Njoftim për shtyp
Njoftim për shtyp 9 Nëntor 2013 Kryetari i opozitës z. Lulzim Basha mori pjesë sot në ceremoninë zyrtare të raportit të përvitshëm të Presidentit të Këshillit të Bashkimit Europian Herman van Rompuy mbi Situatën në Europë. Këtë vit kjo ceremoni u zhvillua në Berlin në përkujtim të rënies së Murit të Berlinit që simbolizon erën e lirisë për vendet e Europës ish komuniste dhe ribashkimin e Gjermanisë dhe të mbarë Europës. Presidenti Van Rompuy beri prezantimin vjetor të gjendjes politike ekonomike dhe shoqërore të Europës gjatë këtij viti dhe rrugën përpara gjatë vitit të ardhshëm. Ne përfundim të ceremonisë zoti Basha u takua me Presidentin van Rompuy. Kryetari i opozitës i kërkoi Presidentit van Rompuy mbështetjen e tij për Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe në veçanti për marrjen e statusit të vendit kandidat. Zoti Basha theksoi se “integrimi europian është procesi më i rëndësishëm për çdo shqiptar dhe se PD dhe opozita nuk do t’i reshtin përpjekjet e tyre, për integrimin e plotë të Shqipërisë në BE, si e ardhmja më e mirë dhe më e sigurt që shqiptarët meritojnë”. Zoti Basha e ka njohur presidentin von Rompuy me zhvillimet e fundit politike në vend duke u ndalur në mënyrë të veçantë në sulmin e paprecedentë ndaj votës së lirë në Korçë, cënimin e themeleve të demokracisë. Zoti Basha theksoi se Partia Demokratike është e vendosur të mbrojë me të gjitha mjetet ligjore e institucionale, demokracinë, zgjedhjet e lira dhe shtetit ligjor, të cilat çdo ditë janë nën kërcënimin e mazhorancës.