Fjala e plotë e kreut të opozitës Lulzim Basha në selinë e Partisë Demokratike pas reagimit të Kryeministrit për armët kimike:
15 nëntor 2013 Të nderuar zonja dhe zotërinj! Të rinj dhe të reja, të dashur bashkëqytetarë! Pak minuta më përpara i gjithë populli shqiptar i dha fund ankthit dhe alarmit të vet shumëditor, duke e detyruar Edi Ramën të bashkojë “jo”në e tij të mekur me “Jo”-në e fuqishme mbarë popullore për marrjen dhe asgjësimin e armëve kimike të Sirisë ne territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo është një fitore e madhe e shoqërisë së lirë shqiptare, që mori në dorë fatin e saj, kur kryeministri i vendit tentoi të luante me të për interesa dhe përfitime ngushtësisht personale, një fitore që dekretoi fuqinë e saj sovrane në sheshet e protestave masive si në çdo demokraci të pjekur, të denjë për familjen e kombeve të lira ku kemi zgjedhur e jemi të vendosur të bëjmë pjesë. Partia Demokratike dhe mbarë opozita politike shqiptare ndihen pjesë e gëzimit të ligjshëm mbarë popullor jo vetëm se ndan me bashkëqytetarët e saj të lirë të këtij vendi kuptimin për vlerat e përgjegjësisë, llogaridhënies dhe transparencës në demokraci, por edhe sepse ishte pa asnjë ekuivok në krahun e qytetarëve dhe bëri detyrat e saj si opozitë parlamentare për të demaskuar e penguar gënjeshtrat, mashtrimet dhe papërgjegjshmërinë flagrante të kryeministrit, duke depozituar zyrtarisht kërkesën për referendum popullor për armët kimike. Thënë këtë, dua ta përsëris me krenari se punën e madhe e bëri populli i bashkuar pa dallime politike, e bëri rinia, rinia si forcë, rinia si shpresë, rinia si ëndërr dhe aspiratë demokratike e shëndetshme, europiane e moderne. Si kryetar i Partisë Demokratike dhe opozitës së vendit, por edhe si qytetar e si prind, u shpreh mirënjohjen, falënderimin dhe admirimin tim gjithë të rinjve e të rejave, gjithë qytetarëve shqiptarë që u bënë barrikadë e pakapërcyeshme e aventurës, e ëndrrës së keqe të kryeministrit me armët kimike. Një problem i madh u zgjidh sot, por një problem tjetër i madh ka dalë tani në dritë të diellit për gjithë shqiptarët. Ky është problemi “Edi Rama”. Edi Rama e kurdisi me megalomaninë dhe papërgjegjshmërinë e tij skandalin dhe turpin e armëve kimike.
Edi Rama u ofrua për çështjen e armëve kimike, por jo si kryeministri serioz i një vendi serioz që dëshiron të kontribuojë, siç ka kontribuar prej vitesh për paqen dhe sigurinë në botë; jo si miku dhe partneri i mirë që dëshiron të ndihmojë me mundësitë që ka vendi në kuadrin e marrëdhënieve të shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U ofrua si hileqar dhe pazarxhi për interesa dhe përfitime meskine të vetat. U ofrua si çifligar, duke mos u kujtuar se Shqipëria nuk është çifligu i tij, nuk është prona e tij private me të cilën mund të bëjë çfarë t’i dojë qejfi. Po të ishte kujtuar se Shqipëria është një vend i lirë me njerëz të lirë, do të ishte treguar serioz me aleatët, duke ju ofruar për çështjen madhore dhe shumë të ndjeshme të asgjësimit të armëve kimike vetëm aq sa mund të bënte vendi, do të ishte konsultuar me Presidentin e Republikës, do të ishte konsultuar, pse jo, me opozitën e vendit, me Kuvendin, me aleatët e tij, me grupet e interesit nga shoqëria civile, pa qenë nevoja të fuste në siklet dhe më keq se në siklet aleatin tanë me garancitë e tij arbitrare, që në fakt ishin mashtrimet e tij. Nuk u konsultua me kërkënd në Shqipëri, nuk bëri transparencë më kërkënd në Shqipëri. E mbajti për vete për ta kapitalizuar për vete këtë çështje kaq të rëndësishme. Shpresonte të fitonte me armët kimike kapitalin politik që po humb me shpejtësi në Shqipëri me paligjshmerinë dhe arbitraritetin e tij të përditshëm. E gënjeu mendja për shumë gjëra, duke harruar se vetë ndërtesa madhështore e demokracisë amerikane është ngritur mbi vlerat e përgjegjësisë dhe transparencës me publikun. Edi Rama gënjeu në fillim publikun se amët kimike ishin një çështje e NATO-s. Edi Rama gënjeu protestuesit. Edi Rama gënjeu aleatin tonë strategjik. Në fund, falë barrikadave shpirtërore e mendore që u ngritën nga të katër anët në Shqipëri e jashtë saj kundër aventurizmit të tij, Edi Rama mbeti i vetëm në rrethin e gënjeshtrave të tij, i pabesueshëm për publikun shqiptar, i pabesueshëm edhe prej partnerëve tanë. Dështimin e tij të dyfishtë, fiaskon e tij të pashembullt, Edi Rama nuk e fsheh dot as me “jo”-në e mekur kur s’kishte rrugë tjetër dhe as me akuzat dhe sulmet e mjera kundër Partisë Demokratike dhe opozitës shqiptare. Sot, në vend që t’u kërkojë ndjesë mbarë shqiptarëve që i mashtroi dhe u prishi gjakun dhjetë ditë më radhë, në vend që t’i kërkojë ndjesë aleatit tonë të madh për papërgjegjshmërinë me të cilën e llangosi këtë çështje kaq të ndjeshme për ta dhe për mbarë botën e lirë ka kurajon të merret me sportin e tij pervers të sulmeve ndaj opozitës. Ka kurajon t’i konsiderojë shqiptarët përshirë votuesit e tij të deridjeshëm vegla qorre, ashtu siç i ka trajtuar qëkurse ka hyrë në zyrën e kryeministrit dhe ashtu siç i trajtoi gjatë gjithë ditëve të protestave kundër armëve kimike. E ndërsa kurseu me hipokrizi dhe servilizëm tipik të gjithë ata deputetë të Partisë Socialiste që këto 24 orë ju bindën zërit të arsyes dhe jo logjikës së mashtrimit, ai ju përvesh me gjuhën dhe zakonet e një satrapi oriental mediave të lira, ekspertëve dhe zërave të pavarur të shoqërisë civile e çdo faktori tjetër që ngriti zërin e argumentit, duke u rrekur si përherë ta projektonte përgjegjësinë kudo tjetër përveçse tek vetja e tij. E ka kot. Edi Rama ka cënuar besimin rëndë e qytetarëve. Ka cënuar besimin e SHBA. Ai është përgjegjësi i vetëm dhe ekskluziv i kësaj ndodhie të pakëndshme me SHBA.
Për Partinë Demokratike, që ka lindur si parti e vlerave të lirisë dhe orientimit euroatlantik të Shqipërisë, marrëdhëniet me SHBA kanë qenë janë e do të jenë marrëdhënie kyçe të dorës së parë në të gjitha drejtimet.
E kemi dëshmuar në qeveri, e dëshmojmë e do ta vazhdojmë ta dëshmojmë në opozitë. Qeveria e Partisë Demokratike ka bashkëpunuar si aleate e ngushtë me SHBA për një varg çështjesh me rëndësi të veçantë për paqen dhe sigurinë globale, duke ofruar gatishmërinë dhe përkushtimin tonë të palëkundur. Nga Iraku në Afganistan, nga kontributi për çështjen e ndjeshme të Guantanamos, tek marrja e përgjegjësive të plota për të zgjidhur problemin e MEK të cilin vetëm dje Rama e sulmoi me gojën e një shpifësi serial në kabinetin qeveritar, e shumë, e shumë çështje të karakterit politik dhe sigurisë. Ndryshe nga kryeministri i mekur e gojështhurur sonte, aleatët tanë e njohin shumë mirë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë nën drejtimin tonë. Qytetarët shqiptarë i kanë dëgjuar vlerësimet për Shqipërinë aleate e palëkundur e SHBA nga deklaratat e njëpasnjëshme të Presidentëve George Bush dhe Barak Obama, të sekretareve të shtetit Condoleeza Rice dhe Hillary Clinton, e dhjetëra zyrtarëve të lartë të mikut tonë të madh. Ky bashkëpunim i sinqertë dhe serioz nuk është prekur në asnjë rast të vetëm nga hija më e vogël e interesave dhe përfitimeve personale të njërit apo tjetrit politikan, por ka patur në themel dhe në princip interesat e ndërsjellta të dy vendeve, mike dhe aleate. Sot në opozitë në ndjemë detyrimin të vazhdojmë të japin të njëjtin kontribut, me të njëjtin përkushtim, në radhë të
parë duke shërbyer si mbrojtës dhe promovues të vlerave të demokracisë perëndimore në vend, ku transparenca, llogaridhënia dhe konsultimi i qeverisë me publikun janë sa elementare, aq edhe jetike. Busulla e PD-së ka qenë dhe është Shqipëria euroatlantike, Shqipëria europiane, në miqësi të ngushtë e të pandashme me aleatin tonë strategjik SHBA. Kjo është dhe do të mbetet e pandryshueshme jo vetëm se ky është vizioni ynë, por edhe sepse është vullneti i shumicës dërrmuese të popullit shqiptar që nga viti 1990 e këndej. Çdo spekulim në këtë aspekt pritet me keqardhje dhe përçmim nga ana jonë. Partia Demokratike thekson se kryeministri gënjeshtar duhet të marrë përgjegjësinë e plotë të papërgjegjshmërisë së tij. Partia Demokratike do të vazhdojë te kërkojë transparencë për gjithë këtë histori. Si nisi dhe si u fry mashtrimi i Kryeministrit qe ju kushtoi ditë e net të tëra ankthi shqiptarëve, që ndikoi keqazi në dëmtimin e imazhit te vendit tonë, që vuri në pozitat më të papërgjegjshme vendin tonë karshi aleatëve tanë strategjikë. Fitorja e sotme është një atribut i mbarë popullit e në veçanti i rinisë shqiptare. Por beteja me papërgjegjshmërinë, paligjshmërinë dhe arrogancën e pushtetit vazhdon në qindra fronte të vegjël e të mëdhenj brenda shtëpisë sonë të përbashkët. Për ta dhe me ta, ne do të vazhdojmë këtë betejë në çdo hapësirë institucionale, ligjore dhe qytetare. Për ta dhe me ta, do ta fitojmë.
14 Nëntor 2013 Fjala e plotë e kreut të PD-së z Lulzim Basha në seli pas mbledhjes së Grupit Parlamentar: Në këtë orë të mbrëmjes, mijëra qytetarë shqiptarë gjenden akoma në rrugët dhe sheshet e qyteteve tona, të kryeqytetit, duke kërkuar një të drejtë themelore që u përket atyre, na përket neve dhe askujt tjetër. Sigurim për jetën, sigurim për shëndetin e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre. Në këtë orë ankthi të tejskajshëm, të shkaktuar kryekëput nga sjellja e papërgjegjshme e Edi Ramës, ky i fundit është zhdukur pa lënë gjurmë dhe nuk jep përgjigje për atë çka populli kërkon, një deklarim të prerë kundër sjelljes dhe asgjësimit të armëve kimike në territorin e vendit. Është zhdukur pa gjurmë sot me pretendimin e vizitave të cilat duket se nuk janë realizuar duke treguar një papërgjegjshmëri të madhe para qytetarëve të cilët pa dallim politik, pa dallim bindjesh politike siç është fare evidente, po protestojnë dhe po kërkojnë transparencë. Aventurizmi, sensi i papërgjegjshmërisë e ka karakterizuar që nga fillimi këtë çështje dhe duket se e ka detyruar kryeministrin tonë të zbarkojë në një zik-zak-e gënjeshtrash nga njëra anë ndaj qytetarëve shqiptarë, dhe nga ana tjetër ndaj aleatëve. Dhe duket se edhe në këto momente ka vendosur ta zgjidhë dilemën të gënjejë aleatët apo të gënjejë qytetarët, jo duke i dhënë fund kësaj por duke vazhduar t’i gënjejë të dyja palët. I bëj thirrjes sot në emër të opozitës t’i japë fund kësaj maskarade. Të dalë para qytetarëve shqiptarë dhe të bëjë transparencën e vërtetë, të deklarohet haptazi dhe prerazi pro interesit publik, kundër sjelljes së armëve kimike në Shqipëri. Shqiptarët nuk kanë pse të kalojnë asnjë orë të vetme në ankth dhe aq më shumë një natë të tërë apo net të tëra. Opozita mbështet fuqishëm protestën qytetare. Opozita ka qenë dhe do të jetë e pranishme si qytetarët, pranë qytetarëve shqiptarë. Ne kemi një kërkesë të vetme; të respektohet integriteti fizik i çdo qytetari shqiptar. Të mos merren vendime që rrezikojnë shëndetin publik dhe sigurinë e tyre. Ti thuhet jo ardhjes së armëve kimike në Shqipëri. Nuk kemi asnjë çështje tjetër më të rëndësishme se kjo. Protesta jonë është protestë tërësisht në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe do të vazhdojmë ti mbështesim derisa të marrim përgjigjen e merituar. Ndërkohë ne kemi hedhur të gjitha hapat institucionalë të cilat do ti vazhdojmë t’i ndjekim edhe në ditët e ardhshme. Uroj dhe shpresoj që ky apel, i kësaj ore të vonë, të mos bjerë sërish në vesh të shurdhët. Uroj dhe shpresoj që mbrëmjen e sotme miliona shqiptarë të mos vazhdojnë ta kalojnë me ankthin që i ka përpirë nga dita në ditë, nga nata në natë. I bëj thirrje Edi Ramës t’i japë fund heshtjes, t’i japë fund gënjeshtrave dhe mashtrimeve dhe të mbajë një qëndrim të prerë. Të mbajë një qëndrim të prerë pro interesit publik shqiptar, kundër armëve kimike dhe të ndalë gënjeshtrën e dyfishtë, të ndalë strucin që po bën edhe sot e kësaj dite, edhe në këtë orë, si ndaj qytetarëve shqiptarë edhe ndaj aleatëve tanë strategjikë. Faleminderit!
Prononcimi i deputetit të PD-së Eduard Halimi përpara Kryesisë së Kuvendit, pas dorëzimit të Kërkesës për Referendum për ardhjen ose jo të armëve kimike nga Siria. Paraqitëm kërkesën për Referendum Kushtetues në lidhje me ardhjen në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë. Për një çështje kaq themelore siç është jeta e qytetarëve shqiptarë, do të jenë vetëm ata që do të vendosin, zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet, i atyre që kanë sot të drejtë vote dhe në emër të tyre, të gjithë fëmijëve të porsalindur dhe atyre që do të lindin. Është momenti që qeveria të dëgjojë zërin e qytetarëve. Do të jetë demokracia e drejtpërdrejt, që do të ushtrohet në mënyrë të menjëhershme. Bashkë me këtë kërkesë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depozitoi edhe një kërkesë tjetër për mocion dhe debat lidhur me mashtrimin publik që kryeministri po i bën qytetarëve shqiptarë se nga ky operacion do të dalkemi të fituar, nga ky operacion do të dalkemi më të pastër dhe do të ndikemi krenarë, duke i futur në panik më shumë se kurrë. Duke mashtruar publikisht qytetarët shqiptarë, se ky qenka detyrim i NATO-s, ndërkohë që mediat ndërkombëtare dhe vetë NATO po përgënjeshtrojnë çdo minutë këtë kryeministër që po fut në panik një komb të tërë.
Fjala e ish kryeministrit Sali Berisha në Kuvend: Zonja deputete, zotërinj deputetë Z Kryetar i Parlamentit Të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë. Prej më shumë se një muaji, një fantazëm frike dhe tmerri troket në çdo portë të qytetarë shqiptarë. Kjo është fantazma e shndërrimit të Shqipërisë në vendin e shkatërrimit të një prej arsenaleve më të planetit të armëve kimike. Vetëm sarinë, gazi më i tmerrshëm i kësaj toke, janë një mijë tonë metrikë në territorin e Shqipërisë. Meqenëse z Kryetar, problemi është se kjo është njëra anë e aspektit dhe ana tjetër është se kryeministri i vendit ka bërë megamashtrimin më të madh në histori. Së pari partnerëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai premtoi në New Jork, vullnetarisht dhe me entuziazëm në tre takime të veçanta, dhe së pari me një partner jo vend të NATO-s, se Shqipëria mund të marrë përsipër këtë akt të cilin e refuzoi Rusia, një nga sipërfaqet më të mëdha të planetit. E refuzuan vetë Shtetet e Bashkuara, një nga sipërfaqet dhe me teknologjinë më të lartë të planetit. E refuzoi Gjermania, Britania, Norvegjia dhe shumë shtete të tjera. I mbeti Shqipërisë e cila krahasuar në hartë, siç më thoshte një qytetar, shembullon si një kokërr kikiriku krahasuar me to. I mbeti Shqipërisë që nuk plotëson qoftë edhe një kush të vetëm të manualeve të çmontimit të armëve kimike. Sigurisht që Shqipëria do të çmontonte 16 tonë se nuk i çmontonte kush për Shqipërinë, se nuk ia merrte kush Shqipërisë për tia djegur ato. Ju garantoj se edhe për to ka një raport ndërkombëtar që ishin në kushte jo optimale dhe ai poligon nuk është i garantuar. Por kjo z kryetar është njëra anë e gënjeshtrës. Sepse ky kryeministër i cili sot ia mbath poshtë e përpjetë për një vizitë duhet të kthehet në moment. Duhet të ishte këtu. U tha shqip për tre javë se nuk ka vendim ndërkohë që dje doli një personalitet botëror, më seriozi për armët kimike, Paul Uolker dhe tha se Shqipëria i ka pranuar ato. Dhe u tha shqiptarëve se nesër do të merret vendimi përfundimtar dhe tha se kishte mbetur i habitur se Shqipëria ka shkatërruar armët e veta. Shqipëria zotërinj ka shkatërruar vetëm 16 tonë por Rusia por edhe vende të tjera në mënyrë të vazhdueshme shkatërrojnë me qindra e qindra ton. Po ja që Turqia shumë herë më i fuqishëm nuk jeton anijet të kalojnë në Dardanele ngarkesat e tyre sepse kjo dëmton palcërisht turizmin në brigjet e Bosforit. De mbetet Rusia sepse Dardanelet nuk lejojnë të kalojnë, e kështu me radhë dhe mbeti Shqipëria, vetëm se paska shkatërruar 16 tonë të vetat falë mbështetjes së senatorëve si Lugar, që u bënë promotorë me ligjin e tyre për shkatërrimin e këtyre armëve në Shqipëri, dhe del fakti se Shqipëria është në linjë distancë detare nga Siria në Shqipëri se nuk ka Kroaci apo Slloveni më sipër apo itali për karshi. Atëherë kryetari juaj shkoi dhe nënshkroi marrëveshjen me 20 prill, në 100 vjetorin e pushtimit të Shkodrës nga forcat sllave. Aty është vendosur vizita e tij. Është kjo vizitë që është vendosur në këtë 100 vjetor të pushtimit të Shkodrës dhe është vendosur në atë marrëveshje, në 100 vjetorin e pushtimit të Shkodrës nga forcat barbare sllave. Është bërë një mashtrim të përmasave makbethiane shqiptarëve. U është thënë që nuk është vendosur gjë por Paul Uolker ua tha troç. Është vendosur. Zëdhënësja e NATO-s tha që kjo nuk është kërkesë e NATO-s por e qeverisë shqiptare. Tani zotërinj, kryetari i opozitës dhe i Partisë Demokratike shprehu qëndrimin e tij dhe unë e mbështes plotësisht. Por unë kërkoj këtu që vijë urgjent kryeministri dhe të japë llogari pse ka mashtruar shqiptarët. Pse ky mashtrim makbethian? Çdo njeri normal nuk mund ta imagjinojë kurrë se një njeri i qytetëruar mund të luajë me një gjë të tillë. Sepse me ata që ka biseduar janë fuqitë më serioze dhe ia fsheh popullit të tij dhe këtë e bën një njeri jo normal se në këtë kohë sot nuk mund ti fsheh kurrë. Ndaj dhe duke mbështetur plotësisht qëndrimin e Partisë Demokratike dhe qytetarëve shqiptarë, kërkoj këtu të vijë kryeministri. Të anulojë vizitën e tij në Beograd, të shkojë më vonë sepse skam kundërshtim por sot ai është në ditën e mashtrimit të tij të madh dhe duhet të vijë para qytetarëve shqiptarë. Nuk janë kope, nuk janë qenie eksperimentale, por janë qytetarë me dinjitet e miq të vërtetë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, miq të vërtetë të NATO-s. Këtë turp që u ka bëtë ky kryeministër me mashtrimin e dyfishtë, ai duhet të vijë këtu ti nënshtrohet mocionit. Ju të gjithë to ta votoni pro sepse keni vetëm interesa personale. Jua kam thënë dhe ua kam hequr fillin me kohë sepse jeni burra me interesa personale. Por ne do të bëjmë detyrën tonë si opozitë. Z kryetar so është hedhur ideja e referendumit dhe unë ju kërkoj juve të mblidhni me urgjencë Parlamentin, kryesinë e Parlamentit për të shqyrtuar me urgjencë ndërhynë për referendumin. Sepse në mënyrë absolute opozita shqiptare nuk do të pranojë për asnjë çmim, qoftë edhe një mbushje të vetme me armë kimike ne Shqipëri, qoftë edhe një miligram të vetëm të këtyre armëve. Ju japim si rrugë zgjidhje referendumin përndryshe sheshe dhe rrugë do të jenë parlamenti i Shqipërisë.
Deklarata e plotë e deputetit të PD, Oerd Bylykbashi: Vetëm në dy javët e fundit, të dhënat tregojnë se rreth 2500 nëpunës kanë humbur vendin e punës, apo janë nxjerrë në listë pritje. Shumë prej tyre janë kërcënuar apo janë detyruar të japin dorëheqje. Njoftimet për largime vijnë çdo ditë. Pak dite më parë, Presidenti i Republikës vuri veton ndaj Aktit Normativ për Nëpunësin Civil sepse shkel Kushtetutën e Republikës. Komisioneri për Zgjerim i BE, z. Stefan Fule, kërkoi dje në Tiranë zbatimin e plotë të reformës së Shërbimit Civil, pra kërkoi zbatimin e ligjit të ri të Nëpunësit Civil. Pavarësisht këtyre paralajmërimeve për anti-kushtetutshmërinë e veprimeve te saj, qeveria Rama-Meta i sfidoi ato me arrogance dhe po vazhdon me nxitim spastrimin e administratës publike dhe zëvendësimin në kundërshtim edhe me ligjin e vjetër të nëpunësit civil, veçanërisht nenet 23, 24 dhe 25 të tij. E gjithë kjo shkelje masive e ligjit, jo vetëm është një dhunim i shtetit të së drejtës dhe të drejtave individuale, por është edhe një dem ekonomik gjigand. Te gjithë këta mijëra nëpunës do të paguhen nga shteti për demin që u është shkaktuar nga kjo paligjshmëri masive. Shqiptarët do të paguajnë me taksat e tyre dy administrata, atë militante socialiste dhe atë që gjykatat do urdhërojnë të zhdëmtohet për shkarkimin e paligjshëm. Paralajmërojmë Drejtoreshën e sapo emëruar të Departamentit te Administratës Publike por edhe Sekretarët e Përgjithshëm të institucioneve se militantizmi dhe zelli politik nuk i çliron ata nga detyrimi për zbatimin e ligjit. Kjo drejtoreshë ka detyrë të kthejë mbrapsht si të paligjshme, të gjitha lirimet apo veprimet e tjera në dem të nëpunësve civile. Në të kundërt, Drejtoresha e DAP dhe çdo person tjetër përgjegjës, shkelin ligjin dhe do të përgjigjen penalisht për shpërdorim të detyrës dhe dëmin ekonomik që shkakton ky shpërdorim. Partia Demokratike do të jetë në krah të profesionistëve të administratës dhe në mbrojtje të ligjit, si dhe do të ndjekë rrugën institucionale për të vënë shkelësit para përgjegjësisë që u takon të mbajnë.
Basha: Opozita e vendosur të bëhet një barrierë e pakapërcyeshme për arbitraritetin, abuzivitetin, arrogancën dhe mungesën e transparencës Asamblea Politike e Partisë Popullore Europiane, e cila përbëhet nga 73 parti, nga 39 vende, zgjodhi sot si Presidentin e saj te ri Joseph Daul. Daul, i cili mbante postin e Kryetarit të Grupit të PPE-së në Parlamentin Europian, u zgjodh me 112 vota nga 124 vota në total. Presidenti i ri i PPE-së, e ka konsideruar shumë të rëndësishëm zgjedhjen në krye të Partisë me ndikimin më të madh politik në Europë. “Është një nder i madh për mua të marrë këtë mandat për të çuar përpara Partinë, veçanërisht në një kohë me sfida të rëndësishme, si zgjedhjet europiane të majit të vitit 2014 . Unë do të bëj çmos për të vazhduar punën e jashtëzakonshme të Wilfried Martens , udhëheqja dhe angazhimi i të cilit e ka bërë PPE-në Partinë më të madhe dhe me ndikimin më të madh politik në Europë “, deklaroi Joseph Daul. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e konsideroi një lajm shumë të mirë zgjedhjen në këtë post të zotit Daul, i njohur për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit të vendit. “Eshtë lajm shumë i mirë për Shqipërinë. Presidenti i ri Joseph Daul, është një person jo i panjohur për publikun shqiptar, për shkak të rolit të tij konstruktiv dhe në momente të vështira, siç ishte momenti i asaj që publiku shqiptar njeh si “kriza e krokodilit”, por që natyrisht është vetëm maja e ajsbergut e kontributit shumë vjeçar të Joseph Daul, që Shqipëria të avancojë në rrugën e integrimit europian, që shqiptarët të mos vuajnë as nga stigmat e të kaluarës dhe as të ndëshkohen padrejtësisht nga probleme të drejta dhe legjitime të së tashmes, por që shqiptarët të përfitojnë si çdo komb tjetër nga procesi i anëtarësimit në BE”, u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Zoti Basha ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në këtë Asamble, për të kërkuar mbështetje për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, sikundër i ka njohur me goditjen e rëndë që i është dhënë demokracisë në Shqipëri përmes blerjes së votës në Korçë. “Kam kërkuar mbështetjen e të gjithë të pranishmëve, shumica e të cilëve janë në qeverisje sot në Europë, sepse e djathta është shumicë si në qeveritë e kombëtare, ashtu edhe në Parlamentin Europian edhe në Komisionin Europian, pra përkrahjen e tyre, që Shqipëria të marrë statusin në dhjetor.
Basha: “Demokracia në rrezik nga shitblerja e votës, paligjshmëria, arbitrariteti dhe mungesa e transparencës” Kryetari i opozitës, z. Lulzim Basha priti komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle. Zoti Basha vlerësoi si një arritje madhore, rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë, sikundër garantoi për vendosmërinë e Partisë Demokratike për të vijuar mbështetjen dhe kontributin e saj edhe ne opozite, për marrjen e statusit të vendit kandidat në dhjetor dhe hapjen sa më parë të negociatave për anëtarësim. Duke u ndalur në zhvillimet tronditëse të blerjes së votës nga ana e Partisë Socialiste, kryetari i opozitës, theksoi se demokracia është sot në rrezik nga shitblerja e votës, paligjshmëria, arbitrariteti dhe mungesa e transparencës. “Asgjë tjetër nuk mund të jetë më alarmante, më e rrezikshme për një demokraci funksionale, se blerja e votës. Partia Demokratike po ndjek të gjithë hapat, për ndëshkimin dhe kapërcimin në rrugë ligjore, institucionale të pasojave të rënda të krimit zgjedhor në Korçë” – theksoi kryetari i opozitës në takim. Opozita është e vendosur për të ndalur dënimin me vdekje të zgjedhjeve të lira e të ndershme, nëpërmjet parave të pista të krimit dhe mafias politike në vend. Z. Basha e njohu komisionerin Fule me sulmet e njëpasnjëshme të mazhorancës kundër kushtetutës dhe shtetit ligjor, agresivitetin ndaj opozitës, fushatën e sulmeve ndaj institucioneve të pavarura ku ne mënyre te vecante zoti Basha u ndal në hapat e jashtëligjshme që mazhoranca po ndërmerr për të vënë nën kontroll një institucion te rëndësishëm ne luftën kundër korrupsionit sic është ILDKP-ja. Kryetari i opozitës u ndal tek emërimet në kundërshtim me ligjin dhe politizimin e kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit, duke nisur nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtori i personelit dhe dhjetëra emërime të tjera të drejtuesve të lartë ne kundërshtime ligjin si dhe ndëshkimet kolektive, si në drejtorinë e Krimit Ekonomik, njësinë operacionale të Tiranës, RENEA, FNSH, ministrinë e Brendshme etj . Politizimi i shpejtë i Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i saj në fushata antiligjore po zhbën me shpejtësi kredibilitetin dhe legjitimitetin e saj në sytë e mbarë qytetarëve shqiptarë, duke hapur një kapitull shumë të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë në vend. Në takim, zoti Basha nënvizoi goditjen që mazhoranca i bëri konsensusit për ligjin e nëpunësit civil, përmes aktit normativ antikushtetues, duke nëpërkëmbur parimet e dialogut dhe gjithpërfshirjes dhe duke i hapur rruge zëvendësimit te profesionistëve në administratën publike, me militantë dhe emërime klienteliste, në kundërshtim të hapur me ligjin dhe duke rënë ndesh me parimet e stabilitetit dhe vijimësisë, që nënvizohen në progres-raportin e Komisionit Europian. Ndryshe nga opozita e djeshme që e bllokoi për më shumë se dy vjet procesi e integrimit, PD eshte e vendosur të bëjnë gjithçka, si për sa i përket plotësimit të detyrimeve të brendshme, ashtu edhe në kontaktet me partnerët ndërkombëtarë, për të përshpejtuar procesin e integrimit europian. Opozita e sotme nuk do të shfrytëzojë për asnjë moment veprimet e kësaj mazhorance të cilat janë këmbanë alarmi për demokracinë dhe shtetin ligjor, për të penalizuar qytetarët shqiptarë të cilët e meritojnë anëtarësimin në BE. Shembull konkret për këtë, – tha Basha – është miratimi që i bëmë rezolutës së përbashkët parlamentare për integrimin, pavarësisht se në të nuk u përfshinë sygjerimet e opozitës. Për opozitën shqiptare prioritet mbi prioritetet është sot mbrojtja e demokracisë nga kërcënimi i blerjes se votës se lirë dhe shtetit ligjore nga kërcënimet e njëpasnjëshme antikushtetuese dhe antiligjore qe po i bën mazhoranca në pushtet
Fjala e kreut të PD z.Lulzim Basha në protestën e opozitës përpara kryeministrisë: Miq të dashur, Zonja dhe zotërinj, gra, burra, të rinj, të reja, të moshuar, pjesëmarrës të nderuar e të respektuar në ketë marshim proteste të thirrur sot nga Partia Demokratike dhe opozita. Më lejoni ta nis fjalën time me një falënderim të madh për secilin prej jush veç e veç e për të gjithë ju së bashku e mijëra e mijëra të tjerë që na ndjekin, që iu përgjigjet kaq shpejt, kaq masivisht, me arsye dhe me zemër, thirrjes sonë për t’u mbledhur sot në këtë bulevard dhe për të ngritur zërin e fuqishëm të protestës kundër shitblerjes së votës, kundër paligjshmërisë, kundër arbitraritetit, kundër arrogancës, kundër shurdhërisë, kundër mungesës së transparencës dhe qëndrimeve të tjera antidemokratike e anti-europiane që po manifeston ditë për ditë, me një frenezi të paparë, qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Nuk e zgjodhëm ne momentin për të dalë në shesh përballë kësaj qeverie. E zgjodhi vetë qeveria që mbushi kupën pa mbushur akoma tre muaj. E zgjodhi njëzetmijë lekëshi i turpshëm i çmimit dhe shpërblimit që vuri kjo qeveri për votën e bashkëqytetarëve tanë korçarë. E zgjodhën skenat e paimagjinueshme të blerjes së votës brenda në zyrat e Partisë Socialiste, të cilat falë medias së pavarur, publiku pati mundësi t’i shihte i tronditur, i fyer dhe i indinjuar, me zë e me figurë. Njëzet mijë lekëshi si çmim, njëzet mijë lekëshi si simbol i dhunimit të zgjedhjeve nga kjo qeveri është vetëm maja e ajsbergut e farsës që pamë në ekrane. Njëzet mijë lekëshi si çmim dhe simbol i dhunimit të zgjedhjeve nga kjo qeveri nuk është një rrufe në qiellin e pastër, që ra papritur e pa kujtuar në Korçë. Kjo është një provë e përqendruar dhe e organizuar në detaje, e krimit të blerjes së votës, me planin për ta përdorur gjerësisht si metodë edhe në zgjedhjet e ardhshme, duke i shkulur përfundimisht zgjedhjet e lira nga jeta e re demokratike e shqiptarëve dhe duke hapur periudhën e erret e të kobshme të zgjedhjeve të blera nga mafia politike dhe ekonomike në vend. Ja pra pse ky është momenti i një alarmi të madh për një rrezik shumë të madh që kërcënon demokracinë shqiptare, çdo shqiptar, fëmijët tanë të lindur e të palindur. Ne, opozita, jemi në këmbë, të ndjeshëm dhe të vendosur si asnjëherë tjetër për të t’i dalë përballë siç po i dalim, për t’i thënë ndal siç po i themi këtij rreziku vdekjeprurës që po shtrëngon rrethimin e demokracisë nëpërmjet paligjshmërisë dhe shitblerjes perverse e kriminale e blerjes të votës. Por natyra e këtij kërcënimi nga njëra anë, impenjimi nga ana tjetër është e tillë që ne nuk mund ta mbajmë e nuk kemi të drejtë ta mbajmë në zyrat tona, në mbledhjet dhe tribunat tona si një çështje ekskluzive e opozitës dhe opozitarizmit. Çështja e zgjedhjeve të lira është para se të gjithash dhe mbi të gjitha, çështje e popullit të lirë dhe sovran; është çështja juaj që keni ardhur në ketë shesh. Është çështja e mijëra e mijëra shqiptarëve që me mendje dhe me zemër janë sot me ne dhe do të bashkohen me ne në këtë sfidë jetike të shpëtimit të votës së lirë. Ja përse në këtë moment kur vota e lirë është cënuar, fyer e poshtëruar në Korçë, të gjithë jemi e duhet të jemi opozitarë, të gjithë jemi e duhet të jemi luftëtarë, të gjithë jemi e duhet të jemi shpëtimtarët dhe shërbëtorë të saj sot, nesër dhe përgjithmonë, pa kursyer asgjë, pa u sprapsur asnjë çast, me mendjen top se zgjedhjet e lira e të ndershme janë vetë jeta e lirë që kemi fituar, se nuk kemi betejë tjetër me të madhe dhe mision tjetër me të shenjtë për të përmbushur, se jo paratë e pista, jo manipulatorët e veshur me pushtet, jo tregtarët e kontrabandistët e votës, jo gangsterët politike, jo mafia politike, por kauza e drejtë dhe njerëzit e lirë e të bashkuar rreth saj janë fuqia e pathyeshme e demokracisë. Kjo jona nuk është një betejë kundër gënjeshtrave dhe fantazmave, siç ishte ajo që bëri Rama në këtë bulevard kundër qeverisë së Partisë Demokratike. Në rinumërimin e votave në qarkun e Kukësit u pa qartë se ndryshe nga çfarë fantazonin Rama dhe Meta, zgjedhjet e organizuara nga qeveria e Partisë Demokratike ishin të lira e të ndershme edhe në fshatrat me të thella të Tropojës, Hasit dhe Kukësit, madje se ata kishin marrë një grusht votash që nuk u përkisnin. Ky ishte, është e do të jetë gjithmonë standardi i Partisë Demokratike për zgjedhjet në gjithë Shqipërinë. Ramës dhe Metës u mbeti në duar boja me të cilën shpresonin të damkosnin Sali Berishën dhe qeverinë tonë. Në fakt, me atë bojë të zezë damkosen veten e tyre në Lezhë dhe në sa e sa zona të tjera ku vunë në veprim paratë e pista të krimit të organizuar. Me atë bojë te zezë damkosën edhe zgjedhjet në Korçë. Ata janë përsëritës në këtë krim, por nuk do të jenë më. Janë të kapur. Janë opozita e vetme në botë ndoshta që janë u janë kapur manipulimet në zgjedhjeve. Hipokritë të prishur më keq brenda gënjeshtrave të tyre për kundërshtarin. Çirreshin se u ishin vjedhur votat dhe i vjedhin vetë ditën për diell, pa pikë turpi, me sistem. Çirreshin kundër borxhit dhe marrin vetë borxh 400 milion dollarë, pa asnjë llogari, të dalë ku të dalë. Çirreshin kundër evazionit dhe ligjërojnë vetë, me Akt Normativ, 250 milionë euro humbje brenda tre muajve. Çirreshin për ligjin dhe shkarkojnë pa ligj, nëpunësit civilë, shërbëtorët e këtij shteti, të gjithë strukturat drejtuese të policisë së shtetit. Por s’kanë ku shkojnë. Korça i solli para publikut shqiptar lakuriq me njëzet mije lekëshin e turpshëm të blerjes së votës. Para qytetarëve, para opozitës, para miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë. Rama dhe Meta shkelmuan konsensusin për nëpunësin civil sepse kanë në mendje dhe në plan blerjen e votës. Ndërmorën reprezaljen antiligjore kundër gjithë zinxhirit komandues të policisë së shtetit, duke e shndërruar atë në një detashment politik, sepse kanë në mendje dhe në plan blerjen e votës. Firmosin dhe të ndërmarrin çdo ditë një akt antiligjor e antikushtetues kundër lirive dhe të drejtave, kundër pasurisë, pronës dhe sigurisë së tyre juridike të qytetarëve sepse kanë në mendje dhe në plan blerjen e votës. Kjo shumicë merr borxh për shpenzime luksi në kohë krize, dhe nuk i bëhët vonë ta çojë drejt greminës stabilitetin e Shqipërisë, sepse ka ndërmend dhe në plan ta blejë votën, ta blejë pushtetin. Kjo qeveri nuk ndien asnjë detyrim të jenë transparentë me publikun, as për çështjen shume të ndjeshme të armeve kimike, por bëjnë lojën e strucit me shqiptarët dhe me partneret tanë ndërkombëtarë, sepse kanë në mendje dhe në plan t’i blejnë votat, ta blejnë pushtetin. Ky kryeministër po shkon larg në rrugën e tij të zëvendësimit të të sundimit të ligjit, me sundimin e “Ramës”, të zëvendësimit të Shqipërisë demokratike me Sulltanatin e njëzetmijë lekëshit, sepse ka në mendje dhe në plan t’i blejnë votat, bashkë me aleatin e tij Meta. Eliminimi i zgjedhjeve të lira eliminimi i gjykimit të drejtë popullor, është shpjegimi më i qartë i arbitraritet dhe paligjshmërisë që është ngritur brenda dy muajsh në sistem nga Rama dhe Meta. Qeverisin me arbitraritet sepse do të blejnë vota, blejnë vota që te qeverisë si në xhungël. Ne pushtetin, ju njëzet mijë lekëshin. Ky është slogani, kjo është filozofia e tyre. Këtu mbyllet rrethi. Por ky është rreth fatal, rreth që rrezikon të zërë brend