Deklarata për media e deputetit të PD-së Arben Ristani:
Dje denoncuam para qytetarëve shqiptarë, goditjen shkatërrimtare të trupës drejtuese profesioniste të Policisë së Shtetit, e cila u zhbë brenda natës.
Po brenda natës, Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm, rikthyen në krye të policisë të gjithë ata të cilët kanë qenë të lidhur direkt ose indirekt me bandat e krimit të organizuar para vitit 2005.
Emërimi i kupolës së Policisë duhet të bëhet domosdoshmërisht vetëm në përputhje me ligjin.
Vetëm kështu garantohet një polici brenda standarteve të kërkuara nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë.
Partia Demokratike thekson edhe një herë me forcë para qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve ndërkombëtarë që kanë asistuar dhe financuar reformimin e Policisë së Shtetit shqiptar drejt standarteve të simotrave të saj europiane se:
Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga Kryeministri Rama me propozimin e Ministrit të Brendshëm Tahiri, është haptazi në kundërshtim me ligjin e Policisë së Shtetit dhe konkretisht:
Neni 21 i këtij ligji, parashikon që personi i cili do të emërohet në pozicionin e Drejtorit të Policisë së shtetit duhet:
1. Të jetë shkolluar në Akademinë e Policisë
2. Të ketë shërbyer për një periudhe kohe të paktën 3-vjeçare me gradën drejtues i parë
3. Të ketë kryer jo më pak se 16 vjet shërbim si punonjës policie, duke ushtruar kompetencat policore brenda 20 viteve te fundit.
Kryeministri Rama ka emëruar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit në shkelje të hapur të këtyre kritereve dhe në kundërshtim flagrant me ligjin për Policinë e Shtetit.
Emërimi i dy zëvendës Drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë, nga Ministri Tahiri, është kryer haptazi në kundërshtim flagrant me nenin 24 të ligjit për Policinë e Shtetit.
Kryerja me dashje e veprimeve në kundërshtim flagrant me ligjin që kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, është krim dhe dënohet në mënyrë të qartë nga Kodi Penal i vendit.
Para ligjit të gjithë jemi të barabartë.
Partia Demokratike është e vendosur të kërkojë ndëshkimin e atyre që mendojnë se janë mbi ligjin, janë të ndryshëm nga qytetarët dhe mund të injorojnë zbatimin e tij.
Për këtë arsye, Partia Demokratike ka përgatitur dhe do të bëjë kallëzimin penal ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, të cilët në mënyrë flagrante shkelën ligjin, duke konsumuar krimin e shpërdorimit të detyrës, me pasoja të rënda për funksionimin e shtetit ligjor, të fuksionimit të Policisë së Shtetit.