Ndaje me miqtë në

Të nderuar anëtarë të Grupit Parlamentar.

Dua ta filloj me një mesazh të drejtpërdrejtë. Qendrimi ynë është i qartë. Ne jemi opozita dhe do të bëjmë opozitën derisa shqiptarë të na besojnë me votë drejtimin e vendit. Nuk mund të ketë dhe nuk do të ketë asnjë ndarje pushteti dhe asnjë lloj përfshirje të Partisë Demokratike në qeverisje, në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast. Opozita ka një rol jashtëzakonisht të madh në çdo shoqëri demokratike. Dhe një opozitë e fortë është më shumë se kurrë sot një domosdoshmëri e madhe për Shqipërinë. Qëllimi i vetëm i yni është ta përmbushim me përkushtim dhe me dinjitet këtë mision në interes të njerëzve dhe në interes të vendit tonë.

Kjo është një kohë kritike për Shqipërinë ku do të përcaktohet nëse Shqipëria do t’i rikthehet integrimit europian, demokracisë dhe shtetit ligjor apo do të zhytet plotësisht në sundimin e kri​mit të organizuar në bashkëpunim me elitën e korruptuar politike të vendit.

Ne kemi 3 sfida të rëndësishme. Na takon ne, Partisë Demokratike dhe deputetëve të saj që të bëhemi pengesë që vendi të mos rrëshqasë në kaosin e autokracisë dhe kriminalitetit. Droga, krimi, korrupsioni po e vdesin dalngadalë çdo mundësi për zhvillim në Shqipëri dhe po izolojnë vendin. Na takon ne ta ndryshojmë politikën dhe t’u ofrojmë shqiptarëve alternativën e lirisë dhe demokracisë, dhe do të reformojmë e modernizojmë Partinë Demokratike, e cila do t’i paraprijë reformimit të të gjithë sistemit politik në vend duke filluar nga sistemi zgjedhor. Na takon ne që të jemi jo vetëm alternativë politike por edhe alternative morale. Ne do të jemi shembulli i ndershmërisë, i thjeshtësisë, i përgjegjshmërisë dhe i ndjeshmërisë ndaj njerëzve.

Ne do të propozojmë zgjidhjet tona politike dhe ligjore në interes të publikut. Do të informojmë dhe sqarojmë njerëzit mbi problemet reale të vendit. Ne do të denoncojmë dhe protestojmë kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit, ne do të luftojmë kundër drogës dhe krimit. Mbi të gjitha ne do të jemi alternativa e njerëzve. Gjithmonë pranë njerëzve dhe gjithmonë me njerëzit. Shqiptarët e thjeshtë sot janë më të braktisur se kurrë nga politika dhe elita e korruptuar e vendit. Ne duhet t’i kthejmë ata jo vetëm në qendër të politikës por edhe të ngjallim shpresën dhe besimin e tyre tek politika si një instrument ndryshimi për të mirë.

Sistemi ynë politik nuk i jep opozitës asnjë pushtet real ndërkohë qeveria kontrollon të gjitha instrumentat. Madje kontrollon edhe pushtet jo politike që janë të rëndësishme për funksionimin e demokracisë siç janë mediat dhe një pjesë të mirë të shoqërisë civile.

Deputetëve të rinj dua t’u uroj një fillim të mbarë misionit politik në shërbim të njerëzve. Mirëse vini në botën e ashpër të politikës shqiptare. Do t’ju fyejnë, do t’ju sulmojnë, do t’ju vënë në dyshim por ju duhet të ruani dinjitetin dhe durimin dhe të mos ndalni së shërbyeri njerëzve dhe së luftuari për të drejtat e tyre. Puna juaj do t’u shpërblehet me mirënjohjen e njerëzve. Të gjithëve, ju jeni njerëzit që keni marrë besimin për përfaqësimin me të lartë që mund të marrë një politikan në radhët e Partisë Demokratike. Jeni njerëzit me përgjegjësinë më të madhe në Partinë Demokratike. Uroj ta përmbushni me nder detyrën tuaj.

NDAJE ME MIQTË
Tags