Blog

31 Tet
0

Bode: Rama në panik, pa program të qartë reformash në ekonomi

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Ridvan Bode:

Qeveria e majtë prej tre javësh në detyrë, ka filluar një sulm të paprecedent dhe të paprincip kundër ekonomisë së vendit. Deklaratat e pandërprera se ekonomia e vendit është në një krizë të thellë dhe biznesi në prag të kolapsit, se financat e shtetit janë të falimentuara etj, janë pjesë e brutalitetit dhe arrogancës së pushtetit të Ramës, por nga ana tjetër dëshmon panikun dhe krizën e tij për menaxhimin e situatës, përballë mungesës së një programi të qartë reformash e masash të tjera për ti dhënë një përgjigje adekuate nevojave të tregut dhe institucioneve të tij, përballë presioneve të krizës globale.

Sikurse është konfirmuar nga raportet e njëpasnjëshme dhe të shumta të institucioneve ndërkombëtare, (FMN, BB dhe grupi i saj, Kompanitë e raitingut ndërkombëtar, divizioni ekofin i BE etj.) ekonomia shqiptare, në situatën e krizës më të thellë që ka njohur bota dhe sidomos hapësira europiane, nuk ran ë recession, nuk u përfshi në vorbullën e krizës. Ekonomia jonë ngadalësoi ritmin e saj të ritjes, konsumi pësoi rënie si rezultat edhe i rënies së dërgesave nga emigrantët, varfëria pësoi një ritje të lehtë në krahasim me 2008 duke mbetur më e ulët se në 2004, niveli i nvestimeve pësoi një tkurje të lehtë krahasuar me 2008 dhe të ardhurat e buxhetit u tkurën me rreth 1 pikë përqindje të PBB duke u ritur në vlerë absolute nga viti në vit.

Por kjo ekonomi përgjatë kësaj periudhe:
– mundësoi një ritje të pervitshme ndryshe nga sa ndodhi në ekonomitë e rajonit tonë ku ne 4 vite provuan dy here recession; Edhe për vitin 2013 në  të cilin Rama kërkon me çdo kusht krizë, sikurse u njoftua nga FMN disa ditë me parë, do të ketë një ritje ekonomike dukshëm më të lartë në krahasim me një vit më parë; Rama sot jep alarmin e remë për të justifikuar dështimin e tij të mundshëm për shkak të mungesës së një programi reformash të përshtatshme për tregu dhe ekonominë.

-mundësoi një nivel papunësie thuajse të njëjtë me atë të vitit 2008 (12.8%) dhe më të ulët nga 2004 (15%) krerjt ndryshe nga sa ndodh në rajon ku papunësia është rritur në mënyrë të pandërprerë nga 2008 duke arritur në 25% në fund 20012. Rama me alarmin e remë kërkon të lajë duart me premtimin e tij për punësimin e 1 milion të papunëve që deklaroi në fushatë;

-mundësoi një rritje të përvitshme të pagave dhe pensioneve duke rritur mbi 2 herë pagat e mbi 80% të punonjësve të administratës dhe po kështu të pensioineve të uilëta në fshat e në qytet; Rama me alarmin e remë kërkon të justifikojë bllokimin gjatë qeverisjes së tij të ritjes së paga e pensioneve;

-mundësoi një dyfishim të të ardhurave në buxhet me taksa 2.5 herë më të ulëta; Me alarmin e remë Rama kërkon të justifikojë rritjen progressive të taskave, dyfishimin e tyre mbi biznesin dhe të lajë duart me premtimet për biznese pa taksa e 95 përqind të qytetarëve që do tu uleshin taksat.

– mundësoi një dyfishim të investimeve të huaja direkte edhe në fund të 2012 në krahasim me 2004 duke qene ndër të parët në rajon si dhe një ulje të deficitit tregëtar të vendit me 1/3 në krahasim me 2004, Rama me alarmin e remë kërkon të justifikojë sulmin ndaj investitorëve të huaj disponues të disa koncebsioneve dhe biznesit në tërësi për të rivendosur regulla të reja loje për bizneset e të vetëve;

– mundësoi implementimin me sukses të programit më të madh që ka njohur vendi në rindërtimin e infrastrukturës, rrugëve, shkollave, energjisë elektrike, ujësjellësave, shëndetit public etj. Rama me alarmin e remë kërkon të justifikojë atë që ka vendosur prej kohësh në fakt, se investimet publike nuk do të jenë në axhendën e tij;

Bordi i drejtorëve të FMN, në dhjetor të vitit të kaluar, duke analizuar situatën ekonomike të rajonit, cilësoi ekonominë Shqiptare sit ë vetmen që përballë krizës globale ekonomia jonë ngadalësoi ritmet por nuk ran ë krizë dhe kjo falë politikave të kujdesshme makroekonomike si dhe reformave strukturore të ndërmara në kohën e duhur.

Çdo qytetar kur sheh kryeministrin dhe ministrat me radhë që nga mengjesi në darkë bërtasin me zë të lartë se sa keq është ekonomia e vendit, me të drejtë përpiqen të kuptojnë se çfar synojnë me këtë.

Të ishte se synohet të përbaltin atë që aritën shqiptarët anëembanë vendit nën qeverisjen e PD, do të ishte dëmi më i vogël që do të provonte gjithsejcili.
Në të vërtetë, ne mendojmë se ky është një panik që paralajmëron dështimin e një qeverisje të përçartur e pa program, klienteliste e okulte në ekzekutim, harbute dhe e dhunshme në shfaqje.

Ne mendojmë se nxirrja e situatës, përtej problematikës komplekse që ka shkaktuar presioni i krizës së zgjatur rajonale, synon të justifikojë larjen e duarve me premtimet elektorale për taksa të ulëta për 95 % të shqiptarëve, cmime të subvencionuar në bujqësi, ushqime pa tvsh, hapje të 350 mijë vendeve të punës e të premtimeve të tjera të pafund që i sollën në pushtet.

Ne mendojmë se kjo është parathenia e veprimit për rritjen e dyfishimin e taksave. Një situatë e jashtëzakonshme kërkon taksim të jashtëzakonshëm.
Ne mendojme se fryrja e paqene e borxheve, (600 milion USD deklaroi kryeminnistri kur situacione te papaguar te paraqitura nga biznesi jane rreth 100 milion USD) behet vetem per te justifikuar perpjekjen e qeverise per te ritur borxhin public me nje shifer te tille per te financuar qeverine e fryer dhe orekset e medha te kabinetit Rama per fonde publike qe nuk vijne nga mbledhja me e mire e taksave.

Ne mendojmë se nxirrja e situatës së vendit dhe përhapja e panikut nuk i shërben sigurisë së investitiorëve dhe konsumatorëve, por Rama kërkon alibinë e pastrimit të administratës dhe rialokimin e tregut me çdo çmim dhe vetëm për interesa jo publike. Qeveria ende nuk ka filluar punën dhe situate kërkon veprim të menjëhershëm. Qeveria e ka të domosdoshme të deklarojë një program konkret për çështjet e ekonomisë, por ajo vazhdon të përbaltë kuturu paraardhësit.  E nëse do vazhdohet gjatë kështu, atëhere ajo për të cilën çirret sot Rama, nuk do të jetë më një alarm i remë, porn je realitet fatal per shqiptaret.

Read More
31 Tet
0

Halimi: Rama çdo ditë anulon koncesionet e biznesit, kërcënon drejtpërdrejt Kushtetutën

Fjala e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi përpara gazetarëve:

Vreri dhe hakmarrja politike, kanë verbuar Edi Ramën, i cili po shkel çdo ditë Kushtetutën e vendit dhe të drejtat kushtetuese të qytetarëve shqiptare. Ashtu siç deklaroi dhe sot dhe po vepron prej 2 javësh, Edi Rama çdo ditë po anulon koncesionet e biznesit duke kërcënuar drejtpërdrejt, Kushtetutën e vendit, themelet e shtetit ligjor, ekonominë e vendit, biznesin dhe gjithë qytetarët shqiptarë.

Bisnesi shqiptar, nëpërmjet koncesioneve të miratuara nga qeveria, ka fituar një të drejtë ligjore dhe kushtetuese që përbën garantimin e sigurisë juridike në një vend demokratik dhe shtet ligjor. Këto të drejta të fituara, nuk mund të injorohen, të mohohen apo shkelen, sepse në të kundërt, dhunohet drejpërdrejt parimi kushtetues i sigurisë juridike. 
Por Rama, i verbuar nga hakmarrja primitive, po shkel në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, të drejtat e biznesit shqiptar, duke i shembur atyre, parimin e sigurisë juridike, shtyllën kryesore ku bazohet kushtetuta e vendit, shteti ligjor, në një republikë parlamentare.

Kushtetuta e vendit parashikon që në preambulën e saj dhe në nenin 4, se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit. Liria, te drejtat, pronat e fituara te qytetareve shqiptare, nuk mund të preken, përcakton qartë neni 41 e 42 i Kushtetutës së vendit. Kufizime të të drejtave të fituara nuk mund të vendosen, përveçse me ligj, dhe nuk duhet të shkelin parimet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. 

Vullneti politik apo dëshirat personale të një individi të veshur me pushtet publik, hakmarrja primitive, nuk mund të përbëjë bazë për ushtrimin e një veprimtarie publike dhe te shembin ekzistencen e shtetit ligjor. Parimi i shtetit të së drejtës ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, garantimin i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike te qytetareve shqiptare.

Garantimi i sigurisë juridike, si e drejtë e fituar, është trajtuar jo më pak se 5 herë në 10 vitet e fundit nga Gjykata Kushtetuese e vendit, e cila ka theksuar qartë dhe pastër, në të paktën 5 vendime se (citoj): Siguria juridike është ndër elementet thelbësorë të shtetit të së drejtës. Kjo siguri presupozon besueshmërinë e qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjeve apo akteve te qeverise për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të bëjë me faktin se qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve te qeverise që cenojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme. Nëse masat e marra shpien në përkeqësimin në mënyrë të paarsyeshme të gjendjes ligjore të personave, mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime të këtyre, atëherë do të dhunohet parimi kushtetuesi sigurise juridke përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji apo vendim qeverie si antikushtetues” thote Gjykata Kushtetese.

Dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese të vendit sipas nenit 132 pika 1 e Kushtetutës, kanë fuqi detyruese të përgjithshme, (përfshi kryeministrin, ministrat apo të gjitha ata që i binden verbërisht atij.) Këto vendime,  janë përfundimtare. Anulimi i koncesioneve që po bëhet nga verbëria e hakmarrjes primitive të Edi Ramës, është tërësisht, kryekëput një veprim i kryer në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e vendit, dhe të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese, 20/2006, 9/2007, 36/2007, 10/2008, 27/2010, pa përmendur këtu me dhjetra vendime të GJEDNJ-së, vendime këto që mbrojnë Kushtetutën, shtetin ligjor, sigurinë juridike, sistemin ekonomik të vendit, mbrojnë biznesin dhe qytetarët nga arbitrariteti i verbër i një politike hakmarrëse dhe dhunuese të biznesit. Vendime këto që kanë fuqi detyruese dhe kanë një qëllim të vetëm: Garantimin e dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike te qytatareve shqiptare.

Anulimi antikushtetues i koncesioneve, po trondit deri në palcë stabilitetin ekonomik të vendit, po shkatërron themelet e shtetit ligjor, dhe po i shkakton biznesit një dëm financiar të jashtëzakonshëm. Ky dëm antikushtetues dhe antiligjor që po i shkaktohet biznesit dhe ekonomisë së vendit, padyshim që do të paguhet siç parashikojnë me dhjetra vendime të GJEDNJ-së, të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe të paktën 5 vendime të Gjykatës Kushtetuese të vendit, që kanë fuqinë e ligjit. Por për këtë dëm financiar të jashtëzakonshëm, antikushtetues dhe antiligjor, që po shkakton Edi Rama me arbitraritetin e vetë, do të paguajë buxheti i shtetit dhe jo buxheti i Ramës. Do të paguajnë qytetarët shqiptarë me taksat e tyre, me paratë e tyre, nga xhepat e tyre dhe jo xhepi i Ramës apo ministrave të tij, që po dhunojnë Kushtetutën dhe ligjin.

Ligji dhe Kushtetuta janë të barabartë për të gjithë. Kush shkel ligjin dhe Kushtetutën duhet të përgjigjet. Vreri dhe hakmarrja primitive nuk e justifikojnë delikuentët nga ndëshkimi i ligjit. Nënshtrimi ndaj urdhërit antikushtetues të shefit, nuk përjashton askënd nga përgjegjësia penale. Verbëria dhe arbitrariteti që po i shkakton dëm dhe po i merr paratë taksapaguesve shqiptarë, do të dëmshpërblehet. Dëmi që po u shkaktohet, duhet të garantohet, dhe pasuritë e Ramës dhe gjithë atyre që marrin pjesë në këto veprime antikushtuese, nuk do të mjaftonin për tu siguruar qytetarëve shqiptare dëmshpërblimin e kësaj që po i bën Edi Rama dhe të gjithë atë që verbërisht po i firmosin urdhërat e tij primitive. Kushtetuta, siguria juridike dhe paratë e qytetarëve, po kërcënohen. Ora e drejtësisë, Kushtetutës dhe ligjit, do të bjerë mbi këdo. 

Read More
31 Tet
0

Bumçi: Blair pohoi se nuk punon falas. Sa dhe si do ta paguajë z.Rama?

Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Aldo Bumçi:

Gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por në rastin e z.Rama, gënjeshtra nuk zgjat më shumë se disa orë.

Kryeministri Rama tha dje në drekë se Tony Blair do të punojë vullnetarisht për qeverinë shqiptare.

Toni Blair tha në darkë se ai do të paguhet nga donatorë.

Deri në këtë moment që flasim, z. Rama nuk e ka përgënjeshtruar konsulentin e tij. Pra njëri prej tyre po thotë të vërtetën, dhe mesa duket ai është ish-kryeministri anglez. Dhe kryeministri shqiptar është ai që po gënjen.

Anglezët kanë një shprehje, se: “Nuk ekziston as edhe një drekë falas”.

Z.Rama e di shumë mirë, se konsulenti më i kushtueshëm i botës, z.Blair, çarteri i të cilit kushton jo më pak se 7 mijë euro në orë, nuk mund të ofrojë shërbim falas për kryeministrin dhe qeverinë shqiptare. E ka ditur shumë mirë, se z.Blair do të paguhet.

Përse ai u tha shqiptarëve se Tony Blair do të jetë vullnetar? Çfarë fsheh Edi Rama?

Përse nuk bën transparencë në lidhje me pajtimin e konsulentit më të paguar të botës. Cilët janë donatorët që do të mbulojnë shpenzimet e ish-kryeministrit britanik?

Çfarë interesash kanë ata në vendin tonë? Si do të kompensohen ata për bujarinë që po tregojnë duke nxjerrë para nga xhepi i tyre për të paguar z.Blair?

Pavarësisht listës së vendeve afrikane ku mësuam se z.Rama paska futur edhe Shqipërinë, shqiptarët janë qytetarë europianë dhe i kanë arritur me kohë standartet e transparencës dhe kërkimit të llogarisë.

Ndaj, Edi Rama u detyrohet qytetarëve të këtij vendi shpjegime për lidhjen e tij parazgjedhore me konsulentin Blair, i cili e tha vetë se nuk punon falas. Pyetja që mbetet është: Sa dhe si do ta paguajë z.Rama konsulentin e tij?

Read More
31 Tet
0

Vokshi: Rama vuan nga sindroma e vitit zero

Deklaratë për media e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi:

Sot z. Rama, doli në konferencë të përbashkët për shtyp me z. Blair për të lançuar për herë të dytë iniciativën për “njësinë e prioriteteve”.

Por, njësia që kërkon të ngrejë z. Rama, ekziston tashmë prej 8 vjetësh. Është strukturë e krijuar me ekspertizën më të mirë botërore, me ekspertizën e profesionistëve të fushës dhe jo të politikanëve.

Është strukturë e cila ka funksionuar me sukses përtej ngjyrave partiake që prej vitit 2004 në qeverisjen e mëparshme socialiste dhe e konsoliduar më tej në Qeverinë Berisha e në bashkëpunim pikërisht me Bankën Botërore. Në qendër është Sistemi i Planifikimit të Integruar i cili bazuar në vizionin e Qeverisë përcakton objektivat dhe prioritetet dhe orienton burimet e brendshme e të huaja kundrejt tyre.

Në këtë strukturë, janë investuar burime të mëdha njerëzore, teknologjike dhe organizative. Përveç buxhetit të shtetit, janë financuar mbi 10 milionë dollarë prej donatorëve të huaj për mbështetjen e këtij sistemi dhe kësaj strukture e cila është konsideruar një sukses nga Banka Boterore por edhe nga Bashkimi Europian dhe donatorë të tjerë.

Keqpërdorimi propogandistik i disa prej funksioneve kyçe të qeverisjes është i dëmshëm. Strukturat planifikuese, menaxhuese dhe zbatuese të financave, buxhetit, ndihmës së huaj, nuk duhet të bëhen pre’ e pasioneve mohuese dhe zhbërëse të sindromës së vitit zero nga e cila vuan zoti Rama.

Read More
31 Tet
0

Bogdani: Rama emëron njerëzit më të përshtatshëm për evazion, abuzime, dhe vjedhje

Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike Gert Bogdani:

Shqiptarëve u kujtohet me siguri se kur Edi Rama emëroi këshilltarët e tij, ai i mbushi mediat me meritat e tyre.  Opinioni publik u ushqye për ditë të tëra me lëvdatat e kryeministrit për arritjet e mëdha rajonale e botërore të stafit që kishte përzgjedhur.

Këto ditë Edi Rama ka emëruar drejtuesit e institucioneve që menaxhojnë paratë dhe pasuritë e shqiptarëve, por nuk ka belbëzuar as edhe një fjalë rreth tyre. 

Cilat janë meritat, përvojat dhe ekspertizat e këtyre individëve?

Kryeministri ka emëruar në heshtje drejtuesin e doganave. Asnjë fjalë për drejtuesin e tatimeve. Asnjë fjalë për drejtuesin e Albpetrolit. Heshtje për drejtuesin e lojrave të fatit. Asnjë fjalë për drejtuesit e inspektoriateve. Asnjë fjalë për drejtuesit e agjensive të rëndësishme. Asnjë fjalë për drejtuesin e QSUT.  Pse kjo heshtje për emërimet e këtyre individëve që kanë marrë në dorë fatet e shërbimeve, pasurive dhe parave publike? Kush janë drejtuesit që do të menaxhojnë qindra miliona euro në vit?

Pse publiku nuk paska asnjë të drejtë, sipas Edi Ramës, të dijë se cilët janë këta?

Mungesa e transparencës për këto emërime lidhet vetëm me një gjë. Me planin ogurzi të shpallur nga Ministri i Financave për të krijuar gropën qindra milionë euro në buxhetin e shtetit.

Dhe për të përmbushur profecinë e Canit, janë vënë njerëzit më të përshtatshëm për evazion, abuzime, dhe vjedhje të financave publike. Ministri i Financave tha para pak ditësh se 250 milionë euro do t’i mungojnë buxhetit të shtetit, ndërsa Edi Rama caktoi ustallarët që do ta hapin këtë gropë.

Read More
31 Tet
0

Vorpsi: Qeveria, para për vete, ndërsa për popullin arka qenka bosh

Deklaratë për media e zëdhënëses së Partisë Demokratike Laura Vorpsi:

Dje, zoti Rama e pati të pamundur të maskonte gënjeshtrën dhe hipokrizinë  në pikëllimin e tij para trupit diplomatik për financat dhe arkën bosh të shtetit.

Salla e re dhe e kushtueshme, ndonëse e arreduar me look-un e vjetër të zyrës në Bashkinë e Tiranës para 10 vitesh nuk tregon aspak se Rama është i shqetësuar për financat publike. 
Paratë e shpenzuara për të rikonstruktuar dhe mobiluar zyrat e tij, tregojnë se Rama nuk është i shqetësuar për financat publike.

Paratë e shpenzuara nga Kryeministri dhe shpura e tij në udhëtime dhe hotelet me 4 mijë dollarë nata, tregojnë se Edi Rama nuk është aspak i shqetësuar për financat publike.
Përkundrazi, të gjitha këto tregojnë etjen e kryeministrit për luks, për shpenzime, për t’i trajtuar financat publike si honorare private.

Edi Rama nuk është i besueshëm kur shpall pikëllimin e tij për arkën e shtetit, përsa kohë nuk tregon se sa para janë shpenzuar për të rregulluar e mobiluar zyrën e tij. Sa para janë shpenzuar për të veshur me luks ambjentet kryeministrore. Sa para janë shpenzuar për udhëtime e qejfe qeveritare jashtë shtetit në këto ditë.

Megjithëse nuk ka kaluar ende një muaj nga marrja e detyrës, sinjalet dhe aktet e para janë tregues të qartë se financat janë të mjaftueshme për luksin e qeverisë, por qenkan të pamjaftueshme për popullin.

Përkundër trendit europian, për qeveri të vogël, për shpenzime të shkurtuara, dhe për kursim, Edi Rama dhe qeveria e tij po llamburisin cdo ditë në luks shpërdorues dhe jo-transparent. 
Qeverisë nuk i mungon asgjë, sepse i ka paratë për vete, ndërsa për popullin arka qenka bosh.

Por ne e dimë, dhe nuk ka asnjë cudi në këto sjellje të Edi Ramës. Ky është stili i tij despotik i luksit të shfrenuar që ka treguar në përvojat e mëparshme ekzekutive. Deklaratat për arkën bosh, janë thjesht justifikime. Kur këto justifikime nisin vetëm një muaj pas marrjes së detyrës kjo tregon se sa të mëdha kanë qënë mashtrimet elektorale për të ardhur në pushtet.

Read More
31 Tet
0

Paloka: Rama dhe Koço ndajnë sinorët, njëri Albpetrolin tjetri Legalizimet

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar Edi Paloka në seancën e Kuvendit:

Zoti Kryetar i Parlamentit,

Po flas këtu në emër të të gjithë opozitës shqiptare.

Të dashur qytetarë !

Kur ne denoncuam dhunën dhe arrogancën me të cilën Edvin Rama u prezantua që ditën e parë të tij në Parlament, dikush nga maxhoranca e quajti këtë si një ‘’furtunë në gotë” të Partisë 
Demokratike.

Kur ne protestuam pas kërcënimit të Edvinit kryeministër, se ne ende nuk kemi parë asgjë nga dhuna që ai paska planifikuar në kokën e tij të sëmurë, Kryetari i Parlamentit na tha se Rama është thjesht shakaxhi.

Sot ndodhemi përpara një fakti të kryer .

Një akt normativ i kësaj qeverie, i datës 30 shtator, është kthyer në aktin më të rëndë politik e antiligjor të gjithë historisë së pluralizmit shqiptar.

Akti normativ i qeverisë, një akt antikushtetues, I cili praktikisht shfuqizon për gjashtë muaj ligjin “Për nëpunësin civil”, hedh në erë jo këtë ligj, por konsensusin e arritur me mjaft vështirësi më 30 maj të këtij viti për miratimin e këtij ligji.

Ju z.Meta, e dini shumë mirë se çfarë vështiresish u kaluan përderisa u vutë në pozicionin e negociatorit që ti mbushnit mendjen aleatit tuaj të ri,  të realizonte, çfarë Brukseli na kërkonte prej kohësh,  si kusht të qartë, të vetëm e të fundit për ti dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian; KONSENSUSIN!

E përsëris dhe ju të gjithë e dini shumë mirë, se pavarësisht rëndësisë së tyre, jo tre ligjet në vetëvete, por konsensusi ishte kushti i BE-së.
Miratimi i tre ligjeve, kërkohej vetëm si tregues i mirëkuptimit dhe konsensusit politik, si tregues i faktit që realisht të gjitha palët e politikës shqiptare ishin për integrimin e Shqipërisë. Për këtë arsye dhe referendumi i paraqitur si opsion nga Partia Demokratike ,nuk u konsiderua nga partnerët tanë europianë si zgjidhja e duhur. Kërkohej një marrëveshje dhe konsensus midis maxhorances dhe socialistëve në opozitë. Me këtë kusht, abuzoi dhe Rama që e bllokoi statusin për një kohë aq të gjatë.

Sot pikërisht ky konsensus është hedhur në erë, për herë të parë në historinë e politikës shqiptare të viteve të fundit. 
Shtylla më e rëndësishme që ka mbajtur në ekuilibër në momente deçizive një politikë, që fatkeqësisht në shumë raste është bërë shkaktare e destabilizimit të vendit,  konsensusi, sot po ekzekutohet nga Rama kryeministër.

Akti i Ramës nuk është një detaj teknik i parëndësishëm e ca më tepër dhe pozitiv, siç po ju serviret dhe partnerëve tanë në Bruksel.

Ky është një akt i pastër politik me synime të qarta që lidhen me shkatërrimin e administratës shtetërore dhe zëvendësimin e saj me një tufë butaforike të përbërë nga ortakët e Koços dhe Lamedonatorët e Ramës.

Gjithçka bëhet, që ashtu siç po ndodh dhe këto dite, Rama dhe Koço të kenë kohë të ndajnë sinorët.

Njëri merr Albpetrolin, tjetri Legalizimet. “Une tatimet e ti doganat. Une mora bjonden e ti merr brunen”

Vetëm për hir të këtyre pazareve të pista, u godit konsensusi dhe vendi çohet përsëri në rrugën e konfliktit dhe destabilizimit politik.

Rama është një personazh i lindur nga konflikti. Ai kurrë nuk i ka ndërmarrë aktet e tij në interes të shqiptarëve, por vetëm duke llogaritur interesat e tij edhe kur ato kanë qenë me pasoja të rënda për shqiptarët .

Sot me këto interesa po kërkohet të ndyhet edhe Parlamenti.

Ju keni vendosur që jashtëqitjen e Ramës në qeveri, ta kaloni për tu përmjerrë në Parlament me shpresë se kështu do ta lani ligjërisht pa i dhënë mundësi të shprehet as Gjykatës Kushtetuese.

Sigurisht që mund ta bëni dhe do ta bëni,  megjithëse e dini shumë mirë se as kjo dhe as marrja me qera apo blerja e deputetëve nuk e zgjidh problemin. Konsensusi politik nuk peshohet me kile deputetësh.

Sidoqoftë, ju bëheni atë që keni nisur. Ne do ju lëmë ta shijoni të gjithë vetë e nuk do të behemi në asnjë lloj mënyre pjesë e kësaj.

Për ne Rama, e ka nisur siç e prisnim; me provokime, me arrogancë prej të forti, me shpërfillje të ligjit e Kushtetutës, me përplasje me opozitën, por që shumë shpejt të gjitha këto do ta çojnë në përplasje me të gjithë shqiptarët.

Read More
31 Tet
0

Berisha: Shkelja e konsensusit, akti më i rëndë në tërë ekzistencën e pluralizmit

Deklaratë për media e Prof. Dr. Sali Berisha:

Në historinë 23-vjeçare te marrëdhënieve te forcave të mëdha politike, ky është akti më i rëndë në tërë ekzistencen e pluralizmit.

Të gjithë ata që kanë ndjekur zhvillimet e vështira demokratike në Shqipëri, por në tërësi të suksesshme, e kanë të qartë se këto zhvillime kanë pasur në bazë ligjet e vendit Kushtetutën dhe Konsensusin.

Në doktrinën kushtetuese, konsensusi ka vlerën e normës kushtetuese.

Në të drejtën kushtetuese konsensusi ka rëndësinë e një norme të çmuar të Kushtetutës, pavarësisht kundërshtisë madhore midis forcave politike, ai është nderuar.

Ai ka bërë të mundur të kapërcehen vështirësi të mëdha dhe serioze, shumë më serioze sesa kjo e tanishmja.

Në një vullnet të verbër, në një armiqësi të egër të paimagjinueshme ndaj opozitës, qeveria e cila është gjithmonë në çdo rast përfituese, po ti bëjmë në raport, të së paku 60 përqindëshit, në një konsensus shkelmon me harbutëri konsensusin me opozitën dhe çon në zero, ashtu siç do bashkëkryetari i mazhorancës, marrëdhënien me opozitën.

Ky është një fillim jashtëzakonisht problematik, ky është një akt shumë i rrezikshëm.

Cilat janë aktet që vijnë prapa…

Janë absolutisht të paparashikueshme. Po shkelmove konsensusin, marrëveshjen që ke arritur me palën tjetër, ti i pret asaj çdo urë, çdo mundësi që të merresh vesh me të.
Nuk ka ndodhur në 23 vjet, kanë ndodhur ngjarje nga më problematiket, por kjo nuk ka ndodhur.

Dhe ata të cilët bënë këtë veprim nuk duhet ta ndërmerrnin kurrë në prag të disa zhvillimeve shumë të rëndësishme. Ne kishim të garantuar statusin e vendit kandidat.

Ne duhej të luftonim së bashku për të hapur negociata në dhjetor, sepse ne e meritojmë, por në qoftë se ecet me këtë vullnet të ligë, për të çuar vendin drejt destabilizimit, se ti i pret urat me opozitën, por bën gabimin më fatal, më të madh.

Ata ose punojnë për destabilizimin e këtij vendi, ose mashtrojnë, janë miqtë e Edi Ramës dhe ju garantoj se ata s’kanë asgjë në dorë për t’i dhënë Shqipërisë statusin.

Ata kanë në dorë, po, të inkurajojë ndonjë prej tyre destabilizimin e vendit, por jo statusin. Nuk mund të preket kurrë konsensusi.

Ai është njëriu që kundërshtoi referendumin sepse donte konsensusin.

Shqiptarët duhet të nderojnë kërkesat për procesin e integrimit, sepse në fund të fundit e kush e paguan, e paguan çdo fëmi, çdo burrë, çdo grua, ngelen pa status.
Mund të imagjinoni një mazhorancë në botë që të fillojë qeverisjen me mega – afera korrupsioni?

A e dini ju që njeriu që ka marrë Albpetrolin është bashkëpronar, është administrator në 8 ndërmarrje të Koço Kokëdhimës, është këmisha e tij, eshtë njeriu më i afërt në të gjitha aferat e pista të tij, bosit të kupolës së Partisë Socialiste.

Kur ka ndodhur ndonjëherë që një mazhorancë të ketë guxuar, të marrë një vendim të tillë për sipërmarrje që sot është më kryesorja.

Kontraktohen kompani të mëdha ndërkombëtare pa asnjë tender, pa asnjë linjë prokurimi, përmbysen ndërtesa të tëra, pa asnjë tender, pa prokurim, është e vërtetë ë Koçua merr naftën, por shqiptarët marrin kartonin e kuq për statusin. Koçua dhe Rama pasurohen, absolutisht që e ndajnë bashkë kjo s’ka asnjë diskutim.

Se një akt i tillë verbërie që të gjejë njeriun që ka 8 sipërmarrje të përbashkëta, e ka ortak, administrator dhe në tre katër prej tyre ka borxhe në Albpetrol, ta marrë në këtë mënyrë, një vjedhje të tillë, një akt të tillë nuk e ka bërë kush kurrë në një sistem demokratik.

Konsensusi ka qenë element themelor i paqes sociale në këtë vend. Konsensusi ka shërbyer edhe dekada para se të dalë statusi në horizont dhe ne jemi për marrjen e statusit.

Ne përkundrazi, mendojmë se jo vetëm statusi por edhe negociatat duhet të hapen në Shqipëri. Por, konsensusi, është një nga mekanizmat më kryesorë në këtë vend të paqes sociale.

Dhe këtë e shkelmoi kjo mazhorancë me papërgjegjshmërinë absolute.

Me të njëjtën papërgjegjshmëri, kjo mazhorancë i dha naftën bashkëkryetarit të mazhorancës Koço Kokëdhimës dhe Edi Ramës.

Me të njëjtën papërgjegjshmëri, çdo ligj të prokurimeve, çdo ligj të funksionimit të qeverisë, çdo ligj të funksionimit të shtetit.

Pyetje: Z. Berisha do të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të ndërmarrë atë që e quajtët hapa të paparashikueshëm?

Berisha: Z. Berisha është thjesht një deputet dhe anëtar i Partisë Demokratike dhe absolutisht unë do të mbështes qëndrimet. Ky ka qenë një vendim i lidershipit të opozitës të mbledhur dje, dhe unë do të mbështes të gjitha vendimet e opozitës.

Por, vendimet e krerëve të opozitës janë njëra anë dhe shkelja e konsensusit është gabim fatal historik për Shqipërinë.

Read More
31 Tet
0

Halimi: Gjykata Kushtetuese të shpallë si antikushtetues aktin normativ

Deklarata për media e deputetit të Partisë Demokratike Eduard Halimi në Gjykatën Kushtetuese:

Depozituam në emër të Grupit Partlamentar të Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Grupit Parlamentar të Partisë për Drejtësi, Unitet dhe Integrim, kërkesën për shpalljen si antikushtetues të aktit normativ të kryeministrit, i cili bëri zero brenda pak minutave një ligj me shumicë të cilësuar të votuar me vota unanime të Parlamentit. Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese shpalljen si antikushtetues të këtij akti të kryer në mënyrë flagrante në kundërshtim me Kushtetutën dhe pezullimin e efekteve të tij në mënyrë të menjëhershme, pasi Kushtetuta dhe ligji, janë dy elemente që përbëjnë shtetin e së drejtës.

Kushtetuta duhet të respektohet nga cilido.

Parlamenti duhet të respektohet, ndryshe ç‘kuptim ka nëse Parlamenti merr vendime dhe miraton ligje dhe ato zhbëhen për pak minuta nga kryeministri i vendit.

Read More
31 Tet
0

Prishja e konsensusit, Basha: Pabesi burracakësh, tani flasim me qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në konferencën për media mbajtur pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, theksoi se: “Rama i ka ngulur thikën konsensusit. I ka ngulur thikën një vlere që publiku shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare e kërkojnë  prej vitesh nga partitë dhe politikanët shqiptarë”. Në komunikimin me median, z. Basha theksoi se konsensusi asnjëherë nuk është parë nga mazhoranca aktuale në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.

“Demokratët dhe mbarë opozitarët janë të indinjuar me këtë pabesi. Janë të indinjuar me mesazhin që po përcjell përditë qeverisja e mëngjesit të keq dhe e provokimeve të përditshme të Edi Ramës, i cili po u thotë demokratëve dhe opozitarëve: ne nuk mjaftohemi të qeverisim pa ju! Ne jemi këtu të qeverisim kundër jush”, kujtoi z. Basha.

Ai ritheksoi edhe një herë se zoti Rama dhe zoti Meta duhet ta ngulisin mirë në mendje: “Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike”.

Në vijim fjala e plotë e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:

Rama nuk i dëgjoi thirrjet dhe paralajmërimet tona për të mos e vrarë konsensusin.

Vazhdoi në rrugën e tij, në aventurën e tij të anti-ligjit. Ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo është  rruga që do ta çojë atë në greminë. Gjithë shqetësimi ynë si opozitë ka qenë dhe mbetet që ky njeri dhe tarafi i tij politik të mos marrë me vete, në humnerën për ku është nisur, aspiratat e shqiptarëve për integrim europian, qoftë edhe përkohësisht arritjet demokratike të vendit në 22 vite.
Rama zgjodhi të fliste me ne me gjuhën e arbitraritetit të skajshëm. Prej këtij momenti, ne do të flasim me qytetarët. Me durim, me qetësi, me fakte, me argumente do t’u tregojmë orë për orë e ditë për ditë qytetarëve të këtij vendi dhe partnerëve tanë  europianë e amerikanë gjithashtu bëmat që sapo kanë nisur të kësaj qeverie, bëmat e qeverisë së Zhbërjes, që  shihet qartë se ka mashtruar publikun për ti marrë votat me gjoja për Rilindje, por ka ardhur vetëm për të zhbërë, vetëm për të sunduar. 
Me durim dhe respekt do ti shpjegojmë sërish sot qytetarëve shqiptarë. Ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë dhe e pareçedentë parmbrëmë. 
Rama i ka ngulur thikën konsensusit

I ka ngulur thikën një vlere që publiku shqiptar dhe bashkësia ndërkombëtare e kërkojnë  prej vitesh nga partitë dhe politikanët shqiptarë.

Mezi e arritëm.

Erdhi ky dhe e zhbëri.

Nuk e dha konsensusin kur duhet ta jepte, në vjeshtë e vitit 2012 dhe Shqipëria humbi statusin për kapriçion e tij.

E dha pas pilafit, siç thotë populli, në maj të këtij viti, për ti bërë qejfin aleatit të tij të ri, apo për ti hedhur të dy hi syve publikut për vota, në kuadrin e mashtrimeve elektorale gjigandeske, që ne i kemi evidentuar dhe po i bëjmë transparente çdo ditë para qytetarëve. 

Por tani, që menduan se e kaluan lumin dhe janë në majë të kalit, duan ta ekzekutojnë.
Shikoni me vëmendje:  Asnjëherë  nuk e kanë  parë konsensusin në funksion të integrimit, në funksion të një klime pozitive, në funksion të politikës si interes publik për qytetarët, në funksion të nevojave të vendit, por në funksion të interesave të çastit, të interesave vetjake, meskine e deri diabolike si kjo e pushtimit të administratës publike.

Kjo që  po bëjnë me konsensusin është  padyshim një pabesi burracakësh.
Demokratët dhe mbarë opozitarët janë të indinjuar me këtë pabesi. Janë të indinjuar me mesazhin që po përcjell përditë qeverisja e mëngjesit të keq dhe e provokimeve të përditshme të Edi Ramës, i cili po u thotë demokratëve dhe opozitarëve: ne nuk mjaftohemi të qeverisim pa ju! Ne jemi këtu të qeverisim kundër jush.
Ka zgjedhur të provokojë.  Ka zgjedhur përplasjen me Kushtetutën dhe Ligjin. Po zgjedh përplasjen me opozitën sot dhe me publikun e gjerë nesër.

Ne i kemi të gjitha potencialet politike, intelektuale dhe njerëzore për të përballuar në çdo moment këtë  etje për përplasje dhe këtë revansh të paparë të Edi Ramës dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij.

Ne i kemi të gjithë potencialet për t’i treguar vendit,  revanshit dhe antiligjit, këtyre vjetërsirave që po kërkon të riciklojë në Shqipërinë e re zoti Rama.
Demokratët dhe opozitarët janë në këmbë me ne.

Sot duam ti themi zotit Rama dhe zotit Meta diçka që shpresoj ta ngulisin mirë në mendje: Legjitimiteti nuk mbështetet as në vjedhje votash, as në blerje votash, as në trafik votash. Legjitimiteti është kurdoherë e drejta e popullit Sovran dhe nesër në Kuvend ne do ta mbrojmë këtë të drejtë ashtu siç i takon një opozite dinjitoze dhe demokratike.

Read More