Kryetari

Lulzim Basha
Kryetar i Partisë Demokratike

Lulzim Basha u lind dhe u rrit në Tiranë. Pas gjimnazit Sami Frashëri, ai shkoi për  studime jashtë shtetit ku u diplomua në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Utrechtit në Holandë. Basha punoi për disa vite për Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi dhe më pas si Këshilltar Ligjor në Misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Në vitin 2005, Basha u kthye në Shqipëri dhe u bashkua me PD në opozitë si kordinator i Komitetit të Orientimit të Politikave dhe zëdhënës i fushatës elektorale. Ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë në zonën 7 në Tiranë. Pas fitores së zgjedhjeve, Basha shërbeu në qeverinë demokratike si ministër i Punëve Publike, ku dhe nisi ndërtimin e rrugës së Kombit, autostradës Durrës-Kukës. Në maj të 2007 Basha u betua si Ministër i Jashtëm në një kohë kur Shqipëria u antarësua në NATO, hapi negociatat për liberalizimin e vizave dhe Kosova u shpall e pavarur. Në 2009-2011, Basha shërbeu si Ministër i Brendshëm duke përmbushur të gjitha kushtet teknike për liberalizimin e vizave.

Në vitin 2011 Basha u zgjodh Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Nën drejtimin e tij, Bashkia Tiranë planifikoi dhe nisi zbatimin e projektit më të madh infrastrukturor në historinë e saj, zgjatimin e Bulevardit kryesor dhe rehabilitimin e Lumit të Tiranës, për të cilin Basha siguroi edhe financimin. Basha vendosi një moratorium për ndërtimet e shfrenuara dhe nderkohë miratoi Planin e pare Urbanistik të Tiranës pas vitit 1989, një plan të integruar me komunat dhe bashkitë përrreth. Po kështu ai përfundoi projektin për terminalin multimodal të pasagjerëve, studimin e fizibilitetit për tramin e qytetit, si realizoi mbi 100 vepra infrastrukturore si rrugë, shkolla kopshte dhe cerdhe.

Në 2013 në garën e parë të parimit “1 anëtar 1 votë” në Shqipëri, mbi 42.000 demokratë votuan për kryetarin e ri, ku Basha fitoi me mbi 80% të votive. Në krye të PD, Basha ndërmori reforma të mëdha strukturore, duke fuqizuar bazën e partisë për të zgjedhur me votë kryetarët e degëve, për të dhënë preferencën për listen e deputetëve, si edhe kuotat për përfshirjen e të rinjve. Basha ngriti edhe think-tankun e parë të PD, Fondacionin për Liri dhe Demokraci i cili bashkëpunon ngushtë me partnerët. Beteja kundër drogës dhe lidhjeve të krimit me politikën si edhe ajo kundër shitblerjes së votës u bënë prioritete të aksionit politik për PD. Në 2015 Basha propozoi dhe loboi për miratimin e Ligjit për Dekriminalizimin, i cili deri më sot ka përjashtuar nga postet publike mbi 300 deputetë, kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të lartë me rekorde kriminale.

Në 2021, Basha vendosi të përjashtojë Sali Berishën nga Grupi Parlamentar, pas shpalljes së tij non-grata nga SHBA për korrupsion madhor, vendim që u pasua  nga një luftë e brendshme e papreçedentë. Për këtë arsye dhe për për t’i dhënë një shans bashkimit të partisë, në mars 2022, Basha bëri një hap pas. Dorëheqja e tij jo vetëm nuk e ndali përçarjen, por gjendja u përkeqësua edhe me shumë, dhe pas zgjedhjeve vendore të 14 majit nisen sërish përpjekjet për tu bashkuar me Berishën.

Për këtë arsye, Kryesia e PD pas rekomandimit të Kolegjit të Kryetarëve, dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar, vendosi të hapë garën për zgjedhjet në parti duke nisur me Kryetarin. Ato u mbajtën në 29 korrik në të gjithë Shqipërinë. Komisioni zgjedhor shpalli listen me 25.450 anetarë legjitim, nga të cilët votuan 17.853 demokratë. Basha u rikonfirmua kryetar i PD me mbi 90% te votave.

Lulzim Basha është i martuar me Aurela Isufin dhe ata janë prindër të dy vajzave, Dafina dhe Viktoria. Edhe Aurela ka kryer studimet e plota në Universitetin e Utrechtit në Hollandë për Marrëdhënie Ndërkombëtare si edhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Amsterdamit për Marrëdhënie Ekonomike Europiane. Prej vitit 2000, Aurela ka punuar për EWPPP, një organizate holandeze që asiston parlamentet ne vendet e Europes Juglindore dhe EuroAzisë. Ajo gjithashtu është aktive si konsulente PR dhe marketing.