin si përfaqësues të tyre, por dhe në interes të palëve politike. Opozitë dhe maxhorancë bashkë.

Kush sheh më largë se hunda e tij në politikë e kupton lehtë një gjë të tillë.

Askush të mos mendojë se ne kemi iluzionin e ndryshimit të papritur të vullneteve tek kjo maxhorancë.

Por nëse dikush e sheh këtë marrëveshje si një akt sa për të kaluar rradhën, gabon.

Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve që ndërhynë për realizimin e saj, prapë gabon.

E ca më shumë, ne se ndonjërit do i pëlqejë ta interpretoj këtë marrëveshje thjesht si një ‘favor’ që ju bë opozitës për ta shpëtuar nga djegia e mandateve, gabon dhe gabon shumë rëndë.

Ne besojmë realisht se kjo marrëveshje është në favor të të gjitha palëve, në interest të demokracisë në Shqipëri, që duhet të jetë dhe interesi i të gjitha palëve në Shqipëri.

Ky moment e kjo marrëveshje, janë rasti i duhur për ta shpëtuar politikën shqiptare, për aq sa mundemi, nga zhytja totale në llumin e krimit dhe korrupsionit e kjo nuk do të ishte vetëm në të miren e qytetarëve shqiptarë por dhe në të mirën e atyre që janë largpamës e që mendojnë të jenë pjesë e një politike, e cila nuk mund të jetë siç është sot, e ca më tepër nuk mund të lejohet të degjeneroj më tej.  Pasojat në të kundërt do të veprojnë e nuk do të prekin vetëm një palë.

Prandaj shpresojmë duke besuar, që kjo marrëveshje të sjellë realisht një ndryshim në politikën shqiptare e për këtë duhet vetëm vullnet nga kjo maxhorancë

Nga ana tjetër askush të mos ketë iluzionin që kjo marrëveshje është një pakt paqeje midis nesh dhe kësaj qeverie.

Për ne, por dhe për shumicën sot të qytetarëve shqiptare, kjo qeveri që po shkatërron çdo ditë jetët e qytetarëve të saj, me paaftësisë, papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e saj, e ka mbyllur ciklin dhe duhet të ik në shtëpi.

Prandaj duke falenderuar së fundmi të gjithë qytetarët shqiptarë, demokratë apo jo, që na mbështetën dhe inkurajuan gjatë këtyre muajve, i garantojmë se interesi i tyre është i vetmi interes i yni, pasi realisht interesin tonë si opozitë e shohim të lidhur ngushtë me interesin e qytetarëve dhe do të jemi në Parlament për ta mbrojtur atë deri në fund këtë interes.

Ju Faleminderit!

Read More
23 Dhj
0

Deklaratë e deputetit Genc Pollo

Partia Demokratike rikonfirmon vullnetin për të punuar së bashku për një rezolutë të përbashkët parlamentare bazuar tërësisht dhe vetëm mbi Deklaratën e Parimeve. I bëjmë thirrje mazhorancës të demonstrojë angazhim serioz për finalizim.

 

Read More
23 Dhj
0

Administrata, strehë për të inkriminuarit, nëpunësit largohen politikisht

Deklaratë e deputetit Ardian Turku mbi shou-n e radhës së kryeministrit me administratën

Sot Edi Rama zhvilloi emisionin televiziv të radhës, në një sfond militantësh gojëkyçur për të të bërë shou me administratën publike.

Flet per administratën Rama, pikërisht ai që i vuri kazmën meritokracisë dhe profesionalizmit.

I madh dhe i vogël e di se vizioni i vetëm i Kryeministrit për administratën është nënshtrimi dhe kthimi i saj në shoqëri aksionere për të punësuar militantë partiake.

Administrata është kthyer në strehë për të inkriminuarit që shpërblehen për devotshmërinë e tyre ndaj dyshes Rama-Meta. Postet kyçe  janë zaptuar nga kjo kategori të cilët kanë mandate dhe imunitet politik që ua siguron kryeministri.

Nuk bëhet fjalë për administratë profesioniste sepse ata janë zëvëndësuar me kohë me militantë.

Nuk bëhet fjalë as për mbrojtje ligjore për nëpunesit e administratës sepse ligji nëpërkëmbet dhe rrëzohet sipas dëshirës së dyshes Rama-Meta.

Arroganca e drejtuesve në administatë të kësaj maxhorance nuk njeh më asnjë kufi ligjor.

Paraqesim një shkresë për largim nga puna. Pa iu dridhur qerpiku, një drejtues largon punonjësen e vetë, vetëm për arsye politike.

“Urdhëroj largimin e menjehershëm të znj Vjollca Molla politikisht nga Drejtoria e Shëndetit Publik”, thotë shkresa zyrtare e firmosur nga Drejtori i drejtorisë rajonale të Matit.

Daljet propagandistike nuk i shërbejnë më kësaj qeverie as për makiazh, sepse ligjin e kanë zëvëndësuar me letra bakalli e ndërsa kodin e Etikës me arrogancë institucionale.

Read More
23 Dhj
0

Deklaratë e Partisë Demokratike, 23 dhjetor 2014

Partia Demokratike përshëndet deklaratën e negociatorëve të Parlamentit Europian dhe dy grupeve parlamentare PPE dhe PSE dhe falenderon eurodeputetet Kukan dhe Fleckenstein për angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës parlamentare.

Partia Demokratike konfirmon mbështetjen e plotë për Deklaratën e Parimeve dhe është e gatshme të fillojë menjëherë punën së bashku për rezolutën e përbashkët parlamentare.

Partia Demokratike përshëndet dhe mirëpret angazhimin e mëtejshëm të Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të BE për mbështetjen në vazhdim, të procesit të normalizimit të jetës parlamentare.

Read More
22 Dhj
0

Prononcimi për mediat i kryetarit të PD, Lulzim Basha

Prania e deputetit Kukan në Tiranë është në vazhdën e angazhimit të institucioneve të Bashkimit Europian, të Parlamentit Europian, për të ndihmuar në tejkalimin e krizës parlamentare, shkaktuar tashmë prej 6 muajsh si rezultat i kriminalizimit të Kuvendit dhe i shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në rradhë të parë nga vetë Kuvendi. Interesat për të cilat flasim janë interesat e vetë shqiptarve, jo të opozitës, as të Partisë Demokratike, e cila natyrisht ka detyrën dhe përgjegjësinë të përmbushë rolin e saj në një demokraci parlamentare. Kjo detyrë ka të bëjë me transparencën, me llogaridhënien e ekzekutivit, me mbikqyrjen parlamentare.  dhe janë pikërisht eleminimi i këtyre instrumentave dhe sëfundmi goditja dhe kërcënimi i opozitës në Parlament që sollën krizën parlamentare.

Që pasojat e kësaj gjendje i vuajnë shqiptarët nuk ka dyshim. Një qeverisje që nuk jep llogari askund dhe në rradhë të parë në Parlament, aty ku duhet të japë llogari, është shumë më e prirur nga zullumi, nga padrejtësia, nga arbitrariteti. Të gjitha këto rëndojnë mbi shpatullat e qytetarve shqiptarë.

Ndaj, ne kemi marrë këtë përkushtim dhe angazhim. Në rradhë të parë dhe kryesisht për interesat e shqiptarve të cilët meritojnë një demokraci parlamentare funksionale, meritojnë një Parlament funksional ku interesat e tyre, problemet e tyre, hallet e tyre janë rendi i ditës. Pikërisht për këtë kërkohet dhe lypset angazhimi i palëve për të ndërprerë menjëherë; praktikat e dhunshme dhe antiligjore që sollën asgjesimin e jetës parlamentare.

Së dyti, angazhimi për të bërë të mundur që këto të mos përsëriten kurrë përmes amendimit të legjislacionit dhe përmes përkushtimit politik për të eleminuar menjëherë krimin nga Parlamenti, apo Parlamentin si strofkë e krimit, dhe për të rikthyer Kushtetutën dhe ligjshmërinë në aulën dhe tempullin e demokracisë.

Pyetje: Ku kanë ngecur negociatat?

Vullneti ynë ka qenë prej fillimit pozitiv. Nuk e kemi kthyer këtë në një pazar kuajsh. Kemi evidentuar shkaqet që sollën rrënimin e demokracisë parlamentare në Shqipëri. Kemi kërkuar ndreqjen e këtyre shkaqeve. Jam i lumtur që sot kemi një ndërgjegjësim total jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, që për fat të keq janë ata që e paguajnë faturën e mosfunksionimit të Parlamentit, por dhe të institucioneve ndërkombëtare të cilët i falenderoj përzemërsisht që në këtë kohë krizash jo të pakta globale, kanë gjetur kohën, vëmendjen, resurset për t’i dedikuar Shqipërisë atë që meriton, vëmendjen Europiane, mbështetjen Europiane. Kam besim se me mbështetjen e tyre do ta tejkalojmë këtë sprovë të madhe të demokracisë 24 vjeçare të Shqipërisë dhe do të rikthejmë funksionimin normal të Parlamentit.

Pyetje: Do të ndodhë kjo deri të mërkurën?

Për ne është e rëndësishme të ndodhë sipas parimeve dhe standardeve Europiane. Sigurisht nga ne nuk ka asnjë pengesë dhe nuk do të ketë kurrë asnjë pengesë për përmbylljen me sukses të këtij procesi për të cilën janë të ndërgjegjësuar edhe ndërmjetësit Europianë të të dy krahëve politikë, të Partisë Popullore Europiane dhe të Partisë Socialiste Europiane.

Duke qenë në proces negociatash nuk më mbetet gjë tjetër veçse të shpreh besimin se përpjekja e tyre, përpjekja europiane do të kurorëzohet me sukses. T’i bëj thirrje maxhorancës që të jetë konstruktive në përmbylljen me sukses të këtij procesi që shpreh një shqetësim të jashtëzakonshëm të qytetarëve shqiptarë dhe ka mobilizuar si rrallë herë në një front të bashkuar të majtën dhe të djathtën europiane. Për më shumë do ju informoj në vijimësi. Faleminderit.

Read More
21 Dhj
0

Konkursi për sheshin e Durrësit është nesër, fituesi ka një muaj që ka nisur punën

Partia Demokratike në Durrës denoncon dhënien në administrim të sheshit më të madh të qytetit për parkim një kompanie pa konkurs dhe në mënyrë korruptive për klientët e pushtetit. Tenderi për dhënien në administrim për parkim është nesër 22 dhjetor 2014, por prej një muaji kompania private ka nisur administrimin e sheshit “26 nëntori 1912”.

Sheshi më i madh në qytetin e Durrësit “26 nëntori 1912”, i është dhënë një subjekti privat në përdorim për mbledhjen e tarifës së parkimit pa konkurs dhe tender. Bashkia Durrës ka shpallur tenderin për në datën 22 dhjetor 2014 për të shpallur fituesin, por prej një muaji një subjekt privat ka nisur punën duke përdorur sheshin.

Partia Demokratike e degës së Durrësit dhe deputeti Oerd Bylykbashi e cilësuan këtë një skandal të rëndë ligjor dhe i kërkuan Prokurorisë të nisë hetimet për këtë shkelje të ligjit dhe përdorim të pasurisë publike. Sipas kryetarit të PD-së së Durrësit Osman Stafa, kryebashkiaku Vangjush Dako ka paracaktuar fituesin e garës.

“Në realitet ky shesh ka një muaj që është bërë dhuratë si për festat e fundvitit miqve të Vangjush Dakos. Partia Demokratike mbështet çdo iniciativë ligjore, iniciativën e lirë dhe biznesin privat, por denoncon me gojën plot kryebashkiakun i cili merr vendime në kundërshtim me ligjin. Abuzon në emër të ligjit dhe pasurisë publike. I kujtojmë Prokurorisë që ka dosje të arkivuara për z Dako dhe të fillojë ti shkundë ato dosje. Të mos veprohet me dy standarde”, tha Stafa.

Deputeti Bylykbashki tha se ky veprim përbën vepër penale dhe jo vetëm përgjegjësi politike.

“Kjo është e papranueshme. Nëse kemi një garë të hapur që e ka afatin nesër, çdo veprim që është deri më tani është shkelje ligji dhe ka jo vetëm përgjegjësi politike e publike por edhe penale. Në fakt kjo është prova se si ky pushtet po shpërndan pasurinë publike, po shpërndan paranë publike tek klientët të tij nepërmjet tenderash fallso”, tha Bylykbashi.

Read More
21 Dhj
0

Rama bëri thirrje për të denoncuar korrupsionin, por injoron ankesën që denoncon abuzimin e Veliajt

Kryeministri u kërkoi qytetarëve të denoncojnë tek ai dhe ministrat. Në rastin më të parë, Rama nuk shqyrtoi letrën me fakte e informacion për tenderin e Veliajt për EAG

Pak ditë më parë, dhe kjo është e freskët në arkivat e medias, Edi Rama u kërkoi qytetarëve t’i drejtoheshin atij për të denoncuar korrupsionin. U kërkoi qytetarëve që t’i drejtoheshin edhe ministrave për të denoncuar korrupsionin.

Ja ku kemi këtu ankesën e zonjës Gjonaj, specialiste në agjensinë e Veliajt, drejtuar Edi Ramës. Ankesë drejtuar edhe ministrit Veliaj. Zonja Gjonaj denoncon tenderin fiktiv, shkeljen e ligjit me motiv përfitimin, pra denoncon korrupsionin. Me fakte e me informacion konkret. Denoncon presionin e vazhdueshëm që drejtoresha e Veliajt i ka bërë për të firmosur që EAG të merrte para nga taksat e qytetarëve për një produkt e shërbim që ekzistonte.

Çfarë bëri Edi Rama me këtë ankesë të qytetares Gjonaj?! Asgjë. Sigurisht as ministri i tij. Edi Rama nuk i ka kthyer përgjigje specialistes Gjonaj sepse ai e ka lejuar korrupsionin të ndodhë.

Me Edi Ramën lindi, u rrit dhe po pasurohet kompania EAG, që i përket ministrit dhe stafit të tij të ngushtë. U tha qytetarëve me shkruani, denonconi korrupsionin. Ja ku e ka rastin konkret. I vetmi reagim ndaj këtij rasti të pastër korruptiv, ku agjensia e Veliajt i jep 25 milionë lekë EAG-së, është kërcënimi i vazhdueshëm ndaj specialistes që nuk u pajtua me shkeljen e ligjit dhe që u ankua tek Edi Rama.

Është e qartë se në momentin më të parë që u vu me provë, thirrja e Edi Ramës drejtuar qytetarëve për të denoncuar korrupsionin doli se është një ngrehinë e rremë, një flluskë e madhe boshe.

Mosreagimi i Ramës ndaj këtij rasti, ndaj këtij skandali ku është përfshirë ministri i tij dhe stafi i tij i ngushtë, është një mesazh i qartë për qytetarët. Mos denonconi korrupsionin, sepse korrupsioni jam vetë unë, thotë Edi Rama.

 

Read More
21 Dhj
0

Skamja, mjerimi dhe dhuna që mbjell qeveria po shtojnë krimin

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani denoncon rritjen e pasigurisë për qytetarët shqiptarë.  

Rendi dhe siguria për shqiptarët  vazhdojnë të jenë në ditët më të këqia.

Plumbat e kriminelëve, që sipas Kryeministrit Rama, vazhdojnë të lajnë hesapet në pritje të rikthimit të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, kanë shkaktuar 2 të vdekur dhe 1 të plagosur, dje në Shkodër  dhe 1 të plagosur në Tiranë.

Ndërkohë, po dje, 2 të vdekur dhe 1 i plagosur në aksidente automobilistike.

Partia Demokratike, në mënyrë të përsëritur, ka kërkuar të tërheqë vëmendjen e atyre që kanë mënd dhe kanë përgjegjësinë për rendin dhe sigurinë, që të përqendrojnë punën e Policisë së Shtetit, pikërisht te detyra parësore, parandalimi dhe goditja e krimit, sidomos krimit të organizuar.

Ndërkohë, dordomuzët me dajak në dorë, po kryejnë formalitetet dhe po i marrin shpirtin të pamundurve duke iu shkatërruar shtepitë dhe duke lenë në errësirë qindra familje të varfëra.

Hapni mëndjen dhe mendoni, pushtetar pseudorilindas, hapni veshet dhe sytë dhe perceptoni, skamja dhe mjerimi që po mbillni, dhuna dhe padrejtësia, janë faktorë që shtojnë krimin.

Kthimi i Shqipërisë në një burg të madh, nuk është zgjidhja për një popull që synon prosperitetin në familjen Europiane.

Po i detyroni shqiptarët ti kthehen eksodeve masive sepse po e ktheni Shqipërinë 25 vjet pas, por hapni mendjen dhe mendoni, pseudorilindas, etërit tuaj nuk e patën fundin të lumtur.

Read More
21 Dhj
0

Dosja e plotë e paligjshmërisë dhe arbitraritetit me shembjet në Hudënisht të Pogradecit

Nënkryetari dhe deputeti i PD-së Edmond Spaho publikon dokumentacionin e plotë mbi paligjshmërinë e qeverisë me prishjet e ndërtimeve në Hudhënisht. Kryetari nga PS i Komunës, zyrtarisht kundër Kryeministrit: “Po shkatërrohet prona private e këtyre njerëzve të ndershëm që po hidhen në mes të rrugës në kushte çnjerëzore familje të tëra”. 

Prej dy javësh, qindra banorë të Komunës Hudënisht po jetojnë me makthin e prishjes së banesave dhe pronave te tyre të ligjshme. Mediat kanë qënë dëshmitare të protestave të banorëve të cilët dëshpërimisht po përpiqen dikush t’i dëgjojë dhe kërkojnë që fati i banesave dhe pronave të tyre të përcaktohet nga veprimi i ligjit dhe vetëm i ligjit dhe jo nga arbitrariteti i zyrtarëve shtetërore.

Ju kemi njohur me marreveshjen midis Komunës Hudenisht dhe Ministrisë së Turizmit ku Kryetari i Komunës Hudenisht Durim Toska, kërkon të prishen 53 shtëpi banimi dhe prona të ligjshme në mënyrë që të realizohet projekti i tij i quajtur “Rehabilitimi i bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimi përgjatë segmentit Lin-Pogradec”.

Ju kemi njohur me njoftimin për shpronësim publik të bërë nga Kryetari i Komunës Hudenisht Durim Toska për 53 individët pronarë të shtëpive dhe bizneseve, njoftim i nxjerrë jashtë të gjitha kompetencave dhe në shkelje të të gjitha procedurave dhe afateve të përcaktuara në ligjin për shpronësimet publike.

Ju kemi njohur me praktikat haxhiqamiliste me të cilat INUK njofton verbalisht qytetaret e pronave te ligjshme, se do te vije pas dates 16 Dhjetor tjua beje ato pluhur dhe hi. I vetmi rast i komunikimit me shkrim nga INUK për prishjen e pronave të tyre të ligjshme është kjo letër bakalli e shkruar me dorë.

Të gjithë dokumentacionin e mesipërm e kemi vënë në dispozicion të medias dhe të bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë.

Sot po ju njohim me një tjetër dokument ku mund të shihni jo vetëm gjendjen tragjike në të cilën ndodhen këta qytetarë, pasojë e arbitraritetit dhe moszbatimit të ligjit për shpronësimin publik, por edhe anën komike të shtetit Rilindas dhe të pelivaneve të tij.

Kjo është letra e kryetarit të Komunës Hudënisht, përfaqësues i PS,  që i dërgon kryeministrit: “Unë, Kryetar i Komunës Hudënisht, me tagrin ligjor që më jep ky pozicion si përfaqësues i Komunës Hudënisht, si person juridik dhe si përfaqësues i komunitetit, kërkoj të ndalohen shpronësimet me justifikimin e interesit publik, pasi po dëmtohet dhe po shkatërrohet prona private e këtyre njerëzve të ndershëm që po hidhen në mes të rrugës në kushte çnjerëzore familje të tëra. Ky shpronësim është shkatërrues për ekonominë e këtij komuniteti dhe hap një plagë sociale të pariparueshme. Unë e vendos veten time si person, po ashtu edhe si përfaqësues i Komunës Hudënisht, krahas këtyre banorëve dhe kundër shpronësimit dhe shkatërrimit të pronës private”.

Nuk po bëj asnjë koment pasi cfarëdo që të them nuk mund ta shpreh me qartë dhe më ashpër se sa e ka shprehur Kryetari Socialist por njëkohësisht dhe pelivan i Komunës Hudënisht.

Kryeministrit i propozojmë te ndërmarrë dy veprime:

1.Të ndërpresë procesin e jashtëligjshëm të iniciuar nga autoritetet shtetërore, të cilat po terrorizojnë prej dy javësh 53 familje dhe biznese me prishjen e pronave të tyre të ligjshme, në emër të të ashtuquajturit projekt “Për Rehabilitimin e bregut të liqenit të Ohrit dhe gjelbërimit përgjatë segmentit Lin-Pogradec” që thuhet se është iniciativë e Komunës Hudenisht dhe ta fusë atë në binarët e ligjshmërisë sikurse kërkojnë banorët e zonës.

2.Për të treguar qoftë edhe pak dinjitet nga shteti që ai drejton, të shkarkojë zëvëndësministrin e Ministrisë së Turizmit, Kryetarin e Komunës Hudënisht dhe Drejtorin e INUK-ut Korçë si iniciuesit dhe zbatuesit e përpjekjeve për shkatërrimin e paligjshëm të banesave dhe pronave të 53 familjeve dhe bizneseve në Komunën Hudenisht.

Ftojmë Prokurorinë e Pergjithshme të fillojë hetimet për këtë rast flagrant të shkeljes të Kushtetutës së vendit dhe ligjit për shpronësimet publike, për të hedhur plotësisht dritë mbi autorët e vertetë të kësaj aferë me sfond të qarte kriminal dhe korruptiv.

Read More
20 Dhj
0

Prishje masive të ndërtimeve në Lushnjë, goditen 723 familje

Qindra familje dhe biznese po rrafshohen në rrethin e Lushnjës pa transparencë dhe ligj. Banorët ngrihen në protestë duke kërkuar të drejtën dhe vlerësim ligjor për pronat e tyre të ngritura me sakrificë. Partia Demokratike në krah të qytetarëve për të kërkuar të drejtën ligjore. 

Partia Demokratike denoncoi prishjen masive të pronave të 723 familjeve në Lushnjë. Banorët janë ngritur në protestë duke kërkuar transparencë për prishjen e ndërtimeve të tyre me dokumenta të rregullta, të ngritura me mund e sakrificë. Vetëm në zonën e Çermës po prishen 53 ndërtime, për të cilat banorët tregojnë se kanë certifikata të rregullta pronësie. Por dëmshpërblimi për ta është qesharak dhe për më tej atyre nuk u është bërë e ditur asnjë arsye se pse po hidhen në tokë banesat dhe bizneset e tyre.

“Ky nuk është shtet ligjor, por një shtet kriminal për njerëzit. Mundin dhe djersën time e kanë hedhur në tokë pas 20 viteve, në pronën time me dokumente të rregullta”, tha një prej banorëve.

“Jemi me certifikatë pronësi, me leje ndërtimi, me dokumenta të rregullta. Po na çmojnë padejtësisht. Çmimi është tepër qesharak”, u shpreh një prej pronarëve të prekur.

“Mezi i kemi ndërtuar dhe të vijnë të na e shembin…kjo është padrejtësi. E kemi objektin të rregullt me leje. Jemi me hipotekë dhe po na nxjerr jashtë”, tha një qytetare nga Lushnja.

“Ma kanë vlerësuar pronën sa një kasollë lope”, u ankua dikush tjetër.

Kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë themelore në PD, Ervin Salianji, vizitoi banorët së bashku me drejtuesit lokalë të Partisë Demokratike, dhe deklaroi se ndërtimet e banorëve të Lushnjës po prishen në mënyrë selective, pa transparencë, pa njoftime, pa ligj dhe pa dëshpërblim të rregullt. “Janë lëshuar lajmëtarët e shkatërrimeve në çdo cep të Shqipërisë. Ka lëshuar lajmëtarë të lajmërojnë qytetarët dhe të sjellin kartolinën e fundvitit, një kartolinë të zezë, ku u thotë se do t’u prishë pronat dhe banesat private, si një armik i pronës private. Banesat po u prishen pa njoftim, pa shkresë, pavarësisht se kanë certifikatën e pronësisë. Kjo këtu që ka 1496 metra katrorë, dhe 328 metër katrorë ndërtim, qeveria i thotë se do ta prish kundrejt 19 milionë lekësh të vjetra. Rruga kryesore është diku rreth 60 metra katrorë larg që këtu. Pak më sipër rrethrrotullimi mund të bëhet duke prishur vetëm një biznes të vetëm, i cili ka lidhje me qeverinë”, tha Salianji.

Krahas banesave, janë duke u shkatërruar edhe mjaft biznese që punësojnë me dhjetra banorë të zonës. Sipas kryetarit të PD-së në Lushnjë Myslim Murrizi, janë 723 familje që preken nga shembjet e ndërtimeve në këtë rreth.

“3 mercenarë të qeverisë terrorizojnë qytetarët lushnjarë duke trokitur derë më derë dhe u bërë presion me fletushka. Janë 723 familjeve të këtij rrethi”, tha Murrizi.

Read More