Blog

05 Dhj
0

Arratisjet, Halimi: Qeveria përgjegjëse, emëroi njerëz të paaftë, shkarkoi profesionistët

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi:

Ngjarja e djeshme është ngjarja më e rëndë, kur nga burgu i sigurisë së lartë, i ndërtuar nga Bashkimi Europian, janë larguar jo 1 por 7 të dënuar me burgim të përjetshëm. Rendi dhe siguria kanë rënë poshtë, çdo ditë.

2 muaj më parë më 23 shtator 2013, ish-drejtuesit e policisë së shtetit kanë dorëzuar një raport të detajuar informimi mbi planet e këtij grupi për t’u arratisur, Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe Ministrit të Drejtësisë Nasip Naço. Pak ditë më vonë Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm,  ka paraqitur planin e masave që duheshin marrë për ta parandaluar arratisjen e këtyre të burgosurve me burgim të përjetshëm.

Asnjë masë nuk u mor, asnjë ligj nuk u respektua, por ministrat nuk kryen minimalisht detyrën e tyre, policia bashkë me të heshti, nuk vepruan! Konkluzioni i qarte. Armë të futura në një burg të sigurisë së lartë, arratisje spektakolare e 7 të burgosurve.

Ky raport i ish-drejtuesve të policisë dhe plani i masave për të parandaluar, nuk është marrë në konsideratë, dhe është flakur ashtu siç janë flakur dhe të gjithë oficerët profesionistë të policisë së shtetit.

Ministri i Brendshëm dhe Ministri i Drejtësisë u përpoqën sot të fshehin përgjegjësinë e qeverisë dhe të tyren personale për arratisjen e djeshme të 7 personave nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë, me metodën e vjetër të lëshimit të akuzave të pabaza për paraardhësit.

Kjo metodë nuk i shpëton ata dhe qeverinë e tyre nga përgjegjësia që kanë për ngjarjen më të rëndë të ndodhur në gjithë këto vite në burgjet shqiptare, një ngjarje që buron nga sistemi që kanë ndërtuar këto 3 muaj, me emërime të dyshimta, me caktimet mbi bazën e interesave financiare dhe elektorale të njerëzve të paaftë në postet kyçe.

Sepse dyshja Rama-Meta janë lëshuar të babëzitur në ndarjen e tortës së pushtetit duke dëmtuar rëndë profesionalizmin në institucionet e zbatimit të ligjit, dhe duke i hapur rrugë lulëzimit të krimit, me shkarkimet masive dhe kolektive të profesionistëve dhe me zëvendësimin e tyre me militantë përmes një sistemi të pastër korruptiv. Kjo është atmosfera e burgjeve dhe e policisë, ndaj personat më të rrezikshëm të shoqërisë arrijnë të arratisen.

Nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë më parë që të futen armë në qelitë tona nga jashtë. Sipas të gjithë burimeve të informacionit, armët janë futur nga jashtë dhe kanë rënë në duart e këtyre personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Armët kanë kaluar nën hundën e policisë dhe drejtuesve të burgjeve me një rrugë të pastër ryshfeti. Të futen armë në një burg të sigurisë së lartë, të ndërtuar me fonde të Bashkimit Europian, ky është fundi i shtetit.

Grupi i arratisur dje, ka tentuar ta bëjë të njëjtën gjë edhe në vitin 2012. Mirëpo falë punës profesionale të institucioneve të policisë dhe të inteligjencës, këta të dënuar nuk ia dolën dot të iknin nga burgu.

Megjithatë, u morën masat ndaj përgjegjësve që nuk kishin treguar vigjilencën e duhur për të kapur në kohë këtë tentativë. Ne 8 vitet e fundit janë ndërtuar me fonde te qeverise dhe BE, 11 burgje te reja, përfshi dhe burgun e Korçës, me standardet më të larta të sigurisë, siç tregohet në progres raportet e 4 viteve të fundit të Bashkimit Europian.

Ne dorëzuam një sistem burgjesh, më të sigurtin në rajon. Nga këto 11 burgje, për 8 vjet nuk pati ASNJË arratisje. Një sistem burgjesh që i bën qytetarët ta bëjnë gjumin të qetë.

Qytetarët europiane dhe ata shqiptarë, kanë paguar më shumë se 50 milionë Euro në 8 vjet për të ngritur sistemin e sigurt të burgjeve për jetën e tyre dhe familjeve të tyre.

Kështu funksiononte sistemi i mëparshëm i burgjeve dhe i policisë.

Jam krenar, thotë Ministri i Brendshëm. Për çfarë je krenar zoti Ministër, që qelitë e burgjeve furnizohen me armë? Që duke neglizhuar informacionet e oficerëve të policisë, vutë në rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë dhe sigurinë publike? Jeni krenar që 7 të dënuar kryesisht me burgim të përjetshëm, arrijnë të dalin lehtësisht nga burgu i sigurisë së lartë.

Për çfarë je krenar?

Që vure policinë e shtetit në një sprovë të panevojshme, thjesht për shkak të dështimit kapilar të sistemit të ri korruptiv që ju keni ngritur.

Për çfarë je krenar, se 3 të arratisur janë ende të lirë?

Drejtuesit e sotëm të burgjeve dhe të policisë janë të gjithë të emëruarit e rinj në këto poste nga kjo qeveri, dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët.

Dështimin e tyre, ministrat Tahiri dhe Naço nuk mund t’ia faturojnë askujt tjetër, përveç pazareve që kjo qeveri bën në administrimin e në menaxhimin e institucioneve.

Read More
05 Dhj
0

Arratisja nga burgu i Drenovës në Korçë, PD: Shteti ka rënë, po rritet kriminaliteti

Deklarata për media e koordinatores për media në Partinë Demokratike Silvi Bardhi:

Shteti shqiptar ka rënë dje dy herë në harkun e një ore, teksa qeveria shtrohet në gosti nëpër resorte luksoze të Tiranës.

7 persona të dënuar me burgim të përjetshëm arrijnë të dalin të armatosur nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Kjo është rënia e parë e shtetit.

Rreth një orë më vonë, të arratisurit arrijnë të çajnë me forcë një postbllok të policisë të ngritur në Pogradec enkas për ndalimin e tyre. Dhe ky është rrëzimi i dytë i shtetit.

Ndërkohë, qeveria përhap panik duke i thënë qytetarëve të bëjnë kujdes se personat janë të rrezikshëm dhe të armatosur.

Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo ngjarje e rëndë dhe ne konstatojmë se për fat të keq shteti ka pushuar së ekzistuari në dy raste dje, dhe pikërisht për funksionet më të rëndësishme për të cilat shteti ekziston, për sigurinë dhe rendit publik.

Kjo situatë e rënduar e pasigurisë dhe e vërshimit të krimit e dobësimit të shtetit në çdo drejtim vjen si rezultat i mënyrës së qeverisjes.

Filozofia e dyshes Rama-Meta është allishverishi, ndarja e tortës së përfitimeve, dhe kjo ka bërë zëvendësimin e profesionistëve në polici e kudo, me militantë të paaftë por besnikë të partisë dhe të shefave të tyre.

Për këtë qeveri, përfitimi dhe ndarja e tortës së pushtetit është shqetësimi kryesor, dhe kjo ka sjellë pasoja të dukshme në rritjen e kriminalitetit në vend, në rritjen e pasigurisë për qytetarët.

Rënia e institucioneve të zbatimit të ligjit, të policisë, të burgjeve, lidhet kryesisht me keqqeverisjen dhe me faktin se emërimet në detyrat dhe në postet kyçe janë bërë sipas llogarive financiare dhe elektorale.

Kjo është situata ideale për krimin, dhe situata më e keqe për qytetarët. Kjo është një qeveri ideale për krimin, dhe qeveria më e keqe për qytetarët dhe shtetin.

Read More
05 Dhj
0

Qindra mesazhe ngushëllimi, letra dhe telegrame për ndarjen nga jeta të z.Sokol Olldashi

Qindra mesazhe ngushëllimi, letra dhe telegrame për ndarjen e parakohshme nga jeta të një prej figurave kryesore të Partisë Demokratike, z.Sokol Olldashi, kanë mbërritur në adresën e Kryetarit të PD, Lulzim Basha. Ambasadorë të huaj të akredituar në Tiranë, përfaqësues të organizatave, të komuniteteve fetare e qytetarë të thjeshtë kanë shprehur dhimbjen e tyre dhe solidaritetin për ikjen tragjike nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike.

Kanë ardhur letra dhe mesazhe ngushëllimi nga ambasadori i Francës në Tiranë, ambasadori i Kuvajtit, ambasadori i Greqisë, ambasadori i Libisë, ambasada e Kosovës, ambasadori i Spanjës, ambasadori i Britanisë së Madhe, ambasadori palestinez, shoqata Vatra, Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, Partia për Veprim Demokratik në Preshevë, Kryetari i komunës së Gjakovës, Agjensia e Lajmeve Rugova Press, Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, monsinjor Rrok Mirdita, konsuj nderi e personalietete të tjerë të nderuar brenda dhe jashtë vendit.

Ndërkohë, shumë qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë vazhdojnë të vizitojnë selinë e PD për të shprehur ngushëllimet dhe për të lënë shënim në librin e kujtimit për z.Olldashi.

Partia Demokratike dhe Kryetari i saj Lulzim Basha janë të prekur nga solidariteti i shfaqur në mënyrë masive nga qytetarët dhe përfaqësuesit e vendeve mike dhe të organizatave të ndryshme, për humbjen e parakohshme të një prej figurave më të njohura të Partisë Demokratike, deputetit Sokol Olldashi, dhe falenderojnë të gjithë ata që u gjenden afër në këto momente të vështira.

Read More
05 Dhj
0

Fjala e kreut të PD-së Lulzim Basha, në ceremoninë e lamtumirës

Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:

Këtu ku sot jemi mbledhur, për ti dhënë përshëndetjen e fundit Sokol Olldashit, do të donim të mos vinim kurrë.

Në këtë humbje kaq tragjike dhe kaq të parakohshme, të gjesh fjalët e duhura për mikun, për shokun dhe liderin e shumë betejave politike dhe njerëzore, është shumë e vështirë.

Sepse sot, të gjithë së bashku, jemi duke jetuar një makth të tmerrshëm dhe të pabesueshëm.

Na duket sikur nga çasti në çast, do të zgjohemi nga ky makth dhe nga kjo gjëmë e papritur. Nuk na besohet dot të mos e shohim Sokolin gjithnjë  në këmbë, gjithnjë në  krye, me pamjen e tij të vendosur e të hijshme, me buzëqeshjen e tij të rrallë, ku çiltërsia rinore u kishte rezistuar për mrekulli viteve të  moshës së burrërisë dhe pjesëmarrjes së zjarrtë në sa e sa beteja politike.

Të dashur familjarë dhe të afërm të Sokolit, të nderuar miq dhe kolegë,

Si bashkëpunëtor, si koleg dhe si kryetar i Partisë Demokratike, e kam unë sot këtë barrë kaq të rëndë, që të përcjell bashkë me ju, me lotë dhe dhimbje dhe mundësisht edhe me fjalët e duhura, Kolin tonë të dashur.

Zoti na është dëshmitar që do të donim me gjithë forcën që njeriu ndryn në shpirt, që kjo e sotmja të mos ish një ditë e vërtetë.

Do të donim të mblidheshim sot, kaq shumë sa jemi mbledhur, për të festuar datëlindjen e tij, apo një gëzim tjetër familjar, gjithçka tjetër, vetëm e vetëm që të mos na nxjerrë goja të themi:

Se Sokolin nuk do ta kemi më midis nesh!

Sepse Sokoli, ashtu si edhe e ka emrin, ishte dhe është një luftëtar, një Sokol i paepur i shumë betejave, jo vetëm politike, por mbi të gjitha e në radhë të parë i betejave njerëzore. Për një Shqipëri më të mirë dhe për një Shqipëri ndryshe, europianiste, krenare dhe të çliruar nga prapambetja.

Sokoli shkëlqeu si gazetar politik e opozitar i paepur, ku për vite të tëra, ndër më të vështirat për Partinë Demokratike, ai çmontonte dhe denonconte intrigat politike që tkurreshin kundër nesh dhe u jepte kurajo radhëve tona.

Na jepte kurajo kur ishim në pakicë dhe kur forca të errta kërkonin me çdo kusht të na zhbënin si forcë politike e të mirës dhe si ndërtimtare të Shqipërisë europiane.

Sepse ai e dinte që në moshën 18-vjeçare si bashkënismëtar i lëvizjes së Dhjetorit, se misioni dhe roli i Partisë Demokratike, ishte një mision i madh, i patjetërsueshëm dhe i shenjtë.

Sokoli përjetoi një fëmijëri të trazuar për shkak të persekutimit absurd dhe kriminal që Diktatura i bëri familjes së tij.

Por jeta e tij shoqërore dhe politike, dëshmoi se ai e kish bërë një betim, një betim që e mbajti të gjithë jetën e tij:

Të luftonte për të drejtat demokratike të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, që askush më të mos persekutohej dhe të vuante si vuajti ai dhe familja e tij.

Dhe ne jemi sot këtu për të premtuar përmes dhimbjes dhe lotëve, se betimi yt Sokol, është edhe betimi ynë!

Për aq sa do të kemi frymë dhe jetë!

Sokoli nuk u nda kurrë nga ky rrugëtim me Partinë Demokratike, në ditë të këqija e në ditë të vështira. Me profilin, kurajën dhe vizionin e veçantë te liderit, me forcën dhe këmbënguljen e një burri me vullnet të madh, por me buzëqeshje të dlirë dhe të pastër rinore.

Shqiptarët e përqafuan këtë mirësi dhe forcë që buronte nga shpirti i tij, duke e votuar masivisht katër herë rresht për deputet të Kuvendit të Shqipërisë, si djalin dhe misionarin e tyre.

Në këtë dhimbje kaq të rëndë që na hape o miku dhe vëllai ynë, pasionant i poezisë, artit dhe muzikës, mjeshtër i fjalës dhe i debatit, parlamentar i dimensionit të guximit, ministër vullnethekurt, baba, bashkëshort, djalë dhe vëlla i pazëvendësueshëm, na krijove një brengë të pashërueshme.

Përulemi thellë në këtë trishtim dhe në këtë zymtësi të papërshkrueshme që vdekja jote na shkaktoi. Në këtë traumë të rëndë që mungesa jote na shkakton deri në kockë.

Por je dhe do të jesh gjithmonë për ne, impuls dhe forcë, një zë i dashur dhe një mik i përjetshëm, një deputet i shtrenjtë i popullit tonë, një djalë dhe një baba i pazëvendësueshëm.

Lamtumirë i dashur mik dhe vëlla.

U prehsh në paqe!
 

Read More
05 Dhj
0

Fjala e Astrit Patozit në përcjelljen e fundit të Sokol Olldashit

Të dashur familjarë dhe miq të Sokol Olldashit. Çfarë do që të bëjmë dhe çfarëdo që të themi ne sot, në këtë ditë  zie, do të ishin të pamjaftueshme për të nderuar dhe respektuar si duhet Sokolin. E unë, ndoshta më shumë se kushdo tjetër, e kam të vështirë të gjej fjalët. Sepse pata fatin e mirë, por edhe të keq, për shkak të kësaj gjëme, të jem një ndër miqtë e tij të afërt, për gati 20 vjet.
Sepse më kujtohet, që e kemi ndjellur këtë ditë, kur me shaka i kemi thënë njëri-tjetrit se çfarë do të shkruajmë në fjalimin e lamtumirës, kur Ai, që është lart, do të thërresë të parin prej nesh në radhë.
Dhe kjo ka ndodhur zakonisht pas ceremonive, kur në të shumtën e rasteve për të ndjerin thuren zinxhirë lëvdatash dhe ditirambesh. Kemi thënë jo pak here, reciprokisht, se do të coheshim nga varri, nëse dikush në fjalët e përcjelljes do të na fyente, duke na vënë mbi shpinë merita dhe atribute, që nuk i kishim patur dhe që nuk na takonin. Dhe ndonëse do të doja shumë që Sokoli të ngrihej, e kam të pamundur që të mos ia respektoj atij amanetin.
Që prej mbrëmjes së djeshme e derimë tani kam dashur të besoj se gjithçka ndodhi ishte një ëndërr, por në fakt e tillë duket se ka qenë jeta e shkurtër e Sokol Olldashit. E megjithatë ai u largua nga kjo botë më i realizuar dhe më i plotësuar se askush tjetër, pavarësisht se dha shumë më tepër, se sa mori, në jetën e tij, të prerë në mes. Kurrkush si ai nuk i jetoi me aq intensitet vitet e jetës së vet. Por ky është, gjithsesi, një ngushëllim fare i vogël për një humbje kaq të madhe.
Do të na mungojë të gjithëve, por mbi të gjitha familjes së tij të mrekullueshme, ndaj së cilës ndjehemi në faj, që i shkuam në shtëpi pa Sokolin. Kozeta, Kela, Glauku, Kleiti, Vangjeli, Sula, Ardi dhe Alda do të ndjehen gjithmonë krenarë për njeriun e tyre më të shtrenjtë, por asgjë nuk do mund t’ia zëvendësojë atyre burrin e shtëpisë.
Unë nuk dua të flas sot për Sokol Olldashin si politikan, jo se nuk kam gjë për të thënë. Përkundrazi. Por se çfarëdo vlerësimi që të kem, nuk do t’i shtoj ndonjë gjë të madhe asaj që ai vetë ndërtoi në këto vite karriere të vrullshme, ku la gjurmët e tij të pashlyeshme, kudo ku shkeli, kudo që foli, dhe kudo, ku veproi si shtetar i klasit të parë. Ato janë, gjthësesi, të njohura për secilin prej nesh, por edhe për cdo shqiptar tjetër, pavarësisht bindjeve poltiike.
Por kam shumë për të thënë për Sokol Olldashin njeri, për shokun tonë të paharruar. Sigurisht, që kam të pamundur të flas në emër të të gjithë miqve të tij të shumtë, të shpërndarë në cdo cep të kësaj Shqipërie. Sepse, unë jam thjesht vetëm njëri prej tyre.
Por besoj se kam edhe lejen e tij për të thënë se Sokol Olldashi nuk kishte asgjë heroike në qenien e vet. Asnjë grimcë patetizmi, ndonëse zanati ynë e kërkon, madje në disa raste me tepri, këtë dimension. Por kjo nuk e pengoi atë aspak të ishte njeri i vendimeve të forta dhe të drejta dhe këtu nuk kam parasysh vetëm karrierën politike. Kjo nuk e pengoi atë të ishte një adhurues dhe lëvrues pasionant i gjithçkaje të bukur, që ka krijuar mendja e njeriut. Muzika, poezia, piktura, filmi, libri në përgjithësi, ishin realisht mjedisi, ku ndjehej më mirë se kudo tjetër. Dhe jam shumë i sigurtë, se do të kishte arritur në të njëtat kuota dhe të njëjtat maja, në rast se do të kishte vendosur për t’u marrë me secilin prej pasioneve të tij, në këmbim të politikës.
Sokol Oldashi bënte shaka me vdekjen, dhe kjo u ndodh gjithmonë atyre, që e duan dhe e jetojnë në thellësi jetën. Edhe pse një mendje e mprehtë dhe përgjithësisht racionale, ai ishte, gjithashtu, me entuziasti midis nesh. Prej më shumë se 15 vjetësh evitonte në maksimum fluturimet me avion, duke besuar verbërisht se i sigurt ndjehesh vetëm me këmbë ose me rrota mbi tokë. Por ndonëse nuk ishte ndonjë fanatik i teknologjisë, luante me makinën dhe me shpejtësinë, njësoj si me tastierën e kitarës së vet. Duke e shndërruar, praktikisht, makinën në një avion të rrezikshëm. Ironia e fatit e deshi, që vdekja ta gjejë, pikërisht, në vendin, ku ai ndjehej më i mbrojtur, se kudo tjetër.
Do të na mungojë, jo thjesht humori i tij i papërsëritshëm, edhe në situatat më të rënda, por mbi të gjitha, sensi i optimizmit edhe në ditën më të zezë, edhe në kohën më të keqe. Dhe kjo është shenja e parë dhe më e qarta, që i dallon burrat e fortë nga njerëzit e zakonshëm.
Sokol Olldashi ishte një shqiptar i madh, dhe unë këtë e them me bindjen time më të thellë, edhe pse për këto fjalë asnjëherë nuk do ta merrja miratimin e ti. Në këtë botë dhe në atë tjetrën, ku po e përcjellim sot, me pikëllim. Por jo nga ai soj shqiptarësh, që mendojnë për ta shkruar me dorën e tyre historinë e vet. Dhe si i tillë hyri në histori.
Një përfaqësues brilant i brezit të vet, i pjekur shumë para kohe, edhe për shkak të një jete të vështirë, arriti ta provojë veten dhe t’ia dalë, duke mbajtur barra tepër të rënda në një moshë fare të re. Dhe ruajti të njëjtin ritëm dhe të njëjtin ekuilibër, që nga dita e parë, kur vendosi të marrë përsipër gjëra të mëdha. Dhe gjithçka e arriti vetë, pa marrë asnjë dhuratë Krishtlindjeje, që nga dita e parë, e deri mbrëmë, në çastin, kur u shua. Pa i hyrë në borxh askujt, por duke na bërë të gjithëve borxhlinj. Ndaj edhe me sa duket vendosi të ikë nga kjo botë i vetëm, edhe pse ishte personazhi, më me shumë miq, që unë kam njohur ndonjëherë.
Lamtumirë miku ynë i shtrenjtë! U prefsh në paqe Sokol Olldashi! I paharruar, kujtimi yt!

Read More
21 Nën
0

Kancelarja Gjermane Angela Merkel i dërgon letër kreut të PD z Lulzim Basha

Merkel: “Pres bashkëpunimin tuaj, për të garantuar paqen, sigurinë, prosperitetin e njerëzve dhe vendeve tona”

 I dashur kryetar,

Ju falënderoj për urimin me rastin e fitores së CDU, në zgjedhjet federale të 22 shtatorit 2013. Vlerësova shumë, fjalët tuaja të ngrohta.

Qeveria e ardhshme do të përballet me sfida të mëdha, përsa i përket politikës së brendshme dhe asaj të jashtme. Së bashku me miqtë tanë në Europë dhe kudo në botë, ne do të bëjmë më të mirën, për të garantuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin e njerëzve dhe vendeve tona.

Për këtë qëllim, unë shpresoj në mbështetjen tuaj dhe pres të vazhdojmë bashkëpunimin në të ardhmen, në kuadër të Partive Popullore Europiane.

 

 

Me respekt

Dr.Angela Merkel

Read More
21 Nën
0

PD: Qeveria tregohet arrogante me personat me aftësi të kufizuar

Deklarata e plotë e deputetes së PD, Jorida Tabaku:

Personat me aftësi të kufizuara dhe te papunët qe përfitojnë ndihmë ekonomike janë lënë ne mëshirë të fatit nga kjo qeveri.

Paaftësinë dhe indiferencën e saj mundohet çdo ditë ta fshehë me sulmet ndaj opozitës a thua se kjo qeveri erdhi ne pushtet vetëm për të rregulluar zyra.

Se fundi ne mënyre qesharake gënjen kur sulmon opozitën lidhur me fondet që ka lënë qeveria paraardhëse për këto kategori

Por faktet e tregojnë se deri më tani ka pasur papërgjegjshmëri totale në raport me personat në nevojë të cilët i përdorin vetëm kur i duhen për të bërë show-n e radhës mediatik.

Kjo administratë gjeti më shumë se 4 milionë dollarë të destinuara për të kryer këto pagesa. Nevojiteshin vetëm 2 ose 3 milionë dollarë për të mbuluar këtë zë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

 

Çfarë bëri qeveria?

 Me rishikimin që i bëri buxhetit, me borxhin prej 220 milionë dollarë që mori, harroi të parashikonte një pjesë krejt të vogël të kësaj shumë për të verbrit, paraplegjikët, tetraplegjikët apo për të papunët.

 Qeveria nuk harroi të akordonte fonde për shpenzimet e Kryeministrit, të ministrave, për udhëtime, dieta e rregullime zyrash.

 Por i doli nga mendja të jepte nga 220 milionë dollarë, vetëm 3 milionë për personat me aftësi të kufizuar dhe të papunët.

 Kjo është e vërteta, dhe ka të bëjë vetëm me papërgjegjshmërinë dhe arrogancën e kësaj qeverie. 

 Mungesa e ndjeshmërisë ndaj qytetarëve në nevojë nuk mbulohet dot me sulme të pabazë me gënjeshtra e me shpifje.

 Mijëra familje presin sot ketë pagesë ndaj i kërkojmë qeverisë të marrë menjëherë masa.

Read More
21 Nën
0

PD: Ministri nëpër Europë, krimi dhe pasiguria e jetës rritet në Shqipëri

Deklarata e plotë e Zëdhënëses së PD Laura Vorpsi:Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri po bën një udhëtim në Europë, ndërkohë që krimi dhe pasiguria për jetën po rriten në Shqipëri, ndërkohë që viktimat dhe humbja e jetës shtohen nga dita në ditë, ndërkohë që krimi i organizuar po lulëzon, ndërkohë që janë rishfaqur grabitjet e udhëtareve në rrugët e vendit.Ministri i Brendshëm viziton Europën, teksa Shqipëria po kthehet sërish në ditët e këqija, kur ishte në hartën e zezë të prodhimit dhe transitit të drogës.Ministri Tahiri i tregon ministrit të brendshëm francez për masat dhe sukseset e policisë shqiptare, kur në fakt realiteti është krejt ndryshe.

Dhe realiteti është ky;

Për shkak të largimeve masive nga detyra dhe pa asnjë motiv të profesionistëve të policisë, dhe zëvendësimit të tyre me militantë partiakë, për shkak të futjes së policisë së shtetit nën kontrollin e rreptë të Partisë Socialiste, janë dyfishuar dhe trefishuar vrasjet, vjedhjet, grabitjet, trafiku i drogës dhe aksidentet në vend.Pasiguria e jetës nuk ka qenë kaq e fortë sa në ditët e këtij ministri e të kësaj qeverie.Këtë duhet t’u thotë Ministri Tahiri ministrave që takon në Europë. Kjo është për fat të keq e vërteta e rendit sot në Shqipëri.

 

 

 

Read More
21 Nën
0

Basha:Bashkë me njerëzit e lirë do të vazhdojmë betejën për demokracinë, lirinë, shtetin ligjor dhe transparencën

18 Nëntor 2013 Fjala e plotë e kreut të opozitës Lulzim Basha mbajtur sot në mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar të PD: Të nderuar deputetë, Java që shkoi u mbyll me qëndrimin e njësuar të qytetarëve shqiptarë, të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi, të  miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe të  disa deputetëve të shumicës parlamentare për të  bërë të pamundur projektin e errët dhe plotësisht vetjak të Edi Ramës për armët kimike. Përballë këtij qëndrimi, Edi Rama u detyrua të hiqte dorë nga ëndrra e tij për përfitime ngushtësisht personale me trajtimin e territorit të vendit si pronë, nga konsiderimi i njerëzve të lirë të këtij vendi si vegla qorre që duhet të pranojnë  në mënyrë të verbër arbitraritetin si mënyra e tij e të menduarit e të drejtuarit në  demokraci. Ky mentalitet thellësisht antidemokratik i kohës së shkuar, që zoti Rama ka tentuar dhe vazhdon të tentojë, të diktojë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, mori përgjigjen më të  merituar. Kjo është një fitore e madhe e demokracisë, është një fitore e paçmuar e shoqërisë. E thashë të premten dhe dëshiroj ta përsëris sërish sot me krenari, se punën e madhe e bëri populli i bashkuar pa dallime politike,  e bëri rinia, si forcë, si shpresë, si ëndërr dhe aspiratë  demokratike e shëndetshme moderne dhe europiane. Me këtë rast dua të shpreh edhe një herë, edhe në emrin tuaj, mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin më të madh të gjithë të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës dhe ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike. Si forcë politike, si opozita e vendit, kemi kënaqësinë të pohojmë sot se ishim në anën e duhur në këtë zhvillim historik,  në anën e vlerave të demokracisë perëndimore euroamerikane, në anën e historisë  sonë politike si parti e lirisë, në anën e transparencës, në anën e së drejtës së qytetarëve për tu pyetur e për të vendosur për çështje madhore të jetës dhe dinjitetit të tyre. Ne bëmë detyrën tonë  politike dhe institucionale. Dua t’ju falënderoj dhe t’ju përgëzoj të gjithëve për qëndrimet që keni mbajtur për këtë çështjen në aulën e Kuvendit dhe në aula të tjera të  politik-bërjes dhe komunikimit me publikun. Duke u mbyllur në heshtjen e tij, në kulisat e tij dhe në të ashtuquajturin ” sekret” të tij për armët kimike, – sekret te cilin ai po e mbante vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë, “sekret” që ndërkohë  po rridhte ne të gjitha mediat e botës, – Edi Rama kishte për qëllim ta zinte vendin para faktit të kryer, gjë që do ta kishte ndërlikuar me tej zgjidhjen e problemit. Qëndrimet tona si opozitë e bënë akoma më të pamundur qëllimin në fjalë. I mbeti një shans: dalja me transparencë nga afera e errët që kurdisi vetë, duke reflektuar mbi gabimet e tij trashanike mbi sjelljen e tij jo si politikan i përgjegjshëm, jo si socialist europian, jo si burrë shteti në gjithë procesin e menaxhimit politik, publik dhe diplomatik të çështjes. E pamë të gjithë si doli. I prishur në fytyrë,  duke shfryrë e duke sharë më një gjuhë të çakërdisur opozitën, median e lirë, të parë e të mbramë, që i prenë  ëndrrën, që nuk i mbajtën ison. I vetmi i tejkaluar sot nga qytetarët shqiptarë, përfshirë votuesit e ti, është ky kryeministër. Tejkaluar jo vetëm me aferën që deshi të  bënte në  vendin e tij pa vendin e tij, por edhe me tërheqjen e pasinqertë në të gjitha aspektet, tërheqje e një mashtruesi që  nuk ka kuptuar se demokracia është  një sistem ku gënjeshtra, paligjshmëria, arroganca dhe arbitrariteti bëjnë  menjëherë  masë  me gjithë ngrehinën e vlerave të saj, vlera të cilat ky kryeministër nuk i njeh. Ai është sot problemi, ai është e vjetra, madje shumë e vjetra e në këtë vend. E kemi treguar me fakte gjatë gjithë  këtyre javëve, duke denoncuar në vijimësi paligjshmërinë dhe arbitraritetin e tij. E reja sot është kjo: kryeministri që ne njohim,  u bë i njohur si i tillë edhe para miqve dhe partnerëve tanë  ndërkombëtarë.
  
Në vorbullën e gënjeshtrave dhe kundërthënieve ku hyri dhe mbeti me pasinqeritetin, megalomaninë dhe amatorizmin e tij,  tani po përpiqet me veglat e tij qorre të akuzojë opozitën dhe median e lirë  si antiamerikane! Nuk kishte asgjë më amerikane në Shqipëri këto dy javët e fundit, sesa protesta e të rinjve. Amerikane ishte rezistenca e tyre dhe kërkesa për llogaridhënie ndaj qeverisë. Amerikane ishte qëndrimi i opozitës që nuk lejoi talljen në parlament të mazhorancës dhe vendosi që kauza e qytetarëve të ishte çështja e ditës. Amerikane ishte qëndrimi i medias dhe i shoqërisë civile që me profesionalizëm dhe përkushtim pasqyruan ngjarjen nga fillimi deri në fund. Vetëm mendja e tij mund të guxojë të ndërtojë  antiamerikanizëm me vlerat e vetë demokracisë amerikane. Vetëm mendja e tij alogjike gjen armiq, kur në një anë del e thotë  nuk kemi kapacitete për t’i marrë  lëndët kimike, në anën tjetër kërkon fajtorë te protestuesit, te opozita, te media e lirë. Me arbitraritetin e tij si kryeministër, Edi Rama e ka fyer miqësinë  e vjetër e të thellë të  vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk e ka cënuar, nuk e ka dëmtuar e s’mund ta dëmtojë. Askush nuk ka forcë ta bëjë ketë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mbështetura në vlerat e   bashkëndashme të demokracisë  dhe kauzës për një botë më të sigurtë e më në paqe, ku ne luajmë e do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë. Shqipëria është e do të mbetet vendi më proamerikan në Europë dhe kjo është  vendosur në shpirtin e lirë, në shpirtin mirënjohës të  një kombi të tërë. Të  nderuar deputetë,
Besoj se ndani me mua mendimin se pas zhvillimeve historike të  dy javëve të  fundit, Shqipëria nuk është ajo që ka qenë, Shqipëria ka ndryshuar për mirë.
Ne të gjithë  e kemi detyrë  të thellohemi për të kuptuar më mirë këtë Shqipëri të re të njerëzve të lirë, të cilët i kemi konsideruar gjithnjë fibra e demokracisë dhe zhvillimit. Kemi pasur besim e shpresë, por tani kemi sigurinë se me njerëzit e lirë dhe me shoqërinë e lirë  e të angazhuar shqiptare, me rininë që pamë të protestonte anembanë vendit,  do të gjejmë zgjidhjet e duhura për të çliruar ligjin nga paligjshmëria, për të çliruar zgjedhjet nga blerja e votës, për të çliruar vendimmarrjen nga arbitrariteti, për të çliruar demokracinë dhe shtetin ligjor nga mafia politike dhe ekonomike që synon t’i marrë peng ato. Shqipërisë i ndriti sërish fati me rininë e saj të mrekullueshme që nuk doli aspak siç e akuzon Rama si analfabete funksionale por na dha të gjithëve leksione demokracie.  As krimi, as mafia, as paratë e pista, as dhuna, asgjë nuk kanë të ardhme përballë  forcës së rinisë, forcës së bukurisë, forcës së arsyes dhe ëndrrës së njerëzve të lirë për një  Shqipëri të zhvilluar, demokratike, moderne dhe europiane. Ne kemi krenarinë se si forcë politike ishim sërish në anën e duhur të historisë,  promotorë  të lëvizjes popullore për transparencë,  respekt, dinjitet, ligjshmëri.
Do të  vazhdojmë  në këtë rrugë, me energji të reja, me ide të reja, me mendje akoma më të hapur. Do të  vazhdojmë betejën e nisur kundër vjedhjes dhe blerjes së votave në Korçë, si eksperimenti kobzi i kësaj shumice për blerjen e votave në shkallë vendi nesër. Të gjitha të këqijat e qeverisë  Rama-Meta burojnë nga kon
cepti që ajo ka për votën si mall për t’u blerë. Tani e kemi me të lehtë ta çojmë përpara e ta përhapim këtë bindje dhe kemi besim se do të gjejmë një mbështetje të plotë nga masa e gjerë e rinisë  shqiptare, nga masa e madhe e njerëzve të  lirë, që kanë bërë të tyren lumturisht një sentencë  të shkruar në  shumë  tempuj të demokracisë  evropiane dhe amerikane,  “kundërshtoni shumë dhe binduni pak”. 
Ne si opozitë do të vazhdojmë detyrat tona kushtetuese për t’u përballur dhe për të zmbrapsur revanshin partiak që ka nisur e po intensifikohet, kundër shteti ligjor, institucioneve te pavarura,  policisë së shtetit, administratës publike e mbi të gjitha kundër lirive dhe garancive themelore të kësaj Republike për të drejtat më themelore të qytetarëve të saj. Do të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona për të çuar përpara   marrjes së statusit dhe hapjes se negociatave për anëtarësimin vendit në Europë, angazhimet e anëtarësisë në NATO, bashkëpunimin e ngushtë me SHBA dhe vendet mike. Do të tregojmë, siç kemi premtuar edhe kapacitetet tona si opozitë alternative, duke filluar me buxhetin e ri të shtetit.

Do të vazhdojmë betejën tonë pa kompromis për shtetin ligjor, për liritë, për transparencën, duke u përballur orë për orë me problemin ” Rama” që ishte dhe nuk është më  thjesht kundërshtari ynë i majtë- me të cilin do të ishim të lumtur të përballeshim për ide dhe zgjidhje alternative- por ishte, është dhe mbetet një Kryeministër që ka hyrë në papajtueshmëri me shtetin ligjor, me parimet dhe vlerat e demokracisë. Do ta vazhdojmë këtë betejë pa kompromis. Në Kuvend, në dialog me qytetarët, në çdo hapësirë reale dhe virtuale. Ditë për ditë. 

Read More
21 Nën
0

Basha: JO-ja e mekur e Ramës, fitore e shoqërisë së lirë

Fjala e plotë e kreut të opozitës Lulzim Basha në selinë e Partisë Demokratike pas reagimit të Kryeministrit për armët kimike:

15 nëntor 2013 Të nderuar zonja dhe zotërinj! Të rinj dhe të reja, të dashur bashkëqytetarë! Pak minuta më përpara i gjithë populli shqiptar i dha fund ankthit dhe alarmit   të vet shumëditor,  duke e detyruar Edi Ramën të bashkojë  “jo”në e tij të mekur me “Jo”-në e fuqishme mbarë popullore për marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë ne territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një fitore e madhe e shoqërisë së lirë shqiptare,  që mori në dorë fatin e saj,  kur kryeministri i vendit tentoi të luante me të për interesa dhe përfitime ngushtësisht personale,  një fitore që dekretoi fuqinë e saj sovrane në sheshet e protestave masive si në çdo demokraci të pjekur, të denjë për familjen e kombeve të lira ku kemi zgjedhur e jemi të vendosur të bëjmë pjesë. Partia Demokratike dhe mbarë opozita politike shqiptare ndihen pjesë e gëzimit të ligjshëm mbarë popullor jo vetëm se ndan me bashkëqytetarët e saj të lirë të këtij vendi kuptimin për vlerat e përgjegjësisë, llogaridhënies dhe transparencës në demokraci, por edhe sepse ishte pa asnjë ekuivok në krahun e qytetarëve dhe bëri detyrat e saj si opozitë parlamentare për të demaskuar e penguar gënjeshtrat, mashtrimet dhe papërgjegjshmërinë  flagrante të kryeministrit,  duke depozituar zyrtarisht kërkesën për referendum popullor për armët kimike. Thënë këtë, dua ta përsëris me krenari se punën e madhe e bëri populli i bashkuar pa dallime politike, e bëri rinia, rinia si forcë, rinia si shpresë, rinia si ëndërr dhe aspiratë  demokratike e shëndetshme, europiane e moderne. Si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës së vendit, por edhe si qytetar e si prind, u shpreh mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin tim gjithë të rinjve e të rejave, gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës, e ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike. Një problem i madh u zgjidh sot, por një problem tjetër i madh ka dalë tani në dritë të diellit për gjithë shqiptarët. Ky është problemi “Edi Rama”. Edi Rama e kurdisi me megalomaninë dhe papërgjegjshmërinë e tij skandalin dhe turpin e armëve kimike.
Edi Rama u ofrua për çështjen e armëve kimike, por jo si kryeministri serioz i një vendi serioz që dëshiron të kontribuojë, siç ka kontribuar prej vitesh për paqen dhe sigurinë në botë; jo si miku dhe partneri i mirë  që dëshiron të ndihmojë me mundësitë që ka vendi në kuadrin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ofrua si hileqar dhe pazarxhi për interesa dhe përfitime meskine të vetat. U ofrua si çifligar, duke mos u kujtuar se Shqipëria nuk është çifligu i tij, nuk është prona e tij private me të  cilën mund të bëjë çfarë t’i dojë qejfi. Po të ishte kujtuar se Shqipëria është një vend i lirë me njerëz të lirë,  do të ishte treguar serioz me aleatët, duke ju ofruar për çështjen madhore dhe shumë të ndjeshme të  asgjësimit   të armëve kimike vetëm aq sa mund të bënte vendi, do të ishte konsultuar me Presidentin e Republikës, do të ishte konsultuar, pse jo, me opozitën e vendit, me Kuvendin, me aleatët e tij, me grupet e interesit nga shoqëria civile, pa qenë  nevoja të fuste në siklet dhe më keq se në siklet aleatin tanë me garancitë e tij arbitrare, që në fakt ishin mashtrimet e tij. Nuk u konsultua me kërkënd në Shqipëri, nuk bëri transparencë më  kërkënd në Shqipëri. E mbajti për vete për ta kapitalizuar për vete këtë çështje kaq të rëndësishme. Shpresonte të fitonte me armët kimike kapitalin politik që po humb me shpejtësi në Shqipëri me paligjshmerinë  dhe arbitraritetin e tij të përditshëm. E gënjeu mendja për shumë gjëra, duke harruar se vetë ndërtesa madhështore e demokracisë amerikane është ngritur mbi vlerat e përgjegjësisë  dhe transparencës me publikun. Edi Rama gënjeu në fillim publikun se amët kimike ishin një çështje e NATO-s. Edi Rama gënjeu protestuesit. Edi Rama gënjeu aleatin tonë strategjik. Në fund, falë barrikadave shpirtërore e mendore që u ngritën nga të  katër anët në Shqipëri e jashtë saj kundër aventurizmit të tij, Edi Rama mbeti i vetëm në rrethin e gënjeshtrave të tij, i pabesueshëm për publikun shqiptar, i pabesueshëm edhe prej partnerëve tanë.  Dështimin e tij të dyfishtë, fiaskon e tij të pashembullt, Edi Rama nuk e fsheh dot as me “jo”-në e mekur kur s’kishte rrugë tjetër dhe as me akuzat dhe sulmet e mjera kundër Partisë  Demokratike dhe opozitës shqiptare. Sot, në vend që t’u kërkojë ndjesë mbarë shqiptarëve që i mashtroi dhe u prishi gjakun dhjetë ditë më radhë, në vend që t’i kërkojë ndjesë aleatit tonë të madh për papërgjegjshmërinë me të cilën e llangosi këtë çështje kaq të ndjeshme për ta dhe për mbarë botën e lirë ka kurajon të merret me sportin e tij pervers të  sulmeve ndaj opozitës. Ka kurajon t’i konsiderojë shqiptarët përshirë  votuesit e tij të deridjeshëm vegla qorre, ashtu siç i ka trajtuar qëkurse ka hyrë në  zyrën e kryeministrit dhe ashtu siç i trajtoi gjatë gjithë ditëve të protestave kundër armëve kimike. E ndërsa kurseu me hipokrizi dhe servilizëm tipik të gjithë ata deputetë të Partisë Socialiste që këto 24 orë ju bindën zërit të arsyes dhe jo logjikës së mashtrimit, ai ju përvesh me gjuhën dhe zakonet e një satrapi oriental mediave të lira, ekspertëve dhe zërave të pavarur të shoqërisë civile e çdo faktori tjetër që ngriti zërin e argumentit, duke u rrekur si përherë ta projektonte përgjegjësinë kudo tjetër përveçse tek vetja e tij. E ka kot. Edi Rama ka cënuar besimin rëndë e qytetarëve. Ka cënuar besimin e SHBA. Ai është përgjegjësi i vetëm dhe ekskluziv i kësaj ndodhie të pakëndshme me SHBA.
Për Partinë  Demokratike, që  ka lindur si parti e vlerave të lirisë dhe orientimit euroatlantik të  Shqipërisë, marrëdhëniet me SHBA kanë qenë janë e do të jenë marrëdhënie kyçe të dorës së  parë në të gjitha drejtimet.
E kemi dëshmuar në qeveri, e dëshmojmë e do ta vazhdojmë ta dëshmojmë në opozitë. Qeveria e Partisë Demokratike ka bashkëpunuar si aleate e ngushtë me SHBA për një varg çështjesh me rëndësi të veçantë për paqen dhe sigurinë globale, duke ofruar gatishmërinë dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Nga Iraku në Afganistan, nga kontributi për çështjen e ndjeshme të Guantanamos, tek marrja e përgjegjësive të plota për të zgjidhur problemin e MEK të cilin vetëm dje Rama e sulmoi me gojën e një shpifësi serial në kabinetin qeveritar, e shumë, e shumë çështje të karakterit politik dhe sigurisë. Ndryshe nga kryeministri i mekur e gojështhurur sonte, aleatët tanë e njohin shumë mirë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë nën drejtimin tonë. Qytetarët shqiptarë i kanë dëgjuar vlerësimet për Shqipërinë aleate e palëkundur e SHBA nga deklaratat e njëpasnjëshme të Presidentëve George Bush dhe Barak Obama, të sekretareve të shtetit Condoleeza Rice dhe Hillary Clinton, e dhjetëra zyrtarëve të lartë të mikut tonë të madh. Ky bashkëpunim i sinqertë dhe serioz nuk është prekur në asnjë rast të vetëm nga hija më e vogël e interesave dhe përfitimeve personale të njërit apo tjetrit politikan, por ka patur në themel dhe në princip interesat e ndërsjellta të dy vendeve, mike dhe aleate. Sot në opozitë në ndjemë detyrimin të  vazhdojmë të japin të njëjtin kontribut, me të njëjtin përkushtim, në radhë të
parë  duke shërbyer si mbrojtës dhe promovues të vlerave të demokracisë perëndimore në vend, ku transparenca, llogaridhënia dhe konsultimi i qeverisë me publikun janë sa elementare, aq edhe jetike. Busulla e PD-së ka qenë dhe është Shqipëria euroatlantike, Shqipëria europiane, në miqësi të ngushtë e të pandashme me aleatin tonë strategjik SHBA. Kjo është dhe do të mbetet e pandryshueshme jo vetëm se ky është  vizioni ynë, por edhe sepse është vullneti i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që nga viti 1990 e këndej. Çdo spekulim në këtë aspekt pritet me keqardhje dhe përçmim nga ana jonë. Partia Demokratike thekson se kryeministri gënjeshtar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë të papërgjegjshmërisë së tij. Partia Demokratike do të vazhdojë te kërkojë transparencë për gjithë këtë histori. Si nisi dhe si u fry mashtrimi i Kryeministrit qe ju kushtoi ditë e net të tëra ankthi shqiptarëve, që ndikoi keqazi në dëmtimin e imazhit te vendit tonë, që vuri në pozitat më të papërgjegjshme vendin tonë karshi aleatëve tanë strategjikë. Fitorja e sotme është një atribut i mbarë popullit e në veçanti i rinisë shqiptare. Por beteja me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe arrogancën e pushtetit vazhdon në qindra fronte të vegjël e të mëdhenj brenda shtëpisë sonë të përbashkët.  Për ta dhe me ta, ne do të vazhdojmë këtë betejë në çdo hapësirë institucionale, ligjore dhe qytetare. Për ta dhe me ta, do ta fitojmë.  

Read More