Blog

18 Tet
0

Autoritetet serbe, përgjegjësi për kthimin e situatës në normalitet

Deklaratë e deputetit  Aldo Bumçi që dënon dhunën në Serbi, duke u kërkuar shqiptarëve kudo që jetojnë të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo lloj provokimi si dhe shprehu mirënjohjen për mesazhin e Atit të Shenjtë drejtuar shqiptarëve dy ditë më parë. 

Partia Demokratike, në kushtet e një përshkallëzimi të pamerituar dhe keqdashës të situatës pas ndeshjes së pezulluar mes Shqipërisë dhe Serbisë, dëshiron të theksojë se:

Shpreh mirënjohjen e thellë për mesazhet e jashtëzakonshme që Ati i Shenjtë, Papa Francesku, i drejtoi vetëm përpara dy ditësh të gjithë popullit shqiptar nëpërmjet Presidentit të Republikës, mbas vizitës në vendin tonë. Papa Francesku, gjatë vizitës në Shqipëri do të krijonte bindjen e plotë se “populli Shqiptar, në sajë të forcës, rezistencës së tij në kohë vuajtjesh, si dhe të gjallërisë rinore, përfaqëson një pasuri për mbarë kontinentin evropian”.  Përkundër fushatës njollosëse dhe indinjuese të ndërmarrë keto ditë ndaj shqiptarëve, ky mesazh që ndriçon si drita e diellit duhet të ndriçoje dhe mendjet e errëta që po orkestrojnë këte skenar fatkeq.

Partia Demokratike dëshiron të theksojë se Shqiptarët, kudo ku që jetojnë në Ballkan e kanë treguar në vazhdimësi se janë të gatshëm të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët me fqinjët e tyre. Shqiptarët pa asnjë dileme e kanë parë integrimin europian dhe euro-atlantik si mundësinë e madhe të të gjithë rajonit për të ndërtuar bashkëpunimin ndërmjet vendeve tona dhe mirëqënien e përbashkët të qytetarëve tanë. Ne jemi shpresëplotë për ripajtim dhe integrim, ashtu sikurse jemi të vendosur për të jetuar në paqe dhe në mbrojtje të vlerave më të mira njerëzore.

Me këte besim,  u bëjmë edhe një herë thirrje autoriteteve serbe së pari të marrin të gjitha masat për ndaljen e sulmeve barbare ndaj jetës dhe pronës së shqiptarëve që jetojnë në Serbi dhe të ndëshkojnë përgjegjësit pa hezitim. Ashtu sikurse dënojmë me indinjatën më të thellë të gjitha aktet vandale e barbare ndaj shqiptarëve ne Sombor, Stara Pazova, Novi Sad dhe rajone të tjera.Duke qenë se sulmet ndaj shqiptarëve u ndërmorën mbas deklaratave të papërgjegjshme të zyrtarëve më të lartë serb, autoritetet serbe kanë përgjegjësinë e madhe për të ndalur përshkallëzimin e mëtejshme të situatës dhe rikthimin e normalitetit.

Ne i bëjmë gjithashtu thirrje autoriteteve në Tiranë dhe Prishtinë që të bëjnë gjithçka në mbrojtje të jetës dhe interesave të bashkëkombasve tanë që jetojnë në Serbi. Tirana dhe Prishtina duhet të ndërmarrin një aksion diplomatik për të njoftuar institucionet ndërkombëtare dhe partnerët tanë kryesorë për zhvillimet e fundit në Serbi dhe cënimit që i bëhet me këtë sjellje frymës së bashkëpunimit dhe arritjeve të jashtëzakonshme që janë shënuar deri më sot.

Po kështu u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve, ne Serbi dhe kudo ndodhen, ne rajon dhe me gjere, të tregojnë vetëpërmbajtje ndaj çdo lloj provokimi, dhe të vazhdojnë të qëndrojnë në lartësinë e vlerave më të mira qytetare dhe kombëtare.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, 18 Tetor 2014

Read More
17 Tet
0

Basha: Pala serbe ka refuzuar de fakto vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd

“Rama minimalisht të shtyjë vizitën. Të kthehet në Tiranë e të ballafaqohet me problemet në rritje të qytetarëve”  

Prononcimi për mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike

Pyetje: A mund të na thoni, a do të merrnit të njëjtin vendim si Z. Rama për vizitën në Beograd?

Basha: Të nderuar gazetarë, ju jeni dëshmitarë të qendrimeve dhe deklaratave që kanë ardhur në këto ditë nga pala serbe. Është e qartë se me këto qendrime dhe deklarata, pala serbe de fakto ka refuzuar vizitën e kryeministrit shqiptar në Beograd.

Asnjë distancim nga fyerjet në kor e himnit tonë kombëtar në fillim të ndeshjes. Asnjë distancim nga thirrjet raciste; ‘vritini, pritini shqiptarët’ nga huliganët. Asnjë distancim nga dhuna, jo vetëm nga huliganët por dhe nga forcat e sigurisë serbe ndaj lojtarëve tanë të kombëtares dhe stafit të kombëtares në stadiumin e Beogradit. Asnjë distancim nga poshtërimi ndaj lojtarëve, stafit dhe delegacionit tonë, jo vetëm nga huliganët por dhe nga forcat e policisë serbe.

Përkundrazi, iu kanë mbajtur ison huliganëve me deklaratat dhe qendrimet e tyre. Shikoni qendrimin ordiner dhe provokues të presidentit të vendit Nikoliç kur thotë se Shqipërisë do t’i duhen shekuj për t’u bërë vend normal. E thotë këtë ndihmësi i Sheshelit që së bashku me Milosheviçin dhe Karaxhiçin janë speciet e fundit të barbarisë mesjetare në Ballkan.

Çfarë janë këto mesazhe?! Cili është kumti i këtyre deklaratave dhe qendrimeve ndaj Shqipërisë, ndaj kryeministrit shqiptar?!

Mesazhi është mos eja, dera është e mbyllur.

Si klasë politike e periudhës së demokracisë, si Shqipëri kemi bërë dhe vazhdojmë të bëjmë tonën për një histori të re marëdhëniesh me një vend fqinj si Serbia. Bashkohemi të gjithë në vendosmërinë tonë për të investuar për perspektivën Europiane të të gjithë rajonit,  të të gjitha vendeve të rajonit dhe gjithë popujve të rajonit.

Por fatkeqësisht, në anën tjetër, urrejtjet dhe dhuna antishqiptare në shtëpinë e saj, gjestet e kërkuara anti-NATO, paradat në Beograd për të nderuar agresorin e sotshëm të lirisë, demostrojnë se Serbia është e dyzuar, për të mos thënë e shtirur në lidhje me integrimin Europian dhe aspak e gatshme për të filluar një histori të re, me shikim nga e ardhmja të marëdhënieve me Shqipërinë.

Të kthehemi tek vizita e kërkuar në këto kushte. Në çfarëdo kushtesh vizita ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësisë së veçantë që janë pjesë e axhendave të këtij niveli.  Dhe sipas mediave kërkesa e Z. Rama për të vizituar Beogradin është refuzuar tre herë, apo është shtyrë tre herë. Në çdo rast, vizita në pikëpamjen tonë ka qenë e papërligjur nga çështje të rëndësishme që duhet të jenë pjesë e dialogut të këtij niveli.

Pas ngjarjeve të së martës, insistimi i z. Rama për të trokitur në derën e mbyllur serbe është shumëfish më i pakuptimtë, shumëfish më i padenjë.

Ndaj sot i kërkoj kryeministrit, minimalisht të shtyjë vizitën e tij në Beograd.

Një vizitë për ekzibicion, në këto kushte, nuk ia vlen asnjë qindarkë.

Sikundër i kërkoj të ndërpresë vizitat dhe shëtitjet e tij nëpër botë me një axhendë të varfër edhe për një ish-kryeministër dhe të kthehet në Tiranë në krye të punëve, të ballafaqohet me problemet e njerëzve, me çmimin e energjisë, me rritjen e taksave, me varfërinë dhe me papunësinë.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Tetor 2014

Read More
17 Tet
0

Ndërkombëtarët të monitorojnë procesin ndaj KLD, të shprehen hapur një drejtësi të pavarur

Deklarata e deputetit Halimi mbi veprimtarinë antiligjore të Komisionit Hetimor për shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD-së me qëllim kapjen politike të këtij institucioni. 

Jam këtu sot për t’i bërë të qartë opinionit publik shqiptar dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, se Partia Demokratike e cilëson Komisionin Hetimor për shkarkimin e 2 anëtarëve të KLD, si antikushtetutes, antiligjor dhe një perpjekje e qartë për të kapur Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

I kemi bërë me dije për muaj me radhë se paketa e ligjeve e cila u hartua dhe miratua me arrogancë dhe injorim të ekspertizës ndërkombëtare, në shkelje të Kushtetutës dhe parimeve ndërkombëtare të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, nuk kishte si qellim as shqetësimin qytetar për gjendjen e korrupsionit në drejtësi, dhe as shqetësimin ndërkombëtar për një sistem të pavarur dhe efiçent. Vetëm 24 orë pas hyrjes në fuqi të kësaj pakete, Edi Rama urdhëroi ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar i cili nuk kishte asnjë qëllim tjetër, veç justifikimit të vendimit të marrë kohë më parë nga vetë Edi Rama. Nuk kishte as një qëllim tjetër veç një gjyqi publik, pa asnjë fakt dhe provë, veç mllefit politik dhe propagandes histerike ndaj 2 anëtarëve të këtij Këshilli.

Nuk ka sot asnjë dyshim sot për çdo shqiptar por për çdo partner ndërkombëtar dhe çdo ambasador të vendeve mike se qëllimi i vetëm i asaj paketë të shkruar natën, të miratuar natën, të botuar natën dhe që iu fsheh ekspertëve ndërkombëtarë, duke injoruar thirrjet e tyre, kishte si qëllim të vetëm zëvendësimin e anëtarëve të KLD-së,  kapje dhe vetëm kapjen politike të këtij institucioni.

Nuk ka asnjë dyshim për të gjithë partnerët ndërkombëtarë se shqetësimi opozitar, nga njera anë e shprehur në media por dhe në takimet zyrtare me ta, ashtu si injorimi tërësor në bllok që iu bë thirrjeve të tyre në korrik nga Rama dhe Meta, kishin një qëllim të vetëm: zëvëndësimin e njerëzve në KLD. Kapjen politike të këtij institucioni në mënyrë antikushtetuese dhe antieuropiane.

Parnerët ndërkombërë i bënë thirje të mos miratonin paketën e ligjeve sepse kjo paketë kishte si synim të vetëm gjunjëzimin e drejtësisë, zëvëndësimin e njerëzve dhe kapjen politike. Progres raporti dhe gjithë ekspertiza ndërkombëtare që erdhi në Tiranë në 6 tetor e cilësuan këtë paketë si mënyra se si një qeveri demokratike e një vendi europian nuk duhet të veprojë.

Hipokrizia e Ramës dhe Metës në lidhje me drejtësinë sot ka dalë në dritë të diellit për çdo shqiptar dhe çdo partner.

Gjyqi politik i stilit komunist që iu rezervua anëtarëve të KLD-së në sallën e Kuvendit nga Edi Rama, është një goditje e rëndë që i bëhet frymës së konsesusit dhe gjithëpërfshirjes së tryezës së 6 Tetorit, të organizuar nga Presidenti i Republikës në prani te faktorit politik dhe ekspertizës ndërkombëtare.

Është një goditje që i bëhet reformës që duhet të nisë në drejtësi këtë vjeshte persa i përket ruajtjes së pavarësisë së sistemit, gjithëpërfshirjes dhe konsesusit me të cilin është e lidhur ngushtë jetëgjatësia e reformave. Një goditje që i bëhet Kushtetutës duke kërkuar të ndërpresë mandate kushtuteese të një institucioni të pavarur.

Partia Demokratike i bën thirrje dhe i kërkon publikisht gjithë faktorit ndërkombëtar dhe në veçanti parnërëve ndërkombëtarë që asistojnë në drejtësi, të monitorojnë procesin dhe të shprehin hapur qendrimin e tyre në favor të parimeve europiane për një sistem drejtësie të pavarur dhe ruajtjen e parimit check and balance. Njëkohësisht, Partia Demokratike i bën thirje mazhorancës të ndalojë menjëherë zbatimin e skenarit të Ramës dhe Metës për të zëvëndësuar anëtarët e KLD-së dhe se vijimi i kësaj rruge të nisur prej tyre do të thellonte akoma më shumë krizën politike që ka mbërthyer vendin duke lënë në udhëkryq demokracinë e vendit, dhe reformat e integrimit europian të cilat kërkohen për hapjen e negociatve me Bashkim Europian.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 17 Tetor 2014

Read More
16 Tet
0

Skandali 23 milionë euro, Edi Rama prish garën, favorizon kompaninë

Denoncimi i Grida Dumës në lidhje me tenderin e digjitalizimit të TVSH. Qeveria tërhiqet nga gjyqi, duke favorizuar kompaninë fituese, në shkelje të ligjit dhe interesave të shqiptarëve

Edi Rama është përfshirë në një skandal të madh financiar, duke shkelur procedurat në tenderin 23 milionë euro të digjitalizimit të Televizionit Publik Shqiptar.

Kjo është një aferë korruptive, e finalizuar nga Edi Rama përmes ministres kushërirë, e cila duhet të siguronte transparencë dhe rregulla loje, por faktohet  që ka shkelur  parimet e shtetit të së drejtës.

Pak ditë me parë, Ministrja e Inovacionit në shkelje të hapur të procedurës dhe ligjit, favorizoi një nga kompanitë në garë, për interesat e saj dhe kushëririt Kryeministër, duke përmbyllur aferën me vlerën 23 milion euro, për digjitalizimin e Radio Televizionit Shqiptar.

Ky është një rast i pastër i vërtetimit se si qeveria e rilindjes pështyn  jo vetëm premtimet por edhe dokumentat të zezë mbi të bardhë, që kanë firmosur vetë.

Për tenderin në fjalë, kompania sot fituese kishte hedhur në gjyq Ministrinë, dhe në atë kohë, qeveria nuk u tërhoq nga qëndrimi i saj në mbrojtje të interesave të taksapaguesve shqiptarë dhe vijoi procedurat gjyqësore, dhe rrethanat dhe argumentat ishin në favor të qeverisë dhe publikut.

Po ashtu, vetëm një vit më parë, ishte vetë Harito që i dërgoi shkresë kompanive që  nuk do të vijohej më atë projekt dhe me keqardhje u  thotë që në një të ardhme nëse do te rihapet tenderi atëherë do të rishikoheshin situatat; duke i qëndruar kështu pikërisht vendimeve të mara nga ish-qeveria Berisha.

Por sot, një vit më vonë, ndodh e kundërta, është pikërisht kjo kompani që fiton kontratën pa tender dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

Ministria e Inovacionit dhe Administrates Publike, duke u tërhequr nga gjyqi midis saj dhe kompanisë kryen nje vjedhje të parave të shqiptarëve duke  kryer një vepër penale. I lë të drejtat e shqiptarëve të pambrojtura , ndërsa ekzistojnë të gjitha argumentat përse ky gjyq duhet të fitohej nga Ministria në favor të taksapaguesit  shqiptar dhe jo e kundërta.

Ndonëse është një ironi e madhe që  ky dëm i radhës dhe dhunim i shtetit të së drejtës, shkaktohet pikërisht nga Ministria përgjegjëse për transparencën në vend,  vendimi i gjyqit që mban datën 15.09.2014, provon tërheqjen e Ministrisë dhe të Avokatures së Shtetit,  duke favorizuar kompaninë ta fitonte gjyqin në dëm të shtetit.

Me tërhqjen nga gjyqi Ministria kreu vetëm  aktin e parë penal dhe shkeljen e shtetit të së drejtës, por jo të fundit, shkelja nuk  mbaron këtu.

Në kohë rekord, duke shkelur të gjitha proçedurat ligjore dhe duke dhunuar të drejtën e kompanive të tjera bashkëfituese  për t’u ankimuar,  Ministria e Inovacionit dhe Administrates Publike,  kryen aktin final të shkeljes së ligjit dhe të përmbylljes së aferës;  e shpall fituesin pa ndjekur rregullat që kërkon ligji, thjesht duke e publikuar në buletinin e prokurimeve.

Partia Demokratike  i bën thrrje Prokurorisë të hetojë këtë aferë të pastër korruptive të kryer nga Edi Rama, për interesa të klientëve të pushtetit dhe në dëm të shqiptarëve.

Qeveria Rama –Meta  të harrojë se do të mund të fshehë në prapaskenat e e ekraneve mediatike aferat abuzuese në kurriz të shqiptarëve.

Partia Demokratike do të bëjë transparent çdo shkelje të ligjit, cdo abuzim me taksat dhe interesat e shqiptarëve.


Deklaratë për media e koordinatores Grida Duma, 16 Tetor 2014

Read More
16 Tet
0

Kriza ekonomike thellohet, qeveria sulmon opozitën

Zëdhënësja Nebiaj dënon sulmet politike dhe shpreh vullnetin e Partisë Demokratike për transparencë. Kredia e marrë në vitin 2009 u vlerësua nga FMN si arritje e qeverisë dhe shpëtoi financat nga kolapsi

Në kohën kur ekonomia është në rënie dhe gjithë treguesit e saj janë përkeqësuar, qeveria nuk merr asnjë masë, por zgjedh të sulmojë opozitën.

Në vend se të rishohë politikën me taksat, të mos i rrisë, por t’i reduktojë ato, në vend se të heqë dorë nga asfiksia që po i bën biznesit, qeveria zgjedh të sulmojë opozitën.

Qeveria zgjedh të sulmojë opozitën, me një shpresë të dëshpëruar se do të largojë vemendjen nga kriza e thellë që ka mbuluar vendin, nga largimi i përditshëm i investitorëve.

Por akuzat politike ndaj kundërshtarit, nuk e zgjidh problemin që kanë sot pensionistët e Shqipërisë të cilët po paralizohen nga rritja e cmimit të energjisë.

Këto akuza nuk hapin asnjë perspektivë për rininë e vendit, të lënë krejtësisht pas dore nga qeveria.

Kredia e marrë në vitin 2009 është vlerësuar në atë kohë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si arritje e qeverisë shqiptare. Kredia parandaloi rënien e financave të vendit në kolaps. Dhe me përmirësimin e kushteve në tregjet financiare botërore, kjo kredi u zëvendësua me një kredi shumë më të lirë pa u mbushur viti.

Akuzat politike për kundërshtarin, nuk janë zgjidhje për papunësinë në rritje, për rritjen e cmimeve, për rënien kritike të forcës blerëse, për mungesën e investimeve në vend, për moshapjen e asnjë vendi të ri të punës, për mungesën e besimit tek e ardhmja.

Akuzat politike për kundërshtarin shprehin verbërinë e qeverisë, dhe largimin e saj përfundimtar nga realiteti i dhimshëm i nevojave urgjente që kanë qytetarët e vendit.

Partia Demokratike është e hapur për cdo hetim dhe fton organet kompetenete të bëjnë transparencë deri në fund.


Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 16 Tetor 2014

Read More
15 Tet
0

Dënojmë dhunën barbare, rast i humbur për serbët të shkëputen nga e shkuara

Deputeti Bumçi dënon aktet e dhunës dhe shprehjet ksenofobe anti-shqiptare. Beogradi të distancohet e të japë mesazhet e fqinjësisë së mirë

Ndeshja e futbollit mes kombëtares tonë dhe asaj serbe mbrëmë në Beograd ishte një rast i humbur nga fqinji ynë për të dëshmuar shkëputje nga ekstremizmi i dhunshëm i së shkuarës.

Po ashtu, një rast i humbur për të dëshmuar vizion europian dhe vullnet për të ecur përpara.

Që në nisje, u tregua mosrespekt për himin tonë kombëtar nga tifozeria serbe, u mbajtën kore raciste, dhe u manifestuan akte dhune ndaj përfaqësueses shqiptare.

Eshtë për të ardhur keq që një ndeshje futbolli, e luajtur nga ana jonë me sportivitet, me fair-play dhe korrektësi maksimale, serbët e pranishëm në stadium e kthyen në një arene të betejës politike me djegien e flamurit të NATOS-s, e me lëshimin e mesazheve ksenofobe përmes thirrjeve anti-shqiptare.

Partia Demokratike e dënon dhunën e ushtruar dje në stadiumin e Beogradit ndaj lojtarëve tanë të kombëtares.

Ne i kërkojmë autoriteteve serbe të hetojnë rastet e agresionit në kundërshtim me rregullat e UEFA-s, dhe të vënë para ligjit përgjegjësit.

I kërkojmë Beogradit të distancohet nga ekstremizmi i shfaqur dje, dhe të japë sot mesazhet e duhura për bashkëpunim, për fqinjësi të mirë, e për të ecur përpara në rrugën e integrimit europian.

Ndërkohë, Partia Demokratike përgëzon lojtarët tanë të kombëtares, që shkuan në Beograd për të luajtur futboll, dhe ia dolën të mbrojnë deri në fund jo vetëm vlerat sportive, por dhe simbolin kombëtar.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, 15 Tetor 2014

Read More
14 Tet
0

Policia dhe qeveria të përfshirë në krim, Prokuroria të vihet në lëvizje sot

Deputeti Halimi denoncon moskryerjen e veprimeve nga policia pas dëshmisë së qytetarit për vrasjen e Santos. Halimi kërkon nga Prokuroria e Shtetit të nisë menjëherë hetimin

Kronika e djeshme televizive e dëshmimtarit okular për vrasjen e bankierit Artan Santo, ka tronditur mbarë opinionin publik. Tronditje e cila ka lidhje të drejpërdrejtë jo vetëm me ngjarjen më të rëndë kriminale të vitit, por mbi të gjitha me mosveprimin kriminal dhe të qëllimshem, fshehjen e dëshmise okulare nga  Policia e Shtetit, mosarrestimi i personave të dyshuar dhe të denoncuar nga deshmimtari, dhe sulmi i policisë mbi median që nxori në dritë të diellit të vërtetat e krimit mafioz.

Mbarë opinioni publik sot është i tronditur, nga mënyra sesi policia nuk arreston të dyshuarit për krimin, por sulmon dëshmimtarët dhe median. Kjo situate është e rëndë dhe kritike, për sigurine publike në vend, për jetën e qytetareve, për mbrojtjen e krimit në vend të sundimit të ligjit.

Me faktet e dëshmimtarit policia duhej të kishte një provë më shumë për të zbardhur vrasjen mafioze, por në fakt qytetaret kanë një provë më shumë për fshehjen me dashje nga shteti të vrasjes mafioze, për lejimin e vrasësve të shëtisnin lirshëm me targa para vrasjes dhe pa targa ditën e vrasjes në qender të kryeqytetit, për lejimin e tyre të largoheshin nga Tirane pa ngritur asnjë postobllok të vetëm policie për më shumë se 1 orë nga ngjarja. Me dëshminë e djeshme, qytetaret kanë një provë më shumë për vrasësit por dhe për përfshirjen e qeverisë në këtë krim mafioz.

Në një shtet ku sundon ligji, policia dëgjon dëshmitarët, i merr në mbrojtje ata, falenderon qytetarët dhe median që ndihmon në zbardhjen e krimit, arreston menjëherë të dyshuarit dhe i jep shpresë qytetareve, se ata do përballen me ligjin.

Por kronika e dëshmimtarit dje tregon të njëjtën histori se qytetarët dëshmojnë por ata nuk mbrohen nga policia, madje as pranohet dëshmia  e tyre, sepse më e rëndësishme se lufta ndaj krimit, është mbrojtja e krimit.

Kronika e djeshme tregon se krimi ka emër, vrasësit kanë emra, mjeti me të cilin është kryer krimi ka numra, mafia ka fytyrë.  Moskryeja e veprimeve për të zbuluar, identifikuar dhe ndaluar autorët e dyshuar të krimit mafioz të vrasjes së bankierit Artan Santo, përbën krim sipas Kodit penal  Shqiptar. Moskryerja e veprimeve për të mbrojtur dëshmimtaret kur këtë detyrë e ke të ngarkuar nga ligji, përbën krim sipas Kodit penal Shqiptar. Krime që trondisin po aq shumë sa  nje vrasje, kur ata që kanë për detyrë të sulmojnë krimin, sulmojnë deshmitarët dhe median, dhe mbrojnë krimin dhe mafian

Ndaj dhe në këtë situatë tepër të rëndë për rendin, sigurinë, zbatimin e ligjit,  Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Shtetit të nisë urgjentisht hetimet, sot, t’i nisë tani, për cilindo që refuzoi të kryente detyrën dhe pengoi zbardhjen e krimit, të marrë nën përgjegjësi penale të gjithë, pa as më të voglin përjashtim dhe të shpëtoje cfarë mund të shpëtohet,  për ti shkuar cështjes deri në fund duke zbuluar autorët e krimit mafioz, po aq dhe ata që i ndihmuan të moszbuloheshin.

Të administrojë menjëherë dëshminë dhe informacionin e qytetarit dhe te gjitha komunikimet me drejtuesit e policise, të gjitha veprimet dhe mosveprimit që kanë tronditur dhe po trondisin mbarë opinionin publik.

Vetëm një hetim i shpejtë, efikas dhe gjithpërfshirës i Prokurorisë sot, në lidhje me moskryerjen e veprimeve, pas deklarateve të dëshmimtarit do të cojë ne një shteg i sigurtë, tek vrasja  e bankierit Santo, që tronditi mbarë opinionin publik dhe atë ndërkombëtar.

Tradhëtia publike e  dëshmitarëve nga qeveria, e personave që kanë informacion për krimet e rënda dhe vrasjet mafioze, është krim i rëndë qeveritar dhe duhet të ndëshkohet.

Vetëm ndëshkimi i atyre që tradhëtuan dëshmimtarët okulare, do të mund të japë shpresë se ligjin në këtë vend e bën shteti dhe jo krimi dhe mafia.

Ne jemi besimplotë se Prokuroria e Shtetit do të dijë të jetë në lartësinë e detyrës së saj kushetutese për të përballur gjithkënd që shkeli ligjin duke tradhëtuar dëshmimtarët, që shkeli ligjin duke injoruar dëshmimtarët, që shkeli ligjin duke mbrojtur krimin dhe duke sulmuar dëshmimtarët dhe median për të shpëtuar nga ndëshkimi.

Inkurajojmë prokurorinë dhe presim bashkë me qytetarët të marrim shenjat se këtu sundon ligji dhe krimi duhet të ndëshkohet sa më shpejt, pa vonesë.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike, Eduard Halimi, 14 Tetor 2014

Read More
13 Tet
0

Dëshmia tronditëse, pas vrasjes së Santos qëndron qeveria

Deklaratë e deputetit Ristani, pas dëshmisë së qytetarit mbi vrasësit e bankierit Santo. Shpërfillja e dëshmisë nga Policia konfirmon përfshirjen e qeverisë në këtë krim të rëndë mafioz

Dëshmia tronditëse e një qytetari sot në News 24 në lidhje me vrasjen e bankierit Artan Santo, është një akuzë e rëndë për Policinë e Shtetit, dhe forcon dyshimet se pas ekzekutimit mizor të financierit dhe botuesit të njohur, qëndrojnë segmente të qeverisë.

Qytetari denoncon publikisht se ka pasur prova dhe emra të vrasësve, dhe ia ka dhënë ato Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Por qytetari është shpërfillur nga policia pasi ndihma që ai ka dhënë për zbardhjen e ngjarjes nuk është marrë në konsideratë.

Informacionet që ka dhënë ai, janë hedhur në kosh.

Qytetari i është përgjigjur thirrjes publike të autoriteteve, për të dhënë informacion,  por ai është përballur me heshtjen dhe indiferencën e policisë.

Shpërfillja, lënia në rrugë e dëshmitarit, për raste të rënda kriminale, ku qeveria ka interesa, është kthyer tashmë në fenomen. Mjaft të kujtojmë këtu dëshmitarin e rastit Sinani, apo dëshmitarin për cështjen Frroku, për të kuptuar se besimi i publikut tek Policia ka rënë, dhe me këtë qeveri, ka rënë vlera e bashkëpunimit të qytetarëve për zbardhjen e vrasjeve mafioze.

Sipas medias emrat e deklaruar nga dëshmitari nuk i janë paraqitur prokurorisë, që do të thotë se ndaj tyre nuk janë kryer veprimet e duhura ligjore për të shkuar te personat e denoncuar e për ti ndaluar ata.

Reagimi i sotëm i krerëve të Policisë së Shtetit, ishte i turpshëm, një presion i hapur ndaj medias që publikoi dëshminë, dhe një përpjekje tjetër e stilit të sigurimit të shtetit për të mbuluar të vërtetën.

Reagimi i Policisë ishte gjithashtu një përpëlitje për të larguar përgjegjësinë, dhe për të zbehur dëshminë tronditëse, ende pa u shfaqur ajo.

Por pyetjet që ngre sot cdo shqiptar janë;

Pse nuk reagoi policia pas dhënies së informacionit për personat e përfshirë në vrasje?

Kush e urdhëroi policinë të mos lëvizte gishtin për të bërë atë që e ka për detyrë, zbardhjen e vrasjes?

Kush ka forcën apo fuqinë t’i imponohet me një mënyre të tillë policisë?

Cfarë motivesh bllokuan hapat që merren edhe në rastet rutinë, e jo më për këtë vrasje të bujshme të stilit mafioz?

Përgjigja është evidente për cdo shqiptar, për cdo njeri me mend në kokë.

Motivi ka qënë fshehja dhe mbulimi i vrasësve.

Motivi është ai që Partia Demokratike e ka denoncuar prej kohësh.

Vrasja është lejuar të ndodhë.

Pas vrasjes qëndron qeveria.


Deklaratë e deputetit të Partisë Demokratike Arben Ristani, 13 Tetor 2014

Read More
12 Tet
0

Qeveria rrit çmimin e energjisë, penalizohen shqiptarët e varfër

Deklaratë e Enno Bozdos mbi vendimin e fundit të qeverisë, që prek shumicën e qytetarëve që konsumojnë deri në 300 kw orë në muaj

Ministri Financave deklaroi dje nga Uashingtoni se çmimi i energjisë do të rritet.

Fasha mbrojtëse deri në 300 kw/orë në muaj për shtresat në nevojë do të hiqet, dhe cmimi i aplikuar me pas do të jetë një çmim i mesatarizuar. Sot shumica e popullsisë shpenzon deri në 300 kw/orë në muaj.

Në praktike, kjo do të thotë se të gjithë konsumatorët do të paguajnë më shumë, e në veçanti do të paguajnë ata konsumatorë që shpenzojnë deri në 300 KW. Praktikisht, këta konsumatorë janë shtresat më të varfra e në nevojë të popullsisë, janë pensionistet, të papunët, gratë kryefamiljare, studentet dhe familjet e reja, invalidët dhe personat me aftësi të kufizuar. Pra, do të goditen rëndë të varfrit dhe ata me të ardhura të pakta.

Ministri i Financave nuk pati guximin ta deklaronte këtë gjë në Tiranë. Ai zgjodhi Washingtonin sepse kryeministri por edhe ministrat i kishin garantuar shqiptaret në Tiranë, se cmimi energjise nuk do të rritej. Shqiptaret morën sigurinë e plotë nga Rama se energjia nuk do të preket. Shqiptarët madje morën premtimin nga Rama, para zgjedhjeve, se cmimi energjisë do të ulej ndjeshem. Sot, pas një viti qeverisjeje, Rilindasit bënë pikërisht të kundërtën, rritën cmimin e energjisë.

Opozita e ka paralajmeruar prej kohësh këtë skenar. E kemi paralajmëruar kur kemi denoncuar megaskandalin e “Aferes CEZ”, ku qeveria Rama fali 500 milionë euro fatura të papaguara, madje i dhuroi atyre edhe 95 milionë euro të tjera. Pa llogaritur këtu faktin se qeveria hoqi dorë nga 3 miliardë USD dëme, që kompania i ka shkaktuar shtetit shqiptar.

Sikur kjo aferë e Edi Ramës të mos kishte ndodhur, rritja e çmimit nuk do të ishte e nevojshme, sepse këto para të falura nga qeveria, do të investoheshin në infrastrukture për ta bërë të mundur permirësimin e treguesve të kompanisë së shpërndarjes.

Fakti është se Rama në opozitë premtoi ulje të cmimit të energjise, ndërsa sot pasi i ka falur CEZ-it 600 milionë euro, ua faturon këtë gjë familjeve shqiptarë, e vecanerisht të varfërve dhe shtresave në nevojë. Rritja e çmimit të energjisë do të jetë gjithashtu goditje e rëndë edhe për ekonominë, veçanërisht në këtë recesion që e ka mbërthyer atë.

Ne i kërkojmë maxhorancës të mos rrisë në asnjë mënyrë çmimin, sepse shqiptarët nuk duhet të paguajnë një rritje cmimi për të cilin ata kanë paguar tashmë; sepse gjysma e energjisë në rrjet vidhet dhe për këtë nuk ka përse të penalizohen pikërisht qytetarët korrekt dhe të ndërgjegjshëm.


Deklaratë e Enno Bozdos, 12 Tetor 2014

Read More
12 Tet
0

Albpetrol, përfitim, zhvatje, vjedhje e pasurisë publike

Zëdhënësja Nebijaj denoncon menaxhimin që i bëhet asetit të cmuar të shqiptarëve për interesat e Koço Kokëdhimës

Albpetrol, një nga asetet më të çmuara publike, është kthyer për një vit në një simbol të abuzimit dhe përfitimit, zhvatjes e bastisjes, me anë të menaxhimit që i bën Koco Kokëdhima.

Koco Kokëdhima e kontrollon këtë ndërmarrje publike 24 orë në ditë. Nga roja i portës hyrëse e deri tek drejtori i Përgjithshëm, janë të gjithë njerëzit e besuar të Kocos, të afërm, familjarë, punonjës të bizneseve të tij.

Për shkak se vjedhja është kthyer në normë, Prokuroria e Fierit po heton një rast skandaloz të pak ditëve më parë ku qindra mijë tonë naftë kanë dalë nga Albpetrol pa faturë, për tu shitur në treg.

Pra qindra mijë tonë naftë e vjedhur, pasuri e shqiptarëve, e cila shkon drejt e në xhepat e Koco Kokëdhimës.

Ne e inkurajojmë Prokurorinë e Fierit të tregojë vendosmëri, të zbatojë ligjin, e ta cojë deri në fund hetimin mbi këtë kartel të rrezikshëm të naftës që drejtohet nga deputeti më i afërt i Kryeministrit, Koco Kokëdhima.

Vjedhja, dhe nxitimi për t’u pasuruar shpejt, makutëria e Kokëdhimës, ka bërë që ushtarët e tij që kontrollojnë Albpetrol, nga roja i derës hyrëse e deri tek Drejtori i Përgjithshëm, të zhyten në arin e zi pa fre, dhe këtë e ka konstatuar Kontrolli i Lartë i Shtetit, që për një vit gjeti 10 milionë euro abuzime.

Partia Demokratike i bën thirrje drejtësisë të mos tërhiqet para presioneve të superdeputetit të Edi Ramës, të tregojë përkushtim për mbrojtjen e pasurisë publike, e të zbatojë ligjin deri në fund.

Edhe oligarkëve më të rrezikshëm një ditë u ikën koha, dhe japin llogari para popullit e para drejtësisë, për zullumet që kanë shkaktuar.


Deklarata për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Oriela Nebijaj, 12 Tetor 2014

Read More