Basha: “Akti Normativ është përgatitja e krizës “Rama”, recensioni i atij që erdhi me premtimin e rilindjes dhe rrezikon të sjellë rrëzimin”
Kryetari i PD, Lulzim Basha e ka konsideruar aktin normativ të qeverisë për ndryshimin e buxhetit si të paligjshëm dhe rrezik për stabilitetin financiar të vendit. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD, zoti Basha deklaroi se është hera e parë që një qeveri heq dorë në këtë shkallë, pa asnjë arsye të përligjur, nga mbledhja e taksave dhe tatimeve. Për çdo muaj, theksoi zoti Basha parashikojnë të mbledhin 80 milionë dollarë më pak se plani.
“Është hera e parë që një qeveri heq dorë në këtë shkallë, pa asnjë arsye të përligjur, nga mbledhja e taksave dhe tatimeve. Është hera e parë që shohim se si një qeveri, e sheh dështimin, si shpëtim nga premtimet që nuk mund t’i mbajë, apo si përfitim për klientelën e saj. Kjo do të jetë një fatkeqësi e madhe dhe e paparashikueshme, për vendin dhe çdo shqiptar. Rishikimi i buxhetit 2013, kështu siç ka ardhur, është ëndrra më e keqe, makthi më i madh që kjo qeveri u ofron shqiptarëve; është një minë me sahat kundër stabilitetit financiar dhe me gjerë, është rruga e rrokullisjes drejt recensionit për herë të parë, të ekonomisë shqiptare, që u rezistoi gjithë këto vite dallgëve të krizës globale, është formula dhe përgatitja e krizës “Rama”, recensioni i atij që erdhi me premtimin e Rilindjes dhe rrezikon të sjellë rrëzimin” deklaroi kryetari i PD Lulzim Basha.
Zoti Basha tha se akti normativ është i paligjshëm duke argumentuar se në bazë të ligjit qeveria mund të marrë borxh vetëm për investime.
“Paligjshmëria po bëhet çdo ditë simotër e mazhorancës Rama-Meta. Parimi i sundimit të ligjit, si parim bazë i funksionimit të demokracisë po zëvendësohet me sundimin e Ramës, si praktikë e shkatërrimit të demokracisë. Po e demonstrojnë hapur se nuk qeverisin dot me ligj, se vizioni që shfaqin është në papajtueshmëri organike me shtetin ligjor, gjë që e tregojnë edhe në fjalorin që përdorin, kur thonë me mburrje, si qëmoti, se janë këtu për të udhëhequr.
Jo zotërinj, nuk jeni për të udhëhequr, por për të qeverisur si shërbëtorë të bindur e të përkushtuar të ligjit, përndryshe, duhet ta dini se jeni jashtë sistemit demokratik, me të gjithë pasojat!” u shpreh zoti Basha.
Kryetari i PD Lulzim Basha, tha se pavarësisht tentativave për të nxirë performancën ekonomike të vendit që trashëgoi nga qeverisja demokratike të dhënat e institucioneve ndërkombëtare janë të pakontestueshme për stabilitetin makro-ekonomik.
“Ekonomia shqiptare, – citohet në progres-raport – ka vazhduar të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike. Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm, drejt shndërrimit në një ekonomi tregu funksionuese. Në vijim të rritjes me 1.6% në vitin 2012, ekonomia shqiptare pritet të shkojë rreth 2% në këtë viti dhe të përmirësohet lehtësisht edhe në 2014” – vë në dukje FMN. Rritja e eksporteve mbetet e fuqishme favorizuar nga përmirësimet strukturore në ekonomi dhe një kurs i favorshëm këmbimi. Papunësia mbetet e stabilizuar në 12.8% dhe indeksi i inflacionit në 2.1%. Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Pse keni ardhur në pushtet zotërinj, kur jo vetëm nuk e bëni dot më mirë, por planifikoni për ta bërë shumë më keq? “theksoi kryetari i PD Lulzim Basha.
Zoti Basha u ka kërkuar ligjvënësve të djathte që në seancën plenare të së enjtes t’u dëshmojnë qytetareve rrezikun që i kanoset mirëqenies së tyre nga Akti Normativ antiligjor i qeverisë.
Fjala e kryetarit te PD Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentare:
Të nderuar deputetë,
Të enjten në seancë plenare, ballafaqohemi me rishikimin e buxhetit të shtetit, si aktin e parë real që mazhoranca Rama-Meta ndërmerr në fushën e ekonomisë, në kuadrin e strategjisë së shpallur të saj, për të paraqitur vendin në një krizë të thellë dhe financat e vendit jashtë kontrollit.
Duke pasur parasysh fjalët e bukura dhe premtimet e mëdha të kryeministrit Rama si dhe duke u nisur nga përvoja e njohur se çdo ndryshim qeverie, madje çdo ndryshim në nivelin drejtues të doganave dhe tatimeve, sjell impulse të reja pozitive në performancën e ekonomisë dhe financave, bashkëqytetarët tanë mund të kenë pritur me të drejtë një ndryshim pozitiv në buxhet, që do mbështetej në rritjen e të ardhurave të mbledhura nga qeveria e re. Kujtojmë këtu se, 120 milionë dollarë më shumë mblodhëm ne, në 3 muajt e fundit të 2005, apo tre muajt e parë të tranzicionit, 120 milionë dollarë më shumë se plani i tyre.
Në pamundësi, shqiptarët kanë pritur e presin që kjo qeveri e fjalëve të mëdha, të ruante në vija të përgjithshme trendin e trashëguar nga qeveria jonë, gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, si më e pakta, por jam i bindur se askush nuk ka pritur një ndryshim të buxhetit, si ky që kanë sjellë me një akt tjetër normativ, që mbështetet jo në rritjen, as mbajtjen në të njëjtin nivel por rënien më drastike, pa asnjë logjikë ekonomike, të të ardhurave të mbledhura dhe thellimit me dorë të rëndë, madje me kazmë, të borxhit publik.
U çorrën kur ishin në opozitë kundër borxhit publik, edhe pse ne e menaxhuam me profesionalizëm të lartë, në funksion të stabilitetit makro-fiskal dhe makro-ekonomik, pa rrezikuar asnjëherë daljen e tij jashtë kontrollit. Dhanë alarme të rreme prej amatorësh e spekulantësh, e paraqiten borxhin si gogol, mbollën iluzione, më saktë gënjeshtra që do të plasë me sot a me nesër dhe thanë se më të ardhur ata në pushtet, këtij borxhi, këtij “gogoli” do t’i vinin fre. Dhe çfarë po bëjnë tani, që kanë ardhur në pushtet!? Po e trefishojnë. Po marrin hua, jo aq sa mund të marrin me planin, pa rritur kufirin e borxhit publik të miratuar, afro 15 miliardë lekë, apo 150 milionë dollarë, por tre herë më shumë, afro 40 miliardë lekë apo 400 milionë dollarë. Në tetë muaj, qeveria demokratike mori 35,7 miliardë lekë, sipas planit, 40 miliardë duan të marrin këta në tre muaj.
U çorrën kur ishin në opozitë kundër korrupsionit, evazionit dhe keq menaxhimit të financave. Premtuan edhe këtu botën e tyre të re. Dhe çfarë po bëjnë, tani që kanë ardhur në pushtet!? Duan të ligjërojnë me akt normativ një katastrofë, një krim financiar në mos mbledhjen e të ardhurave. Për çdo muaj, parashikojnë të mbledhin 80 milionë dollarë më pak se plani. 15 milionë më pak se plani mblodhi qeveria e kaluar, në tetë muajt e parë të vitit, 4 herë më pak, qeveria e tyre, për pjesën e mbetur të vitit. Kësaj i thonë “të të zërë mallkimi” i gënjeshtrave dhe mashtrimeve që i ke bërë popullit tënd, për t’i marrë votën.
Ne parashikuam dhe u thamë shqiptarëve se do t’i braktisnin një nga një premtimet e tyre populiste dhe demagogjike. Parashikuam se në përballjen e tyre me ekonominë reale dhe qeverisjen reale do të ndaheshin nga “tra la–la”-të, do të uleshin me këmbë në tokë. Kishim menduar e shpresuar se do të vinin mend, por
nuk kishim parashikuar se do t’u iknin në drejtimin e kundërt, se do të kërkonin ta bënin keq e me keq me dorën e tyre, me dashjen e tyre; se do të kërkonin t’i vinin zjarrin, për të zhdukur çdo gjurmë të gënjeshtrave elektorale, pse jo të korrupsionit dhe abuzimeve që pritet të pasojnë këto ndryshime në buxhet.
Është hera e parë që një qeveri heq dorë në këtë shkallë, pa asnjë arsye të përligjur, nga mbledhja e taksave dhe tatimeve. Është hera e parë që mosrealizimeve të një qeverie në ikje, të përligjura dhe jo aq të mëdha sa të krijojnë tronditje në ecurinë e përgjithshme të ekonomisë, qeveria e re t’u përgjigjet me një gropë gjigande për njësi kohe në financat e shtetit, si kjo që planifikojnë me aktin normativ që kanë sjellë. Është hera e parë që një qeveri planifikon një dështim të këtij lloji dhe të këtyre përmasave, me gjak të ftohtë. Është hera e parë që shohim se si një qeveri, e sheh dështimin, si shpëtim nga premtimet që nuk mund t’i mbajë, apo si përfitim për klientelën e saj. Kjo do të jetë një fatkeqësi e madhe dhe e paparashikueshme, për vendin dhe çdo shqiptar.
Rishikimi i buxhetit 2013, kështu siç ka ardhur, është ëndrra më e keqe, makthi më i madh që kjo qeveri u ofron shqiptarëve; është një minë me sahat kundër stabilitetit financiar dhe me gjerë, është rruga e rrokullisjes drejt recensionit për herë të parë, të ekonomisë shqiptare, që u rezistoi gjithë këto vite dallgëve të krizës globale, është formula dhe përgatitja e krizës “Rama”, recensioni i atij që erdhi me premtimin e Rilindjes dhe rrezikon të sjellë rrëzimin.
Partia Demokratike dhe mbarë opozita do të përballen në komisione dhe në aulën e Kuvendit më këtë akt aventuresk të qeverisë, duke i rezervuar:
– Ekspertizën më profesionale. Ky ndryshim nuk ishte i domosdoshëm. Faktet janë në tapet. Deputetët tanë i kanë demonstruar një për një dhe do të vijojnë t’i demonstrojnë në ditët në vijim.
– Kritikën më të thellë, këtij akti që pritet të përkeqësojë treguesit e zhvillimit ekonomik të vendit dhe të cenojë rëndë mirëqenien e çdo shqiptari.
– denoncimin më të argumentuar. Ky ndryshim buxheti është i paligjshëm. Qeveria mund të marrë hua për të financuar investimet publike, por në asnjë rast për të mbuluar rroga apo shpenzime operative. Ligji është i qartë. Qeveria i ka numrat për të ndryshuar këtë ligj, por duket qartë se i shijon më shumë ta sfidojë ligjin.
Paligjshmëria po bëhet çdo ditë simotër e mazhorancës Rama-Meta. Parimi i sundimit të ligjit, si parim bazë i funksionimit të demokracisë po zëvendësohet me sundimin e Ramës, si praktikë e shkatërrimit të demokracisë. Po e demonstrojnë hapur se nuk qeverisin dot me ligj, se vizioni që shfaqin është në papajtueshmëri organike me shtetin ligjor, gjë që e tregojnë edhe në fjalorin që përdorin, kur thonë me mburrje, si qëmoti, se janë këtu për të udhëhequr.
Jo zotërinj, nuk jeni për të udhëhequr, por për të qeverisur si shërbëtorë të bindur e të përkushtuar të ligjit, përndryshe, duhet ta dini se jeni jashtë sistemit demokratik, me të gjithë pasojat!
Zonja deputete, zotërinj deputetë,
Shpresa e vetme e Ramës për t’i hedhur hi syve të publikut, qytetarëve shqiptarë, me aktin e tij të dytë famëkeq është spekulimi pa cak dhe paraqitja me ngjyra sa më të errëta e gjendjes ekonomike që trashëgoi nga qeverisja jonë. Është rasti t’i kujtojmë pa u lodhur, çfarë shkruhet në progres-raportin e Bashkimit Europian për ekonominë shqiptare, një javë më parë dhe çfarë vlerësimesh e prognozash pozitive kanë bërë FMN dhe Banka Botërore, për performancën e ekonomisë shqiptare.
“Ekonomia shqiptare, – citohet në progres-raport – ka vazhduar të ruajë qëndrueshmërinë makroekonomike. Shqipëria ka bërë progres të mëtejshëm, drejt shndërrimit në një ekonomi tregu funksionuese. Në vijim të rritjes me 1.6% në vitin 2012, ekonomia shqiptare pritet të shkojë rreth 2% në këtë viti dhe të përmirësohet lehtësisht edhe në 2014” – vë në dukje FMN.
“Rritja e eksporteve mbetet e fuqishme favorizuar nga përmirësimet strukturore në ekonomi dhe një kurs i favorshëm këmbimi. Papunësia mbetet e stabilizuar në 12.8% dhe indeksi i inflacionit në 2.1%. Deficiti i llogarisë korrente ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit. Bilanci i pagesave është me suficit, gjatë vitit 2013, favorizuar nga fluksi i investimeve të huaja direkte” . Këto janë citime të drejtpërdrejta, nga raporti i sipërpërmendur.
Të gjitha këto e të tjera, që deputetë tanë i kanë nënvizuar dhe do të duhet të vazhdojnë t’i nënvizojnë në diskutimet e tyre, janë shkruar e zezë mbi të bardhë dhe janë referimi më bindës dhe profesional për tablonë e ekonomisë kombëtare. Ky është realiteti.
U kam kërkuar disa herë nga kjo seli zotërinjve të qeverisë, të maten me arritjet që shënuam ne. Le ti çojnë ato përpara! Le t’i mbajnë të paktën në nivelin ku i lamë ne! Le të mos na arrijnë, duke pranuar me sinqeritet vështirësitë dhe paaftësinë e tyre! Vetëm një gjë nuk e kemi pranuar dhe nuk do ta pranojmë, në asnjë mënyrë: Që ata të prodhojnë “vitin zero” që e kanë në mendje edhe në ekonomi, pra në tavolinat dhe xhepat e çdo shqiptari, për të justifikuar jo vetëm paaftësinë dhe amatorizmin e tyre, por edhe korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin, vizonin e tyre steril propagandistik për qeverisjen e vendin.
Sot i akuzojmë për paligjshmëri. Akti Normativ i ndryshimit të buxhetit është i paligjshëm.
I akuzojmë për papërgjegjshmëri. Nuk është parë ndonjë herë një qeveri që të pretendojë ta luftojë krizën, duke e thelluar atë. Nuk është parë ndonjë qeveri që të dekurajojë dhe shthurë në këtë shkallë mbledhjen e taksave dhe tatimeve.
Parti Demokratike, opozita, media e lirë dhe e pavarur, shoqëria civile, mbarë publiku shqiptar janë e duhet të jenë në këmbë, më të vëmendshëm se kurrë, për të parë se ku do të përfundojë kjo shumë e stërmadhe parash që i hiqet me akt normativ, arkës sonë të përbashkët, buxhetit të shtetit me justifikimin se nuk mund të mblidhet.
Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: Pse keni ardhur në pushtet zotërinj, kur jo vetëm nuk e bëni dot më mirë, por planifikoni për ta bërë shumë më keq? Jemi të bindur se përballë këtij skandali, qytetarët me mendje të kthjellët i kanë sytë nga opozita e tyre. Ne duhet të jemi në lartësinë e misionit tonë për t’i thënë:
Ndal, shkeljes së përsëritur të ligjit!
Ndal, rritjes marramendëse dhe te pakontrolluar të borxhit!
Ndal, uljes arbitrare të të ardhurave dhe zhvatjes së tyre, për xhepat e funksionarëve!
Për t’i thënë këto me zërin e opozitës dhe për të vepruar me të gjitha mekanizmat politike dhe ligjore që kemi në dispozicion, që ky akt i mënxyeshëm të kthehet mbrapa.
Read More