Të nderuar deputetë,
Java që shkoi u mbyll me qëndrimin e njësuar të qytetarëve shqiptarë, të Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi, të miqve e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe të disa deputetëve të shumicës parlamentare për të bërë të pamundur projektin e errët dhe plotësisht vetjak të Edi Ramës për armët kimike. Përballë këtij qëndrimi, Edi Rama u detyrua të hiqte dorë nga ëndrra e tij për përfitime ngushtësisht personale me trajtimin e territorit të vendit si pronë, nga konsiderimi i njerëzve të lirë të këtij vendi si vegla qorre që duhet të pranojnë në mënyrë të verbër arbitraritetin si mënyra e tij e të menduarit e të drejtuarit në demokraci. Ky mentalitet thellësisht antidemokratik i kohës së shkuar, që zoti Rama ka tentuar dhe vazhdon të tentojë, të diktojë të tashmes dhe të ardhmes së vendit, mori përgjigjen më të merituar. Kjo është një fitore e madhe e demokracisë, është një fitore e paçmuar e shoqërisë. E thashë të premten dhe dëshiroj ta përsëris sërish sot me krenari, se punën e madhe e bëri populli i bashkuar pa dallime politike, e bëri rinia, si forcë, si shpresë, si ëndërr dhe aspiratë demokratike e shëndetshme moderne dhe europiane. Me këtë rast dua të shpreh edhe një herë, edhe në emrin tuaj, mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin më të madh të gjithë të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës dhe ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike. Si forcë politike, si opozita e vendit, kemi kënaqësinë të pohojmë sot se ishim në anën e duhur në këtë zhvillim historik, në anën e vlerave të demokracisë perëndimore euroamerikane, në anën e historisë sonë politike si parti e lirisë, në anën e transparencës, në anën e së drejtës së qytetarëve për tu pyetur e për të vendosur për çështje madhore të jetës dhe dinjitetit të tyre. Ne bëmë detyrën tonë politike dhe institucionale. Dua t’ju falënderoj dhe t’ju përgëzoj të gjithëve për qëndrimet që keni mbajtur për këtë çështjen në aulën e Kuvendit dhe në aula të tjera të politik-bërjes dhe komunikimit me publikun. Duke u mbyllur në heshtjen e tij, në kulisat e tij dhe në të ashtuquajturin ” sekret” të tij për armët kimike, – sekret te cilin ai po e mbante vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë, “sekret” që ndërkohë po rridhte ne të gjitha mediat e botës, – Edi Rama kishte për qëllim ta zinte vendin para faktit të kryer, gjë që do ta kishte ndërlikuar me tej zgjidhjen e problemit. Qëndrimet tona si opozitë e bënë akoma më të pamundur qëllimin në fjalë. I mbeti një shans: dalja me transparencë nga afera e errët që kurdisi vetë, duke reflektuar mbi gabimet e tij trashanike mbi sjelljen e tij jo si politikan i përgjegjshëm, jo si socialist europian, jo si burrë shteti në gjithë procesin e menaxhimit politik, publik dhe diplomatik të çështjes. E pamë të gjithë si doli. I prishur në fytyrë, duke shfryrë e duke sharë më një gjuhë të çakërdisur opozitën, median e lirë, të parë e të mbramë, që i prenë ëndrrën, që nuk i mbajtën ison. I vetmi i tejkaluar sot nga qytetarët shqiptarë, përfshirë votuesit e ti, është ky kryeministër. Tejkaluar jo vetëm me aferën që deshi të bënte në vendin e tij pa vendin e tij, por edhe me tërheqjen e pasinqertë në të gjitha aspektet, tërheqje e një mashtruesi që nuk ka kuptuar se demokracia është një sistem ku gënjeshtra, paligjshmëria, arroganca dhe arbitrariteti bëjnë menjëherë masë me gjithë ngrehinën e vlerave të saj, vlera të cilat ky kryeministër nuk i njeh. Ai është sot problemi, ai është e vjetra, madje shumë e vjetra e në këtë vend. E kemi treguar me fakte gjatë gjithë këtyre javëve, duke denoncuar në vijimësi paligjshmërinë dhe arbitraritetin e tij. E reja sot është kjo: kryeministri që ne njohim, u bë i njohur si i tillë edhe para miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Në vorbullën e gënjeshtrave dhe kundërthënieve ku hyri dhe mbeti me pasinqeritetin, megalomaninë dhe amatorizmin e tij, tani po përpiqet me veglat e tij qorre të akuzojë opozitën dhe median e lirë si antiamerikane! Nuk kishte asgjë më amerikane në Shqipëri këto dy javët e fundit, sesa protesta e të rinjve. Amerikane ishte rezistenca e tyre dhe kërkesa për llogaridhënie ndaj qeverisë. Amerikane ishte qëndrimi i opozitës që nuk lejoi talljen në parlament të mazhorancës dhe vendosi që kauza e qytetarëve të ishte çështja e ditës. Amerikane ishte qëndrimi i medias dhe i shoqërisë civile që me profesionalizëm dhe përkushtim pasqyruan ngjarjen nga fillimi deri në fund. Vetëm mendja e tij mund të guxojë të ndërtojë antiamerikanizëm me vlerat e vetë demokracisë amerikane. Vetëm mendja e tij alogjike gjen armiq, kur në një anë del e thotë nuk kemi kapacitete për t’i marrë lëndët kimike, në anën tjetër kërkon fajtorë te protestuesit, te opozita, te media e lirë. Me arbitraritetin e tij si kryeministër, Edi Rama e ka fyer miqësinë e vjetër e të thellë të vendit tonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk e ka cënuar, nuk e ka dëmtuar e s’mund ta dëmtojë. Askush nuk ka forcë ta bëjë ketë. Marrëdhëniet e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të mbështetura në vlerat e bashkëndashme të demokracisë dhe kauzës për një botë më të sigurtë e më në paqe, ku ne luajmë e do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë. Shqipëria është e do të mbetet vendi më proamerikan në Europë dhe kjo është vendosur në shpirtin e lirë, në shpirtin mirënjohës të një kombi të tërë. Të nderuar deputetë,
Besoj se ndani me mua mendimin se pas zhvillimeve historike të dy javëve të fundit, Shqipëria nuk është ajo që ka qenë, Shqipëria ka ndryshuar për mirë.
Ne të gjithë e kemi detyrë të thellohemi për të kuptuar më mirë këtë Shqipëri të re të njerëzve të lirë, të cilët i kemi konsideruar gjithnjë fibra e demokracisë dhe zhvillimit. Kemi pasur besim e shpresë, por tani kemi sigurinë se me njerëzit e lirë dhe me shoqërinë e lirë e të angazhuar shqiptare, me rininë që pamë të protestonte anembanë vendit, do të gjejmë zgjidhjet e duhura për të çliruar ligjin nga paligjshmëria, për të çliruar zgjedhjet nga blerja e votës, për të çliruar vendimmarrjen nga arbitrariteti, për të çliruar demokracinë dhe shtetin ligjor nga mafia politike dhe ekonomike që synon t’i marrë peng ato. Shqipërisë i ndriti sërish fati me rininë e saj të mrekullueshme që nuk doli aspak siç e akuzon Rama si analfabete funksionale por na dha të gjithëve leksione demokracie. As krimi, as mafia, as paratë e pista, as dhuna, asgjë nuk kanë të ardhme përballë forcës së rinisë, forcës së bukurisë, forcës së arsyes dhe ëndrrës së njerëzve të lirë për një Shqipëri të zhvilluar, demokratike, moderne dhe europiane. Ne kemi krenarinë se si forcë politike ishim sërish në anën e duhur të historisë, promotorë të lëvizjes popullore për transparencë, respekt, dinjitet, ligjshmëri.
Do të vazhdojmë në këtë rrugë, me energji të reja, me ide të reja, me mendje akoma më të hapur. Do të vazhdojmë betejën e nisur kundër vjedhjes dhe blerjes së votave në Korçë, si eksperimenti kobzi i kësaj shumice për blerjen e votave në shkallë vendi nesër. Të gjitha të këqijat e qeverisë Rama-Meta burojnë nga koncepti që ajo ka për votën si mall për t’u blerë. Tani e kemi me të lehtë ta çojmë përpara e ta përhapim këtë bindje dhe kemi besim se do të gjejmë një mbështetje të plotë nga masa e gjerë e rinisë shqiptare, nga masa e madhe e njerëzve të lirë, që kanë bërë të tyren lumturisht një sentencë të shkruar në shumë tempuj të demokracisë evropiane dhe amerikane, “kundërshtoni shumë dhe binduni pak”.
Ne si opozitë do të vazhdojmë detyrat tona kushtetuese për t’u përballur dhe për të zmbrapsur revanshin partiak që ka nisur e po intensifikohet, kundër shteti ligjor, institucioneve te pavarura, policisë së shtetit, administratës publike e mbi të gjitha kundër lirive dhe garancive themelore të kësaj Republike për të drejtat më themelore të qytetarëve të saj. Do të vazhdojmë të bëjmë detyrat tona për të çuar përpara marrjes së statusit dhe hapjes se negociatave për anëtarësimin vendit në Europë, angazhimet e anëtarësisë në NATO, bashkëpunimin e ngushtë me SHBA dhe vendet mike. Do të tregojmë, siç kemi premtuar edhe kapacitetet tona si opozitë alternative, duke filluar me buxhetin e ri të shtetit.
Do të vazhdojmë betejën tonë pa kompromis për shtetin ligjor, për liritë, për transparencën, duke u përballur orë për orë me problemin ” Rama” që ishte dhe nuk është më thjesht kundërshtari ynë i majtë- me të cilin do të ishim të lumtur të përballeshim për ide dhe zgjidhje alternative- por ishte, është dhe mbetet një Kryeministër që ka hyrë në papajtueshmëri me shtetin ligjor, me parimet dhe vlerat e demokracisë. Do ta vazhdojmë këtë betejë pa kompromis. Në Kuvend, në dialog me qytetarët, në çdo hapësirë reale dhe virtuale. Ditë për ditë.
Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 8 Nëntor 2013
Read More