Blog

20 Dhj
0

Drejtoresha e Veliajt detyroi specialisten të firmosë korrupsionin EAG

Thellohet skandali i fondeve publike që përfiton kompania disa mujoreshe e krijuar dhe e rritur nga qeveria Rama. Specialistja e prokurimit kundërshtoi procedurën, njeriu i Veliajt e kërcënoi me largim nga puna. Specialistja iu drejtua me ankesë me shkrim Edi Ramës ku denoncoi korrupsionin, por nuk mori përgjigje.

Skandali korruptiv me kompaninë qeveritare EAG, thellohet edhe më shumë me faktet e reja që dalin në dritë.

Drejtoresha e Erion Veliajt ka detyruar specialisten e prokurimit, me presione e kërcënime sistematike, që të firmosë procedurën e paligjshme, sepse paratë i duheshin kaluar me cdo kusht kompanisë EAG.

Drejtuesja e Agjensisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Erion Veliaj, ka vendosur t’i kalojë 25 milionë firmës, me një tender fiktiv, pasi fituesja ishte shpallur, dhe ndërkohë produkti ekzistonte.

Pra thjesht duheshin sajuar letrat që EAG të merrte nga Erion Veliaj 25 milionë lekë.

Specialistja e prokurimit, Luiza Gjonaj, ka kundërshtuar drejtoreshën, duke i thënë se kjo është e paligjshme.

Por njeriu i Veliajt, Ina Verzivolli ka insistuar, dhe e ka shantazhuar me largim nga puna zonjën Gjonaj nëse nuk do të firmoste që paratë të shkonin për EAG-në.

Në këto kushte, specialistja i drejtohet me një ankesë Ministrit Veliaj dhe Kryeministrit Rama, duke u bërë të ditur shkeljet dhe abuzimin që po ndodhte në agjensi.

Kemi këtu letrën që zonja Gjonaj i ka dërguar Edi Ramës dhe ministrit të tij Veliaj.

“Kryetarja e Agjensisë na vendosi para urdhërit për të filluar procedurën e prokurimit, pa shpallje paraprake”, shkruan Gjonaj.

“7 ditë para se të nxirrej urdhëri për fillimin e procedurës, kryetarja e agjensisë e kishte vendosur se cila kompani private do të fitonte, madje produkti ishte prodhuar ndërkohë”, shkruan Gjonaj në ankesën drejtuar Ramës.

“Kjo mënyrë veprimi, në shkelje të cdo lloj norme ligjore, duke detyruar punonjësin me të gjitha format për të firmosur procedura fiktive, duke paracaktuar fituesin për të prodhuar mallra e shërbime që paguhen nga institucione, s’është gjë tjetër vetëm përfitim i paligjshëm”, i shkruan Ramës dhe Veliajt, specialistja.

Po sigurisht, asnjë përgjigje nuk erdhi nga Edi Rama. As nga Erion Veliaj. Nuk mund të ketë përgjigje, sepse EAG është krijuar, është rritur dhe po pasurohet cdo ditë, me bekimin e qeverisë.

Kjo kompani qeveritare që zotërohet nga njerëzit më të afërt të Edi Ramës, ka arritur në 8 muaj të marrë 520 milionë lekë nga shumë zyra e agjensi qeveritare, pra është majmur me taksat e shqiptarëve.

Kjo është shëmbëlltyra e kësaj qeverie.

Teksa qytetarët varfërohen cdo ditë, humbasin cdo ditë vendet e punës, biznesi i qeveritarëve me taksat e shqiptarëve rritet dhe llogaritë e tyre bankare fryhen.

Kjo e keqe po sundon sot në Shqipëri.

Por qytetarët do ta ndalin përpara se të jetë vonë.

Read More
20 Dhj
0

Rama i shton një mëkat të ri mëkateve të gjithë vitit

Deputetja Tabaku denoncon skemën cinike e abuzive të shpërblimeve që ka vendosur kryeministri për fundvitin. Kothere e ndarë sipas preferencave të tij dhe interesave elektorale. 

Në përpjekje për të larë, sadopak gjynahet e një viti në keq-qeverisje, mazhoranca po përtyp cinizmin e radhës duke shpërndarë atë që deri dje e ironizonte. Kryeministri Rama ka vendosur t’i japë vetëm një kategorie të caktuar nënpunësish dhe qytetarësh një shumë parash si për të krijuar përshtypjen se është një qeveri sociale.

Duhet t’i rikujtojmë mazhorancës së sotme se nga 2005 deri në 2012, në shpërblim janë përfshirë të gjitha kategoritë sociale në nevojë. Ndërkohë që qeveria e rilindur dhe sociale pasi mori një vit pushim u caktoi vetëm 18 miliardë lekë shpërblime vetëm një kategorie të caktuar. Ndërkohë që vetëm shpërblimi i fundit i fundvitit ai i vitit 2012 ka qënë në vlerën 32 miliardë lekë.

Siç edhe na lajmëroi Kryeministri nga foltorja e Parlamentit, filozofia e shpërblimit të këtij viti ka qenë e bazuar në preferencat e tij.

Kjo filozofi shpërblimi e ka shndërruar në lëmoshë shpërblimin e djeshëm të pensionistëve dhe në kothere shpërblimin nga fondi i veçantë për administratën.

Shpërblimi i premtuar nga Rama prej 2 mijë lekësh për pensionistët është lëmoshë po të krahasohet me shpërblimin prej 5 mijë lekësh që ata kanë marrë deri në 2012, ndërsa shpërblimi i administratës nga fondi i veçantë është kothere për ata që marrin fletë lavdërimi në krahasim me shpërblimet deri në 2 paga që merrnin nënpunësit civil për kontribute gjatë vitit dhe 10 mijë lekë për festat e fundit të vitit.

Fjalimi i z. Rama, është një autokritikë që ai dhe mazhoranca i bëjnë vetes së tyre për opozitën e djeshme duke konfirmuar se:

Së pari, Politika e shpërblimeve deri në 2012 paska qënë e drejtë dhe po përpiqet që ta zbatojë edhe ai;

Së dyti, megjithëse një qeveri e djathtë shpërblimet e fundit te vitit nuk ishin diskriminuese si të Ramës sepse u jepeshin të gjithë pensionisteve njëlloj pa i ndarë në çifte dhe kryefamiljarë, dhe të përndjekur apo veteranë si edhe të gjithë nënpunësve;

Ndonëse Rama u tërhoq nga talljet e dikurshme për shpërblimet, Partia Demokratike i shikon me mosbesim premtimet e tij dhe i kërkon atij të garantojë dhënien në kohë të shpërblimeve të premtuara, duke qënë se janë të vonuar dhe veprimet e thesarit sipas ligjit janë mbyllur.

Gjithashtu i kërkojmë Kryeministrit që të na shpjegojë shpërblimin me 5 mijë lekë për veteranët e luftës mbi moshën 65 vjeçare. A është ky shpërblim si pasojë e prapashtesës veteran apo si pasojë e faktit se këto persona janë pensionistë?!

Njësoj si të përndjekurit politik, që pasi i gënjeu me shpërndarjen e kësteve dhe rritjes së dëmshpërblimit të tyre vazhdon t’i gënjejë me një lëmoshë që po ua jep si pensioniste e jo si të përndjekur!

Pasi rriti kuotat e Arsimit të Lartë Publik me rreth 30%, dhe pasi mori nga xhepat e familjeve shqiptare që kanë fëmijë mbi 8 miliardë lekë, qeveria ka menduar të shpërblejë cinikisht studentët më të mirë me një shumë prej rreth 5 mijë lekësh.

Ndërkohë që premtimi për Shëndetësi Falas, mbetet në sirtarët e një programi të cilit i kanë humbur fletët, qeveria ka vendosur që të shpërblejë vetëm një grup të caktuar mjekësh. Të cilët nuk e dimë mbi çfarë kriteresh janë zgjedhur, përderisa asgjë nuk është bërë transparente. Në të njëjtën mënyrë ka vendosur të shpërblejë vetëm një grup policësh duke i trajtuar kështu mjekët dhe policët, e jo vetëm, si disa të nënës e disa të njerkës.

Mazhoranca, ka vendosur që shumën e parave të cilat nuk ia shpërndau shtresave në nevojë t’i përdorë për të shpërblyer një pjesë të shtresave në nevojë dhe nxënësit e dalluar sipas përcaktimit Kryeministror. Shuma prej 1.1 miliard lekësh është rialokuar nga zëri i buxhetit për Shtresat në Nevojë dhe po përdoret për shpërblimet e fund vitit. E sikur të mos mjaftonte kjo, arnimi i shpërblimit këtë vit ka vazhduar kalimin e 700 milionë lekëve nga fondi i kontigjencës në atë të shpërblimeve. Duke qenë kështu e para mazhorancë që përdor fondin në fjalë si mbushje për shpenzimet.

Kryeministri i cili në kohën kur qe në opozitë përqeshte shpërblimet e mazhorancës dhe evokonte pagën e 13 të, i ka hequr nga goja e nevojtarëve pagesat, kështu që qeveria të duket bujare me një pjesë të shqiptarëve, sigurisht atyre shqiptarëve që ajo mendon që e meritojnë.

Read More
19 Dhj
0

Rama godet sërish, ndryshon ligjet që sollën statusin, pa konsensus, pa gjithpërfshirje, pa transparencë

Deklaratë e deputetit Eduard Halimi, ku dënohet nxitimi i madh me të cilin mazhoranca ndryshoi dje tre ligje, për interesa klienteliste e për të kapur drejtësinë e administratën. Thirrje Partisë Socialiste për të shkëputur kontratën me krimin.

Në seancën e djeshme në Parlament, me nxitim të madh, pa konsensus, pa bashkëpunim, pa gjithpërfshirje, u ndryshuan sërish dy nga  tre ligjet që u miratuan me konsensus në maj të 2013, ligjet e nevojshme për marrjen e statusit të vendit kandidat.

1 Dje njëanshmërisht u ndryshua Ligji i Nëpunësit Civil. Ligj që u ndryshua me akt personal te Rames natën e 30 shtatorit dhe për të cilin u shpreh Gjykata Kushtetuese. U ndryshua jo për ta bërë më profesionale administraten publike dhe në sherbim të qytetareve dhe biznesit, por vetëm për ta degraduar edhe me tej situatën e rëndë në të cilën ndodhet. U ndryshua vetëm e vetëm për të lehtësuar qeverinë në spastrimet dhe hedhjen në rrugë të mijëra specialistëve dhe për ti zëvendësuar ata me njerëz që vijnë nga jashtë sistemit në masën 15%, duke hapur dyert dhe dritaret për miltantet dhe njerëzit që u investuan me kryeministrin në zgjedhjet politike, sipas kontrates që beri me ta.

2.      Dje, u ndryshua dhe Ligji për Reformën Territoriale, pa asnjë konsesus dhe pa pyetur asnjë nga qytetaret e asaj zone, jo me qëllimin për të permirësuar variantin e mëparshëm, por për ta bërë atë edhe me klientelist se sa ishte më parë.

3 Po dje, po njëanshmërisht u ndryshua edhe  Ligji për Gjykatën e Lartë, pa asnjë konsultim, pa asnjë diskutim dhe pa asnjë përfshirje të partnerëve ndërkombëtarë, sic u ra dakort në tryezën e përbashkët të 6 Tetorit për Reformën në Drejtësi.

Për Partinë Demokratike kjo është rruga e gabuar, nuk është rruga e konsesusit dhe bashkëpunimit. Kjo është rruga e gabuar e reformave në vend dhe asaj të drejtësisë në vecanti.

Kjo është rruga e kontrollit të sistemit të drejtësisë.

Kryeministri i vendit, ashtu si të gjithe shqiptarët e njohin, ka një kontratë me krimin e organizuar në vend. Dhe është krimi i organizuar që kërkon kontrollin e sistemit të drejtesisë, është krimi i organizuar që kërkon kontrollin e cdo vendi pune në administratë, dogana, tatime, pika të kalimit kufitar.

Partia Demokratike i bën thirje edhe njëherë sot Partise Socilaliste: Mos e degradoni Shqipërinë deri në këtë pikë. Mos e degradoni sistemin e drejtësisë, dhe administratën publike deri në këtë pikë.

Te ndaleni ne kapjen  e sistemit te drejtesise, ne kapjen dhe degradimin e administrates publike.

Te ndaheni nga kontrata që Kryeministri ka bërë me krimin e organizuar.

Ti dalim zot vendit për ta cliruar nga krimi i organizuar që ka kapur politikën e kërkon të kapë drejtësinë e administratën.

Kjo që po bëni është rruga e gabuar, rrugë e cila ka vetëm një fund.

Read More
19 Dhj
0

Basha: Shqiptarët meritojnë një Kuvend ku përfaqësohen interesat e tyre dhe jo të krimit të organizuar

Prononcim i Kryetarit të PD pas takimit me Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian z.Knut Fleckenstein

“E kam nënvizuar që prej shtatorit se opozita kërkon të jetë në Kuvend, por në një Kuvend që funksionon sipas ligjit dhe Kushtetutës, që nuk i shkel dhe nuk i nëpërkëmb ato; në një kuvend i cili përfaqëson interesat e qytetarëve shqiptarë dhe jo interesat e grupeve kriminale.

Procesi që sapo ka nisur është një proces komunikimi. Mendoj se i vlen rezultatit që presim jo vetëm ne si opozitë, por edhe qytetarët shqiptarë: një parlament mirëfunksional ku përfaqësohen interesat e tyre, ku flitet për interesat e tyre, ku zbatohet dhe respektohet Kushtetuta dhe Rregullorja e Parlamentit, ligjet, e ku fjala e lirë nuk kërcënohet dhe as nuk dhunohet nga përfaqësues të krimit të organizuar”.

Dekriminalizimi i Kuvendit dhe rikthimi i jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës së konsensusit për reformat madhore janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin europian të Shqipërisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, priti sot Eurodeputetin Knut Fleckenstein, Raporter për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe një nga dy të ngarkuarit e Parlamentit Europian për të ndihmuar në kapërcimin e krizës politike parlamentare në vendin tonë. 

Zoti Basha e falenderoi zotin Fleckenstein për përpjekjet e tij dhe për rolin pozitiv e ndihmën konkrete që ai dhe Eduard Kukan po japin në misionin e ngarkuar  për zgjidhjen e krizës parlamentare në vend.

Qytetarët shqiptarë dhe opozita nuk mund të pajtohen as me përdorimin e një grupi të strukturuar deputetësh me rekorde të krimit të organizuar, për të dhunuar, kërcënuar dhe shuar fjalën e lirë të opozitës në Kuvend dhe as me eliminimin e instrumentave të mbikqyrjes parlamentare  nga mazhoranca përmes shkeljes flagrante të Kushtetutës, ligjeve dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, theksoi zoti Basha. Dekriminalizimi i Parlamentit nuk është bamirësi ndaj opozitës, por domosdoshmëri për Shqipërinë, për interesat e qytetarëve shqiptarë dhe për rikthimin e jetës parlamentare.

Opozita përshëndet dhe mirëpret angazhimin dhe asistencën e Parlamentit Europian dhe institucioneve të tjera të Bashkimit Europian për një marrëveshje politike shumicë-opozitë që do ti hapë rrugë dekriminalizimit të Kuvendit dhe rikthimit të jetës parlamentare në binarët e Kushtetutës, ligjshmërisë dhe frymës së konsensusit për reformat madhore, janë vendimtare për demokracinë dhe integrimin europian të Shqipërisë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike.

Read More
19 Dhj
0

Qytetarët e Tropojës protestojnë kundër varfërisë, errësirës dhe dhunës

Qindra banorë dalin në shesh dhe kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet nga qeveria. Partia Demokratike mbështet kërkesat e qytetarëve që po vuajnë nga gjendja shumë e rënduar ekonomike, nga arbitrariteti i qeverisë me energjinë elektrike dhe nga dhuna e policies.

Qindra banorë të qytetit të Tropojës kanë protestuar për gjëndjen e vështirë ekonomike, për ndërprerjen arbitrare të energjisë elektrike, për dhunën e policisë, për varfërinë e thellë dhe mungesën e vëmendjes nga qeveria. Protestën e qytetarëve e ka mbështetur Partia Demokratike. Kryetari i për Tropojën, Xhevdet Hoxha tha se shqetësimet e banorëve janë të drejta, dhe kërkoi që zëri I tyre të dëgjohet nga autoritetet.

“Ka 7 muaj që më është bllokur pensioni që e marr prej 21 vitesh. Kam shkuar dy herë tek Instituti i Sigurimeve në Tiranë. Më thanë po të jesh tropojan më mirë mos më dil para”, u shpreh një qytetar.

 “Kam një dyqan me qera. Më shkëputen dritat dhe më vunë një sahat. E kanë zvarrit 40 ditë pa vënë sahatin dhe kemi qënë pa drita. Kam paguar edhe 400 mijë lekë”, ankohet një qytetar që po vuan mungesën e energjisë elektrike.

 “I bëjmë thirrje këtij populli, të madh e të vogël, të çohen në këmbë dhe ta mposhtin këtë klikë të paparë ndonjëherë kundër popullit të vetë”, apelon një banor i Tropojës.

 “Edi Rama nuk i ka bërë llogaritë mirë me qytetarët dhe sidomos me qytetarët e Tropojës që po i dhunon duke i larguar nga puna, dhe duke futur edhe persona me presecedent penal. Policia e shtetit dhunon të drejtat dhe liritë themelore të njerëzve duke i mbajtur në dhomat e izolimit vetëm për një arsye sepse këta janë mbështetës së Partisë Demokratike”, tha Salianji

“Qindra familje janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike me pretekste qesharake se ka një televizor apo një frigorifer në shtëpi. Shumë pensionistëe u është bllokuar apo heq pensioni me arsyen se gjoja do t’u verifikohet, kur ka pensionistë që kanë dalë prej 20 vitesh në pension. Asnjë investim nuk ka në Tropojë dhe e gjej momentin ti bëj thirrje Edi Ramës që të heqë zullumin nga Tropoja, të largojnë forcat e policisë. Të merret me nevojat e Tropojës, me hallet e Tropojës sepse Tropoja është në ditët më te zeza që ka kaluar ndonjëherë”, tha deputeti i Partisë Demokratike, Besnik Duzha.

Read More
18 Dhj
0

Basha: Marrëveshje për dekriminalizimin dhe mirëfunksionimin e Parlamentit‏

Intervistë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Brukseli ku mori pjesë në punimet e Samitit të Partive Popullore Europiane

Pyetje: Partia Europiane Popullore ka një rol kyç tashmë në negociatat apo ndërmjetësimin mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri për të zgjidhur ngërçin politik dhe çfarë ju është thënë sot?

Basha: Partia Popullore Evropiane është shprehur qartë me rezolutën e asamblesë politike dhe ka ecur një hap më përpara duke emëruar europarlamentarin Kukan si një nga dy negociatorët evropiane të cilët kanë marrë përsipër misionin e ndërmjetësimit midis opozitës dhe shumicës për një marrëveshje politike që do të mundësonte funksionimin normal të parlamentit. Do të mundësonte zbatimin e Kushtetutës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese sot dhe të nesërmen, jo si një favor i njërës palë ndaj tjetrës, por si një detyrim për shtetin e së drejtës. Do të mundësonte procesin jetik për Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian, dekriminalizimin e Kuvendit dhe të institucioneve të larta publike.

Pyetje: Kemi marrë vesh në fakt nga burime të ndryshme se jeni afër arritjes së një marrëveshje dhe mesa duket palët janë dakord për të pestë pikat. Është e vertëtë?

Basha: Unë nesër do të takoj në Tiranë zotin Flekenshtajn dhe të hënën zotin Kukan. Shpresat dhe besimi im është që përmes reflektimit në përputhje me problemet kryesore që shkaktuan këtë gjendje, qe ishte përdorimi i dhunës me skenarë të mirëorganizuar në Kuvendin e Shqipërisë kundër opozitës si dhe shkelja flagrante e kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga shumica, të tejkalojmë këtë situatë përmes një marrëveshje politike, do t’i hapim rrugë rikthimit të normalitetit të parlamentit të Shqipërisë.

Pyetje: Ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, ka thënë se ai është optimist se në fakt Shqipëria mund të arrijë një marrëveshje shumë shpejt, madje është edhe një lloj dhurate ditëlindje për krishlindjet. Mund të jetë e arritshme kjo?

Basha: Unë nuk besoj në dhurata, besoj në vullnet të palëve për të kontribuar në përputhje me parimet, normat, standartet e Bashkimit Evropian për një Shqipëri evropiane e cila nis me një parlament që i bindet kushtetutës, që e zbaton atë, në një parlament të pastër nga influencat e krimit të organizuar, i denjë për përfaqësimin e qytetarëve shqiptarë. Dhe padyshim, nëse ka vullnet politik, kjo është në dorën e palëve. Në radhë të parë të shumicës që ka edhe përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar dhe së dyti edhe të opozitës shqiptare e cila e ka shprehur tashmë prej kohësh vullnetin për të ecur përpara.

Read More
18 Dhj
0

Dhunohen pronat e banorëve në Hudënisht me copa letrash

Drejtues të Partisë Demokratike dëgjojnë banorët e zonës, prona e të cilëve po prishet pa transparencë, pa procedurë, pa ligj

Partia Demokratike i është bashkuar sot protestës së banorëve të Komunës Hudënisht në Pogradec të cilët protestojnë kundër prishjes në masë të ndërtesave të tyre, në shkelje të ligjit dhe të drejtës themelore, sicc është ajo e pronës. Deputeti Edmond Spaho, kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut, Ervin Salianji dhe zyrtarë të PD-së së degës denoncuan publikisht prishjen e këtyre ndërtimeve në mungesë të plotë transparence, pa njoftuar banorët dhe për më tej pa dhënë llogari për projektin që kërkohet të investohet në këtë komunë.

“Jemi sot në zonën e Hudënishtit, në mbështetje të banorëve. Prej katër ditësh e ngrenë zërin, dalin përditë në protestë nga mëngjesi në darkë, por asnjë përfaqësues nga qeveria nuk vjen që ti takojë dhe tu japë shpjegim se përse shtëpitë e tyre duhet të prishen, përse banesat e tyre pronë private apo qoftë edhe disa biznese në disa raste, duhet të prishen dhe për qëllimin e kujt po prishen. Sot kam me vete akt-marrëveshjen që ka bërë Komuna e Hudënishtit me Ministrinë e Zhvillimit Urban, sipas të cilës pronat e këtyre banorëve të këtyre qytetarëve prishen për shkak të një projekti që do ta financojë qeveria dhe që e ka komuna. I kërkojmë sot komunës por edhe qeverisë, të nxjerrin projektin mbi bazën e të cilit prishen shtëpitë e këtyre banorëve, ta bëjnë publike këtë projekt. Në rast se nuk kanë ndjekur linjën normale që komuna ta ketë derguar në ministrinë e linjës dhe ministria ta çojë në qeveri për t’i shpronësuar sipas një interesi publik dhe me vendim të Këshillit të Ministrave, atëhere kryetari i komunës duhet të shkojë për ndjekje penale, sepse kërkojnë t’ua prishin shtëpinë dhe tu marrin të drejtën e pronës që është e drejta më e rëndësishme që e keni të garantuar me Kushtetutë dhe me ligj”, tha Salianji.

Kreu i Departamentit për të Drejtat e Njeriut tha se INUK nuk po respekton asnjë normë ligjore në prishjen e këtyre ndërimeve, madje në mungesë të plotë të dokumentacionit, banorët janë njoftuar me copa letrash me shkrim dore të firmosur nga drejtori rajonal i INUK.

“Kanë ardhur t’ua shkatërrojnë dhe t’u bëjnë presion pa asnjë dokument të ligjshëm, duke mos u lënë mundësinë të shkojnë në gjykatë. Dua t’u tregoj një rast se si funksionon qeveria si një bandë mafioze. Kjo është shkresa që drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor të Korçës i ka dërguar një banori për t’i prishur banesën. Me këtë shkresë, duke mos respektuar asnjë procedurë dhe asnjë ligj, qeveria kërkon t’ju marrë pronën, t’ju marrë jetën në fakt. Shkresa si këto qytetarët mund të bëjnë pafund. Prandaj i bëjmë thirrje edhe njëherë qeverisë që të vijë këtu me banorët. Banorët e kësaj zone nuk janë armiqtë e qeverisë, nuk janë armiqtë e askujt, janë banorë të cilët me mund e sakrifica kanë ndërtuar këto banesa dhe këto prona. Të vijnë dhe t’i dëgjojnë dhe t’u japin zgjidhje në përputhje me ligjin dhe në zbatim të ligjit, jo t’u bëjnë presion. Mos guxojë qeveria dhe te mos i shkojë nëpërmend që mund t’u bëjë presion nëpërmjet policisë, shefit të komisariatit, apo kujtdo bande tjetër që e përdor për qëllime përfitimi dhe për qëllimet e veta”, deklaroi Salianji.

 

Read More
18 Dhj
0

EAG kapet në shkelje flagrante, miliona nga agjensia e Veliajt pa procedurë

Sekretarja për Marrdhëniet me Publikun, Grida Duma, denoncon rastin korruptiv skandaloz të agjensisë EAG, e cila mori miliona nga Agjensia për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, për një produkt që ishte prodhuar tashmë. Prokurimi u bë pasi EAG ishte shpallur fituese. Punonjësit u ankuan për shkeljen tek Rama, por nuk morën asnjë përgjigje.

Paraqesim sot para publikut fakte flagrante të standardit korruptiv të kësaj qeverisje.

Kompania e sapolindur EAG, e krijuar, e rritur, dhe e pasuruar me këtë qeveri nga taksat e publikut, është kapur në flagrancë në shkelje të hapur të ligjit, në shkelje të barazisë në tendera.

Parajsa financiare që EAG ka gjetur me Edi Ramën, nuk njeh asnjë kufi, asnjë procedurë, rregull, apo ligj.

Në maj të 2014 Agjensia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, që varet nga Ministri Veliaj, ka vendosur të bëjë një prokurim i cili duhej sajuar me cfarëdo mjeti, mjaft që paratë t’i shkonin EAG.

Që paratë ti shkonin kompanisë ndërsa nuk gjendej se cfarë do të mund të justifikonte transfertën e shumës, u shpik që një nga shërbimet të ishte prodhimi i logos së re të faqes online të Agjencisë. Por fakti është se logoja e re e Agjensisë dhe web-i, ishin të prodhuara muaj më parë.

Pra agjencia, sipas fakteve, duket që i ka kaluar para  për produkte që nuk i ka ofruar fare EAG.

Funksionarë dhe punonjës të Agjensisë e kanë kuptuar se gjenden para një shkeljeje të rëndë ligjore, të friksuar se janë detyruar të bëhen pjesë e këtij abuzimi, i janë drejtuar Kryeministrit Rama dhe Ministrit Veliaj, ku i kanë sqaruar rrethanat korruptive.

Asnjë reagim, cështja është fshehur nga Veliaj dhe Edi Rama.

Heshtja, fshehja dhe mospërgjigjia ndaj denoncimit që i ka ardhur nga vetë punonjësit e Agjencisë, vërtetojnë bekimin e Edi Ramës ndaj kësaj afere.

Ky është një rast skandaloz i korrupsionit të pastër, e vjedhjes më të dy duart të taksave të qytetarëve të vendit.

Ky është realiteti në Shqipëri sot.

Edi Rama ka licensuar një mekanizëm korruptiv për ministrin e tij, e për stafin e tij të ngushtë që zotërojnë kompaninë në fjalë.

Del dhe bën propaganda, keqpërdor një grua zëvendësministre për 12 mijë lekë të vjetra të papaguara, nga ana tjetër me lejen e tij, një kompani disa mujore pasurohet pareshtur me fonde publike.

Në këtë mënyrë, me këtë skemë të pastër korrupsioni, EAG ka marrë deri tani nga dhjetra zyra qeveritare, 520 milionë lekë.

Ja pra kush është standardi, mënyra, shëmbëlltyra e kësaj qeveria.

E keqja po lëshon metastaza dhe korrupsioni qeveritar po bën kërdinë.

Po qytetarët nuk do të pajtohen.

Janë ngritur dhe do të ngrihen qytetarët për ta ndalur këtë babëzi të pashembullt.

Read More
17 Dhj
0

Fletërrufetë nuk i mbulojnë dot zullumet e Ramës me energjinë

Zëdhënësja Nebijaj denoncon keqpërdorimin që kryeministri po i bën rastit të gruas zëvendësministre për propagandë. Kjo nuk e shpëton Ramën nga abuzimet e tij me 600 milionë euro me aferën CEZ, nga emërimi në OSHEE i vjedhësve të energjisë, nga rritja që po i bën cmimit për 75 përqind të shqiptarëve, dhe nga caktimi në krye të operatorit të personit nën hetim për shkelje në tendera

Nuk gjen dot asnjë thes Edi Rama që të mbulojë zullumet që ka bërë me energjinë.

Po keqpërdor rastin e një zëvendësministreje debitore, për të bërë propagandë, por nuk ngjit kjo askund, tek askush.

Nuk ngjit se mbarë opinioni publik e di se Edi Rama i fali kompanisë CEZ me një aferë të pastër korruptive e kundër interesave të shqiptarëve, 600 milionë euro.

Solli në krye të OSHEE hajdutët më të mëdhenj të energjisë dhe persona me precedent penalë.

Po gjobit me fatura abuzive mijëra familjarë.

Po rrit cmimin e energjisë elektrike për më shumë se 75 përqind të qytetarëve, pikërisht ata që kanë më pak mundësi të paguajnë.

Ka vënë drejtor të përgjithshëm, njeriun e tij, i cili po hetohet për një seri abuzimesh që ka bërë me fondet publike, për një dyzinë tenderash kur ishte në Bashkinë e Durrësit.

Ja ku është dosja që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar në prokurori për një nga rastet. Shkelje të barazisë në tendera, dhe është bërë kallëzim penal ndaj tij.

Kështu që, fletërrufetë e tij dhe lincimi publik që po i bën një gruaje zëvendësministre nuk e ndihmojnë aspak të fshihet pas gishtit.

Edi Rama është i identifikuar në sytë e  gjithë qytetarëve si abuzuesi më i madh me energjinë, bashkë me cirakët e tij, hajdutë të pashembullt.

Read More
17 Dhj
0

Krimi po vendos rendin, Edi Rama ka braktisur qytetarët

Deklaratë e deputetit Alban Zeneli, mbi përkeqësimin e përditshëm të rendit dhe sigurisë publike. Kur policia është e zënë me porositë e shefit të madh; maskat lulëzojnë, vrasjet shtohen, nxënësit shkojnë me armë në shkollë, aksidentet rriten, konfliktet thellohen e zgjidhen me armë mes qytetarëve.

Krimi po konfirmon cdo ditë me të madhe se po fiton terren.

Kur Partia Demokratike shpreh shqetësimin për situatën e përkeqësuar të rendit dhe sigurisë publike, Edi Rama nxjerr zëdhënësin dhe sulmon opozitën.

Por duhen vetëm pak orë që krimi të tregojë se po e vendos ai rendin, dhe vetëm pak orë për të kuptuar se sa mjeran është reagimi i Edi Ramës.

Reagimi i Edi Ramës duhej të ishte kthimi i Policisë së Shtetit në detyrë. Fokusimi i saj tek rendi dhe siguria publike, tek lufta 24 orëshe ndaj grabitësve, ndaj personave me rrezikshmëri shoqërore, ndaj konflikteve që lënë pas viktima.

Policia duhet të tregojë këtë përkushtim me gjithë instrumentat që ka.

Por në realitet, policia po urdhërohet të tregojë forcë kundër qytetarëve të pamundur, kundër pronave të ligjshme, kundër të varfërve që nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë.

Kur policia është e zënë me porositë e shefit të madh; maskat lulëzojnë, vrasjet shtohen, nxënësit shkojnë me armë në shkollë, aksidentet rriten, konfliktet thellohen e zgjidhen me armë mes qytetarëve.

Kjo është situata dramatike që po përjetojnë qytetarët e vendit sot.

Partia Demokratike e denoncon me forcë lënien e rendit në qorrsokak.

Ne nuk mund ta lejojmë Edi Ramën të thellojë kursin e tij të papërgjegjshëm, që po sjell pasiguri për jetën.

Eshtë detyra e parë dhe me e rendësishme e cdo qeverie.

Eshte pika e parë e kontratës.

Braktisja e kësaj detyre, është braktisja e qytetarit.

Read More