Blog

31 Tet
0

Halimi: PD në Kushtetuese për mbrojtjen e pronave të shqiptarëve

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi:

Dy ditë më parë nga Qeveria është botuar në këtë fletore zyrtare me numër 163/2013, Vendimi 932 datë 30.09.2013 “Për unifikimin kompetencave të INUK”. 

Sipas këtij vendimi, Edi Rama, Kryeministri ynë që zyrën e ka të vetën por pushtetin ia paska dhënë popullit, i jep të drejtë vetes së vetë të urdhërojë Kryeinspektorin,  që pa asnjë kufizim paraprak, në të gjithë territorin e vendit, të rrafshojë çdo ndërtim, mbi tokë apo nën tokë, të përfunduar apo të papërfunduar, përfshirë ato pa leje, por edhe atyre pronarëve me tapi, sipas një ndërtimi që:
1- E kanë me leje ndërtimi,  por që sipas Kryeinspektorit të Ramës leja e ndërtimit qenkërka e kundraligjshme, (pika 4 germa c e VKM)
2- E kanë me me leje ndërtimi, por po sipas këtij Kryeinspektori, paskan kryer ndonjë shkelje gjatë ndërtimit, (pika 4 germa b e VKM)
3- E kanë me leje ndërtimi, por që nuk e kanë mbaruar akoma ndërtimin brenda afatit dhe meqë ka kaluar afati duhet të shembet…(germa 5 pika c)
4- E kane tapinë e shtëpisë me leje legalizimi, por sipas Kryeinspektorit leja e legalizimit qenkërka e kundërligjshme. (pika 5 germa b)
5- E kanë shtëpinë  në proces legalizimi, por po sipas këtij Kryeinspektori, kot që presin sepse nuk do ju legalizohet, ndaj duhet të rrafshohet (pika 4 germa ç) 

Të gjitha këto ndërtime me leje gjithmonë, sipas këtij vendimi të Kryeministrit tonë do të rrafshohen siç thotë ai: pa asnjë kufizim…në të gjithë territorin e vendit (pika 1 germa 1 e kesaj VKM)
Pronat që shqiptarët kanë ndërtuar me leje, janë prona të ligjshme, të mbrojtura nga nenet 41 e 42 të Kushtetutës së vendit, neni 6 i Konventës Europiane të Drejtave të Njeriut, neni 1 i protokollit shtesë të saj dhe këto prona janë  të pacenueshme. Prona nuk mund të preket përveçse nga një proces gjyqësor. Sipas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të vendit, që në bazë të nenit 132 të Kushtetutës kanë fuqi detyruese të përgjithshme, leja e ndërtimit e dhënë nga autoritetet ligjore, mund të anulohet vetëm nga sistemi gjyqësor i vendit, (vendimi nr.6/2006)

Vendimi për të rrafshuar ndërtimet me leje, është arbitrar, antiligjor dhe antikushtetues.

PD i bën thirrje të gjithë punonjësve të rendit publik dhe nëpunësve të shtetit, të mos prekin pronat e ligjshme të qytetarëve shqiptarë, në zbatim të urdhrave arbitrare, antikushtetues dhe antiligjor të atyre, që janë verbuar nga pushteti dhe hakmarrja për pronat e shqiptarëve. Shkatërrimi i pronave të ligjshme të qytetarëve është krim dhe ndëshkohet.

PD i bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptare; Mos lejoni që pronat tuaja të preken nga gangsterët e pushtetit, që kërkojnë t’ju marrin djersen dhe gjakun tuaj, mundin tuaj dhe fëmijëve tuaj, në mënyrë arbitrare me justifikimin e vetëm se ata janë mbi ligjin.  
Mos ju nënshtroni veprimeve arbitrare as të urdhëruesve delirantë, dhe as të ekzekutorëve të verbër.

Njoftoni në kohën më të shkurtër deputetin tuaj të opozitës për të kërkuar ndihmën dhe mbrojtjen e të drejtave tuaja të ligjshme, pronën, djersën, gjakun tuaj.

Dokumentoni gjithçka me audio dhe video, nëse ndonjë punonjës i verbër i Policisë i bindet urdhrit arbitrar dhe antikushtetues për të shkatërruar pronën tuaj të ligjshme. Ata duhen të përgjigjen. Dhe ne ju garantojmë se do përgjigjen.

Prona juaj e ligjshme, është djersa juaj, është gjaku juaj dhe i fëmijëve tuaj. Mos lejoni ata që në emër të pushtetit duan t’ua shkatërrojnë pa pyetur për ligj, Kushtetutë, konvente dhe gjykata.

Ky vendim i Qeverisë është marrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, me të paktën 20 vendime të Gjykatës së Strasburgut, me të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetutës të vendit, që mbrojnë pronën private të ligjshme, garantojnë parimin e sigurisë juridike.

Ndaj dhe Partia Demokratike do t’i drejtohet brenda kësaj jave Gjykatës Kushtetuese për t’i kërkuar në mënyrë të menjëhershme, mbrojtjen e pronave të shqiptarëve dhe shpalljen si antikushtetues të tij.

Deri atëherë mos lejoni askënd t’ua prekë pronën tuaj të ligjshme.

 

Read More
31 Tet
0

Vorpsi: Drejtoresha e doganave, sulm pa bazë administratës së mëparshme, fsheh emërimet politike

Deklarata për media e zëdhënëses së PD-së Laura Vorpsi:

Për qeverinë shqiptare, mesa duket çdo ditë është dita e gënjeshtrës. Së fundmi, drejtoresha e doganave deklaroi se në dy vitet e fundit, Drejtoria e Doganave nuk paska bërë asnjë kallëzim penal mbi rastet e shkeljes së ligjit. Drejtoresha e doganave gënjen, dhe janë faktet që e nxjerrin atë zbuluar.

Për vitin 2012 administrata doganore ka bërë 55 kallëzime penale. Për vitin 2013, 45 kallëzime penale. Pra në dy vitet e fundit, doganat kanë bërë 100 kallëzime penale, dhe kjo është e dokumentuar dhe lehtësisht e verifikueshme. Si mundet që 100 kallëzime penale, të shihen nga qeveria e re dhe drejtoresha e re si 0 kallëzime penale?

Për dy vitet e fundit, janë sekuestruar mijëra koli me cigare kontrabandë, janë sekuestruar kontenierë me naftë kontrabandë, dhe janë kapur shumë raste të tentativës për të kaluar mallra kontrabandë. Të gjitha, raste të referuara në prokurori. Për këtë arsye, drejtoria e doganave ka marrë vlerësime të vazhdueshme nga Bashkimi Europian, dhe nga organizmat ndërkombëtare dhe këto janë reflektuar në raportet e tyre.

Drejtoresha e doganave gënjen, pasi me sulmet ndaj administratës së mëparshme kërkon të fshehë emërimet politike që ka bërë e po bën në dogana, sic janë ato të caktimit të drejtuesve dhe zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në rrethe, si kryedoganierë, si në rastin e Durrësit, Rinasit, Shkodrës dhe Sarandës.

Read More
31 Tet
0

Përgjigjia e opozitës drejtuar kryeministrit Rama

Tiranë, 13 tetor 2013

Drejtuar: Z. Edi Rama, Kryeministër dhe Kryetar i Partisë Socialiste

Për dijeni: Z. Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i LSI

Z. Vangjel Dule, Zv. Kryetar i Kuvendit dhe Kryetar i PBDNJ

I nderuar z. Rama,

Në përgjigje të letrës suaj, në emër të opozitës ju shpreh qëndrimin tonë për sa vijon.

Miratimi me konsensus i Ligjit 152/2013 “Për Nëpunësin Civil” ishte një nga tre kushtet që iu parashtruan Shqipërisë nga Komisioni Europian për të formalizuar dhënien e rekomandimit për statusit e vendit kandidat për dhe shqyrtimin e tij nga Këshilli Europian. Për fat të keq, refuzimi i konsensusit nga Partia Socialiste pamundësoi këtë proces edhe në dhjetorin e 2012-tës edhe në pranverën e 2013-tës.

Arritja e konsensusit u evidentua si qëllim e kusht më vete nga përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian të cilët, publikisht, e cilësuan konsensusin ndërpartiak më të rëndësishëm se madje edhe vetë aprovimi i tre ligjeve përmes një referendumi.

Pas negociatash të gjata dhe pasi u humb çdo shans për marrjen e statusit të vendit kandidat para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, ligji “Për Nëpunësin Civil” u miratua me konsensus unanim në Kuvendin e Shqipërisë më 30 maj 2013. Me kërkesë të vetë Partisë Socialiste hyrja e ligjit në fuqi u shty nga 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare në datën 1 tetor, njëkohësisht duke njehsuar datën e hyrjes në fuqi me atë të fillimit të efekteve, ndërsa u përcaktua se Këshilli i Ministrave duhet të përgatisë aktet nënligjore brenda 3 muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit, pra brenda datës 31 dhjetor 2013.

Theksojmë se këto përcaktime të ligjit sikundër i gjithë ligji u miratuan me konsensus dhe u votuan me unanimitet.

Një ditë pas konstituimit të qeverisë së re, opozita mësoi nga burime jo-zyrtare synimet e mazhorancës për të zhbërë konsensusin e 30 majit duke anulluar efektet ligjore të Ligjit për

Nëpunësin Civil për një periudhë 6 mujore pas datës 1 tetor përmes një akti normativ të Këshillit të Ministrave.

Për më shumë se dhjetë ditë, opozita i bëri thirrje publike e në mënyrë të përsëritur mazhorancës, ju personalisht dhe z. Meta, për të mos shkelur konsensusin e arritur me 30 maj.

Duke injoruar këto thirrje, mbrëmjen e 30 shtatorit, vetëm pak orë para hyrjes në fuqi të ligjit, Këshilli i Ministrave nëpërmjet një akti normativ anuloi konsensusin parlamentar të 30 majit dhe zhbëri efektet e votës unanime në Kuvend.

Shkelja e njëanshme e konsensusit është një akt i paprecedent në historinë 23 vjeçare të demokracisë shqiptare. Ky akt ka pasoja të rënda për klimën politike në vend dhe evidenton para opozitës por edhe para mbarë qytetarëve shqiptarë pabesueshmërinë tuaj për t’iu përmbajtur angazhimeve tuaja më solemne, siç është konsensusi parlamentar.

Në bindjen tonë, prekja nëpërmjet një akti normativ të miratuar vetëm nga Këshilli i Ministrave e çdo ligji të miratuar nga Kuvendi me shumicë të cilësuar, aq më shume unanime në këtë rast, është një akt arbitrariteti i skajshëm anti-kushtetues si dhe shprehje e një përçmimi jo vetëm ndaj konsensusit parlamentar si vlerë por edhe ndaj parlamentit si institucioni më themelor i republikës.

Në letrën tuaj, ju shpreheni se nuk keni dëgjuar nga opozita asnjë alternativë tjetër që e zgjidh më mirë problemin e krijuar nga mungesa e akteve nënligjore. Natyrisht që s’kishit si ta dëgjonit pasi nismën e ndërmorët njëanshmërisht e në fshehtësi të plotë nga sytë e publikut e të opozitës. Nëse do të donit të dëgjonit zgjidhjet alternative nga opozita, do të duhej që, në momentin më të parë, të shtronit çështjet konkrete që ju preokuponin dhe të kërkonit mirëkuptim e bashkëpunim për të gjetur zgjidhjen e arsyeshme dhe konsensuale.

Nëse do të kishit vepruar kështu ne do të kishim dhënë të gjithë mirëkuptimin tonë si dhe do të ofronim të gjitha kapacitetet teknike të opozitës për të trajtuar e zgjidhur çështjet – ato të qenësishme e jo të sajuara – për zbatimin e ligjit të ri, çështje të cilat, të paktën nga këndvështrimi juridik, ishin e janë lehtësisht të kapërcyeshme e në kohë shumë të shpejtë – çështje ditësh e jo muajsh – pa patur fare nevojë për shtyrjen që ju i bëtë zbatimit të ligjit të ri.

Për më tepër, faktet e këtyre ditëve të fundit tregojnë se veprimet tuaja mbi administratën janë jo vetëm në kundërshtim të hapur me frymën e ligjit të ri për nëpunësin civil por edhe në shkelje flagrante të ligjit të vjetër dhe ligjeve të tjera në fuqi, veprime këto që parathonë qartë se çfarë do të pësojë administrata deri më 1 prill 2014.

Sa i përket argumenteve tona në lidhje me aktin normativ, opozita ka folur fare qartë, se akti normativ i qeverisë është antikushtetues. Argumentet tona janë bërë publike dhe janë shtjelluar qartësisht edhe në ankimin tonë në Gjykatën Kushtetuese, ankim i cili në vetvete demonstron se opozita e sotme sillet në respekt të plotë të demokracisë dhe shtetit ligjor, në respekt të institucioneve kushtetuese të vendit, ndryshe nga ajo e djeshmja.

Ky akt normativ është edhe antikonsensual vetiu. Vetë natyra e aktit normativ përjashton edhe dialogun e jo më konsensusin. Siç përcakton neni 101 i Kushtetutës akti normativ nuk mund të ndryshohet nga Kuvendi. Ai ose miratohet ose rrëzohet. Ndaj, ndryshe nga rasti i një projekt-ligji që mund të ndreqet përmes procesit parlamentar, kjo është e pamundur me aktin normativ.

Në gjithë këtë kontekst, ftesa për të dëgjuar arsyet tuaja se pse kërkoni të prishni konsensusin, vjen dy javë pasi prishjen e konsensusit e keni bërë fakt të kryer përmes aktit normativ.

Nëse mazhoranca kërkon me të vërtetë të gjejë rrugën e humbur të dialogut dhe arsyetimit me opozitën atëherë zgjidhja është e thjeshtë dhe evidente; tërhiqni aktin normativ me të cilin u shkelmua konsensusi e bashkë me të edhe besueshmëria juaj për t’ju përmbajtur angazhimeve tuaja.

Ky nuk është kusht. Kjo është rruga e arsyes për të gjetur zgjidhjen së bashku.

Për çdo nevojë të përligjur le ti drejtohemi procedurave normale parlamentare dhe frymës së konsensusit gjithëpërfshirës. Një ligj i miratuar me konsensus mund dhe duhet të ndryshohet vetëm me konsensus.

Në këtë frymë opozita është e gatshme të dialogojë dhe të ofrojë konstruktivitetin e saj për këtë çështje dhe për çdo çështje që ka të bëjë me interesat madhore të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.

Me respekt,

Lulzim Basha
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Read More
31 Tet
0

Basha, Ramës: Tërhiq aktin normativ, opozita e gatshme të dialogojë në interes të vendit

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në emër të opozitës u shpreh i gatshëm të dialogojë me mazhorancën në interes të vendit, vetëm pasi të tërheqë aktin normativ, përmes të cilit në mënyrë të paprecedentë në 23 vite shkatërroi konsensusin. Duke iu përgjigjur interesimit të medias për letrën e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama, zoti Basha theksoi se nuk mund të ketë konsensus për të prishur konsensusin.
  
“Opozita, PD, unë si kryetar i saj jemi dhe kemi qenë gjithmonë të hapur për dialog, për bashkëpunim, për gjithpërfshirje dhe në këtë kuptim nuk ngurrojmë të përgjigjemi pozitivisht për asnjë kërkesë për takim, për të diskutuar çdo çështje në të mirë të vendit, në të mirë të qytetarëve. Ky është standardi i Lulzim Bashës, ky është standardi i PD, ky është standardi i opozitës shqiptare. 

Në rastin në fjalë është shumë e rëndësishme të kuptohet se çfarë kërkohet; kërkohet konsensus, për të prishur konsensusin. Kjo është e papranueshme, madje e dënueshme në sytë e opinionit qytetar. Ka ndodhur një akt i rëndë dhe i paprecedentë në 23 vite demokraci. Është arritur konsensusi në mënyrë unanime dhe 4 orë para se ligji i miratuar unanimisht dhe me konsensus të hynte në fuqi, është anuluar në mënyrën më arbitrare, duke anashkaluar Parlamentin, e le më konsensusin ndërpartiak, me një akt normativ.

Përgjigja e vetme e opozitës së unifikuar është kjo; Tërhiq aktin normativ dhe opozita ka qenë, është dhe do të mbetet gjithmonë e gatshme të ulet dhe të dialogojë për interesin publik, për interesin e Shqipërisë, për interesat e mëdha të kombit, siç është integrimi europian i vendit, siç është mirëqënia e qytetarëve shqiptarë!” deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Read More
31 Tet
0

Spastrimi i administratës nga Rama, Bumçi: Qëllimi, të shtyjë marrjen e statusit

Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi:

Zoti Rama na deklaroi se për Kryeministrin nuk është e rëndësishme data kur Shqipëria mund të marrë statusin si vend kandidat për në BE.

Ndërkohë që vendet e tjera rendin për të avancuar drejt Bashkimit Europian, Kryeministri ynë nuk e ka këtë objektiv. Ai nuk ka një datë për t’u premtuar qytetarëve shqiptarë se Shqipëria më në fund do të kalojë në një stad të ri drejt Bashkimit Europian.

Zoti Rama, datat janë të rëndësishme, sepse kështu funksionon Bashkimi Europian.

Zoti Rama, data është e rëndësishme, pas tre vjetësh bllokimi të paprecedentë që i bëre Shqipërisë.

Zoti Rama, data është e rëndësishme sepse ne i përmbushëm të gjithë detyrimet që iu vunë Shqipërisë, dhe qeveria jote e ka këtë dhuratë mbi tavolinë. Prandaj nuk do që statusi të merret këtë vit sepse do t’i njihet si meritë Qeverisjes së Partisë Demokratike. Prandaj shkelmove konsensusin e arritur për ligjin e shërbimit civil dhe ke ndërmarrë fushatën e spastrimeve në administratë, sepse do të shtysh datën e marrjes se statusit të vendit kandidat për Shqipërinë.

E vetmja gjë që ka mbetur për ty zoti Rama, është t’u japësh shqiptarëve datën, kur ti do ta marrësh seriozisht integrimin europian të Shqipërisë.

Read More
31 Tet
0

PD:Kallëzim penal për Ramën dhe Tahirin për shpërdorim detyre dhe shkelje të ligjit për Policinë

Deklarata për media e deputetit të PD-së Arben Ristani:

Dje denoncuam para qytetarëve shqiptarë, goditjen shkatërrimtare të trupës drejtuese profesioniste të Policisë së Shtetit, e cila u zhbë brenda natës.

Po brenda natës, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, rikthyen në krye të policisë të gjithë ata të cilët kanë qenë të lidhur direkt ose indirekt me bandat e krimit të organizuar para vitit 2005. 
Emërimi i kupolës së Policisë duhet të bëhet domosdoshmërisht vetëm në përputhje me ligjin.

Vetëm kështu garantohet një polici brenda standarteve të kërkuara nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.

Partia Demokratike thekson edhe një herë me forcë para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar dhe financuar reformimin e Policisë së Shtetit shqiptar drejt standarteve të simotrave të saj europiane se:

Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga Kryeministri Rama me propozimin e Ministrit të Brendshëm Tahiri, është haptazi në kundërshtim me ligjin e Policisë së Shtetit dhe konkretisht:

Neni 21 i këtij ligji, parashikon që personi i cili do të emërohet në pozicionin e Drejtorit të Policisë së shtetit duhet: 
1. Të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë
2. Të ketë shërbyer për një periudhe kohe të paktën 3-vjeçare me gradën drejtues i parë  
3. Të ketë kryer jo më pak se 16 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetencat policore brenda 20 viteve te fundit.

Kryeministri Rama ka emëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në shkelje të hapur të këtyre kritereve dhe në kundërshtim flagrant me ligjin për Policinë e Shtetit.

Emërimi i dy zëvendës Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë, nga Ministri Tahiri, është kryer haptazi në kundërshtim flagrant me nenin 24 të ligjit për Policinë e Shtetit.
Kryerja me dashje e veprimeve në kundërshtim flagrant me ligjin që kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, është krim dhe dënohet në mënyrë të qartë nga Kodi Penal i vendit.

Para ligjit të gjithë jemi të barabartë.

Partia Demokratike është e vendosur të kërkojë ndëshkimin e atyre që mendojnë se janë mbi ligjin, janë të ndryshëm nga qytetarët dhe mund të injorojnë zbatimin e tij. 
Për këtë arsye, Partia Demokratike ka përgatitur dhe do të bëjë kallëzimin penal ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, të cilët në mënyrë flagrante shkelën ligjin, duke konsumuar krimin e shpërdorimit të detyrës, me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit ligjor, të fuksionimit të Policisë së Shtetit.

Read More
31 Tet
0

Shehu: Financat publike po shkojnë drejt greminës

Prezantimi nga konferenca për media e deputetit të Partisë Demokratike Sherefedin Shehu:

Akti për destabilizimin e financave publike:

Rama i ndërgjegjshëm për qeverisjen arbitrare, fshehu aktin per ndryshimin e buxhetit 2013.

• Më 4 tetor, e miratoi Aktin Normativ për ndryshimin e buxhetit 2013, por as nuk e përmendi dhe as nuk e publikoi në faqen e Këshillit të Ministrave.
• Papritur dje, më 10 tetor qytetarët dhe media, e panë të publikuar në gazetën zyrtare.

Me një të rënë të lapsit gropa financiare thellohet me 6 miliardë në muaj.

• Ndonëse më parë Cani deklaroi se deficiti i të ardhurave në këtë vit do të jetë 30 miliardë lekë, ky akt e ligjëron atë në 40 miliardë
• Qeveria e PD-së nuk realizoi 2 miliardë në muaj, Qeveria e PS-së vendos të mos realizojë 8 miliardë në muaj.
• Mosrealizimi neto i PD-së, ishte 6 miliardë, thellimi i gropës nga PS ligjërohet të jetë 24 miliardë
• Për kujtesë në 2005 realizimi 8 mujor i të ardhurave ishte 88% dhe në tremujorin e fundit të ardhurat u tejkaluan me 28% dhe deficiti vjetor u ul në 3.8% e PBB nga 4.5% e PBB e programuar.

Financat publike po shkojnë drejt greminës

• Thellimi i deficitit vjetor për shkak të mosrealizimit të të ardhurave synon shmangien e përgjegjësisë së qeverisë
• Qeveria e PS-së që me 4 tetor a ka rritur borxhin me rreth 24 miliardë lekë duke marrë në 4 muaj 40 miliardë lekë borxh në një kohë që në 8 muajt e parë të këtij viti u morën vetëm 35.7 miliardë lekë.
• Kështu, deficiti pa të ardhurat e privatizimit nga 49 miliardë lekë, bëhet rreth 73 miliardë lekë.
• Në fund të 8 mujorit, qeveria e PS-së mund të merrte edhe 15 miliardë lekë hua, pa rritur kufirin e borxhit publik të miratuar (rreth 63% të PBB), por oreksi i madh i saj e rriti këtë kufi në rreth 40 miliardë lekë.

Qeveria e fshiu nga lista premtimin për shlyerjen e detyrimeve kontraktorëve ndaj bizneseve:

• Investimet ulen rreth 100 milionë Dollarë duke krijuar një faturë të re ndaj bizneseve, pasi punimet dhe shërbimet nga kontraktorët kanë filluar ose janë në procesin e kryerjes por nuk do të paguhen brenda këtij viti.

Qeveria po punon për klientët e saj:

• Rritja e borxhit prej 24 miliardë në 2 muaj e gjysëm të mbetur do të shkojë pa u vënë re në xhepat e klientëve të qeverisë. 
• Thellimi i gropës fiskale dhe ulja e investimeve krijojnë hapësirë që të shpërblehen të preferuarit e qeverisë duke u kthyer mbrapsht tatimet e paguara prej tyre pa kaluar nëpërmjet sistemit të thesarit.

Read More
31 Tet
0

Rushaj: “Rritja e deficitit”, mekanizëm për abuzim me fondet publike

Ish zv-Ministri i Financave Alfred Rushaj e ka konsideruar deklaratën e qeverisë, se deficiti i të ardhurave në këtë vit do jetë mbi 39 mld lekë, si tentativë për të mbuluar në rastin më të mirë paaftësinë e saj në menaxhimin e të ardhurave. 

Zoti Rushaj e ka cilësuar absurde deklaratën e Ministrit të Financave, i cili parashikon rritje të deficitit të të ardhurave në muajt e fundit të vitit me rreth 24 miliardë lekë.

Në bashkëbisedimin me gazetarët zoti Rushaj theksoi se të ardhurat gjatë këtij viti kanë patur një ritëm më të ngadaltë, që lidhet me heqjen e disa taksave (heqja e tvsh-së për makineritë e pajisjet, heqja e tvsh-së edhe për materialet e ndërtimit në sektorin energjetik, rritja e pragut të taksimit mbi të ardhurat etj.), vendim i cili u ndërmor me qëllim ruajtjen e një trendi në rritje të investimeve private në ekonomi dhe për të nxitur konsumin familjar.

“Reduktimi i këtyre taksave ka sjellë uljen e të ardhurave në buxhet me rreth 18 mld lekë. Po kështu ndikim ka patur struktura e rritjes ekonomike, e cila vjen kryesisht nga dy sektorë, eksportet dhe bujqësia të cilat nuk gjenerojnë të ardhura fiskale. Të ardhurat në 8 muajt e parë të vitit, janë realizuar në masën 93% të parashikimit ose e thënë në shifra,16 mld lekë. Ky deficit të ardhurash kompensohet për periudhën 8 mujore me 7 mld lekë, kursim përfundimtar shpenzimesh, 5 mld nga interesat e borxhit dhe 2 mld nga fondi i veçantë. Vetëm 6 mld lekë është efekti 8 mujor i ekzekutimit të buxhetit. 
Nga informacionet paraprake, vetëm muaji shtator krijon një deficit prej 5 mld në buxhetin qëndror dhe pritet që në çdo muaj deri në fund të vitit të jetë i njëjti ritëm mosrealizimi. Deklarimi sot për rritje të deficitit me rreth 24 mld lekë në 4 muaj në rastin më të mirë është paaftësi dhe në rastin më të keq një mekanizëm për mundësi abuzimi me fondet publike, me taksat dhe doganat në favor të klientelës”, tha ai.

Këtë z. Rushaj e ilustron me vitin 2005 kur në një situatë të njejtë me sot, u bë rotacioni i pushtetit.

“Në vitin 2005 realizimi 8 mujor i të ardhurave nga qeveria socialiste ishte vetëm 88% dhe kishte një vonesë pagesash 21 ditore në thesar. Në tremujorin e fundit, të qeverisjes së PD-së, plani i të ardhurave u tejkalua me 28% dhe u eleminua menjëherë vonesa në pagesa, ndërsa deficiti vjetor u ul në 3.8% te PBB nga 4.5% e PBB i programuar”, theksoi ish – zv/Ministri i Financave.

Ndaj sipas zoti Rushaj, nëse ndodh thellimi i deficitit vjetor për shkak të mosrealizimit të të ardhurat, është përgjegjësi direkte e kësaj qeverie e cila duhet të përgjigjet për fondet publike.

Read More
31 Tet
0

Basha: S’mund të ketë mirëkuptim për aktin antikushtetues që prishi konsensusin

Prononcimi për media i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në selinë e PD-së:

Pikë së pari nuk ka asnjë ndryshim, akti normativ thika që i nguli në shpinë konsensusit katër orë para hyrjes së ligjit në fuqi në errësirë, në pabesi më 30 shtator, është akti më i rëndë dhe i paprecedentë në historinë 23 vjeçare të pluralizmit, i cili bashkë me problemet e tij ka sjellë edhe një kulturë konsensusi.

Konsensus i cili asnjëherë nuk është shkelur me përjashtim të këtij rasti, pra akti normativ, kjo thikë në shpinë të konsensusit, është dhe mbetet një fakt.

Akti normativ shkatërron konsensusin, shkatërron marrëveshjen unanime dhe votën unanime në Parlament, për një nga tre ligjet, kusht për statusin kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Të jeni të qartë. Asgjë s’ka ndryshuar në këtë drejtim. Nuk kërkon konsensus, kërkon nënshtrim. Kërkon që opozita t’i nënshtrohet vullnetit arbitrar dhe antikushtetues të aktit normativ. Akt normativ, i cili merr përsipër të zhbëjë një ligj me 3/5.

Ky është fakti dhe për këtë shqiptarët ta kenë fare të qartë që opozita e tyre, opozita shqiptare, do të qëndrojë fort në mbrojtje të vlerës së konsensusit dhe në mbrojtje të një ligji të miratuar me votë unanime në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është fakti i parë.

Fakti i dytë. Nëse me të vërtetë dëshiron dialog dhe konsensus për çfarëdo problemi që mendon se ka evidentuar në mënyrë të ligjshme, opozita gjithmonë ka qenë e gatshme, por është ai që i ka prerë rrugën këtij dialogu, siç thash, duke miratuar në errësirë katër orë para hyrjes në fuqi të ligjit, aktin normativ, aktin antikushtetues me të cilën në mënyrë të pabesë prishi konsensusin e 30 majit.

Sot përsëri u tha shqiptarëve të pavërteta. U tha se ekspertët e Bashkimit Evropian kishin parashikuar që ligji t’i shtrinte efektet e tij një vit pas hyrjes në fuqi. Kjo është një gënjeshtër e pastër. Ekspertët e BE-së kishin parashikuar hyrjen e ligjit në fuqi, 15 ditë pas aprovimit nga parlamenti. U aprovua më 30 maj, duhej të hynte në fuqi më 15 qershor. Ishte opozita e atëhershme, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim që kërkuan që ligji do të hynte në fuqi më 1 shtator. Dhe, ishte mazhoranca e atëhershme, Partia Demokratike që ra dakort, për hir të konsensusit. U mblodhëm më 30 maj për të votuar ligjin që të hynte në fuqi më 30 shtator dhe përsëri ishte PS që kërkoi një tjetër shtyerje të hyrjes së ligjit në fuqi më 1 tetor dhe kështu u bë, ligji u votua dhe data e hyrjes në fuqi të këtij ligji u përcaktua ashtu siç u arrit me dakortësi të plotë me grupin parlamentar të PS-së më 1 tetor, duke i lënë 3 muaj afat përgatitjes së akteve nënligjore, akte që hyjnë në fuqi brenda 3 muajve të ardhshëm nga hyrja në fuqi e ligjit.

Këto janë fakte të njohura botërisht dhe transparente. Pra, këto janë alibi që nuk qëndrojnë dhe për fat të keq janë gënjeshtra që qarkullojnë përpara shqiptarëve për të fshehur një të vërtetë dhe vetëm një të vërtetë. Ligji nuk është i pazbatueshëm, por ligji bën të pazbatueshëm spastrimin e administratës dhe rekrutimit në mënyrë jo transparente, jo në bazë të meritës profesionale, por në bazë të kritereve jo transparente klienteliste dhe politike siç kemi patur rastin të shohim në këto ditë, në vende të rëndësishme që menaxhojnë pasuritë dhe paratë e shqiptarëve, në dogana, në tatime, në AlbPetrol, në lojërat e fatit e kudo tjetër.

Siç kemi parë po kështu sot, emërimet në kupolën e Policisë së Shtetit të personave që nuk kanë as kriteret ligjore të ligjit për policinë e shtetit dhe nuk kanë as kualifikimet e nevojshme për të drejtuar policinë e shtetit, por kanë disa prej tyre, atribute të tjera që tregojnë se kanë qenë shërbëtorë të zellshëm dhe të antiligjshëm, të shtypjes së opozitës së Partisë Demokratike në vitet 2001-2005 dhe shërbëtorë të zellshëm të trafiqeve dhe klientelës së ish-mazhorancës socialiste të asaj kohe.

Këto janë efektet e vërteta të kaosit dhe të vendosjes së vetes mbi ligjin, siç po bën dita-ditës kryeministri Rama. Nëse është serioz për atë që kërkon ka një dhe një rrugëdalje të qartë. Ta heqë këtë thikë që i ka ngulur pas shpine konsensusit, ta anulojë këtë akt arbitrar dhe antikushtetues që quhet – akt normativ, e që tenton në mënyrë antikushtetuese të zhbëjë efektet e një vote unanime, të një konsensusi mbarëpartiak.

Nëse është i sinqertë, nëse ka vënë mend, nëse e ka kuptuar se hapi që ka hedhur nuk e çon vendin drejt synimeve mbarëpopullore për integrim dhe mirëqenie dhe nis udhëtimin e vetë z.Rama drejt një gremine, një humnere ku pashmangshmërisht rrëzohet çdo udhëheqës që e shikon veten e tij mbi ligjin, atëherë pa dyshim që tek opozita ka dhe do të ketë gjithmonë një faktor që qëndron mbi interesin e saj dhe në funksion të interesit publik.

Gjithçka tjetër është farsë dhe gënjeshtër.

Tërhiq aktin normativ dhe drejtohu procedurave normale. Ky është një kusht kushtetues. E kundërta ishte një atentat antikushtetues ndaj kulturës së konsensusit, kulturës së bashkëpunimit.

Ndaj edhe një herë, duke iu përgjigjur deklaratës që sapo bëri nga foltorja e Kuvendit, i them, të tërheqë aktin normativ. Ta heqë këtë thikë që i nguli në shpinë konsensusit. Këtë pabesi që bëri ndaj një akti madhor siç është vota unanime e të gjithë partive politike, votë unanime edhe për datën e hyrjes në fuqi, të cilën tani rreket t’u mbushë mendjen e shqiptarëve se paska qenë ndryshe, por në fakt ka qenë ajo, që ne ramë raport më 30 maj në aolën e Kuvendit dhe në këtë mënyrë të eliminojë rreziqet e mëdha me të cilat mbarset rruga e arbitraritetit dhe vendosjes së tij mbi ligjin.

Read More
31 Tet
0

Basha mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Presidentit të PPE Wilfried Martens

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi, kryetarit të Grupit të PPE, Joseph Daul, për ndarjen nga jeta të Presidentit të PPE Wilfried Martens. Zoti Basha ka vlerësuar kontributin e tij të pazëvendësueshëm, si krijues dhe një lider i admiruar i Partisë Popullore Europiane.

Ndër të tjera, në mesazhin e ngushëllimit, kryetari i PD Lulzim Basha shkruan:

“Mësova me keqardhje të thellë, se presidenti dhe miku ynë i shquar Wilfried Martens nuk ndodhet më mes nesh.Në këto momente pikëllimi dhe dhimbjeje të thellë, dëshiroj t’ju shpreh juve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij, ngushëllimet e mia të përzemërta, për humbjen e këtij burri të madh shteti, lideri vizionar dhe miku të dashur. Presidenti Martens do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të pazëvendësueshëm, si krijues dhe një lider i admiruar i Partisë Popullore Europiane. Në krye të PPE, pa rritjen e të djathtës së qendrës moderne europiane dhe transformimin e platformës së vet politike në alternativën politike më të përkrahur dhe të pranuar, për një të ardhme më të mirë të kontinentit europian, zhvillimin dhe modernizimin e mëtejshëm, për një jetë më të mirë dhe më shumë progres. Me karrierën e tij të shquar politike, bazuar në bindje të forta, dashuri për qytetarët dhe integritetin e tij personal, Presidenti Martens do të mbetet gjithmonë një ndër personalitetet më të shquar të politikanëve europianë të dy shekujve të fundit. Partia Demokratike e Shqipërisë do të vijojë të përkrahë vlerat më të çmuara dhe kontributin e palodhur të presidentit Martens, në drejtim të konsolidimit të saj dhe për ndërtimin e forcimin e demokracisë shqiptare, ashtu siç ka ndodhur për më tepër se dy dekada. Sot, çdo anëtar dhe simpatizant i PD ndan dhimbjen dhe lutjet tuaja, që shpirti i këtij lideri të madh të gjejë prehjen që meriton.” – përfundon mesazhi i ngushëllimit i kryetarit të PD Lulzim Basha, për ndarjen nga jeta të presidentit të PPE, Wilfried Martens.

Read More