Blog

31 Tet
0

Zeneli: Në krye të Drejtorisë së Burgjeve, i arrestuari për trafik të qënieve njerëzore

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Alban Zeneli:

Në prill të vitit 2003, Enrik Sulejmani u arrestua me akuzën e trafikimit të qënieve njerëzore. Të gjithë mediat kombëtare, por dhe ato ndërkombëtare, për javë të tëra, i treguan qytetarëve se si Rinasi, aeorporti i vetëm ndërkombëtar në vend, ishte kthyer në portën e trafikut të qenieve njerëzore.

Kryepolici i Rinasit, rojtari që qytetarët i kishin besuar portën, e përdori atë për trafik ndërkombëtar të qenieve njerëzore, duke i vënë një njollë të madhe policisë shqiptare në të gjitha mediat ndërkombëtare dhe duke e futur Shqipërinë në listat e zeza të trafikut. 

Por, pak ditë më parë, Enrik Sulejmani rilindi, u gradua, u emërua Drejtor i Pergjithshëm i Policisë së Burgjeve. Njeriu që u shkarkua nga një ish-ministër socialist sot me LSI-në si trafikant dhe njollë turpi i policisë së shtetit para 10 vitesh, u rilind pak ditë më parë duke u emëruar në krye të rreth 3000 policëve të burgjeve, dhe u ngarkua të ruaje të gjitha bandat e trafikut ndërkombëtar.

Ai që porten që lidhte Shqipërinë me boten, e shndërroi në portën e trafikut ndërkombëtar, sot pas 10 vitesh po i besojnë çelësat e qelive të trafikantëve.

Por, kjo nuk është pengesë për mazhorancën Rama – Meta. Pa asnjë kriter, pa asnjë konkurs, në mungesë të plotë të transparencës me publikun, në kundërshtim të hapur me ligjin, ata emëruan në pozicionin më të lartë të policisë së burgjeve, kryegardianin, një krye të akuzuar për trafik ndërkombëtar, duke kërcënuar sigurinë publike në vend.

Këto janë standartet e kësaj qeverie.

Edhe vende me despotizëm dhe mungesë të theksuar të ligjit, edhe vende si ato ku na ka futur në listë kryeministri i vendit, nuk ndodhin arbitraritete kaq të mëdha me emërimin e njerëzve në postet me te rëndësishme që kanë të bëjnë me sigurinë publike të qytetarëve.

Sulejmani është në serinë e shkeljeve të ligjit me emërimet që janë bërë në Policinë e Shtetit. Shkelësit serialë të ligjit në këtë rast kanë shkuar shumë larg. 

Të emërosh të akuzuarin për një nga krimet më të rënda në këtë vend, për një krim që Shqipëria është renditur në listat më të zeza ndërkombëtare, për një fenomen që e kanë vuajtur shqiptarët, është një tallje e madhe me qytetarët e vendit, një tallje e madhe me të gjitha përpjekjet që janë bërë deri më sot për të arritur disa standarde në polici, në burgje e kudo.

Me këtë emërim, kjo qeveri ka rënë moralisht, ende pa mbushur të 40-at.

Read More
31 Tet
0

Qirici: Spastrim politik i mësuesve sipas bindjeve politike

Deklarata e plotë e deputetes së PD, Eleina Qirici:

Dje, Qeveria Rama, shpalli fillimin e fushatës së spastrimeve politike në arsim.

Në fakt nuk është asgjë e papritur.

Ky spastrim u premtua nga Zoti Rama në fushatën elektorale.

Qëllimi lexohet qartë: Mësuesit me bindje jo socialiste duhet të largohen nga shkollat.

Aty do të mbeten vetëm mësuesit që kanë bërë fushatë për maxhorancën e majtë.

Spastrimi politik i mësuesve sipas bindjeve politike, po maskohet me një të ashtuquajtur inspektim që po bëhet nga një grup i përbërë nga militantë politik të sapoemëruar në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve.

Këta militantë kanë marrë urdhër që të ushtrojnë presion kudo ku shkojnë, në shkolla apo drejtori arsimore.

Në sistemin arsimor parauniversitar ekziston një strukturë e veçantë ligjore për inspektimin -Inspektorati Shtetëror i Arsimit. Ky institucion është ngritur me asistencë ndërkombëtare.

Inspektorati Shtetëror i Arsimit ka zhvilluar metodologji dhe praktika bashkëkohore inspektimi, mbështetur në përvojat më të mira ndërkombëtare.

Përse nuk është angazhuar në  këtë inspektim ky institucion që parashikon ligji?

Apo nuk është i besuar për të përcjellë porositë politike?

Partia Demokratike ka deklaruar se do të mbështesë thellimin e reformave që i shërbejnë rritjes së cilësisë dhe modernizimit të arsimit shqiptar.

Por ne do të denoncojmë çdo veprim apo “kuazi reformë”, që është e frymëzuar nga ideologjia dhe militantizmi.

Ne do të denoncojmë çdo spastrim politik në arsim.

Ne i ftojmë mësuesit e funksionarët arsimorë, të reagojnë e të rezistojnë  ndaj presionit që do t’ju bëhet nga militantë dhe grupe kontrolli militantësh, që do të drejtojnë këtë fushatë të spastrimit politik në arsimin shqiptar.

I bëjmë thirrje ministres së Arsimit e Sporteve, të ndërpresë këtë fushatë të padenjë për arsimin.

Partia Demokratike do të asistojë cilindo që do të ndëshkohet politikisht, pa të drejtë e në shkelje të ligjit.

Read More
31 Tet
0

PD, kërkesë kreut të Kuvendit, Paloka: Qeveria shkel ligjin, 90 milionë dollarë shpenzime luksi

Në Aktin Normativ Nr. 6, datë 4.10.2013 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”, Qeveria Rama ka miratuar nivelin e huamarrjes së re vjetore në shumën 240 milionë dollarë, ku mbi 90 milionë dollarë shkojnë për shpenzime operative.

Në nenin 57 të ligjit Nr.9936, datë 26.6.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” përcaktohet se: “Këshilli i Ministrave është i vetmi autoritet në nivel qendror që ka të drejtën e marrjes së huave për financimin e projekteve të investimeve nga institucionet ndërkombëtare, shtetet ose personat juridikë, në përputhje me dispozitat Kushtetuese dhe me ligjet në fuqi. Ai është i vetmi autoritet që jep garanci shtetërore të huasë.”

Siç mund të shihet, Akti-Normativ i cituar më sipër është në kundërshtim të plote me ligjin organik, i cili rregullon procesin e buxhetimit dhe menaxhimin financiar të vendit, dhe krijon një precedent të rrezikshëm për prishjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit duke marrë borxhe për të paguar pagat e nëpunësve apo kryer shpenzime të tjera për administratën publike.

Gjatë 8 viteve te qeverisjes së Partisë Demokratike borxhi jo vetëm nuk është përdorur për shpenzime rutinore operative, por nga 5.4 miliardë dollarë investime, 4 miliardë janë mbuluar me borxh dhe pjesa tjetër nga të ardhurat.

Për këtë arsye, jam sot këtu si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që t’i kërkojmë Kryetarit të Parlamentit që në bazë të kompetencave që ka, ta kthejë këtë Akt Normativ në qeveri dhe të mos e paraqesë për miratim në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Siç e theksova edhe më sipër ky është një akt i paligjshëm sepse Qeveria e ka mundësinë e marrjes së huave vetëm për investime dhe projekteve të investimeve dhe jo për shpenzime të administratës, siç ka parashikuar me këtë Akt Normativ, ku 90 milionë dollarë parashikohen të përdoren për shpenzimet e administratës.  Ky Akt Normativ është antiligjor dhe i kërkojmë Kryetarit të Parlamentit t’ia kthejë qeverisë për ta hartuar në përputhje me ligjin. 

Read More
31 Tet
0

Bumçi: Qeveria po tallet me familjet e përmbytura

Apeli për ndihmë i të paktën 3 mijë banorëve të njësisë bashkiake nr. 11 vazhdon të injorohet nga qeveria. Prej 5 ditësh, këta banorë e kalojnë natën në qiell të hapur për shkak të shkatërrimit të gjithçkaje që kishin nga përmbytjet, si pasojë e daljes nga shtrati i lumit të Tiranës. Një natë më parë, qeveria u ofroi këtyre banorëve një ndihmë në çarçafë e batanije të mjaftueshme për afro 50 familje, nga të paktën 600 që kanë nevojë imediate për t’u ndihmuar. Për deputetin Aldo Bumçi kjo është tallje me banorët, ndërsa i ka bërë sërish apel qeverisë se është detyrimi i saj ti ndihmojë këta banorë.

“Ne jemi këtu në një nga zonat e përmbytura të Bregut të Lumit, përmbytja ka qenë shumë e madhe, e jashtëzakonshme. Po të shikoni murin, do të dalloni deri ku ka qenë niveli i ujit, 1.5 m mbi nivelin e tokës, një përmbytje që ka dëmtuar gjithë katet e para të të gjithë banesave që janë në këtë zonë. Janë rreth 600 banesa, me një dëm të jashtëzakonshëm në orendi shtëpiake. I bëjmë thirrje të fortë kryeministrit Rama, të kthejë vëmendjen, të mos tallet me këtë zonë duke dërguar 50 çarçafë dhe batanije por të nxjerrë një fond dëmshpërblimi dhe ti gjendet me ato që janë nevoja imediate, librat e shkollës, krevat, batanije, ushqime dhe gjithçka tjetër që është nevojë emergjente për këtë komunitet, për rreth 600 familjet e dëmtuara rëndë” – u shpreh deputeti Bumçi.

Kryetari i njësisë bashkiake nr. 11, e ka konsideruar fyerje të rëndë për këta banorë ndihmën që i akordoi dje dhe injorim total gjendjen e rëndë të këtyre banorëve, të cilëve qeveria ka detyrim t’i ndihmojë.

“Unë shoh sot një neglizhencë të jashtëzakonshme të qeverisë në lidhje me këto banorë. Dje, më është thënë mua që të shpërndajë ndihmat, unë dola me gëzimin se jam duke sjellë diçka në lagje, më thanë që ke vetëm për 50 familje dhe ato ishin disa dyshekë e batanije. Shuma e të gjithë ndihmës për këto familje ishte 130 mijë lek të vjetra, në një kohë kur familja më e shkundur këtu ka pasur 2 milionë lekë dëme, ndërsa familjet e mëdha mbi 10 milionë lekë dëme. Ju e shikoni, qeveria nuk ka ardhur as sot. Thonë kanë shumë dyshime gjendja nuk është kështu, ashtu, ne i themi qeverisë të sjellë punonjësit e vetë, me prezencën tonë ose edhe pa prezencën tonë të hyjnë në familje. Këtu qytetarët janë të nëpërkëmbur. Unë dje nuk do të dilja të merrja ato 50 pako ndihma, sepse me vinte edhe turp por në mënyrë që t’u vij 50 familjeve në ndihmë jam detyruar të dal” – u shpreh z. Mustafa.

Qeveria duhet të reagoj sot, nesër do të jetë vonë dhe qytetarët do të ndërmarrin hapat e tyre sepse nuk mund ta përballojnë më këtë situatë.

“Ne shpresojmë që qeveria të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, t’ju vijë në ndihmë këtyre qytetarëve, pastaj do t’u themi qytetarëve që jeni të lirë që të ndërmerrni hapa të tjerë sepse kjo situatë nuk mund të shtyhet më tepër. Sot, këto familje nuk kanë bukë, nuk kanë libra, nuk kanë vend për të flejtur, shikoni, futuni në familje kudo, do të shikoni se nuk kanë ku të flenë” -u shpreh Mustafa. 

Read More
31 Tet
0

Kruja: Qeveria bën show, krimi trefishohet

Teksa Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit janë përfshirë në marrëzinë  e shkarkimeve kolektive, dhe në ethet e emërimit të oficereve të tyre besnikë, vjedhje, krime, aksidente, dhe vrasje po ndodhin çdo ditë në Shqipëri.

Javën e fundit janë trefishuar vjedhjet e banesave, janë dyfishuar vjedhjet e makinave, është rritur dyfish krimi i vendosjes së lëndëve eksplozive në banesa dhe biznese. Janë rritur aksidentet dhe vrasjet, dhe ka rene fuqia zbuluese e policisë.

Qeveria e sotme premtoi reduktim të krimit, por ngjarjet e ditës tregojnë se krimi është trefishuar dhe pasiguria e jetës është rritur në nivele të frikshme.

Qeveria dhe Ministri i Brendshëm po veprojnë në fakt me dorë të hekurt kundër oficerëve profesionistë ne kundërshtim të plotë me ligjin për Policinë e Shtetit, dhe po i lënë dorë të lirë krimit.

Partia Demokratike është e shqetësuar nga kjo situatë dramatike, dhe gjendet pranë të afërmve dhe familjarëve të viktimave. Ne nuk jemi opozita që kërkon përfitim politik prej viktimave dhe funeraleve, siç ka bërë rëndom në 8 vite kryeministri i sotëm, por jemi të shqetësuar për pasigurinë që shoqëron sot jetën e qytetarit shqiptar.

Ne i kërkojmë qeverisë të heqë dorë nga spektakli i ekraneve, dhe të zbresë në terren e të bëjë detyrën e saj për të mbrojtur jetën e qytetarëve të vendit.

Shqiptarët meritojnë të  kenë një qeveri që  të garantojë sigurinë e jetës së tyre dhe jo një tufë zyrtarësh që rendin kush e kush të pushtojë më parë ekranet, revistat e gazetat.

Read More
31 Tet
0

Tabaku: Qeveria rrit borxhin për luksin e vet

Që nga data 4 tetor, përmes Aktit Normativ, Qeveria i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarë. Borxh i cili merret i gjithi kryesisht nga tregu i brendshëm, duke i hequr mundësinë bizneseve të përdorin këtë për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve.

Zyrtarisht qeveria bëri të ditur se në tre muajt në vijim do të mbledhë rreth 360 milionë dollarë të ardhura më pak.

Paaftësi apo më keq akoma, devijim i të ardhurave nga buxheti i shtetit të cilën duhet ta paguajnë shqiptarët me borxhin e ri. Asnjëherë, në asnjë situatë, institucionet kryesore të mbledhjes të të ardhurave nuk kanë pasur një performancë kaq të dobët, as në 1997, dhe as në 2005. Dua t’ju rikujtoj që në 2005 mbas ndërrimit të qeverive u mblodhën rreth 120 milionë dollarë më shume se sa ishte parashikuar nga qeveria socialiste.

Akti Normativ vërteton në rastin më të mirë paaftësinë e kësaj qeverie, dhe në rastin më të keq synimin e saj për të mbushur xhepat e zbrazur gjatë fushatës së klientëve të saj.

Po për çfarë do të përdoret ky borxh?

Për herë të parë në Shqipëri ne kthehemi 10 vite pas, ku borxhi nuk përdoret më për investime, ashtu siç i takon të jetë, por do të përdoret ekskluzivisht për shpenzime operative.

Borxhi nuk përdoret për të mbështetur pushtetin vendor, të cilit i reduktohen të ardhurat me 6.5 milionë dollarë.

Borxhi nuk përdoret as për rrugë të reja e rritje pagash. Kjo qeveri jo vetëm që e ka deklaruar se nuk do t’i rrisë më pagat, jo vetëm që ka deklaruar se nuk do të kryejë asnjë investim publik por nuk garanton dot as pagat e punonjësve të administratës së për të hapur vende të reja pune as nuk mendohet.

Borxhi nuk përdoret as për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët. Kryesisht të gjitha programet buxhetore që kane lidhje me shërbimet kanë ulje, që nga mbrojtja e mjedisit, bujqësia, peshkimi, arsimi e deri tek tregu i punës dhe trajnimet profesionale.

Po kemi rritje, kemi rritje tek shpenzimet për pritje e përcjellje e për zyra e rregullime te tjera. Kemi rritje që variojnë nga 130 mijë dollarë tek Ministria e Jashtme, në mbi 600 mijë dollarë në Kryeministri dhe deri ne 4.2 milionë dollarë në Ministrinë e Ekonomisë. Ndërkohë që shqiptarëve, hapja e çdo ministrie të re i kushton mesatarisht 300 mijë dollarë për 3 muajt në vijim.

Zoti Rama, nëse vendi është në krizë pse duhet te merrni borxh për 600 mijë dollarë vetëm për shpenzimet e zyrës tuaj?

Zoti Rama, nëse vendi është në krize pse merrni vendime për të shpërblyer ministrat e kabinetit tuaj për çdo mbledhje të KKT me pagën e një punonjësi të thjeshtë?  (deri tani janë zhvilluar 3 mbledhje).

Velloja e zezë që tentuat t’i hidhnit sipër ekonomisë nuk mund të mbuloje gjëmën që keni nisur t’i bëni këtij vendi.

Shqipëria që ne lamë në javën e parë të shtatorit është ajo që lexuam në raportin e progresit, një vend me probleme, por që ndryshe nga gjithë rajoni arriti të mbijetojë në periudhë krize pikërisht sepse u stimulua ekonomia. Me këtë Akt Normativ ne po i heqim mundësitë e zhvillimit biznesit, po rrisim borxhin për shqiptaret, për të justifikuar maninë e qeveritarëve të rinj për shpenzime luksi.

Read More
31 Tet
0

Të emëruarit në polici, Strazimiri: Të shkolluarit në Sigurimin e Shtetit, bëma kundër opozitës

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Gent Strazimiri:

Partia Demokratike denoncon shkarkimet masive në policinë shqiptare, si akt i një ndëshkimi kolektiv.

Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e rinj të policisë po dështojnë të paraqesin motive apo arsye ligjore për vendimet e tyre.

Dhe kjo për faktin e thjeshtë; Sepse nuk ka!!!

Cili është ekipi që po shkarkohet çdo ditë për “kolaboracionizëm” me ligjin dhe me shtetin, jo me armikun e brendshëm e as atë të jashtëm?

Janë ata “heronj pa fjalë”, të cilët Partia Demokratike dhe Sali Berisha i gjeti në Polici në vitin 2005, u dha besimin dhe mbështetjen e duhur, dhe ata arritën të nxjerrin Shqipërinë nga hartat e trafikut të drogës dhe klandestinëve.

Janë ata që e gjetën Adriatikun, një autostradë skafesh e prostitutash dhe e rikthyen në një det të kthjellët.

Janë ata që Shqipërisë i bënë nder, e për shkak te përkushtimit të tyre sot shqiptarët qarkullojnë pa viza si qytetarë të denjë të një Evrope njerëzish të lirë.

Ju ftoj të kërkoni në Google emrat e tyre, dhe do të gjeni që janë ata që kanë pritur e shoqëruar si të barabartë gjatë këtyre 8 viteve, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Drejtorin e Policisë Kriminale Britanike SOKA, të asaj gjermane BundeskriminalAmt, të policisë Italiane e të Karabinierëve, ata që janë në vijën e parë të luftës kundër krimit të organizuar ndërkombëtar.

Teksti i prononcimeve të këtyre personaliteteve është i njëjti, i shkurtër, ezaurues:

“Kemi ardhur vetëm t”ju themi “Faleminderit”!

Cilat janë kriteret i rimarrjes apo promovimit të “ekipit te ri”…? 
Janë 2:
“Të ketë mbaruar shkollën e Sigurimit të Shtetit, të ketë sa më shumë bëma kundër opozitës kryesisht në periudhën ’97-‘2005.”

Për efekt barazie në trajtim dhe vlerësim, ju ftoj të kërkoni gjithashtu në Google “emrat e rinj”… do t’i gjeni protagoniste të betejave dhe sulmeve më të egra jo në luftë kundër krimit, por kundër opozitës.

Kush beson se “nën drejtimin e dishepujve të Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut” policia shqiptare bëhet me evropiane, qoftë ky shqiptar apo i huaj, do t’i duhet të pranojë edhe faktin që Gjermania e sotme do të ishte edhe me demokratike dhe e fuqishme nëse drejtimin e pasluftës do ta merrte në dorë përsëri Gestapo!

Partia Demokratike dhe opozita shqiptare, duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen për të gjithë efektivat e Policisë së Shtetit, që sot ndodhen nën një sulm të paprecedent anti-ligjor, siguron opinionin publik dhe zullumqarët që kërkojnë të rilindin Kadri Hazbiun dhe Sigurimin e Shtetit, se në asnjë rast, asnjë hap prapa ky vend nuk do të sprapset në rezultatet dhe standardet e arritura me aq mund e djersë, e herë – herë edhe me gjak.

Dhe për këtë garancia jemi ne!!! Ta dinë mirë edhe zullumqarët!

Read More
31 Tet
0

Shehu: Shifrat e FMN e BE, kunder panikut te qeverise per ekonomine

Deklarata e plotë e deputetit të PD-së z. Sherefedin Shehu:

Raporti i Bashkimit Europian përgënjeshtron panikun që përhap Qeveria për situatën e rëndë ekonomike.

Qytetarët të mos besojnë qeverinë por institucionet ndërkombëtare dhe Bashkimin Europian.

Kryeministri Rama thotë që Shqipëria është në ditën më të vështirë por FMN, në mbledhjen e tij vjetore, dhe raporti i Komisionit Europian konfirmojnë stabilitet dhe mundësi për përmirësim të situatës ekonomike dhe fiskale në vitin e ardhshëm.

Ministri i Ekonomisë dhe Financave të Italisë, z. Fabrizio Saccomanni, me 12 Tetor, 2013 në Takimin Vjetor të FMN, deklaroi;

• Shqipëria në 2013 pritet të ketë një rritje reale të PBB rreth 2 për qind dhe në 2014 ajo do të përmirësohet.

• Papunësia mbetet stabel në 12.8 për qind dhe është rritur paga reale dhe për ditë pune.

• Inflacioni për 8 muajt e parë të vitit ishte mesatarisht 2.1 përqind.

Katër ditë më vonë, me 16 Tetor, raporti i Progresit i BE konfirmon se:

• Shqipëria ruajti stabilitetin makroekonomik me rritje 3.1% në 2011, 1.6% në 2012, dhe 1.7% ne tremujorin e I-rë 2013.

• Investimet e huaja në gjysmën e parë të 2013 u rritën 12.3% dhe eksportet u rritën me 18.4%.

• Papunësia në 2012 u ul në 13% nga 13.4% në 2011. Punësimi u rrit me 2.8% dhe në gjysmën e parë të 2013, papunësia u ul më tej në 12.8%.

• Inflacioni nga 3.5% në 2011, ra në 2% në 2012, dhe në tremujorin e I-rë dhe të II-të të 2013 ishte përkatësisht 2.5% dhe 2.2%. Ndërsa kursi i këmbimit të lekut ishte i qendrueshëm.

Në vend të forcimit të stabilitetit të trashëguar, Qeveria ka zgjedhur destabilizimin.

• Dje deputetët e Qeverisë miratuan aktin për ndryshimin e buxhetit 2013, i cili nxit destabilizimin fiskal.

• Raporti i BE konfirmon se në 2012, deficiti u ul në 3.4% të PBB nga 3.5% që ishte në 2011, ndërsa qeveria në vend që ta ulë me aktin e djeshëm e rrit atë në 6.3%.

• Raporti i BE thekson se rishikimi i buxhetit në 2012 e kompensoi uljen e të ardhurave me shkurtim të shpenzimeve, ndërsa akti i kësaj qeverie e katërfishon mosrealizimin mujor të të ardhurave dhe e mbulon atë me borxh të dyfishuar. Deri në Gusht u morën borxh rreth 35 miliardë lekë, ndërsa në 4 muajt e mbetur do të merren rreth 37 miliardë lekë

Në vend të forcimit të stabilitetit fiskal, qeveria rrit shpenzimet e veta dhe borxhin ndaj bizneseve.

• Akti i Qeverisë rrit borxhin me 24 miliardë pa ulur asnjë lek shpenzimet për veten dhe rrit buxhetin e Kryeministrit me 600 mijë dollarë.

• Akti i Qeverisë i ul investimet me rreth 100 milionë dollarë dhe nuk shton asnjë lek për faturat e papaguara të investimeve publike

• Qeveria rrit borxhin për të ardhurat që nuk do të mbledhë me qëllimin e fshehtë që të shpërblejë klientët e saj duke mospaguar tatime ose u rikthyer ato të paguara.

Deputetët e qeverisë shkelen standardet fiskale dhe miratuan një akt të paligjshëm. Që nga 2005, është marrë borxh vetëm për investime, ndërsa me aktin e djeshëm rreth 100 milionë dollarë borxh do të shkojnë për pagat e administratës dhe shpërblimin e klientëve të qeverisë. Akti i djeshëm është i paligjshëm, mbasi neni 57 i ligjit për menaxhimin e sistemit buxhetor e lejon qeverinë të marrë borxh vetëm për investime. 

Read More
31 Tet
0

Reagimi i Partisë Demoktratike pas votimit antikushtetues te Aktit Normativ

Deklarata për mediat e zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi:

Dje, mazhoranca, në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe praktikave të mira të qeverisjes, vulosi shkatërrimin e konsensusit.

Pa u fashitur gëzimi i mbarë qytetarëve shqiptarë, për rekomandimin për marrjen e statusit, ku vetëm Rama me skuadrën e tij politike nuk morën pjesë, mazhoranca sfidoi hapur rekomandimet kyçe të progres- raportit, ku shteti ligjor dhe gjithpërfshirja nënvizohen si parimet kryesore të rrugës drejt integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Shqiptarët panë se si me një arrogancë të verbër, kjo mazhorancë mbivendosi interesin e saj të ngushtë, klientelist, mbi interesin publik, mbi interesin e shqiptarëve, për forcimin e shtetit ligjor dhe kulturës së re të bashkëjetesës së qytetëruar politike. Vetëm një ditë pas votimit të aktit normativ, qeveria nxori fytyrën e vërtetë të qëllimit të fshehur pas këtij akti antikushtetues, spastrimin e administratës dhe zëvendësimi me militantë politikë.

Sot, e gjithë administrata është vënë edhe zyrtarisht nën presion, ankth dhe pasiguri për vendin e punës dhe vazhdimin e karrierës, në respekt të meritës. Qeveria njoftoi se në të gjitha institucionet, gjatë ditëve dhe javëve në vijim, profesionistët do t’i lënë vendin militantëve.

Partia Demokratike e sheh si detyrim madhor ndaj demokracisë dhe shtetit ligjor, ndaj qytetarëve dhe stabilitetit të vendit, që të marrë të gjithë hapat e duhur, për të kthyer mbrapsht aktin e paligjshëm të mazhorancës. Beteja jonë politike nuk do të njohë pauza në Kuvend dhe në të gjithë aulat e komunikimit publik, për të vazhduar denoncimin një për një të efekteve të aktit normativ.

Beteja jonë ligjore kundër këtij akti ka nisur e do të vazhdojë në Gjykatën Kushtetuese. Partia Demokratike do t’i bashkëngjisë ankimimit tonë fillestar në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për rrëzimin si antikushtetues edhe të aktit të dytë të paligjshëm të mazhorancës dje në Parlament, në lidhje me ligjin për nëpunësin civil.

Partia Demokratike i bën thirrje Edi Ramës, të ndalë presionin mbi administratën, dhe revanshin për spastrimin e saj. Partia Demokratike fton çdo punonjës të administratës, që të denoncojë rastet e presionit apo largimit dhe i garanton ata se do ndërmarrë të gjitha masat, për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që përdorin pushtetin, për të cënuar ligjin dhe shtetin ligjor.

Read More
31 Tet
0

Emerimet e jashteligjshme ne Policine e Shtetit, PD dorezon padine ne Prokurori

Deklarata e plotë e deputetit të PD-së z. Arben Ristani, pas dorëzimit të padisë në Prokurorinë e Përgjithshme:

Partia Demokratike paraqiti sot në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri për veprën penale “Të shpërdorimit të detyrës në bashkëpunim”, vepër kjo e lidhur me shkarkimet dhe emërimet e fundit në trupën drejtuese të Policisë të Shtetit, duke filluar nga emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm, dy zv/drejtorëve dhe drejtorëve të Policisë në qarqe. Këto emërime janë bërë duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin për Policinë e Shtetit. Siç kemi bërë edhe më parë të dikur, Kryeministri Rama dhe ministri Tahiri në mënyrë konsenguente vazhdojnë të shkelin ligjin, kanë një pandjeshmëri totale ndaj shtetit ligjor dhe ligjit në veçanti.

Më e spikatur ishte në emërimet e fundit, ku është shkelur neni 21 i ligjit për Policinë e Shtetit i cili parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të ketë arsimin përkatës, duhet të ketë gradën përkatëse drejtues i parë për më shumë se 3 vjet të cilën nuk e ka, duhet të ketë përvojën në punë me 16 vite të pandërprera në 20 vitet e fundit. Pra të tre këto kritere ligjore të cilat janë kritere taksative që nuk lënë vend për ekuivok dhe interpretim, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh në emërim e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Po kështu, edhe për dy nëndrejtorët dhe drejtorëve nëpër qarqe që nuk u janë nënshtruar procedurave të ri-pranimit në polici dhe nuk janë marrë parasysh kriteret që ata duhet të plotësojnë që të jenë në vendet e punës.

E gjitha kjo i shkakton një pasojë shumë të rëndë shtetit ligjor në Shqipëri, i shkakton një pasojë shumë të rëndë punës normale të Policisë së Shtetit e cila është e angazhuar në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe çdo kriminaliteti në vendin tonë.

Kjo punë është vlerësuar maksimalisht edhe nga raportet e ndërkombëtareve dhe po përmend progres-raportin e fundit të Bashkimit Europian sipas të cilit puna e Policisë së Shtetit Shqiptar në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar është vlerësuar dhe është një nga shtyllat që bëri që Shqipëria të marrë ftesën për të qenë vend kandidat për në Bashkimin Europian.

Pyetje: Çfarë synoni të arrini me këtë kallëzim?

Me anë të këtij kallëzimi duam të qëndrojmë fort për shtetin ligjor në Shqipëri, duam të qëndrojmë fort kundër çdo veprimi që shkel ligjin dhe të fitojmë qytetarinë nga antiligji. Në Shqipëri nuk mund të sundojë antiligji, por duhet të sundojë ligji.

Pyetje: Çfarë parashikon ligji në këtë rast nëse provohen akuzat tuaja?

Ju mund të shikoni ligji i cili parashikon se vepra penale për shpërdorim detyre parashikon një dënim me heqje lirie deri në 7 vite.

Pyetje: Lëvizjet u bënë nga Burgaj?

Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm është i Kryeministrit, emërimi i dy nëndrejtorëve është i ministrit dhe në bashkëpunim me Drejtorin e Policisë kanë bërë këtë paligjshmëri. 

Read More