Blog

17 Mar
0

Basha: Qeveria në 6 muaj, për të bërë e fundit, për të zhbërë e para

Të nderuar deputetë,

Qeveria Rama-Meta mbushi plot gjashtë muaj nga dita e instalimit në pushtet.

Në qofte se i referohemi perceptimit të përgjithshëm të qytetarëve shqiptarë,  gjashtë muaj nuk janë akoma shumë, por nuk janë as pak për të patur një bilanc të parë  konkret në raport me pritshmëritë dhe premtimet e tyre.

Kësaj radhe, më mirë se sa opozita që e ka thënë në kohë fjalën e saj, flet vetë heshtja e qeverisë, e shoqëruar me disa përpjekje të përçmueshme për të mbuluar sadopak me shou mediatik apo me bojëra të dala boje mungesën e bilancit dhe dështimin.

Asnjë qeveri nuk ka startuar me një dështim të këtyre përmasave gjatë 23 vjetëve të fundit, si qeveria e sotme Rama-Meta.

Dështimi në raport me premtimet dhe pritshmëritë është vetëm gjysma e keqes. Ne do ta pranonim si një aksident të fatit faktin që kemi një qeveri gënjeshtare dhe të paaftë, me mungesë skandaloze kompetence dhe ekspertize.

Por kjo qeveri që nuk ndërton dot asgjë, është ndërkohë  kampione e zhbërjeve, kampione e goditjes se ligjit dhe lirive, kampione e reprezaljes në administratën publike, kampione e shpunësimit të mijëra e mijëra njerëzve me një fjalë goje, kampione e ndalimit të  dhjetëra e qindra kantiereve të hapura apo në proces hapjeje me një të rënë të lapsit, kampione e babëzisë për të futur nën kontrollin politik të saj institucionet e pavarura.

Për të bërë është e fundit.

Për të zhberë është e para.

Ekonomia që mezi po merr frymë në peshën e taksave të çmendura e të marra, që mund ta themi me gojën plot se vetëm marrëzia vendos taksa të tilla në kohë krize ekonomike;

Ekonomia që po mbytet në klimën mbytëse të  qeverisjes propagandistike pa vizion, që prodhon vetëm papunësi masive, që mendon se qeverisja është vetëm task-forcë dhe vetëm reklamë televizive, të gjitha këto dhe sjellja e konsumatorit dhe qytetarit shqiptar që duke shtrënguar fort kursimet   e veta e tregon më mirë dhe me saktë se dhjetëra e qindra fjalime të vërtetën e qëruar të kësaj qeverie, e kanë venë në dyshim për të mos thënë e kanë rrëzuar moralisht atë.

Rendi nuk është më zgjidhja për problemet e sigurisë, por vetë problemi i pasigurisë në vend.

Statusi i vendit kandidat në Bashkim Europian ndodhet në udhëkryq si vetë demokracia, për shkak të papërgjshmërisë së kryeministrit dhe shumicës Rama-Meta.

Ekstremistët aty kanë qenë, në Europë, qëkurse lindi ideja e Europës së  bashkuar e aty do të jenë derisa ky projekt madhor të përmbyllet.

Individë apo subjekte që  nuk kanë dashamirësi ndaj Shqipërisë  ka patur e do të këtë. Të gjithë jemi dëshmitarë. A nuk patëm ne kundërshtarë në  pranimin e Shqipërisë në NATO?  A nuk patëm kundërshtarë  dhe skeptikë heqja e vizave për qytetarët shqiptarë?

Ka patur që ç’ke me të dhe shqiptarët e mbajnë mend. Sfida jonë ishte të mundim kundërshtarët.

Detyra jonë, sikundër detyra e çdo qeverie nuk ka qenë  të numërojmë apo të  vajtojmë numrin e kundërshtarëve, por t’i bindim edhe ata me punë të hapin rrugë. Në mos,  tua bëjmë të pamundur votën kundër nëpërmjet plotësimin një për një të detyrave tona.

Deri dje kemi menduar se Rama e ka punë fantazmagori apo halucinacioni këtë teorinë e tij sikur fajin ia kanë ekstremistët europianë.

Tani që nuk mbeti njeri pa ia thënë se e ka gabim,  është bërë e qartë si drita e diellit se e ka alibi, justifikim për sot dhe për nesër për të mbuluar paligjshmërinë dhe dështimet e tij në krye të qeverisë.

Ne kemi detyrimin politik, moral dhe qytetar t’u themi shqiptarëve të vërtetën për qeverisjen gjashtëmujore dhe në lidhje me të, të vërteten për fatin e statusit të vendit kandidat në BE. Perspektiva në këtë rrafsh nuk mund të jetë optimiste kur shohim qartë se qeverisja e dyshes Rama Meta, karakterizohet nga:

  • dhunimi i demokracisë dhe shtetit ligjor.
  • asfiksimi i ekonomisë.
  • përkeqësimi i rendit dhe rritja e pasigurisë publike.

Këtu me poshtë kemi një raport më të detajuar të bilancit gjashtëmujor të kësaj qeverie në katër shtyllat kryesore të veprimit të saj, që janë Rendi dhe Siguria publike, Ekonomia, Demokracia, Integrimi. Do të prek telegrafikisht vetëm disa aspekte për tua lenë raportin e plotë secilit prej deputetëve, për ta trajtuar në aktivitetin tuaj dhe të grupit parlamentar.

Rendi dhe siguria publike

Vetëm ne dy javët e para te marsit 2014 numri i vrasjeve dhe i të vrarëve është me i lartë se i gjithë shkurti 2014, shumë më shumë se i gjithë marsi 2013.

Numri i vjedhjeve dhe grabitjeve të pronës ka njohur rritje te pandërprerë nga muaji ne muaj te kësaj qeverie – nga diçka më shumë se 500 raste në muaj në tetor e nëntor, ne mbi 700 në muaj në dhjetor, janar e shkurt. Vjedhjet janë më të larta edhe ne raport me një vit më parë, dhe këtu nuk llogaritet ajo pjesë e vjedhjeve që nuk raportohen sepse nuk pranohet raportimi i tyre, ndërsa shkalla e zbulueshmërisë ka ardhur në rënie.

Trafiku i drogave ka njohur rritje të shpejtë aq sa autoritetet policore e gjyqësore të Italisë dhe Greqisë janë në alarm pasi kalimi i tyre përtej kufirit është mbi dyfishuar. Kurrë më parë kufijtë e Shqiperisë nuk kanë qënë kaq të hapur deri të shqyer ndaj trafikut të drogës.

Është fakt se në këto tre muajt e dytë të kësaj qeverie shqiptaret janë më të rrezikuar për jetën dhe pronën dhe kjo nuk është një rastësi por pasoje e dy faktorëve:

E konceptit te gabuar, te rrezikshëm e te keqpërdorur “një shtet një polici” duke e çorientuar aksionin e policisë, duke e larguar atë nga lufta kundër kriminalitetit e duke e orientuar atë drejt fushave e sektorëve të tjerë për të cilat shteti ka plot institucione dhe mekanizma.

E dekapitimit te drejtimit të Policisë dhe mbushjes me militante të paaftë e njerëz të inkriminuar e shndërrimit të policisë në një repart të bindur jo ndaj ligjit por ndaj urdhrave politike.

Referojuni fakteve dhe argumenteve të shumta të evidentuara jo vetëm nga ne si opozitë, por nga njësërë institucionesh ndërkombëtare, ekspertësh, autoritetesh, me emra konkrete, veprimtari konkrete politike apo anti-ligjore dhe efektet qe kjo po jep, si autostrada e drogës ku pjesë kyçe e veprimtarisë kriminale janë vete te inkriminuarit e rikthyer nën uniformë nga kjo qeveri. Komisioni Hetimor Parlamentar po hedh e do të hedhë dritë më shumë në këtë realitet të zymtë. Por nuk është e rastit që puna në këtë komision po pengohet me urdhër politik.

 Ekonomia, punësimi dhe mirëqenia e qytetareve

Pas gjashte muaj te kësaj qeverie, papunësia dhe shpunësimi janë në lulëzim të plotë.

Mbi 97% e tyre paguajnë më shumë taksa e jo më pak.

  • qytetaret i paguajnë më shtrenjtë ushqimet dhe transportin,
  • Në spitale po i blejnë vetë barnat dhe këtë nuk e themi vetëm ne por edhe deputetet e mazhorances dhe media me zë e figurë.
  • Shumë prej familjeve të varfër dhe individët me aftësi te kufizuara nuk marrin, iu vonohet ose iu është pakësuar ndihma ekonomike dhe qeveria planifikon përdorimin e punës së detyrueshme si kusht për lëvrimin e ndihmës për të varfrit.
  • Pagat e mësuesve, infermiereve, mjekeve, nëpunësve të thjeshtë të shtetit janë ngrirë për një kohë të pacaktuar dhe as indeksimi nuk iu premtohet këtë vit.
  • Pensionisteve iu është premtuar indeksimi vetëm për inflacionin por edhe ky ende nuk është zbatuar.
  • Për të përndjekurit fondi i dëmshpërblimit është 40% me pak se ne vitin e kaluar, por qeveria e ka kaluar nga sqetulla e Naços tek ajo e Veliajt.
  • Kthimi dhe kompensimi i pronave ka ndalur kush e di se për sa kohe dhe fondi për kompensimin e ish-pronarëve është pakësuar gramatikisht.
  • Legalizimi i banesave ka ngrire, po rigjallërohet teza e urbanizimit para legalizimit e ndërkaq, legalizimi falas u provua një gënjeshtër e pacipë

Demokracia, Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria

Kjo mazhorancë ka ndërmarrë ofensive të mirëfilltë pushtuese te institucioneve jashtë pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ, duke shkelur haptazi ligjet e vendit dhe Kushtetutën.

I këtillë ishte rasti i ILDKP i cili u be me mënyrat me te paturpshme dhe me sajesat me te pabesueshme, njëherazi duke anashkaluar e uzurpuar kompetencat e Presidentit.

Ose rasti i INSTAT, ku për shkarkimin e drejtueses, u shkel ligji dhe injorohet vendimi i gjykatës për kthimin e saj ne detyre;

Ose rasti ne vazhdim e sipër i AMA-s

Po  kështu edhe sulmi frontal që ka nisur kundër Shërbimit Informativ Shtetëror. Janë vetëm disa prej shembujve që flasin qartë para publikut dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Presidenti dhe institucionet e drejtësisë janë vënë nën sulmin propagandistik të kësaj mazhorance,

Kjo është arsye se pse opozita ka vene alarmin se demokracia është e rrezikuar dhe ofensiva antidemokratike dhe antikushtetuese e kësaj supermazhorance duhet ndalur me çdo kusht para se të jetë tepër vone.

Si pasoje e akteve dhe sjelljeve te kësaj qeverie, tashmë të perceptuara e te kuptuara mirë, edhe nga faktorët politike europiane, përparimi i vendit dhe rruga në integrimin evropian është vënë më ne pikëpyetje se kurrë më parë.

Opozita ka ofruar bashkëpunimin pa kushte per integrimin. Qeveria jo vetëm nuk krijon mjedis bashkëpunues por ndërmerr nisma antikushtetuese njëherazi kundra modeleve europiane ne lidhje me çdo prioritet për anëtarësim të vendit në BE.

Ne përfundim,

Mund të themi që nuk ka ndodhur kurrë që një qeveri të mos ketë asgjë serioze për të treguar në gjashtëmujorin e parë, asnjë të mirë konkrete që ta kenë parë qytetarët, ta kenë prekur qytetarët, që të  mund të thonë “po, këto të mira i solli qeveria e re”; asnjë reformë, asnjë kantier, as progres, as përmirësim.

Kjo është qeveria “asgjë” në fushën e përmirësimit.

Kjo është qeveria “zero” në  fushën e investimeve.

Kjo është qeveria “nën zero” në fushën e punësimit dhe mirëqenies në përgjithësi.

Kjo është qeveria e rrezikut sa i takon demokracisë dhe integrimit europian të vendit. Në këtë rast përsëris thirrjen tonë ndaj qeverise te ndryshoje menjëherë kurs, të heqë dore nga ofensiva kundër Kushtetutës, kundër institucioneve, nga dhunimi i te drejtave te qytetareve e sipërmarrjes.

Opozita është dhe do të vazhdojë të jetë përballe bashkë qytetaret për mbrojtjen e demokracisë, ligjit, Kushtetutës, te të drejtave themelore, ne veçanti te punës, sipërmarrjes, pronës se gjithsecilit dhe të ardhmes europiane të vendit.


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re, 17 Mars 2014

Read More
17 Mar
0

Basha: Qeveria në 6 muaj, për të bërë e fundit, për të zhbërë e para

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha analizon bilancin 6 mujor të qeverisë, duke evidentuar dështimet dhe përkeqësimet në ekonomi, siguri publike, e në gjendjen e demokracisë dhe institucioneve në vend.

(më tepër…)

Read More
14 Mar
0

PD: Qeveria, dhunë ndaj medias dhe fjalës së lirë

Zëdhënësja Vorpsi denoncon hakmarrjen e CEZ dhe Policisë së Shtetit ndaj emisionit investigativ.

(më tepër…)

Read More
14 Mar
0

Mbarësi dhe gëzim sjelltë kjo ditë, për të gjithë shqiptarët!

Kryetari i PD Lulzim Basha i ka nisur kremtimet e Ditës së Verës në Elbasan, qytet i cili e ka në traditën e tij këtë festë. Z. Basha ka vizituar panairin e përvitshëm të Ditës së Verës, nga ku ka përcjellë edhe mesazhin e urimit për qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë.

(më tepër…)

Read More
13 Mar
0

Propozimet e opozitës të cilat u bllokuan nga përfaqësuesit e shumicës në Komitetin e Stabilizim Asociimit

1. Shpreh keqardhje për skemën e blerjes së votave gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale në Korçë dhe bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe të shpejtë lidhur me këtë çështje. Dënojmë blerjen e votave duke e cilësuar si formën më të shëmtuar të korrupsionit politik dhe një kërcënim të vërtetë ndaj demokracisë.

(më tepër…)

Read More
13 Mar
0

PD: Edi Rama shkel vendimin e qeverisë dhe traditën për Ditën e Verës

Zëdhënësja Vorpsi denoncon urdhërin e Kryeministrit që i detyron nxënësit të dalin nesër për aktivitetin e tij politik.

(më tepër…)

Read More
13 Mar
0

Basha: Qeveria nuk reflektoi për mosdhënien e statusit, por thelloi bilancin negativ

Kryetari i Partisë Demokratike pret Presidentin e Senatit Francez, Jean-Peirre Bel, dhe ndan me të shqetësimet e politikës në vend, dhe ndikimet e saj në procesin e integrimit europian të vendit.

(më tepër…)

Read More
10 Mar
0

Basha: Vetëm opozita mban gjallë shpresën e integrimit europian

Të nderuar deputetë,

Dje përcollëm për në banesën e fundit Ferdinand Ponin, mikun dhe shokun tonë të dashur, kolegun e respektuar, drejtuesin, veprimtarin dhe zyrtarin shembullor, demokratin e vendosur e mendjehapur, që ia kushtoi jetën e tij politike një çështjeje madhore të demokracisë, siç janë zgjedhjet,  decentralizimi dhe autonomia e pushtetit vendor, modernizimi i qeverisjes ku dha një kontribut të pashlyeshëm dhe të dorës së parë.

U nda nga jeta papritur, në  kulmin e moshës dhe energjive, kur i duhej më shumë se kurrë familjes, Partisë Demokratike, u duhej zgjedhësve demokratë, opozitës, reformave të reja, miqve, shokëve.

Humbja është e madhe për të gjithë ne.

Por mbi pikëllimin që  na shkaktoi dhe na la në zemër vdekja e Ferdinandit ngrihet sot dhe do të qëndrojë gjithmonë e gjallë dhe e pamort puna, e tij, vepra e tij, shembulli i tij frymëzues për të gjithë ne.

Ju ftoj të nderojmë kujtimin e tij me një minutë heshtje.

Javën e kaluar, siç e dini, Partia Demokratike u përfaqësua me një delegacion të nivelit të lartë në kongresin e Partive Popullore Europiane, PPE. Kam kënaqësinë të konstatoj se përfaqësimi i PD ishte i dyfishtë në këtë eveniment politik kaq të rëndësishëm: me kryetarin e partisë dhe me zotin Berisha, i ftuar nderi si lider historik dhe ish kryeministër i vendit. Bashkë me anëtarët e tjerë të delegacionit, patëm kënaqësinë të vërenim se si zotit Berisha iu rezervua një respekt i denjë për një dekan që ka ndarë  një  jetë  të gjatë politike me familjen politike europiane të qendrës dhe qendrës se djathtë.  Kjo sigurisht na bëri të ndihemi krenarë, por ishte edhe një lehtësim për ne në marrjen e stafetës së respektit dhe përgjegjësisë si lidershipi i ri i një partie simotër në gjirin e PPE-së.

Pjesëmarrja aktive dhe roli aktiv i Partisë Demokratike në familjen politike të PPE-së ka një rëndësi të jashtëzakonshme për alternativën që ne përfaqësojmë, për aspiratat demokratike dhe europiane të shqiptarëve. Partitë Popullore, anëtarët e saj, qeveritë, por dhe zgjedhësit e saj janë e do të jenë fytyra e Europës së lirë, fytyra e Europës së zhvilluar, fytyra e Europës së bashkuar.

Ne, Partia Demokratike, jemi e do të jemi dega e shëndetshme e kësaj peme të madhe politike në Shqipëri. Degë me kokrra përsa i përket integrimit europian dhe jo pa kokrra si shpesh kanë dalë dhe po dalin alternativat e majta të grupimeve europiane.

Do ta shtojmë praninë tonë në PPE, do të intensifikojmë më tej bashkëpunimin me partitë simotra në nivel dypalësh e shumëpalësh.

Më lejoni t’ju njoftoj se, në shembullin e këtyre partive, në  bashkëpunim me ta dhe me fondacione e institute që ata kanë të cilat promovojnë vlerat dhe vizionet politike të  qendrës dhe qendrës së djathtë, jemi duke konceptuar themelimin e veprimtarisë “Universitetet e demokratëve” ku do të përfshihen demokrate dhe demokratë të rinj, nga më të mirët, të cilët do të  njihen më mirë, në funksion të formimit të tyre si drejtues të rinj politikë, me doktrinën, vizionet, zgjidhjet, kërkimet e deri me diskutimet dhe debatet në aulat e simotrave tona të partive popullore europiane.

Përsa i përket aktivitetit, dua të nënvizoj dy momente që i konsideroj të rëndësishme:

E para, faktin se Partia Popullore Europiane, drejtuesit e saj,  përfaqësuesit e saj në institucionet më të larta të Bashkimit Europian, të vendeve anëtare e qeveritë mike mbështesin pa rezerva perspektivën europiane të Shqipërisë, ecjen të vendit tonë drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Nga kjo pikëpamje, partnerët tanë shprehën vlerësimin e tyre pozitiv të njëzëshëm për qëndrimin e PD të mbështetjes pa kushte te integrimit europian të vendit, për rolin tonë konstruktiv në opozitë, në mbrojtje të vlerave të demokracisë,  shtetit ligjor,  institucioneve të pavarura dhe perspektivës europiane të Shqipërisë.

E dyta, mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe përfaqësuesit e lartë të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Shkeljet e përsëritura të Kushtetutës, kapja dhe përpjekjet për të vënë nën diktat e kontroll politik institucionet e pavarura, zhbërja e investimeve europiane në fushën e administratës publike dhe Policisë se Shtetit, cënimi i themeleve të shtetit ligjor nga qeveria shqiptare përbëjnë një rrezik kërcënues për statusin në qershor dhe për udhëtimin e Shqipërisë në drejtim të integrimit europian në tërësi.

Si opozitë, ne kemi dhënë  në vijimësi alarmin për rrezikimin sërish të statusit nga ana e qeverisë Rama-Meta. Në mitingun madhështor të 20 shkurtit njoftuam me fakte se qeveria po vazhdon marshimin e saj të verbër kundër statusit. Duam të theksoj sot se shkaku i dështimit eventual me marrjen e statusit edhe në muajin qershor po evidentohet gjithnjë e më shumë e më tepër kursi antiligj, antikonsensus dhe antireformë i qeverisë shqiptare.

Europa dha një afat të ri gjashtëmujor në fund të vitit të kaluar. Është e qartë se në kushtet e plotësimit një për një të kritereve për marjen e statusit nga Shqipëria, ky ishte një afat për të korrigjuar sjelljen dhe kursin anti-integrim të qeverisë  Rama-Meta.  Tre muaj po kalojnë. Në vend që të eliminonin shkeljet, vetëm i kanë shumëfishuar ato; në vend që të korrigjonin kursin e gabuar, vetëm janë thelluar në rrugën e tyre të largimit nga Europa dhe vlerat e saj. Në  vend që ta kishim venë në rrugë të shtruar çështjen e statusit në tre muajt e mbetur, e kanë  vendosur në një  malore akoma më të vështirë  me ngulimin e tyre absurd për të vendosur sundimin e tyre mbi sundimin e ligjit.

Janë naivë dhe qesharakë ata që mendojnë  me psikologjinë e strucit se fajin nuk e ka e keqja e qeverisjes si e tillë, por nxjerrja në dritë e saj, denoncimi i saj nga opozita, nga mediat e lira, nga shoqëria civile, nga partnerët ndërkombëtare.

Nëse ka sot një shpresë reale për integrimin, nëse ka sot një forcë që  e mban gjallë idenë  e Shqipërisë europiane, kjo është  është opozita që po lufton për vlerat e saj. Sikur për një moment të ndodhte që të  verbohej e të bëhej memece edhe opozita,  nuk do të ndryshonte asgjë në perceptimin dhe vlerësimin negativ të akteve antidemokratike të qeverisë shqiptare në Bruksel.

Jetojmë në një botë të hapur, për fat. Partnerët tanë europianë dhe amerikanë janë gjithnjë të mirinformuar për çfarë ndodh në një vend si Shqipëria. Nuk janë lajmet, por vetë ngjarjet që krijojnë perceptimin dhe vlerësimin.

Shembulli më domethënës i kësaj të vertetë  janë prononcimet e fundit të një personaliteti me peshë specifike të madhe ne vendimmarrjen europiane, Kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, Elmar Brok.

Sipas tij, kur vërehen mijëra shkarkime në vend dhe militantët ftohen të aplikojnë në sitin e internetit të partisë për t’u futur në administratë, kjo është të duash ta bësh vendin pronën tënde. Kjo nuk është e pranueshme. Është kundër parimeve europiane.

Citoj ”Kur shoh që ndryshohen postet kundër rregullave, duke përfshirë këtu edhe në raste që lidhen me rolin e presidentit të Republikës për institucionet e pavarura, atëherë kam frikë se zoti Rama po luan lojën e vjetër. Dhe parimet që ne mbrojmë fort për forcimin e shtetit ligjor dhe këtë radhë janë shkelur nga qeveria. Kur mora vesh, se aktet kushtetuese mund të ndryshohen përmes një akti normativ të qeverisë, kjo është më shumë se befasuese, është afër një regjimi diktatorial. Tejkalimin e Kushtetutës përmes një akti normativ qeveritar, s’e kam parë kurrë këtë përpara përveçse në diktatura”.

Shkëputa këtu vetëm disa pasazhe nga intervista e kryetarit të Komisionit të  Jashtëm të Parlamentit Europiane, që ka rënë e duhet të dëgjohet si kambanë alarmi për qeverinë Rama-Meta, nëse kanë  ndërmend dhe vullnet të ndryshojnë me urgjencë kursin e tyre antieuropian.

Një rast dhe një shans për reflektim e korrigjim domethënës ishte Dialogu i Nivelit të Lartë  për integrimin që u mbajt në  Tiranë javën e kaluar në praninë dhe patronazhin e komisionerit për zgjerimin, zotit Fyle.  Edhe ky takim u përgatit për fat të keq në inercinë e arrogancës me të cilën u instalua në pushtet qeveria Rama-Meta. Ishte një paradoks me vete që opozita, pra ne, kërkuam me shkrim   një pjesëmarrje të respektueshme në një takim të tillë, një pjesëmarrje sipas standardeve të vendosura kur ne ishim në maxhoranca dhe të respektuara për opozitën e atëhershme, ndërkohë që nga kryeministri kishte që në fillim një ngulmim për një pjesmarrje simbolike të opozitës. Paradoksi është i dyfishtë. Më kë do ta bënin këta Dialogun e Nivelit të Lartë kur nuk donin opozitën në takim? Me veten e tyre? Monologjet tashmë janë bërë një praktikë e mërzitshme dhe e padurueshme e kryeministrit Rama.

Por paradokset nuk mbarojnë këtu. Pasi më në fund u pranuam tre përfaqësues nga opozita të cilët parashtruan me kompetencë qëndrimet tona, të mbështetura në fakte tashmë botërisht të njohura dhe të verifikuara në mënyrë të pavarur, që lidhen me shkeljen e ligjeve dhe Kushtetutës, me sulmet ndaj institucioneve të pavarura, me reprezaljen në polici dhe administratë, me zhbërjen e standardeve, me kthimin prapa të demokracisë në shumë aspekte.

Por siç e pamë të gjithë, konkluzionet e botuara ishin gatuar në kuzhinën propagandistike të qeverisë dhe ishin totalisht të njëanshme.

Konkluzionet e qeverisë nuk e venë gishtin mbi plagët e vërteta; janë retorikë që nuk thonë asgjë thelbësore në lidhje me reflektimin dhe korrigjimin që kërkohet si domosdoshmëri; janë  konkluzione për të kaluar radhën, që e zbehin shumë vlerën e dialogut të nivelit të lartë. Për ç’dialog të nivelit të lartë mund të flitet kur në konkluzionet përfundimtare që qeveria i përgatit pa opozitën nuk gjejnë  jehonë dhe pasqyrim qëndrimet e opozitës, qëndrimet e palës tjetër?

E kemi theksuar dhe dëshirojmë  ta theksojmë  me forcë përsëri sot: Integrimi europian, pra edhe statusi është  aspiratë e popullit, është pronë e popullit, nuk është plaçkë e qeverisë. Vendimi për statusin, siç e nënvizoi edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, do të merret në bazë të  situatës së shtetit ligjor në vend. Në dritën e qëndrimeve refraktare të qeverisë, po behet imperative që çështjen e statusit ta marrin në dorë vetë qytetarët e lirë.

Në përsërisim qëndrimin tonë se marrëdhënia e grupit tonë dhe e opozitës me Kuvendin do të vijojë të mbetet e kushtëzuar për shkak të dhunimit flagrant të Kushtetutës me datë 20 shkurt me shkarkimin e paligjshëm dhe antikushtetues të kreut të ILDKP-së, si prova gjenerale e shumicës për të uzurpuar institucionet e pavarura apo për t’i vënë ato në kontroll dhe diktat politik. Ky qëndrim do të mbahet derisa të rivendoset ligji dhe kushtetutshmëria në Kuvend.

Nuk është fjala për të mbrojtur një individ,  edhe pse në doktrinën tonë mbrojtja e një njeriu të vetëm nga arbitrariteti i shumicës është një prej “komandamenteve”.

Në rastin në fjalë ne mbrojmë një parim, mbrojmë standardet, mbrojmë institucionet e pavarura, mbrojmë Kushtetutën, mbrojmë perspektivën europiane të Shqipërisë.

Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e parë të Kryesisë së re,  10 Mars 2014

Read More
10 Mar
0

Halimi: Qeveria te riktheje kushtetuetshmerine dhe zbatimin e ligjit

Fjala e deputetit te PD Eduard Halimi ne seance plenare;

(më tepër…)

Read More
10 Mar
0

Basha: Vetëm opozita mban gjallë shpresën e integrimit europian

Mbledhja e grupit parlamentar të opozitës nis me 1 minutë heshtje në nder të Ferdinand Ponit. Basha informon deputetët për gatishmërinë e PPE për të ndihmuar Partinë Demokratike për shqetësimet dhe ringritjen e saj.

(më tepër…)

Read More