Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë, amendamentin për disa ndryshime në Projektligjin “Për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”.
Si pjesë të strategjise së sigurisë kombëtare, kryetari i PD propozon dhe përfshirjen e mbështetjes nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.
Propozimi i dytë lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen nga korrupsioni në nivele të larta. Për këtë kryetari i PD propozon përfshirjen në strategjinë e sigurisë kombëtare të fuqizimit të bazës ligjore dhe instrumentave të kontrollit të integritetit të figurës së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.
“Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Përpjekja për të inskenuar tensione permanente në disa vende të rajonit dhe në veçanti infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, tregojnë qartë për një strategji destabilizimi dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s”, – argumenton kreu demokrat në draft amendamentin e tij të depozituar tashmë në Kuvend.
Sipas Bashës, “mbrojtja dhe siguria e integritetit territorial, kapaciteteve të sigurisë dhe funksionimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës, janë prioritete të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, që burojnë jo vetëm nga detyrimi kushtetues, por gjithashtu dhe në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për të siguruar, paqe, stabilitet dhe rritje të bashkëpunimit në rajonin tonë drejt së ardhmes dhe vlerave euro-atlantike. Në vijim të frymës së parimeve të parashtruara më lartë, Republika e Shqipërisë duhet të japë një kontribut real aktiv ndaj Republikës së Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrotjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit duke filluar nga viti 2024.
Ky kontribut aktiv financiar i Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës duhet të ofrohet me qëllimin rritjen e kapaciteteve të saj të sigurisë për të penguar me çdo kusht aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndëretnike për të influencuar zhvillimet e brendshme politike, dhe amplifikuar problematikat ekzistuese me qëllim destabilizimin e rajonit dhe përkeqësimin e parametrave të sigurisë”.
Propozimi i dytë lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen nga korrupsioni në nivele të larta.
“Korrupsioni përbën një kërcënim të qartë dhe të pranishëm ndaj sigurisë kombëtare dhe kërkon një përgjigje në përputhje me frymën dhe vendimet e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”. lntegriteti i zyrtarëve të lartë publikë është parakusht për një qeverisje demokratike dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës. Fakte dhe të dhëna të bëra publike gjatë viteve të fundit provojnë se korrupsioni në nivele të larta, dhe bashkëpunimi mes zyrtarëve të lartë publikë dhe krimit të organizuar është në nivele shqetësuese duke rrezikuar funksionimin normal të shtetit dhe cënuar sigurinë kombëtare.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit në fushën e drejtësisë penale korrupsioni mbetet i theksuar dhe ka një ndjesi të publike të pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve publikë. Fuqizimi i bazës ligjore dhe instrumentave të kontrollit të integritetit të figurës në politikë dhe qeverisje ndihmojne luftën kundër korrupsionit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti forcimit të sigurisë kombëtare”, – shprehet Basha në argumentet me të cilat ka shoqëruar amendamentin e tij.
Tashmë ky amendament është dorëzuar në Kuvend dhe pritet të kalojë për miratim së bashku me Strategjinë e Siguria Kombëtare.
Vetëm pak ditë më parë, kreu i PD Basha dorëzoi edhe një amendament për rialokimin e 50 milion eurove nga buxheti i shtetit si ndihmë ushtarake për Kosovën.
Më poshtë amendamenti i plotë:
KUVENDI
AMENDAMENT
NË PROJEKTLIGJIN “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË SË SIGURISË KOMBËTARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
Në mbështetje të nenit 81, pika 1 e 2 të Kushtetutës, nenit 68, pika 1 dhe neni 75, pika 4 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Z. Lulzim Basha propozon,
Në projektligjin “Për Miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, të bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 1 të projektligjit “Për Miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, “Miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij” bëhet ky ndryshim:
Në pjesën e tretë, “Mjedisi Strategjik”, pika “b” “niveli rajonal” ndryshohet me këtë përmbatje:
“Koncepti Strategjik i NATO-s thekson se vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me kërcënime dhe sfida, mes të cilave ndërhyrjet dëmprurëse dhe keqdashëse të palëve të treta. Po ashtu, Kompasi Strategjik i BE-se thekson se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk janë ende të garantuara, edhe për shkak të rritjes së ndërhyrjeve të huaja, përfshirë fushatat e manipulimit të informacionit, si dhe për shkak të përhapjes së mundshme të destabilizimit nga përkeqësimi aktual i situatës së sigurisë evropiane. Vendet e rajonit kanë bërë progres të dukshëm në drejtim të demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës paqësore. Marrëdhëniet midis vendeve të rajonit janë përmirësuar dhe bashkëpunimi ka njohur rritje cilësore dhe sasiore. Konsolidimi dhe institucionalizimi i perspektivës euro-atlantike dhe evropiane, zgjerimi i NATO-s apo zgjerimi i pritshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor, kanë sjellë ndryshime rrënjësore pozitive në rajon, duke shërbyer si katalizatorë të reformave demokratike, të bashkëpunimit, të fqinjësisë së mirë dhe të procesit të pajtimit. Tashmë, rajoni në pjesën më të madhe të tij, krahasuar me vite më parë, ka vullnet gjithnjë në rritje, dhe tashmë synon të jetë në gjendje të prodhojë stabilitet të brendshëm rajonal por edhe të kontribuojë për sigurinë e paqen edhe në hapësira gjeo-politike përtej tij. Në bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal mbizotëron prirja drejt heqjes së barrierave përmes ndërtimit të infrastrukturave të përbashkëta për lëvizjen e lirë të njerëzve, ideve, mallrave dhe kapitaleve, duke synuar shndërrimin e rajonit në një treg të integruar, tërheqës dhe konkurrues për investimet e huaja.
Vendet e rajonit kanë forcuar institucionet dhe mekanizmat e kundërvënies ndaj terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, uljes së ndikimit të proceseve radikalizuese, aktiviteteve të tjera të paligjshme, si krimi i organizuar dhe bashkëpunimi mes tyre është thelluar dhe ka dhënë efekte pozitive në rritjen e kundërvënies.
Paralelisht, rajoni përballet me synimet e aktorëve globalë, dhe mbështetës të tyre rajonalë, të cilët përpiqen të lëvizin nga shinat orientimin euraotlatik të vendeve të rajonit, nëpërmjet mjeteve diplomatike, aktiviteteve të inteligjencës edhe atyre influencuese keqdashëse. Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Përpjekja për të inskenuar tensione permanente në disa vende të rajonit dhe në veçanti infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, tregojnë qartë për një strategji destabilizimi dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s.
Mbrojtja dhe siguria e integritetit territorial, kapaciteteve të sigurisë dhe funksionimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës, janë prioritete të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, që burojnë jo vetëm nga detyrimi kushtetues, por gjithashtu dhe në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për të siguruar, paqe, stabilitet dhe rritje të bashkëpunimit në rajonin tonë drejt së ardhmes dhe vlerave euro-atlantike. Në vijim të frymës së parimeve të parashtruara më lartë, Republika e Shqipërisë duhet të japë një kontribut real aktiv ndaj Republikës së Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrotjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit duke filluar nga viti 2024.
Ky kontribut aktiv financiar i Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës duhet të ofrohet me qëllimin rritjen e kapaciteteve të saj të sigurisë për të penguar me çdo kusht aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndëretnike për të influencuar zhvillimet e brendshme politike, dhe amplifikuar problematikat ekzistuese me qëllim destabilizimin e rajonit dhe përkeqësimin e parametrave të sigurisë.
Po ashtu, rajoni vijon të përballet me një sërë kërcënimesh të përbashkëta siç janë ekzistenca e krimit të organizuar me lidhje rajonale e më gjerë, influenca të jashtme dhe faktorë të brendshëm që mundësojnë radikalizmin dhe tendenca të ekstremizmit të dhunshëm, cenim të marrëdhënieve ndëretnike, nivel i lartë korrupsioni, krim ekonomik favorizuar edhe nga shkalla e informalitetit, situatë problematike ekonomike dhe sociale, tranzicion i zgjatur dhe kulturë demokratike e pa konsoliduar, problematika të bartura ndërshtetërore dhe retorikë nacionaliste e shtuar.
Pavarësisht vullneteve qeverisëse për të avancuar me proceset integruese, reformave në përmbushje të kritereve, në situata të caktuara më rëndësi për vendimmarrjen për avancimin e proceseve integruese, ka përpjekje për shfrytëzim të problematikave të bartura historike, për t’i kushtëzuar, e për pasojë për t’i vonuar ato.
Rajoni vijon të mbetet një rrugë tranziti për krimin e organizuar me lidhje rajonale e ndërkombëtare dhe trafiqet e tij. Grupet kriminale nën ndikim të atyre ndërkombëtare kanë sofistikuar mënyrat e operimit, rritur kapacitetet financiare të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Në sofistikimin e mënyrave të operimit përfshihet edhe zhvendosja e veprimtarisë së grupeve kriminale në hapësirën kibernetike duke e shfrytëzuar për lehtësimin e koordinimit të operacioneve të tyre përmes komunikimeve digjitale si dhe për rritjen e kapaciteteve financiare përmes krimit kibernetik.
Në vitet e fundit rajoni është përballur me ngjarje të një natyre detabilizuese , por planet dhe synimet janë neutralizuar në kohë nga autoritetet ligj zbatuese, janë përforcuar masat kundër terrorizmit, zbatuar strategji efektive, reforma ligjore në luftën kundër terrorizmit dhe forcuar bashkëpunimin rajonal e ndërkombëtar.
Gjithsesi, një numër i lartë të kthyerish, individë e mbështetës të radikalizuar nga ideologjia e organizatave terroriste, propaganda online për aktivitete indoktrinuese e radikalizuese, influencat e huaja për radikalizim të komuniteteve drejt linjave fondamentaliste e radikale, përbëjnë kërcënim afatgjatë për sigurinë.
Rajoni është një nyjë e rëndësishme e linjës ballkanike të emigracionit të jashtëligjshëm, i cili synon vendet e Evropës, duke bërë që edhe grupet që merren me trafikimin e qenieve njerëzore të shtojnë aktivitetin e tyre në rajon. Mundësia e shfrytëzimit nga organizatat terroriste për të infiltruar operativë terroristë nuk është e përjashtuar dhe përbën kërcënim për sigurinë.
Vendet e rajonit kanë problematika të përbashkëta, ku nevoja për garantimin e sigurisë energjetike mbetet prioritet. Teknologjia e vjetërsuar, ndërvarësia, nevoja për diversifikim të burimeve, janë sfidat reale për garantimin e furnizimit me energji të sektorëve të ekonomisë. Gjithashtu, teknologjia e vjetërsuar dhe mungesa e investimeve për modernizimin e teknologjisë e bën këtë sektor më të cënueshëm edhe nga sulmet kibernetike potenciale. Diversifikimi i burimeve energjetike dhe minimizimi i varësisë nga importet, mbetet një nga prioritetet. Vendet e rajonit janë rruga e transportit të naftës dhe gazsjellësve për në vendet perëndimore. Si konsumatorë, por edhe si pjesë e korridoreve të tranzitit, projektet energjetike rrisin bashkëveprimin e vendeve ballkanike, ndërkohë që mbartin edhe sfida të sigurisë kibernetike.”
Neni 2
Në nenin 1 të projektligjit “për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”, “Miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij” bëhet ky ndryshim:
Në pjesën e tretë “Mjedisi Strategjik”, pika “c” “niveli kombëtar”, paragrafi që nis me këto fjalë: “Korrupsioni dhe perceptimi mbi nivelin e tij…” ndryshohet me këtë përmbatje:
“Korrupsioni dhe perceptimi mbi nivelin e tij minon besimin e publikut tek qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit, cënon zhvillimin e vendit, forcimin e institucioneve, rritjen e qëndrueshme ekonomike, si dhe mbetet faktor që ngadalëson dhe dëmton procesin e reformave si dhe dekurajon investimet e brendshme e të huaja, të nevojshme për të krijuar mundësi punësimi për të gjithë. Korrupsioni përbën një kërcënim të qartë dhe të pranishëm ndaj sigurisë kombëtare dhe kërkon një përgjigje në përputhje me frymën dhe vendimet e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”. lntegriteti i zyrtarëve të lartë publikë është parakusht për një qeverisje demokratike dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës. Fakte dhe të dhëna të bëra publike gjatë viteve të fundit provojnë se korrupsioni në nivele të larta, dhe bashkëpunimi mes zyrtarëve të lartë publikë dhe krimit të organizuar është në nivele shqetësuese duke rrezikuar funksionimin normal të shtetit dhe cënuar sigurinë kombëtare.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit në fushën e drejtësisë penale korrupsioni mbetet i theksuar dhe ka një ndjesi të publike të pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve publikë. Fuqizimi i bazës ligjore dhe instrumentave të kontrollit të integritetit të figurës në politikë dhe qeverisje ndihmojne luftën kundër korrupsionit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti forcimit të sigurisë kombëtare.
DEPUTETI
Lulzim Basha
R E L A C I O N
PËR AMENDAMENTET
NË PROJEKTLIGJIN “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË SË SIGURISË KOMBËTARE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”
“Strategjia e Sigurisë Kombëtare” është një dokument thelbësor, si i tillë kërkon trajtimin dhe vendimet e duhura politike të cilat duhet të jenë në frymë dhe në përmbatje në përputhje me interesin tonë kombëtar. Në këtë kontekst, ruatja e integritetit territorial të Kosovës, sigurisë së saj dhe stabilitetit të rajonit duhet të jenë qartësisht të parashikuara në dokumentat strategjike të politikëbërjes shqiptare, si një angazhim për tu linjësuar plotësisht me interesat dhe veprimet e aleatëve tanë strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendeve të BE, Mbretëria e Bashkuar dhe vendeve të tjera anëtare të aleancës Euro-Atlantike (NATO).
Duke marrë në konsideratë situatën e tensionuar të sigurisë në Republikën e Kosovës si shkak i një acarimi të gjendjes së sigurisë nga Serbia, bëhet e domosdoshme një ndihmë financiare për nevoja të mbrotjes dhe sigurisë nga ana e Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.
Kjo ndihmë financiare synon forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve ushtarake të Republikës së Kosovës për mbrotjen e sovranitetit, integritetit dhe tërësisë territoriale në një kohë në të cilën Republika e Serbisë po riarmatoset me objektiva të deklaruara për ndërhyrje ushtarake në Kosovë, në momentin kur konjuktura politike do të mundësonte këtë veprim.
Sulmi terrorist i 24 shtatorit në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar sepse terroristët janë trajnuar në baza ushtarake në Serbi, armët janë kontrabanduar në Kosovë prej muajsh me qëllim që të provokojnë një skenar të ngjashëm me atë të Krimesë në 2014. Ky operacion nuk ishte i vetmi në të cilin është përshirë Republika e Serbisë si qëllim i së njëjtës për ndryshimin me forcë të status quo-së.
Nxitja dhe mbështetja për shkëputjen e Republika Srpska nga Bosnje-Hercegovina, përpjekja për të kontrolluar infrastrukturën politike të Malit të Zi dhe infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, të gjithë elementët e përmendur më lartë bëjnë pjesë në strategjinë e shtetit serb për të diktuar në terren një realitet të ri, të cilin liderët e Beogradit e etiketojnë publikisht si “Bota Serbe”.
Kjo është një përpjekje për të imponuar ndryshimin e kufijve përmes ndarjeve de facto dhe pushtimeve të territorit ku rezultati përfundimtar do të përmbyste arkitekturën e sigurisë Euro-Atlantike të Evropës Juglindore dhe do ti jepte një goditje paqes dhe stabilitetit në Europë.
Në një plan më të gjërë, kjo nënkupton përdorimin e Serbisë si gur shahu në një strategji të ideuar dhe orkestruar nga Moska me objektiva të qartë: Destabilizimin dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut lindor të NATO-s.
Ndërkohë që përfaqësues të lartë të vendeve aleate kanë bërë të qartë se objektivat pas sulmit terrorist të Banjskës përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin, autoritetet më të larta të Kosovës kanë ngritur shqetësimin se 3 nga 4 brigadat e këmbësorisë së forcave të armatosura serbe janë pozicionuar në 48 baza operacionale përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës.
Përsa më lartë, tregon se duhet vepruar pa humbur kohë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës në frymë me përfshirjen e disa prej vendeve aleate që kanë hedhur hapa aktivë në forcimin dhe zgjerimin e kapaciteteve mbrotjëse të Kosovës.
Korrupsioni përbën një kërcënim të qartë dhe të pranishëm ndaj sigurisë kombëtare dhe kërkon një përgjigje në përputhje me frymën dhe vendimet e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”. lntegriteti i zyrtarëve të lartë publikë është parakusht për një qeverisje demokratike dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës. Fakte dhe të dhëna të bëra publike gjatë viteve të fundit provojnë se korrupsioni në nivele të larta, dhe bashkëpunimi mes zyrtarëve të lartë publikë dhe krimit të organizuar është në nivele shqetësuese duke rrezikuar funksionimin normal të shtetit dhe cënuar sigurinë kombëtare.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit në fushën e drejtësisë penale korrupsioni mbetet i theksuar dhe ka një ndjesi të publike të pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve publikë. Fuqizimi i bazës ligjore dhe instrumentave të kontrollit të integritetit të figurës në politikë dhe qeverisje ndihmojne luftën kundër korrupsionit do të garantojë një nivel më të lartë të luftës kundër korrupsionit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti forcimit të sigurisë kombëtare.
Në këtë kontekst propozohet amendamenti i mësipërm.
DEPUTETI
Lulzim Basha
Read More