Siguria dhe liria
Prej më shumë se dy dekadave, ne jetojmë në një vend të lirë dhe në një kontinent më të lirë se kurrë më parë. Dhe kjo falë çlirimit të Evropës Lindore dhe Qëndrore nga regjimet komuniste dhe totalitare. Partia Demokratike është e angazhuar prerazi, qartë, dhe në një mënyrë të pakthyeshme pro lirisë dhe kundër çdo regjimi totalitar dhe autoritar. Ne besojmë se liri do të thotë autonomi dhe përgjegjësi, dhe jo pavarësi e papërgjegjshme.
Nuk mund të ketë drejtësi dhe solidaritet nëse liria nuk pranohet nga të gjithë si një kusht themelor. Një aspekt i drejtësisë është respekti për ligjin dhe aplikimi i tij i paanshëm. Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, i cili duhet të jetë i bazuar në respekt të të drejtave themelore dhe të patjetërsueshme të individit, sipas Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut të vitit 1948, të Konventës Evropiane të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut të vitit 1950 si dhe Traktatit e Lisbonës të të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian të vitit 2009.
Drejtësia nuk mund të jetë arbitrare dhe as diktaturë e shumicës. Ajo duhet të ketë respekt për pakicën, së cilës asnjë shumicë nuk mund t’i mohojë ushtrimin e të drejtave të saj.
Siguria dhe liria janë sot nder vlerat më të garantuara për shqiptarët. Anëtarësimi në NATO, Integrimi në Bashkimin Evropian, paqa dhe stabiliteti në Ballkan, Kosova e lirë dhe e pavarur, janë edhe arritjet tona për sigurinë dhe lirinë por edhe faktorë për një shkallë më të lartë të sigurisë dhe garantimit të lirisë kombëtare.