Sipas nenit 16 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, familja është qeliza bazë dhe themelore e shoqërisë, e cila duhet të mbrohet si nga shteti ashtu edhe nga shoqëria. Familja është e pazëvendësueshme si institucioni bazë ku merr jetë dashuria njerëzore, simpatia, bamirësia dhe solidariteti duke afruar bashkë gjeneratat e ndryshme. Familja është vendi ku prindër dhe fëmijë marrin përgjegjësitë dhe ushtrojnë solidaritetin e tyre. Familja e fortë dhe e shëndetshme është një kusht për një shoqëri të tillë.
Drejtësia dhe solidariteti janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Solidaritet do të thotë ndërgjegjësim për lidhjen dhe varësinë midis njerëzve. Por solidaritet do të thotë edhe veprim , ndihmë efektive, të drejta dhe detyrime të individit përkundrejt shoqërisë. Solidariteti është një përgjegjësi e përbashkët: ne besojmë se ata që kanë duhet t’i ndihmojnë ata që janë në nevojë, të cilët duhet edhe vetë të përpiqen në varësi të kapaciteteve. Solidariteti fillon në familje dhe roli i tij është i pazëvendësueshëm për të mirën e përgjithshme të shoqërisë.