Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha merr pjesë në analizën e PD-së së Fierit

 

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë në analizën dhe zgjedhjet e zhvilluara në grup – seksionin nr.2, në qytetin e Fierit. Z. Basha ka qenë i prerë dhe i drejtpërdrejtë në mesazhin drejtuar demokratëve, se i vetmi pushtet që do të diktojë zgjedhjet në PD është pushteti i votës. Ky, – tha Basha – ka qenë dhe mbetet angazhimi im në krye të PD”. 

“Pushteti në PD i përket votës. Këtë ju kam premtuar kur kam kandiduar, ua kam përsëritur pasi më keni zgjedhur, këtë ju përsëris edhe sot. Zgjedhja nuk është në dorën time, zgjedhja është në dorën tuaj, gjithsecilit prej jush. Ju do të zgjidhni me votë, ju do të përcaktoni me votë njerëzit dhe njerëzit do të marrin përgjegjësitë për shkak të votës suaj. Askush nuk ka tagër t’iu thotë se për kë të votojnë e për kë të mos votojnë; askush nuk ka tagër t’ju bëjë suflerin. Partia do të mbetet e lirë, ashtu siç ka lindur dhe është synimi im madhor, objektivi im numër një, në krye të PD, ta zgjeroj e konsolidoj këtë liri për anëtarësinë e PD”- u shpreh z. Basha.

Z. Basha ka theksuar se projekti i PD po kthen besimin, jo vetëm tek demokratët por edhe tek të gjithë shqiptarët, të cilët sot janë të mashtruar dhe zhgënjyer nga kjo mazhorancë. 

“Kjo parti e ka një projekt sot, ka një projekt ringritjeje përmes hapjes, bashkimit, ribashkimit, fillimit të ri. Po të mos ishte kjo, nuk do të kishim pasur këtë vërshim anëtarësie që ne kemi pasur sot e kësaj dite, nga jugu në veri dhe që jemi dëshmitarë se po ndodh në Tiranë. Ka një projekt ringritjeje, përmes një opozite të mbështetur mbi fakte dhe argumente që sot dëgjohet, respektohet, pse jo edhe përqafohet nga qytetarë e votues që ndoshta dje as nuk mund t’u shkonte mendja t’i kthenin sytë nga PD. Përmes këtij angazhimi, ne po rikthejmë shpresën dhe besimin, kaq të nevojshëm, në dyert e vatrat e çdo shqiptari e jo vetëm çdo demokrati” – deklaroi kreu i PD.

Në seksionin nr. 2, janë zhvilluar gjatë ditës së djeshme edhe zgjedhjet për kryetar.