Blog

29 Tet
0

Urdhërat e Ramës paralizojnë bizneset dhe familjet‏

Deputeti Bogdani dhe banorët e zonës në qendër të Tiranës denoncojnë arbitraritetin e qeverisë me aksionet e INUK

Arbitrariteti i INUK-ut të Edi Ramës po dëmton bizneset në Tiranë dhe ekonominë e shumë familjeve. Janë shumë biznese të vogla që janë paralizuar në zemër të kryqytetit për shkak të prishjeve që ka urdhëruar Kryeministri, ndërkohë që i kishte lejuar vetë kur ishte Kryetar Bashkie.

Deputeti Gerti Bogdani takoi sot tregtarët dhe banorët e zonës.

“Jemi këtu në një zonë kryesore të qytetit të Tiranës në Bulevardin “Zhan Dark” dhe Bulevardin “Bajram Curri”, ku zemërimi, inati dhe pashpirtësia e kryeministrit të këtij vendi vazhdon të mos ketë fre. Para disa ditësh ai prishi të gjitha hyrjet në bizneset e katit të dytë dhe të parë. Së pari, një prishje selektive, një prishje pa njoftim, një prishje pa marrë parasysh që këto biznese punësojnë familje, shqiptare, këto biznese mbajnë me bukë familje shqiptare. Mbi të gjitha, është një prishje që shkon në kundërshtim me një vendim që ai vetë e ka dhënë dhe e ka firmosur, kur flet për unifikimin e fasadave të të gjitha këtyre fasadave. Eshtë firma e Edi Ramës me të cilën banorët kanë ndërtuar këto biznese dhe është urdhëri i Edi Ramës, fjala e tij në këtë rast, me të cilën i prish. Ky kryeministër nuk ka ardhur për të krijuar 300 mijë vende pune por për t’i mbyllur ato sepse këtu familjet shqiptare mbajnë me bukë familjet e tyre, dhe të punësuarit, dhe sot këto biznese janë në ajër. Janë në ajër sepse nuk kanë si të ngjiten në shkallët e tyre. E njëjta gjë me bizneset e katit të parë. Kjo tregon një mentalitet të pashpirt të një njeriu që mesa duket nuk i do të mirën qytetarëve shqiptarë sepse vazhdon ti rëndojë, jo vetëm me rritjen e çmimit të energjisë, çmimin e naftës, por sot edhe me prishjet pa kriter dhe me prishje selektive”, u shpreh Bogdani.

Banorët denoncuan këtë aksion të INUK.

”Unë jam invalid dhe nuk kam si të hip tani pa shkallët në shtëpi. Të paktën të më lajmeronin disa ditë përpara. Nuk kam me çfarë ta rregulloj se vetëm pension kam”, u shpreh një banor i zonës.

“U bë atëhere projekti me inxhinjerë dhe ne paguam për pllakat dhe fasadën. Na u ligjërua”, shprehet banori.

Një banor tjetër shprehet se: “Edi Rama në 2003 na dha një leje ne, siç u bë dhe në krahun tjetër. Këtu na thanë për fasadën. Tani nuk di kush mund ta ketë fajin, unë apo Edi, por unë nuk kam nga të hyj në shtepi. Na dha Edi Rama lejen për shkallën dhe tani skemi ku të futemi”.

Read More
28 Tet
0

Shëndeti i gruas, prioritet për shoqërinë

Gratë demokrate vazhdojnë takimet në terren. Ndërgjegjësim dhe mamografi falas për gratë e Bathores 

Lidhja Demokratike e Gruas  në bashkëpunim me Spitalin amerikan organizoi  sot nje takim ndërgjegjësimi për kancerin e gjirit me gratë e zonës së Bathores. Ky takim vjen si pjesë e fushatës që LDGSh po organizon në gjithë vendin,  për mbrojtjen e shëndetit të gruas  si një e drejtë themelore e saj.

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas Shqiptare, Albana Vokshi tha se parandalimi nëpërmjet ndërgjegjeësimit dhe informacionit shpëton jetë.

“Mbi 700 raste evidentohen në vit me kancer gjiri në Shqipëri dhe afro gjysma e tyre shkojne tek mjeku në fazat e avancuara. 90% përqind e rasteve, kur  evidentohet në fazat e fillimit, kanceri i gjirit është i shërueshëm. Të kujdesesh për trupin tënd nuk është turp nuk është tabu. Një grua me shëndet siguron një mëmësi të shëndetshme, një familje të fortë”, u shpreh Vokshi.

Mbrojtja e gjirit duhet të bëhet temë e diskutimeve në shtëpi, në takime, dhe kudo mes ju zonjave dhe nënave, sugjeroi Vokshi. Ajo shprehu keqardhjen që politikat shdetësore të qeverisë nuk po sigurojnë përkujdesje dhe trajtim shëndetësor falas për këtë cështje, por qeveria ka thjesht retorikë dhe ironi falas.

Kryetarja e LDGSh siguroi se gratë në cdo bashki e komunë sado të largët të Shqipërisë, do kenë mbshështetjen dhe ndjekjen në vijmësi të LDGSh për mbrojtjen e shëndetit te tyre dhe të problemeve që lidhen me të drejtat e tyre.

Mjekja e Spitalit Amerikan, Emiljana Huti, tha se kanceri i gjiirit si sëmundja e dytë  që shkakton vdekshmërinë e grave është plotësisht i shërueshëm kur kapet në fazat e para.

Mjekja Huti  tha se kontrollet periodike tek Mjeku i familjes, janë parandaluesi kryesor i sëmundjes. Gratë nën 40 vjec duhet të bëjnë eko dhe ato mbi 40 vjec duhet t’i drejtohen mamografive.

Në këtë fushatë ndërgjegjësimi morën pjesë dhe deputetet Majlinda Bregu, Jorida Tabaku dhe Mesila Dada. Deputetet theksuan se shëndeti gruas duhet të jetë prioritet për shoqërinë për shtetin dhe pikëspari për vetë ato.

Në fund të takimit ambulanca e Spitalit Amerikan dhe mjeket e pranishme organizuan konsulta dhe shpërndanë kupona falas për mamografi.

Read More
28 Tet
0

Drejtësia e Ramës me gjyqtarë të diktaturës dhe kamikaze politike

Deputeti Halimi denoncon nënshtrimin që po i bën drejtësisë Edi Rama, për të krijuar mbrojtje për korrupsionin dhe të inkriminuarit në qeveri

Sot nuk ka asnjë dyshim se qëllimi i vetëm i Edi Ramës është kapja politike e drejtësisë. I duhet një drejtësi e gjunjëzuar dhe jo një drejtësi e pavarur, i duhet një drejtesi politike e bindur dhe e nënshtruar, dhe jo një drejtësi që ti tregojë vendin sa herë shkel ligjin e Kushetutën.

Frika, terrori dhe paniku që kërkon të ngjallë në popull me shtetin policor që po instalon cdo ditë, për të arrestuar këdo që nuk ka mundësi të paguajë, i duhet ta cojë deri ne fund, me vendimet e gjykatave.

Klithjet e përditshme të kryeministrit ndaj qytetarëve dhe tundja e prangave me policinë që është bërë më politike se kurrë në këto 23 vjet, kërkon ti cojë deri në fund me nënshtrimin dhe kapjen politike të drejtësisë, që askush të mos e ndalë në marrëzinë e delirit të pashoq që e ka kapur atë dhe farë e fisin që ka emëruar në qeveri.

Ndaj i duhet gjyqësori, jo për brockullat që flet në emër të qytetareve, por për të mos i thënë kush jo, terrorit dhe shtetit policor që kërkon të injektojë sot, për të zhdukur perfundimisht atë që është ndarë vite e vite me pare, pushtetin e qeverise me pushtetin e drejtesise. Kërkon t’i bëjë një, partinë dhe drejtësine që mos ketë askend mbi toke ta ndalë në marrëzinë për të arrestuar e futur ne burg gjithkënd.

I duhet një drejtësi e nënshtruar që të mbrojë korrupsionin e ministrave dhe grupit të deputetëve që kanë lidhje të drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe mafian.

Ju që keni bërë burg për trafik droge duhet të jeni deputetet e mi, elita e kombit, ndërsa qytetaret që nuk kane lekë të paguajnë energjinë janë hajdutët e kombit, jane sabotatorë të zhvillimit të vendit, sabotatore të qeverisë, armiqtë e popullit. Deputetet e krimit duhet të rrine në aulen e parlamentit, ndërsa qytetaret që nuk paguajne dot energjine apo kapin me dore mistrinë e ndërtimit, të shkojnë në burg.

I duhet drejtësia Ramës, që të shkatërroje cdo ditë pasuritë e qytetareve me keq se në kohën e diktatures pa i dhënë asnje copë letër, sepse ka frikë se gjykatat mund ta ndalin. I duhet drejtësia që të arrestoje qytetaret; nese nuk paguajne gjobat e policisë, nëse nuk mbushin arkën e qeverise, që kundershtojnë shtetin  policor dhe terrorin politik, që janë sabotatorët e zhvillimit të vendit.

Ndaj klith cdo ditë kunder gjykatave sa herë ato i thonë mos prish pasuritë e qytetarve pa procedura ligjore dhe dokumentacion, pa respketuar ligjin dhe Kushetuten. Mos arresto qytetarët si sabotatorë, sikur të ishim 50 vjet me pare.

Frymen e terrorit ndaj qytetareve që nuk i paguajne haracin Rames, frymen e hakmarrjes dhe vrerit politik, frymën e mbrojtjes së krimit dhe mafias që ka në parlament, i duhet ta percojë në drejtesi.

Frymën e shtetit policor ku udhëheqësi i partisë flet dhe policia arreston pa pyetur për Kushtetutë, për ligj, për të drejta të qytetarëve, kërkon ta cojë në KLD.

Dhe për këtë ka zgjedhur pikërisht ata që kanë dhënë prova, që dine ta përcojnë më mire se kushdo tjetër  frymën e terrorit të Edi Ramës. Ata që kanë dhënë prova në diktature se nuk e bëjnë dysh fjalën e udhëheqësit politik dhe arrestojne, denojne dhe shpallin armik të popullit dhe sabotatorë këdo që kundërshton udhëheqësin. Ata që kanë dhënë prova se shndrrohen lehtësisht në  kamikazë politike sapo udhëheqësi i Partise jep urdhër.

Ndaj kërkon të cojë në KLD,  ish gjyqtarin e diktaturës që ka dënuar në emër të Enver Hoxhës 30 vjet më parë,  dhe atë që kanë dhënë prova se shndrrohet lehtësisht në kamikaze politike sa herë flet udhëheqësi i Partisë jo më larg se 1 vit më parë.

Kjo që po ndodh është era e diktatoreve të vegjël që po rilindin në ballkan. Diktatore që e po e kthejnë policine në një vegël politike të kamxhikut kundër qytetareve, që kërkojne të zhdukin ndarjen e pusheteteve që kërkojnë të kapin drejtësinë me gjyqtarë të diktatures dhe kamikazë politike, të zhdukin nga faqja e dheut pasuritë e qytetarëve dhe zhvatin nga xhepat thërrimet e kursimeve të qytetarëve sikur të ishin pushtues.

Partia Demokratike i kërkon gjyqësorit të mos tulatet nga klithmat e diktatorëve të vegjel apo shërbëtorëve të tyre delirante, por të mbrojnë pa ekuivokë të drejtat kushtetuese të qytetareve që po nëpërkëmben cdo ditë nga qeveria.

I bëjmë thirje cdo qytetari në vend të shohë me sytë hapur atë që po ndodh, t’i rezistoje cdo shkelje të ligjit dhe të drejtave të tyre kushtetuese që po u ben represioni i shtetit policor dhe të frikës që kërkon të mbjellë Edi Rama në vend. Te dokumentojë cdo fakt me foto e video,  të atyre që i shkelin të drejtat, pasuritë, gjakun dhe djersën dhe i fton t’i depozitojne ato pranë PD.

I bën të qartë sot mazhorances dhe gjithë shërbëtorëve të verbër politikë të mos kujtojnë në asnjë minutë të vetme se Republika Parlamentare dhe demokracia në këtë vend ka vdekur. Ajo që ka vdekur njehere e përgjithmonë është diktatura. Kush kërkon ta rilinde me polici politike, me gjyqtarë të diktatures apo kamikazë politikë në drejtësi, po i bën llogaritë gabim.

Fatin e atyre që kërcënojnë qytetaret, arrestojne qytetarët, shkatërrojnë pasuritë e qytetarëve pa pyetur për ligje e Kushetute do e vendosin shumë shpejt qytetarët. Dhe atë ditë të gjithë ata që sot po rrënojnë qytetarët, shkelin ligjin e Kushtetutën, vetëm e vetëm se i shërbejnë udhëheqësit politik e delirant, do të përgjigjen, madje një për një. Aministi për ta nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë.

 

 

Read More
27 Tet
0

Dhuna e Edi Ramës do të shumëfishojë protestën

Deklaratë e Grida Dumës ku dënohet ndalimi me forcë i aktivistit Altin Goxhaj dhe përpjekja e Edi Ramës për të shantazhuar qytetarët

Ndalimi sot nga policia dhe shoqërimi me forcë i aktivistit Altin Goxhaj, është shenjë e krizës së nervave që po kalon kryeministri dhe shtimit të represionit ndaj qytetarëve të vendit e fjalës së lirë.

Nga njëra anë Edi Rama rrit tarifën financiare duke ua bërë edhe më të vështirë jetën 2 milionë e 100 mijë shqiptarëve, dhe nga ana tjetër nuk lejon të protestohet ndaj vendimeve të tij.

Forca policore e ushtruar sot ndaj aktivistit është dëshmi e rritjes së autoritarizmit të qeverisë, dhe e dhunës ndaj ushtrimit të të drejtave themelore në një demokracisë, sic është ajo e fjalës së lirë dhe e organizimit.

Por z.Rama i ka bërë llogaritë gabim.

Forca e përdorur prej tij vetëm do ta shumëfishojë protestën.

Qytetarët po ngrihen dhe nuk do ta lejojnë të keqen.

Ka një mënyrë për të ndalur protestën. Ajo është kur qeveriset mirë, kur zbatohet ligji për të gjithë njësoj, kur merren masa për të rritur ekonominë.

Qytetarët protestojnë kur Edi Rama rrit arbitrarisht cmimin e energjisë.

Qytetarët protestojnë kur Edi Rama rrit cmimin e naftës, kur rrit taksat.

Qytetarët protestojnë kur Edi Rama prish ndërtimet e të pamundurve dhe lejon ndërtimet e miqve.

Protestë do të ketë kur në vend pllakos papunësia, varfëria mjerimi.

Dhe protesta nuk ndalet dot nga Edi Rama dhe represioni i tij.

Qytetarët po ngrihen dhe Partia Demokratike është në krah të tyre.

Read More
27 Tet
0

Gjobat e reja, ndëshkim masiv ndaj qytetarëve


Deputetët e Partisë Demokratike denoncojnë ndryshimet në Kodin Rrugor si mjet respresioni ndaj qytetarëve që rrisin mundësinë për abuzim dhe korrupsion dhe nuk shtojnë sigurinë në rrugë

Deputetët e Partisë Demokratike të komisionit të ligjeve, sigurisë dhe veprimtarive prodhuese u mblodhën sot dhe diskutuan mbi projekligjin e qeverisë për ndryshimet në Kodin Rrugor, duke denoncuar masën arbitrare të rritjes së gjobave dhe mundësisë që kjo do të lërë për korrupsion e abuzim me qytetarët.

Deputetët demokratë e dënuan 10 fishimin e gjobës dhe e quajtën këtë projektligj si një instrument represiv ndaj qytetarëve. Gjithashtu, u denoncua ajo që konsiderohet si biznes pranë qeverisë, detyrimi i qytetarëve për të blerë disa objekte që kërkohen gjatë qarkullimit.

Oerd Bylykbashi:

Ligji i qeverisë, mundësi për abuzim e korrupsion

Sot mblidhemi si përfaqësuesit e opozitës në Komisionin e Ligjeve, Sigurisë dhe Veprimtarisë Prodhuese për të diskutuar në lidhje me disa ndryshime në ligjin për Kodin Rrugor. Me atë që propozuesit e këtij ligji kërkojnë të bëjnë një përputhshmëri të këtij kodi me direktivën e Bashkimit Europian. Nga analiza që bëhet, kjo përputhshmëri nuk është e plotë por mbi të gjitha del qartë se nga analiza e këtyre ndryshimeve të propozuara, kemi vetëm një tentativë për të zgjidhur problematikat e rënda të konstatuara në sigurinë rrugore gjatë këtij viti me rritje të jashtëzakonshme të aksidenteve dhe shkeljes së ligjit, përmes rritjes së penalizimit qoftë për automjetet apo për këmbësorët.

Kemi një rritje drastike të këtyre penaliteteve që shpesh herë shkojnë në 10 fishin e gjobave ekzistuese, megjithëse propozuesit e këtij projekligji dështojnë për të paraqitur arsyet dhe motivet që kanë shtyrë ata në këtë rritje drastike penalitetesh. Për fat të keq, ky është një tregues i paaftësisë që nëpërmjet zbatimit të dispozitave ekzistuese, ku të mos harrojmë që Kodi Rrugor ka qënë i ndryshuar edhe para disa vitesh, ku në mënyrë konsensuale u forcuan edhe masat, por pikërisht paaftësia e zbatuesve të ligjit po përpiqet të justifikohet thjeshtë nëpërmjet rritjes së represionit mbi përdoruesit.

Në aspektin ligjor jemi para masash administrative që nuk respektojnë parimin e propocionalitetit. Kemi dispozita që rëndojnë shumë përdoruesin edhe pse kjo shkelje mund të mos jetë aspak me masën e parashikuar. Sigurisht diçka e tillë jo vetëm që nuk garanton zbatimin efikas të ligjit por që ne duhet të nënvizojmë me shqetësim është mundësinë dhe hapësirat që kjo lë për rritjen e abuzivizmit nga organet ligjzbatuese dhe mundësitë për rritje të korrupsionit. Në kushtet e një paaftësie, masat për të vënë në jetë ligjin, kanë çuar vetëm në rritje të korrupsionit dhe asgjë më tepër. Ky projektligj nuk ndalon aspak në përmirësimin e kësaj situate dramatike që kemi përsa i përket situatës së sigurisë.

Sherefedin Shehu:

10 fishimi i gjobave në frymën e rritjes së taksave

Nga këndvështrimi i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, 10 fishimi i gjobave  është në linjë me të gjitha politikat e dështuara, si në fushën ekonomike dhe atë fiskale. Natyrshëm që qytetarët do të përballojnë paaftësinë e qeverisë së vet. Nuk është një masë ligjore në formë presioni, por mendoj se ka një skenar që siç e kemi edhe në aspekte të tjera, edhe nëpërmjet këtij mekanizmi, ilustron më së miri instalimin e shtetit policor në vendin tonë. Nga përmasat e gjobave, edhe si filozofi qeverisëse, përkëthet; sa më e madhe barra ndaj qytetarëve, aq më urtë rrinë qytetarët. Në këtë mënyrë, ministri bën presion mbi policë dhe më tej policët mbi qytetarët. Natyrisht që kjo është politikë e vazhdimësisë së dështimit sepse në të vërtetë ne kemi parë politikë të rritjes së taksave por në formë të maskuar, sepse janë rritur taksat mbi konsumin dhe po të shikosh bllokun e taksave, 80 % e tyre i përkasin taksave mbi konsumin që i paguajnë të varfërit. Duke parë këtë ligj, ky jo vetëm që nuk zgjidh problemet për qytetarët por u ka shtuar atyre dhe një problem tjetër sepse policët do të bëjnë presion mbi ta, sepse gjobat kaq të larta nuk krahasohen as me nivelin e të ardhurave për frymë. Jemi para një fenonemi që qeveria çdo problem kërkon ta zgjidhë me rritje të taksave. I rriti vjet taksat por këtë vit arka është bosh me taksat e rritura. Zgjidhja është përsëri rritja e taksave me paketën e re fiskale. Paaftësia për të mbledhur taksat ka si zgjidhje rritjen e tyre. Në deklaratën e fundit të Kryeministrit, me heqjen e fashës, do të kemi dyfishim të çmimit të energjisë elektrike. Problem i madh këtu është qeveria dhe kryeministri.

Florion Mima:

Gjoba e papranueshme, sa 1/3 e të ardhurave vjetore

Z Bylykbashki, ju me të drejtë përmendët fjalën propocionalitet. Kjo është fjala e artë që duhet të sundojë sa herë ka diskutime të tilla. Sa propocionale është gjoba me shkeljen në trafik ? Të jeni të bindur që shtetet serioze para se të arrijne të vendosin një gjobë bëjnë stutime të thelluara për të gjetur mesin e artë, proporcionalen. Ne nuk kemi mundësi ta bëjmë, por kudo në Europë një shklelje e tillë shkon 1 ditë maksimumi 2 ditë pune. Pra paga e dy ditëve punë shkon për të kompensuar shkeljen që ke bërë në trafik. Me kufinjtë e rinj të që tenton të prezantojë ministria e brendshëme, masa e gjobës shkon në një të tretën e GDP-së vjetore për frymë. Pra i bie që një shqiptar që bën një shklelje kur futet me të kuqe, shkel shpejtësinë, ska rripin, etj duhet të rrijë 100 ditë në vit pa ngrënë dhe të hajë vetëm 260 ditët e tjera. Kjo është totalisht e papranueshme. Po sjell një thëne të Kryeministrit aktual që është sistemi që i prish njerëzit, nuk janë njerëzit që korruptojnë sistemin. Ky sistem që tentohet të zbatohet sot do të nxisë në mënyrë të pamohueshme korrupsionin e strukturave. Ne kemi 23 vjet që merremi me administrim, dhe kemi parë që sa herë rriten gjobat, rritet edhe tentativat e ligjzbatuesve për tu korruptuar. Një polic që do jetë para një shkeljeje që kushton 1 milionë lekë të vjetra të jeni të bindur që do të korruptojë qytetarin

Adrian Turku:

Qeveria, amatorizëm në bërjen e ligjeve

Desha të nënvizoj që gjatë 8 viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, kemi marrë kritika nga opozita e atëhershme që një ligj në sektor të caktuar është rishikuar përgjatë 8 viteve për herë të dytë apo të tretë. Në qeveri ka një amatorizëm të jashtëzakonshëm që mbështetet nga ky parlament me maxhorancë të cilësuar me 84 vota. Në muajin mars në fjalën time në Parlament kam thënë që Kodi Penal po rifutet 4 herë për tu parë me 4 problematika të ndryshme. Eshtë e 5 apo e 6 herë që Kodi Penal që nuk është një ligj i thjeshtë, prapë ndryshohet sipas asa
j që i lind në kokë një ministri Tahiri apo Gjiknuri apo tjetër. Pra ka një amatorizëm të jashtëzakonshëm në iniciativat në ligjet e ndryshme dhe një parlament që bindet verbërisht në mënyrën më amatore të mundshme. Së dyti, kam dëgjuar nga punonjësit e policisë rrugore që vjeljen e gjobave e kanë bërë me plan. U vlon radioja duke u thënë që të mos kthehen në punë pa plotësuar një shumë gjobash. Së treti, bizneset në sajë të taksave dhe gjobave po tresin edhe dhjamin e fundit që u ka mbetur. Dhe do vijë një ditë që nuk do kenë më se çfarë të paguajnë. Pyetja që shtroj është se kur buxheti mbushet me rritje taksash, dhe kur kjo ekonomi nuk gjeneron, ku do e çojë vendin? Kjo është një pyetje shumë e madhe që ngrihet në këtë moment.

Flamur Noka:

Synimi i ligjit, ndëshkimi i qytetarëve dhe biznesi i qeverisë

E para arsye që na bën të jemi skeptik është fakti që ky është një ligj në tërësinë e tij ndëshkues. Pra, ky projekt-ligj që në formimin e tij që në mënyrën se si është hartuar dhe formuluar, ka në thelb ndëshkimin dhe masat e rrepresive ndaj qytetarëve dhe në asnjë element tjetër nuk ka risi.

Ndërkohë që flitet për Kodin Rrugor e ndërohë që duhej të shiheshin me dhjetëra e dhjetëra elementë për të përmirësuar Kodin, për të përmirësuar trafikun, qarkullimin dhe për të siguruar përfundimisht zbatimin e ligjshmërisë si edhe jetën e qyterarit , ky Kod ka mentalitet ndëshkues. Ne po shohim në këtë periudhë se ka një garë mes të gjitha institucioneve të kësaj qeverie, kush e kush të ndëshkojë më shumë qytetarë të këtij vendi, kush e kush të rrjepë më shumë qyterarët e këtij vendi dhe si duket edhe Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk ka ngelur dot jashtë kësaj gare. Ky projekt-ligj dhe këto gjoba marramendëse që parashikohen për qytetarët, janë jashtë çdo konceptimi jo vetëm juridik, jo vetëm ekonomik, por edhe perceptim qytetar; të vesh gjoba 200 euro në një vend ku pagesa minimale nuk është 200 Euro, do të thotë që ky ligj vetëm me përputhshmëritë dhe standartet e BE-së nuk ka, pasi në asnjë vend të BE nuk ka masa ndëshkimore minimale të barabarta me rrogën apo me minimumin jetik të qytetarëve. Pra elementi i dytë që shohim, krahas aspektit ndëshkimor që kjo qeveri po zbaton me hartimin dhe miratimin e këtij projekt-ligji, është se po shohim që krahas organeve tatimore, krahas organeve doganore, kjo qeveri ka krijuar edhe një institucion tjetër për të mbledhur të ardhura në këtë vend dhe për të ndjekur e zhvatur qytetarët – Policinë e Shtetit.

Jemi të gjithë dëshmitarë të mijëra e mijëra patentave që hiqen çdo ditë në pjesën dërrmuese të tyre pa bazë ligjore dhe pa asnjë argument të fortë. Jemi dëshmitarë të ndëshkimeve masive që u bëhen qytetarëve në çdo cep të këtij vendi nga ana e strukturave – gjobvënëse të shpërndara, të Policisë së Shtetit, dhe sikur mos mjaftonin këto, tani shtohet edhe një kamzhik më tepër në kurriz të qytetarëve, ndërkohë që policia nuk është organ ndëshkimor për qytetarët, duhej të ishte organ ligjzbatues dhe ligjvënës për kriminelët, por si duket e kanë instrumentalizuar në këtë formë dhe e kanë drejtuar që të jetë organ ndëshkimor për qytetarët. Ndërkohë kriminelët po livadhisin lirshëm, siç e dini. Vrasje pa fund, vjedhje me dhunë pa fund, aksidente sigurisht pa fund dhe ky ligj duhet të trajtonte dhe duhej të përfshinte mënyrën se si do të operohej dhe praktika se si do të zbatohej për shmangjen dhe minimalizimin e aksidenteve. Por me sa duket mentaliteti është ndëshkues dhe është kthyer në një institucion në këtë qeveri. Mentalitet ndëshkues ndaj qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi dhe jo ndaj atyre që thyejnë ligjet, ndaj banditëve apo kriminelëve, pasi banditët dhe kriminelët janë në pushtet, janë drejtues të institucioneve, në Kuvend e kudo. Ky është thelbi që ka ky projekt-ligj në tërësi, më pas kur të diskutojmë nen për nen sigurisht që kemi për të diskutuar edhe për problematikat që paraqet çdo nen që përmban masa të tilla ndëshkuese për qytetarin.

Dua të përmend edhe nje element tjetër. Skuadrat ndëshkimore të policisë që ka shpërndarë kjo qeveri në terren kanë filluar të kërkojë edhe jelekët, si duket një kompani afër qeverisë ka biznesin e jelekëve dhe sigurisht angazhohet e gjithë Ministria e Brendshme e gjithë Policia e Shtetit me doemos të ndëshkojë qytetarët ose ata të blejnë jelekët e kësaj kompanie afër qeverisë. Edhe për fikset e zjarrit e njejta gjë. Kompania afër qeverisë ka fikëset e zjarrit dhe sigurisht angazhohet e gjithë Ministria e Brendshme t’ua shesë me dhunë dhe me gjoba qytetarëve të këtij vendi. Kjo është ajo që po shohim dhe ajo që po jetojmë çdo ditë. Kjo është brendia që ka ky projekt-ligj që sot serviret për tu miratuar. Nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të përsërisim fjalën e zotërisë së tij kryeministër: Prisni, prisni se s’keni parë gjë akoma.

Read More
27 Tet
0

Energjia elektrike, Edi Rama abuzuesi i parë, shkelësi i parë i ligjit

Deputeti Mima shprehet në favor të ligjit por dënon dëmin që Edi Rama i ka shkaktuar sistemit dhe penalizimin e 2 milionë e 100 mijë qytetarëve me rritjen e faturës financiare

Partia Demokratike është në favor të ligjshmërisë dhe që ligji të funksionojë në mënyrë të barabartë për këdo që vjedh energjinë.

Por asgjë nuk shkon mirë me energjinë në vend, kur shkelësi i parë i ligjit është Kryeministri i vendit.

Faktet e krizës së energjisë elektrike në vend janë këto;

-2 milionë e 100 mijë shqiptarë, që janë pjesa më e madhe e popullsisë, në këtë kohëra krize, varfërie e papunësie, do të paguajnë më shumë cdo muaj pas vendimit që ka marrë Edi Rama.

-Abuzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike janë menaxherët e qeverisë,  shpesh me të kaluar kriminale, dhe që marrin para në dorë për favoret që bëjnë me pasurinë publike.

-Dëmin më të madh sistemit ia shkaktoi Edi Rama, duke i falur CEZ-it 95 milionë euro, para që ai do ti nxjerrë nga xhepat e varfër të qytetarëve shqiptarë.

-Aksioni Policor që ka nisur sot, me siguri do të krijojë terror tek qytetarët, por nuk do të zgjidhë problemin, pasi paligjshmëria nis dhe mbaron me qeverinë.

Qytetarëve të vendit sot nuk u intereson retorika e propaganda me  regji qendrore. Qytetarët duan të dinë, pse pjesa më e madhe e tyre, ata që janë sot në pamundësi ekonomike, 2 milionë e 100 mijë shqiptarë, do të paguajnë deri në 70% më shumë cdo muaj për energjinë elektrike.

Qytetarët duan të dinë pse Edi Rama, pa transparencë dhe për interesat e tij personale, futi dorën në xhepat e tyre për të nxjerrë 95 milionë euro për CEZ, ndërkohë që duhej ti kërkonte kësaj kompanie 3 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Kërcënimi që u bën Edi Rama sot qytetarëve thellon krizën e paligjshmërisë, rrit arbitraritetin dhe shton premisat për shkelje të të drejtave të njeriut, për rritjen e pushtetit autoritarist, pra për rritjen e korrupsionit.

Partia Demokratike dënon fushatën e shantazhit të Edi Ramës dhe kërkon transparencë dhe llogaridhënie për abuzimet që ai vetë ka bërë e po bën me enenergjinë elektrike.

 

Read More
26 Tet
0

Basha: Do të përgjigjet deri në fund çdokush që cënon jetën, dinjitetin dhe pronën e shqiptarëve

Deklaratë e Kryetarit të Partisë Demokratike

Vendosa të thërras këtë konferencë shtypi, pas kthimit nga samiti i Partisë Popullore Europiane, jo për të njoftuar rezultatet e këtij takimi me rëndësi për zhvillimet demokratike edhe në Shqipëri- për ketë pret koha nesër e pasnesër-  por për të denoncuar me forcë përpara opinionit publik shqiptar rrënimin që qeveria e oligarkëve Rama-Meta po u bën standarteve të shtetit ligjor në Shqipëri, shkeljet flagrante, arbitrare dhe në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut nga kjo qeveri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën.

 

Dje ishte e shtunë, sot është e dielë, fundjava kur njerëzit pushojnë dhe relaksohen për të filluar javën e re. Por pikërisht këtë fundjavë  disa nga qytetarët e Republikës sonë, qytetarë të thjeshtë me halle shumë, sipërmarrës të ndershëm, e të tjerë, janë shoqëruar në komisariate,  janë arrestuar, janë vënë në pranga pa vendim prokurorie e gjykate, si në ditët më të errëta të shtetit policor komunist.

 

Dua të sjell në vëmendjen e publikut dhe të përsëris sot me gjithë  shqiptarët sentencën e madhe të demokracisë perëndimore sipas së cilës; asnjëri prej nesh nuk mund të jetë me të vërtetë i lirë, nëse vetëm njërit prej nesh i është marrë pa të drejtë liria, e i janë mohuar  pa ligj të drejtat; asnjëri prej qytetarëve nuk mund të jetë i qetë dhe i sigurtë nësë vetëm njërit prej tyre i është shkelur dinjiteti njerëzor me cizmen e shtetit arbitrar.

 

Për fat të keq, qytetarë të cilëve u janë shkelur e po u shkelen cdo ditë të drejtat e garantuara me ligj dhe Kushtetutë kemi jo një, as dy, as  dhjetë, as njëqind, por me mijëra.

 

Nën petkun e reformës së administratës publike, nën alibinë e prishjeve të ndërtimeve pa leje, me pretendimin demagogjik se gjoja po bën  shtet, Edi Rama po hakmarret ndaj cdo individi që ka denoncuar korrupsionin dhe pazaret e tij si ish-krybashkiak deri dje, dhe si kryeministër sot.

 

Të frymëzuar e orkestruar prej tij,  Policia e Shtetit, INUK, policia tatimore, drejtorët e administratës publike dhe institucioneve shtetërore po shkelin arbitrarisht dhe po dhunojnë në mënyrë flagrante Kushtetutën, ligjet e vendit dhe të drejtat themelore të qytetarëve të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës, në Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe  Lirive Themelore.

Po dhunojnë dhe kërcënojnë biznesin, sipërmarrjen dhe median e lirë  me gjoba marramendëse dhe mbyllje të aktiviteteve.

 

Po shkatërrojnë pronat dhe pasuritë e qytetarëve të ndryshëm.

 

Kanë larguar nga puna dhe po hedhin në rrugë të madhe përditë, në kundërshtim me ligjin e nëpunësit civil, profesionistë të administratës shtetërore për t’i zëvendësuar me klientelë të pushtetit.

 

Qeverisë Rama-Meta mund t’u interesojne shumë gjera, por  nuk i intereson as sa fija  e flokut, ajo që përbën vetë arsyen e qeverisjes:  halli i qytetarit, halli i individit, halli i familjeve.

 

Me një cinizëm dhe paturpësi të skajshme, kjo qeveri po shkarkon mbi kurrizin e qytetareve në nevojë dhe mbarë qytetarëve të ndershëm barrën e stërmadhe njeqindmilion dollarëshe të dështimit të saj të stërmadh në menaxhimin e CEZ-it.

 

Kryeministri po lëshon ultimatume prej të mbyturi duke harruar se përgjegjesi numër një për humbjet dhe vjedhjet e energjisë elektrike  është vetë ai që ka lejuar, inkurajuar dhe bekuar emërimin në detyra drejtuese në këtë sektor jetik, të shumë personave nga kontigjenti i tij i preferuar i të padiplomuarve, pazarxhinjve dhe të korruptuarve.

U ka varur ujqërve të tij mëlcitë ne qafë dhe tani shkon dhe ua këkron qytetarëve.

 

Mbi dy milionë shqiptarë po varfërohen përditë, po u merret fryma nga taksat e rritura, nga rritja e paralajmëruar e çmimit të energjisë, nga mungesa e shpresës për të ardhmen. Shumë prej bashkqytetarëve tanë ndihen sot në vështirësi për bukën e gojës.

 

Situata është shumë e rëndë, por jo pa shpresë. Shpresa është kurdoherë në duart tona.

 

Qytetarëve të dhunuar në të drejtat e tyre dhe të mashtruar në shpresat e tyre nga kjo qeveri, u shpreh sot solidaritetin e Partisë Demokratike dhe të opozitës shqiptare në përballimin e vështirësive që po kaloni, mbështetjen tonë të plotë dhe të gjithanshme në përballjen dhe betejën tuaj të drejtë kundër së keqes dhe abuzimit qeveritar ndaj jush.

 

Në emër të Partisë Demokratike kam një premtim solemn për t’u dhënë, të nderuar qytetarë: të gjithë ata pseudozyrtarë, taksidarë dhe sekserë që guxojnë të shkelin ligjin dhe që abuzojnë me të drejtat tuaja do të vazhdojmë ti denoncojmë brenda dhe jashtë vendit sic kemi  bërë deri sot, do të vazhdojmë t’i përballim me ligjin  në gjithë hapësirën institucionale të sistemit demokratik,  nëqoftese ia kanë dalë t’i shmangen përgjegjësisë deri sot me ndihmën e  qeverisë, të jenë të sigurt se nuk do ti shpëtojnë përgjithnjë, por do të  përgjigjen deri në një për çdo veprim dhe abuzim të tyre.

Të mos gënjejë mendja askënd!

 

Të gjithë ata që dhunojnë dhe abuzojnë me jetën, dinjitetin dhe pronën e qytetarëve shqiptarë, të gjithë ata që kanë shkelur dhe po shkelin ligjin dhe të drejtat e qytetarëve, nuk do të amnistohen kurrë dhe do të mbajnë përgjegjësi të plotë penale, morale dhe qytetare!

 

Partia Demokratike nuk do të lejojë askënd të dhunojë jetën, lirinë dhe pronën e shqiptarëve, pa marrë dënimin e merituar.

 

Shteti demokratik nuk vendoset por vetëm shkatërrohet duke shkelur  liritë dhe të drjejtat e qytetarëve.

 

Shteti demokratik forcohet duke dënuar pa kompromis, sic e kërkon  ligji, shkelësit e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

 

Ketë do të bëjmë ne.

 

U bëj thirrje pseudozyrtareve, taksidarëve dhe çdokujt që sot i veshur me pushtet ka vendosur t’i shërbejë hakmarrjeve personale apo interesave të oligarkëve, të mos guxojnë më të prekë jetën, dinjietin dhe pronën e qytetarëve shqiptarë dhe të ndalojë menjëherë çdo veprim abuziv.

 

U bëj thirrje prokurorisë dhe gjykatave të vendit të mos tulaten nga presioni dhe kërcënimet e pushtetarëve të oligarkisë që sot qeveris vendin, por t’i përmbahen rigorozisht Kushtetutës dhe ligjit dhe t’i mbrojnë të drejtat e qytetarëve shqiptarë me të gjithë forcën që u jep ligji dhe shteti ligjor.

Read More
26 Tet
0

Brok: Zbatimi i të drejtave kushtetuese, arritje e opozitës. Do të kërkojmë garanci dhe monitorim nga Komisioni Europian

Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian thotë se ngritja në Bruksel e cështjes së të drejtave kushtetuese të opozitës, ka dhënë rezultatet e para

Partia Popullore Europiane do të vazhdojë të ndjekë me vëmendje çështjen e respektimit të të drejtave kushtetuese të opozitës në Shqipëri. Këtë e ka deklaruar në një intervistë për ABC neës, kryetari i Komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian, Elmar Brok. Sipas Brok, ngritja  në Bruksel e çështjes së shkeljeve të të drejtave kushtetuese të opozitës nga e djathta europiane ka dhënë tashmë rezultate, por proçesi do të vazhdojë të ndiqet me vëmendje dhe nga Komisionit Europian.

“Ne do vazhdojmë t’ia kërkojmë këtë Komisionit Europian. Por ndërkohë, jemi njoftuar, se ngritja e këtyre çështjeve nga ana jonë ka dhënë rezultatete pozitive, Opozita tashmë mund  të gëzojë të drejtat e saj kushtetuese, që duhen garantuar.  Ne do ta ndjekim situtën me  vëmendje dhe do ti kërkojmë Komisionit Europian të vazhdojë proçesin”, tha Brok.

Sipas burimeve të Partisë Popullore Europiane, kryetari i opozitës shqiptare, Lulzim Basha ka tërhequr vëmendje të veçantë në gjirin e këtij grupimi politik kur ka denoncuar krijimin sipas tij, të një sistemi oligarkik nga kryeministri Edi Rama në Shqipëri.

Read More
26 Tet
0

Studentët po ngrihen, do ta ndalim të keqen

Partia Demokratike dënon ashpër masat e Edi Ramës për pakësimin e kuotave të masterit dhe rritjen e tarifës financiare. Në krah të studentëve për të ndalur të keqen

Edi Rama po u pakëson cdo ditë shanset studentëve shqiptarë duke reduktuar kuotat e masterit dhe duke rritur tarifën financiare.

Eshtë e pabesueshme se si një Kryeministër ndërhyn në këtë mënyrë në projektet, ëndrrat dhe dëshirat që kanë të rinjtë për t’u arsimuar e për t’u përgaditur për të ardhmen.

Në vend që të lehtësojë jetën e tyre akademike, Edi Rama po u bëhet studentëve barrë e papërballueshme duke ulur me 40 përqind kuotat për masterat profesionalë dhe me 30 përqind kuotat për masterat shkencorë.

Po ashtu, vendimi që ai ka marrë për të paguar 30% të shumës që në momentin e parë të regjistrimit, është një tjetër shtrëngesë e papërballueshme për studentët.

Kjo sjellje armiqësore dhe ndërhyrje brutale në rrugën që studentët duan të ndjekin për t’u aftësuar e specializuar, është e papranueshme dhe nxjerr në pah tiparet e një Kryeministri që nuk e do shkollimin, nuk e do rininë të arsimuar.

Partia Demokratike e dënon ashpër këtë akt dhe i kërkon Edi Ramës ta kthejë mbrapsht menjëherë vendimin që ka marrë, të rikthejë kuotat e mëparshme dhe ta lehtësojë tarifën e tyre financiare.

Ne i bëjmë thirrje studentëve të bashkohen e të kundërshtojnë këto masa represive të Edi Ramës.

Ne përkrahim fuqimisht protestën e studentëve, dhe do të jemi me ta në cdo lëvizje që do të bëjnë për të fituar të drejtat që u takojnë.

Kur një kryeministër sulmon rininë dhe studentët, ai godet të ardhmen e vendit, godet gjithë shoqërinë.

Por qytetarët po ngrihen.

Studentët po ngrihen.

Dhe ne do të jemi me ta për ta ndaluar të keqen.

Read More
25 Tet
0

Padrejtësia me prishjet selektive, të reagojmë sot

Deputeti Strazimiri denoncon korrupsionin me lejimin e ndërtimeve të miqve të Kryeministrit dhe i bën thirrje qytetarëve të kundërshtojnë dhunën dhe arrogancën e qeverisë

Prishjet selektive që po bën Edi Rama, po lënë pas një padrejtësi revoltuese.

Në sytë e qytetarëve, në jetën e tyre të përditshme, në rrugën, lagjen ku ata jetojnë, Edi Rama po lë dëshmi se miqtë e tij, klientela e tij janë të paprekshëm.

INUK patrullon si bandë zuzarësh dhe ka krijuar një gjëndje lufte kundër të pamundurve, atyre që nuk kanë lidhje me Edi Ramën, duke hedhur në tokë mundin dhe djersën, të vetmen mundësi që kanë për t’u ushqyer.

Por asnjë gërvishtje nuk pësojnë ndërtesat e lokalet Koco Kokëdhimës, të Vangjush Dakos, kryetarit të PS në njësinë 10, kryetarëve socialist të minibashkive, zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, apo të vetë funksionarëve të lartë të INUK.

Shtesat, godinat, baret apo lokalet e pushtetarëve e njerëzve të afërt me Edi Ramën, gjenden kudo, kanë zënë hapësirën publike, kanë ngushtuar trotuaret, por ato nuk preken.

Justifikimi i INUK se ndërtimet e miqve të qeverisë kanë dokumentacion është qesharak, pasi kjo bandë zuzarësh ka bërë hi kudo edhe ndërtesa të legalizuara, edhe prona të ligjshme.

I nderuar qytetar që prej 1 viti rri me gjak të ngrirë “se mos kalon këtej Ai”, dhe të heq strehën e fëmijëve, të prish biznesin më të cilin i mban ata me bukë, të bën pluhur e hi mundin dhe sakrificën e shumë viteve:

Kur erdhi të të kërkonte votën këtu e 1 vit e gjysëm më parë, a ishte Ai që të tha “ta gëzosh se as Enver Hoxha nuk e prish dot më” madje “e ke falas legalizimin”? Apo të tha që do të bënte këtë që po bën?

I nderuar kryefamiljar që me djersë përpiqesh të rrisësh femijët me bukë të ndershme: 1 vit e gjysëm më parë kur erdhi të të kërkonte votën a të tha që faturën e energjisë elektrike do të ta bënte të papërballueshme madje që do të përfundosh në burg nëse nuk ke mundësi ta paguash?

A të tha që do të rriste 2 herë brenda vitit çmimin e karburanteve, dmth, të bukës, vezës, makaronave, orizit?

A të tha që nuk do të të rritet asnjë cent rroga, por vetëm taksat disafish?

I nderuar biznesmen që sot ke frikë të dukesh që ke para:

1 vit e gjysëm më parë kur erdhi të të kërkonte votën, a të tha që do të të rriste çdo taksë e tatim, që do të kishe mbi shpinë çdo ditë që ka fal zoti gjobvënësit e tij, madje që do të rriste taksën mbi depozitat për të të vjedhur çdo cent të ndershëm që ke në bankë?

Dhe në fund një pyetje që na rri mbi kokë të gjithëve si shoqëri:

-A ka formë arrogance më revoltuese se sa një qeveri që sa herë mblidhet vendos se si të varfërojë popullin e saj, deri në bukën e gojës, madje me cinizëm, në këmbim “t’i dhurojë” “hapësira me bar” dhe “zona pedonale”?

Të nderuar vëllëzër e motra të çdo bindje politike,

Ka ardhur koha të reagojmë SOT, ndryshe rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri mazokiste, që e shijon dhe meriton ndëshkimin dhe arrogancën e një sadisti…!


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, 25 Tetor 2014

 

Read More