PREAMBUL
Partia Demokratike e Shqipërisë është parti politike e themeluar mbi vlerat e lirisë individuale, të besimit në Zot, të respektit për të drejtat dhe dinjitetin njerëzor, si entitete të paprekshme, të patjetërsueshme, bartës i të cilave njeriu është që në lindje në mënyrë të natyrshme dhe të vetëvetijshme.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson se njerëzit janë qenie unike, të cilat gëzojnë të drejta dhe dinjitet të njëjtë dhe se duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson se demokracia është sistemi politik që mund t’i jetësojë këto vlera dhe ajo angazhohet të mbledhë rreth saj të gjithë ata shqiptarë, të cilët, brenda dhe jashtë vendit, besojnë te fuqia morale dhe te forca reale e këtij sistemi politik.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson te ndarja e pushteteve, te qeverisja e kufizuar dhe e kontrolluar. Vetëm garancitë e një qeverisjeje të tillë, ndihmojnë që ajo të mos kthehet në një forcë të rrezikshme për liritë dhe të drejtat e natyrshme të njerëzve.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson se liritë dhe të drejtat politike, liritë dhe të drejtat ekonomike, liritë dhe të drejtat fetare, liritë dhe të drejtat për të pasur secili kuptimin e tij mbi jetën dhe qëllimin e saj, janë të pandashme.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson se njerëzit janë pasuria e vetme dhe më e lartë e vendit dhe se ata, dhe vetëm ata, janë mbrojtësit dhe garantuesit më të mirë të pasurive apo të burimeve natyrore të vendit, dhe jo qeveria.
Partia Demokratike e Shqipërisë beson se dashuria për kombin dhe atdheun, janë vlera përparësore të ngjizura në sakrificën e të parëve, në gjakun e atyre që dhanë gjithçka për të, dhe në memorien e pashlyeshme të të gjithëve. Kësisoj, kombi dhe atdheu janë të ngulitur thellë në ndërgjegjen tonë dhe përpjekja për mbrojtjen dhe zhvillimin e tij, janë detyrë subliume e jona.
Partia Demokratike e Shqipërisë respekton kontributin e jashtëzakonshëm të Diasporës Shqiptare dhe angazhohet në garantimin e plotë të të drejtave politike, ekonomike dhe shoqërore të saj.
Partia Demokratike e Shqipërisë e konsideron trashëgiminë tonë kulturore, historike, dhe gjuhën shqipe, si pjesë themelore të identitetit tonë kombëtar dhe zotohet në mbrojtjen dhe promovimin e tyre.
Partia Demokratike e Shqipërisë e konsideron vlerë identitare dhe përkushtim të pacënueshëm strategjik, mbrojtjen dhe fuqizimin e interesit kombëtar dhe vlerave demokratike euroatlantike.
Partia Demokratike e Shqipërisë mbron shenjtërinë e familjes; e sheh familjen si vendin, strehën, shtratin më të natyrshëm dhe më ideal ku mund të rriten fëmijët dhe ku ata, dhe vetëm ata, janë në qendër të saj. Familja dhe fëmijët janë qeliza themelore që përbën shoqërinë.
Partia Demokratike e Shqipërisë e cilëson pronën dhe të drejtën e saj si të paprekshme. Pa këtë liri, të gjitha liritë e tjera janë të kërcënuara.
Partia Demokratike e Shqipërisë nderon vuajtjen dhe sakrificën e atyre që u persekutuan, u vranë, u internuan, u grabitën, u torturuan nga regjimi komunist. Sakrifica dhe vuajtja e tyre do të kenë përjetë vlerësimin më të lartë të saj. Partia Demokratike e Shqipërisë e sheh ndarjen me ata që ishin pjesë e vetëdijshme e strukturës së pushtetit politik, e strukturës së dhunës, e Sigurimit të Shtetit dhe asaj të propagandës së regjimit kriminal komunist, si diçka të padiskutueshme. Dënimi i krimeve të komunizmit dhe i veprës së gjithë atyre që morën pjesë në mbajtjen gjallë të atij regjimi, përmes bashkëpunimit të tyre në këto krime, është detyrim i saj.
Partia Demokratike e Shqipërisë e cilëson anëtarësimin në NATO, anëtarësimin në BE, si objektiva kombëtare dhe garanci për të mbajtur gjallë vlerat më të mira të lirisë dhe të së drejtës. Ky orientim, dhe mbështetja për të, është çështje e interesit kombëtar.
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
NENI 1
EMRI
Partia mban emrin PARTIA DEMOKRATIKE E SHQIPËRISË dhe akronimin zyrtar PD ose PDSH.
NENI 2
VLERAT THEMELORE POLITIKE
1) Partia Demokratike e Shqipërisë (në vijim: PDSH) është parti politike që bashkon në gjirin e saj shtetasit shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, që besojnë, respektojnë dhe mbrojnë:
a) lirinë dhe demokracinë;
b) ndërtimin e shtetit të së drejtës, demokratik e social, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, dinjitetin dhe personalitetin njerëzor;
c) vlerat themelore të familjes tradicionale në shoqëri;
ç) shenjtërinë e pronës private;
d) dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare si një mision i vazhdueshëm; dh) humanizimin dhe frymën e bashkëjetesës fetare;
e) vlerat, parimet dhe detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s;
ë) aspiratën për integrimin e plotë europian të Shqipërisë, nëpërmjet jetësimit të dëshirës së përhershme, qasjes perëndimore dhe thirrjes së brendshme të anëtarëve të saj “Ta bëjmë
Shqipërinë si gjithë Europa”;
f) drejtësinë, paqen, harmoninë, bashkëpunimin ndërmjet kombeve dhe fqinjësinë e mirë, si vlerat më të larta të njerëzimit.
2) PDSH-ja promovon në interes të Shqipërisë dhe shqiptarëve:
a) të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
b) zhvillimin e nismës së lirë dhe barazinë në shanse, tregun e lirë dhe konkurrencën si mjete të zhvillimit të shpejtë dhe të qëndrueshëm të vendit;
c) sigurinë e individit e të pronës;
d) sovranitetin dhe integritetin territorial, rendin kushtetues, pluralizmin, identitetin kombëtar dhe trashëgiminë kombëtare;
e) ruajtjen e pasurisë kombëtare, natyrës dhe të mjedisit;
ë) autoritetin e shtetit dhe vetëqeverisjen lokale;
f) meritokracinë dhe mundësitë e barabarta në punësim dhe karrierë, duke ndërtuar një administratë publike të qendrueshme, profesionale dhe me integritet moral ;
g) luftën ndaj korrupsionit dhe dhënies fund të fenomenit të pandëshkueshmërisë; gj) shkëputjen e lidhjeve midis politikës dhe krimit të organizuar, përmes dekriminalizimit të plotë të jetës politike dhe publike.
3) PDSH-ja është anëtare e Partisë Popullore Europiane dhe udhëhiqet në veprimtarinë e saj nga të njëjtat vlera.
NENI 3
QËLLIMET POLITIKE
1) Partia Demokratike e Shqipërisë njeh dhe promovon pjesëmarrjen e gjerë popullore në jetën politike, shoqërore dhe në institucione, si dhe kujdeset për formimin e një vullneti të gjerë e të qëndrueshëm popullor, në dobi të mbrojtjes dhe zhvillimit të traditave më të larta shoqërore, politike dhe kulturore të shqiptarëve, në dobi të realizimit dhe zhvillimit të shpejtë të aspiratave euroatlantike të Shqipërisë, si dhe rrezatimin pozitiv të imazhit të vendit kudo në botë, për përjetësimin e kombit shqiptar, identitetin e kulturës së tij.
2) Partia Demokratike e Shqipërisë udhëhiqet nga vlerat tradicionale të spektrit të djathtë: liria, demokracia, besimi në Zot, familja tradicionale dhe shenjtëria e pronës private. Në thelb të filozofisë së saj, qëndron liria dhe dinjiteti i individit, konkurrenca e ndershme dhe meritokracia.
3) Partia Demokratike e Shqipërisë i realizon objektivat e veta politike nëpërmjet komunikimit e angazhimit politik, publik dhe përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, në përputhje dhe respektim të plotë të kuadrit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Shqipërisë.
4) Partia Demokratike e Shqipërisë synon:
a) të ndërtojë një demokraci të të drejtave njerëzore të njohura e të garantuara nga aktet dhe traktatet ndërkombëtare, të mbështetur në bashkësinë e njerëzve të lirë, të përgjegjshëm, të cilët bashkëpunojnë, respektojnë e ndërmarrin përgjegjësi të përbashkëta;
b) të ndërtojë shtetin e së drejtës me raporte të balancuara e të ndara qartë të pushteteve, garante të jetës, lirive dhe të drejtave të sanksionuara me ligj të qytetarëve;
c) të zhvillojë ekonominë e tregut nëpërmjet nxitjes së nismës së lirë ekonomike dhe shtimit të pronës private, si forma mbisunduese në krijimin dhe pronësimin e pasurisë kombëtare, nëpërmjet liberalizimit të tregut dhe ekonomisë, zbatimit të politikave nxitëse dhe përgjegjshmërisë fiskale, duke dekurajuar dhe luftuar fenomene të oligarkisë, monopolit dhe korrupsionit, etj.;
ç) të garantojë të drejtën e pronës private, paprekshmërinë e saj dhe të drejtën e pronarëve për ta zotëruar atë lirisht, për ta trashëguar apo dëmshpërblyer me vlerën e plotë të tregut;
d) të përfaqësojë interesat e të përndjekurve politikë dhe pronarëve të ligjshëm të shpronësuar gjatë regjimit komunist, duke promovuar, ndërmarrë dhe zbatuar çdo normë ligjore, që garanton vendosjen e drejtësisë dhe rikthimin e dinjitetit të munguar, si dhe duke korrigjuar të gjitha pasojat financiare të padrejtësive të bëra ndaj tyre gjatë periudhës komuniste;
e) të promovojë respektimin e barazisë gjinore në jetën e partisë dhe pjesëmarrjen e grave në organet e zgjedhura dhe ato ekzekutive;
ë) të integrojë Shqipërinë si anëtare dinjitoze në Bashkimin Europian;
f) të garantojë sigurinë kombëtare dhe të kontribuojë si vend anëtar i NATO-s dhe në bashkëpunim me institucionet europiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të tjera organizma ndërkombëtarë, për të siguruar paqen, lirinë, demokracinë, garancinë ekonomike dhe mbrojtjen e mjedisit;
g) të mbrojë interesat kombëtare dhe të drejtat njerëzore të shqiptarëve kudo ku janë, duke respektuar aktet e marrëveshjet ndërkombëtare dhe duke kërkuar standardet e pranuara botërisht për të gjithë;
gj) të nxisë një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm, që i shërben qytetarëve dhe interesit publik.
5) Qëllimet politike dhe vlerat themelore politike të Partisë Demokratike të Shqipërisë, detajohen dhe pasqyrohen në programin e saj, si dhe në dokumente të tjera që miratohen në përputhje me Statutin nga organet e saj qendrore, si dhe janë të detyrueshme për zbatim në çdo vendimmarrje, veprimtari apo aksion politik të saj.
NENI 4
ORGANIZIMI I PARTISË
1) PDSH-ja është një organizim politik i qytetarëve të grupuar me vullnet të lirë në strukturat e saj, të organizuara në nivel kombëtar dhe lokal.
2) Organizimi në nivel lokal bëhet mbi bazën e një prej kritereve të mëposhtëm:
a) ndarjes territoriale administrative të vendit;
b) njësive bazë elektorale;
c) mbi baza socio-profesionale; dhe/ose
ç) mbi baza përfaqësimi të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit.
3) Struktura organizative e partisë përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
4) Është i ndaluar ndryshimi i strukturës kombëtare dhe / apo lokale të Partisë 6 muaj përpara zgjedhjeve të brendshme të saj.
NENI 5
SELIA QENDRORE
PDSH-ja e ka selinë qendrore të saj në kryeqytetin e Republikës së Shqipërisë, Tiranë.
NENI 6
SIMBOLI
Simboli i PDSH-së përbëhet nga germat “P” e “D” me ngjyrë blu, ku e para është vendosur brenda së dytës në mënyrë të stilizuar. Ky simbol përdoret nga organet përfaqësuese të PDSHsë, ose me autorizimin e tyre.
NENI 7
FLAMURI
Flamuri i PDSH-së është në ngjyrë blu, në mes të cilit ndodhet simboli i saj në ngjyrë të bardhë.
NENI 8
VULA
1) Vula e PDSH-së është e rrumbullaktë, e përbërë nga dy rrathë bashkëqendrorë, në hapësirën midis të cilëve është shkruar me germa të mëdha “Partia Demokratike e Shqipërisë”, dhe në mes ndodhet simboli i PDSH-së.
2) Vula përdoret vetëm në emër të Organeve Qendrore të PDSH-së dhe të administratës ekzekutive të Selisë Qendrore. Degët e PDSH-së në rrethe kanë vulat e tyre që ruajnë modelin e mësipërm, duke shtuar emrin përkatës të degës.
3) Rregullat për ruajtjen dhe përdorimin e vulës, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
KREU II
RREGULLAT E FUNKSIONIMIT TË PARTISË
SEKSIONI 1
PARIMET THEMELORE TË FUNKSIONIMIT
NENI 9
BAZAT E FUNKSIONIMIT
Funksionimi i Partisë bazohet në:
1) Demokracinë e brendshme, e shprehur përmes votës së anëtarëve të saj, drejtpërsëdrejti dhe/ose përfaqësuesve të mandatuar prej tyre, në propozimin apo zgjedhjen e organeve drejtuese të partisë dhe kandidaturave elektorale, sipas rasteve dhe rregullave të përcaktuara në këtë Statut. Vota e përfaqësuar u njihet vetëm përfaqësuesve të mandatuar prej anëtarëve, sipas rregullave të përcaktuara në këtë Statut.
2) Lirinë e shfaqjes së mendimit, e cila është e garantuar në çdo mbledhje të strukturave të partisë apo veprim të saj. Çdo anëtar është i lirë të shprehë mendimin dhe propozimin e tij për përmirësimin e punës apo veprimeve politike të Partisë.
3) Kolegjialitetin në marrjen e vendimeve, duke respektuar përfshirjen e të gjithë anëtarëve, personalisht apo nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, në çdo vendim apo veprim politik të Partisë. Organet dhe funksionarët e partisë, gjatë veprimtarisë së tyre, përfaqësojnë dhe i shërbejnë vullnetit të anëtarëve, si dhe tërheqin dhe parashtrojnë mendimin e anëtarëve gjatë ushtrimit të veprimtarisë partiake, përfshirë edhe mendimet ndryshe.
4) Transparencën në vendimmarrje dhe në veprimtarinë politike, duke informuar anëtarët dhe simpatizantët mbi to. Mbledhjet dhe veprimtaria e organeve të partisë është e hapur për anëtarët e saj, me përjashtim të rasteve, kur shumica e anëtarëve të organit vendos ndryshe, me qëllim ruajtjen e karakterit konfidencial të mbledhjes apo veprimtarisë. Në çdo rast, vendimet që merren dhe dokumentet që pasqyrojnë veprimtarinë e organit përkatës, u bëhen të njohura anëtarëve të partisë nëpërmjet strukturave organizative të partisë, dhe/ose mjeteve të informimit publik.
5) mundësitë e barabarta në pjesëmarrje dhe përfaqësimin midis grave dhe burrave, duke synuar dhe nxitur që në çdo organ apo nivel, pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30 për qind të numrit të përgjithshëm të anëtarëve në atë organ apo nivel përfaqësimi.
6) Solidaritetin dhe mbështetjen midis anëtarëve dhe strukturave drejtuese të partisë. Anëtarët e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të organizatave të saj partnere, si dhe simpatizantët e tyre, veprojnë në bashkëpunim dhe ndihmojnë njëri-tjetrin. Organet qendrore të Partisë dhe strukturat e saj ekzekutive, kujdesen për marrjen në mbrojtje të anëtarëve, simpatizantëve dhe mbështetësve të tyre nga çdo pasojë e mundshme që rrjedh prej pjesëmarrjes në veprimtarinë politike të kryer në përputhje me këtë Statut, apo bindjeve të tyre politike.
NENI 10
E DREJTA PËR TË ZGJEDHUR DHE PËR T’U ZGJEDHUR
1) Çdo anëtar që përmbush kushtet e parashikuara në këtë Statut, apo kriteret e posaçme për një funksion partiak të caktuar, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Vota e çdo anëtari është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.
2) Organizimi i brendshëm i Partisë bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, dhe periodike. Mandati i organeve në PDSH dhe organizatave të saj partnere, është katërvjeçar.
3) Sistemi zgjedhor brenda partisë, garanton parimin e konkurrimit të lirë dhe mundësive të barabarta midis kandidatëve, sipas kritereve të shpallura dhe të njohura paraprakisht. Kandidatëve për çdo organ të partisë iu garantohet e drejta e barabartë në procesin zgjedhor dhe kontrolli mbi mënyrën e realizimit të tij. Realizimi i çdo procesi zgjedhor brenda partisë, udhëhiqet nga parimet demokratike dhe transparenca.
4) Karriera e çdo anëtari dhe/ose simpatizanti të PDSH-së, në funksionet brenda organeve të partisë apo funksionet politike përfaqësuese dhe/ose shtetërore, bazuar në meritokracinë dhe kontributin politik, elektoral dhe profesional të tij, është e garantuar. Zgjedhja apo caktimi në këto funksione bëhet bazuar në kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj; kontributit në fushata elektorale; kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi.
5) Rregullat e hollësishme për të garantuar të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, kriteret e posaçme për çdo funksion politik brenda partisë apo për përfaqësimin politik në organet qendrore apo lokale, si dhe rregullat që garantojnë një proces zgjedhor demokratik dhe transparent, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë. Në çdo rast, pjesë e këtyre kritereve janë detyrimet ligjore për pastërtinë e figurës, dekriminalizimit, si dhe vendimet e institucioneve të partisë për integritetin politik të të zgjedhurve.
NENI 11
LLOGARIDHËNIA DHE VLERËSIMI I PERFORMANCES
1) Anëtarët, organet dhe funksionarët politikë të e Partisë Demokratike të Shqipërisë, i nënshtrohen procesit periodik të vlerësimit të performancës dhe kontributit, nëpërmjet analizës dhe diskutimit të hapur me anëtarët, apo sondazheve të organizuara prej saj, sipas organizimit dhe nivelit të pjesëmarrjes apo përfaqësimit. Vlerësimi periodik i performancës dhe kontributit, mbahet në konsideratë gjatë ecurisë në karrierën e tyre brenda organeve të partisë apo funksioneve përfaqësuese politike.
2) Rregullat e hollësishme për të garantuar llogaridhënien dhe vlerësimin e performancës përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 12
ZGJEDHJA E FUNKSIONARËVE POLITIKË
1) Demokracia e brendshme dhe kolegjialiteti zbatohet edhe në përcaktimin e kandidaturave elektorale të partisë. Anëtarët e partisë kanë të drejtën e identifikimit dhe propozimit të kandidaturave të mundshme elektorale.
2) Kandidaturat për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e Partisë. Pas konsultimit me anëtarësinë dhe me Këshillin Drejtues të Qarkut, me propozim të Kryetarit të Partisë, Kryesia e Partisë vendos listën përfundimtare të kandidaturave elektorale për Kuvendin e Shqipërisë. Kjo listë i paraqitet për miratim Këshillit Kombëtar.
3) Kandidaturat për zgjedhjet në pushtetin vendor seleksionohen në bashkëpunim dhe konsultim aktiv me anëtarët e Partisë. Pas konsultimit me anëtarësinë dhe me Këshillin Drejtues të Qarkut, kandidaturat për organet ekzekutive të pushtetit vendor, propozohen nga Kryetari i Partisë, caktohen nga Kryesia e Partisë dhe lista e plotë miratohet nga Këshilli Kombëtar.
4) Kryesitë e Degëve vendosin për kandidaturat e këshilltarëve në njësitë vendore. Këshilli Drejtues i Qarkut duhet të informohet për çdo hap të procesit të miratimit të kandidaturave dhe ka të drejtën e ndërhyrjes sa herë që e vlerëson të domosdoshme. Përjashtimisht, për bashkitë qendër qarku, lista e këshilltarëve propozohet nga Kryesia e Degës, dhe miratohet nga Kryetari i Partisë.
5) Rregullat e detajuara për realizimin e procesit të propozimit, përzgjedhjes, konsultimit dhe caktimit të kandidaturave elektorale të parties, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 13
DISIPLINA E BRENDSHME
1) Anëtarët PDSH-së kujdesen për ruajtjen e etikës në komunikim dhe respekt të ndërsjellë ndaj njëri-tjetrit, organeve të partisë dhe funksionarëve politikë.
2) Anëtarët dhe organet e partisë veprojnë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Çdo vlerësim apo nismë personale e anëtarit të partisë, e shprehur nën këtë cilësi, duhet të jetë në përputhje me Statutin dhe Programin e PDSH-së. Anëtarët e PDSH-së, veçanërisht, shmangin çdo mënyrë, veprim apo neglizhencë që dëmton interesat elektorale apo politike të PDSH-së.
3) Rregullat e hollësishme për të garantuar disiplinën e brendshme dhe masat disiplinore në rast të cënimit të saj, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 14
FORMAT E VEPRIMIT DHE BASHKËPUNIMIT
1) Partia Demokratike e Shqipërisë e Shqipërisë për realizimin e synimeve të saj, vepron nëpërmjet:
a) veprimtarisë së anëtarëve të saj, organeve lokale e qendrore, strukturave ekzekutive;
b) zbatimit të platformës dhe programeve të saj kur qeveris e vetme ose në koalicion, si dhe nëpërmjet qeverisjes lokale që përfaqëson PDSH-ja;
c) grupit parlamentar;
ç) organizatave partnere dhe organizatave e shoqatave të tjera të afërta me PDSH-në;
d) bashkëpunimit me partnerë të huaj, organizata e institucione ndërkombëtare.
2) PDSH-ja, për realizimin e objektivave dhe funksioneve të saj, përdor mediat publike dhe private, dhe çdo formë tjetër komunikimi publik, manifestime e protesta, takime të hapura e tubime, konferenca e seminare, si dhe çdo formë tjetër të ligjshme.
NENI 15
VEPRIMTARI PUBLIKE
2) PDSH-ja, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për qëllime të realizimit të objektivave të veta të ligjshme dhe promovimit të vlerave të saj themelore, organizon edhe veprimtari ekonomike, studimore, klube, institute, apo forma të tjera të organizimit shoqëror.
2) Veprimtaritë e PDSH-së, si rregull, janë publike, me përjashtim të rasteve kur vlerësohet se mund të dëmtohet interesi politik i saj. Ato zhvillohen si brenda territorit të vendit, ashtu edhe jashtë tij, kur një gjë e tillë është e lejueshme në vendet përkatëse.
SEKSIONI 2
PROCEDURA E MBLEDHJES E ORGANEVE TË PARTISË
NENI 16
GARANTIMI I SHPREHJES SË LIRË
Çdo anëtar ka të drejtë të shprehë lirshëm mendimin e tij në strukturat dhe organet e Partisë, të cilat kanë për detyrë të garantojnë dhe të respektojnë shprehjen e mendimit ndryshe. Kur diskutohen çështje për të cilat ka mendime “pro” dhe “kundër”, garantohet shprehja e të paktën një mendimi pro dhe kundër propozimit.
NENI 17
AFTËSIA VENDIMMARRËSE
1) Organet e Partisë kanë aftësi vendimmarrëse kur janë thirrur sipas rregullave të parashikuara në këtë Statut, si dhe kur në mbledhje kanë marrë pjesë mbi 50% e anëtarëve me të drejtë vote, me përjashtim të rasteve, kur në Statut parashikohet një shumicë më e madhe se kjo për marrjen e vendimeve.
2) Në rast se në mbledhje nuk janë të pranishëm anëtarët e nevojshëm për të siguruar shumicën e kërkuar për vendimmarrje, drejtuesi i mbledhjes nuk duhet të fillojë mbledhjen dhe njofton shtyrjen e mbledhjes për një datë dhe orë tjetër. Në këtë rast, ai mund të mos marrë parasysh afatet e përcaktuara në Statut. Në çdo rast, mbledhja tjetër është me aftësi vendimmarrëse, dhe kjo iu njoftohet anëtarëve, bashkë me datën dhe orën e mbledhjes tjetër. Nëse gjatë mbledhjes, mungesa e numrit të nevojshëm të anëtarëve për marrjen e vendimit, vërtetohet në çastin e votimit, atëherë votimi shtyhet për një mbledhje tjetër.
3) Në përcaktimin e numrit të nevojshëm për të siguruar aftësinë vendimmarrëse, llogariten edhe abstenimet dhe/ose votat e pavlefshme.
NENI 18
SHUMICA E KËRKUAR PËR VENDIMMARRJE
1) Vendimet miratohen me shumicën e votave të vlefshme të pjesëmarrësve në votim, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 2 dhe 3 të këtij neni. Kur votat janë të barabarta, propozimi i votuar konsiderohet i refuzuar.
2) Për ndryshime statutore nevojitet shumica e të gjithë anëtarëve me të drejtë vote.
3) Për miratimin e vendimit për shpërndarjen apo bashkimin e PDSH-së me një parti tjetër, duhet një shumicë prej 3/4 e votave.
NENI 19
LLOJET E VOTIMIT
1) Votimi mund të jetë i hapur ose i fshehtë. E drejta e votës mund të ushtrohet duke marrë pjesë në mbledhje me prani fizike ose me anë të pjesmarrjes nëpërmjet plaformave apo programeve informatike të komunikimit.
2) Votimi i hapur realizohet duke ngritur dorën, mandatin apo në çdo mënyrë tjetër që lejon identifikimin e vullnetit të votuesit me sy të lirë.
3) Votimi i fshehtë bëhet nëpërmjet vendosjes së shenjës identifikuese të vullnetit të votuesit në fletën e votimit, e cila mund të jetë letër ose elektronike.
4) Votimi bëhet i fshehtë në rastet e përcaktuara nga Statuti, si edhe kur propozimi për votim të fshehtë kërkohet nga 1/4 e anëtarëve me të drejtë vote.
5) Format e votimit elektronik dhe rregullat përkatëse, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 20
AFATET E ZGJEDHJEVE
1) Të gjitha organet e Partisë iu nënshtrohen zgjedhjeve periodike çdo katër vjet.
2) Mandati i organit të zgjedhur konsiderohet i përfunduar me plotësimin e afatit 4-vjeçar nga data e kostituimit të tij.Mandati individual i një funksionari të zgjedhur të partisë, përfundon në raste vdekjeje, dorëheqjeje ose mase disiplinore. Mandati mund të ndërpritet për mungesë performance (rezultatesh) kur gjykohet e tillë pas procesit të parashikuar nga neni 11 i Statutit. Rregullat më të hollësishme përcaktohen me akte nënstatutore të miratuara nga Kryesia e Partisë.
3) Procedurat për zgjedhjen e organeve të cilave iu përfundon mandate, fillojnë jo më vonë se 45 ditë përpara datës së përfundimit të mandatit.
4) Në mungesë të fillimit të procedurave për zgjedhjen e organit të cilit i ka përfunduar mandati, nga organi përgjegjës për njoftimin dhe fillimin e tyre, procedurat konsiderohen si të njoftuara dhe të filluara në afatin e parashikuar në pikën 3 të këtij neni.
5) Komisioni Zgjedhor cakton kryesisht datën e zgjedhjeve, zhvillon procedurat për realizimin e zgjedhjeve, miraton rezultatin e zgjedhjeve dhe realizon procedurat për kostituimin e organit të zgjedhur.
NENI 21
DOKUMENTIMI I VENDIMEVE
1) Vendimet e Kuvendit Kombëtar, të Këshillit Kombëtar, të Kryesisë së Partisë, si dhe urdhrat dhe udhëzimet e Kryesisë së Partisë, Kryetarit të Partisë, Sekretarit të Përgjithshëm dhe organeve vendore të Partisë, dokumentohen, protokollohen dhe arkivohen sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Kryesisë së Partisë.
2) Për dokumentimin dhe njoftimin e vendimeve të organeve qendrore të Partisë, është përgjegjës Sekretari i Përgjithshëm, Sekretariati, dhe në mungesë të tyre, personi i ngarkuar me vendim të Kryesisë së Partisë.
3) Për dokumentimin dhe njoftimin e vendimeve të organeve vendore të Partisë, është përgjegjës Sekretari i Degës, ose në mungesë të tij, personi i ngarkuar me vendim të Kryesisë së Degës.
KREU III
ANËTARËSIA
NENI 22
KUSHTET E ANËTARËSISË
1) Anëtar i PDSH-së mund të jetë çdo shtetas shqiptar, që:
a) është mbi 15 vjeç;
b) pranon kushtet e anëtarësimit dhe përkrah e mbron vlerat themelore të PDSH-së;
c) nuk është anëtar i partive politike, apo i organizatave që nuk janë në partneritet të shpallur e të pranuar nga PDSH-ja.
2) Kërkesa për anëtarësim duhet të paraqitet me shkrim, duke plotësuar formularin përkatës:
a) pranë Degës së Partisë ku kërkuesi ka banimin;
b) pranë selisë qendrore të PDSH-së, e cila ia përcjell Degës ku kërkuesi ka banimin;
3) Pranimi në degën e PDSH-së bëhet vetëm për anëtarët që banojnë në territorin përkatës, nëpërmjet regjistrimit të anëtarit në sistemin elektronik të anëtarësisë nga Dega e PDSH-së dhe pajisjes së tij me dokumentin e anëtarësisë.
4) Në rast refuzimi të kërkesës, personi mund të ankohet në Komisionin e Apelimit.
NENI 23
REGJISTRI I ANËTARËSISË
Evidentimi i anëtarëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë bëhet në Regjistrin e Anëtarësisë në formatin elektronik dhe shkresor, i cili përmban të dhënat e përditësuara për të gjithë anëtarët e regjistruar në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Rregullat për aksesin, administrimin dhe përditësimin e Regjistrit të Anëtarësisë, miratohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 24
TË DREJTAT DHE DETYRAT E ANËTARIT
1) Anëtari i PDSH-së ka të drejtë:
a) të marrë pjesë dhe të shprehë lirisht mendimin e tij në mbledhjet e organeve të Partisë, si dhe në çdo veprimtari të PDSH-së;
b) të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet e Partisë;
c) të propozojë për të gjitha organet legjislative e ekzekutive që përfaqësojnë PDSH-në, sipas kushteve që parashikohen në këtë Statut,
ç) t’u drejtohet për çështje vetjake dhe të Partisë të gjitha organeve drejtuese të saj. 2) Anëtari i PDSH-së ka për detyrë:
a) të marrë pjesë rregullisht në organin ku bën pjesë, të jetë aktiv në veprimtarinë politike e elektorale të PDSH-së, si dhe të ndjekë jetën e brendshme organizative të saj;
b) të paguajë kuotën e anëtarësisë brenda 30 ditëve nga data e afatit për pagesën e saj.
c) të respektojë disiplinën e Partisë të përcaktuar në këtë Statut, aktet nënstatutore dhe në aktet politike të shpallura nga PDSH-ja.
3) Anëtarët e Partisë nuk mund të jenë njëkohësisht në më shumë se dy kryesi të organeve të Partisë, pavarësisht nga niveli i tyre, me përjashtim të rasteve të pjesëmarrjes për shkak të funksionit që mban. Përkatësia në kryesitë e organizatave partnere, nuk përfshihet.
NENI 25
ANËTARËT ME TË DREJTË VOTE
1) Anëtarë të PDSH-së, me të drejtë vote, janë të gjithë ata që përmbushin në mënyrë të njëkohshme kushtet e mëposhtme:
a) kanë bërë anëtarësimin e tyre individual dhe janë pranuar e regjistruar si anëtarë jo më vonë se 6 muaj përpara datës së zgjedhjeve të radhës;
b) kanë paguar kuotën vjetore të anëtarësisë;
c) ndaj tyre nuk është marrë masa disiplinore e pezullimit;
ç) marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e organeve ku bëjnë pjesë apo në veprimtaritë politike ku iu kërkohet.
2) Mospagimi për gjashtë muaj i kuotës së anëtarësisë, si dhe mospjesëmarrja për gjashtë muaj në mbledhje të njëpasnjëshme të organeve ku bën pjesë apo në veprimtaritë politike, pa shkaqe të përligjura, sjell humbjen e të drejtës së votës si anëtar i PDSH-së. Personi që ka humbur të drejtën e votës mund të ankohet në Komisionin e Apelimit.
3) E drejta e votës rifitohet me rënien e shkaqeve për të cilat ajo është humbur.
4) Humbja dhe rifitimi i të drejtës së votës regjistrohet në regjistrin e anëtarësisë nga Sekretari i Degës, për anëtarët e Degës, dhe Sekretari i Përgjithshëm, ose Sekretariati, për anëtarët e tjerë.
NENI 26
PËRFUNDIMI I ANËTARËSISË
1) Anëtarësia përfundon kur anëtari vdes, largohet me kërkesën e tij, përjashtohet, kandidon për subjekte të tjera që nuk kanë marrveshje me PDSH-në, ose nuk plotëson më kushtet për të qenë anëtar.
2) Mosplotësimi i kushteve për të qenë anëtar, mund të konstatohet kryesisht nga Kryesia e Degës, Kryesia e Partisë ose organi në të cilin është zgjedhur anëtari.
3) Mosplotësimi i kushteve për të qenë anëtar, sjell humbjen e anëtarësisë, si dhe të të gjitha të drejtave që rrjedhin prej saj që në momentin e mosplotësimit fillestar të tyre
4) Çdo anëtar mund të largohet nga Partia me vullnetin e tij, duke njoftuar seksionin ku bën pjesë, ose organin ku është i zgjedhur.
NENI 27
MASAT DISIPLINORE
1) Thyerja e disiplinës së brendshme të Partisë, ndërmarrja e veprimeve, në çdo formë apo mënyrë, që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të PDSH-së, dhe mosplotësimi i detyrimeve të anëtarësisë, sjell sanksione dhe kufizime të të drejtave të anëtarit të PDSH-së.
2) Masat disiplinore që mund të merren ndaj anëtarëve janë: paralajmërimi, pezullimi dhe përjashtimi. Këto masa merren sipas rastit nga Kryesia e Degës ose Kryesia e Partisë.
3) Masat i japin efektet që në momentin e marrjes së tyre. Masat mund të apelohen përpara Komisionit të Apelimit brenda 6 muajsh nga marrja e tyre.
4) Në tre muajt që paraprijnë çdo fushatë zgjedhore dhe një muaj pas saj, Kryesia e Partisë mund të marrë kundrejt një anëtari, kushdo qoftë funksioni i tij, njërin prej sanksioneve që parashikon Statuti, nëse ai pengon zbatimin e vendimeve që kanë të bëjnë me kandidaturat në zgjedhje. Ky vendim është i ankimueshëm dhe shqyrtohet nga Komisioni i Apelimit brenda 5 ditëve nga paraqitja e ankimit.
5) Kërkesat për ripranim shqyrtohen nga Kryesitë e Degëve, nëse vendimet janë marrë prej tyre, ose nga Kryesia e Partisë, për të gjitha rastet e tjera.
6) Në raste urgjente, dhe veçanërisht në fushata elektorale, Kryetari i Partisë mund të ushtrojë pushtetin e masave disiplinore. Masa e ndërmarrë i paraqitet për miratim Kryesisë së Partisë në mbledhjen e parë.
7) Rastet që përbëjnë shkelje disiplinore, si dhe rregullat e procedurat e dhënies së sanksioneve përkatëse disiplinore për anëtarët, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 28
SIMPATIZANTËT
1) PDSH-ja quan simpatizant të saj çdo qytetar që mbështet politikën apo veprimtarinë e saj dhe voton për të. Ajo nxit pjesëmarrjen e tyre në veprimtaritë publike dhe politike të saj.
2) Për evidentimin e simpatizantëve të PDSH-së, krijohet Regjistri Bazë i Simpatizantëve në format elektronik, i cili përmban të dhënat e përditësuara në mënyrë periodike për të gjithë simpatizantët e PDSH-së.
3) Rregullat e hollësishme për formatin e regjistrit, administrimin, përditësimin dhe aksesimin e tij, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
KREU IV
ORGANIZIMI VENDOR I PARTISË
SEKSIONI 1
STRUKTURA E ORGANIZIMIT VENDOR TË PARTISË
NENI 29
ORGANIZIMI VENDOR I PDSH-SË
Njësitë organizative të PDSH-së në nivel vendor, janë:
a) Njësia
b) Dega
ç) Këshilli Drejtues i Qarkut.
NENI 30
NJËSIA
1) Njësia krijohet në bazë lagjeje, grup lagjesh apo në bazë fshatrash, ose në raste të veçanta dhe me miratim të Kryesisë së Partisë, mbi bazën e kritereve specifike apo rrethanave të caktuara. Njësia duhet të ketë jo më pak se 25 anëtarë me të drejtë vote.
2) Njësia drejtohet nga Kryetari, i cili zgjidhet çdo katër vjet, me votim të fshehtë, nga mbledhja e të gjithë anëtarëve të saj, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Numri i kandidaturave që i nënshtrohen votimit duhet të jetë të paktën dy. Të drejtën për të propozuar kandidatë e kanë 1/5 e anëtarëve që përfshihen në atë Njësi, Kryesia e Degës dhe Kryetari i Degës.
3) Kryetari i Njësisë është përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e punës në territorin e Njësisë. Kryetari i Njësisë i propozon Kryesisë së Degës listën e koordinatorëve përgjegjës në territorin e Njësisë. Veprimtaria e Kryetarit të Njësisë kontrollohet në mënyrë periodike nga Kryetari i Degës.
4) Njësia është përgjegjëse, për:
a) organizimin e veprimtarisë politike në territorin e saj në përputhje me orientimet dhe qëndrimet e shpalluara të PDSH-së;
b) identifikimin dhe përditësimin e informacioneve mbi votuesit në territorin që mbulon, duke mbajtur kontakte të vazhdushme me ta;
c) identifikimin dhe angazhimin në veprimtari politike të simpatizantëve të PDSH-së me banim në territorin përkatës;
d) organizimin dhe drejtimin e punës për operacionet elektorale gjatë zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore, sipas udhëzimeve të Kryetarit dhe/ose të Kryesisë së Degës;
e) propozimin për kandidatura për drejtues dhe përfaqësues lokalë dhe qendror të Partisë; adresimin e sugjerimeve dhe propozimeve të Degës për çdo problem që gjykon se është në interes të Partisë apo qytetarëve në territorin që mbulon.
NENI 31
KOORDINATORËT
1) Koordinatori emërohet nga Kryesia e Degës me propozim të Kryetarit të Njesisë.
2) Koordinatori duhet të jetë anëtar i PDSH-së me të drejtë vote.
3) Koordinatorët caktohen në bazë të ndarjes territoriale dhe/ose tematike, sipas vendimit të Kryesisë së Degës.
4) Koordinatori është përgjegjës, për:
a) organizimin e veprimtarisë politike në territorin dhe /ose sipas fushës së përgjegjësisë që mbulon, në përputhje me orientimet dhe qëndrimet e shpallura të PDSH-së;
b) identifikimin dhe mbajtjen e kontakteve të vazhdueshme me votuesit në territorin përkatës dhe /ose sipas fushës së përgjegjësisë që mbulon, si dhe për organizimin e punës për operacionet elektorale gjatë zgjedhjeve të përgjithshme dhe vendore;
c) identifikimin dhe angazhimin në veprimtari politike të simpatizantëve të PDSH-së me banim në territorin përkatës dhe /ose sipas fushës së përgjegjësisë që mbulon;
ç) propozimin e kandidaturave për drejtues dhe përfaqësues lokalë dhe qendrorë të Partisë;
d) adresimin e sugjerimeve dhe propozimeve Degës për çdo problem që gjykon se është në interes të Partisë apo qytetarëve në territorin dhe /ose sipas fushës së përgjegjësisë që mbulon.
5) Koordinatori tematik:
Koordinatori tematik konsiderohet i vetëemëruar, nëse plotësohen këto kushte:
a) paraqet nënshkrimet e një liste së paku 20 shtetasve me të drejte vote, të cilët pranojnë se veprimtarinë politike do ta ushtrojnë vetëm nën këtë koordinator dhe jo të një koordinatori tjetër territorial apo tematik;
b) koordinatori tematik ka përcaktuar degën përkatëse të PDSH-së ku do të kryejë veprimtarinë e tij;
c) vë në dijeni, me një kërkesë, Kryesinë e Degës dhe Kryesinë e Partisë, për konstituimin e tij si koordinator tematik;
d) njofton në mënyrë periodike Sekretarin e Degës për përmbushjen e detyrimeve statutore prej tij dhe anëtarëve të listës së tij. Në rastin kur, nga Sekretari i Degës, verifikohet se anëtarësia e listës ka rënë nën numrin minimal, koordinatori tematik e humbet këtë cilësi; e) Kryesia e Partisë miraton aktet nënstatutore që detajojnë mënyrën e organizimit dhe funksionimit të koordinatorëve tematikë.
NENI 32
DEGA E PDSH-SË
1) Dega e PDSH-së formohet apo shkrihet me vendim të Kryesisë së PDSH-së. Ajo funksionon përgjithësisht në bazë të njësive të qeverisjes lokale apo çdo ndarjeje tjetër administrative territoriale të përshtatshme dhe përbëhet nga Njësitë e atyndodhura.
2) Dega drejtohet në periudhën mes kuvendeve nga Kryetari dhe Kryesia e Degës.
3) Shtetasit shqiptarë mund të themelojnë jashtë Shqipërisë degë të PDSH-së. Krijimi i degëve jashtë vendit miratohet nga Kryesia e PDSH-së. Ato shpërndajnë në vendin ku ndodhen parimet dhe programet e PDSH-së, duke respektuar ligjet dhe rregullat e vendit përkatës. Këto degë organizohen dhe funksionojnë sipas rregullave të këtij statuti.
NENI 33
KËSHILLI DREJTUES I QARKUT
1) Këshilli Drejtues i Qarkut është strukturë e përhershme me përgjegjësi në organizimin partiak, elektoral dhe aksionet e veprimtaritë politike të PDSH-së në nivel qarku.
2) Këshilli drejtohet nga Drejtuesi Politik i Qarkut, i cili emërohet nga Kryesia e Partisë me propozim të Kryetarit të Partisë.
3) Këshilli Drejtues i Qarkut ka në përbërje:
a) Drejtuesin Politik të Qarkut.
b) Kryetarin dhe Sekretarin e Degëve të Partisë në atë qark;
c) Deputetët, dhe në periudhën e fushatës zgjedhore, kandidatët për deputetë të konfirmuar zyrtarisht;
ç) Koordinatorë përgjegjës për detyra specifike të përcaktuara në aktet nënstatutore, të cilët emërohen nga Kryetari i Partisë, me propozimin e Drejtuesit Politik të Qarkut;
4) Këshilli Drejtues i Qarkut mblidhet të paktën një herë në muaj. Koordinimi i veprimtarive politike dhe organizative të Degëve të PDSH-së në nivel qarku, si dhe rregullat për drejtimin, vlerësimin e performancës, disiplinën, organizimin dhe zhvillimin e fushatave elektorale për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato vendore, përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
SEKSIONI 2
ORGANET VENDORE TË PARTISË
NENI 34
KUVENDI I DEGËS SË PDSH-SË
1) Kuvendi i Degës është organi më i lartë vendimmarrës i saj. Përbërja dhe organizimi i mbledhjes së Kuvendit të Degës, përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
2) Kuvendin e Degës e thërret Kryesia e Degës me miratimin e Kryesisë së PDSH-së. Ai mund të thirret edhe kur e kërkon 1/4 e anëtarëve të degës së Partisë, ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit të Degës. Në këtë rast, caktimi i datës dhe i rendit të ditës, duhet të bëhet jo më vonë se një muaj nga marrja e kërkesës. Në çdo rast, njoftimi i datës dhe i rendit të ditës, duhet të bëhet 5 ditë përpara.
3) Kuvendi i Degës së PDSH-së, ushtron këto përgjegjësi dhe të drejta:
a) zgjedh Kryetarin e Degës;
b) zgjedh anëtarët e Kryesisë së Degës;
c) vendos për çështje të rëndësishme politike të Degës;
d) i adreson kërkesa organeve qendrore të PDSH-së për çështje që e gjykon të arsyeshme;
4) Të drejtën për të adresuar propozime dhe kërkesa për mocion për çështje të veçanta, e kanë Kryesia e Partisë, Kryesia e Degës dhe 15 për qind e anëtarëve të Kuvendit të Degës me të drejtë vote. Kërkesat për propozim kandidaturash dhe mocionet e shkarkimit të organeve të Degës, duhet të jenë miratuar paraprakisht në Kryesinë e Partisë.
NENI 35
KRYESIA E DEGËS SË PARTISË
1) Kryesia e Degës është organi më i lartë për drejtimin e Degës së Partisë ndërmjet dy kuvendeve. Ajo vendos për të gjitha çështjet që nuk janë kompetencë ekskluzive e Kuvendit të degës apo e organeve qendrore të PDSH-së. Rregullat për përbërjen e Kryesisë së Degës përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
2) Kryesia e Degës përbëhet nga:
a) Kryetari dhe Nënkryetarët e Degës;
b) Kryetarët e Njësive të Degës;
c) Sekretari i Degës;
ç) Sekretariati i Degës;
d) Anëtarë të zgjedhur në Kuvendin e Degës;
e) Kryetari i Grupit të Këshilltarëve bashkiakë, si dhe Kryetari i Bashkisë dhe Kryetari i
Këshillit Bashkiak, kur i përkasin PDSH-së; dh) Anëtarët e Këshillit Kombëtar;
f) Kryetarin vendor të LDG-së dhe FRPD-së;
3) Kryesia ushtron këto përgjegjësi dhe të drejta:
a) drejton dhe organizon të gjithë veprimtarinë e Partisë në territorin ku vepron në përputhje me këtë Statut dhe aktet e nxjerra nga organet qendrore të Partisë;
b) i propozon Kryesisë së PDSH-së strukturën organizative të Degës;
c) formulon dhe paraqet para organeve eprore kërkesat dhe propozimet në emër të Degës .
ç) i propozon Kryesisë së PDSH-së të paktën dy kandidatë për funksionin e Sekretarit të
Degës;
d) siguron, dhe është përgjegjëse, për veprimtarinë koherente të strukturave në varësi të saj, me veprimtarinë e përgjithshme të partisë në çështjet e organizimit, veprimtarive politike publike, veçanërisht të fushatave elektorale.
dh) emëron Sekretariatin e Degës, sipas numrit dhe funksioneve të miratuara nga Kryesia e Partisë.
e) zgjedh koordinatorët në bazë të ndarjes territoriale dhe/ose tematike.
4) Mbledhja e Kryesisë thirret nga Kryetari të paktën një herë në muaj. Të drejtën e thirrjes së mbledhjes së Kryesisë së Degës për probleme të veçanta, e kanë edhe 1/4 e anëtarëve të Kryesisë. Në këtë rast, kryetari njofton datën e mbledhjes jo më vonë se pesë ditë nga marrja e kërkesës.
NENI 36
KRYETARI I DEGËS SË PDSH-SË
1) Kryetari i Degës së PDSH-së zgjidhet nga Kuvendi i Degës me votim të fshehtë nga jo më pak se dy kandidatura. Kandidaturat për Kryetar Dege duhet të plotësojnë kriteret që përcakton Kryesia e PDSH-së. Kandidaturat propozohen nga Njësitë, Kryesia e Degës dhe Kryetari i Partisë. Kandidaturat e dala për kryetar të Degës i nënshtrohen një diskutimi dhe vlerësimi nga Kryesia e PDSH-së, e cila miraton përfundimisht propozimet për kandidaturat.
2) Kryetari i Degës përfaqëson anëtarësinë e partisë në territorin përkatës. Ai thërret dhe drejton mbledhjet e Kryesisë dhe në bashkëpunim me sekretarin e degës fikson rendin e ditës. Ai organizon funksionimin normal të Kryesisë dhe përgjigjet për zbatimin e vendimeve dhe orientimeve të saj. Ai përgjigjet për mbarëvajtjen e funksionimit të përditshëm të partisë dhe shprehjen e lirë të çdo anëtari të Kryesisë.
3) Kryetari i Degës ndihmohet në ushtrimin e veprimtarisë së tij nga Nënkryetarët e Degës, të cilët mbulojnë dhe janë përgjegjës drejtpërdrejt për veprimtarinë politike në një territor të caktuar elektoral, si dhe për detyra të tjera të caktuara nga Kryesia e Degës. Nënkryetarët e Degës zgjidhen nga Kryesia e Degës, me propozim të Kryetarit të Degës.
NENI 37
SEKRETARI I DEGËS
1) Sekretari i Degës ka për detyrë zbatimin e vendimeve të organeve qendrore të Partisë në Degën përkatëse dhe për dokumentimin e veprimtarisë së organeve të Degës. Sekretari i Degës emërohet nga Kryesia e Partisë.
2) Çdo vit, dhe jo më vonë se fundi i tremujorit të parë pas mbylljes së vitit paraardhës, Sekretari i Degës i paraqet Kryesisë së Degës një raport të veprimtarisë së Degës, ku përfshihen veçanërisht anëtarësimet e reja në degë, përmbushja e detyrave të lëna nga organet qendrore të Partisë, financimi i Partisë dhe funksionimi organizativ i strukturave në Degë. Raporti i paraqitet për miratim Kryesisë së Degës. Vendimi i Kryesisë së Degës për miratimin e raportit, së bashku me raportin, i dërgohen brenda shtatë ditësh Kryesisë së Partisë.
3) Sekretari i Degës në ushtrimin e detyrës së tij ndihmohet nga Sekretariati i Degës, të cilët emërohen nga Kryesia e Partisë. Sekretariati mbulon fushat respektive sipas organizimit të PDSH-së. Detyrat që përmbush secili anëtar i Sekretariatit dhe numri i tyre në çdo Degë, caktohen me vendim të Kryesisë së PDSH-së.
SEKSIONI 3
ADMINISTRIMI NË ORGANET VENDORE TË PARTISË
NENI 38
APARATI ADMINISTRATIV
1. Në përputhje me mundësitë e saj financiare dhe me miratim të Kryesisë së Partisë, Dega e PDSH-së ka aparatin e saj administrativ.
2. Kryetari i Degës emëron dhe shkarkon personelin e kësaj administrate.
NENI 39
FINANCIMI I STRUKTURAVE VENDORE TË PDSH-SË
1) Financimi i strukturave vendore bëhet nga:
a) shuma në formë granti që akordon Kryesia qendrore;
b) burime të tjera financiare që autorizon ligji për partitë politike.
2) Financieri i Degës emërohet nga Kryesia e Degës. Ai është përgjegjës përpara Kryesisë për fondet që ka në administrim.
3) Në përfundim të vitit kalendarik, por jo më vonë se data 31 janar e vitit pasardhës, Financieri përgatit raportin financiar të Degës. Raporti i paraqitet për miratim Kryesisë së Degës jo më vonë se data 10 shkurt e vitit pasardhës. Vendimi i Kryesisë së Degës për miratimin apo mosmiratimin e Raportit Financiar, së bashku me Raportin, i përcillen brenda shtatë ditëve Kryesisë së Partisë
NENI 40
E DREJTA E INFORMIMIT
Organet Qendrore të PDSH-së kanë të drejtë t’u kërkojnë organeve vendore çdo informacion lidhur me veprimtarinë e Degës së Partisë. Këtë të drejtë e kanë edhe organet drejtuese vendore ndaj strukturave nën varësi.
NENI 41
E DREJTA E NDËRHYRJES
1) Në rast se Kryetari dhe/ose Kryesia e Degës thyejnë rëndë, ose në mënyrë të përsëritur, Statutin, dhe aktet e tjera të nxjerra nga organet qendrore në zbatim të tij, ose kur paralizohet veprimtaria normale e Degës, Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së, ka të drejtën e ndërhyrjes dhe, në raste të veçanta, të shkarkimit, pezullimit të tyre, apo të komandimit të organeve drejtuese vendore respective, deri në mbledhjen e Kuvendit të Degës.
2) Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së, ka të drejtën e ndërhyrjes edhe në rastet e zbatimit të gabuar të akteve dhe procedurave në funksionimin e Degëve të Partisë.
3) Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së, ndërhyn në mënyrë të veçantë në rastet e konflikteve në procesin e propozimit të kandidaturave elektorale. Këto të drejta i ka edhe Kryesia e Degës ndaj Njësive që ndodhen në territorin e saj.
4) Kundër vendimet të Kryesisë së Degës dhe/ose Kryesisë së Partisë, me të cilët ndërhyhet sipas parashikimeve të këtij neni, mund të ushtrohet ankim në Komisionin e Apelimit.
KREU V
ORGANET QENDRORE TË PARTISË
SEKSIONI 1
ORGANET VENDIMMARRËSE QENDRORE TË PDSH-SË
NENI 42
KUVENDI KOMBËTAR I PARTISË
1) Kuvendi Kombëtar është organi më i lartë vendimmarrës i Partisë.
2) Kuvendi Kombëtar përbëhet nga delegatë për shkak të funksionit.
3) Delegatët në Kuvendin Kombëtar janë:
a) Kryetari i Partisë;
b) Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretariati;
c) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;
d) Anëtarët e Këshillit Kombëtar;
e) Kryetarët e Degëve;
f) Deputetët e Partisë Demokratike të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë;
g) Anëtarët e Kryesisë së Degëve;
h) Kryetarët e Bashkive, Prefekti, Kryetari i Qarkut, dhe këshilltarët vendorë, anëtarë të
PDSH-së;
i) Një numër i kufizuar përfaqësuesish të organizatave partnere në numër të barabartë, jo më shumë se 5 për qind e numrit të anëtarëve të tjerë të Kuvendit Kombëtar.
j) Ish-Presidentët, ish-Kryeministrat, ish-Kryetarët e Kuvendit dhe ish-Kryetarët e PDSHsë, të cilët janë anëtarë të PDSH-së në momentin e mbledhjes së Kuvendit Kombëtar.
k) Anëtarët e Komitetit të Orientimit të Politikave, si dhe funksionarët e Selisë Qendrore të Partisë Demokratike
4) Kuvendi Kombëtar mblidhet si rregull çdo katër vjet. Vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar ose Kryesia e PDSH-së, me propozim të Kryetarit të PDSH-së. Kuvendi mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së, ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar. Data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Punimet e Kuvendit drejtohen nga një Komision i përbërë nga 5 anëtarë, i cili zgjidhet në fillim të punimeve të tij, me propozimin e Kryetarit të Partisë.
5) Kuvendi Kombëtar ka këto kompetenca:
a) miraton Statutin e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ndryshimet e tij;
b) miraton programin e Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit në nivel qendror e vendor, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj;
c) miraton raportin e progresit të partisë për periudhën 2-vjeçare;
ç) zgjedh anëtarët e Këshillit Kombëtar;
d) shkarkon Kryetarin e Partisë mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar; dh) vendos shpërndarjen e Partisë ose bashkimin me një ose disa parti të tjera;
6) Të drejtën për t’i bërë kërkesa dhe propozime Kuvendit Kombëtar, për çështje që janë në kompetencë të tij, përveç rasteve kur ky Statut përcakton ndryshe, e kanë Kryetari i Partisë, Këshilli Kombëtar, Kryesia e PDSH-së, ose jo më pak se pesëmbëdhjetë për qind e anëtarëve të Kuvendit me të drejtë vote, të shpërndarë në të paktën pesë Qarqe.
NENI 43
KËSHILLI KOMBËTAR
1) Këshilli Kombëtar, në përputhje me programin, Statutin dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar, drejton veprimtarinë politike të Partisë në periudhën midis dy Kuvendeve.
2) Këshilli Kombëtar përbëhet nga anëtarë të zgjedhur, dhe anëtarë për shkak të funksionit.
3) Numri i anëtarëve të zgjedhur për çdo Qark dhe proçedura për propozimin e tyre, përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
4) Janë anëtarë të Këshillit Kombëtar për shkak të funksionit:
a) Kryetari i Partisë;
b) Sekretari i Përgjithshëm dhe Sekretariati;
c) Anëtarët e Kryesisë së Partisë;
d) Drejtuesit Politik të Qarqeve;
ç) Deputetët dhe ministrat në detyrë, anëtarë të Partisë Demokratike të Shqipërisë;
e) Kryetarët e Degëve të PDSH-së;
f) Kryetarët e Bashkive dhe Kryetarët/Nënkryetarët e Këshillave të Bashkive dhe të Qarkut, që i përkasin Partisë Demokratike të Shqipërisë;
5) Këshilli Kombëtar drejtohet nga Kryetari i Këshillit Kombëtar, dhe në mungesë të tij, nga Kryetari i Partisë ose nga një prej Nënkryetarëve të Partisë sipas autorizimit të këtij të fundit.
6) Këshilli Kombëtar, si rregull, mblidhet jo më pak se dy herë në vit. Data e mbledhjes dhe rendi i ditës duhet t’u njoftohen anëtarëve jo më vonë se 5 ditë para zhvillimit të mbledhjes. Mbledhjen e Këshillit Kombëtar e thërret Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë. Këshilli Kombëtar mund të mblidhet edhe nëse e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të tij. Në këtë rast, Kryetari thërret mbledhjen jo më vonë se dy javë nga data e depozitimit të kërkesës.
7) Këshilli Kombëtar, përveç sa parashikuar në këtë Statut, ushtron këto përgjegjësi apo të drejta:
a) zgjedh me votim të fshehtë dhe shkarkon Sekretarin e Përgjithshëm; Nënkryetarët e Partisë; Kryetarin e Këshillit Kombëtar, Anëtarët e Sekretariatit; Anëtarët e zgjedhur të Kryesisë së Partisë; Kryetarin e Komisionit Zgjedhor, Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit si dhe Kryetarin e Bordit Financiar të Partisë. Kryetari dhe anëtarët e Komisionit të Apelimit mund të shkarkohen me propozim të Kryesisë së Partisë dhe miratimin e 2/3 të të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
b) miraton listën e kandidaturave elektorale sipas vendimit të Kryesisë së Partisë;
c) miraton koalicionet para apo pas zgjedhore;
ç) miraton strategjitë dhe programin elektoral e politik të Partisë ndërmjet dy Kuvendeve;
d) miraton aktet më të rëndësishme nënstatutore për mbarëvajtjen e punës në Parti, sipas vlerësimit dhe propozimit të Kryesisë apo Kryetarit të Partisë.
8) Të drejtën për t’i propozuar vendime Këshillit Kombëtar, e kanë Kryetari i Partisë ose Kryesia e Partisë. Jo më pak se 15 për qind e anëtarëve të Këshillit Kombëtar kanë të drejtën që jo më vonë se 24 orë përpara mbledhjes së tij, të propozojnë kandidatë alternativë për çdo funksion politik që zgjidhet nga ky organ. Vendimet e Këshillit Kombëtar merren me shumicë të thjeshtë.
NENI 44
KRYESIA E PDSH-SË
1) Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë ndjek dhe siguron zbatimin e vendimeve të marra nga Kuvendi dhe Këshilli Kombëtar. Kryesia vendos për të gjitha çështjet që nuk janë e drejtë ekskluzive sipas këtij Statuti e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, si dhe miraton marrëveshjet politike.
2) Kryesia e PDSH-së, drejtohet nga Kryetari i Partisë dhe ka në përbërje edhe:
a) Sekretarin e Përgjithshëm dhe Sekretariatin;
b) Nënkryetarët e Partisë;
c) Kryetarët e organizatave partnere;
ç. Kryetarin e Bordit Financiar dhe Komisionit Zgjedhor;
d) 15 (pesëmbëdhjetë) anëtarë të zgjedhur me votim të fshehtë nga Këshilli Kombëtar, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante. Jo më pak se 30 për qind e anëtarëve të zgjedhur të Kryesisë duhet t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar;
dh. Zëdhënësin e Partisë, si dhe Sekretarin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare që emërohen nga Kryetari i Partisë.
3) Kryesia e Partisë ka këto përgjegjësi dhe të drejta:
a) merr çdo vendim të nevojshëm për organizimin ekzekutiv dhe politik të partisë e që nuk është kompetencë e organeve të tjera të partisë;
b) emëron Drejtuesit Politik të Qarqeve sipas propozimit të Kryetarit të Partisë;
c) harton listën e Kandidatëve për deputetë, dhe ia paraqet për miratim Këshillit Kombëtar;
ç) vendos rregullat për ndarjen e degës në njësi dhe përcaktimit të hartës territoriale të çdo
Njësie;
d) miraton kandidatët për Kryetarë të Degëve;
dh) miraton strukturën organike dhe strukturën e pagave të Partisë; e) miraton kandidatët për Kryetarë Bashkie;
ë) në rastin e konstatimit të vakancës në pozicionin e Kryetarit të Partisë, emëron një nga
Nënkryetarët për ushtrimin e funksioneve të Kryetarit;
f) miraton raportin financiar të Partisë;
g) cakton datën e zgjedhjeve për Kryetarin e Partisë, jo më vonë se 6 muaj nga data e konstatimit të vakancës;
h) të drejta të tjera të përcaktuara në këtë statut.
4) Të drejtën për të kërkuar thirrjen e mbledhjes dhe për të propozuar vendime Kryesisë së Partisë, e kanë Kryetari i Partisë, Sekretari i Përgjithshëm, ose 1/5 e anëtarëve të Kryesisë. Vendimet në Kryesi merren me shumicë të thjeshtë të votave në prani të më shumë se gjysmës së anëtarëve të Kryesisë. Në rast se nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm, atëherë mbledhja vijuese e saj për të njëjtin rend dite zhvillohet pavarësisht nga kuorumi.
NENI 45
KRYETARI I PARTISË
1) Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.
2) Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH-së, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
3) Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë, në varësi të problematikave apo çështjeve specifike, mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë tematikë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar.
4) Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme, i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin.
5) Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.
NENI 46
NËNKRYETARI I PARTISË
1) Nënkryetarët e Partisë zgjidhen nga Këshilli Kombëtar dhe ushtrojnë detyrat e ngarkuara nga Kryetari i Partisë, si dhe ndihmojnë këtë të fundit në përmbushjen e detyrave që i ngarkohen nga Statuti.
2) Në rast të vakancës së Kryetarit të Partisë, Kryesia e Partisë cakton me vendim një nga Nënkryetarët si ushtrues të detyrës së Kryetarit të Partisë. Vendimi i Kryesisë duhet të miratohet brenda 3 muajsh nga Këshilli Kombëtar. Këshilli Kombëtar mund të caktojë një Nënkryetar të ndryshëm nga Kryesia për ushtrimin e funksionit të Kryetarit.
NENI 47
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM
1) Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për organizimin e partisë, si dhe për funksionimin e përditshëm të saj. Ai organizon dhe ndjek zbatimin e akteve të nxjerra nga organet qendrore të partisë në degët e PDSH-së.
2) Sekretari i Përgjithshëm ndihmohet nga Sekretariati në ushtrimin e kompetencave të tij. Anëtarët e Sekretariatit zgjidhen nga Këshilli Kombëtar.
3) Në mungesë të Sekretarit të Përgjithshëm, Kryesia e Partisë mund të komandojë një nga anëtarët e Sekretariatit të ushtrojë funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm. Komandimi nuk mund të zgjasë më shumë se 3 muaj.
NENI 48
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË
1) Grupi Parlamentar i PDSH-së përbëhet nga deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.
2) Kur PDSH është shumicë qeverisëse, Kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me propozim të Kryetarit të Partisë nga Këshilli Kombëtar, me votim të fshehtë, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.
3) Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar.
4) Grupi Parlamentar i PDSH-së:
a) përfaqëson në Parlament PDSH-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDSH-së;
b) harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në Parlament dhe në zonat elektorale përkatëse;
5) Rregullorja e funksionimit dhe përfaqësimi institucional i Grupit Parlamentar, miratohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
NENI 49
KOMITETI I ORIENTIMIT TË POLITIKAVE
1) Komiteti i Orientimit të Politikave (KOP) përbëhet nga Koordinatorë Kombëtarë, personalitete të shquara të fushave të ndryshme, të cilët emërohen nga Kryetari i Partisë. Ata janë përgjegjës për veprimtarinë dhe reflektime programore të PDSH-së në fusha të caktuara me rëndësi për veprimin publik politik të saj në shkallë vendi dhe më gjerë.
2) Komiteti i Orientimit të Politikave ka për detyrë hartimin, propozimin dhe zbatimin e projekteve politike të PDSH-së për çështje specifike apo të përgjithshme tematike, të cilat miratohen nga organet drejtuese të saj. Kjo strukturë siguron marrjen e kontributit dhe mendimit të individëve apo organizatave me autoritet profesional, në fushën e ekspertizës që ata mbulojnë.
NENI 50
NGRITJA E QENDRAVE DHE INSTITUTEVE TË PËRHERSHME APO TË
PËRKOHSHME
1) Pranë PDSH-së mund të ngrihen Qendra apo Institute të përhershme apo të përkohshme, si njësi kërkimore, këshilluese dhe trajnuese, të fokusuara në kërkimin dhe edukimin politik.
2) Rregullat për ngritjen, organizimin dhe funksionimin e tyre, përcaktohen me udhëzim të Kryetarit së Partisë dhe në statutin e organizatës përkatëse.
SEKSIONI 2
ORGANET TË TJERA QENDRORE TË PDSH-SË
NENI 51
KOLEGJI I KRYETARËVE
1) Kolegji i Kryetarëve, përbëhet nga të gjithë Kryetarët e Degëve të PDSH-së, dhe është strukturë ndihmëse dhe këshillimore e Kryetarit të Partisë.
2) Kolegji i Kryetarëve, ushtron këto përgjegjësi:
a) diskuton mënyrën e përmbushjes së detyrave në kuadër të një aksioni apo aktiviteti politik, sipas vendimeve të marra nga organet drejtuese të PDSH-së;
b) këshillon Kryetarin e Partisë për ndërmarrjen e aksioneve politike dhe iniciativave që sigurojnë mbarëvajtjen e punës në parti;
c) ndihmon Kryetarin e Partisë në përmbushjen e detyrave të caktuara nga organet drejtuese të partisë.
SEKSIONI 3
ORGANET KONTROLLUESE DHE GARANTUESE QENDRORE TË PDSH-SË
NENI 52
KOMISIONI ZGJEDHOR
1) Komisioni Zgjedhor është përgjegjës për organizimin dhe kontrollin e operacioneve elektorale brenda partisë në rang kombëtar apo lokal.
2) Komisioni Zgjedhor drejtohet nga Kryetari, i cili zgjidhet nga Këshilli Kombëtar.
3) Mënyra e organizimit dhe funksionimit të Komisionit Zgjedhor rregullohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
4) Komisioni ka këto detyra dhe funksione kryesore:
a) pregatit, organizon, mbikëqyr dhe garanton rregullsinë e procedurave për zgjedhjet e brendshme në parti në të gjithe nivelet.
NENI 53
KOMISIONI I APELIMIT
1) Komisioni i Apelimit përbëhet nga Kryetari dhe katër anëtarë të zgjedhur nga Këshilli Kombëtar. Anëtarët e Komisionit të Apelimit qëndrojnë në detyrë për gjithë mandatin.
2) Komisioni zgjidh të gjitha mosmarrveshjet ndërmjet organeve të partisë, ndërmjet organeve të partisë dhe anëtarëve të saj, si dhe jep vlerësimin për interpretimin përfundimtar të dispozitave të Statutit.
3) Rregullat për paraqitjen e ankesave për shqyrtim, procedurave të shqyrtimit dhe vendimmarrjes, si dhe mënyrën e organzimit dhe funksionimit të seancave, hartohen nga Komisioni dhe miratohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
VEPRIMTARIA EKONOMIKE E PARTISË
NENI 54
FINANCAT E PARTISË
1) Burimet financiare të Partisë përbëhen nga kuotizacionet e anëtarësisë, nga granti që jep buxheti i shtetit sipas ligjit, nga ndihma e dhurata publike që njeh ligji për partitë politike, si dhe nga çdo financim apo burim tjetër që lejon ligji.
2) Masa e kuotës së anëtarësisë, si dhe rregullat për mbledhjen, administrimin dhe përdorimin e kuotave të anëtarësisë, përcaktohen me vendim të Kryesisë së Partisë.
3) Bilancet, ku përfshihen të ardhurat dhe shpenzimet, si dhe Buxheti Vjetor i Partisë, pasi raportohen pranë organeve kompetente sipas ligjit, bëhen publike në faqen zyrtare online të PDSH-së.
NENI 55
BORDI FINANCIAR I PARTISË
1) Bordi Financiar i Partisë drejtohet nga Kryetari, i cili zgjidhet nga Këshilli Kombëtar.
2) Kryetari i Bordit është përgjegjës për administrimin e fondeve të Partisë. Ai i kërkon Kryesisë të shprehet për projektin e buxhetit dhe jep llogari para saj për zbatimin e këtij buxheti. Bordi Financiar paraqet një opinion për projektin e buxhetit dhe propozon për miratim nga Kryesia e Partisë rregullat e përdorimit të fondeve të partisë.
3) Bordi kontrollon përdorimin rigoroz të financave të partisë. Në këtë funksion, ai mblidhet për të dhënë mendim para dorëzimit të bilancit të partisë në organet kompetente shtetërore dhe të partisë; si dhe para paraqitjes së buxhetit në Kryesinë e Partisë.
NENI 56
DETYRIMET PASURORE
1) Kryesia e PDSH-së nuk mund të marrë përsipër detyrime sipas të cilave anëtarët e saj përgjigjen me pasurinë personale.
2) Për detyrime tregtare ligjore të Partisë, anëtarët e organeve përkatëse përgjigjen vetëm me pasurinë e Partisë.
3) Organet e Partisë janë përgjegjëse për detyrimet e një organi më të ulët vetëm në rastin kur ato e kanë miratuar këtë detyrim.
ORGANIZATAT PARTNERE
NENI 57
ORGANIZATAT PARTNERE
1) Partia ka këto organizata partnere:
a) Forumin Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë (FRPD);
b) Lidhjen Demokratike të Gruas (LDG);
2) PDSH-ja mbështet veprimtarinë politike të organizatave partnere në të gjithë territorin e vendit. Organizatat partnere synojnë që të promovojnë idetë dhe programet e PDSH në grupet shoqërore ku ato veprojnë, si edhe të paraqesin e mbrojnë interesat e këtyre grupeve në politikën e PDSH-së.
3) PDSH-ja garanton përfaqësimin e organizatave partnere në të gjitha nivelet e përfaqësimit politik, ku përfaqësimi i LDG-së është në standardin minimum të parashikuar nga ligji elektoral, ndërkohë që përfaqësimi i FRPD-së është më standartin minimal 10 për qind të të zgjedhurve në Këshillat Vendorë, si dhe me 5 për qind të listës së kandidatë për në Kuvendin e Shqipërisë.
4) Parimet bazë të strukturës së tyre organizative janë të ngjashme me ato të PDSH-së. Miratimi i statutit të organiziatave partnere dhe ndjekja në vijimësi e zbatimit të tij, bëhet nga Kryesia e Partisë.
NENI 58
ALEANCA QYTETARE PËR DEMOKRACINË
1) Aleanca Qytetare për Demokracinë është organizatë partnere e Partisë Demokratike të Shqipërisë.
2) Kjo organizatë partnere përbëhet nga intelektualë me reputacion profesional dhe/ose kontribut të spikatur në shoqëri, të cilët shfaqin interes dhe bashkëndajnë vlerat dhe parimet e Partisë Demokratike të Shqipërisë. Anëtarësimi në parti nuk është kusht për pjesëmarrje në Aleancën Qytetare për Demokracinë.
3) Aleanca Qytetare për Demokracinë synon të analizojë dhe të japë mendim kritik, me sugjerime konkrete dhe konstruktive, ndaj politikave, qasjeve dhe nismave zyrtare të PD-së, duke e ndihmuar partinë të forcojë dialogun, lidhjen dhe debatin konstruktiv me shoqërinë. 4) Mënyra e organizimit dhe funksionimit të kësaj organizatë përcaktohet me vendim të Kryesisë së Partisë.
DISPOZITA TË FUNDIT
NENI 59
AKTET NËNSTATUTORE
Për zbatimin e rregullave të përcaktuara në këtë statut, organet vendimmarrëse të Partisë, miratojnë akte nënstatutore si: rregullore, udhëzime, vendime dhe urdhra, të cilat janë të detyrueshme për zbatim. Vendimmarrjet e Kuvendit Kombëtar dhe Këshillit Kombëtar, mund të pasqyrohen në Procesverbalin e mbledhjeve të këtyre organeve, i cili mbahet sipas rregullave dhe nga personat e caktuar në aktet nënstatutore.
NENI 60
RISHIKIMI I STATUTIT
Ky Statut mund të rishikohet nga Kuvendi i Partisë me shumicën e të gjithë të anëtarëve të tij sipas propozimeve të Kryesisë së Partisë, së një të katërtës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Për përgatitjen e ndryshimeve në Statut, ngrihet dhe funksion Komisioni i Përhershëm i Statutit. Ngritja e Komisionit të Përkohshëm të Statutit, mandati dhe kohëzgjatja e tij bëhet me vendim të Kryesisë së Partisë
NENI 61
HYRJA NË FUQI
Ky Statut hyn në fuqi të nesërmen e miratimit të tij nga Kuvendi Kombëtar në datën 03.09.2023.
NENI 62
DISPOZITA KALIMTARE
1. Mandati i organeve të zgjedhura në bazë të Statutit të mëparshëm vazhdon deri në zgjedhjen e organeve të reja.
2. Ngarkohet Kryesia e Partisë për nxjerrjen e akteve nënstatutore sipas dispozitave të këtij Statuti brenda 30 ditësh nga miratimi i tij.
3. Çdo dispozitë e akteve nënstatutore në fuqi, të miratuara nga organet qëndrore vendimarrëse sipas Kreu V, Seksioni 1, që bien ndesh me parashikimet e këtij Statuti, shfuqizohen.