Strukturat mafioze të LSI-së në qeveri shënuan sot një sulm të ri ndaj zgjedhjeve të lira në Bashkinë e Vorës, duke vënë në shënjestër direkt kandidatin e opozitës, Fiqiri Ismaili.
Ministria e Bujqësisë dhe Autoritet i Kontrollit të Ushqimit, që drejtohen me telefon nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta urdhëruan pezullimin e fabrikës së miellit të zotit Ismaili, pa asnjë arsye dhe në kundërshtim të plotë me rregullat dhe procedurat ligjore.
Një grup kontrolli nga AKU zbarkoi në fabrikë të shtunën, ndërkohë që vendimi arbitrar u mor një ditë më pas, pa pritur edhe afatet më minimale, që të verifikoheshin rezultatet e analizave. Të gjithë ne e dimë se administrata shtetërore e ka pushim të shtunën dhe të dielën, por kjo me sa duket nuk vlen për horrat e LSI-së në qeveri, të cilët punojnë në mënyrën e tyre, me bllok në dorë.
Duhet të theksoj se kryetari aktual i bashkisë së Vorës, zoti Fiqiri Ismaili ushtron një aktivitet normal dhe të ligjshëm biznesi, që nga viti 1992 dhe asnjëherë më parë nuk ka pasur probleme te tilla me autoritetet. Kurse fabrika e miellit, që u pezullua me urdhër politik, është hapur që në vitin 2012 dhe nuk ka pasur deri tani as shqetësimin më të vogël.
Goditja e biznesit të zotit Ismaili vjen pas një vale presioni mbi të gjitha sipërmarrjet private, që ushtrojnë aktivitetin e tyre në zonën e bashkisë së Vorës, dhe pas trysnisë që po ushtrojnë forcat e policisë dhe elemente kriminale mbi aktivistet e Partisë Demokratike.
Një klimë e tillë represive në fushatë nuk mbahet mend asnjëherë në Vorë, madje as edhe në zgjedhjet e 2001-it, të cilat kanë qenë më të këqijat në këtë aspekt.
Partia Demokratike e konsideron këtë si një ndërhyrje të pastër të mafies qeveritare për të prishur zgjedhjet e 21 qershorit dhe për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Ajo kërkon ndërprerjen e menjëhershme të kësaj fushate të shpifur presioni dhe terrori shtetëror, që po ushtrohet prej ditësh në gjithë territorin e bashkisë së Vorës, duke paralajmëruar të gjithë abuzuesit se do të vihen rreptësisht para përgjegjësisë. Ndërsa sulmi mbi kandidatin Ismaili dhe çdo rast tjetër i ngjashëm do të vihet në dispozicion të misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it në Tiranë.
Po ashtu, i kujtojmë Ilir Metës dhe çdo shërbëtori të verbër të tij që ta harrojnë se me këto forma të ulëta dhe ordinere do të arrijnë qëllimet e tyre politike në Vorë. Fiqiri Ismaili dhe Partia Demokratike do të dalin më të fortë prej tyre dhe ata i pret një humbje shembullore në këtë njësi administrative.
Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje kryeministrit që të mbajë larg duart e pista të pushtetit, që duan të prishin zgjedhjet në Vorë.
Pavarësisht, se e njohin edhe kreativitetin dhe fantazinë e posaçme, që kanë skalionet e LSI-së në administratën e tij, ai do të konsiderohet njësoj bashkautor dhe bashkëpërgjegjës me Ilir Metën, në rast se nuk merren masa të qarta që dhuna dhe presioni të ndalen.
Deklaratë për media e deputetit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, 24 Maj 2015